Mehmet Kraja
Dy ngjarje paralele, të cilat, në dukje të parë, nuk kanë asnjë pikë takimi dhe as lidhen gjëkundi. Njëra ka të bëjë me shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, kurse tjetra me turqit dhe Turqinë. Shqiptarët e dy-tre vilajeteve të dikurshme, të Perandorisë Osmane, ditëve të fundit janë përfshirë në diskutime të zjarrta rreth identitetit të tyre civilizues, në janë më shumë lindorë apo perëndimorë, orientalë apo oksidentalë, siç thuhet ndryshe. Pothuajse në të njëjtën kohë, ndodhi që në Turqi një sulmues islamist, duke thirrur “Jam ushtar i Allahut”, u fut në një gjykatë dhe vrau njërin dhe plagosi tre gjykatës, të cilët duhej të merrnin vendim për ndalimin e bartjes së shamisë në institucionet publike dhe në universitete. Ashtu sikundër pritej, kjo ngjarje tronditi opinionin e Turqisë, por kryeministri Erdogan (megjithëqë me një “trashëgimi” të ndjeshme biografike dhe partiake islamiste), si dhe të tjerë personalitete të jetës publike të këtij vendi, kësaj rrethane iu përgjigjën me thirrje për “forcimin e sistemit sekular të Turqisë”.
Nëse këto zhvillime paralele i shqyrtojmë në rrafshin e ideve, na del se shqetësimet për identitetin tonë civilizues janë jo vetëm të panevojshme dhe të stisura, por ngatërrojnë edhe orientimin tonë në kohë dhe hapësirë. Pra, nëse Turqia, prej së cilës ne themi se i kemi importuar të gjitha format e oriantalizmës dhe që është trashëgimtarja kryesore historike dhe civilizuese e Perandorisë Osmane, bën luftë pa kompromis për sekularizim, duke u përpjekur që hap pas hapi t’i afrohet Evropës, vlerave dhe integrimeve të saj, atëherë çështja shtrohet se çfarë kllapie na ka zënë ne, që gjithnjë kemi thënë dhe e themi se gjatë historisë pesëshekullore kemi bërë luftëra dhe rezistencë kundër asaj Perandorie dhe se në planin civilizues jo vetëm që kemi qenë periferi e saj, por në njëfarë mënyre edhe identitetin tonë historik e kemi ndërtuar mbi refuzimin ndaj saj. Thënë ndryshe, është një paradoks i llojit të vet, që në diskutime e polemika të këtilla ne kthehemi pothuajse një shekull prapa, nëse jo krejt atje ku ishin rilindësit tanë, atëherë gjithsesi, në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX, kur bërja e Shqipërisë si shtet kërkonte edhe bërjen e shqiptarëve. Meqë ra fjala, do thënë se rilindësit tanë bënë projektin ideor të shqiptarësisë, të organizimit të ardhshëm shtetëror dhe shoqëror të shqiptarëve, por ata vetë nuk arritën ta “implementonin” këtë projekt. Ata që u ballafaquan praktikisht me problemet e identitetit civilizues të shqiptarëve, ishin një klasë politikanësh, intelektualësh, administratorësh, nëpunësish etj., të cilët çallmat dhe fesin i zëvendësuan me cilindra, kurse xhyben me frak. Atyre që nuk e dinë, ose që mund ta kenë harruar, ua kujtoj një shkrim të Konicës, i cili, si njeri me manire perëndimore që ishte, ua shpjegonte shqiptarëve si mbahet fraku dhe cilindri, kur duhet mbajtur dhe kur jo. Ose, shikoni pak fotografitë tashmë historike të Parlamentit të Shqipërisë, dhe të tjera si këto, dhe do të shihni se sa insistues ishin njerëzit e asaj kohe të jetonin, të silleshin dhe të dukeshin si perëndimorë. Paralelisht me këtë dukje të jashtme, intelektualët e dekadave të para të shekullit të kaluar, veçmas të viteve njëzet dhe tridhjetë, zhvilluan një diskutim shterues për identitetin kulturor dhe civilizues të shqiptarëve. Kthehuni dhe lexoni edhe një herë shkrimet e asaj kohe të Konicës, pastaj të Merxhanit, Koçës, Frashërit, Milos etj., që të kuptoni se shqiptarët për të arritur në këtë pikë, që t’i thonë vetes evropianë, kanë kaluar një rrugë të gjatë dhe të mundimshme. Por, e kanë kaluar, ama!
Atëherë, përse tani na ndodh, pra, që të kthehemi gati një shekull prapa dhe çështjet e diskutuara dhe të zgjidhura një herë t’i kthejmë në diskutimet tona, madje, pa i përfillur, ose pa i njohur idetë, arritjet dhe depërtimet e atëhershme botëkuptimore dhe pragmatike? Besoj se janë dy arsye themelore: e para, që kufizohet me bajraktarizmin provincial, që të hiqemi si “baballarë”, “prijës shpirtëror” dhe gjepura të këtilla; dhe, e dyta, se në planin e ideve, jo vetëm që kemi mbetur prapa, por as dimë ku jemi dhe çfarë duam. Ne nuk e njohim as trashëgiminë tonë intelektuale, së paku jo në plotëninë e saj. Njohim vetëm një lexim ideologjik (atë që na e ka bërë shoku Enver) të ideve të Rilindjes Kombëtare dhe asgjë më shumë. Idetë e Rilindjes Kombëtare i kanë përdorur themeluesit e shtetit shqiptar, i ka keqpërdorur komunizmi, i kemi ripërdorur për të bërë Kosovën dhe tani i keqpërdorim për të zgjidhur çështje që nuk zgjidhen me postulate të tilla.
Pra, thënë me një fjalë, ne tashmë e hetojmë në eter se kemi nevojë për ide të reja, se duhet të dalim nga ky rreth vicioz, por nuk dimë si ta bëjmë këtë. Përvojat e popujve të tjerë tregojnë për një mënyrë efikase të daljes nga situatat e këtilla: së pari, u bëhet një kritikë e themeltë ideve dhe trashëgimisë botëkuptimore, në mënyrë që pastaj të krijohet hapësira e natyrshme për prurje të reja.