2015-05-02

JA, SI NA SHFAQET LUMTURI YMERI, ME “DRITËHIJE DASHURIE”…



Nga Prof Murat Gecaj


1.
Ndoshta, nuk u takuam fare rastësisht, në atë lokal të Tiranës, me emrin “Monako”. Edhe kohë më parë, kisha pirë një çaj me arsimtaren dhe poeten Lumturi Ymri, e cila emrin letrar e ka, “Bersava”. Sigurisht, arsyeja kryesore ishte, sepse aty shërben i biri, Erindi. Me këtë rast, u njoha edhe me të bijën, Bersën dhe motrën e Lumes, Seferien.
Sigurisht, biseda jonë ishte e përqendruar në krijimtarinë poetike të Lumturisë. Krahas detyrës së përditëshme në shkollë, ajo nisi të shkruante poezi, në kohën e lirë. Që në takimin e parë, më kishte treguar për planet botuese, por dhe e vërejta këto ditë, në “Facebook”, kopertinat e librit të saj më të ri. Pra, ajo kishte dalë para lexueve me vëllimin e tretë poetik, “Dritëhije dashurie”. Ndërsa dy vëllimet e mëparshme kanë titujt: “Natë, mbi gjysëmbotë” (Tiranë, 2011) dhe “Qielli në qeli” (Tiranë, 2012). Ishte kënaqësi, kur tani Lumja ma dha me shënim librin e saj, ashtu si dhe unë i dhurova librin tim më të ri, “Me zemër në vendlindje” (Shënime nga Suedia).
Kur po pinim çaj dhe në atë lokal bëmë ndonjë fofografi, e vëzhgova me kërshëri mjedisin, ku ndodheshim. Në mure kishte piktura të bukura, si një mozaik shumëngjyrësh dhe i shkonte për shtat bisedave tona, pra për poezitë e kësaj poeteje, e cila po e vazhdon me vendosmëri udhën e saj të krijimtarisë. Prandaj e urova nga zemra për punën e bërë dhe librin e saj, tashmë, e kam vendosur në një tavolinë, ku zakonisht janë në “radhë” ata, që kam për të lexuar.
2.
Ky vëllim poetik është venë në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Ada”, me drejtues Roland Lushin dhe redaktor ka Demir Gjergjin. Ndërsa hyrjen e ka shkruar poeti Ndue Lazri, me banim në qytetin Bolonjë-Itali. Ndër të tjera, aty lexojmë këto radhë: “Lumturi Ymeri paraqitet në këtë vëllim me botën e saj të gjerë dhe me një kolorit të pasur ngjyrash: femër, nënë, bashkëshorte, krijuese, qenie shoqërore, vëzhguese e mprehtë e realitetit dhe e problemeve”.
Ndërsa e shfletoj këtë libër, me syrin e një dashamiri për krijueset e fushës së bukur të poezisë, më bie në sy tematika e tij e larmishme, bota e pasur shpirtërore e autores, e pasqyruar bukur dhe me frymëzim, në dy cikle të tij. Kryefjalë janë vargjet e poezisë “Ecje-prekjet”, në mbyllje të së cilës ajo shkruan: “Eci dhe prek,/ gjej dhe ndiej,/ të miat DASHURI,/ është kjo LUMTURI?!”.
E kush nga krijuesit nuk e ka kujtuar dhe nuk ka shkruar për fëmijërinë e vet? Prandaj edhe Bersava, poete me ndjenja të holla, nuk kishte se si t’i largohej asaj. Prandaj e mori udhën, ngarkuar plot mall dhe emocione të bukura: “U nisa ta takoj atje,/ku zë fill rrënja e mallit,/e gurgullon(te) një krua…”. Po, është fare e natyrshme, se me kujtime dhe mallin e pashuar, janë të lidhura ato për prindërit. I kujtohet me mallëngjim “aroma e bukës së pjekur,/ nga duart e Nënës!” dhe më tej: “Prapë poezia/ më çoi te nëna/ e palodhur, duar-flori!” Po kështu, shkruan vargje dhimbeje e malli për dajon e saj: “…nuk harroj/ lulet/ në çastin/ e fundit!…”( “Çast lamtumire”). Me këto ndjenja dhimbjeje e malli shprehet edhe te poezia “Kalldrëmi”, ku në fund të poezisë lexojmë: “Sot,/ nën pllaka të mermerta/ rënkojnë gurët e kujtimeve,/ me gishta të…nxehtë”. Ndërsa poetja e shprehë trishtimin e vet edhe për ngjarjen tragjike të 13 studentëve, të cilët e humbën jetën nëpër honet e Himarës: “Lotët pikin dhimbje e dhimbja lotë…/Yje, që zbresin prej qiellit në tokë!”
Në disa poezi, që nuk do t’i përmendi të gjitha, autorja shprehet me gjuhë poetike, për dashurinë e dhimbjet, që përjetohen prej saj gjatë jetës. Ajo na shfaqet edhe një nënë e dhëmbshur, e cila është burim i ripërteritjes njerëzore: (“Gravurë”, “Ëndërr pezull”, “Krahasimi”, “Supe të brishtë”, “Fluturim i ndërprerë” etj.)
Shpesh thonë se poetët janë “të pakuptueshëm”, se “shohin ëndrra me sy hapur” etj. Mendoj se ka diçka të vërtetë këtu, pra se këta krijues e “vuajnë” shpirtërisht realitetin, qoftë ky i lumtur ose i hidhur. Ndërsa, pastaj, këto ndjenja njerëzore i pasqyrojnë e i derdhin në vargjet e tyre. Kështu, edhe Lumturia (Bersava) nuk ka shpëtuar nga kjo “sëmundje ngjitëse”. Këtë gjë e vërejmë në disa poezi, por po riprodhoj vetëm ndonjë varg të tyre: “Sikur…/ të isha Unë…/ Do të isha këtu,/ Ku s’jam…” (“Sikur…!”), “Tashmë koka nuk më nxë!” (“Unë…”) ose “Vetëm mendjen/ lutem, të jet’/ në vend/ të vet!”(“Meditim për veten”).
Nuk janë vetëm vargjet e trishta, që lexojmë në këtë vëllim poetik. Autorja i gëzohet jetës dhe ngazëllehet për krijesat, që solli në këtë botë dhe kënaqet e lumturohet, bashkë me ta: “Biri im, / ti ece brenda trupit tim,/ plekse rrënjët e tua,/ me indet e mia” (“Ditëlindja”). Kënaqësinë për jetën e ndiejmë të shprehur në disa poezi, si: “E shthura gërshetin”, “Diej, do të blej”, “Qëndise, penë…!” etj.
Të këndshme janë edhe poezitë e pjesës “Intermexo”, ku autorja e tregon hapur dëshirën e saj të sinqertë: “Të thith frymë në terr,/të bëj fjalë në dritë!” Në nëntë faqe, aty ajo na jep “copëza” nga shpirti i saj poetik. Ndërsa, në mbyllje, lexojmë vargjet aq domethënës: “Të ecësh me këmbë në tokë,/ vërtertë të ngatërrojnë ferrat,/ por të ecësh me këmbë në ajër,/ nuk mund t’i realizosh ËNDRRAT!”
Në ciklin e dytë, “Shihemi, ku shuhemi…”, mund të përmendnim disa poezi më të arrira, që nga “Të linda prej zemrës”, “Nuk do kishte poezi pa ty”, “Flet dashuria”, ”Unë, ti” etj. dhe deri te “Jetë e kaltër”. Këtu autorja e shfaqë optimizmin e jetës: “Në(n) flladin tënd,/ e kaltër qeshë/ fytyra ime./ Zbret retë e mallit,/ në krahë pulëbardhash,/ çojmë puthje stinësh”.
3.
Është kënaqësi e veçantë, kur kolegë e miq, por dhe lexues të ndryshëm, e çmojnë dhe e përshëndesin botimin e një libri. Natyrshëm, këto ndjenja të bukura i përjeton edhe poetja Lumturi Ymeri (Bersava), pas shpërndarjes së njoftimit për vënjen në qarkullim të librit të ri, “Dritëhije dashurie”. Sigurisht, ajo ka marrë mjaft urime e përgëzime të tilla gojore. Por mua më tërhoqën vëmendjen edhe fjalët, që kanë shënuar disa prej tyre, në “Facebook”.
Ja, p.sh., se çfarë shkruan njëri nga ata, Sokrat Habilaj: “Urimet më të mira, në këtë dritë, drite…vetëm dritë!” Me gjuhë të tillë miratimi e kënaqësie kanë shkruar edhe Lili Bimi, Edlira Xhani-Velaj, Haxhi Dikolli etj. Prandaj, mua, nuk më mbetet gjë tjetër, vetëm ta bashkoj me ata urimin tim dhe, së bashku, ta përgëzojmë atë e të presim, duke besuar se botime të tjera të bukura do ta pasojnë këtë libër të ri, të autores Lumturi Ymeri (Bersava).

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...