2020-01-08

Europianët në grackën e Donald Trump

Nga Barbara Wesel
Sërish evropianët vuajnë pasojat e politikës së Donald Trump-it, që vepron si ta ndiejë. Iluzionet se me qeverinë në Uashington mund të ketë bashkëpunim të arsyeshëm në politikën e jashtme janë zhdukur prej kohësh.
Nga Barbara Wesel
Ishte një fillim dramatik për një vit që kërcënon të bëhet një udhëtim i ashpër me zigzage. Evropianët, që u tronditën në paqen e tyre të pushimeve nga lajmi për vrasjen e papritur të njeriut të dytë më të fuqishëm të Iranit, tani duhet të paguajnë pasojat. Të painformuar dhe të pafuqishëm si zakonisht, ata përballen sërish me pasojat e vendimeve të njëanshme spontane të Presidentit të SHBA. Ata ndodhen të kapur në kurthin e Trumpit dhe nuk mund ta çlirojnë veten prej saj.
Asnjë iluzion
Të gjitha iluzionet se me qeverinë në Uashington mund të ketë një bashkëpunim të arsyeshëm racional në politikën e jashtme janë zhdukur prej kohësh. Thëniet cinike të ministrit të Jashtëm të SHBA Mike Pompeo, i cili i akuzon evropianët për mungesë mbështetjeje në Lindjen e Mesme, theksojnë pafuqinë e tyre. Mund të pyesësh veten se ku i vete mendja atij pas vdekjes së Soleimanit – për trupa për një luftë të udhëhequr nga SHBA në Lindjen e Mesme? Është porcioni i marrëzisë në deklaratat e tij dhe të Presidentit Trump që e bën situatën e rrezikshme edhe më shqetësuese.
Tani presidenti amerikan në të vërtetë kishte premtuar se do t’u jepte fund luftërave të pafundme në Lindjen e Mesme dhe do t’i sillte ushtarët amerikanë në shtëpi. Edhe vëzhgues me përvojë të politikës amerikane në Lindjen e Mesme nuk mund të shpjegojnë se si përshtatet kjo me goditjen kundër Soleimanit. Frika është se thjesht mungon një strategji e mëtejshme pas aksionit dhe sulmit me dron në Aeroportin e Bagdadit.
Kjo nuk ka të bëjë as me “America First”, me qëllimin e deklaruar të Trumpit, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ekonomike.
Përsa i përket politikës së jashtme, evropianët e gjejnë veten të bllokuar në një politikë amerikane të formuar nga turbullimet emocionale të një presidenti të paparashikueshëm dhe mbështetësve të tij neokonë të dehur nga pushteti, që janë rikthyer në pushtet në Uashington. Në thelb, shpjegimi i vetëm për vrasjen e Suleimanit në këtë pikë është: “Because we can – sepse jemi në gjëndje ta bëjmë”.
Evropës i mbetet vetëm diplomacia
Padyshim: evropianët duken të dobët dhe të pafuqishëm, kur kërkojnë në deklaratat e tyre të përbashkëta deeskalim, pasi partneri i tyre i dyshuar SHBA ka bërë gjithçka për të përkeqësuar situatën.
Por mund të ketë një dritare për përpjekjet diplomatike për të parandaluar të ndodhin gjëra më të këqija. E qartë është se Teherani po planifikon një kundërsulm; detajet do të vendosin, nëse do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm apo jo. Vendimi mund të jetë ende i hapur. Shefi i diplomacisë së BE-së Borell ishte i pari që kërkoi kontakt me ministrin e Jashtëm iranian dhe dëshiron të ndikojë ndaj tij në një takim krize të evropianëve.
Vërtet që Teherani ndërkohë ka njoftuar fundin e detyrimeve të tij për të ndaluar pasurimin e uraniumit sipas marrëveshjes bërthamore, të cilën Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania luftuan ta mbanin gjallë vitin e kaluar. Por, edhe kjo derë nuk është e mbyllur përgjithmonë, për sa kohë që inspektorët lejohen ende të qëndrojnë në vend. Ende ekzistojnë disa sinjale që qeveria iraniane mund të bisedojë me evropianët.
E qartë është se askush në Evropë nuk po derdh ndonjë lot për Ghassem Soleimanin. Ai ishte përgjegjës për qindra e mijëra vdekje, veçanërisht në Siri dhe Jemen, dhe ishte mbrojtësi i atyre luftërave me prokurë dhe i milicëve që synojnë të çimentojnë supremacinë e Iranit në rajon. Shtypja e përgjakshme e gjithë rezistencës ishte pjesë e programit. Megjithatë, vrasja e tij e papritur shkaktoi një valë shoku.
Në fillim të vitit vështrimi në humnerë
Evropianët tani duhet të përdorin kontaktet e tyre ekzistuese me qeverinë iraniane dhe t’i bëjnë thirrje vullnetit të regjimit për të mbijetuar. Teherani e di se do ta humbiste një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Shtetet e Bashkuara. Dhe situata ekonomike në vend është tashmë e tensionuar, siç tregon vala e fundit e protestave.
A ka akoma vend për një zgjidhje politike? Negociatorët evropianë nuk kanë asnjë shans, por duhet ta përdorin atë. Kërcënimi i luftës së hapur mund t’i intensifikojë përpjekjet diplomatike. Nga ana tjetër, viti i ri do të tregojë shpejt se sa e fortë është tendenca e vetëvrasjes te të gjithë ata që janë përfshirë. Ky vështrim në humnerën politike mund të na ishte kursyer edhe për disa muaj.

No comments:

Post a Comment

Zekë S. Sinanaj (1957 - )

                                                            Zekë S. Sinanaj u lind më 2 korrik 1957 në fshatin Isniq të Deçanit. Ka mbar...