“Coronavirusi, si të ndërpresim zinxhirin e ankthit?”



Filloreta Ismaili,psikologe 

Në këtë periudhë, të gjithë jemi duke përjetuar nivele të larta ankthi dhe frike. Të gjithë kemi parë pafund video dhe mesazhe për higjienën fizike. Por ajo që nuk po i kushtohet vëmendje është higjiena mendore, e cila është mbi të gjitha përgjegjëse edhe për higjienën fizike


Ndaj në mënyrë që të kuptojmë dhe kontrollojmë këtë gjendje, së pari duhet të kuptojmë se çfarë po ndodh në mendjen tonë. Të gjithë jemi dëshmitarë të blerjeve masive kudo në botë, të rafteve bosh nëpër supermarkete apo të agresivitetit që njerëzit kanë shfaqur ndaj njëri tjetrit duke blerë ushqime. Ndoshta edhe ne, në ndonjë rast, jemi sjellë po njësoj, kur kemi parë një produkt që po mbaron, kemi vrapuar ta marrim. Çfarë po ndodh?

Mekanizmi ynë më thelbësor, ai i mbijetesës bazohet tek frika! Frika është emocioni që na ka ndihmuar të mbijetojmë ndër shekuj. Mbijetesa është qëllimi thelbësor i trurit reptil ose primitiv, që e kemi trashëguar nga paraardhësit.

Kur ndodh diçka e frikshme ne mësojmë ta shmangim në mënyrë që të mos dëmtohemi. Ky proces, ndryshe quhet të mësuarit mbi bazën e shpërblimit. Bazohet në tre koncepte të thjeshta: ngacmuesi, sjellja që pason dhe shpërblimi. E thënë ndryshe kur paraardhësit tanë shikonin një luan (ngacmuesi), vraponin (sjellja) për të shpëtuar dhe jetuar (shpërblimi).

Rreth një milion vite më parë truri ynë u zhvillua duke na dhënë mundësi të ndjejmë, të ndërveprojmë, të flasim dhe të mendojmë. Zhvilluam parakorteksin (le ta quajmë truri i zgjuar) që është përgjegjës për të rregulluar funksionet komplekse konjitive, emocionale dhe sjellore.

“I zgjuari” është përgjegjës për proceset e të menduarit dhe planifikimin. Çështja thelbësore që duhet të kuptojmë është se “i zgjuari” ka nevojë për informacion të qartë në mënyrë që të arrijë planifikojë të ardhmen, qoftë edhe atë që na pret pas disa orësh. Mungesa e informacionit shkakton paqartësi dhe paqartësia e kombinuar me frikën shkakton ankth! Pra:



Frikë + paqartësi = ankth

Aktualisht ka shumë paqartësi për Covid19 dhe kjo natyrshëm e kombinuar edhe me masat që janë ndërmarrë kudo shkakton shumë ankth. Por në këtë periudhë duhet të kuptojmë se ankthi mund të bëhet edhe më i rrezikshëm se virusi. Ai shpërndahet përmes atij që në shkencë njihet si infektim social.

Infektimi social ndodh sepse ne jemi të paraprogramuar të kopjojmë sjelljen e njëri – tjetrit. Infektimi social është në fakt një infektim (ose virus) emocional! Nëse do të flisnit me dikë që ndihet ankthioz, ju shumë shpejt do të ndjeni gjithashtu ankth. Nëse do lexoni postimet në mediat sociale që transmetojmë panik, ju do të përjetoni gjithashtu panik. Me fjalë të tjera ne infektojmë trurin e njëri tjetrit duke krijuar panik. Pra

Ankth + infektim social = panik

Pikërisht në këtë moment “i zgjuari” çakordohet krejtësisht dhe komandën e merr “reptili”. Nën panik askush nuk mund të mendojë apo logjikojë më! Nën panik, “reptili” do të bëjë ç’është e mundur të përmbushë misionin e tij të vetëm: të sigurojë mbijetesën. Dhe ky është thelbësisht instikt bazik për secilin nga ne. Ndaj kudo në botë njerëzit do të shfaqin të njëjtat sjellje bazike duke boshatisur raftet e duke blerë artikuj jo vetëm sepse “i zgjuari” ka humbur kontrollin, por edhe sepse ne imitojmë ankthin apo panikun e njëri – tjetrit.

Për shembull, ne kemi përgatitur paraprakisht listen për furnizimet që na nevojiten. Në dyqan apo në treg ndeshemi me njerëz të shqetësuar që nxitojnë dhe rrëmbejnë e mbushin koshat me letër higjienike. Fillojmë të përjetojmë të njëjtin ankth dhe “reptili” zgjohet dhe na nxit të bëjmë si të tjerët sepse duhet patjetër të ketë diçka se pse të gjithë po blejnë pikërisht këtë produkt. Ne lëmë mënjanë gjëra nga lista jonë dhe blejmë atë që kanë blerë të gjithë për t’u ndjerë më të sigurte edhe pse është një artikull që ne e kemi në shtëpi ose që në fund të fundit nuk është jetik.

Nëse jemi nën panik atëherë të gjitha shqetësimet fitojnë një hierarki të re. Ne harrojmë gjithçka, sepse nevoja për të siguruar ushqimin e përditshëm është më thelbësore se ruajtja e distancës sociale apo zbatimit të masave. Sepse Covid19 nuk krijon uri, mungesa e ushqimit po! Ne nuk jemi të përgatitur njësoj qoftë mendërisht, qoftë financiarisht për të përballuar mungesat. Por, qoftë për veten, qoftë për të tjerët ne mund ta ndërpresin zinxhirin e ankthit dhe panikut në mënyrë që “i zgjuari” të marrë sërish kontrollin. Mund të ndjekim disa hapa paraprakë të thjeshtë për të fituar kontroll:

Së pari: marrim frymë thellë deri në tre herë ose më shumë! Kjo ndihmon të qetësojmë sistemin nervor në mënyrë që truri të përfitojë kohë e të marrë oksigjenin e nevojshëm për të ndaluar çakërdisjen dhe të rikthehet në kontroll.

Së dyti: përqendrohemi në tani dhe këtu. Kjo arrihet duke ndërprerë të gjitha mendimet dhe duke u përqendruar në ndjesitë e trupit. Mendojmë psh për duart ose për këmbët. Si i ndjen? Identifiko sa më shumë ndjesi: psh të rënda, të mpira, të nxehta? Sa më shumë përqendrohemi në ndjesi aktuale aq më shpejt e shpërqendrojmë trurin nga ‘sulmi’ i ankthit.

Së treti: perfeksionojmë hapat e mësipërm dhe i përsërisim sa më shpesh gjatë ditës në momente të shkurtra. Sigurisht kur ndjejmë ankth instinkti i parë është të veprojmë apo të bëjmë diçka dhe jo të ndalojmë. Ndaj për të fituar zakone të reja kontrolli duhet t’i përsërisim më shpesh edhe përpara se të përjetojmë frikë apo ankth. Ndaj praktikoni sa më shpesh frymëmarrjen e thellë, dhe përjetoni sa më thellësisht qetësinë që përjetoni këtu dhe tani në trupin tuaj.

Së katërti: përgatisim listën e ushqimeve që nevojiten për pak ditë. Në asnjë moment nuk është deklaruar se ka probleme në furnizimin e ushqimeve. Ndaj nëse blini më shumë prej ankthit apo panikut, ju mund shpenzoni më shumë për artikuj e produkte që mund të kenë afate të shkurtra skadimi apo për gjëra që nuk ju nevojiten menjëherë. Gjithashtu me blerjet tuaja ju mund të shkaktoni të njëjtin ankth tek të tjerët. Kjo sjell që të gjithë të blejmë më shumë se na nevojitet dhe të lëmë të tjerë pa furnizime, çka mund të pasojë në sjellje të ngjashme ose agresive aty për aty ose në një moment tjetër.

Ne mund ta ndërpresin zinxhirin e ankthit duke mësuar të përjetojmë qetësi, duke u sjellë normalisht si gjithmonë, pa blerje të tepërta dhe duke respektuar distancën sociale dhe nevojën që kanë të gjithë për furnizim. 



Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri