Akademik prof.dr. Eshref Ymeri
Me intelektualin mjaft të respektuar Skënder Kapiti
nuk e kam pasur rastin të takohem dhe të bisedoj shtruar me të. Me këtë
intelektual të nderuar nga Dardania jam njohur përmes faqeve të internetit, ku
ai, shumë shpesh, ka botuar dhe vazhdon të botojë analiza mjaft tërheqëse me interes
të veçantë mbarëkombëtar.
Ky intelektual është nga
të rrallët që del para masës së gjerë të lexuesve me fjalën e analistit
mendjehollë, të historianit erudit, të shkrimtarit mbresëlënës, të juristit
gjakftohtë, të opinionistit të paanshëm, të politologut largpamës dhe të
studiuesit objektiv.
Por ajo që e bën edhe
shumë më të nderuar dhe të respektuar personalitetin e tij, është edukata
e shkëlqyer e një intelektuali të formatit nacionalist.
Pikërisht tipare të tlla duhet ta
karakterizojnë këdo që i përket shtresës së njerëzve, të edukuar dhe të formuar
nëpër auditoret universitare, sepse individualitete të tilla përbëjnë ajkën e
kombit, armatën e elitës me kulturë intelektuale. Roli i kësaj armate është i
jashtëzakonshëm në jetën e çdo vendi. Një gjë e tillë është shumë e rëndësishme
për vendin tonë, ku diktatura komuniste,
pati ushtruar një dhunë kaq të egër,
saqë, krahas mjerimit ekonomik që solli, pati dëmtuar rëndë botën shpirtërore
të mbarë popullit.
Gjatë
këtyre më shumë se tridhjetë vjetëve, analisti Skënder Kapiti, sidomos në faqet
e internetit, ka shtruar vahdimisht probleme mjaft të mprehta, që përbëjnë shqetësim
për mbarë kombin shqiptar. Ai ka luajtur rolin e vet, si një emancipues i
vërtetë i asaj shtrese të shoqërisë sonë, inteligjencies, e cila duhet të jetë
në pararojë të mbrojtjes së interesave të mbarë popullit. Por, fatkeqësisht, ai
nuk ka gjetur përkrahjen e saj, paçka se ajo duhet të jetë shpresa për
gjallërimin e mendimit intelektual.
Para
më shumë se gjashtë vjetësh, Skënder Kapiti pati botuar në internet një anketë,
me të cilën i drejtohej mbarë publikut se ç’mendonte për gjendjen ku ishte
katandisur vendi ynë. Pasi e përshkruante me dëshpërim të thellë atë gjendje,
ai shtronte pyetjen:
“A nuk është fakt se demokracia
në Shqipëri dhe në Kosovë... po administrohet nga gënjeshtra, hipokrizia, injoranca, korrupsioni, mashtrimi, miopia,
paaftësia, papërgjegjshmëria, tradhëtia dhe nga shitblerja politike? Këto vese të saj a nuk janë ngritur realisht si “kulte” të mbuluara me
demokracinë idealiste?”.
Atë anketë
Skënderi e pati titulluar:
“A është apo nuk është kështu?!
Dhe, domosdo, priste një
përgjigje, sidomos nga radhët e intelektualëve apo edhe nga njerëzit e
thjeshtë. Por, çuditërisht, nuk pati marrë asnjë përgjigje.
Duke
soditur indiferentizmin paradoksal ndaj kësaj pyetjeje, jo vetëm nga radhët e
inteligjencies, por edhe të publikut të gjerë, ai vëren me keqardhje:
“Por në qoftë se publiku nuk
reagon fort kundër këtij realiteti dhe nuk ndëshkon shkaktarët politikë të tij,
dhe nëse publiku nuk vepron për ta ndryshuar realitetin për në
të mirë dhe në favor të tij, atëhere ky realitet i vjen atij si meritë”.
Populli ynë, gjatë një
periudhe gati gjysmëshekullore, provoi mbi kurriz diktaturën më të egër
komuniste, një diktaturë që nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e tij
shumëshekullore. Dhe krerët e asaj diktature të egër, me në krye diktatorin-kriminel
Enver Hoxha, për ta përjetësuar sundimin e vet, organizuan përçarjen e
popullit, nëpërmjet luftës së përbindshme të klasave, me të cilën shqiptarët i
hodhën kundër shqiptarëve.
“Diktaturë,
- thekson Luis Fisher (Louis Ficher - 1896-1970), gazetar dhe publicist i
njohur amerikan, - do të thotë shtet pa ligje dhe, për pasojë, pa kurrfarë
rregulli dhe organizimi. Si ligje shërbejnë vetëm tekat e diktatorit. Shtet
është vetë diktatori dhe banda rreth tij”.
Në
kushtet e asaj diktature, kryediktatori Enver Hoxha ishte i vetmi person me imunitet
të paprekshëm në vendin tonë, gjithë të tjerët, duke filluar nga njerëzit e
rrethit të tij të ngushtë dhe deri te qytetari më i thjeshtë, trajtoheshin si
materiale inerte.
Në
anketën e vet, Skënder Kapiti trajton me mjaft profesionalizëm temën e
komunizmit dhe të demokracisë.
Ai nënvizon me forcë se
komunizmi ishte thjesht një mashtrim i kulluar, ishte me të vërtetë një opium
mendjetrallisës, për t’i vënë në gjumë masat e gjera të popullit, me premtimin
se “do të hanin me lugë floriri”. Ai ndalet posaçërisht te diktatura e
proletariatit, të cilën diktatura komuniste e propagandonte me aq zell të
papërmbajtur, ndërkohë që i ashtuquajturi proletariat s’kishte të bënte fare me
realitetin konkret, sepse ajo diktaturë që i vishej atij, ishte thjesht diktaturë
e partisë, e ushtruar me aq egërsi në mbarë vendin.
Skënder
Kapiti, si një intelektual me ndërgjegje të lartë kombëtare, i çjerr maskën
diktaturës së partisë, e cila, me shumë marifet, tallej me mbarë popullin me
parullën “pushteti buron nga populli dhe
i takon popullit”.
Duke pasur parasysh sa më
sipër, ai nxjerr një përfundim mjaft domethënës: demokracia nuk mund të lindte
pas grahmave të komunizmit. Domosdo, sepse në strofullën, ku ka ngordhur
përbindshi, është e pamundur të lindë engjlli, sepse përbindshi ka lënë pas
pjellat e veta.
Dhe
kur pati lindur përbindshi-komunizëm? Skënder Kapiti, si një studiues-erudit,
kthehet dy shekuj më pas dhe nënvizon se ai pati lindur si rezultat i krizës
ekonomike që pati pllakosur Perëndimin evropian. Pra, pikërisht atëherë, kur
ishin të detyruar të punonin edhe fëmijët pesë vjeç për të mos vdekur nga uria.
Nga
analizat e anketës së Skënder Kapitit, vetvetiu del përfundimi se komunizmi, me
diktaturën e egër që ushtron ndaj popullit “të vet”, me kalimin e kohës. vjen e
merr plotësisht tiparet e fashizmit.
Ky përfundim mjaft i gjetur i këtij
intelektuali me brumosje nacionaliste, më solli në kujtesë shkrimtaren e
talentuar angleze Myriel Spark (1918-2006),
e cila ka thënë:
“Mjafton
që komunisti të vrenjtë vetullat që të shndërrohet në fashist, mjafton që
fashisti të buzëqeshë që të shndërrohet në komunist”.
Faktet mjaft bindëse që Skënder Kapiti
sjell në anketë-analizën e vet për dështimin e demokracisë në vendin tonë,
lexuesin e vëmendshëm e nxisin të shtrojë pyetjen:
Në vendin tonë, për ç’arsye u vendos
sistemi komunist?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje,
duhet t’i drejtohemi Marksit. Në teorinë e tij për revolucionin proletar, ai
pati theksuar se fitores së tij duhej t’i paraprinte faza e kapitalizmit me
zhvillim të lartë ekonomik. Prandaj përkrahësit e tij në Perëndimin evropian e
prisnin fitoren e atij revolucioni në vendet më të industrializuara, siç ishin
Anglia, Franca dhe Gjermania. Po si shpjegohet që ai revolucion nuk fitoi dot
kurrë në ato vende? Përgjigjja është fare e thjeshtë:
Në themel të teorisë së Marksit qëndronin
idetë e parashtruara në Manifestin Komunist, të hartuar prej tij dhe prej Engelsit
dhe të botuar në vitin 1848, ide që rezultuan utopiste për Perëndimin evropian.
Ai Manifest shërbeu si “Bibla” e komunizmit, të cilin qarqet industrialiste dhe
intelektuale të Perëndimit evropian nuk mund ta pranonin kurrësesi për ta
zbatuar. Por pas Marksit dhe Engelsit, në skenën e historisë doli Lenini, i
cili, “duke
e zhvilluar më tej” idenë e Marksit, shpiku teorinë e fitores së revolucionit
socialist në një vend të vetëm, si hallka më e dobët e rendit kapitalist. Sigurisht,
teoria e Leninit për një fitore të tillë, përmes lumenjve të gjakut, do të
gjente truall për t’u zbatuar në Rusinë e prapambetur, me një popullsi 90%
fshatare. Në një vend me një prapambetje të theksuar ekonomike dhe me një
pushtet komunist, i cili kishte buruar nga gryka e pushkës, idetë e Leninit, me
hir e me pahir, do të arrinin të viheshin në jetë. Por në vendet e tjera të
Lindjes evropiane idetë e tij për vendosjen e një rendi socialist, u diktuan me
dhunë nga ana e Bashkimit Sovjetik pas fitores mbi nazizmin gjerman.
Ndërkohë, idetë
komuniste, gjatë viteve të luftës, në vendin tonë, me një popullsi 90%
analfabete, i eksportoi shovinizmi serbosllav, i cili, për zbatimin e tyre me
dhunë, pati peshkuar me kohë një njeri pa shtyllë kurrizore dhe pa kurrfarë
morali, siç ishte Enver Hoxha, i cili, në bashkëpunim të ngushtë me bandën e
tij kriminale në shportën e karavidheve të Bllokut, vendosi një diktaturë
komuniste të përbindshme, e cila, në vitet ’80,
solli si pasojë një të tillë varfërim skandaloz të popullit, i cili po
rrezikohej nga degjenerimi gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit. Dhe, siç
thekson intelektuali i kultivuar nacionalist Skënder Kapiti, nga gjiri i atij
komunizmi të degjeneruar deri në palcë, nuk mund të lindte demokracia. Nga
gjiri i tij mund të lindte, ashtu edhe siç lindi në të vërtetë, vetëm
demoshëmtia, kopja e komunizmit, por me një tjetër mbulojë maskuese, të ashtuquajturin
pluralizëm. Prandaj Skënder Kapiti shpërthen:
“Si komunizmi, ashtu dhe demokracia praktike në
Shqipëri, janë dy mashtrimet më të mëdha për shqiptarët. Të dyja këto kanë në
themel të tyre mashtrimin politik e publik”.
Të njëjtën
gjë shpreh edhe poeti mendjehollë Qazim D. Shehu në katër vargjet e mëposhtme
me domethënie të thellë për demoshëmtinë neokomuniste:
Historia jonë ndreqet,
Sa herë vjen më i forti,
E njëjta xhaketë mbeti,
U kthye vetëm stofi.
Nënkuptohet që komunizmi njëpartiak, pas largimit
nga skena e historisë në vendin tonë, do të sillte në pushtet demoshëmtinë
shumëpartiake, e cila, duke nxjerrë në
skenë të tilla shëmtira politike, bëri që, siç shprehet me dëshpërim të thellë
Skënder Kapiti, të “qeverisemi nga injorantët, të korruptuarit, të pabesët,
hajdutët dhe nga ata me rekorde krimi”.
Në vijim të anketës, duke i shprehur troç
shqetësimet e veta, Skënder Kapiti, në Shqipen tonë Hyjnore ka futur një term
bukur të goditur - “Republika e
Antishtetit”. Ai nuk e përmban dot tronditjen e vet pas zhgënjimit të
thellë që përjeton nga realiteti i demoshëmtisë që është ulur këmbëkryq në
shumicën dërrmuese të vatrave shqiptare. Dhe brenga e tij është ulëritëse:
“Demokracia” e paskomunizmit në
Shqipëri a nuk ngriti diçka si një Republikë të Antishtetit, a nuk ligjësoi ajo
faktikisht të drejtën e krimit, korrupsionit, të autoritarizmave poliparti, të
tradhtisë publike, të mashtrimeve, të injorancës e të halabakërisë, të
antiligjit dhe të hajdutërisë politike për të rrëmbyer autoritetin, prestigjin,
qeverisjen dhe pushtetin e shtetit dhe të shoqërisë?”.
Po ç’është, në thelb, Antishteti?
Antishteti është ky që po
shijojnë shqiptarët, sidomos këto nëntë vjetët e fundit që po qeverisen nga
diktatura neokomuniste me Ramën në krye. Ky lloj Antishteti është një fenomen i
botës shqiptare, është rezultat i degjenerimit të rendit demokratik, kur
populli ka larë duart nga pushteti dhe është shndërruar në një turmë të verbër,
thjesht në një delemilet, i sunduar egërsisht nga oligarkia financiare rreth
Ramës dhe bandës së tij. Antishteti, si ky që ka instaluar Rama në vendin tonë,
është gjithmonë një rend i gënjeshtërt dhe hipokrit, i bazuar në korrupsionin e
përmasave skandaloze të atyre që duhej të kishin për detyrë ta mbronin
popullin, të ishin garda e respektimit të interesave të tij, kurse ata e kanë
shndërruar popullin në një mall hesapi,
në një burim për pasurimin e vetvetes.
Antishteti, si një institucion
hipokrit, gjithmonë përsërit të njëjtat gjëra, sikur gjoja punon për të mirën e popullit, por, në të vërtetë, bën krejtësisht të kundërtën.
Njëra nga mënyrat e tij të parapëlqyera për mashtrimin e popullit është shtyrja
gjithmonë në të ardhmen e rezultateve të premtimeve dhe të planeve të veta. Kjo
e ardhme e lumtur, të cilën Antishteti e premton dhe e propagandon me të madhe, nuk ka për të ardhur kurrë. Dhe
cili ëhtë rezultati i premtimeve mashtruese të Ramës, si arkitekti i
Rilind(Rivdek)jes socialiste? Braktisja e vendit, shpopullimi i tij në përmasa
tmerruese që e ka kaluar shifrën 25% të popullsisë.
“Në ato vende demokratike, -
thotë Aristoteli, - ku rëndësi vendimtare ka ligji, atje nuk ka vend për
demagogët, atje në vend të parë qëndrojnë njerëzit më të mirë, por atje ku
pushteti suprem nuk i ka themelet të mbështetura në ligje, atëherë atje dalin
në skenë demagogët. Njeriu që ka arritur përsosmërinë e plotë, qëndron më lart
se të gjitha gjallesat, por ama ai zbret poshtë tyre, nëse e kalon jetën pa ligje dhe pa drejtësi. Vërtet, nuk ka
asgjë më të përbindshme sesa një padrejtësi e armatosur”.
Duke zbuluar mjeshtërisht
thelbin e Antishtetit neokomunist, intelektuali nacionalist Skënder Kapiti thekson
me dëshpërim të thellë se në vendin tonë drejtësia është varrosur
përfundimisht. Nuk mund të ndodhte ndryshe, përderisa komunizmi dhe pjella e
tij, demoshëmtia, përbëjnë epopenë e një mashtrimi të papërfytyrueshëm. Rama
dhe banda e tij neokomuniste, këtu e gati shtatë vjet të shkuara, filluan t’u binin
dhe vazhdojnë t’u bien kambanave në të gjitha udhëkryeqet e vendit se gjoja do
të ndodhte mrekullia - do të kryhej “Reforma
në drejtësi”. Propaganda e tyre për kryerjen e saj u bë aq e ndezur, saqë
qytetarët e vendit tonë i bëri të sillnin në kujtesë legjendën biblike që lidhet me parashikimet për rikthimin e Jezu Krishtit në tokë para se botës
t’i vijë fundi. Tani, pas shtatë vjetësh, kushdo që ka, qoftë edhe sadopak
vetëdije kombëtare, është bindur plotësisht se me “Reformën në drejtësi” u
mbars mali dhe polli një mi. Kaq i madh është zhgënjimi i thellë nga ajo
lumëzezë reformë, saqë edhe dikush nga radhët e intelektualëve me zë, si, fjala
vjen, avokati Spartak Ngjela, i cili, me parashikimet që pati bërë orë e çast,
e pati ngritur në qiell SPAK-un, “kryebombarduesin” kryesor për zbatimin e
“Reformës në drejtësi”, e ka humbur përfundimisht shpresën te “magjia
çudibërëse” e kësaj strukture me shkronja të mëdha. Nuk e di se ç’ka menduar
avokat Ngjela, nëse i ka qëlluar ta
lexojë analizën time, me tiktull “Reforma
në drejtësi: do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi”, të botuar në disa
faqe interneti më 28 janar 2016.
Analisti i talentuar Skënder Kapiti, i edukuar që në
familje me një vetëdije të lartë kombëtare, i ka bërë “rezonancën magnetike”
krejt periudhës pas vitit 1990, gjatë së cilës Shqipëria është zvarritur
dhe vazhdon të zvarritet e zalisur, pa mundur të ngrihet dot kurrë në këmbë,
për të marrë pamjen e një vendi normal, në të cilin të kishte hapësirë
funksionimi i një shteti juridik, ku të gjithë të ishin të barabartë para
ligjit. Por, sipas të gjitha gjasave, një gjë e tillë do të jetë e pamundur,
sepse, siç thekson Skënder Kapiti, “populli ynë... që nuk i ndëshkon ashpër mëkatet e politikës demagogjike
dhe të mashtrimit,.. ka bërë të mundur
kështu vetëm dënimin e vetvetes...”.
Pra, kur populli hesht para
fakteve që Skënder Kapiti parashtron në analizat e veta për gjendjen e mjeruar
ekonomike, korrupsionin e përmasave të frikshme, mungesën e shtetit ligjor,
dhe, për pasojë, vjedhjen e votave, atëherë kjo do të thotë se ai është pajtuar
me varfërinë dhe padrejtësinë, të cilat, në të vërtetë, janë “pranga” në duart
e tij, janë gjenocid ekonomik. Kjo heshje revoltuese e popullit tonë para
gjëmës që i ka shkaktuar banda politike e Ramës gjatë këtyre nëntë vjetëve, të
bën të shtrosh pyetjen: mos vallë është e nevojshme të studiohet psikologjia e
proceseve të shpirtit të vetë popullit?
Psikologu dhe filozofi i njohur
zviceran Karl Gustav Jung (1875-1961), thekson
se shtrati kryesor i të gjitha shkencave është shpirti, prandaj shkenca e
shpirtit, nënvizon ai, duhet të jetë në gjendje të përshkruajë dhe të shpjegojë
parakushtet psikologjike të individit.
Ky
qëndrim soditës i popullit tonë ndaj gjëmave të rënda që i bën klasa politike
neokomuniste antikombëtare, më kujton natyrën e nënshtruar të popullit rus, për
të cilin shkrimtari rus Ivan Shmelov
(1873-1950), në librin me titull
“Dielli i të vdekurve”, të botuar në Paris në vitin 1923, shkruan:
“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe
hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta...”.
Më lart, mbështetur në argumentet e padiskutueshme të analistit Skënder
Kapiti, shpreha dyshimin për mundësinë e krijimit të një shteti të formatit
normal, të një shteti juridik, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit.
Dyshimin tim e argumentoj me faktin se “epopeja” e përmbysjes së sistemit komunist në
vendin tonë, me kalimin e viteve, vërtetoi në praktikë se ajo përmbysje paskej
qenë një skenar komedie, i menduar dhe i parashikuar me kohë, çka del fare
qartë në fjalimin e Ramiz Alisë në byronë politike në vitin 1989, i cili pati
deklaruar:
“Çdo gjë e kemi
të programuar. Strategjinë e keni që të gjithë të qartë. Në përputhje me këtë
strategji, kemi përcaktuar edhe rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit
tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të
vogla, sa për sy e faqe, ndaj nomeklaturës së lartë komuniste, “ne, komunistët
reformatorë”, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës
kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe
njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tre legjislaturave, do të arrijmë
që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na
përjetësojë në pushtetin politik të së Ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e
përgatisim vetë. Të jeni të
sigurtë që e ardhmja do të jetë e jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e
pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e
fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do
të derdhim përsëri, po të jetë nevoja. Shqipërinë do
ta gëzojmë ne dhe fëmijët tanë” (Citohet sipas: “Pas në
kohë, fjalimi i pazakontë i Ramiz Alisë në vitin 1989”. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”.
22 korrik 2019).
Pra, siç e thekson
shpeshherë Skënder Kapiti, komunizmi nuk
mund të pillte demokraci. Sepse në skenën
e jetës shqiptare, pas një diktature të egër gati gjysmëshekullore të
kryekriminelit Enver Hoxha, demokracinë mund ta sillnin vetëm ata intelektualë, të shkolluar nëpër
universitetet më të mira evropiane, që dalloheshin për vetëdije të lartë kombëtare,
për brumosje nacionaliste shembullore. Por intelektualë të tillë nuk kishte më
në vendin tone. Sepse ata, askushi me emrin Enver Hoxha, njeriu pa kulturë
universitare, në përputhje me orientimet e serbosllavizmit, i cili këtë askush
e kishte peshkuar me kohë si argat të bindur, i shfarosi që të gjithë nëpërmjet
burgosjeve dhe pushkatimeve, kurse pasardhësit e tyre i bëri objekt të luftës
së egër të klasave, i la të pashkolluar dhe i degdisi nëpër kampe internimi. Në
këto kushte, në vendin tonë nuk mund të vendosej një demokraci me standadet e
një shteti ligjor. Kjo për arsye se po të qe e mundur vendosja e një demokracie
të tillë, atëherë do të duhej që, fill pas fitores së saj, të organizohej menjëherë
një “Nyrenberg Shqiptar”, për të
ndëshkuar rëndë kryekriminelin Enver Hoxha pas vdekjes dhe krejt bandën e tij,
për të gjitha ato krime aq të përbindshme
që patën kryer kundër popullit tonë. Ai “Nyrenberg Shqiptar”, do të bënte të
mundur të shmangej skenari i mirëmenduar ramizian, sepse ndodhi ajo që thotë
poeti Artur Shemaj në poemën e bukur me titull“Epopeja e tredhjes”:
Epoka që erdhi
Të gjithë i shfajësoi
Për fajet që bënë
Asnjeri s’pagoi.
Në tërë anketë-analizën
e vet, Skënder Kapiti, si një intelektual
mjaft i njohur në krejt hapësirën mbarëshqiptare
për publicistikën e tij me theks të veçantë nacionalist, ka shtruar dhe
përsëritur shpeshherë pyetjen:
“A është apo nuk është
kështu?!”
Unë, si një qytetar i
thjeshtë i vendit tim, të cilin, si çdo shqiptar me vetëdije kombëtare, e dua si jetën time, analistit shembullor
Skënder Kapiti po i jap një përgjigje që e vlerësoj si të arsyeshme dhe ftoj
t’i përgjigjen edhe bashkatdhetarët dhe bashkëkombasit e mi në Disporë, të
cilët i quajnë me vend shqetësimet e tij:
Po, i dashur Skënder,
ashtu është, siç thoni ju. Sepse shqetësimet që shpalosni në anketë-analizën
tuaj, përmes mjeteve të informimit masiv, i keni bërë publike bash në kohën e duhur, kur themelet e nacionalizmit shqiptar
janë plasaritur rëndë nën peshën e tradhtisë kombëtare, e cila, siç do ta
dëshmojnë brezat e ardhshëm në largim e sipër nga atdheu amë, i mbetur pa kokë,
pa shpatulla dhe pa këmbë mbi një shekull e ca më parë, ka gjasa që të çojë
drejt shpërbërjes tërësore të kombit shqiptar.
Kaliforni, 30 Nëntor 2022