2011-01-02

Shkrim më shkas:Shkrimtarët Shqiptaro -Amerikanë, dëshmues dhe trashëgimtarë të veprës së ndritur dhe erudiciont të Fan Nolit

Shkrimtarët Shqiptaro -Amerikanë, dëshmues dhe trashëgimtarë të veprës së ndritur dhe erudiciont të Fan Nolit
Dielli dhe Vatra e Shqipërisë në Amerikë







Shkrimtarët Shqiptaro -Amerikanë, dëshmues dhe trashëgimtarë të veprës së ndritur dhe erudiciont të Fan Nolit







Nga Flori Bruqi

Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit tonë. Për fat të keq si shume artistë të mëdhenj shqiptare, ai lindi dhe vdiq larg atdheu. Por midis këtyre dy datave zemra e tij e madhe rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare.

Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës, si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë e jetën e kryetrimit Skënderbe. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letësinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri.
Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për ta zgjeruar kulturen e vet, dëshirë që mbeti e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t'i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe. (Vetëm me 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua per arte , kurse më pas në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori). Për të siguruar jetesën hyri në një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në një teater. Herë-herë luante edhe ndonjë rol të vogël , por puna në teater nuk i vleu më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën "Zgjimi", në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri), dhe me vonë dramën në shqip "Izraelitë e filistinë". Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit. Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare edhe ai po në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet". Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë "Besa-besë", që më pas u shkri në federatën "Vatra"si dhe gazetën "Dielli". Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një punë të rëndë që të siguronte jetesën.
Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe.

Kur u shpall Pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme "Historia e Skënderbeut".
Gjatë viteve `20-24, në krye të opozitës demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër në Parlament dhe jashtë tij kundër gjithë forcave reaksionare dhe feudale, duke ngritur zerin për vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rustemit në Vlorë shënoi fillimin e Revolucionit Demokratik në Shqipëri.
Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij, që ishte qeveria me përparimtare në Ballkan. Ajo shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Revolucioni Demokratik në Shqipëri u gjend menjëherë i rrethuar nga qëndrimi armiqsor i Fuqive të Mëdha, monarkive dhe qeverive evropiane të shteve ballkanike. Nolit iu desh të bënte një përpjekje të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare të njihej. Por ndërkohe gjithë forcat reaksionare të vendit, të kryesuara nga A.Zogu dhe të ndihmuara nga qeveria jugosllave si nga ana financiare, ashtu edhe me mercenarë biellogardistë arritën ta rrëzojnë qeverinë demokratike, e cila duke mos patur kohë të realizojë reformat e shpallura, sidomos reformen agrare, mbeti e shkëputur nga populli. Noli u detyrua të mërgojë jashtë vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë. Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar (Konare) me Nolin si kryetar. Në organin "Liria Kombëtare"
Të këtij Komiteti që dilte në Gjenevë, Noli botoi shumë artikuj që demaskonin Zogun dhe armiqtë e Shqipërisë, fashizmin dhe reaksionin si edhe disa nga poezitë e tij më të mira. Noli u end nëpër Evropë plot tetë vjet, duke mos pushuar së punuari për Shqipërinë, me shpresë se do të vinte një ditë që ai të kthehej përsëri. Por më 1932, kur Zogu arriti të forconte mjaft pushtetin e tij despotik, ai e humbi shpresën dhe u largua për në Amerikë për të mos e parë më kurrë atdheun. Më mirë se gjithçka, gjendjen e rëndë shpirtërore të tij në këtë kohë e shpreh poezia "Moisiu në mal".
Noli
Kryeprofetit dita i ngryset
Dhe shpirtkëputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.

Pse kaqë gjatë, Zot, m'arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzetvjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve?

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publiçistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj. Në gjithë këtë veprimtari politike, patriotike, artistike e shkencore Noli mbeti demokrat konsekuent. Vegjëlia ishte shtresa e vetme që ai vlerësonte, shtresa, tek e cila ai besonte, kurse feudalizmi ishte klasa që ai urreu për vdekje, klasa për të cilën ai s'pati kurrë ndonjë iluzion. Megjithatë si politikan e udhëheqës shteti ai humbi në ndeshjen me feudalizmin, pasi nuk deshi kurrë të përdorej dhuna.
Pasi u vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme, siç ishte "Bethoveni dhe Revolucioni Francez" etj dhe me organizimin e veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar.
Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, te i cili vepron me të njëjtën forcë intuita e artistit shkencëtarit dhe e politikanit, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për Shqipërinë, për fat të keq vdiq larg saj më 13 mars 1965 në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.

Krijimtaria poetike e Nolit është ndër gjërat më të fuqishme, më të thella e më tronditëse të letërsisë shqiptare. Vargjet e tij përshkrohen nga një filozofi e thellë humaniste dhe janë demaskuese të një bote të vjetër, të mykur ku mbretërojnë intrigat, prapaskenat, krimi e shfrytëzimi, po njëkohësisht prej tyre shpërthejnë idealet e përparuara demokratike, optmizmi se gjithçka që i ka kaluar koha do të përmbyset. Krijimtaria poetike e Nolit u përmblodh për herë të parë nga shkrimtari dhe kritiku ynë i shquar Mitrush Kuteli, më 1948 kjo veprimtari u botua nga federata "Vatra" në Amerikë, në përmbledhjen "Albumi". Më vonë Noli botoi edhe disa poezi të tjera si "Sulltani dhe kabineti" etj.
Poezia e parë e Nolit është "Tomsoni dhe kuçedra„ (1914), ku Noli shpërthen me forcë kundër tradhtisë së feudalëve me Esat pashë Toptanin në krye. Pas saj Noli botoi poemën "Jepni për nënën", e cila u bë mjaft popullore. Aty u bëhet thirrje në formë prekëse të gjithë shqipëtarëve, kudo që të ndodhen, të ndihmojnë pa hezitim Shqipërinë, të cilën elementët anti kombëtare e kanë çuar në greminë.

Cilët bij të tradhëtuan
Dhe të dogjën dhe të shuan
Dhe të lan' o shkab` e ngratë
Pa fole, pa zogj, pa shpatë,
Këta qena, o shok, mbytni,
Mbushni gjylet që t'i shtypni

Që në këto dy poezi bien në sy dy karakteristika të krijimtarisë së Nolit: frymëzimi nga ngjarjet aktuale dhe qëndrimi i rreptë e i prerë antifeudal. Pas revolucionit të qershorit Noli botoi njëra pas tjetrës poezitë tij më të fuqishme si: "Syrgjyn vdekur", "Shpellë e Dragobisë", "Himni i flamurit„ etj.
Dy të parat janë elegji për L.Gurakuqin dhe B.Currin, bashkëluftëtarët e Nolit gjatë Revolucionit, të cilët u vranë të dy më 1925 brenda një muaji, nga Zogu. Në këto dy elegji poeti jep meritat e secilit nga këta demokratë e patriotë të shquar dhe mishëron në art tiparet e tyre. Në elegjinë kushtuar Luigj Gurakuqit, Noli njëkohësisht e vajton me hidhërim të thellë, e mbron dhe e lartëson nëpërmjet antitezash të fuqishme figurën e pastr të tij dhe gjithashtu demaskon edhe dorën gjakatare dhe synimet e A.Zogut:

Nëno, moj, mbaj zi për vëllanë,
me tre plumba na i ranë,
na e vranë e na e shanë,
na i thanë tradhëtor.

………………………………..
Nëno moj, ç'është përpjekur.
Gojëmjalt'e zemërhekur,
Syrgjyn gjallë e syrgjyn-vdekur
Ky Vigan- Liberator.

Te "Shpella e Dragobisë„ poeti sjell një paralelizëm tjetër të heroit deri në përmasa epike me figura që i afrohen krijimtarisë popullore. Vërtet ajo është shkruar në formën e një elegjie, por e gjithë poezia shpreh duf, revoltë e kushtrim për luftë;

Thon' u shtri e thonë u vra,
por t'i s'vdiqe or Baba,
as te Shkëmb' i Dragobisë
as te zemr', e djalërisë!.

Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi jepen në këto poezi si shprehës të aspiratave të vegjëlisë.
Me ngjyrë epike e emocion të fuqishëm është shkruar edhe poezia "Himni i flamurit", e cila i kushtohet flamurit kombëtar që simbolizon qëndresën e paepur të popullit tonë gjatë 2000 vjetëve për të ruajtur kombësinë, vazhdueshmërinë e tij.

O flamur gjak, o flamur shkabë
O vend e vatër, o nën' e babë,
lagur me lot, djegur me flakë,
flamur i kuq, flamur i zi.

Poeti pasi rendit gjithë luftrat e mëdha e të gjalla të popullit për liri, nën këtë flamur, thekson një antribut të ri të tij, që e ka përfituar në lëvizjen për demokraci : flamur i madh për vegjëli.
Poezi me motive biblike siç janë "Moisiu në mal", "Marshi i Barabajt", "Krishti në kamzhik", "Marshi i Krishtit" dhe "Marsh i kryqëzimit", "Shën Pjetri mbi mangall" etj, shprehin aspekte të ndryshme të jetës politike gjatë viteve 1920-1924.
Pavarësisht nga motivet dhe simbolet biblike, ato s'kanë as frymë as karakter fetar. Të gjitha së bashku, krijojnë një autobiografi në vargje të Nolit gjatë dhe pas Revolucionit të Qershorit.
Kështu p.sh., në poezinë "Krishti me kamxhik", Noli aludon për rolin dhe programin e vet të viteve 1921-1924. Në këtë konceptim qëndrojnë edhe poezitë "Marshi i krishtit" e "Marshi i kryqëzimit". Krishti simbolizon figurën i cili, si ai, do të jetë mbrojtës i masave të varfëra nga shfrytëzimi dhe tirania. Në këto poezi ndihet adhurimi i masave, i turmës së paditur për heroin çlirimtar. Noli shpreh bindjen se masat pa heroin nuk mund të arrijnë fitoren e ëndërruar, Në këto poezi, sidomos te "Krishti me kamzhik", gjithashtu shprehet edhe ideja tjetër e rëndësishme e Nolit se toleranca duhet përdorur me kujdes. Larot dhe tradhëtarët feudalë duhen shtypur me dhunë, ndryshe ata rrezikojnë fitoren e arritur.
Momente të jetës së vështirë të Nolit në emigracion trajtohen në mënyre alegorike edhe në poezinë "Moisiu në mal". Këtu nëpërmjet simbolit të Moisiut, kryeprofetit të dhjatës së vjetër që simbolizon udhëheqësin, autori flet për përpjekjet e veta, idealet dhe luftën e tij për çlirimin e popullit shqiptar. Poeti ndihet i dëshpëruar për disfatën e tij, por nuk është pesimist për të ardhmen e popullit të tij.
Një nga poezitë më të fuqishme të këtij cikli është "Marshi i Barabajt", ku poeti me krahasime e epitete jashtëzakonisht të goditura demaskon figurën e Zogut-Baraba.

Tradhëtar, ti na nxive, na le pa atdhe,
ti na çthurre, na çkule, na çduke çdo fè.
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
derbeder, ujk e derr, Hosana Baraba!

Figura e Zogut dhe gjithë tiparet anadollake të qeverisë së tij, Noli i ka demaskuar edhe në poezinë e fuqishme "Kënga e Salep-Sulltanit".
Kurse tek poezia "Shën Pjetri mbi mangall", Noli ironizon deri në sarkazëm gjithë renegatët e revolucionit:

S'ka e s'ka si heroizma
Edhe si idealizma,
po ku dimër del behari
s'ka si zjarr.

Nga poezitë më të mira të Nolit janë "Anës Lumejve", "Rend or marathoromak". Të dyja poezitë krijojnë një imazh të qartë të gjendjes katastrofike të Shqipërisë nën pushtetin e Zogut dhe njëkohësisht shpreh padurimin e poetit për të parë shenjën e parë të kryengritjes shqiptare prej katundarëve e punëtorëve, të vetmit tek të cilët i ka varur shpresat ai. Pas kësaj vjen besimi në fitore, drithërima e poetit që ndjen nga larg se së shpejti do arrijë nëpërmjet "Marathonomakut" lajmi i fitores jo mbi pushtuesin, por mbi shfrytëzuesin e pushtetin feudal të Zogut. Ky është dallimi i Marathonomakut të Nolit nga Marathonomaku i Greqisë së Lashtë i cili lajmëroi fitoren ndaj ushtrisë së huaj.
Të dyja këto poezi të fuqishme pasuruan ideoartistikisht jo vetëm krijimtarinë e Nolit , por poezinë shqiptare në përgjithësi. Vargje si:

Ku e lamë e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjerë-mileti
Anës detit i palarë
Anës dritës i paparë
Pranë sofrës i pangrënë
Pranë dijes i panxënë
Lakuriq dhe i dregosur
Trup e shpirt i sakatosur

Janë ngjethëse edhe sot dhe mbeten gjithnjë aktuale. Forca demaskuese dhe thirrja për kryengritjen në këtë poezi dallohet nga gjithë krijimtaria tjetër poetike e Nolit dhe e ka mbështetjen në vetë zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, të cilat kishin tronditur prej kohësh jetën shoqërore e politike evropiane. Noli ka shkruar edhe tri lirika intime, ku më tepër trajtohet problemi i kuptimit filozofik të dashurisë si forcë jetëdhënëse.
Poezia noliane është një poezi novatore, sepse pasqyron idealet më përparimtare të shoqërisë shqiptare të viteve 20-30, idealet më demokratike, me një forcë artistike të jashtëzakonshme e me një formë origjinale. Shprehja poetike e tij përbëhet nga një mendim sintezë liroko-epik, plot duf e sulm me ritme kumbuese të protestës. Ritmi i marshit i jep kësaj poezie gjallëri të vazhdueshme e tone optimiste. Në vargjet e Nolit realizmi eshte gërshetuar me frymën romantike të ëndërrës e të shpresës, po aq ngushtë sa është gërshetuar edhe ideja e kryengritjes, e luftës për liri shoqërore me tolerancën shoqërore e lirinë e individit Noli ndoqi modelët poetike klasike, por pati një ndikim të ndjeshëm nga poezia popullore. Në poezinë e tij figuracioni popullor i shkrirë në zjarrin e frymëzimit dhe me frazeologjinë e zgjedhur e të pasur të gjuhës së folur ka sjellë vargje me një forcë të jashtëzakonshme shprehëse. Duke përdorur me mjeshtëri figura si epiteti, antiteza, alegoria etj., ai portretizon me art personalitete reale historike të jetës shqiptare.
Krahas veprave të shquara ideoartistike, poezia e Nolit dallohet si model i masës dhe përpjestimit, gjë që ndihet edhe në prozën e tij të rrjedhshme, konçize, me një kompozicion të saktë. Noli përdori fondin e pasur të gjuhës shqipe, duke aktivizuar edhe fjalë të vjetra e duke krijuar të reja, si dhe duke futur në funksion edhe fjalë të huaja, ndaj themi se është ndër pasuruesit më të shquar të gjuhës sonë.
*******************************
Personalitet i shquar jo vetëm i letërsisë, po i gjithë kulturës shqiptare, Noli dha kontribut të madh në shumë fusha. Ai është poet i shquar, historian e biograf, publicist, orator, kritik e dramaturg si dhe përkthyes i rrallë, që me veprat e tij i dha një ngjyrë të re letërsisë shqiptare. Krahas kësaj ai është njeriu i veprimit.
Si patriot i madh ai bëri ç'ishte e mundur në fushën e diplomacisë për ruajtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Si demokrat i shquar ai udhëhoqi Revolucionin Demokratik të Qershorit, i cili edhe pse dështoi ngjalli besimin se sistemi feudal i prapambetur do të shembej shumë shpejt. E gjithë veprimtaria e tij ishte një bazë e fuqishme për zhvillimet e mëvonshme shoqërore, politike, kulturore artistike në Shqipëri. Veprat e tij kanë hyrë në fondin me të cilin kontribuon populli ynë në kulturën botërore.
Mojsiu në Mal

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë
Krye-Profeti trimi me fletë,
Të bisedonjë me Perëndinë
Për Palestinë.


Arrin në majë lart i kapitur,
Qëndron me frikë, pret i tronditur,
Dhe Jehovaj i flet prej një reje
Me zë rrufeje:


"Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s'e shkelni
Skllevë, bij-skllevësh, s'e meritoni
Se liri s'doni!"


Krye Profetit dita i ngryset
Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.


Pse kaqë gjatë, Zot, m'arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzet vjet m'a ushqeve,
Dhe sot m'a preve?


"Nëm Dhen' e Lirë! Zot ku m'a ke?"
"Shiko, i tha, dhe ja ku e pe."
Së largu Zoti ia pasqyron,
Dhe e shikon.


Ja Nazareti, ja Bethlehemi,
Lum' i Jordanit, Jerusalemi,
Mal' i Sionës, Bethsaidaja,
Dhe Golgothaja.


Sheh gasn' e pritmë për djalërinë
Dhe shkretëtirën për pleqërinë,
Atje sa bukur, këtu sa zi,
0 Moisi.


Këtej ka dimrin, andej prënverën,
Kërkon Parajsën, vdes në Skëterrën;
Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,
Liberator!

Hymni i Flamurit

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr' o nën' e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.


Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S'të trëmb Romani, as Venecjani,
As Sërb Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli


Flamur që linde Shën Kostandinin,
Pajton Islamn' e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.


Me Skënderben' u lavdërove
Dhe në furtun' i funtmi u shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.


Sa shpesh pastaj përdhè u shtrive
Me zjarr e zi u ndeze u nxive,
Po çdo mizor me shpat' e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.


Përpjetë prie Shqipërinë,
Përlintj'a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr' e qjell i ri.

Shën Pjetri mbi Mangall

Fryn' e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.


Krishtin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E pështyjnë.


S'del askush që t'a shpëtonjë,
Roma do t'a kryqësonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Laneti.


Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mbi mangallin;
Kur e pa, u koll këndezi
Nga qymezi.


Dhe një shërbëtore i tha:
"Je dhe ti një nga ata!"
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.


Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:


"S'ka e s'ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S'ka si zjarri."


-"Nga ata je!"- thot' ajo,
E mohon Shën Pjetri: -"Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!"


Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek mjekrën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:


"Shkab' e shkëmb me poz' e fjalë,
Se ç'na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje."


Thot'ajo: -"Je, mos gënje!"
Pjetri e mohon me be:
-"Jo, për Zotin, moj aman,
S'jam e s'jam."


Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:


-"Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku.


Se ç' e dogje, se ç' e fike,
Gjel me gjëmb' e këng' armike.
Dhe ndërgjegjen se ç' ia çpove,
Se ç'ia zgjove.


Se ç'vajton Shën Pjetri hidhur,
Lesh-lëshuar, duar-lidhur,
Tri her' e mohoj pa gdhirë,
Faqe-nxirë.

Krishti me Kamzhik

Në kështjellë t'atdheut, në tempull të fesë
Janë shtruar sarafët' pa shpirt e pa besë,
Tregëtojn' e gënjejnë, rrëmbejn' e sfrutojnë,
Thon' ashtu Israelin e mbrojn' e shpëtojnë.


Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
Dhe shkëlqejnë në kish' e në fron me kurorë,
Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten
Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.


Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar
Na u ngrit gjer në kulm, dhe u bë kryetar;
Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë,
Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.


Çdo i shenjt' ideal, çdo shtëpi Perëndie
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:
Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
Dhe kush nukë plaçkitte ish krejt budalla.


Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,
Krisht' i ëmbël u ndes dhe u bë i vështirë:
Me kamçik e me fshikull sarafët i dëboj,
Dhe nga larot gjakpirës atdhen' e shpëtoj.


Dhe Shën Pjetr' i gëzuar ahere i tha:
"Ja tani e ke nisur tamam, or usta!
Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro,
Dhe me forc' e pahir na çliro, na shpëto."


"Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
Se të marrët, të shurdhërit s'kanë dëgjuar;
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin.
Se shpirt-robi s'çlirohet askurrë pa drurin."


Jesu Krishti s' dëgjoj, dhe s'e mori vesh mikun.
Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
Dhe i tha: "S'e ka fajin kurrizi, po truri,
Se lirin' e sjell drita e mëndjes, jo druri."


"Merre prapë kamçikun, Shën Pjetri u përgjeq,
Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
Përkëdhel' u kurrizin dhe do t'të besojnë,
Vraji, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t'adhurojnë".


Jesu Krishti s'dëgjoj, dhe s'e mori vesh mikun.
Dhe s'u unj përsëri që ta merrte kamçikun:
Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,
Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen' e atdhenë.

Rent or Marathonomak

Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!


Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush' e brek mi brek
Këmba tokën as t'a prek,
Hip' e zbrit,
Petrit, Marathonomak!


Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhè;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!


T'u tha gryka, po s'të pihet,
T'u mpi këmba, po s'të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!


Kurrë kaqë s'dogji djelli
Dhe si plumb s'rëndovi qjelli,
Kurr' aq ëmbël' e bukur s'ftoj
Hij' e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!


Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur' e prush,
Furr', or Marathonomak!


Gryka si gjyryk të çfryn
Prej Vullkani flag' e tym
Se ç'vëngon e se ç'gulçon,
Zëmra brinjët t'i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!


Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s'janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!


Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan' e që të çquan
Dhe fuqinë t'a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!


Ja, arrive, ua the:
Ç'gas e ç'helm qe kjo myzhde!
"E fituam!", brohorite
Dhe për tok' u përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!


Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!

Jepni për Nënën

Ç'thot' ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm' e vdekur: "O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!"
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.


Qan e lutet Nën' e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç'e pat me Skënderbenë,
Bijt' e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s'i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.


Cilët jan' ata tiranë
Që të pren' e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t'u nxi, t'u mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn' e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.


Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan', o Shkab' e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok' i mbytni,
Mbushni gjyle që t'i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.


Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s'ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S'kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n'Amerikë.


Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon' e vyer,
Që me drit' e nder të thuresh
Dhe me bijt' e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s'i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.


Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin' e vëndit t'onë,
Sot, se nesër është vonë
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.
Kënga e Salep Sulltanit

Një mexhlis të math na çeli
Pandeli Jano Vangjeli
Me Sulltan-llokum na veli
Si kofini pas të vjeli.


Fyt' i Floqit po pëllet
Top' i Krosit po kërcet:
Ç'është ky sheqer-kësmet?
Hallvaxhin' e pamë mbret!


Dhe rakia vete-vjen
Xhafer Ypi na mbërthen
Dhe për lot na mallëngjen
Rreth konopit me legjen.


Koço Kotta, mjek hanxhari,
Nis një valle palikari,
Se me një ferman kusari
Sadrazem u bë firari.


Dhe Feridi faqe ndron,
Die shante, sot lëvdon
Fryn bulçit' e trumbeton,
Që Katrani zbardhëllon.

Dhe sarhosh Iljas Vrioni
Dehet, siç e do zakoni,
Bërtet: "Rroftë Napoloni!
Kështu tha dhe Ksenofoni!"


Se ç' u çporr xhumhurieti,
Se ç'u rahatos mileti,
Se Sulltanin prap' e gjeti,
Se, që kur e humbi, s'fjeti!


Ç'ka sepse i vjetri qe
Madhështor sa një deve
Dhe ky s'bën as për meze!
Rroftë sa jep ylefe.


Se ç' na u gëzua xhani,
Se ç'na preu Ramazani,
Se ç' na piu Italjani,
Rroftë pra Salep-Sulltani!

Syrgjyn Vdekur

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran' e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.


Se të deshte dhe s'të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.


Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t'a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.


Nëno moj, m'a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s'i dhe as varr për hor.


Nëno moj, ç'është përpjekur
Gojë-mjalt' e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Shpell' e Dragobisë

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur' i lirisë.


Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab' e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.


Vendi dridhej, ay mbeti
Se s'tronditej nga tërrmeti.
Div drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.


0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell' e Dragobisë,
Yll i rrall' i burrërisë.


Thon' u shtri e thon' u vrà,
Po ti s'vdiqe, or Baba,
As te shkëmb' i Dragobisë,
As te zëmr' e Djalërisë.

As je vrar' e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.


Me Zjarr Shenjt u ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u ngrit Kështjellë
Për çlirimn' e Shqipërisë
Katakomb' e Dragobisë.

Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.


Ku e lam' e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjer-mileti
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur?


Se ç'e shëmpnë derbederët,
Mercenarët dhe Bejlerët,
Se ç'e shtypnë jabanxhinjtë
Se ç'e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç'e pren' e se ç'e vranë,
Ç'e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës!


Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall' as i varrosur,
Pres një shenj' e pres një dritë,
Pres me vjet' e pres me ditë,
Se ç'u tera, se ç' u-mpaka,
Se ç' u-çora, se ç' u-mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.


Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
Endërronj pa funt, pa shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.


Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet Beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta,
Dhe kudo gjëmon trumbeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar' e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!


Ky ilaç e ky kushtrim
Më bën djal' e më bën trim,
Më jep forc' e më jep shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi një herë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.


Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur
Brohorit me bes' e shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.

Plak Topall dhe Ashik

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s'jam më djalë
Dhe më s'ecënj dot.


Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
Që të vjen me not.


E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s'lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë,
Ç'u mundova kot.


Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M'ardhi keq, po s'e mohova,
Syri m'u-përlot.


Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot.


Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.


Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s'ecënj dot.

Fryn moj Erë

-Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.


-Nga ata male, moj erë trime,
ç'lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.


Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t'zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m'u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.


Atje tek losnja në fush' të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj'çup' të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.


Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m'u sos.
Fryn, moj erë, etj.


Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par'a çupën,
për kë të bënte më par'vajtim?
Fryn, moj erë, etj.


Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.


-Moj er'e rreptë, erë malsore,
shpirti m'u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m'u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.


Qëndro të lutem, të kam për t'dhënë
dhe un'i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott'e mi.
Fryn, moj erë, etj.


E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t'qëndrosh,
dhe lott'e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t'i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er'e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr'e saj.

(Përgatiti për botim në Agjencionin Floripress:Flori Bruqi)











Adnan Mehmeti: “Në rast se Noli ynë i madh dje i mblodhi shqiptarët rreth “Vatrës”, gazetës “Dielli” apo “Kombi” etj,- sot ne kemi Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanë, që merr shumë kuptim, jo vetëm në barasvlerën e vlerave sublime kombëtare, në krijimtarinë letrare në prozë, poezi publicistikë, në mbrojtjen dhe vazhdimësinë e përjetësimit të tyre, progresit e të traditës, kulturës, gjuhës shqipe, historisë, letrave shqipe, kombit tonë në përgjithësi kudo ndodhet brenda e jashtë trojeve etnike, për të njehsuar identitetin tonë kombëtar në formë e përmbajtje, ashtu si kanë bërë këta kolosë e dashamirës të shquar të Rilindjes Kombëtare”.


Në mendjet dhe zemrat e kombit shqiptar, të njerëzve të penës e të dijes, që me punën e tyre krijuese nënkuptojnë të vërtetën e madhe, se brenda forcës së krahëve e duarve, mendjes dhe dijes ka shpresë, dashuri, dhimbje, mall, përjetësi, muzikë, gjeografi, histori, ka vizion, shprehi të një humanizmi thelbësor. Sikundër që ka edhe në mendjen e çdo individi krijues, intelektual, lider, individ i botës njerëzore dhe hyjnore, në mbarë botën shqiptare, si në kulturën dhe traditën e çdo kombi. Në mbarë komunitetin shqiptaro - amerikan, u përkujtua me madhështi e krenari kombëtare, ashtu si e meriton një kolos i letrave shqipe, i galaktikës intelektuale shqiptare, njeriu i idealeve, i besimit në drejtësinë e universit të të drejtave të kombit shqiptar, në një status të barabartë më botën e qytetëruar, shansin për të qenë të barabartë mes të barabartëve, figurës së shquar, eruditit e poliadrikut, njeriut që jetoi mes botës njerezore e hyjnore,- figura dhe kontributi i Theofan Stilian Nolit, në 45-vjetorin e vdekjes së tij. Në këtë ditë përkujtimore, i gjithë potenciali i tij intelektual nxjerr në pah vlerat dhe virtytet e tij, si një figurë dominuese e Rilindjes Kombëtare, letrave shqipe, kishtar, politikan, përkthyes, diplomat, poet e shkrimtar, njeriu që bashkoi shqiptarët e Amerikës pa dallim feje e ideje, - njeriu i njerëzores e hyjnores, që karizma, aureola dhe erducioni i tij ndjehen eternalë në mbarë komunitetin shqiptaro – amerikan, kombin e trojet shqiptare. Shqiptarët e Amerikës, të vjetër e të rinj, valëvitin flamurin kuq e zi shqiptar, për më shumë se një shekull në tokën amerikane, duke patur mundësinë të integrojnë gjuhën e tyre, identitetin dhe vlerat kombëtare, kulturën, traditën, pavarësisht përballjes me sfidat e kohës, për mundësinë e ruajtjes së këtyre parimeve, tregojnë se edhe ata kanë të drejtën t’i quajnë tonat vlerat dhe parimet, si një domosdoshmëri, se ruajtja e tyre është antiasimilim – atë çka predikoi Noli i madh gjatë gjithë veprimtarisë së tij erudite e kombëtare. Arsyeja pse Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ndodhet këtu, është sepse në mars iu dha privilegji për të qenë pjesë, të ndajnë e te tregojnë historinë, për të lëvizur drejt një faze të re të bashkëpunimit, të natyrës universale, të së tashmes me të kaluarën. Perspektiva e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ndaj veprës së Fan Nolit dhe Rilindjes Kombëtare, në këtë vazhdimësi të nderimit të figurave, i ka shndërruar në pasardhës, studentë të tyre. Ata kudo që shkojnë, krijojnë, mbartin me vete nderimin dhe respektin për këto figura, si një dëshmi profesionale e shpirtërore, emocionuese dhe edukative, për të bërë sa më shumë në ndërtimin e memorialit të një kombi, aftësia e tyre krijuese e intelektuale, ndjesia më e fuqishme shpirtërore, të tregojnë në librat e tyre, në poezi, prozë, publicistikë, muzikë, si gjëja më e çmuar dhe e mrekullueshme që kanë ndeshur në jetë. Gjithsesi ajo çka është mbresëlënëse në këndvështrimin e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë të vjetër e të rinj, është se ata kanë ecur shumë nëpërmjet krijimtarisë dhe aktiviteteve të tyre, duke rritur kredibilitetin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, për të pohuar të shkuarën, nderimin e saj, historinë dhe kulturën shqiptaro - amerikanë këtu. Në orët e para të paraditës mbërrijnë në qytetin e lashtë e historik të Bostonit, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, përfaqësues të shoqatës panshqiptare, “Vatra”, kryetari aktual i saj dr. Gjon Bucaj, nga Akademia e Shkencave Shqiptaro –Amerikane, konsulli i Konsullatës Shqiptare në New York, zonja Admira Jorgji, konsulli i nderit z. Stefan Koçi, personalitete të njohura, të fushave të ndryshme të artit, kulturës dhe jetës social-ekonomike në SHBA, media e shkruar dhe vizive, me editorin e gazetës “Dielli”, publicistin e njohur Dalip Greca, nga gazeta “Iliria”, kryeredaktorja e Radio-Diasporës, Makfire Canolli, patriotë, atdhetarë, dashamirës dhe qytetarë të hershëm e të ardhur rishtas. Bën pak freksët, sepse valëzimi e oqeani sjell paksa të ftohtë. Në anë të tij shtrihet Bostoni, një nga portualet më të mëdha në Amerikë. Që në pamje të parë të bie në sy gjallëria e këtij qyteti mondan e historik, që të bën të përfytyrosh se si kanë qenë ëndrrat e shqiptarëve të parë vendosur këtu. Sikush ka pasur një ëndërr, një shpresë të atyre që kanë parë ecjen në kohë të gjeneratave, që panë dinjitetin kombëtar të ngrihej e integrohej nga dita në ditë, nga viti në vit, nga dekada në dekadë, duke kapërcyer shekullin. Të përfytyrosh elitën e shquar të Rilindjes Kombëtare, që jetonin e vepronin në Boston, Nolin e madh, Faik Konicën, Qerim Panaritin, Sotir Peçin, dr.Turtullin, Goni Katundin, Kol Tromarën, Josif e Vasil Panin, Kristaq Trebickën, Anthony Athanas etj, etj. Në hyrje të kishës së Shën Gjergjit, ata u pritën mes shtrëngime duarsh, përqafime dhe buzëqeshje nga pasardhësi dhe studenti i Fan Nolit, At Arthur Liolini, shkrimtarja e publicistja Rozi Theohari, shkrimtarja Shpresa Vranari, poeti, prozatori dhe moderatori i tubimit, Guri Stefani, poeti Skënder Kodra, publicisti e shkrimtari Skifter Këlliçi, studiuesi dhe gjuhëtari prof. Niko Dako, kryetari i Shoqatës Shqiptare-Kosovare të Bostonit, z. Hafiz Kabashi dhe tërë ata bostonianë të vjetër e të rinj. Tubimi u zhvillua në sallën kryesore të kishës, ku u mbahen ceremonitë e shenjta fetare dhe kombëtare. Salla ishte mbushur plot me shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, Çamëri, Kosovë e Shqipëri. Kishin ardhur nga diaspora e largët, pastaj shqiptarët e Izmirit të Turqisë, familja Nova, trashëgimtarë të bashkëkohësve të Nolit. Ndriti veëmas edhe shqiptaro –amerikani më i vogël 6-vjeçari, Joshua. Pikërisht ajo sallë u bë pika e bashkimit të shqiptarëve që shënoi kthesën historike në Rilindjen Kombëtare, forcoi dhe hodhi idenë, krenarinë e të qenurit shqiptar nga Fan Noli ynë i madh. Në sfondin e sallës qëndron flamuri shqiptar i vitit 1908. Një grup vajzash të veshura me kostume kombëtare mbanin posterin me shënimin: Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Sipas traditës, fjalën përshëndetëse e të mirëseardhjes, moderatori i tubimit Guri Stefani, ia dha At Arthur Liolinit, klerikut që vazhdon të mbajë gjallë traditën mikpritëse noliane. Në fjalën e tij, At Arthur Liolini përgëzoi presidentin e SHSHSHA-së dhe editorin e revistës “Pena”, poetin nga Lugina e Preshevës, z. Adnan Mehmeti, organizatorët e këtij tubimi dhe shprehu nderimin dhe respektin për të gjithë anëtarët e pranishëm e jo të pranishëm të Shoqatës dhe të gjithë pjesëmarrësit në sallë, të cilët u mblodhën aty për të nderuar dhe respektuar figurën e eruditit e poliadrikut, Theofan Stilian Noli. Më pas përshëndeti dhe uroi mirëseardhje edhe konsulli i nderit në Boston, z. Stefan Koçi, i cili do të prezatonte praninë në këtë tubim të konsullit së Konsullatës Shqiptare në New York, zonjës Admira Jorgji. Të dy diplomatët në fjalën e tyre vlerësuan dhe i dhanë mbështetjen e tyre morale dhe institucionale, aktivitetit të SHSHSHA-së, që nëpërmjet penës së tyre krijuese artistiko –letrare, në poezi, publicistikë, libra historikë e studimorë, ecin në gjurmët e Nolit të madh e të patriotëve, atdhetarëve dhe njerëzve të letrave shqipe, të jenë trashëgimtarë të denjë të rizbulimit e të integrimit të vlerave dhe identitetit kombëtar, në këtë tokë që ata e quajnë atdheun e dytë. Poeti dhe prozatori Guri Stefani, tek po moderonte tubimin me një eksperiencë dhe profesionalizëm të admirueshëm intelektual e kulturor, ia jep fjalën presidentit të SHSHSHA-në, poetit, Adnan Mehmeti. Me fjalën e tij dashamirëse, në adresë të audiencës, z. Mehmeti vlerësoi arritjet e Shoqatës gjatë vitit që kaloi dhe cilësoi daljen në dritë dhe botimin e revistës “Pena”, si një organ me rëndësi historike, kombëtare dhe letraro-artistike të saj. Në fjalën e tij që u prit me entuziazëm dhe u ndërpre disa herë nga duartrokitjet, midis të tjerave ai tha:

“Në vazhdën e kësaj tradite intelektuale të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro –Amerikanë, në këtë rrafsh, ne vijmë të suksesshëm, në raport me vitet e tjera. Me kontributin e çmuar, të mendjeve dhe penës krijuese të anëtarëve të Shoqatës, të cilët nuk rreshtin së shkruari, duke paralelizuar historinë, na i sjellin të gjalla dhe idetë e tyre, i tretin me idetë e Fan Nolit, Konicës, Arshi Pipës, Isuf Luzaj Zef Oroshit etj. Jemi sot këtu për të vazhduar integritetin e letrave shqipe, me kurajon, forcën dhe mundin tonë. Gjatë vitit 2009, ne kemi fituar një eksperiencë, duke bërë të mundur realizimin e disa aktiviteteve me taban letrar, kombëtar dhe historik. Noli ynë i madh, duke patur mbështetjen e fuqishme intelektuale dhe mendjendritur të patriotëve të vjetër, të njerëzve të penës e dijes, si njeriu i parë që me meshën shqiptare shënoi kthesën e parë historike të Rilindjes Shqiptare, kryerdaktor i gazetës më të vjetër “Dielli”, themelues dhe president nderi i Federatës panshqiptare “Vatra”, me veprën e tij në çdo aspekt: atë të patriotizmit, fetare, politike, letrare është e do të mbetet një kontribut i pavdekshëm i Rilindjes Kombëtare dhe historisë së popullit shqiptar. Në rast se Noli ynë i madh dje i mblodhi shqiptarët rreth “Vatrës”, gazetës “Dielli” apo “Kombi” etj,- sot ne kemi Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanë, që merr shumë kuptim, jo vetëm në barasvlerën e vlerave sublime kombëtare, në krijimtarinë letrare në prozë, poezi publicistikë, në mbrojtjen dhe vazhdimësinë e përjetësimit të tyre, progresit e të traditës, kulturës, gjuhës shqipe, historisë, letrave shqipe, kombit tonë në përgjithësi, kudo ndodhet brenda e jashtë trojeve etnike, për të njehsuar identitetin tonë kombëtar në formë e përmbajtje, ashtu si kanë bërë këta kolosë e dashamirës të shquar të Rilindjes Kombëtare, të patrotizmës, të letrave shqipe,-ne sot kemi revistën “Pena”. Kjo është një arritje e madhe e Shoqatës sonë



Që në numurat e parë të revistës “Pena”, u pasqyruan shkrime letrare, poezi, tregime dhe publicistikë, me autorë të ndryshëm që mund t’i vlerësosh për cilësinë dhe stilin e të shkruarit, të komunikimit me lexuesin dhe dashamirësit e shumtë të letrave shqipe, në evoluimin modern të këtyre penave. Kjo për ne është nder, krenari, sukses!

Sot kjo revistë gjendet këtu në ekspozitë, krahas librave të Fan Nolit, të shumë krijuesve në diasporë dhe të anëtarëve të Shoqatës.

Të përjetshme kujtimi dhe vepra Fan Nolit!, përfundoi fjalën e tij, z. Adnan Mehmeti.

Ndërsa publicistja fisnike dhe e talentuar korçare, znj. Rozi Theohari, banuese për një kohë relativisht të gjatë në Boston, lexuese e veprës së Fan Nolit, intervistuese e shumë bashkëkohësve të tij, e patriotëve e atdhetarëve të vjetër e të rinj, e kanë shndërruar atë në një transmetuese e përhapjes së humanizmit, çuarjes e përjetësimit, të veprës së Nolit të madh, mbajti referatin me titull “Dielli” e Fan Noli”. Midis të tjerave ajo u shpreh: “Ardhja e Fan Nolit në Amerikë, më 1906, është një moment i rëndësishëm historik, që shënoi fillimet e bashkësisë etnike të emigrantëve shqiptarë në fillimvitet e para të shekullit të kaluar .Dalja e gazetave të para; “Kombi”, e më vonë “Dielli”, si dhe aktiviteti i “Vatrës”, i shoqërive e organizatave të tjera patriotike që përmblidhnin dhe ndërgjegjësonin shqiptarët kurbetxhinj, u realizuan me përpjekjet e Fan Nolit dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë Faik Konica, Sotir Peçi, Kol Tromara, Josif e Vasil Pani, Goni Katundi, Kristo Dako, Petro Nini Luarasi, Kostandin Demo e shumë të tjerë. Noli luajti rolin vendimtar të propagandistit të ideve të Rilindjes dhe drejtuesit të lëvizjes patriotike shqiptare të diasporës së atdheut. Ai dha alarmin dhe shkroi vargjet – apel me të cilat ngriti peshë zemrat e mërgimtarëve: ”Mbahu, nëno, mos koj frikë/ Se ke djemtë në Amerikë...”

Shkrimtarja Shpresa Vranari, në kumtesën e saj me titull “Tingulli i poezisë së Nolit”, duke dhënë vlerësimin maksimal për kontributin letrar e kombëtar të tij, tha:

“Emri i Theofan Stiliano Nolit është një emër i nderuar në kulturën shqiptare. I lindur në një qytezë tërësisht shqiptare, ai u rrit me tingëllimin e pastër të gjuhës shqipe, mes këngëve dhe folklorit shqiptar, mes heronjve krenarë si Gjergj Kastrioti, pra ai ishte një shqiptar i madh. Me këtë ngarkesë emocionale, me këtë lumë dashurie për nënën Shqipëri, ai kapërceu oqeanin dhe ndërtoi këtu në Amerikë “Vatrën” e ngrohtë shqiptare ku mbështolli dhe vazhdon të mbështjellë mërgimtarët e malluar”. Pena e tij trajtoi një tematikë të gjerë në vargje, po unë kam shkëputur ;”Rend or rend, rend or Marathonomak”. Figura e njohur e Marathonomakut, figura e lajmëtarit të fitoreve, figura e bashkimit, e paqes, e harmonisë dhe mirësisë e cila tingëllon e bukur dhe mbarëbotërore”, tha ajo dhe mbylli fjalën e vet duke recituar poezisë për Morathonomakun.
[/b]
Dielli dhe Vatra e Shqipërisë në Amerikë
Dielli dhe Vatra e Shqipërisë në Amerikë

Raimonda Moisiu, në fjalën e saj, duke vendosur Nolin mes botës njerëzore e hyjnore, tha: “Noli ka qenë njeri i letrave dhe i humanizmit të thellë njerëzor, në ato përmasa, saqë nga burrë shteti u bë prift. Të bëhet dikush prift, do të thotë të jetë idealist patjetër, njeri që jeton mes botës hyjnore, pra njeri tolerant, i dhimbsur për njerëzit, prandaj, duke i patur këto cilësi, e pati të thjeshtë krejt të vishte rason e zezë. Dhe sakaq dha një deklaratë brilante që i kapërceu me të shpejtë kufijtë e mijëvjeçarit. Ai tha se populli shqiptar me një shumicë dërrmuese myslimane, zgjodhi në krye një prift orthodoks, sic vdiq ai. E ku ka kompliment, më të bukur se ky mesazh i tolerancës e bashkejetesës fetare, më të bukur që mund t’i bëjë dikush, popullit të tij, se sa ky? Fan Noli i ka kapërcyer kufijtë e kulturës intelektuale të kohës, shqiptarë e jo shqiptarë.

E paçim njëri-tjetrin!!”, mbylli fjalën e saj, Raimonda, duke imituar urimin që Noli e përdorte shpesh.

Fjalën pastaj e mori kryetari aktual i shoqatës panshqiptare “Vatra”, dr. Gjon Bucaj, duke e vlerësuar Nolin si themelues të saj, një pikë bashkimi e shqiptarëve rreth saj, dhe ne sot vazhdojmë ta ruajmë dhe mbrojmë atë, çka na dhuroi Fan Noli. Poetja dhe studiuesja, znj. Eleonora Gjoka, në fjalën e saj, mes të tjerash, tha: “Është fat për mbarë çështjen e komunitetit shqiptar në Amerikë, që në vend të Nolit qëndron Hirësia e Tij At’Arthur Liolini. Kisha e Nolit është kthyer në qendër për bashkimin e komunitetit shqiptar në Boston dhe në krejt Amerikën. Aktivizohen shumë njerëz të komunitetit të Bostonit si znj. Rozi Theohari, prof. Neka Doko, mësueset e talentuara në edukimin e fëmijëve dhe mësimin e gjuhës shqipe, në ruajtjen e identitetit kombëtar. Aktivistë të nderuar të SHSHSHA-së dhe vetë udhëheqja e saj, z. Adnan Mehmeti e z. Dalan Luzaj, u takon një meritë e veçantë për punën që bëjnë për mbarë komunitetin.

Poeti Shpend Gjocaj recitoi poezinë-kushtrim: “ Mbahu Nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”, ndërsa poeti dhe prozatori, nënkryetari i SHSHSHA-së, z. Mëhill Velaj, i njohur për ndjenjat e tij të flakta atdhetare dhe patriotike, solli një ditiramb të shkruar enkas për këtë tubim, me titull “Jam marathonomaku yt”, në përkujtim të 45-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit. Ja si u shpreh z. Velaj:

“E kam të vështirë që në pak rreshta të përshkruaj figurën e Fan Nolit këtij personaliteti të shquar të kombit, letrave shqipe dhe Rilindjes Kombëtare. Ai na ka lënë një kontribut në libra të tërë dhe vitet kanë krijuar në historinë e kombit një traditë të veçantë në stlilin e nderimit, respektit, përjetimin e veprës së tij, për të cilin ne sot si pasardhës të Nolit jemi krenarë e duam edhe ta imitojmë. Ende sot, ne trashëgimtarët e atdhetarizmit, patriotizmit, trashëgimtarët e shqiptarisë, të penës e dijes, jemi të impenjuar për të mbrojtur në të gjitha trojet e Shqipërisë etnike, për të përjetësuar, trashëgminë e vlerave dhe identitetin kombëtar në mbarë botën shqiptaro-amerikane. Fan Noli është një produkt natyral i atdhetarizmit dhe patriotizmit, përfaqësues tipik i shqiptarisë në këtë tokë, të cilën ne, ashtu si Noli, e quajmë atdheu i dytë yni. Shekulli kaluar do të hyjë në historinë e kombit shqiptar si shekulli i një kthese historike në solidaritetin kombëtar të shqiptarëve, pa dallim feje e ideje në sajë të karizmës dhe kulturës së jashtëzakonshme që eruditi dhe poliadriku Fan Noli karakterizohej.” Zoti Velaj, me dëshirën e mirë dhe idenë se e ardhmja e vazhdimësia i përket brezit të ri, ia jep poezinë e tij ta recitojë studentja kosovare me banim në Albany, New York, Donjeta Canolli. Fjalën e mori edhe publicisti i njohur z. Dalip Greca, i cili paraqiti një resyme të punës, sakrificave e sfidave për të ringjallur gazetën më të vjetër të themeluar nga Noli e “Vatra”, “Dielli”, dhe si një editor i saj tashmë ia ofroi jo vetëm SHSHSHA-së por edhe shoqatave e qytetarëve të ndryshëm për të bashkëpunuar dhe abonuar në këtë gazetë, që del prej muajit korrik 2009. Poeti, prozatori dhe moderatori i tubimit recitoi poezinë “Hymni i flamurit” të Fan Nolit. Zëri i poetit Stefani kumboi fort në atë salle. Për çudi, ngjasonte me zërin kumbues të Nolit, me ato nuancat dialektore korçarce - kolonjare, nga është edhe origjina e të dyve: Nolit dhe shkrimtarit Guri Stefani. Më pas foli prof. Neka Doko, drejtuesja e Bibliotekës së Kishës Autoqefale Orthodokse të Shën Gjergjit. Duke vlerësuar punën e shkrimtarëve, kërkoi bashkëpunim në pasurimin e bibliotekës me krijimtarinë e tyre në vazhdën e traditës të lënë nga Noli. Edhe shumë pjesëmarrës të ndryshëm, adhurues të veprës e figurës së Fan Nolit recituan poezi, tregime dhe lecuan mbresa për të. Të gjithë pjesëmarrësve iu dha libri “Celebrity 100 years 1908-2008, Albanian Orthodox Archdiocese in America”, në anglisht dhe e shoqëruar me CD-në përkatëse, “In their own language”. Në fund të tubimit e morri përsëri fjalën At Arthur Liolini, duke i falenderuar pjesëmarrësit, organizatorët e tubimit dhe Shkrimtarët Shqiptaro -Amerikanë, i çmoi si dëshmues dhe trashëgimtarë të veprës së ndritur dhe erdudiciont të Fan Nolit. Mbas tubimit, SHSHSHA-ja, zonja Admira Jorgji, konsull e Konsullatës Shqiptarë në New York, kryetari i “Vatrës”, dr.Gjon Bucaj, prof. Agron Fico, e shumë pjesëmarrës të tjerë, bënë homazhe te varri i Fan Nolit. Kurorën, në emër të SHSHSHA-së, e vendosën presidenti i saj, z. Adnan Mehmeti dhe zonja Rozi Theohari. Nënkryetari i Shoqatës, z. Mëhill Velaj, dhe kryetari i “Vatrës”, dr. Gjon Bucaj, mbajtën fjalën përkujtimore të rastit tek varri i Nolit. Mbasditja kaloi në restorantin shqiptar “Eda’s”, nën shoqërinë e At Arthur Liolinit dhe pjesëmarrës nga të gjitha trevat etnike të Shqipërisë, Çamërisë, Kosovës dhe nën ritmin e muzikës popullore të shoqëruar nga grupi i vajzave valltare të Shoqatës Shqiptare-Kosovare të Bostonit dhe serenadave të kënduara nga z. Guri Stefani. Moment emocionues ishte kur At Artur Liolini iu bashkua korit të shkrimtarëve, duke kënduar së bashku me ta. Ishte një aktivitet mbresëlënës, diçka ndryshe nga aktivitetet e tjera të Shoqatës. Kjo u arrit falë punës së palodhur të presidentit të saj, z. Adnan Mehmeti, hapësirës dhe besueshmërsisë që ai iu ofroi kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të grupit organizues: zonjave Rozi Theohari, Shpresa Vranari dhe moderatorit që mbajti peshën kryesore të tubimit, z. Guri Stefani. I gjithë aktiviteti u ndoq nga gazetarët, Dalip Greca, Makfire Canolli, Raimonda Moisiu dhe Qazim Doda.

Raimonda Moisiu

South Boston

Massachuset, Mars 2010

Dorëshkrimi shqip i Teodor Shkodranit nga viti 1210

Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit nga viti 1210, i tëri në gjuhën shqipe, shtyen kufijtë kohorë për 345 vite më herët se sa “Meshari”i Buzukut,që është i vitit 1555.- Botimi i tërë dorëshkrimit, si libër i veçantë, do të bëhet së shpejti nga revista “Ekskluzive”. Dorëshkrimi është transkriptuar, transliteruar dhe shoqërohet me një koment dhe analizë shkencore nga autori i këtij shkrimi.
Dorëshkrimi shqip i Teodor Shkodranit nga viti 1210

dr. Musa Ahmeti


I gjithë dorëshkrimi është autograf, i shkruar nga një dorë. Ndërsa në fund fare, në f. 208, autori është firmosur vetë me emrin: Teodor Shkodrani, duke shënuar: “Me ndihmën dhe dëshirën e fort të lumturit Zot, e përfundova në vitin 1210, ditën e 9 të marsit”.



“Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’ Lummnummitt ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’ Mmarxxitee”.


THEODOR SSCODRAANNITTEE


“Asnjë gjuhë e botës nuk njihet që nga fillimet e saj. Nga kjo arsye historia e çdo gjuhe qoftë... detyrohet të fillojë nga një epokë e caktuar... Historinë e një gjuhe mund ta nisim që nga koha që ajo gjuhë është shkruar. Vetëm kur është shkruar, një gjuhë ka marrë fizionominë e saj të veçantë, ka zënë një vend të caktuar në historinë e kulturës së njerzimit... Pa shkrime pra nuk kemi histori të një gjuhe. Për çdo gjuhë historia e saj nis kur nis kjo gjuhë të shkruhet”. [Çabej]

Studimet dhe hulumtimet shkencore nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, janë shumë të rëndësishme ngase na mundësojnë njohjen dhe pasurimin me të dhëna të reja për albanologjinë dhe historinë kombëtare në përgjithësi. Deri para pak kohësh është folur e shkruar, por gjithnjë deri tashti në formë të supozimeve, se “duhet” të ketë libra, dorëshkrime ose dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat janë më të hershme se sa “Formula e pagëzimit” nga viti 1462 apo nga libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe, “Meshari” i Buzukut nga viti 1555. 
Duke u nisur nga ide të tilla, por edhe nga pohimi i Eqrem Çabejt se: “Në nëndorin e vitit 1940 N. Borgia më kumtoi në Grotaferata pranë Romës se kishte zbuluar në Arkivin e Vatikanit një dokument në gjuhën shqipe më të vjetër se Buzuku. Fshehtësinë e zbulimit të tij ky dijetar e mori me vete në varr. Gjurmime të mëtejme nëpër arkivat e Vatikanit e të Propagandës mund të na sjellin ndonjë të papritur në zbulim dokumentesh më të moçme të shqipes.” (Studime gjuhësore, vëllimi VI, f. 12, referenca nr. 29, Prishtinë, 1988)


Paralelisht kemi konsultuar edhe burime të ndryshme nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, duke shfrytëzuar Kodekse dhe dorëshkrime të tjera që kishin të bënin me shqiptarët dhe Shqipërinë


Ne, sikur edhe shumë studiues të tjerë, ju vumë kërkimeve në Arkivin Sekret të Vatikanit për të gjetur ndonjë gjurmë të këtij dokumenti apo dorëshkrimi. Konsultimi me kolegë specialistë me përvojë nga Arkivi i Vatikanit, por edhe studiues eminentë botërorë, që bëjnë studime në Vatikan, ishte i dobishëm, ngase kursyem shumë kohë dhe eliminuam disa nga fondet arkivore, duke qenë pothuajse të sigurtë se aty nuk mund të ndodhej një dokument apo dorëshkrim për të cilin bën fjalë Nilo Borgia, e pas tij edhe Zef Skiroi. Fondet të cilat duhej të studioheshin, prapë ishin të shumta dhe tepër voluminoze. Paralelisht kemi konsultuar edhe burime të ndryshme nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, duke shfrytëzuar Kodekse dhe dorëshkrime të tjera që kishin të bënin me shqiptarët dhe Shqipërinë. 
Siç dihet Arkivi i Vatikanit e ka zanafillën e tij nga Mesjeta e hershme. Për publikun dhe studiuesit laikë ai u hap vetëm pas vitit 1882. Këtu ruhen dokumente, dorëshkrime dhe libra nga më të ndryshmet, që kanë të bëjnë me relegjionin dhe kishën; por edhe me momente të tjera të jetës laike, politike, shkencore, etj. Funksionimi i këtij Arkivi është rregulluar në vitin 1927 me rregulloren: “Regolamento dell’Archivio Vaticano del 1927”. Konsultimi dhe shfrytëzimi i dokumenteve, por edhe i literaturës tjetër që ruhet në këtë Arkiv, është përcaktuar nga Papati dhe zbatohet me përpikmëri duke mos bërë asnjë lloj lëshimi. Për momentin mund të konsultohet lënda burimore arkivore deri në periudhën e Benediktit të XV, viti l914; ndërsa për atë në vazhdim, por edhe për disa fonde të veçanta, pos lejeve speciale, një pjesë e mirë e Arkivit të Vatikanit është ende “sekrete”.

Më në fund, në vitin 1998, kemi pasur fatin të kishim në dorë një vëllim të lidhur me kopertina të forta druri, nga viti 1210, titulli i të cilit në regestat e Vatikanit nuk ishte i shënuar komplet dhe në formën origjinale. Shfletimi i kujdesshëm, që në faqen e parë, ishte shenjë se teksti nuk ishte në gjuhën latine, greke, sllave apo ndonjë gjuhë tjetër, por ishte i tëri në gjuhën shqipe.
Vëllimi i tëri është në pergamen, gjë e zakonshme për kohën kur ishte shkruar. I ka 208 fletë, pra 208 faqe, sepse në pergamen shkruhet vetëm në njerën anë. Paginimi [numërimi] i faqeve është vetëm recto. Dimensionet janë: 28 x 39.5 cm. Komplet vëllimi është i ruajtur shumë bukur, nuk ka dëmtime, pos që në disa vende ka filluar të fshihet ngjyra dhe kjo në fletët 188, 189 dhe 192. I gjithë dorëshkrimi është i shkruar me grafema (shkronja) latine dhe i tëri në gjuhën shqipe, në dialektin e veriut, i cili si i vjetër që është paraqet mjaft vështërisi për t’u lexuar. 
Në fillim, por edhe në disa vende brenda dorëshkrimit, ka iniciale të cilat janë shumë të bukura. Tri nga ato janë të praruara me flori. Inicialet tjera janë me ngjyrë të kuqe, pjesa dërrmuese, ndërsa dy janë me ngjyrë blu të hapur. Në dorëshkrim ka edhe tri miniatura, kryesisht të punuara nga floriri, të cilat paraqesin momente biblike.
I gjithë dorëshkrimi është autograf, i shkruar nga një dorë. Ndërsa në fund fare, në f. 208, autori është firmosur vetë me emrin: Teodor Shkodrani, duke shënuar: “Me ndihmën dhe dëshirën e fort të lumturit Zot, e përfundova në vitin 1210, ditën e 9 të marsit”.

(“Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’ Lummnummitt ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’ Mmarxxitee”.


THEODOR SSCODRAANNITTEE)



Pas një pune disavjeçare, kemi arritur të bëjmë transkriptimin dhe transliterimin e dorëshkrimit


Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në f. 1r – 97r mbi teologjinë; f. 98r – 146r mbi filozofinë dhe 147r – 208r mbi historinë. Secili nga kapitujt mund të jetë edhe libër në vete. Duke mos mohuar vlerën dhe rëndësinë e dy kapitujve të parë, kapitulli i tretë ka tërhequr më shumë vëmendjen tonë ngase pos të dhënave me interes të veçantë, autori citon edhe vepra të tjera që ka konsultuar dhe më shumë se një herë, mbështetet në kronikat shqiptare të qyteteve të ndryshme.
Pas një pune disavjeçare, kemi arritur të bëjmë transkriptimin dhe transliterimin e dorëshkrimit. Ishte një punë shumë e mundimshme kjo, ngase ne nuk kishim tekste [dokumente apo dorëshkrime] të ngjashme nga kjo kohë apo kohë më e afërt, për të konsultuar e krahasuar grafemat, fjalët, fjalitë dhe strukturën e përgjithshme gramatikore. Jemi të vetëdijshëm se mund të ketë lëshime, por mbetet që specialistët e fushave përkatëse, pas studimeve të tyre, të nxjerrin përfundime të drejta dhe shkencore.


Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit, e shtyn edhe për 74 vjetë më herët jo vetëm përmendjen e gjuhës por edhe e dëshmonë se shqipja ishte shkruar; ndërsa kur bëhet fjalë për dokument të shkruar që është më i hershëm se “Meshari” i Buzukut për 345 vjet


Pos rëndësisë së jashtëzakonshme që ka dorëshkrimi, për atë se tregon një vazhdimësi të pandërprerë të shkrimit të gjuhës shqipe, ngase sipas dëshmive që kemi, për herë të parë bëhet fjalë për gjuhën shqipe në vitin 1284 (jo 1285 siç është menduar deri me tashti) në një dokument të Arkivit të Dubrovnikut /Raguzës/ nga 14 korriku i vitit 1284, ku thuhet: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe” (Et audiui unam uocem clamantem in monte in lingua albanesesca). Po sjellim faksimilin e origjinalit i cili botohet për herët të parë si i tillë.
Dëshminë e dytë e kemi nga një autor anonim, që sipas të gjitha gjasëve ishte prift i urdhërit domenikan, i cili në vitin 1308, gjatë udhëtimit nëpër Ballkan, kur përshkruan Shqipërinë dhe shqiptarët, ndër të tjera shkruan: “këtu shqiptarët e lartëpërmendur kanë një gjuhë të dallueshme prej latinëve, grekëve e sllavëve, kështuqë nuk merren vesh fare me popujt tjerë” [Habent enim Albani prefati linguam distanctam a latinis, grecis et slavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus]. 
Dëshmia e tretë është ajo e Guljelm Adamit, i cili në vitin 1332, me porosi të papës Gjon XXII, shkroi traktatin “Directorium ad passagium faciendum”, duke i bërë kështu edhe një relacion Filipit të VI-të Valua, mbretit të Francës, me titull: "DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM (UDHËZIM PËR TË KRYER KALIMIN E DETIT), ku jep të dhëna për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu gjejmë edhe fjalinë e famshme që e bëri të njohur në histori: “Dhe megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre.” 
Pra, nëse e shikojmë kronologjikisht, që nga viti 1284, kur për herë të parë përmendet gjuha shqipe, dorëshkrimi i Teodor Shkodranit, e shtyn edhe për 74 vjetë më herët jo vetëm përmendjen e gjuhës, por edhe e dëshmonë se shqipja ishte shkruar; ndërsa kur bëhet fjalë për dokument të shkruar, siç është “Formula e Pagëzimit” nga viti 1462, ky dorëshkrim është më i hershëm për 252 vjet, kurse më i hershëm se “Meshari” i Buzukut për 345 vjet.

Lajmi për zbulimin e këtij dorëshkrimi nga viti 1210 është mirëpritur në rrethet shkencore e intelektuale jo vetëm shqiptare. Interesim të veçantë ka zgjuar fakti se i gjithë dorëshkrimi, prej 208 fletësh, është shkruar i tëri në gjuhën shqipe. Ka pasur kolegë studiues që kanë shtruar pyetjen: pse u shkrua në gjuhën shqipe? Cilat janë arsyet që e shtyen autorin, Teodor Shkodranin, të shkruante shqip në këtë kohë, kur gjuhë kulture ishin greqishtja ose latinishtja? Pse shkrim në gjuhën shqipe, kur edhe të gjitha shërbimet fetare bëheshin në gjuhët greke ose latine? 
Debate të tilla janë me shumë interes, ngase hapin mundësi për t’u thelluar më shumë, për të njohur e studiuar përditshmërinë e popullit shqiptar në mesjetë. Si duket, harrohet se në perëndim të Shqipërisë, ishin kroatët, ata të cilët gjithë shërbesat fetare i bënin në gjuhën kroate, pra në gjuhën e popullit, ishin po kroatët, por edhe sllavët, të cilët kishin të shkruara në gjuhën e tyre dorëshkrime e dokumente. Si dëshmi është “Bašèanska ploæa”, një monument vërtet madhështor i shkruar me alfabet glagolik në gjuhën kroate... etj. etj. Pra, pse të mos kishin edhe shqiptarët dorëshkrime dhe dokumente në gjuhën shqipe.

Është krejt normale që, duke shikuar fqinjët që shkruanin në gjuhën e “popullit”, që edhe intelektualët shqiptarë të shkruanin në gjuhën e popullit të vet, nëse nuk kishin shkruar më herët se fqinjët, gjë që nuk përjashtohet si mundësi, ngase: “po t’i hedhim një vështrim historisë së gjuhës shqipe, dy gjëra të kundërta na bijnë në sy në këtë lëmë: me një anë gjuhë e dëshmuar me shkrim mjaft vonë, e në anën tjetër një popull i lashtë, autokton në këto vise të Ballkanit që nga kohët e mugëta të historisë.” Aq më parë kur dihet se në ketë periudhë kemi lindjen dhe zhvillimin e qyteteve vendëse, si forca dominuese politike, p.sh. Shteti i Arbërit, por edhe ngritjen e një shtrese intelektualësh, të cilët lanë gjurmë të thella me studimet dhe veprat e tyre në gjuhë të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete të tjera mesjetare evropiane.

Rëndësi të veçantë ka edhe fakti se autor i këtij shkrimi është një shqiptar nga Shkodra, mjaft i njohur në rrethet shkencore-kulturore të kohës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bizant, Romë, Raguzë, etj. Autori, Teodor Shkodrani, në fund të dorëshkrimit të tij na ka lënë të dhëna shumë të çmuara për veten e tij, për origjinën dhe për përgatitjen profesionale. (Ne nuk e kemi përdorur termin “libër”, por dorëshkrim, nga shkaku që të mos shkaktojmë huti; ngase koncepti libër në vitin 1210 dallon nga ai që kemi ne sot për librin, kur dihet se shtypshkronja ende nuk ishte shpikur në atë kohë. Pra menduam që termi dorëshkrim do të ishte më i afërt, kur dihet se të gjitha këto “libra” apo dorëshkrime, ishin të pakta në numër dhe ruheshin kryesisht nëpër vende të veçanta si: kisha, manastire, kuvende e, në raste të veçanta, edhe në bibliotekat private të ndonjërit prej fisnikëve vendas.) Të shtojmë që pos këtij dorëshkrimi në gjuhën shqipe, në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, të po këtij autori ruhen me dhjetra dorëshkrime në gjuhët greke dhe latine, të cilat nuk janë botuar deri më sot. Tematika e këtyre dorëshkrimeve është e ndryshme, por dominon ajo teologjike dhe historike. Ka edhe disa përkthime dhe redaktime të veprave të autorëve antikë. 
Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit është përgatitur për botim, është transkriptuar, transliteruar dhe shoqërohet me një koment dhe analizë shkencore. Botimi i tërë dorëshkrimit, si libër i veçantë, do të bëhet së shpejti nga revista ”Ekskluzive”. 

Diçiturat për ilustrime:
1. Ilustrimi 1.jpg - Miniaturë e praruar në flori, e ngjashme me atë të dorëshkrimit të Teodor Shkodranit. Origjinali ruhet në ASV. Vat. Lat. 3747, fol. 17v. Botohet për herë të parë.
2. Ilustrimi 2.jpg - Dokument origjinal në pergamen nga viti 1274. Ndër të tjerë edhe vulat e dy princërve shqiptarë: Engjëllorëve dhe Dukagjinasve. Origjinali ruhet në ASV. A.A.ARM. I-XVIII, nr. 2187. Botohet për herë të parë.
3. Ilsutrimi 3.jpg - Faksimil i dokument nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut, 14. korrik 1284, ku përmendet gjuha shqipe. Origjinali ruhet në: Diversa Cancelaria, 1284-1286, vol. 2, f. 111r. Si faksimil botohet për herë të parë

Filmi “Skënderbeu” më fokus të regjisorëve shqiptarë

Gati gjysmëshekulli nga koha e realizimit, “Skënderbeu”, varianti i dubluar në shqip mbetet ende një ndër filmat më të preferuar.

“Skënderbeu” më fokus të regjisorëve shqiptarë



































Regjisorët shqiptarë, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti, janë duke punuar për një projekt, që synon restaurimin dhe rigjenerimin total të filmit, “Skendërbeu”. Këtë e kanë bërë të ditur për mediat shqiptare vet regjisorët, të cilët kanë theksuar s ejanë në hapat e parë të punës, por e kanë tashmë të qartë se çfarë duan të realizojnë: restaurimin, ridublimin e filmit dhe një premierë për versionin e ri. 

Gati gjysmëshekulli nga koha e realizimit, “Skënderbeu”, varianti i dubluar në shqip mbetet ende një ndër filmat më të preferuar. Bashkëprodhimi shqiptaro-rus i vitit 1953, bën pjesë tashmë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare dhe shënon të parin film artistik shqiptar. Këto kohë, regjisorët Milkani dhe Anagnosti synojnë restaurimin dhe rigjenerimin total të tij. “Skënderbeu”, i realizuar nën interpretimin e aktorëve të njohur rusë si: Akaki Khorava, Semyon Sokolovsky, Veriko Andjaparidze, Georgi Chernovolenko etj., dhe nga aktorët e parë shqiptarë si: Naim Frashëri, Besa Imami, Marie Logoreci, Adivie Alibali, varianti që qarkullon sot është dublimi, që i është bërë filmit shqip atëkohë. Ky projekt, i cili për momentin është në fillimet e tij, do të dojë pak kohë të realizohet. 

Regjisori Milkani mendon se duhet një dublim i ri, me aktorët e sotëm, për të sjellë një cilësi më të mirë të këtij filmi. “Edhe pse ai film njihet nga të gjithë, koha ka bërë të vetën. Në mënyrë të veçantë dublimi i filmit është bërë me aktorët e atëhershëm, që sapo kishin filluar të punonin, përjashto këtu Naim Frashërin e Kadri Roshin. Pas 60 vjetësh, negativi i filmit ka humbje. 

Ridublimi në shqip i vërtetë i zërit, përpunimi i kolonës zanore dhe restaurimi i figurës do të kushtojë diçka, por ne mendojmë se ia vlen. Ka kritikë që mendojnë se “Skënderbeu” hyn në 100 filmat më të mirë të botës. Ky film ka vlera të jashtëzakonshme historike, në mënyrë të veçantë për ne shqiptarët”, shprehet regjisori Milkani.

Një grup shkencëtarësh kërkojnë ndryshime në historinë e Perandorisë osmane

Shumica e shkencëtarëve, të cilët po marrin pjesë në simpozium, mendojnë se historianët perëndimorë janë të njëanshëm dhe shprehin mendim të gabuar për historinë osmane të Azisë dhe Afrikës.

Një grup shkencëtarësh kërkojnë ndryshime në historinë e Perandorisë osmane




































Kohë më parë,rreth 70 ekspertë për periudhën osmane të Turqisë prej rreth 30 shteteve mouarrën pjesë në simpoziumin ndërkombëtar, kushtuar historisë së Perandorisë osmane, që u mbajtë në qytetin turk Bilexhik, në organizim të universitetit lokal.

Shumica e shkencëtarëve, të cilët pmorrën pjesë në simpozium, mendojnë se historianët perëndimorë janë të njëanshëm dhe shprehin mendim të gabuar për historinë osmane të Azisë dhe Afrikës.

Sipas rektorit të universitetit në Bilexhik, prof dr. Azmi Jozxhan, njëra nga dobësitë kryesore është se historia osmane deri më tani është shkruar nga të huajt.

"Sipas kuptimi të tyre tradicional, turqit janë përshkruar si kolonizues të ashpër dhe okupues, të cilët pa mëshirë kanë derdhur gjak. Por hulumtimet tregojnë se këto pohime nuk u përgjigjen të vërtetës. Duke grumbulluar në një vend shkencëtarë nga disa shtete, ne dëshirojmë t'i bëjmë hapat e parë në ndryshimin e historisë osmane, nëse kemi mundësi për atë", tha Jozxhan.

Njeriu që gdhend natyrën

Njeriu që gdhend natyrën

Malësorja, vashat nudo nën hijen e pemëve, shtojzovallet që mëkojnë Mujin janë figurat e femrave që kanë frymëzuar Pjetër Vukajn në 70 punët e gdhendura në dru dhe lëkurë. Vukaj tregon për teknikën e realizimit dhe gjuhën që i flet natyra.
Trupat e lakuriqtë vajzërorë me gjinj të rrumbullt dhe kofshë të kolme të gdhendura në lëkurë dhie, janë të parat që bien në sy në "Bioartin Unik" të Pjetër Vukajt.

Ndër 70 punimet e gdhendura në dru dhe lëkurë që ekspozohen deri më 10 korrik në Muzeun Historik Kombëtar, gjen gruan nga Kelmendi të veshur me xhubletë, malësoren me bucelë në krah, vashat nudo nën hijen e pemëve, shtojzovallet që mëkojnë Mujin, gra shtatzëna me gjinj të fryrë. Të shenjtën dhe djallin bashkë.

Vukaj ka punuar gjatë për portretet e tyre. Gdhend më fort lëkurën e dhisë aty kur do të japë vështrimin e thellë dhe bind qimet e kreshpëruara për t'u dhënë tipareve format që ai do.

Ka portrete ku hunda mund të jetë gdhendur në formën e grushtit të mbledhur, qepallat në formën e duarve dhe buzët në formën e grishtërinjve. "Më pëlqen figura e femrës, brishtësia dhe bukuria e saj e veçantë" shpjegon artisti ndjeshmërinë që i falin hiret e gruas dhe natyra e saj.

Në dy skulptura druri e shohim kur ajo sjell në jetë fëmijën. Gruaja duke lindur dhe pas lindjes shihet në dy skulptura prej druri, ku mitra është në formën e një zgavre peme dhe gjinjtë duken si dy foshnja të vogla. Për Pjetrin kjo simbolikë i përgjigjet vetëmohimit.

Për vashat me gjinj të hedhur që rrijnë në hijen e pemëve, 44-vjeçari me origjinë nga Kelmendi, thotë që "ato presin..." dhe fytyra i qeshet. Tani nuk e ka më qëndrimin hijerëndë në fillim të takimit.

I çliruar na thotë që malësoret e tij, janë edhe fisnike, por edhe të dashura. "Shihe si e lejon atë malësorin t'ja shkojë dorën rreth belit", thotë ai dhe hedh vështrimin tek skulptura e çiftit të malësorëve, ku burri gjunjëzohet për të njomur pak buzët në bucelën që malësorja ka mbi supe dhe mbahet në belin e saj.

Me teknikën e gdhendjes në lëkurë Pjetër Vukaj është marrë vetëm tri vitet e fundit. Ajo i kërkon përqendrim dhe durim.

"Kur theret një kafshë, e ruaj lëkurën që është e përshtatshme.

Fillimisht ajo regjet, pastaj thahet. Pastaj kryhen tri procese: qethja, rruajtja e pjesshme dhe gërvishtja e smaltit të lëkurës për t'i dhënë dritëhije. Është një punë që më shumë ta kufizon se sa të jep lirinë. Nuk mund të biesh në kompromis me lëkurën sepse ajo rebelohet. Është një teknikë shumë e vështirë", e përshkruan hap pas hapi ai këtë mjeshtëri.

Ka edhe të tjera hile ky zanat. Figurat e kreshnikëve, e luftëtarëve si Adem Jashari, duken më madhështore, me tipare të egra, të dendura dhe të zeza pis. Ndryshe ndodh me Skënderbeun, me mjekër të thinjur dhe çehrezbehtë.

"Nuk ishte smalti i duhur për ta realizuar", thotë Vukaj dhe më tej shpjegon se është punuar mbi lëkurën e një dhie të vjetër.

Teknikën e drurit e njeh në majë të gishtave. Ka njëzet vjet që punon me të. E zgjedh drurin e arrës, pishës, panjës, në vendin e origjinës, në pyjet e Kelmendit. Ka ditë, që natyra tregohet zemërgjerë me të. Atëherë kur veprat e artit i dalin para syve kacavjerrë në trungjet e pemëve, në zgavra, në degë dhe mjafton të zgjasë dorën t'i arrijë. Por vetëm një sy i stërvitur, si ai i Vukajt e sheh atë.

Në ekspozitë shohim një kalë dhe një qen prej druri. Kalin e ka gjetur në gardhin e një të afërmi, kurse qenin nën zgavrën e një peme.

"Të dy i ka skalitur natyra", tregon për autoren e kësaj vepre, artisti, që vetëm i ka pastruar ato. Një tjetër gjurmë ku natyra duket se i ka hapur shpirtin është figura e një burri që kërkon që ndëshkojë fëmijët e tij, dhe nëna që i mbron duke i shtrënguar në gji ata. Edhe këtë formë e ka sjellë të paprekur nga pyjet e Kelmendit.

Në të tjera vepra bëhet heqja e lëkurës, një gdhendje e lehtë dhe lyerja me pak llak sa "për të theksuar damarët e drurit dhe për të mos lejuar lëkurën të shkëputet nga druri".

Punimet e drurit duket sikur më shumë "flasin" për jetën malësore. Gratë që mbushin ujë në guva, që vallëzojnë, dëfrehen, dashurojnë, kujdesen për fëmijët. Më të veçantat, gdhendje në dru duken Legjenda e Rozafës, Cirku i Oktapodit, Lojë popullore dhe Figura e Nënë Terezës një portret realist dhe i saktë i murgeshës.

Më tepër kohë dhe energji i ka kërkuar Pjetrit lahuta mbi 2 m. "Ka dashur 6 muaj punë dhe është bërë me dru arre. Kërkon shumë kujdes sepse është komplet trungu, pa ngjitje dhe të mbetet në dorë, thyhet, nëse nuk ke kujdes."

E vetmja gjë që Pjetër Vukaj kërkuan të ruajë në punën e tij është liria. Mjafton një daltë, një brisk, pak xham, letër smeril. Ai është shpirt i lirë që njeh për padron natyrën. Tjetër kënd nuk lejon t'i ndërhyjë në punën e tij.

Tani askush nuk mund t'i vërë pragje. Jo si dikur, para viteve '90, kur nuk mundej të bënte atë që donte dhe merrej me punët e rëndomta të fshatit. "Arti bëhej vetëm në qytetet e mëdha", shton ai duke u munduar ta përmbajë pengun e së kaluarës.

Për herë të parë ekspozoi në vitin 1993 në Muzeun Historik Kombëtar disa relieve në dërrasë. Një vit më vonë mori pjesë në një ekspozitë kolektive në L'Aquila, Itali, ku u prezantua me punime në dru, ndërmjet tyre dhe me legjendën e Rozafës. Ka hapur ekspozita në Plav dhe Guci dhe në 2003-2004 në Shkodër.

Shkodra është qyteti i duhur për të jetuar, një vend ku ai është pranë natyrës së paprekur, ku ka njerëz që e duan artin, ka miq artistë.

SHKRUAN ELSA DEMO:Epirotët e vjetër janë... ilirët


Një kuvend i studimeve ilire është bërë më 1972 pastaj një tjetër konferencë e madhe albanologjike është bërë më 1982 për etnogjenezën e shqiptarëve për formimin e gjuhës dhe të kulturës të popullit shqiptar. Dhe të gjitha këto materiale të kongreseve dhe të kësaj konference janë botuar. Nga këto ka kaluar vërtet një kohë e gjatë, pavarësisht se "për të pasur rezultate të reja në këto fusha kaq të vështira nuk mund të bëhet ndryshe".


Epirotët e vjetër janë... ilirët

Gjuha e epirotëve të vjetër, hulumtimi i Arsim Spahiut, për një terren që shpesh është mbjellë me nacionalizëm dhe diletantizëm, mbron tezën delikate dhe komplekse: karakterin etnik ilir të epirotëve


"Gjuha e epirotëve të vjetër" i Arsim Spahiut merret me një problem të vështirë e të ndërlikuar që megjithëse i rrahur në literaturën historike gjuhësore shkencore, në dy dekadat e fundit ka qenë një terren që shpesh është mbjellë me nacionalizëm dhe diletantizëm nga botime jo shkencore. Vepra e këtij doktori të shkencave në histori të lashtë i Universitetit të Franshë-Komtesë (Franche- Comté) në Francë, është e treta e ciklit të hulumtimeve mbi karakterin etnik ilir të epirotëve: Orakulli i Dodonës dhe epirotët, I, Tiranë, 2008; Mbi arkeologjinë e Dodonës dhe të Epirit, II, Tiranë, 2009; Gjuha e epirotëve të vjetër, Tiranë, 2010.


Prezantimi iu bë dje në Akademinë e Shkencave, në prani të autorit i ardhur nga Parisi, vendi ku jeton pas një jetës së vështirë në internim në Shqipëri, po edhe për arsye të punës kërkimore shkencore në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, burimi i tij për lëndën dokumentare.


Prof. Seit Mansaku, tha për "Shekullin" se autori është përpjekur të mbështetet në të dhënat më të pranueshme, në tezat më të qëndrueshme, i ka sistemuar dhe paraqitur ato në një trajtë që i japin librit vërtet një karakter jo diletantesk siç ndodh nganjëherë në këtë fushë por një libër shkencor. Prandaj "është vërtet meritë e këtij autori që për një problem kaq të vështirë dhe ku janë shprehur shumë hipoteza ka ditur të përzgjedhë ato që janë më afër të vërtetës shkencore".


Po kur ka qenë hera e fundit në këtë akademi që është diskutuar për këtë gjë?

Një kuvend i studimeve ilire është bërë më 1972 pastaj një tjetër konferencë e madhe albanologjike është bërë më 1982 për etnogjenezën e shqiptarëve për formimin e gjuhës dhe të kulturës të popullit shqiptar. Dhe të gjitha këto materiale të kongreseve dhe të kësaj konference janë botuar. Nga këto ka kaluar vërtet një kohë e gjatë, pavarësisht se "për të pasur rezultate të reja në këto fusha kaq të vështira nuk mund të bëhet ndryshe".
Dhe si shton me të drejt, prof. Mansaku, kanë dalë edhe probleme të tjera, siç është rishikimi i standardit, çështje për të cilën Qendra e Studimeve Albanologjike përgatitet të organizojë në dhjetor një konferencë të shumëpritur.


Zoti Spahiu ju po prezantoni një vepër mbi çështje të etnogjenezës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, derë që s'hapet lehtë për këto çështje. Po për ju ka domethënie kjo?

Në Shqipëri botohen shumë libra mbi pellazgët dhe ilirët edhe nga njerëz të cilët nuk mbështeten në referenca, në autorë, gjuhëtarë ose historianë të cilët janë të njohur. Kaq sa për të vënë në dukje një ndryshim midis librit tim dhe librave që botohen nga njerëz që janë dashamirës të çështjes kombëtare, atdhetarë, intelektualë. Për ata do të ishte kjo fushë si për mua, ta zëmë, inxhinieria ose mjekësia.


Atëherë në këtë keqkuptim të rolit të patriotëve për të dëshmuar etnogjenezën, lashtësinë, ky libër çfarë teze merr dhe mbron?
Argumente të shumtë gjuhësor mbi karakterin ilir të epirotëve të vjetër. Teza bazë është: epirotët e vjetër janë ilirët. Po përdor kohën e tanishme, pra, janë e jo kanë qenë: Epirotët e vjetër janë ilirët. Mirëpo këtu ka diçka tjetër. Dhe kjo është hipoteza ime. Shumë autorë i quajnë epirotët pellazgë, autorë të tjerë i quajnë ilirë. Asnjë nuk thotë pellazgët dhe ilirët e Epirit ose ilirët dhe pellazgët e Epirit, por vetëm njërën fjalë ose fjalën tjetër. Për mendimin tim, përderisa bëhet fjalë për të njëjtën kohë, atëherë duhet të jenë pellazgët ilirë ose ilirët pellazgë siç është thënë deri në fund të shekullit të kaluar, njëkohësisht për dhe arbër dhe shqiptarë.


Kur thoni gjuha e epirotëve të vjetër, çfarë dëshmish sillni ju për një nga elementet që ka qenë gjithnjë problem për t'u dëshmuar në fushën e studimeve ilirike.
Për arsye se nuk është punuar sa duhet, prandaj. E kam hapur prapë këtij kapitull. Duhet të punohet në këtë drejtim.



Kjo siguria juaj nga çfarë lloj burimesh vjen dhe çfarë kërkimesh keni bërë?

Te autorët me të njohur të Greqisë së vjetër edhe te autorët e tri shekujve të fundit. Janë pothuajse të gjithë, ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi thonë se epirotët janë pellazgë.
Ndërsa nga autorët modernë të tri shekujve të fundit disa thonë janë pellazgë dhe të tjerë që janë ilirë. Ata që thonë ilirë nuk thonë asnjëherë pellazgë dhe e anasjellta. Pastaj ka një dëshmi gjuhësore që provojnë se pellazgët janë ilirë.


Mund të na e ilustroni?

Kalimi nga dh në d, nga o në a, janë tipare të pellazgjishtes dhe ilirishtes. Ka dhe të dhëna të tjera që i kam renditur në libër. S-ja në fillim të gjithë emrave që fillojnë me s, është e aspiruar, kurse në ilirisht dhe në gjuhë të tjera indoevropiane nuk është e atillë, as pellazgjisht nuk është kështu, as shqip.



Pak dimë kush është Arsim Spahiu, dimë që keni vuajtur shumë.
Në moshën 20-vjeçare më kanë internuar. Isha në vitin e dytë në Universitetin e Tiranës në Degën e Fizikës.


Për çfarë arsyesh ju internuan?

Arsyen e internimit e dinte vetëm Partia. Na ngritën nga Tirana drejt e në vendin ku qëndruam të internuar për 29 vjet, në kushtet më të vështira. Ishim familjarisht, dy prindërit, dy vëllezërit dhe tri motra të vogla.


Në Lushnje?

Në Gradisht, në qendrën e internimit. Kemi punuar në bujqësi ose në ndërtim.



Nga ana tjetër me studimet?

Unë fle pesë orë. E përballoj, pastaj paska miliona njerëz që flekan pesë orë dhe s'kanë nevojë për më tepër gjumë... Kam shkruar dy romane, shkrime, pamflete dhe dy herë i kam djegur, njëherë unë e njëherë babai. Babai im, Enver Spahiu në vitet dyzetë nuk kishte kurrfarë perspektive në Shqipëri, prandaj u dërgua në Kosovë, si mësues, falë marrëveshjes midis dy qeverive. Mirëpo në vitin 1947 kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, tim atë e internuan.



Çfarë rruge ndjek më tej hulumtimi juaj mbi etnogjenezën?

Tani një mendje më thotë të merrem me arkeologji, sepse nuk binden që pellazgët kanë arkeologji, pikërisht ata akademikët.


Megjithëse komplimentet për librin nuk jua kursyen sot.
Ato që i thanë detyrohen t'i thonë. Sigurisht që ka pasur arkeologji të pellazgëve. Mirëpo kjo është e periudhës para greke. Grekët mendohet që kanë ardhur në Ballkan në shek. 18-19 para epokës së re. Por këtu nuk janë botuar librat, nuk ka literaturë. Desha të provoja karakterin ilir etnik të epirotëve. Për këtë kam punuar.



Prof. Seit Mansaku:Përpjekje për të pranuar lidhjen e shqipes me ilirishten


"Është gjë e njohur tashmë që në greqishte ka disa elemente të hershme të cilat nuk shpjegohen dot me gjuhën greke vetë, domethënë që i përkasin një substrati tjetër gjuhësor, që nuk janë në atë linjën e zhvillimit të pandërprerë nga indoevropianishtja në greqishte. Këto elemente duket se i përkasin një substrati të hershëm të lashtë të cilin disa e kanë quajtur pellazgjik, disa e kanë quajtur mesdhetar, disa protoindoevropian. Autori ka mbrojtur tezën e formuluar edhe nga të tjerë më përpara që pellazgjishtja ka qenë një gjuhë indoevropiane dhe këto elemente në greqishte që nuk shpjegohen dot me greqishten, duhen mbledhur, duhet parë shtrirja e tyre gjeografike ku mbizotërojnë. Për shembull emrat e tipit Korinthos me grupin nth ose emrat e tipit Larisa që nuk gjejnë shpjegim në greqishte. Autori përpiqet të shpjegojë që këto kanë një përhapje në zonën trako-ilire, prandaj që pellazgjishtja duhet të ketë pasur lidhje me ilirishten, të tjerë kanë thënë me trakishten. Por iliro-trakishtja është përsëri një binom jo pa lidhje njëra me tjetrën, sepse dhe për shqipen, disa mbrojnë tezën nga ilirishtja, disa mbrojnë tezën nga trakishtja.


E rëndësishme është kjo që nga pikëpamja metodologjike autori Arsim Spahiu nuk përpiqet të shpjegojë pellazgjishten nëpërmjet shqipes, duke mënjanuar ilirishten që është patjetër një fazë e ndërmjetme dhe e gjatë. Dihet nga burimet historike të autorëve grekë edhe latinë që në antikitet këtu kanë qenë ilirët dhe pas ilirëve janë shqiptarët. Nuk mund të bëhet lidhja nga shqiptarët te pellazgët duke kapërcyer ilirët siç kanë bërë disa autorë. Kurse Spahiu përpiqet ta pranojë lidhjen e shqipes me ilirishten dhe pastaj të ilirishtes me pellazgjishten dhe kjo është një gjë pozitive.
Problemi pellazgjik nganjëherë është marrë si një problem romantik, nacionalist, diletantesk, por kur trajtohet me metoda shkencore me seriozitet shkencor, me ato argumente sado të pakta dhe nuk teprohet me etimologjizime të kota, mund të kthehet vërtet në një problem shkencor ashtu siç është."

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...