DONALD LU PËRPLASET ASHPER ME RAMËN: MA VËRTETO QË REFORMËN TERRITORIALE SE BËRE PËR TË FITUAR ZGJEDHJET, MOS HARXHONI PARATË PËR MAKINA LUKSI

Lëkunden raportet mes qeverisë shqiptare dhe prezencës diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Shkaku kryesor duket se lidhet me procesin e dekriminalizimit të politikës shqiptare. Uashingtoni ka vendosur të radikalizojë qëndrimet ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili ka demostruar shenja rezistence, duke mos pranuar largimin e tre kandidatëve të inkriminuar, të propozuar nga Partia Socialiste. Teksa ambasadori amerikan u ka kërkuar dje shqiptarëve të largojnë me votë politikanët e lidhur me krimin, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Hoyt Brian Yee, ka shmangur Edi Ramën nga turi i takimeve në Tiranë.

Pse e bojkotoi Edi Ramën zyrtari i lartë i DASH dhe konflikti me amerikanët për kriminelët e kandiduar në zgjedhjet lokale


Pas përplasjeve të nëndheshme, për përjashtimin e tre kandidatëve të Partisë Socialiste, të skeduar nga Prokuroria dhe ambasada amerikane me rekorde kriminale dhe me identitet të shumëfishtë, divergjencat kanё nisur të shfaqen publikisht. Zyrtari amerikan ka zhvilluar takime me përfaqësues të shtetit dhe politikës shqiptare, duke evituar një takim me përfaqësuesin më të rëndësishëm politik, kryeministrin Edi Rama. Kjo lëvizje lexohet si një qëndrim i prerë i amerikanëve kundër dilemave të kryeministrit në raport me kandidatët e inkriminuar. Nga ana tjetër, Hoyt Brian Yee dhe Donald Lu kanë vlerësuar hapin e opozitës, e cila largoi dy kandidatë të dyshuar si të inkriminuar. Amerikanët e kanë theksuar dy herë vlerësimin e tyre për këtë vendim, duket e konsideruar si një hap të guximshëm. Takimet Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Hoyt Brian Yee, zbarkoi dy ditë më parë në Tiranë, për çështjen e dekriminalizimit dhe të situatës parazgjedhore në Shqipëri. I shoqëruar nga ambasadori Donald Lu, zyrtari i DASH zhvilloi takime me kryetarin e Kuvendit, Ilir Metën, kreun e opozitës, Lulzim Bashën dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushatin. Por, çuditërisht zyrtari i DASH shmangu një takim me kryeministrin e vendit. Nga ana tjetër, debati për dekriminalizimin vijon. Opozita e ka lexuar si një inkurajim për krimin vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila shpalli të pafajshëm dy deputetët e Partisë Socialiste, të cilët rrahën deputetin e PD, Gent Strazimirin. Sipas PD, pas këtij vendimi qëndron Rama. Qëndrimi i qeverisë Burime pranë qeverisë, bënë me dije se takimi mes zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Hoyt Brian Yee dhe kryeministrit Edi Rama nuk është zhvilluar për shkak të axhendës së kryeministrit. Sipas qeverisë, kryeministri Edi Rama ka qenë i angazhuar në fushatë, duke qenë në pamundësi për të takuar përfaqësuesin e DASH. Por, kjo arsye nuk është fort e besueshme. Kreu i qeverisë ka gjetur kohë për të takuar edhe zyrtarë të parëndësishëm. Megjithatë, Kryeministria dhe ambasada amerikane nuk kanë bërë asnjë sqarim zyrtar për çështjen e takimit. Rama rezistencë Ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha, pas presionit në rritje të amerikanëve, përjashtoi të paktën dy kandidatë të inkriminuar, kryeministri Edi Rama nuk lëshon kandidatët e tij të inkriminuar, për shkak të llogarive elektorale. Jo rastësisht, Uashingtoni e vlerësoi dy herë si të guximshëm vendimin e opozitës për të larguar dy kandidatë të inkriminuar. Fillimisht, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë dhe më pas me anë të Zëvendës-Ndihmës Sekretarit të Shtetit Amerikan, z. Hoyt Yee, SHBA ka theksuar dy herë vlerësimin për vendin e opozitës, duke i dhënë një mesazh të qartë kryeministrit Edi Rama, i cili duket se vijon ta konsiderojë ende si një lojë të zakonshme politike procesin e dekriminalizimit. Sipas burimeve, të paktën emrat e tre kandidatëve të Partisë Socialiste, me të shkuar kriminale dhe me emra të shumëfishtë, kanë shkuar prej disa ditësh në tavolinën e kryeministrit Edi Rama, duke e vënë këtë të fundit para një prove të vështirë, por vendimtare. Ndërsa amerikanët kanë shtuar presionin, duke dërguar në Tiranë edhe zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë sinjal, për largimin e tre kandidatëve në fjalë.





Situata aktuale politike në vend, që pasoi deklaratat e deputetit Tom Doshi, ka vënë në lëvizje dhe ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë. Ambasadori amerikan Donald Lu zhvilloi sot një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.Një ditë më parë, ambasadori Donald Lu u takua me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Burime zyrtare në Ambasadën Amerikane bëjnë me dije se në takimin me kreun e opozitës shqiptare ambasadori Donald Lu ka ritheksuar mesazhin e përcjellë në deklaratën e ambasadës, ku i bëhej thirrje të gjitha partive të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale ose korruptive.

Ambasadori po ashtu theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për punën e parlamentit për të zhvilluar legjislacion në përputhje me rezolutën e 24 dhjetorit 2014.
Sakaq selia blu ende nuk ka dhënë detaje rreth takimit të mbajtur në po të njëjtën ditë që Basha mblodhi grupin parlamentar, ku apeloi kreun e kuvendit të dorëhiqet nga detyra dhe të dalë para drejtësisë, ndërsa kryeministri të dëshmojë në prokurori pasi ka dijeni qenë në dijeni të akuzave. Për Bashën ka ardhur koha e dekriminalizimit të Kuvendit dhe mbarë politikës, por për këtë duhet vullneti, që sipas tij i mungon qeverisë së sotme




Donald Lu përplaset ashper me Ramën: Ma vërteto që reformën territoriale se bëre për të fituar zgjedhjet, mos harxhoni paratë për makina luksi
Rikthehen fërkimet dhe konfliktet mes kryeministrit Edi Rama dhe faktorëve amerikanë në Tiranë. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka artikuluar dje një akuzë, ndoshta nga më të rëndat që pas zbarkimit të tij në Tiranë, në adresë të kryeministrit Edi Rama. Disa ditë pasi kryeministri Edi Rama u përplas në distancë me Dhomën Amerikane të Tregtisë, për revanshin ndaj biznesit, kryediplomati amerikan në Tiranë aludoi dje se Edi Rama e bëri reformën territoriale për të fituar zgjedhjet dhe jo për të përmirësuar shërbimet për qytetarët. Donald Lu e bëri këtë deklaratë gjatë një konference kombëtare për pushtetin vendor, ku kërkoi më shumë fonde për njësitë vendore dhe të mos ketë favorizime. Lu tha se deri më tani, reforma territoriale nuk po jep efekt, duke provuar tezën se është bërë vetëm për llogari elektorale. Ambasadori sfidoi Ramën, teksa i tha që të tregonte në praktikë se reformën territoriale nuk e kishte bërë vetëm për të fituar zgjedhjet. “Na është thënë nga qeveria se reforma territoriale u miratua për të përmirësuar shërbimet publike dhe rritur cilësinë administratave vendore dhe jo për të fituar zgjedhjet. Tani qeveria ka mundësinë të vërtetojë këtë. Kemi nxitur kryeministrin dhe ministrin e Financave t’u japin administratave vendore paratë dhe pushtetin që u nevojitet për të përmirësuar shërbimin”, tha ambasadori. Kryediplomati amerikan i kërkoi qeverisë që të mos penalizojë kryebashkiakët e PD sa i takon ndarjes së fondeve. “I kemi kërkuar qeverisë qendrore të investojë drejtpërdrejtë tek qeveritë vendore. Fondet ndeshen me rrezikun e përdorimit për financimin e kryetarëve të bashkive të PS-së dhe LSI-së dhe mohimin e fondeve për kryetarët e bashkive të opozitës. Bashkitë duhet të kenë burimet e tyre të financimit përmes tatimit vendor, ose ndarjes së taksave me qeverisjen vendore”, u shpreh ambasadori amerikan. Akuza kryebashkiakëve Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka artikuluar dje kritika të forta në adresë të kryebashkiakëve, disa prej të cilëve janë identifikuar nga amerikanët për rekorde kriminale në të shkuarën. Ambasadori amerikan konstatoi se kryebashkiakët kishin ardhur në takim me makina të zeza, benza etj. Ambasadori tha se kjo nuk ishte mënyra e duhur për të shpenzuar paratë e qytetarëve dhe donacionet e huaja. “Të nderuar kryebashkiakë, nëse keni ardhur me Mercedes, BMV apo me makina të zeza, duhet të mendoni, nëse kjo është mënyra që votuesit tuaj duan që ju të përdorni paratë e tyre. Nëse zyra juaj është më e këndshme se dyqani i bukës apo e postës, në zonën tuaj, sërish shpresoj që do të mendoni: A do të shpenzoheshin më mirë këto para për mbledhjen e plehrave, apo përmirësimin e shkollave apo ndërtimin e parqeve? Vlerësoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës i pari që refuzoi Mercedezin e zi të bashkisë dhe në vend të tij mori me qera një Tojota të vogël. Shpresoj që të jetë drejtimi për të gjithë brezin e ri të drejtuesve vendorë”, theksoi ai. Adriatik Doçi


Pse ambasadori amerikan është afruar me Lulzim Bashën dhe larguar me Edi Ramën?

Me afrimin e prezencës diplomatike të SHBA në Tiranë me opozitën shqiptare, krisja e raporteve mes amerikanëve dhe Edi Ramës kanë marrë një pamje edhe më të qartë. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka intensifikuar takime formale dhe informale me kryetarin e opozitës shqiptare, Lulzim Bashën, në një kohë kur raportet e tij me kryeministrin Edi Rama kanë shkuar në një pikë kritike, për shkak të përplasjes për çështjen e kandidatëve të inkriminuar, Byronë e Hetimit, etj.




Disa ditë pasi bojkoti festën për 24-vjetorin e Partisë Socialiste, ambasadori Donald Lu, është shfaqur në krah të Lulzim Bashës, duke sinjalizuar edhe zbutjen e akujve mes Uashingtonit dhe PD, akuj të krijuar që nga viti 2012, kur raportet mes Berishës dhe ish-ambasadorit Arvizu u plasaritën. Ambasadori amerikan, Donald Lu, ka takuar dje për herë të parë pas zgjedhjeve kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. Ata janë takuar në një lokal në Tiranë. Ndonëse nuk dihen çështjet që janë diskutuar, dora e faktorit amerikan duket hapur në ndryshimin e kursit politik të Lulzim Bashës, i cili ka vendosur të braktisë linjën destruktive dhe radikale. Ndryshe nga kryeministri Edi Rama, i cili i mbajti deri në fund tre kandidatë të inkriminuar, Lulzim Basha reflektoi menjëherë ndaj kërkesës së amerikanëve, duke përjashtuar nga zgjedhjet e 21 Qershorit të paktën dy kandidatë të inkriminuar. Pas kësaj lëvizjeje, jo rastësisht ambasadori amerikan, Donald Lu, e vlerësoi dy herë si hap të guximshëm vendimin e Bashës për t’u distancuar nga dy kandidatët e inkriminuar, ndërsa e konsideroi si poshtëruese rezistencën e Ramës, për të mos larguar të paktën tre kandidatë të inkriminuar. Raportet e reja të prezencës amerikane në Shqipëri me dy kampet politike, janë reflektuar edhe në intensitetin e takimeve me liderët e politikës. Ndërsa vendosi të bojkotonte festën e Ramës, Lu shfaqet befas me Lulzim Bashën. Ndërkaq, disa ditë më parë, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Hoyt Brian Yee, gjatë një vizite në Tiranë, takoi krerët e shtetit shqiptar, por u largua pa takuar Edi Ramën. Nga ana tjetër, amerikanët, në një hark të shkurtër kohor, kanë publikuar tre raportet pezmatuese për kriminalitetin dhe korrupsionin në Shqipëri. Por, nuk ka vonuar edhe kundërpërgjigja e Edi Ramës, i cili ka deklaruar se besimi i shqiptarëve ndaj amerikanëve ka rënë në 10 vitet e fundit.

8 deputetë drejt përjashtimit nga Parlamenti, ja kush janë ligjvënësit që rrezikojnë të humbin mandatin

Ditë të vështira në horizont për Parlamentin Shqiptar. Ky Parlament është konsideruar njëzëri si Kuvendi me nivelin më të ulët në historinë e pluralizmit. Ndonëse nuk ka dosje konkrete për të gjithë, thuhet se 19 deputetë janë të përfshirë në trafiqe, korrupsion, prostitucion, vrasje etj. Ndërkaq, gërshetimi i procesit të dekriminalizimit me procesin e zyrtarizimit të kandidaturave për zgjedhjet lokale, do të nxjerrë shumë deputetë nga Parlamenti Shqiptar. Dy ligjvënës shqiptarë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, nëse do të dënohen me vendim të formës së prerë, në bazë të akuzave të Prokurorisë, nuk do të kthehen më në Kuvend, ndërsa mandatet e tyre do t’u kalojnë kandidatëve në listën shumemërore për deputetë. Përpos Doshit dhe Frrokut, katër deputetë të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, janë në përfundim të një beteje të gjatë gjyqësore në Gjykatën e Lartë.

Bëhet fjalë për Arben Ristanin, Edi Palokën, Pjerin Ndreun dhe Arben Ndokën. Arben Ristani dhe Edi Paloka janë kallëzuar penalisht nga kryeministri Edi Rama për shpifje. Deri më tani, ata nuk kanë paraqitur asnjë provë për të konfirmuar akuzat e tyre, përpos disa artikuj të gazetave “RD” dhe “55”. Ndërkaq, Arben Ristani, edhe nëse shpëton në Gjykatën e Lartë, ai mund të penalizohet nga procesi i dekriminalizimit të Parlamentit, për shkak se ka qenë i dënuar. Po ashtu, mandatin mund ta humbasin edhe deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, gjithnjë nëse shpallen fajtorë nga Gjykata e Lartë. Astrit Veliaj është deputeti i radhës, i cili mund të humbasë mandatin. Organi qendror i akuzës ka përgatitur një dosje voluminoze në ngarkim të deputetit të PD, dosje e cila pritet të referohet në gjykatë. Ndërkaq, ditën e hënë do të nisë një betejë e fortë për t’i hequr mandatin deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, i cili akuzohet se ka përfituar nga fondet publike. Edhe nëse mazhoranca nuk ia heq mandatin Kokëdhimës, deputeti do ta ketë shumë të vështirë të shpëtojë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka krijuar një precedent tashmë për raste të ngjashme.

Zgjedhjet lokale

Partitë parlamentare pritet të zyrtarizojnë këto ditë kandidatët për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Në listë janë edhe disa deputetë të Kuvendit. Zyrtarizimi i tyre do të pasohet me një proces tjetër, atë të lënies së mandatit, duke u hapur rrugën për në parlament kandidatëve të radhës në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 Qershorit. Deputeti i PS, Armando Subashi, sipas gjasave, do të propozohet si kandidat për Bashkinë e Fierit. Ndërkaq, deputeti Arben Çuko mund të propozohet si kandidat për Bashkinë e Lushnjes. Nga ana tjetër, Blendi Klosi apo Pandeli Majko pritet të propozohen për Bashkinë e Tiranës. Edhe Partia Demokratike pritet të kandidojë disa deputetë në Durrës, Elbasan dhe Tiranë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)