PARLAMENTI EUROPIAN: “SHQIPËRIA TË REFORMOHET JASHTË BE”

Parlamenti Europian paraqet një numër rekord amendamentesh për draft-rezolutën për progresin në integrimin europian të Shqipërisë të vitit 2014.
Parlamenti Europian: “Shqipëria të reformohet jashtë BE”
192 amendamente janë paraqitur për draft-rezolutën e raportuesit Knut Fleckenstein, që do të diskutohet të hënën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

Ajo që tërheq vëmendje lidhur me këtë draft-rezolutë, nuk është vetëm aspekti sasior i amendamenteve, por edhe përmbajtja e tyre.

Për herë të parë, kryetarja e të djathtës esktreme franceze të Frontit Nacional, Marine Le Pen, së bashku me 3 eurodeputetë të tjerë të kësaj partie, prezantojnë një amendament, sipas të cilit, Shqipëria mund të reformohet jashtë Bashkimit Europian.

“Shqipërisë i është akorduar statusi i vendit kandidatit. Megjithatë, konsolidimi i reformave demokratike dhe reforma të mëtejshme janë krejtësisht të mundshme jashtë procesit të anëtarësimit,” thuhet në amendament.

Një tjetër amendamet në të njëjtin kah vjen edhe nga grupimi i ekstremit të djathtë italian, Lega Nord.

“Duke pasur parasysh dobësinë e vazhdueshme të gjyqësorit, korrupsionit në shkallë të lartë, prezencën e fortë të krimit të organizuar, mungesën e mbrojtjes së minoriteteve, diskriminimin kryesisht të grave, mungesën e transparencës në financimin e medias, duke konsideruar rritjen e papunësisë dhe çështjet që lidhen me kushtet e tregut të punës, si dhe nga ana tjetër, se Komisioni Evropian nuk ofron ndonjë anëtarësim të ri në Bashkimin Evropian gjatë pesë viteve të ardhshme, kërkojmë pezullimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian,” thuhet në amendament.

Shumica dërrmuese e amendamenteve ka të bëjnë me pesë kriteret kryesore të Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe konkretisht me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, administratën publike, të drejtat e njeriut dhe gjyqësorin.

Por sigurisht, bashkëpunimi midis forcave politike për integrimin europian, mbetet kyç.

“Ne nënvizojmë rëndësinë e një bashkëpunimi të mirëfilltë politik mes të gjitha partive politike, që duhet të ndiqet nga një angazhim i vërtetë për të ndërtuar një kulturë politike demokratike në veçanti, duke forcuar dialogun dhe aftësinë për të kërkuar dhe për të pranuar kompromisin dhe konkurrencë të ndershme, në mënyrë që, qytetarët të kenë besim më të madh te institucionet publike. Kujtojmë se koalicionin qeverisës duhet t’i krijojë opozitës mundësinë për të ushtruar të drejtën e saj të kontrollit demokratik,” thuhet në amemandamentet lidhur me integrimin europian të vendit.

Draft-rezoluta do të diskutohet për një orë e tridhjetë minuta të hënën pasdite në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian dhe do të votohet të martën në mëngjes

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)