Mbi 60 studiues nga trevat shqiptare, do të shpalosin të arriturat më të reja, nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe etnokulturës në Seminarin V ndërkombëtar të albanologjisë, të cilin e organizon Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT). Rektori i USHT-së, prof.dr. Agron Reka tha se seminari i sivjetmë është i pesti me radhë që e organizon Universiteti dhe shpreson që edhe këtë vit do të jetë manifestim i suksesshëm dhe do të kontribuojë në fushën e studimeve të albanologjisë. "E veçanta e Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë është se e ka krijuar identitetin e vet dhe synon ta ruaj kontinuitetin nga viti në vit, me pasurimin e përmbajtjeve të tij dhe të transformohet aq sa lejon karakteri i tij si institucion, me tema të reja, trajtim problemesh, ndërkaq edhe me pjesëmarrjen e studiuesve të rinj në punimet e këtij Seminari. Seminaret e kësaj natyre dhe manifestimet shkencore të këtij niveli organizohen me qëllim të shpalosjes së prurjeve të reja nga fushat shkencore përkatëse. Seminari i Albanologjisë e ka po këtë synim dhe përherë do të mbetet manifestim ndërkombëtar në shërbim të këtij qëllimi", tha Reka. Drejtori i Seminarit ndërkombëtar të albanologjisë, Doc.dr. Fehari Ramadani, tha se Seminari i V-të Ndërkombëtar i Albanologjisë përmes veprimtarisë së tij jep mesazhe bashkëpunimi e respekti, jo vetëm për botën shqiptare, por për të gjithë ata, që çmojnë shkencën, kulturën, dijen dhe vlerat tjera njerëzore. "Seminari i sivjetmë synon të zhvilloj veprimtari të shumanshme shkencore dhe kulturore. Ai është i ndarë në katër sesione shkencore, në të cilat studiuesit nga fusha të ndryshme të albanologjisë, do të mbajnë kumtesa në lëmi të tilla, si: gjuhësia, letërsia, etnokultura dhe historia. Referimet do të shoqërohen me debate të frytshme shkencore”, theksoi Ramadani.
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Maqedonisë, Teuta Arifi, tha se shkenca është lëmia e cila e nderon një komb.