Si e lajmëroi Prof. dr. Martin Camaj vdekjen e babait tim Selman Riza





Nuk e di se si, por ashtu vetiu, tani më lindi dëshira të shkruaj dy radhë për tim atë, Selman Rizën.
Më lindi dëshira të përqas dy figura të shquara të kulturës shqiptare: Dhimitër Paskon dhe Selman Rizën, jo vetëm si qëndrestarë burgjeve të pamerituara, por edhe si të paepur e konsekuentë në idetë e pikëpamjet e veta.

Në veprën e vet “Tri monografina albanologjike: Abeceja-Drejtshkrimi-Çështje gjuhësore”, botuar në Tiranë, në vitin 1944, Selman Riza trajton tri figura të shquara. Monografinë e parë ia kushton Ibrahim Fehmiut: “Këtë monografi kushtonj zotni Ibrahim Fehmiut, mësuesit t’im në “Mësonjtoren e Gjakovës më 1917-18, pedagogut të lindun dhe apostullit “mëmëdhetar”, i cili bashkë me abecenë e shqipes më mësoi dhe elementet e shqiptarisë.”

Monografinë e dytë ia kushton Sadi Pejanit: “Këtë monografi kushtonj zotni Sadi Pejanit, prefektit t’im në konviktin “Naim Frashëri” në Tiranë, më 1922-1924, pionierit n’arsimin t’ânë filluer t’idesë pedagogjike moderne me frymëzue vegjëlinë me shijen e jetës në natyrë dhe me dashurinë e punës së krahut.”
Ndërsa monografinë e tretë ia kushton Dhimitër Paskos: “Këtë monografi kushtonj zotni Dhimitër Paskos, alias Izedin Jashar Kutrulisë, vjershëtarit të frymëzuen të “Kosovës shqiptare.”

Kosova shqiptare!
Një jetë të tërë me këtë besim! Amanetin që nuk e tret dheu, po ashtu e la me këtë besim për: Kosovën shqiptare! “Mbetjet e një jete të truar, pa dallim gjithë bashkëkombësve të mi, dëshëronj të më prehen atje ku kam lindur, në Kosovën Shqiptare.” E ky besim për Shqipërinë, për Kosovën shqiptare, ishte i shkrirë njësh me besimin për mbrothësinë e lulëzimin e gjuhës shqipe të krejt botës e jetës shqiptare. Me këtë besim ai nuk u dorëzua dhe ndihmoi pa kursim, me thjeshtësinë e dashamirësinë që e karakterizonte, cilindo që i afrohej për ndihmë, kolegë e miq, mësues e studentë, që të futeshin me guxim në fushën e shkencës, e cila nuk kishte vetëm lule, por edhe gjemba, sepse tek ata shihte gonxhet e shëndetshme të së ardhmes, po, të së ardhmes shqiptare!

Po sjell ndër mend këtu shkrimin e Prof. dr. Martin Camajt “Vdiq gjuhëtari S. Riza“, Dielli, 28.04.1989.

“Selman Riza, karakter njeriu pa zhigla, origjinal në ide e formulim mendimi, pat një kulturë jashtëzakonisht të gjanë: Jam i sigurt se ai në kushte të tjera akademike (humbjen e dhjetë vjetëve i ngujuem në burgim as që e zamë në gojë) do të kishte dhanë vepra edhe ma të mëdha e ma të qëndrueshme kohës. Të nënshkruemit që e njohi mirë dhe bashkëpunoi për një kohë të shkurtër me prof. S.Rizën nuk i shlyhet mendjes e zemrës përkrahja përmes këshillave të pjekuna, por sidomos nxitja t’i meste prore besnik artit e shkencës shqiptare.”

Përse pra më lindi kjo dëshirë për t’i kujtuar pranë e pranë këto dy figura të shquara të kulturës shqiptare, Mitrush Kutelin dhe Selman Rizën? Në testamentin e vet Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) i porosit fëmijët e vet ta duan vendin dhe gjuhën shqipe gjer në vuajtje. Të mos u shkasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. “Këtu kanë lindur, këtu do të rrojnë, me mish e shpirt, qoftë edhe me dhimbje.” Ja se çfarë u shkruante në një letër të afërmve të vet S. Riza: “Gruas, djalit e vajzës, u kam komunikuar aq thellë në shpirt afshin e ndjenjave të mia për Ju në Kosovë, saqë në shprehjet e qëndrimet e tyre, Ju mund të gjeni përherë me mend edhe zërin e zemrës sime.”

Ndërsa më herët ai ka pohuar “… Kështu unë qysh në bankat e liceut problemin kombëtar e ndërballkanik të Kosovës e bëra preokupimin jo numër një, por të vetëm të krejt jetës sime.”
E më tej:
“As detyrës elementare për të mbrojtur jo pa rrezikim kreditin moral të emrit kosovar mund të pohoj lirisht se kurrë nuk i kam bërë bisht.”
Im atë ishte sa i rreptë me të keqen, me të padrejtën, aq i butë e i ndjeshëm ndaj së mirës e njerëzve që e përqafojnë atë. “Njerëzit e zbutur vlejnë më shumë se të lindurit të butë”, - shkruan ai në librin “Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme”.

Nuk ishte poet, por zemra i këndonte për liri e për atdhe:

... Dardani e Vjetër

Kosovë e Re
Ke qenë shqiptare
Shqiptare Je!

Dimër e verë
Sa të jetë jeta
Ke me përshëndet
Me: Tungjatjeta!

“Ke me përshëndet” me urimin e bukur të gjuhës sonë, të gjuhës shqipe.
Më vjen ndër mend tani thënia e tij: “Vërtet Noli – i zoti, por edhe shqipja – e zonja.” E vërtet, përmbi të gjitha gjuhët që zotëronte, ai zonjë pati shqipen e për të punoi deri në fund të jetës së vet.”

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri