2020-11-04

ZGJEDHJET SHBA 2020: BIDENI PRET QË TË KETË SHIFËR REKORDE TË VOTUESVE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot po zgjedhin presidentin për katër vitet e ardhshme, 2021 – 2025. A do të jetë sërish president, Donald Trumpi apo demokrati Joe Biden, kjo do të mësohet në orët e para të së mërkurës, sipas kohës në Kosovë. Sipas anketave, Biden udhëheq në gjashtë shtete kyq për votat elektorale, si në Florida, Pennsylvania, Michigan, Wisconsin, Karolinën Verirore dhe në Arizona. Amerikanët janë futur në procesin zgjedhor të ndarë si asnjëherë më parë në 50 vitet e fundit. Para ditës së zgjedhjeve, kanë votuar gati 100 milionë amerikanë, sa përmes postës sa duke shfrytëzuar mundësinë e votës së hershme. Ekspertët presin që numri i qytetarëve që do të votojnë të jetë shumë më i madh se më 2016, kur dolën 138 milionë amerikanë në votime. Si Biden ashtu edhe Trump janë të bindur në fitore. “Po e ndiej se po na pret një fitore e madhe”, ka thënë Biden. Njëjtë optimist është shprehur edhe Trumpi. “Do të shënojmë edhe një fitore tjetër të bukur”, ka thënë Trump. 21.38 – Bideni pret që të ketë shifër rekorde të votuesve Kandidati Demokrat në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, Joe Biden, ka folur në Philadelphia, Pennsylvania, duke iu adresuar një turme të madhe që u mblodhën dhe thirrnin emrin e tij. Thirrjet si “Të duam” apo “Xhaxhai Joe” dëgjoheshin. “Do të kemi më tepër persona që kanë votuar këtë vit sesa kurdoherë në historinë e Amerikës”, ka thënë ai, duke shtuar se pret që të votojnë deri 150 milionë amerikanë. Ai ka thënë se votuesit mes moshës 18-30 vjet po dalin në numra të mëdhenj dhe ai thotë se e ka mësuar se “54 për qind të votuesëve deri tash janë gra”. Biden ka vazhduar ta kritikojë presidentin Trump. “Presidenti ka kthyer shumë gjëra prapa. Një nga to është, se ai mendon se mund ta vendosë se cili të votojë. E dini çfarë? Njerëzit do ta vendosin se kush do të jetë president! Mbaje në mend këtë. Kjo është SHBA-ja”, ka thënë Biden. Ai ka mbyllur fjalimin duke i thënë grupit se nga Philadelphia do të kthehet në shtëpi në Wilmington, Delaware, ku do të qëndrojë në natën e zgjedhjeve. 21.23 – Teksasi nuk ka zgjedhur një demokrat për president që nga viti 1976 Shteti i Teksasit nuk ka zgjedhur një kandidat demokrat për president që nga vitit 1976. Por, CNN-i raporton se këtë herë në këtë shtet, demokratët janë shumë më të zëshëm dhe se kanë votuar në masë të madhe para datës së zgjedhjeve. Po ashtu, CNN-i raporton se Amerika asnjëherë nuk ka zgjedhur mes dy kandidatëve në të shtatëdhjetat. Trump i ka 74 vjet, kurse Bideni 77. 20.49 – Gati gjysma në Iowa kanë votuar para ditës së zgjedhjeve Gati gjysma e votuesëve në Iowa kanë votuar para ditës së zgjedhjeve. Në të dhënat zgjedhore të shtetit të Iowas shihet se 996.970 kanë votuar hershëm, në person apo me postë. Është rreth 48 për qind e votuesëve të regjistruar dhe 63 për qind e numrit total të votuesëve të vitit 2016, shkruan CNN. Rreth 41 mijë persona kanë votuar dje. 20.18 – Harris: Kam besim te amerikanët E nominuara nga Demokratët për zëvendëspresidente, Kamala Harris, ka folur për gazetarët me të arritur në aeroportin në Detroit këtë pasdite, shkruan CNN. “Ja ku jam kthyer në Detriot në ditën e zgjedhjeve, jam shumë e lumtur që gjendem këtu”, ka thënë Harris. Kandidatja ka folur shkurtazi dhe ka marrë disa pyetje para se të vazhdonte me itinerarin. “Dua t’ua rikujtojë të gjithëve se vendvotimet mbyllen në ora 8 sonte. Rruga për në Shtëpi të Bardhë dhe rruga për të përcaktuar se kush do të jetë president i ardhshëm i SHBA-së padyshim kalon nëpërmjet Michiganit”, ka thënë Harris. Harris po ashtu është pyetur se pfarë mesazhi ka për amerikanët dhe nëse i druhet trazirave sonte. “Kam besim te amerikanët. Unë fuqishëm besoj se ne – këdo që e votojmë – do ta mbrojmë integritetin e demokracisë sonë dhe transferimin paqësor të fuqisë. Ka vija të caktuara që pavarësisht se kush je, nuk do t’i kalosh”, ka thënë Harris. 20.11 – Zgjatet koha e votimit në Karolinën Veriore, pas problemeve në një vendvotim Rezultatet e zgjedhjeve në Karolinën e Veriut do të shtyhen për së paku 45 minuta, pasi bordi i zgjedhjeve ka shtyrë kohën e votimit në një lokacion që kishte probleme këtë mëngjes, shkruan CNN. Shteti ishte paraparë të raportonte rezultatet në ora 19:30 me kohë lokale, por nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë të ditura ato së paku deri në ora 20:15. Në Cabarrus County të Karolinës Veriore ndërkohë janë duke u gjurmuar 50 votues, pasi atyre u janë dhënë fletëvotime të gabuara. 19.29 – Trumpi nga Virginia: Do të kemi një natë të madhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është futur në selitë e fushatës së tij në Virginia, ku është pritur me duartrokitje nga stafi i fushatës së tij. “Po dëgjojë se jemi shumë mirë në Florida dhe jemi shumë mirë në Arizona. Jemi jashtëzakonisht mirë në Teksat. Mendoj se jemi duke bërë, po dëgjojë se jemi shumë mirë kudo. Mendoj se do ta kemi një natë të madhe. Ndjehem shumë mirë”, ka thënë Trump, raporton CNN. Trump thotë se mesazhi i tij për Amerikën është se “të gjithë duhet të bëhen së bashku”. 19.25 – Donald Trump Jr. poston një hartë ku Kosova figuron si pjesë e Serbisë I biri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Donald Trump Jr., ka publikuar sot në Twitter një hartë të parashikimeve të rezultateve të zgjedhjeve në SHBA, se si do të votonin gjitha shtetet e botës në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së. Në këtë hartë Kosova figuron si pjesë e Serbisë dhe parashikon se do të votonte për Republikanët. Për postimin e Donald Trump Jr. kanë shkruar edhe mediumet serbe, duke thënë se ai e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë. “I biri i Trumpit publikon foton në të cilën Kosova është pjesë e Serbisë”, ka shkruar “Kurir.rs”. “Në rregull, më në fund kam arritur ta bëjë një parashikim të hartës sime elektorale”, ka shkruar Donald Trump Jr. 19.13 – FBI-ja po heton thirrjet misterioze automatike FBI-ja është duke hetuar një sërë thirrjesh misterioze automatike ku u është kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi në ditën e zgjedhjeve, ka njoftuar agjencia Reuters. Departamenti i Sigurisë dhe zyrtarët lokalë kanë ngritur alarmin për së paku dy kampanja të telefonatave automatike, origjina dhe qëllimi i të cilave është e paqartë. Ekspertët thonë se janë të befasuar nga njëra seri e telefonatave, ku i thotë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, por nuk përmendin në mënyrë eksplicite votimin. “Ka pak konfuzitet për këtë”, ka thënë Giulia Porter, zëvendëspresidente e RoboKiller, kompani që lufton thirrjet të ashtuquajtura automatike dhe ka qenë duke gjurmuar këto thirrje. Në audio dëgjohet një zë i femrës duke thënë: “Përshëndetje. Nuk është thjeshtë një telefonatë testuese. Koha të qëndrosh në shtëpi. Qëndro sigurt dhe qëndro në shtëpi”. 19.04 – Guvernatori i Ohios pret një fitore të ngushtë të Trumpit Guvernatori i Ohios, Mike DeWine, mendon se Ohio do t’i dijë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale sot. Së pari do të numërohen votat që janë bërë më herët, me kusht apo me post, ka thënë DeWine për CNN. “Shifrat e hershme që do të dalin do të jenë të votave të hershme. Mund të pritet që Biden të jetë në epërsi në atë pikë por më pas në pjesën tjetër të natës, sinqerisht, është presidenti duke u munduar ta kapë. Unë mendoj se ai do t’ia dal. Do të jetë një garë shumë e ngushtë. Mendoj se presidenti do t’ia dal”, ka thënë DeWine. 18.58 – Itinerari i kandidatëve gjatë ditës së zgjedhjes Kandidati Demokrat, Joe Biden, e ka nisur ditën e tij në shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware. Ai mori pjesë në një meshë në kishën katolike të tij dhe bëri një vizitë të shkurtër te varri i të birit Beau Biden, po ashtu vizitoi varrin e bashkëshortes së ndjerë dhe të vajzës. Nga atje, Biden, udhëtoi në qytetin e tij të dikurshëm Scranton, Pennsylvania. Ai ndaloi në shtëpinë ku ishte rritur dhe shkroi në mur: “Nga kjo shtëpi për te Shtëpia e Bardhë me ndihmën e Zotit”. Biden vetëm sa ka arritur në Philadelphia, ku do të bëjë disa ndalje. Më pas do të kthehet në Wilmington. Ai më vonë do të dal në qendrën e zgjedhjeve. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u largua nga Shtëpia e Bardhë për një periudhë të shkurtër dhe arriti në selinë e fushatës së tij në Arlington, Virginia. Trump dhe zëvendëspresidenti Mike Pence pritet të kalojnë natën e zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë. 18.33 – Radhë të vogla dhe qetësi në orët e hershme të votimit Në Atlanta, Georgia, disa dhjetëra votues u rreshtuan për të votuar në Piedmont Park Conservancy para lindjes së diellit. E para në rresht ishte Ginnie House, që vërehej se kishte të ftohët, duke pritur për të votuar për kandidatin Demokrat, Joe Biden, ish-zëvendëspresidentin e SHBA-së. “Unë nuk do të humbasë këtë mundësi të votojë”, ka thënë House 22-vjeçare një aktore dhe studente në shkrim kreativ, që kishte udhëtuar në Atlanta nga New Yorku për të votuar. Për presidentin aktual Donald Trump ajo tha: “Ai po e përçan vendin tonë”. Në Atlanta, Georgia, disa dhjetëra votues u rreshtuan për të votuar në Piedmont Park Conservancy para lindjes së diellit. E para në rresht ishte Ginnie House, që vërehej se kishte të ftohët, duke pritur për të votuar për kandidatin Demokrat, Joe Biden, ish-zëvendëspresidentin e SHBA-së. “Unë nuk do të humbasë këtë mundësi të votojë”, ka thënë House 22-vjeçare një aktore dhe studente në shkrim kreativ, që kishte udhëtuar në Atlanta nga New Yorku për të votuar, shkruan agjencia Reuters. Për presidentin aktual Donald Trump ajo tha: “Ai po e përçan vendin tonë”. Brandon Davis (34) një ngasës kamioni nga Georgia ka thënë se i janë dashur 5 minuta për të votuar. Në Hialeah, në periferi të Miamit, Marcos Antonio Valero (62), po votonte për Trumpin, siç kishte bërë edhe në vitin 2016. Ai ka marrë ditë të lirë nga puna në ndërtimtari për të votuar, pasi nuk i besonte votimit me postë. 18.09 – Bideni lë mesazh në shtëpinë ku është rritur Kandidati për president të SHBA-së nga radhët e demokratëve, Joe Biden, ka lënë një mesazh në muret e shtëpisë ku është rritur në Scranton. Në mesazh thuhet: “Nga kjo shtëpi në Shtëpinë e Bardhë, me ndihmën e Zotit”. 17.45 – Reduktohet në 250 numri i personave në festën e natës së zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë Numri total i personave që do të marrin pjesë në festën e natës së zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë është reduktuar në 250, ka thënë një burim për CNN-in. Burimi ka shtuar se gjithë mysafirët do t’i nënshtrohen një testi rapid për COVID-19, dhe çdo mysafirë do ta ketë një byzylyk se është testuar. CNN më herët kishte raportuar se deri në 400 persona mund të marrin pjesë në festën. 17.21 – Udhëzues për votuesit me koronavirus Koronavirusi po shpërndahet me të madhe në SHBA, shtetin me më së shumti të prekur dhe të vdekur si pasojë e pandemisë. Dhe në ditën kur SHBA-ja po mban zgjedhjet presidenciale, Qendra amerikanë për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse ka nxjerr udhëzuesin për votuesit që janë të prekur me COVID-19. Thuhet se duhet t’u përmbahen tri masave: të mbajnë maskë, të mbajnë distancë dhe t’i lajnë e t’i dezinfektojnë duart para votimit. 16.50 – Nuk ka tollovi në vendvotimet në New-York Nuk ka tollovi në vendvotimet në New-York, pasi numri më i madh i votuesve e ka kryer obligimin duke votuar më herët, ka bërë të ditur BBC-ja. Njujorkezët edhe në të shkuarën kanë preferuar të votojnë para ditës së zgjedhjeve. 16.44 – Bideni u adresohet mbështetësve Joe Biden u është adresuar mbështetësve të mbledhur në qytetin e tij të lindjes, Scranton – Pensylvania. Mbante maskë dhe mbështetësve u drejtua me megafon. “Duhet t’ia kthejmë kurrizin këtij vendi. Klasa e mesme e ka ndërtuar këtë shtet, jo ‘Wall Street’”, ka thënë Biden. 16.30 – Tri vendvotime në Pennsylvani hapen me vonesë Rrethi Allegheny në jug të Pensylvanisë është vonuar me hapjen e tri vendvotimeve. Por tash gjithçka është në rregull. CN-i njofton se në vendvotime nuk ishte i gjithë materiali zgjedhor. 16.07 – Bashkëshortet e Bidenit dhe Trumpit, votuan Jill Biden, gruaja e kandidatit për president Joe, ka votuar. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter. “Kjo është. Në disa orët e ardhshme do të vendosim për të ardhmen tonë, Gjithçka varet nga ne”, ka shkruar ajo. Pak kohë më vonë, ka votuar edhe bashkëshortja e Trumpit, Melania. Ajo votoi në Florida Pse rusët po tregojnë indiferencë ndaj zgjedhjeve në SHBA? Ligjvënësi rus, Vladimir Zhirinovsky, ishte mikpritës i një ndeje me shampanjë në Parlamentin rus, kur më 2016, Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara. Ceremonia u organizua për të festuar fitoren e papritur të manjatit të pasurive të patundshme. "Për një politikë të re të brendshme dhe të jashtme në SHBA!", deklaroi Zhirinovsky, një nacionalist dhe aleat i vjetër i presidentit rus, Vladimir Putin, duke ngrehur dolli me zyrtarët në Moskë. "Dhe për një përmirësim të shpejtë të marrëdhënieve SHBA-Rusi!", shtoi ai. Katër vjet pas asaj ceremonie, Trump garon për rizgjedhje, por Zhirinovsky thotë se ai ka humbur besimin në ish-yllin televiziv, i cili ka folur për një epokë të re bashkëpunimi me Putinin dhe Rusinë. "Trump nuk bëri asgjë të mirë për Rusinë", tha Zhirinovsky për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se "Trump do të fitojë më 3 nëntor. Ne jemi të sigurt për këtë". Në pyetjen e hulumtimit të Qendrës “Levada”, se cili nga kandidatët presidencialë në SHBA do të ishte më i mirë për Rusinë, Trump apo rivali i tij, ish-nënpresidenti, Joe Biden, gati dy të tretat e të anketuarve rusë, thanë se kjo nuk ka rëndësi. Infografikë Çfarë thonë rusët për zgjedhjet presidenciale në SHBA? Një hulumtim tjetër i zhvilluar në muajin shtator tregoi se 23 për qind e rusëve kanë opinion pozitiv për Trumpin ndërsa 43 për qind negativ. Më shumë se gjysma e të anketuarve nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për Bidenin. Për gati gjysëm dekade, Rusia ka dominuar diskutimet politike në SHBA, duke nxitur debate mbi ngjitjen e Trump në presidencë dhe duke hedhur poshtë vazhdimisht akuzat se ishte e përfshirë në këtë çështje. Nga ana tjetër, Trump ka hedhur poshtë pretendimet për rolin e Moskës në zgjedhjen e tij si një “gjueti shtrigash”, edhe kur përballej me padi ndaj ish-ndihmësve të tij. Pse duhet t'ju interesojë rusëve? Por, përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, derisa amerikanët bëhen gati për zgjedhje të ashpra dhe mundësinë e një beteje ligjore mbi rezultatet zgjedhore, rusët shqetësohen më shumë me problemet brenda vendit të tyre. Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë Rusinë dhe pagat kanë rënë për të gjashtin vit radhazi. Duke pasur parasysh shqetësime të tilla të brendshme, ngërçi politik përtej Atlantikut nuk po e tërheq vëmendjen, siç kishte bërë dikur. "Pse duhet t'ju interesojë rusëve?", thotë Fjodor Lukjanov, një analist rus i politikës së jashtme që këshillon Kremlinin. “Shtetet e Bashkuara janë thjesht - një vend tjetër. Nuk besoj se dikush pret ndonjë ndryshim, pavarësisht se kush do të fitojë”, thotë ai. Në vitin 2016, Zhirinovsky nuk ishte i vetmi që brohoriste pro Trumpit. Shumë në Rusi e shikuan kandidaturën e tij si një shans të vërtetë për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe për të hequr sanksionet perëndimore që kanë penguar ekonominë e Rusisë, që kur e aneksoi Gadishullin e Krimesë në Ukrainë më 2014. Më 2016, Trump e përshkroi Putinin si "një lider" dhe u zotua të normalizojë lidhjet me Rusinë. Në këmbim, kanalet televizive shtetërore ruse ishin plot lavdërime për Trumpin, ndërsa kritikuan rivalen e tij të atëhershme, Hillary Clinton "Trump hakoi sistemin e kalbur të elitave amerikane, duke luajtur sipas rregullave të tij dhe u bë president", deklaroi propaganduesi i Kremlinit, Dmitry Kelyelyov, pas zgjedhjeve më 2016. Raportin e tij e shoqëroi me imazhin e dy gotave me shampanjë - një aludim për partinë Zhirinovsky-t, që e organizoi ceremoninë në Parlamentin e Rusisë. Në muajt përpara zgjedhjeve të vitit 2016, tre sondazhe të njëpasnjëshme nga Qendra “Levada” treguan një përqindje në rritje të rusëve që mbështesnin Trumpin dhe jo Clintonin, një trajektore që përkonte me fushatën e bashkërenduar televizive shtetërore për të portretizuar Trumpin si shpëtimtarin e Rusisë. Ndërsa, mungesa e interesimit rus për votimet e 3 nëntorit në SHBA, sipas drejtorit të Qendrës “Levada”, Lev Gudkov, buron nga hapësira më e vogël që i është kushtuar kësaj çështjeje në televizionin shtetëror. Vetëm dy kategori të qytetarëve po i ndjekin zgjedhjet, sipas Gudkov: zyrtarët, që kërkojnë udhëzime nga Kremlini dhe pensionistët që e shikojnë televizionin shtetëror. Midis të rinjve të Rusisë, vetëm rreth 5 ose 6 përqind po i kushtojnë vëmendje, thotë Gudkov - pesë herë më pak sesa brezi i gjyshërve të tyre. "Në sfondin e izolimit ndërkombëtar të Rusisë dhe një krize të dukshme të marrëdhënieve me vendet evropiane dhe SHBA-në, [propaganda televizive] përpiqet të shmangë çdo informacion që mund të përmbajë kritika ndaj Rusisë", thotë Gudkov për Radion Evropa e Lirë. "Ekziston një disponim negativ që po e shuan interesimin dhe pritjet nga zgjedhjet në SHBA", thotë Gudkov. Gudkov shton se zgjedhjet në SHBA janë ngjarja e dytë ose e treta më e mbuluar në lajmet në televizionit rus, dhe midis të anketuarve të hulumtimit, që thanë se po ndiqnin fushatën e zgjedhjeve, tre herë më shumë po e përkrahin Trumpin sesa Bidenin, një politikan veteran shumë më pak i njohur në Rusi sesa presidenti në detyrë. Por, për Kremlinin, Biden është bukur i njohur. Gjatë mandatit të tij si nënpresident amerikan, në kohën kur president ishte Barack Obama, Biden pretendohet të ketë pasur një shkëmbim jo të zakonshëm me Putinin gjatë një vizite në Kremlin më 2011. "Unë po shikoj në sytë tuaj dhe mendoj se nuk keni shpirt", i kishte thënë Biden presidentit rus. Ai e tregoi këtë në një intervistë për New Yorker. "Ai (Putin) buzëqeshi, dhe tha: 'Ne e kuptojmë njëri-tjetrin'", kishte treguar Biden. Lukyanov, analist i politikës së jashtme, thotë se stafi në Kremlin "nuk janë strategë aq të thellë", por midis zyrtarëve dhe analistëve në Rusi, "ka një pikëpamje pak a shumë konsensuale se edhe nëse Bideni fiton, nuk do të ketë ndryshim të qëndrimeve aktuale politike në SHBA”. “Amerika tashmë e ka zhvendosur paradigmën e saj në drejtim të më pak ekspansionizëm dhe përqëndrimit në politikën e brendshme”, tha ai. Derisa Trump kishte premtuar marrëdhënie më të mira me Rusinë më 2016, shumë rusë ishin të zhgënjyer kur vërejtën se këto plane u zhdukën. Zyrtarët e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin se Moska kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-ës dhe tani po thonë se ajo po bën përsëri të njëjtën gjë. Ekziston një mbështetje dypartiake në Kongres për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

No comments:

Post a Comment

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri : Institucioni i mirënjohjes është nderim ndaj vetvetes

Si ka mundësi? “Mosmirënjohja njerëzore nuk njeh kufi” García Márquez E sht...