2020-11-05

Shyqyri Shabani ,nënkolonel : Adem Avdia : 'USHTRIA – Gjurmë përjetimesh"

Titulli i librit: USHTRIA – Gjurmë përjetimesh Faqosja në kompjuter: Adem Avdia Redaktor gjuhësor: Besjona Dunga (Avdia) Kopertina: Besnik Hallaçi Gjithë të drejtat i takojnë autorit Formati : 148 x 210mm. Katalogimi në botim – (CIP) Shtypur në shtypshkronjën“Blendidixhital” USHTRIA – Gjurmë përjetimesh PARATHËNIE Ish- ushtaraku, shoku e kolegu ynë, Major(R) Adem Avdia vjen para lexuesve dhe dashamirësve të librit me botimin me skica e tregime “USHTRIA – Gjurmë përjetimesh”. Ndryshe nga dy librat e parë, ai vjen para nesh me profesionalizmin e një ushtaraku me karrierë të kompletuar, duke sjellë ushtrinë dhe ushtarakun pas shumë vitesh midis nesh. E kam lexuar me shumë vëmendje e kureshtje. Secili nga ne ka kujtimet e veta e kujtimet e një ushtaraku janë të bukura e të veçanta. Bukurinë ia shtojnë edhe vështirësitë e shërbimit. Një shkrim i tillë, si në këtë libër, nuk është thjesht një çështje kurioziteti për ushtrinë tonë të dikurshme, por edhe një detyrim për t’i pasqyruar ato vlera, të cilat i gjejmë duke shfletuar faqet e këtij libri. Ashtu si vuri në dispozicion të ushtrisë jetën, karrierën dhe njohuritë e tij ushtarake, në specialitetin e komunikimit, ashtu vuri para nesh një libër mbi jetën dhe karrierën e tij e të mbarë ushtarakëve me të cilët punoi, sakrifikoi dhe iu përkushtuan mbrojtjes së Atdheut tonë të shtrenjtë. Në të vërtetë Ademi ka shërbyer në detyra të rëndësishme në shtabin e Divizionit, por pak është në libër ai dhe veprimtaria e shtabit. Më ne dukje del oficeri i trupës, nënoficeri dhe ushtari në gjithë veprimtarinë e aktivitetin e përditshëm. Këtu takojmë ushtarin dhe oficerin në stërvitje, në shërbim dhe në kohën e lirë. E gjejmë të përkushtuar në postin luftarak, por edhe të vetmuar në majën e malit. Atë oficer që sakrifikoi vitet më të bukura të jetës për çështjen për të cilën ishte betuar. Kur lexojmë librin të gjithëve na kujtohet vetja jonë si ushtarakë. Marrëdhëniet e mira dhe vëllazërore me njëritjetrin dhe solidariteti i sinqertë. Na kalojnë parasysh ditët e stërvitjes me ushtarin, fushimet e panumërta dhe ato kohë që kemi kaluar bashkë, megjithëse larg familjes, por brenda “familjes” sonë të madhe të shumëpërkushtuar, ushtrisë. Në faqet e librit shfaqet edhe viti i mbrapshtë ’97, viti me të vërtetë si thuhet në libër, u “përfshimë në marrëzi”. Këtu nuk ka fajtor e të ndershëm, por ka situatë kaotike, në të cilën u gjendën oficerët, situatë amullie ku më e vështirë ndër të gjitha ishte rrugëdalja nga kaosi. Këtu gjejmë brengën e fajësisë së të pafajshmit. Ka dhe një dritare ku mund të hedhim një vështrim, “Luftën e Kosovës”. Kontributin që kanë dhënë ushtarakët tanë gjatë dhe pas lufte, për sakrificat që i kanë shoqëruar dhe solidaritetin vëllazëror me oficerët, kolegët shqiptarë të Kosovës, për të ngritur Ushtrinë e Republikës së Kosovës. Libri mbyllet me humor, me të qeshur, ashtu si kemi kaluar mes gëzimit dhe harmonisë ne ushtarakët, ne shokët që nuk e harrojmë kurrë njëri-tjetrin, ne që edhe sot gëzojmë e qeshim, qeshim e gëzojmë kështu si jemi dhe me këto që kemi. Urime shokut tonë Ademit! Ta kemi midis nesh, ushtarakëve, kurdoherë me shkrime e kujtime të tilla. Nënkolonel(R) Shyqyri Shabani

No comments:

Post a Comment

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri : Institucioni i mirënjohjes është nderim ndaj vetvetes

Si ka mundësi? “Mosmirënjohja njerëzore nuk njeh kufi” García Márquez E sht...