2020-11-05

Konfirmimi i aktakuzës dhe çka pastaj?

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake e konfirmon aktakuzën vetëm nëse është i bindur se prokurori i Specializuar e ka përcaktuar ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë. Ligji, po ashtu, parasheh se me kërkesë të prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhërarrestim apo fletarrestim dhe të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e Specializuara, si dhe çfarëdo urdhri tjetër që mund të kërkohet për zhvillimin e hetimeve dhe për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor të drejtë dhe të shpejtë. Në zbatim të urdhërarrestit, personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuza merret në ndalim, informohet menjëherë për akuzat kundër tij dhe transferohet në Dhomat e Specializuara. Pastaj, gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i procedurës paraprake e lexon aktakuzën, bindet se të drejtat e të akuzuarit janë respektuar, konfirmon se i akuzuari e kupton aktakuzën dhe e udhëzon të akuzuarin që të deklarohet. Pas shqyrtimit fillestar dhe sapo të jetë zgjidhur çdo parashtresë paraprake, Kryetari i Dhomave, e formon trupin gjykues që do të jetë përgjegjës për zhvillimin e procedurës së shqyrtimit gjyqësor. Ligji, gjithashtu, parasheh se personi i privuar nga liria nga Dhomat e Specializuara ose në emër të tyre, sillet para gjyqtarit të Dhomave të Specializuara pa vonesë dhe ka të drejtën për shqyrtim gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme ose për t’u liruar në pritje të shqyrtimit gjyqësor. Rregullorja e procedurës dhe e provave para Dhomave të Specializuara parasheh pas konfirmimit të aktakuzës, që ajo pa vonesë të papërligjur i dorëzohet personalisht të akuzuarit, dhe paraqitja e parë bëhet brenda shtatë ditësh pasi të akuzuarit i është dorëzuar aktakuza. Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit prej gjykatësit të procedurës paraprake. Nëse para konfirmimit të aktakuzës, prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme, për shkaqe sigurie, për parandalimin e arratisjes së të akuzuarit etj., gjykatësi i procedurës paraprake, ndër të tjera, mund të urdhërojë përkohësisht mosnxjerrjen publike të aktakuzës. Aktakuza bëhet publike, nëse është e nevojshme me redaktime, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit. Sipas Rregullores, në paraqitjen e parë të të akuzuarit, ai informohet se brenda tridhjetë ditësh do t’i kërkohet të deklarojë nëse është fajtor, ose i pafajshëm për çdo akuzë. Pas konfirmimit të aktakuzës dhe paraqitjes së parë të të akuzuarit, gjykatësi i procedurës paraprake bashkërendon komunikimin ndërmjet palëve deri në momentin kur çështja i kalohet trupit gjykues dhe siguron që të mos ketë vonesa dhe merr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim.

No comments:

Post a Comment

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri : Institucioni i mirënjohjes është nderim ndaj vetvetes

Si ka mundësi? “Mosmirënjohja njerëzore nuk njeh kufi” García Márquez E sht...