Gjithçka që thuhet, përkimet e elementëve, legjendat dhe të vërtetat për përkrenaren e Skënderbeut


Albert Vataj

Nga Albert Vataj

https://albertvataj.com/2016/10/gjithcka-qe-thuhet-perkimet-e-elementeve-legjendat-dhe-te-vertetat-per-perkrenaren-e-skenderbeut/
Përkrenarja është më sinjifikativja e armaturës së Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Si e tillë ajo ka udhëtuar deri në ditët tona përmes shumë legjendash dhe të vërtetash, aludimesh dhe përkimet të elementëve përbërës. Gjithsesi ajo mbetet një nga objektet më emocionuese të Heroit Tonë Kombëtar.
Helmeta e Skënderbeut është e përbërë nga metal i bardhtë, i zbukuruar me një shirit të veshur me ar. Në majë të saj gjendet koka e bronztë e një dhie me brirë, por që është e veshur me ar. Pjesa e poshtme përmban një shirit bakri me mbishkrimin * IN * PE * RA * TO * RE * BT *, që do të thotë: Jhezus Nazarenus * Principi Emathie * Regi Albaniae * Terrori Osmanorum * Regi Epirotarum * Benedictat Te (Jezus NazareneE Bekon Skënderbeun, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanëve, Mbret i Epirit). Mendohet se shiriti i bakrit me mbishkrimin janë shtuar nga pasardhësit e Skënderbeut, kurse Skënderbeu vetë nuk ka mbajtur asnjë titull tjetër veç atij të “Lordit të Shqipërisë” (Latin: Domi inus Albaniae[1]): Duhet thënë megjithatë se përkthimi i saktë latin i fjalës Regi është Mbretëri meqënëse është fjala Rex që do të thotë Mbret.Kështu që mbishkrimi në helmet lidhet me emrin e pavendosur me të cilin Shqipëria njihej në atë kohë, në mënyrë që të përcaktonte udhëheqjen e Skënderbeut mbi gjithë shqiptarët. Burimet bashkëkohore shfaqin se Shqipëria e shekullit të 14-të përcaktohej si një grupim etnik e fisnor, që nuk kishte një shtet të vetin. Kështu që, në varësi të vendit ku jetoje – Veri ose Jug, në fusha ose male dhe me cilin qytetërim ishe lidhur – ne kemi turqisht: Arnaut, Greqisht: Arbanas, Arbanensis, Italisht: Albanian, Epirotarum, Albanensis, Shqip: ArbërArbenArbëresh, Epirotas.[2]
Sipas historianit Shefqet PllanaSami Frasheri në punën e tij Kamus-al-Alam thotë se fjalët “Dhu lKarnejn” (pronar i dy brirëve) ishte një epitet që i jepej Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, po i njëjti emër që Skënderbeu mbante në formën islamike. Me kërkesën e qeverisë shqiptare të para Luftës së Dytë Botërore, një kopje identike e helmetës së Skënderbeut gjendet tani në Muzeun Kombëtar të Tiranës në Shqipëri. Kopja u prodhua nga një mjeshtër i talentuar austriak në 1937. Kjo është ajo që fakton në mënyrë shyrtuese Wikipedia.

Helmeta dhe shpata kanë një histori të errët dhe ngatërruese të udhetimit. Pas vdekjes së Skënderbeut, ato u morën në Itali nga gruaja e Skënderbeut Donika dhe djali i tij Gjoni. Kush i trashëgoi pas vdekjes nuk dihet Armët u rishfaqën në dekadën e fundit të shekullit të 16-të. Në 1590 një helmetë dhe një shpatë ishin në pronësinë e Kontit Eolfgang i Sturnbergut kurse shpata tjetër ishte në Inventarin e Muzeut të Armëve të Arqidukës Karl të Stirisë, djalë i Perandorit të Shenjtë Romak në Graz të Austrisë (ato paraqiten në inventarin e 30 Tetorit 1590). Personi që i grumbulloi të gjitha armët bashkë ishte djali i Perandorit dhe vëllai i Karlit, Arqiduka Ferdinand i Tirolit, i cili, duke vepruar me këshillën e Kancelarit të tij Jacob Shrenk von Gotzing, i bleu armët dhe i mbajti në të njëjtin vend. Më vonë, ky princ ngriti Muzeun e Ambrasit, pranë Tirolit, të cilin e mbushin me lloj-lloj materialesh ushtarake, ashtu si edhe me piktura dhe protrete të personaliteteve të kohës. Në 1806, armët u transferuan në Muzeun Perandorak në Vjenë.
Teksti i mëposhtëm me autor studjuesin Agron Luka ka të bëjë me një kënvështim të ndryshët për sa i përket përkrenares së Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e pse jo një pasurim të informacionit dhe shoshitje të debateve dhe dilemave që kanë ekzistuar gjithnjë rreth origjinës së pjesëve përbërëse të arnaturës së Skënderbeut
Kaq pak informacion, për një temë tillë! Para disa ditësh, në Muzeun Historik Shkodër, u ndodha në një diskutim mbi përkrenaren e Skënderbeut. Në internetin shqiptar, në zërin e përkrenares ishte prezantuar një lloj krahasimi fotografik i përkrenares mesjetare të Gj. K. Skënderbeut me një tip helmete antike, simbas pamjes së skanuar nga një monedhë antike. (shih fig. 1)
Bashkbiseduesi, krahas prezantimit të ilustrimit grafik nga kompjuteri, më drejtoi edhe këto pyetje: ”A keni ndonjë  dijeni për këtë monedhë, ku është gjetur, çfarë kohe i përket, cila ka qenë vendndodhja e këtij basileusit Trifon? Çfarë opinioni mund të jepni për analizën dhe konkluzionet që ka paraqitur ky autor shqiptar?”
[Në parantesë, unë kam njëfarë njohurie mbi disa tipe helmetash të personazheve mitologjikë dhe të basileusave antikë të gadishullit tonë, në disa paraqitie numizmatike, kam një lloj koleksioni modest dhe e kam pasion të memorizoj në kompjuter paraqitjet e monedhave dhe informacionet nga katalogët e internetit; kam botuar diçka  për tema të  tilla etj.] Mbasi më kaloi impresioni i parë, realisht mjaft befasues e kurioz, fillova të llogjikoj për një opinion fillestar e relativ dhe i ktheva këtë përgjigje: “Me sa po shoh, këtu nuk jepet ndonjë referencë studimi. Sigurisht një temë e tillë nuk duhej te ishte si enigmatike! Nuk po shoh as emrin e autorit dhe as ndonjë informacion për vetë monedhën dhe ti ke të drejtë që i shtron këto pyetje. Duke gjykuar nga shkrimi alfabetik helen, nga dega me gjethe lisi, mendoj se kjo monedhë lidhet me një trashigimi epirote ose diçka e përzier epirote e maqedone. Një ide për bazileusin Trifon e kam dhe me sa mbaj mend e kam lexuar në Biblën e Vjetër, por duhet ta verifikoj. Gjithashtu, do të ishte e nevojshme të dinim se, kush i ka miratuar përfundimet e këtij krahasimi, përderisa i kanë dhënë edhe një vend me kaq rëndësi. Më duket se me kaq pak informacione, krijohet një përshtypje e parë, sikur kësaj sinteze nuk mund t’i bëhen vërejtje, diskutime etj”.
Unë kam bërë një shkrim në lidhje me përkrenaren e Skënderbeut. (“Marin Barleti kopjoi librin e Dh. Frangut apo anasjelltas?, gaz. SOT, 5 maj 2009) Aty kam shprehur idenë se përkrenaria si punim e si dhuratë mesjetare (pavarësisht nëse Gj. K. Skënderbeu, ka patur si dhurata simbolike, një ekzemplar ose dy të tilla), ngjan se, është unike në formën e llojin e saj. Duke e diskutuar me mosbesim pretendimin e studiuesit Lek Previzi, se Gj. Kastrioti na kishte patur dy përkrenare të tilla, njërën për luftime e tjetrën si dhuratë e simbolikë koleksioniste, unë e kam shprehur diskutimin se, përkrenaria me kokë e bri dhie nuk dokumentohet të ishte përdorur e mbajtur në kokë në beteja nga Skënderbeu. (shih fig. 2.)
Nga grafikat e para, nuk rezulton një  gjë e tillë, pavarësisht se si e paraqitën piktorët e më vonshëm, pavarësisht  si e konceptuan dy rusët, skenaristi dhe regjizori, në filmin Skënderbeu më 1953 dhe pavarësisht se si ia ngjeshën përkrenaren, sidomos artet e “realizmit socialist-enverist”.
Nga autorët antikë, nga Bibla e Vjetër, nga Kurani, etj, por edhe nga disa monedha e ndonjë medalion, krahas shumë tipeve helmeta me simbole e mitologji të tjera, dijmë se tipe helmetash me një bri ose dy brirë dhie mbante Aleksandri i Madh, Pirrua i Epirit. Edhe pasardhësit basileusa mbas vdekjes dhe shpërbërjes së perandorisë së Aleksandrit të Madh, mbanin përkrenare me brirë, mbanin simbole me shqiponja, quheshin me epitete si të tillë. Kurorëzimin me degë me gjethe lisi e gjejmë si traditë  te epirotët edhe te maqedonët etj. Pirron e Epirit, ushtarët epirotë e maqedonë e quanin shqiponjë dhe ai shquhej edhe si rritës ushqyes e stërvitës shqiponjash. Por Pirrua mbante edhe përkrenare me brirë cjapi, siç dëshmon Plutarku. Plutraku tregon dhe e thekson se, maqedonët e shpallën Pirron edhe si mbret të tyre dhe ia kurorëzuan kokën me dega me gjethe lisi, sepse ashtu ishin kurorëzuar të gjithë ushtarët epirotë. Aeliani vëren se Pirroja gëzohej kur ushtarët e thërrisnin shqiponjë, po ashtu siç e thërrisnin edhe Antiohun si skifteri. Dhe ky Antiohu ishte një basileus në lindjen e mesme. Të kujtojmë se edhe vetë Pirroja ishte shkolluar në Aleksandri te Ptolemejtë etj (shih, Plutarku, “Vitae Parallelae”, Pyrrhus, 10,1, 11,8,9,10,11; Aeliani, “De Animallum Natura”, Lib. II, 40; VII, 45)
Dijmë se dega e lisit përdoret gjërësisht në monedhat epirote dhe gjithashtu e dijmë se popullsia ilire-alban-epirote e identifikonte veten edhe me emrin maqedon, jo vetëm sepse një pjesë e këtyre popullsive përfshihej realisht në atë emërtim teritori, por edhe sepse e pretendonte trashigiminë e ish Maqedonisë, si fqinji më i afërt, si popull bashkëpjestar i një aleance gadishullore, filluar qysh nga koha e Filipit II, Olimpisë Epirote, Aleksandrit të Madh dhe Aleksandrit Mollos etj. (shih ilustrimet përkatëse nga paraqitjet e monedhave)
Në këtë temën e përkrenares, informacione e kontribute të rëndësishme nga autorët shqiptarë ka fillimisht M. Sirdani, pastaj autorë të kohës socialiste dhe bashkëkohore, si K. Frashëri, L. Malltezi, M. Zeqo etj.
Tre prerje varjante të ndryshme të kësaj monedhe nga Basileusi Trifon (142-138 para Kr.) dhe disa çështje të tjera të hapura
Me gjithse fillimisht, kontrollova sa munda, nuk më kapi grepi ndonjë lloj studimi rreth këtij autorit që e kishte paraqitur shkrimin në internetin shqiptar!
Por, papritmas me dt. 29 shkurt 2012, vura re se interneti kishte bërë një përmirësim minimal, kishte shtuar disa rreshta. Kështu m’u desh të përshtatnja edhe unë shkrimin tim. Informacioni dhe krahasimi për të cilin flasim, ka autor dr. Ilmi Veliu dhe titullohet, “Leka i Madh (Aleksandri i Maqedonisë ishte me origjnë ilire”. Ndër të gjith rreshtat e cituar shkruhet kështu: Kryeministri i Sllavomaqedonisë Nikolla Gruevsi ka urdhëruar që Lekës së Madh ti vëhet një shtatore në mes të Shkupit e cila do të jetë e lartë mbi 20 metra. Si duket Nikolla e ka kuptuar se maqedonasit në Maqedonine Perendimore janë shqiptarë ortodoks dhe se përmendorja e Lekës në mes të Shkupit do të përfaqësojë kulturën shqiptare dhe jo atë sllave. Edhe Skënderbeu me përkrenaren e tij ka pasur elemente e figura të njëjta me atë të Lekës së Madh, sepse e ka ditur se Leka ka qenë me origjinë ilire. Në monedhën antike që është në fotografi shihet përkrenaria e Lekës (Aleksandrit të Madh) dhe në fotografi majtas është përkrenaria e Gj. K. Skënderbeut të cilat kanë figura dhe elemente të njejta”. (Shih forumi Zemra Shqiptare, Zëri “Përkrenaria”, postimi E enjte 02-12-2010)
Me sa kisha lexuar dhe sa kam patur dijeni, ky Basileusi Trifon përmendej në Biblën e Vjetër, te “Libri i Parë i Makabenjve”, ku flitet në një mënyrë më të posaçme, mbi situatën, evenimentet historike, ndërrimet e basileusave etj, në territoret e lindjes së mesme, nga Azia e Vogël, Siria e deri në Egjipt, mbas vdekjes së Aleksandrit të Madh. Dhe kështu e rilexova me vëmendje edhe një herë pjesën përkatëse në Biblën e Vjetër.
Kontrollova në internet dhe e gjeta monedhën në tre varjante, siç po e paraqes, pa ia  luajtur as diçiturat në anglisht. (Fig. 8, 9, 10; Shih, “Forvm’s Classical Numismatics Gallery – Greek and Greek Imperial Coins”, në një ripostim të modifikuar, të kohës së fundit)
Rezulton se, nga bazileusat që ndanë teritoret mbas vdekjes së Aleksandrit të Madh, madje edhe mbas atyre, ruhen për një kohë të gjatë traditat mitologjike, kulturore, besimi politeist i Zeusit, shtampat e simbolet e monedhave sin ë kohën e Aleksandrit të Madh. Vendndodhja e basileusit Trifon (142-138 para Kr.), stacionohet si zotërime në lindjen e mesme, në një zonë midis Sirisë dhe atyre ku mbaronin sundimet e pasardhësve të Ptolemejve të Egjiptit. Basileusi Trifon kishte mundur Antiokun VI (145-142 para Kr.), duke ia marrë edhe mbretërimin, por më 138 para Kr., vret veten i mundur në një betejë nga vëllai i Demetrit II.
Në këtë “krahasim-analizën” dhe “konkluzionet”, e sintetizuara të internetit tonë, konkretisht me një frazë, pretendohen nga dr. Ilmi Veliu, tre përfundime, si më poshtë:
  1. Diferencë-kronologjia rreth 2000 vjeçare, nga monedha te përkrenaria mesjetare, merr për bazë një përkrenare të tillë të Aleksandrit të Madh.
  2. Te përkrenaria e Skënderbeut (e njëjta përkrenare?!) kemi një imitim-kopje nga kjo formë helmete e monedhës antike.
  3. Të njëjtat simbole te dy rrathët e shënuar me numërin 1; dhe te koka e dhisë me brirë të shënuar me numërin 2. (?)
Vërejtje dhe mendime ndryshe
Për mendimin tim, në lidhje me përfundimet e mësipërme kam disa vërejtje dhe ndonjë shtesë:
  1. Ka sigurisht një lloj baze e arsyetimi për një krahasim, porse më produktive dhe më e justifikuar do të ishte, sikur krahasimi të ishte bërë me një artefakt helmetë/përkrenare antike maqedone, ilire, epirote, me kokë e bri dhie/sqapi etj. Dhe deri më sot nuk kemi ndonjë gjetje arkeologjike të një përkrenareje identike të tillë me përkrenaren punim mesjetar dhuratë për Gj. Kastriotin. Kronologjia rreth 2000 vjeçare, plotësohet duke patur parasysh pjesërisht Aleksandrin e Madh. Por, të kuptohemi se, ka edhe para Aleksandrit të Madh tradita të tilla. Pra, krahasimi duhet bërë me një artefakt më të sigurtë!
  2. Nuk kemi asgjë të garantuar, që Përkrenaria e Skënderbeut të ishte  punuar në mesjetë duke imituar konkretisht formën e monedhës së paraqitur të shek II p.e.r. Për më tepër akoma nuk kemi informacione e përfundime të sigurta, nëse këtë përkrenare Skënderbeut ia dhuroi Papa Piu II apo Ferdinandi i Napolit. Barleti na informon: “Në qytetin mbretëror në Napoli, në praninë e mbretit Ferdinand arritën përfaqësuesit e Papës Piu II, dukës së Milanos dhe thuaj të gjithë princëve të Italisë, me përgëzime të pazakonta dhe me dhurata shumë të mëdha. Por e vërteta është se Papa Piu II dhuratat shumë më të mëdha … duke i dhënë fjalën se kur të hidhej në Epir e në Maqedoni, brenda një kohe të shkurtër, jo vetëm që do t’i vinte kurorën  dhe do ta shpallte Mbret të Epirit, të Maqedonisë, të Thrakës dhe të të gjithë Romës së Re, por do ta vinte në krye të gjith forcave të Kryqëzatës”; Mbreti Ferdinand… e nderoi veçanërisht Skënderbeun me dhurata… me një sasi të madhe ari e argjendi, kuaj Italie… armë të tjera, dhurata ushtarake të rralla dhe të çmuara…”. (Shih në HS, f 418-421)
Ka patur edhe ide se kjo përkrenare kishte një origjinë punimi nga orjenti, ose nga një mjeshtër orjental etj.
  1. Nuk rezulton me aq siguri se, te pjesët e shënuara me vizë 1 e 2, kemi të njejtat simbole, siç shihet edhe nga një këputje pjesëve konkrete dhe të zmadhuara.
Koka e dhisë është një derdhje në bronz e larë me ar. Kjo derdhje nuk rezulton e sigurtë tek monedha konkrete dhe tek varjantet e tjera të saj dhe kështu kërkon mendim autoritetesh kompetente dhe teknika të sofistikuara.
  1. Edhe simbolet brenda rrethit, nuk duket se janë identike/të njëjtat! Në Pëkrenaren e Skënderbeut, siç e theksojnë K. Frashëri dhe M. Zeqo, ka një shtesë të mëvonshme (?), një lloj fashature/rripi bakri i larë në ar, i montuar me përçina, ku janë në formë rozete gjashtë petale luleje dhe gjashtë monograme sekrete. Për deshifrimin e tyre ka shkruar fillimisht edhe M. Sirdani e më pas ripërsërit prof. K. Frashëri, i cili shkruan: Përkrenarja e Skenderbeut është punuar me metal të bardhë, pajisur me një rrip (ruban) të larë me ar. Në majë të saj është vendosur një kokë dhije me brirë, punuar në bronx të larë në ar. Në pjesën e poshtme të saj, ka rreth e rrotull një rrip bakri me nje mbishkrim prej gjashte rrokjesh, te ndare midis tyre me rozeta: IM * PE * RA * TO * RE * BT, që do të thotë: Jhezus Nazarenus * Principi Emathiae * Regi Albaniae * Terrori Osmanorum * Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të bekon ty Skënderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqiperisë, Tmerri i Osmanllinjeve, Mbret i Epirit). Por rripi prej bakri me këto gjashtë monograme duket se është vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit, të cilët kanë menduar se me shtimin e titujve do t’ia rritnin atij vlerën, kurse, siç u tha, ai nuk ka mbajtur asnjë nga këto tituj, por vetëm “Zot i Shqipërisë/DominusAlbaniae”. (“Ju rrëfej armët e heroit”, 9 shkurt 2005)
Prof. dr. M. Zeqo, ka nënvizuar se, përkrenaria iu dhurua Skënderbeut, si një simbolikë e fitores së Kryqëzatës, në përngjasimin e fitoreve të Aleksandrit të Madh kundra Darit të Persisë, siç interpretohej edhe në Biblën e Vjetër, ku sqapi i perendimit ia theu brirët dhe kokën dashit të orjentit, përkatësisht Dariut. Edhe Zeqo me disa luhatje e shënon se, Skënderbeu nuk e ka patur titullin “Mbret-Rex i albanëve e epirotëve”. Por, këtu duhet të mos harrojmë se, titulli  Imperator dhe Mbret i Romës së Re dhe me rradhë deri te titullatura Mbret i Albanisë dhe i Epirit i ishin premtuar Gj. Kastriotit! (përse nuk i janë bërë analizat kimike asaj larjes me ar?!) Gjithsesi, edhe po ta marrim si të mirëqenë se rripin me monogramet e kishin shtuar pasardhësit, do kishim aty një konfirmim “sekret”, për atë ish premtimim aq pompoz si: “Kapiten i Përgjithshëm i Kryqëzatës, si Mbret i Albanisë, Epirit, Maqedonisë, Thrakës e madje edhe i Romës së Re”! Ky premtim i Papës Piu II, reduktua së fundi, para se të imbarkohej në Ankona, thjeshtë si “Mbret i albanëve dhe i epirotëve”, por edhe ky rezultoi i pa mbajtur me pabesi dhe u mbulua e u justifikua me mister me vdekjen e Piut II … Papa Piu II u katandis aso kohe aq i dëshpëruar, sa edhe t’i drejtohej me letra vetë Mehmetit II, ku ia premtonte kurorën e perandorit të Romës së Re, me konditë që ky të kthehej si kristian, madje letra me lutje të tilla, simbas Barletit, i dërgonte Sulltan Mehmetit edhe vetë Skënderbeu. (HS, f 443) Por, do të guxonte një prift meshtar i thjeshtë të shtonte një histori të tillë të trilluar me emrin e Papës, aq më tepër ta improvizonte me atë “stilin tuqididik”?! Kam përshtypjen se prof. Frashëri, nuk e ka arsyetuar pohimin e tij, konformë me realitetet historike.
[Në një letër drejtuar Papës Benedikti XVI, “Shoqata Dukagjini” dhe “Shoqata Integrimi në Europë”, me anën e një studimi të Agron Lukës, kërkuan që arkivistët e Vatikanit të ndihmonin në zbardhjen e kësaj enigme dhe pyesnin nëse ishte e mundur brenda kanonikëve kishëtar që, Kurora mbretërore e premtuar Skënderbeut dhe grada kardinal Pal Ëngjëllit, t’i akordoheshin në mënyrën retrospektive e honorifike, pa cënuar absolutisht rendin republikan të Kushtetutës së Shqipërisë. Me anën e Nunciaturës Apostolike, me dijeninë e vetë Papës, ne morëm një përgjigje inkurajuese siç e vërteton edhe Shkresa … Por me sa duket burokracia e Vatikanit, mbase e ka harruar…!]
  1. Megjith atë pak “ironinë” e z. I. Veliu, nuk mendoj se z. Gruevski dhe akademikët sllavomaqedonas po e bëjnë shtatoren e Aleksandrit të Madh, thjeshtë e vetëm për hatrin e disa fshatrave me ca pak minoritete, disa qindra ortoksë shqiptare të Maqedonisë Perendimore! Po myslimanët shqiptarë, pse i harroni dhe ku i fusni ju zotëri?! Unë besoj se Gruevski dhe ata që mendojnë si ai e bëjnë këtë për të treguar se në popullsinë sllavomaqedone e bullgare ekziston ende një lloj trashigimie e ish popullsisë maqedone autoktone, se në Maqedoni vetëm gjuha ishte sllavizuar etj, fantazi jo shkencore si këto! Fakti që sllavojugorët dhe bullgarët e maqedonasit sllavojugorë janë të ardhurit e shek VI e më vonë, nuk mund të shbëhet me asnjë akrobaci, sado të lartë ta ngrejnë shtatoren maqedonasit e sado ta lajnë edhe me ar Aleksandrin e Madh, megjith Bukefalin, kalin e tij! Pjesët e luanit nga ish trashigimia e shuar e Maqedonisë antike, kanë të drejtën t’i pretendojnë vetëm popullsitë fqinje autoktone. Dhe ky është një fakt historik i pretenduar në vazhdimësi, sidomos nga populli alban/epirot-shqiptar. Nuk duhet harruar e anashkaluar gjithashtu nga historiografia shqiptare se, Sulltan Mehmeti II, Khalif, ia kishte falur Skënderbeut atë “bukëshkaljen dhe shpalljen qafir”. Përndryshe përse do merreshin e do nderoheshin, me urdhërin e vetë Sulltan Mehmetit II, “me respekt shumë të madh e me frikë perendie/të All’llahut”, eshtrat e një qafiri për hajmalira të shenjta?! Ne, për më tepër patëm hedhur edhe një hipotezë se Mehmeti II i ngriti edhe një Tyrbe, Skënderbeut në Lezhë.
Këndej kanë më të drejtë ata autorë që Gj. K. Skënderbeun e shohin edhe si heroin nacional që i përket të gjitha besimeve dhe rrymave të tjera në Shqipëri.
Le të nxjerin ato pak mësime që mund të nxirren nga historia jonë e hidhur qarqet e larta politike e kulturore shqiptare por edhe ato europiane. Me sa duket, siç e shpreh Kadare, kasta e lartë politike e kulturore shqiptare ka qenë e gatshme të plotësojë me urgjencë vetëm standartet e “Dërgatës së Xhedahut”, ndërsa preferon të zvarriset me “darka krokodilësh” e “studime fizibiliteti” për standartet europiane! (I. Kadare, “Mosmarrëveshja…”, f 29-31 etj)
Këtu me kaq duhet ta mbyllim, për ta vazhduar ndonjëherë tjetër…
Ilustrimet grafike:
Fig.1. Informacioni i internetit shqiptar dhe i dr. I. Veliut nuk tregon asgjë për vend-gjetjen e kësaj monedhe etj!
Fig. 2. Armët, shpata dhe helmeta e Gj. K. Skënderbeut, simbas një grafike të shek XVI.
Fig. 3.  Medalion bronzi, Aleksandri i Madh, me përkrenare me kokë luani dhe me kokë me një bri dhie si Bir i Zeusit. Gjetur në Shkodër.
Fig. 4. Helmetë përkrenare maqedone e ilire me kokë dashi.
Fig. 5. Monedhë argjendi, gjetur në Shkodër. Aleksandri i Madh  me përkrenare me bri dashi, si Biri i Amonit.
Fig. 6. Monedhë argjendi e Basileusit Ptolemeu i Egjiptit. Shqiponja e Aleksandrit të Madh. Gjetur në Shkodër.
Fig. 7. Monedhë bronzi e Aleksandrit të Madh me përkrenare-helemetë me kokë luani dhe me harkun e topuzin e Herakliut, nga e mbante veten, si pasardhës, fisi i Aleksandrit. Inicialet BAE, deshifrohen Bazileus Aleksandri Emathia. Nga këto armë si koleksione mbante edhe Skënderbeu.
Fig. 8. Diodotus Tryphon10 viewsAE 19, 5.25g, Diodotus Tryphon, 142-138 BC, Obv: Tryphon facing right. Rev: Macedonian helm with Ibex horn, caps of Dioscuri, ΒΑΣΙΛΕΩΣ ΤΡΥΦΩΝΟΣ ΑΥΤΟΚΡΑΤΟΡΟΣ, light green patina with earthen highlights, VF. Houghton 259, CSE 259
Fig. 9. Diodotus Tryphon16 viewsAE 18, 4.28g, Diodotus Tryphon, 142-138 BC, Obv: Tryphon facing right. Rev: Macedonian helm with Ibex horn, caps of Dioscuri, ΒΑΣΙΛΕΩΣ ΤΡΥΦΩΝΟΣ ΑΥΤΟΚΡΑΤΟΡΟΣ, light brown patina, aXF. Houghton 259, CSE 259
Fig. 10. Diodotus Tryphon12 viewsAE 18, 5.48g, Diodotus Tryphon, 142-138 BC, Obv: Tryphon facing right, dotted border. Rev: Spiked Macedonian helm with Ibex horn, caps of dioscuri in field, ΒΑΣΙΛΕΩΣ ΤΡΥΦΩΝΟΣ ΑΥΤΟΚΡΑΤΟΡΟΣ, dark brown patina, gVF. S 7089, B.M.C.4.69,12
Fig. 12. Monedhë argjendi e basileusit Perseu, bashkëkohës dhe aleat i basileusit ilir Genthio të Shkodrës. Vini re formën e shqiponjës autoktone gadishullore, me krahë të hapur cep më cep e kuorëzuar me me një degë me gjethe lisi, siç edhe në monedhat epirote. (“Ati Zeus, vrik dërgoi shkabën e rrufeshme, ndër shpezë më ugurmirën, t’murrmen gjahtare që e quajnë zeshkane. E sa është porta me kapakë puthitur, aq krahët shkaba cep më cep i hapi”… episod në vargjet homerike,  Iliada, XXVI, v. 359-394)
Fig 13. Demetri II Nikator i Sirisë (129-125 para Kr.), mbretëria e dytë. Monedhë çuditërisht e gjetur në Shkodër.
Fig. 14. Demetri II Nikator i Sirisë (146-140 para Kr.). Vini re shqiponjën, krahasuar me atë të Aleksandrit të Madh etj!
Fig. 15. Stema heraldike e shek XII, e families fisnike me origjinë shkodrane Lule Frangu/De Florea Franco, në Manfredonia, Napoli, që paraqet shqiponjën e zezë biqefale, luanin e artë, liqenin, lumin Bunë, një urë, disa rrugë etj.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri