Kush i zbuloi Kodikët e Beratit: Psalti Papapavli, Aleks Buda apo Sigurimi i Shtetit?




Hartimi dhe botimi i monografisë “Kishat e Kalasë së Beratit”, prej Dritan Çokut dhe Genc Samimit, kuptueshëm, shfaq një ngjarje ripërtëritëse të përkujdesjeve profesionale ndaj një kategorie me vlera të posaçme historiko-kulturore, asaj të ndërtimeve të kultit. Theksojmë se dyshja e bashkautorëve të kësaj vepre, përfshin kolegun e vjetër Genc Samimi, i cili pa ndërprerje, që prej themelimit të Institutit të Monumenteve e deri më sot merret me vlerësimin e monumenteve shqiptare dhe krahasimisht të riut Dritan Çoku, i cili që prej vitit 2006 merret me të njëjtën detyrë. Kuptueshëm ecuria e tij, është më e shpejtë në rrugën problematike të vetëformimit profesional në këtë fushë të veçantë, sepse pa institucione arsimore formuese, kjo bashkësi, shprehet qartazi pozitivisht në përzgjedhen dhe trajtimin e kësaj teme në monografinë në trajtim“.

Një kuriozitet: Riza-Samimi-Çoku përfaqësojnë tri breza arkitektësh me vijueshmëri të pandërprerë bashkëpunimi, thua se kjo është një cilësi e domosdoshme për Beratin, i cili edhe ai është një kampion vijueshmërie të jetës së tij qytetare mbi 2400 vjeçare.

Po ashtu, si të jetë një çudi e bukur, që të tre këta, të cilët merren me kishat, mbrojtjen dhe restaurimin e tyre, studimin po ashtu, nuk vijnë nga familje me besim të krishterë, por prej atyre me besim të hershëm mysliman.

Kjo është njëra nga karakteristikat e shenjat e shumta të popullsisë së qytetit të Beratit, ku myslimani, i krishteri dhe laiku janë vëllamë.

Tempull dhe Katedrale

Tradita e pranisë së Krishtërimit (lindor) në Berat është një nga nga shtyllat që mban në këmbë vetë identitetin e tij jo vetëm shqiptar, por edhe të përtejmë kufijve të etnisë tonë. Për rrjedhojë edhe faltoret kristiane, kishat, të cilit në të njëjtën kohë qenë pothuaj edhe institucione, mbeten përfaqësueset më autentike të historisë lokale, por edhe asaj kombëtare.

UNESKO qytetin e Beratit e ka futur në rrjetin e pasurive të saj botërore për siluetën e vet arkitektonike lindore pasbizantine, me pak fjalë orientale, çfarë e sollën turqit me perandorinë e tyre shumëshekullore, por në thelb, në rrënjë, Berati në një farë mënyre është “kryeqytet” i Krishtërimit shqiptar. Libri që po i paraqitim lexuesit për ta patur në vëmendje këtë, e dëshmon dhe e provon këtë, edhe pse në mënyrë të tërthortë. Titulli i tij me tofjalëshin “Kishat e Kalasë së Beratit” fare lehtë mund të trasmentohet për opinionin publik si “Kishat e kryeqendrës shqiptare të Krishtërimit”.

Ndërkohë jo vetëm Genc Samimi dhe Dritan Çoku, por edhe dijetarë të tjerë më të shenjuar nga fama shkencore, janë shprehur edhe më vendosmërisht: Berati ka qenë “kryeqendër e Krishtërimit në Ballkan”.

Në kreun e parë të librit, “Rrethanat historike të Krishtërimit në qytetin e Beratit” parashtrohet ideja se, nisur prej dëshmish materiale, “në kalanë e Beratit në periudhën antike duhet të ketë pasur tempull”. Mbështetur sërish prej provash të tjera materiale, në këtë qytet të kështjelluar ka pasur edhe përgjatë viteve 500-560 veprimtari ndërtimore të vrullshme, përfshi kishat. I kësaj periudhe, thonë dy autorët, është një mozaik në pikën më të lartë të Akropolit të kalasë.

Ata parashtrojnë se sipas regjistrimit të parë turk 1432-1433, në Berat (Beligrad) përmendet ekzistenca e timarit, pronës tokësore, të Mitropolisë. Të kishe një të tillë majë të pushtetit rajonal, do të thoshte të ishe qendër të fuqishme kishtare. Ja përse, mendojmë ne, kompromisi që bëri pushteti i fortë osman me këtë qytet pasi e pushtoi, kushtëzohej vërtet prej fuqisë së tij ekonomike, forcës bashkuese të korporatave të qindra e qindra zejtarëve, por edhe prej thellësisë së traditës dhe ngulitjes së Krishtërimit.

Ky ishte aq vital saqë për ta mundur pak nga pak dhe nënshtruar nuk kishte rrugë tjetër veç aleancës së gjatë me të dhe domosdoshmërisht partneritetit në bashkëqeverisjen e qytetit. Berati në strukturën rajonale drejtonte hapësirë territoriale, administrativisht, por edhe ekonomikisht dhe shpirtërisht. Në këtë autoritet të fundit e ndihnin kishat e shumta. Të kohës së regjistrimit të parë turk, pra automatikisht dokumente më të hershme, autorët Samimi dhe Çoku paraqesin tri kisha: Shën Mëri Vllaherna dhe Shën Triadha brenda mureve të para të kalasë si edhe Shën Mëhilli jashtë tyre, në shpatin më shkëmbor.

Të dy studiuesit ngulin këmbë se nga dokumentacioni i shkruar të kësaj periudhe, pra të parapushtimit osman, janë edhe dy kisha të tjera: Manastiri i Shën Gjergjit dhe kisha e Shën Jan Evalengjistit. Madje, shkruajnë ata, ka edhe një të tretë, vendodhja e të cilës ende nuk përcaktohet dot, por i dihet emri dhe vitndërtimi: quhet Kisha e Shën Mërisë, ngritur në 1413.

Çoku dhe Samimi argumentojnë në librin e tyre se në Kalanë e Beratit ke ekzistuar edhe një Katedrale, pra kryekishë, kisha mëmë, më e madhja e simotrave të saj. Mundet, arsyetojnë ata, të ketë qenë atje ku u rindërtua katedralja e Shën Mërisë, e cila tani ndodhet dhe funksionon në gjendjen e Muzeut Ekonografik “Onufri”, një nga më të vizituarit në Shqipëri.

Libri 343 faqesh i Dritan Çokut dhe i Genc Samimit përmban disafish më shumë dije e të dhëna të jashtëzakonshme, sidomos për strategjinë se si shumë dinakërisht Perandoria Osmane u përpoq ta mpakte peshën e ndikimit të kishave të kalasë së Beratit në jetën shoqërore të qytetit.

Akoma më interesante: me mjaft inteligjencë ata të dy çmontojnë legjendën se në kala kanë ekzistuar dyzetë kisha. Provojnë se kanë qenë pothuaj gjysma e kësaj shifre të fryrë panevojshëm.

Tani do të dalim pak çaste nga çfarë shkruan libri, të sigurt që në të vërtetë nuk do të largohemi aspak prej tij.

Por më së pari, do të heqim një merak. Genc Samimi dhe Dritan Çoku në brendësi të librit formulojnë si subjekt jo vetëm “Kishat e kalasë së Beratit”, por edhe “kishat e lagjes kala të Beratit”. Patjetër në të dy rastet nënkuptojnë jo ndonjë nga shumë lagje që ka pasur dhe aktualisht ai ka, por vetë qytetin, i cili gjashtë e më tepër shekuj më parë ishte vetëm kështjella me në brendësi struktura ushtarake, por më shumë banesa civile. Përtej, jashtë dhe poshtë mureve të kalasë nuk qenë ngritur ende shtëpitë e para, po ashtu edhe lagjet, të cilat dekadë pas dekade e shekull pas shekulli u shtuan e kështu formuan Beratin e sotëm, me të cilin na është mësuar syri.

Por që të mos na mësohet kështu edhe mendja, lexuesi mund të mobilizohet pak për të mos e keqinterpretuar këtë terminologji dhe të binden se Çoku dhe Samimi e kanë fjalën për një pasuri jo të një lagjeje të vendosur në kala, por të të gjithë Beratit të vjetër, atij historik.

Sepse ishte ky qytet i kështjelluar dhe jo thjesht një kështjellë, kishat e hershme të saj, të paktën ato të parapushtimit osman, duke qenë se ishin institucione shoqërore dhe fetare të një rëndësie ekstra për tërë rajonin, pra ishin kisha të një kryeqendre shpirtërore, kulturore dhe politike, prodhuan një superpasuri tashmë me famë përtej Ballkanit dhe eurokontinentit.

Dy kodikët e fshehur: Si u fut në veprim Sigurimi i Shtetit.

Genc Samimi dhe Dritan Çoku në botimin e tyre flasin shkurTimisht edhe për kodikët e Beratit, të cilët konsiderohen edhe “kodikët e Shqipërisë, këta thesarë të vërtetë të trashëgimisë shpirtërore botërore”. Sigurisht ata nuk merren me historinë e ruajtjes së tyre, të fshehjes për t’u mbrojtur nga pushtuesit përgjatë tetë shekujsh, si edhe mistereve të kërkimit e gjetjes së tyre.

Një rikthim në këtë subjekt po e bëjmë ne. Mendojmë se këtu mund të shtojmë diçka relativisht të re, e cila ka rëndësi që të mos anashkalohet dhe shpërfillet, sidomos për arsye lufte të brendshme antikomuniste.

Në gazetën “Zëri i Popullit” të 28 janarit 1972, dijetari që pas disa muajsh, me themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të bëhej kryetari i saj më jetëgjatë, Aleks Buda, botoi një shkrim.

Kjo ndërhyrje e tij komunikative me opinionin publik u bë për të dhënë dhe përhapur lajmin shumë të gëzueshëm se në Arkivin Qendror të Shtetit qenë dorëzuar me një ceremoni të nivelit të lartë të pjesëmarrjes, dy kodikë shumë të çmuar të gjetur në Berat në vitin 1968. Këta ishin mjaft të dëmtuar dhe restaurimi i tyre qe bërë me shumë përkushtim në Kinë.

Dijetari Buda në shkrimin e vet vendosi edhe këto rradhë: “Të fshehur gjatë Luftë së Dytë Botërore, dy kodikët mbetën për më shumë se 20 vjet në qimitirin e lagur të një kishe të Beratit, ku u gjetën, më në fund, pas kërkimesh këmbëngulëse, për t’i siguruar tani përfundimisht për shkencën e kulturën tonë”.

Vazhdon profesori: “Na pëlqen të tregojmë, me këtë rast, se si nganjëherë historia përsëritet. Peripecitë e vuajtjet që pësuan gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore kodikët tanë beratas nuk i pësuan për të parën herë. Shënimet kronikale të ruajtura në disa dorëshkrime të tjera, gjithashtu me prejadhje nga Berati, tregojnë se edhe në vitin 1536 edhe në vitin 1400 kodikët e ruajtur në këtë qytet u detyruan për të marrë rrugët për gjetur strehim dhe për t’u fshehur nga rreziku i ushtrive të huaja që po i kanoseshin qytetit. Me këtë rast shkruesit e këtyre shënimeve kanë rreshtuar emrat e kodikëve të vyer, që ata u kujdesën t’i “evakuonin” dhe nuk çuditemi që midis tyre, pranë kodikëve që ndërkohë kanë humbur, figuron edhe Beratasi ynë i Purpurt me germa të argjendta. Edhe diçka më tepër: edhe në këto kohra të lashta kishte njerëz patriotë që i donin dhe dinin t’i çmonin librat. Shënimi na thotë se në 1356, dy vetë ngarkuan mbi shpatullat e tyre 27 kodikë dhe i shpëtuan duke i çuar në një vend të sigurt. Nga mirënjohja, na jepet edhe emri i këtij patrioti beratas të shekullit XIV, të quajtur Skuripeqi. Tradita e Skuripeqëve nuk u shua në Berat. Gjatë Luftës nacionalçlirimtare qytetarë beratas u qëndruan me rrezik jete nazistëve që kërkonin të grabitnin dorëshkrimet e ruajtura”.

Ja edhe fraza përmbyllëse e të gjithë shkrimit të Aleks Budës: Më në fund, meriton të përmendet patrioti plak Nasi Papapavli, i cili mori pjesë aktive në gjurmimin e kodikëve të humbur”.

Kaq bëri të ditur Aleks Buda në 28 janar 1972, duke lënë të kuptohet se psalti beratas që nga 1956 me banim në Tiranë, ishte njëri prej ndihmësve për gjetjen e kodikëve. Dijetari në shkrimin e tij nuk përmend ndonjë emër tjetër të jashtëm. Pra Nasi Papapavli, sipas tij, është më i spikaturi, ndoshta kryesori.

Profesori nuk lë ndonjë shteg për për pikëpamjen e përhapur më pas, sidomos pas viteve nëntëdhjetë se Papapavli është zbuluesi i kodikëve, i vetmi i tillë. Profesor Buda e konsideron kërkues shumë të rëndësishëm, por gjithsesi vetëm kërkues.

Ndërkohë ka një të dhënë tjetër të paraqitur prej rrëfyesve të shumtë të kësaj historie tashmë të shndërruar në triller: “Kur i biri e falënderoi atë pėr çka kishte shkruar në gazetë, Prof. Dr. Aleks Buda iu përgjigj: “U çlirova nga një barrë e rëndė morale karshi babait tuaj, i cili me një përkushtim, këmbëngulje dhe durim të habitshëm nuk reshti së ardhuri në Institut çdo dy javë, për 15 vjet rresht, për të marrë ndonjë përgjigje për fatin e Kodikéve”.

Nasi Papapavli këto çaste të bërjes publike të superngjarjes shkencore jo vetëm shqiptare e kontinentale, por plotësisht botërore, kishte ndërruar jetë.

Sipas pohimit të Aleks Budës, tërthorazi, të krijohet bindja se psalti beratas dinte ekzistencën në kala të dy kodikëve të çmuar, të fshehur në një kishë (mbase dinte edhe cila qe kjo kishë), por jo vendin konkret.

Nasi Papapavli kishte qenë shtytësi dhe nxitësi kryesor i aksionit të kërkimit, sepse është e sigurt dhe prej autorit të këtij shkrimi e konfirmuar nga disa burime, se ishte ai që e kishte vënë në lëvizje të gjithë procesin, kur që në muajt e parë të vendosjes në Tiranë, shkoi në Institutin e Shkencave dhe pas disa përpjekjesh u takua me drejtorin e tij, Aleks Budėn.

Sipas studiuesit të Krishtërimit Ortodoks, Andrea Llukanit, “Ai e priti, e dëgjoi me vëmendje dhe i premtoi se do të interesohej dhe do ta njoftonte. Në takimin tjetër Prof. Dr. Aleks Buda i tha se çështjen ja kishte referuar Degës së Brendshme të Beratit, kishte shkuar edhe vetë në Berat, por përgjigje nuk kishte marrë”.

Pas Nasi Papapavlit dhe Aleks Budës ja edhe protagonisti i tretë i kërkimit për gjetjen e vendndodhjes së kodikëve të fsheshur: Sigurimi i Shtetit.

Kjo hollësi nuk doli kurrë në dritë gjatë regjimit të shkuar dhe u fut dhe u ngurtësua nën rregullin e mbajtjes sekret, siç ishte e zakonshme dhe e detyrueshme të zbatohej për çdo veprimtari të këtij Sigurimi, në të cilin për fat të keq zinte vend të madh policimi politik.

Por duhet thënë se në këtë sektor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në çdo qytet, sidomos atje ku kishte monumente të ndryshme historike dhe kulturore të së shkuarës, përfshi edhe ato fetare, funksiononte edhe një seksion, i cili merrej me inteligjencën dhe rininë. Krahas përgjimit të jetës së njerëzve, ku nën direktivën e PPSH-së dhe të Enver Hoxhës janë kryer faje shumë të rënda, mbrohej edhe trashëgimia e sipërcituar.

Duhet thënë njëkohësisht se zgjatja 15-vjeçare e këtij kërkimi deri në gjetjen e dy kodikëve duhet të ketë ardhur pikërisht prej natyrës shumë të vështirë të procesit të zbulimit edhe nëpërmjet informatorëve. Sigurimi i Shtetit në degën e Punëve të Brenshme në Berat ka të ngjarë të ketë ndeshur në një “mur gome”, në “zero të dhëna”. Jo vetëm Nasi Papapavli nuk ngjan besueshëm se e ka ditur dhe treguar vendin real të fshehjes, siç ende qarkullon një rrëfim i legjendarizuar, por askush tjetër në lagjen Kala.

Ruajtja e dy kodikëve i qe besuar një këshilli sekret të tipit okult. Ai përbëhej prej tre vetësh dhe në këtë treshe hermetike vetëm njëri prej tyre kishte të drejtën ta dinte vendfshehjen. Kur ky ndërronte jetë, në cilësinë e tij prej treshes misterioze zgjidhej një tjetër. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore edhe i fundmi i celulës treshe, kishte ndërruar jetë.

Ja pse mundësia e marrjes së informacionit për kodikët që do të bëheshin të famshëm në botë, u zhduk krejtësisht. Ata u gjetën në vitin 1968, pra në kohën e murlanit ideologjik kundër institucioneve dhe besimit fetar. Atëherë ndonjëri me hamendje e ka çelur gojën ose gjithçka ka rrjedhur drejt një gjetjeje rastësore. Një pjesë e kishave u prishën apo u shndërruan në mjedise me tjetër funksion, kështu u futën shumë duar kureshtare dhe plaçkitëse nëpër kthinat e tyre.

Ndërkaq studiuesja beratase aspak nostalgjike e periudhës prokomuniste, Parashqevi Sahatçiu, në pranverë të vitit 2011, më kërkoi ndihmë për të botuar në shtypin e Tiranës një shkrim të saj për kodikët dhe në të cilin ajo qe e mendimit se zbulimi i tyre qe kryer nëpërmjet Sigurimit të Shtetit.

Artikulli i saj studimor u botua në shtojcën kulturore “Milosao” të “Gazeta Shqiptare”, në 12 qershor 2011. Titulli ishte i drejt për drejtë: “Enigma e kodikëve të Beratit. Si arriti t’i shtjerë në dorë Sigurimi i Shtetit”.

Studiuesja Sahatçiu ndërkohë më kish shkruar se “Një punonjës i Sigurimit në Berat më pati thënë se “Turistët e parë që vinin, kërkonin me këmbëngulje kodikët. Ne nuk dinim se çfare ishin. Pyetëm lart dhe na thanë: “Janë libra me shumë vlerë”. Kjo çështje ishte punë në sektorin e Hamit Qoses dhe të Anastas Bojaxhiut. Ata filluan intesivisht të kërkonin dhe gërmonin. Uné kaq di”.

Më shkruante më tej Parashqevi Sahatçiu: “Ky zotni mbas insistimit tim, që me siguri e dinte, e humbi qetësinë dhe më tha: "Unë kam qenë ushtarak dhe pse ra ai rregjim nuk dua t’i nxjerr sekretet”. Nuk e zgjata më”.

Pas kësaj letre të hershme email, studiuesja Sahatçiu, e përkorë dhe serioze me faktet historike, kur para disa muajve i kërkova rikonfimim të pikëpamjes së saj, sepse një rol shumë të rëndësishëm në gjetjen e vitit 1968 e ka luajtur i paharuari Nasi Papapavli, m’u përgjigj: “Ylli, bindu që kodikët i zbuloi Dega e Punëve të Brendshme e Beratit”.

Po ashtu më shkruante: “Po ta them se në ato kohë Nasi Papapavli ishte i sklerozuar. Por ishte burrë i urtë, ia papërzjerë, fetar si i thoshin, esnaf”.

Sigurisht për arsye të një lidhjeje familjare me të bijën e Nasi Papapavlit, Elpiniqi, unë e dija se shtatë motet e fundit të jetës së tij në Tiranë, pra pas vitit 1964, psalti beratas i pasionuar pas kërkimit dhe gjetjes së dy kodikëve dhe sidomos kryeveprës së quajtur më pas “Kodiku i purpurt i Beratit” ose “Beratinus-1”, ishte vërtet në gjendje të rënduar sklerozimi.

Ndërkohë në Berat Nasi Papapavli është shpallur !Qytetar nderi”, punë e mënçur kjo. Kontributi i profesor Aleks Budës po ashtu nuk mund të mohohet, por në të kundërt: duhet spikatur edhe më. Por nuk ka përse të rrijë në “top sekret” apo të mbesë në gjirizin e pjesën famëmbrapësht të policimit politik, protagonizmi i vyer për kodikët e Beratit i Sigurimit të Shtetit.

Ylli Polovina

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri