Profesori i fakultetit Filozofik të Beogradit, deputet i Grupit Parlamentar Partia Liberal Demokrate – Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës – SDA Sanxhak, Zharko Koraq thotë se Kosova kurrë s’ka qenë në fakt pjesë e Serbisë

Deputeti i Serbisë thotë se Kosova kurrë s’ka qenë në fakt pjesë e Serbisë


Deputetët e Kuvendit të Serbisë, Zharko Koraq dhe Dragan Shormaz, kanë folur në lidhje me çështjen e Kosovës në emisionin e ri të serisë “Kosinus”, emision ky që realizohet nga agjencia serbe e lajmeve “FoNet” dhe merret pikërisht me çështjen e Kosovës.

Profesori i fakultetit Filozofik të Beogradit, deputet i Grupit Parlamentar Partia Liberal Demokrate – Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës – SDA Sanxhak, Zharko Koraq, ishte shumë i ashpër kur foli për atë se çfarë do të thotë për të personalisht Kosova. Thotë se atë territor Serbia e ka humbur historikisht, territor i cili, sipas mendimit të tij, në të vërtetë s’ka qenë kurrë pjesë e vërtetë e Serbisë.

“Ndodh që shtetet të humbin një pjesë të territorit të vet sepse nuk ia kanë dalë, ta them një fjalë neutrale, ta përvetësojnë atë. Serbët gjithmonë kanë pasur një raport shumë negativ ndaj shqiptarëve, ka pasur racizëm. Tek ne fjala ‘shiptar’ nënkuptonte një punëtor fizik, të paarsimuar, e kjo për një shqiptar të arsimuar është shumë e vështirë të pranohet”, vlerëson Koraq.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Përparimtare Serbe, partia e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Dragan Shormaz thotë se për të, sa i përket Kosovës, rëndësi ka populli serb dhe se dëshiron që asnjë serb të mos e lëshojë më Kosovën.

“Nëse është e mundur të kthejmë sa më shumë që të jetë e mundur, sepse kjo është mënyra e vetme që të vazhdojmë të themi se është e jona, dhe natyrisht të mbrojmë trashëgiminë tonë historike dhe kishën ortodokse serbe sepse edhe ajo, pa popull, vështirë se do të mbrohet”, deklaron ai.

Për sa i përket referendumit, Koraq thotë se beson që as që do të ketë një të tillë, edhe pse, sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vazhdimisht premton. Po ashtu mendon se edhe nëse do të ketë, formulimi do të bëhet në atë mënyrë që për njerëzit do të jetë e paqartë se çfarë po votojnë.

Shormaz thotë se qytetarëve serbë duhet t’u bëhet “kristal e qartë” se çfarë fiton e çfarë humb Serbia me marrëveshje me Kosovën.

Për sa i përket ulëses së Kosovës në OKB, profesori Koraq thotë se një ditë do të ndodhë kjo dhe Serbia thjesht nuk do ta ngre dorën kundër këtij vendimi.

“Nëse arrihet marrëveshja, Serbia do të detyrohet të mos e ngre dorën kundër – pra, s’do të votojë as pro as kundër, por do të jetë pasive. A do të jetë Kosova një ditë anëtare e OKB-së? E dini, në OKB është Palestina, e cila e kontrollon territorin e vet më pak sesa Kosova”, tha ai.

Kurse deputeti i partisë së Vuçiqit, Shormaz, tha se nëse Kosova do të bëhet pjesë e OKB-së, Serbia duhet të fitojë diçka.

“Nuk mund të thuhet që Kosova të ketë ulëse në OKB, e Serbia nga kjo të mos përfitojë asgjë”, tha ai.

Të pyetur rreth konfliktit të ngrirë mes Kosovës e Serbisë, profesori i fakultetit Filozofik të Beogradit, Zharko Koraq thotë se për Serbinë opsioni më i keq do të ishte ky konflikt, për çka, thotë ai, “insiston një pjesë e politikanëve në Serbi, e insiston, si duket, edhe Rusia”.

Ndërkaq Shormaz thotë se marrëveshja është zgjidhja e vetme, si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët.

Për zgjidhjen e kompromisit, profesori thotë se është i mundshëm, një kompromis që përfshin gjithçka. “Natyrisht se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga pavarësia, dhe kjo është jashtë kompromisit”.

Kurse deputeti Shormaz thotë se për kompromis, të dyja palët duhet të heqin dorë nga diçka.

“Për të arritur kompromisin, duhet që të gjithë ne të heqim dorë nga diçka. Kjo heqje dorë të jetë humbja më e vogël e mundshme, si për njërën ashtu edhe për palën tjetër”, thotë Shormaz.

Deputetët u pyetën edhe për demarkacionin (shkëmbimin e territoreve). Profesori Koraq thotë se kjo ide ishte një gënjeshtër, sepse asnjëra palë nuk do të humbasë pjesë të territorit të vet.

“Ideja për demarkacionin është një gënjeshtër, dhe mendoj se asnjëherë që nga fillimi i saj s’ka qenë reale. Sepse as shqiptarët e as përfaqësuesit e Republikës së Serbisë nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga një pjesë e territorit të tyre”, tha profesori.

Kurse Shormaz tha se do të donte që e tërë Kosova “të mbetet” pjesë e Serbisë.

“Ka qenë një ide për kompromis të mundshëm. Por, a është në tavolinë ende, nuk është pyetje për mua. A më pëlqen mua si ide apo jo, ju them se unë do të doja më së shumti që Kosova të mbetet krahinë autonome brenda Serbisë”, tha Shormaz

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri