PËRFAQËSUESI I BUNDESTAGUT GJERMAN GUNTHER KRICHBAUM : NUK KA NEGOCIATA ME SHQIPËRINË PA LARGUAR KRIMINELËT NGA PARLAMENTI

Përfaqësuesi i Bundestagut gjerman: Nuk ka negociata me Shqipërinë pa larguar kriminelët nga Parlamenti
Inkriminimi i Parlamentit Shqiptar dhe i pushtetit lokal mund të bllokojë avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Nga Berlini ka ardhur dje një mesazh shumë i fortë për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili vijon të spërdridhet, duke mos pranuar paketën e dekriminalizimit. Kryetari i komisionit të çështjeve europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, ka deklaruar dje se nuk do të ketë çelje negociatash për Shqipërinë, pa larguar më parë kriminelët nga Parlamenti Shqiptar. Mesazhi është i qartë, i prerë dhe i fortë. “Ne duam të shohim një sistem drejtësie të pavarur, krijimin e strukturave të besueshme dhe forcimin e shtetit ligjor. Në të gjitha këto, ne jemi shumë larg hapjes së negociatave. Qeveria shqiptare duhet të tregohet ambicioze në realizimin e reformave, që ne të konsiderojmë hapin e ardhshëm të integrimit. Ajo që përmendët në pyetjen tuaj përbën një pikë shumë të ndjeshme për ne. Ne duam të shohim dekriminalizimin e Parlamentit të Shqipërisë. Prezenca e deputetëve me të dhëna kriminale në Kuvend është e papranueshme. Këto raste duhet të trajtohen nga drejtësia. Përndryshe hapja e negociatave nuk mund dhe nuk do të ndodhë”, ka deklaruar Krichbaum. Ai tha se negociatat për Serbinë do të hapen në fund të këtij viti, ndërsa Shqipërisë i kërkohet të bëjë progres në luftën kundër korrupsionit. “Ne jemi në favor të zgjerimit, sepse kjo ofron më shumë stabilitet në rajon. Së shpejti, do të shqyrtojmë hapjen e kapitujve 35 së bashku me 32 në kuadrin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe jam optimist që kjo do të realizohet në fund të vitit. Pika tjetër e axhendës është Shqipëria. Shqipëria është një vend kandidat, por vendi duhet të realizojë reformat, pasi hapja e negociatave nuk është automatike. Qeverisë i kërkohet të bëjë progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformimin e sistemit të drejtësisë”, pohoi Krichbaum. Ai ka kërkuar hetime neutrale, objektive dhe të besueshme për çështjet e korrupsionit.“Sigurisht që duket shumë e çuditshme. Kjo është e qartë. Por nga ana tjetër, është e rëndësishme të zhvillohen hetime neutrale, objektive dhe të besueshme. Në rastet kur autoritetet nuk janë në gjendje që të kryejnë hetime të tilla, atëherë lind nevoja për hetime ndërkombëtare. Ne duhet të dimë ekzaktësisht se ç’ka ndodhur për çështje të ndryshme dhe ç’është më e rëndësishmja që fajtorët të çohen para drejtësisë”, tha kryetar i komisionit të çështjeve europiane në Bundestag. Raporti Komisioni i çështjeve europiane në Bundestag ka folur edhe për progres-raportin për Shqipërinë. “Ne mbledhim informacionet tona, gjatë vizitave në Shqipëri, përmes kontakteve me institucionet apo organizatat joqeveritare. Raporti i Komisionit Europian është një prej raporteve të shumta mbi të cilat ne bazohemi. Ne marrim në konsideratë raportin e Bankës Botërore për klimën e biznesit në Shqipëri apo Transparency International për luftën kundër korrupsionit si dhe raportet tona. Pra, duke u bazuar në të gjitha këto, ne krijojmë një tablo të plotë për vendin, në bazë të të cilës vendosim nëse duhen hapur ose jo negociatat. Pra, raporti i Komisionit Europian nuk është i vetmi, ndonëse i rëndësishëm por sërish jo i vetmi raport i rëndësishëm”, tha ai

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)