2020-11-20

Të gjitha gjurmët e përçarjes së faktorit politik shqiptar të çojnë në Beograd!

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi Kur qeveria serbe pagoi anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty, që të publikonte “akuzat” me shpifje për “ekzistencën e një shtëpie të verdhë në Mat të Shqipërisë dhe transplantimin e organeve të pengjeve serbe aty”, kjo akuzë-shpifje u bë kryefjala e diskursit politik anti-shqiptar dhe vuri në vështirësi gjithashtu miqtë e shqiptarëve. Ishte një akuzë e rëndë, e fabrikuar në atë mënyrë që të nxiste reaksion të madh te opinioni publik. Në këto kushte Shqipëria ishte e detyruar të pranonte hetimin e çeshtjes në territorin e saj, sepse vetëm kjo masë do të provonte se shpifja e Beogradit është thjesht një sajesë. Po ashtu Kuvendi i Kosovës ishte i detyruar të miratonte gjykatën speciale të saj, me qëllim hetimin e akuzës që mori dhenë dhe u përhap me shpejtësi në çdo cep të globit. Aso kohe, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u betua se do ta hedhë Dick Marty-n në gjyq për shpifje. Por nuk ndodhi kjo, sepse zoti Thaçi u tremb nga disa akuza të tjera, për të cilat sot ai është në Hagë. Dick Marty dhe qeveria serbe arritën kështu suksesin më të madh në luftën speciale kundër shqiptarëve dhe kundër Kosovës. Arritën që të përhapin një shpifje makabre, pa shkaktuar kundër-reaksion te politika shqiptare, me qëllim ndëshkimin e autorëve të kësaj shpifjeje. Edhe sot dhjetë vite pas akuzës serbo-dick, jemi përballë pasojës që kishte parashikuar që atë kohë skenari serb i përçarjes së shqiptarëve. Në vend që politika të bëhet bashkë e të gjejë mënyra se si do të duhet demantuar kjo politikë serbe e transmetuar nga Dick Marty, ajo me grindjet e saj po bën lojën e Beogradit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është vënë në krye të orkestrës dhe dirigjon gjithë këtë skenar serb. Ndërsa për publikun shfaqet si i merakosur për ish-komandantët e UÇK-së, të cilët me po ato akuza gjenden në Hagë. Në vend të sulmojë shpifjet e Beogradit e të Dick Marty-it, sajon shpifje dhe trillime kundër kreut të opozitës shqiptare, Lulzim Bashës. Në vend të kërkojë hetime dhe ndëshkim për shpifjen e Dick Marty-t dhe të Beogradit, vazhdon retorikën e “Shtëpisë së Verdhë” dhe të transplantimit e tregtisë me organet e viktimave serbe”! Në vend të kërkojë nga miku i tij Vuçiç ndjesë për këtë shpifje si dhe për krimet mizore të tij kundër shqiptarëve, e përligj miqësinë me Beogradin përmes thënies “Mjaft me të shkuarën”! Madje në emisionet televizive të sponsorizuara prej Beogradit, ai ende vazhdon të nxitë këshilltarët e tij të flasin për atë se “çfarë përfaqëson Shtëpia e Verdhë”! Ndërsa i thotë “mjaft të shkuarës me terroristët serbë”, shpif dhe dreqos njëmijë kalkulime kundër politikanëve shqiptarë, si Lulzim Basha, Ilir Meta, Sali Berisha, Ramush Haradinaj, Albin Kurti etj. Në vend të ulet vetë e të japë shpjegime për akuza të personaliteteve ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Ramës në projektin serb të ndarjes së Kosovës, i kërkon kreut të opozitës që të “shpjegojë” shpifjet e babaleve të Kosovës, marioneta të Serbisë në duart e Edi Ramës! Në vend të japë llogari, ky kryeministri ynë, Edi Rama, vetëm se kërkon llogari dhe çirret e bërtet kundër kujtdo, me akuza, fyerje e bullizëm të skajshëm. Të gjitha këto ai nuk i bën për shkak të asaj që thotë: “Ja ky jam, kështu jam unë”! Përkundrazi, Edi Rama e kalkulon çdo gjë në interesin e pushtetit të tij personal. Edhe kur tha para pak ditësh se “Akuzat ndaj Lulzim Bashës nuk kanë të bëjnë me politikën”, menjëherë lëshoi frazën politike, sipas së cilës “Ai duhet të përgjigjet se pretendon që nesër të marrë në dorë fatet e shtetit”! Ai që nuk u përgjigj kurrë, për asnjë nga skandalet e tij, ai që e dhunon shtetin në emër të pushtetit të tij personal, ky person, pra Edi Rama, kërkon të futë në lojën e vet të shpifjes kreun e opozitës, edhe pse e di fort mirë se gjithçka që ai e ka sajuar së bashku me Beogradin është një fabrikim. Ylli Manjani kishte të drejtë kur thoshte se akuzat kundër Bashës çojnë ujë në Beograd. Unë do të shtoja se të gjitha gjurmët e kësaj lufte politike të çojnë gjithashtu në Beograd. Dje përdorin Dick Marty-in, sot përdorin Edi Ramën që të ringjallë fantazmën e disk Marty-it. Ndryshe nuk ka pse në emisionet televizive të Edi Ramës ende flitet për “Shtëpinë e Verdhë” dhe organet serbe të transplantuara, kur vetë Prokuroria dhe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë e ka hedhur poshtë këtë akuzë makabre. Dhe kjo ka ndodhur falë vendimit të drejtë të qeverisë shqiptare të vitit 2011, për t’i dhënë dritën jeshile EULEX-i që të hetojë edhe në Shqipëri. Pa atë hetim nuk do të ishte mbyllur kjo plagë e rëndë në trupin e shoqërisë sonë. Pas këtij suksesi, politikanët shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë duhet të merren vesh për mënyrat se si të ndëshkohen shpifësit e Beogradit dhe bashkë me ta Dick Marty, e jo të sajojnë shpifje të reja për të maskuar dhe mbyllur kërkesat e shqiptarëve për ndëshkim ndaj tyre! Edi Rama nuk ka asnjë merak për këtë. Shqetësimi i tij i vërtetë si ta fshehë përgjegjësinë e Aleksandër Vuçiç për shpifjen makabre kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër Shqipërisë.

No comments:

Post a Comment

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri : Institucioni i mirënjohjes është nderim ndaj vetvetes

Si ka mundësi? “Mosmirënjohja njerëzore nuk njeh kufi” García Márquez E sht...