Vilat e drogaxhinjve që vrasin njëri-tjetrin dhe vilat e politikanëve që kanë vrarë një popull

Kurt Farka




Publiku është bombarduar këto dy-tre ditë me pamje “lufte” që si përherë kanë dicka që nuk bind.

Është mungesa e seriozitetit, ideja e shtetit me fushata, tipike e një qeverisjeje që vepron bazuar te sondazhet e brendshme politike, jo tek nevojat e vërteta të shoqërisë shqiptare, jo tek nevoja ulëritëse për ndryshime thelbësore.

Është ajo e përhershmja e shqetësimit për pushtetin, jo për Shqipërinë.

Është elementi i shou-t, i teatralitetit, i cili edhe kur nuk duket, ndihet.

Sot njoftoheshin sekuestrime shtëpish në veri të vendit, “vila” personash të përzier në trafikun e drogës.

E pamundur që një shqiptari normal nga ajo Shqipëria e madhe e heshtur jomilitante, të mos i shkojë në mendje pyetja: Mirë vilat e disa drogaxhinjve që vrasin njëri-tjetrin, po vilat e politkanëve që kanë vrarë të tashmen dhe të ardhmen e një populli a do sekuestrohen?

A kanë efekte reale afatgjatë këto “operasione” nëse zhvillohen jashtë cdo kuadri ligjor dhe konteksti institucional? Nëse kundërshtojmë idenë që dyert e Europës nuk po na hapen prej krimit ashtu sic thotë ta zemë Holanda, por prej problemeve të brendshme të BE, sic thotë qeveria, atëherë pse vetë kjo e fundit konfirmon Holandën me këto shfaqje që në fund të fundit japin imazhin e një vendi që na qenkësh…. pikërisht sic thotë Holanda? Pse kjo mësymje në një kohë që po investohet me kosto të larta tek Reforma në Drejtësi?

“Ligje nga më të çuditshmet, ligje që nuk kanë as tituj juridikë, siç është rasti i ligjit kundër KÇK-së” – shkruan Moikom Zeqo në një analizë botuar sot në Dita dhe shton:

KÇK, një shprehje që duket si e thënë thjesht në një bisedë, për të krijuar një mundësi të re për të shtuar atributet e drejtorëve të policisë, ndërkohë që legjislacioni shqiptar, i ka të gjitha pikat dhe dispozitat për t’i kryer veprimet kundërshtuese ndaj abuzimeve, sidomos ndaj të korruptuarve.

Jo vetëm atyre që janë jashtë mureve të Kuvendit, por sidomos ndaj atyre që janë kinse ligjvënës brenda mureve të Kuvendit/

Të cilëve, formula e çuditshme KÇK jo vetëm që u përshtatet por i binjakëzon më shumë – shkruan Zeqo.

Ai tërheq vëmendjen tek forcimi i institucioneve dhe ligji si e vetmja garanci për zhvillim të qëndrueshëm..

“Kushtetuta është e vetmja strukturë referenciale e papërsëritshme dhe e patjetërsueshme dot, për tërë politikanët por dhe për gjithë popullin (nuk ka Kushtetutë vetëm për politikanët dhe Kushtetutë tjetër për popullin).

Në bazë të Kushtetutës do të behet edhe qeverisja, dhe opozita, dhe zhvillimi ekonomik dhe ai shoqëror.

Sepse titullarët, Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri janë thjeshtë mandatorë dhe nuk janë asnjëherë liderë, sepse thelbin e udhëheqjes dhe të liderizmit e koncentron dhe e frymëzon vetëm Kushtetuta.

Teoria se ka liderë pa pasur nevojë për Kushtetutë është teoria e autoritarizmit, e mungesës së demokracisë dhe të lirisë, teoria e provincionalizmit bajraktar, teoria e prapambetjes dhe mungesës së plotë të emancipimit” – shkruan Zeqo.

Akademiku i njohur në shkrimin në DITA përsërit idenë e tij të kahershme për atentatin kushteues të 2008-s që ndalon rinovimin e klasës politike dhe elitave.

“Enigma e enigmave për të ardhmen politike të Shqipërisë është ligji për ndryshimet e kobshme Kushtetuese të vitit 2008 qe konvecionalizohet si “listat e mbyllura”, me të drejtën prej monarkut të kryetarëve të partive.

Shpreh mendimin tim se nëse nuk ndryshon, nuk eliminohet, nuk hiqet, ligji i ndryshimeve të kobshme të vitit 2008, gjë që klasa e establishmentit të vjetër të politikës me sa duket nuk e dëshiron, atëherë do të ketë gjithmonë vonesa, do të pengohen ndryshimet progresive për të patur një politikë për popullin dhe jo një popull të klonuar për politikën”.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri