Zef Zorba (1920-1993)




Zef Zorba lindi më 1920 në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare.

Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovas në Itali.

I ndërpret studimet më 1943 për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke.

 Në vitet 1945-1946 punësohet si regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramatike me tingëllim të qartë desident si "Juda Makabe" e Fishtës, "Armiku i Popullit" i Ibsenit etj.

Ndoshta edhe për këtë arsye arrestohet më 1946 dhe burgoset nën akuzën e agjitacion e propagandës. Vuan dënimin ndër kampet e punës dhe "riedukimit" deri në vitin 1951.

Më vonë punon ndër ndërrmarrje të rrethit të Shkodrës si llogaritar deri në vitin 1980, kur dhe del në pension.

Ndërron jetë më 6 janar 1993 në Shkodër. Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e intelektualit të vërtetë, larg kompromiseve. 

Zef Zorba është një nga poetët më të shquar të letrave shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, pra e asaj periudhe që në mënyra të ndryshme është quajtur si kohë e komunizmit shqiptar.

I arrestuar në moshën 26 vjeçare, bashkë me gruan e tij të re, pas lirimit nga burgu, pesë vite më pas, më 1957, ai, natyrë e ndjeshme artistike si rrallëkush, e kuptoi se rruga e vetme e tij në art nuk mund të ishte veçse ajo e mënjanimit dhe e mbylljes në vetvete. 

Ai zgjodhi rrugën e krijimit të poezisë që nuk do të shihte dritën e botimit.  Një poezi pa lexues, është një vepër pa jehonë, që nuk shkon te të tjerët dhe as sjell prej të tjerëve asgjë.  


Zef Zorba zgjodhi hermetizmin, si formën më natyrale që i shkonte poetit me atë fat. Ai është nga të rrallët poetë shqiptarë, që bëri eksperimente avanguardiste, aq pak të pranishme në poezinë shqipe. Një nga këto është synimi për një martesë të lumtur të poezisë dhe muzikës, duke gërshetuar teknikat e tyre. Ndërkaq, ky pasion i tij për avanguardizmin, nuk pengon që herë pas here, pas vargjeve të tij të ndihet fryma dhe ritmika e Dantes.

E njëjta frymë zotëron në përkthimet e tij që nga Ungareti te T. S. Eliot. Dalja nga mjegulla e Zef Zorbës, ashtu sikurse e të përjashtuarve të tjerë, për të zënë vendin e tyre në mozaikun e riparuar të letrave shqipe të shekullit XX, do të sjellë drejtpeshimin e munguar në këto letra.

Kështu ka shkruar Zef Zorba në një vjershë të datës 29 mars të vitit 1975, mu në mesin e natës totalitare. 

Të njëjtën poezi të trishtueshme ai e mbyll me vargun: “Veç drita s’ka mbarim”. E kjo do të thotë se edhe kur ka qenë i ligështuar në shpirt, në thellësi të tij ai ka besuar se perdja do të ngrihej përsëri e, për rrjedhojë, akti do të vazhdonte.

“Buzë të ngrira në gaz”, është libri i vetëm i botuar nga poeti brilant Zef Zorba. I botuar për herë të parë në vitin 1994, vetëm një vit pas vdekjes së poetit dhe i kaluar thuajse në heshtje të plotë, ky vëllim poetik vjen sërish në duart e lexuesve, si një ribotim i përmirësua dhe një mundësi reale për ta zbuluar këtë poet të veçantë.

 Libri, i cili harkon sipas autorit vitet 1945–1980, në variantin e përmirësuar (që del në qarkullim këto ditë nga shtëpia botuese “Princ”), përfshin edhe një poemë krejt të panjohur e të pabotuar më parë: “Baladë dritash për Lalin”, e shkruar më 29. 03.1975.

Zef Zorba , është një poet antologjik. Ai ka refuzuar të botojë në kohën e diktaturës dhe refuzimin e kishte estetik. Ndërkohë që gjithë poetët e tjerë merreshin me poezinë totalitare, ai ka përkthyer poetët më të mëdhenj të shekullit njëzet, si Ungareti, Montale, Kuazimodo, Eliot, Frost, etj, përkthime këto që Zorba i ka lënë si libra të përfunduar, gati për botim”.  “Zorba është një zë i vetmuar në shkretëtirën e asaj kohe.

Poezia e tij është e rrallë në të gjithë Evropën Lindore, pasi në asnjë nga vendet ish-komuniste nuk është shkruar në këtë mënyrë dhe s’ka pasur refuzime të kësaj natyre si rasti i Zorbës. Kjo është edhe një lloj rezistence që ta jep vetëm talenti dhe arti i vërtetë, një rezistencë thuajse biblike që ka lidhje edhe me qytetërimin perëndimor të cilit i përket fort Zef Zorba.



Vepra



Libri i tij i parë, Buzë të ngrira në gaz, u botua pas vdekjes pasi kishte shkruar tinëz përgjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, cilësuar si "letërsia e sirtarit". Çmohet si një poet i veçantë i letërsisë shqiptare dhe përfaqësues kyç i modernizmit dhe hermeticizmit.

Është cilësuar ndër autorët klandestinë me Kasëm Trebeshinën, Daut Gumenin, Primo Shllakun që në qerthullin e vogël të tyre rimerrnin fillin e këputur të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimëkëmbnin lidhjen me autorë si Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi e Lasgush Poradeci.

Përkthime

Përktheu autorë si Robert Frost, dramaturgë si Shau, Pirandelo, Uajlld, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj.[7] La në dorëshkrim: T. S. Eliot (Katër Quartete, Pritje koktej, E mërkura e përhime) Robert Frost (Poema), Oscar Wilde (Rëndësia e seriozitetit) si dhe vepra të tjera të rëndësishme nga autorë si Pirandello, Wilder, O’Neil etj.

Flori Bruqi

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri