2015-05-02

NDRIÇIMI I SHUMË FIGURAVE DHE I RRETHANAVE HISTORIKE TË KRAHINËS SË PLAVË – GUCISË




Shkruan: Mikel GOJANI-Kline*/

ballina e librit-2

Rexhep Dedushaj lindi në vitin 1948 në Vuthaj,nga një familje me tradita përparimtare dhe atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Vuthaj e Guci, ndërsa arsimin e mesëm dhe të lartë i kreu në Pejë, në Gjakovë dhe Prishtinë. Për shumë vite ka punuar arsimtar i lëndës së historisë në shumë shkolla të Rrafshit të Dukagjinit. I detyruar si shumë bashkëvendës të tij, për shkak të angazhimeve të tij u detyrua që të migrojë në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork, ku gjendet edhe tani. Arsyen pse pedagogu dhe veprimtari Dedushaj ka migruar në Amerikë e arsyeton edhe vetë, i cili me këtë rast shprehet: “ Shkaku pse unë jam në Amerikë është hapja e shkollës shqipe në Vitomirice, në “Malla Moskva ” – siç i thonin serbët. Në vitin 1982, kur ata mendonin për t’i mbyllur shkollat shqipe edhe në Prishtinë, unë i përkrahur nga udhëheqësia e Arsimit në Pejë, në krye me Sadik Ukellën, Xhevdet Bashën, Adem Kelmendin, Hajdar Mekaj etj., arritëm ta hapim shkollën shqipe aty. Vidna Rakoçeviq një antishqiptare e dëshmuar atëbotë m’u kërcënua me fjalët më të rënda. Pas vitit 1987 e dini si u zhvilluan ngjarjet dhe udhëheqesit e Arsimit komunal më kërkuan që të largohesha, sepse na paraqitej rreziku që të burgoseshim që të gjithë, prandaj u detyrova të braktis Kosovën dhe të migroj për në Amerikë. Detajisht lidhur me këtë kam shkruar edhe në librin “Si e gjeta dhe si e lashë shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës”, shton prof. Dedushaj.
Është mirë kur bëhet përpjekje për t’u ndriçuar çdo segment që përbën historinë e një populli
Edhe në Amerikë, Dedushaj dha një kontribut të çmuar, duke iu mundësuar fëmijëve të diasporës shqiptare në SHBA gjuhën e ëmbël shqipe dhe historinë e kombit. Ka botuar shumë artikuj dhe punime shkencore me temë historike në gazetat dhe revistat shqipe në Amerikë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Deri më tani ka botuar këta libra: “Krahina Plavë – Guci nëpër shekuj” 1993, (i përkthyer edhe në gjuhën boshnjake), “Shpërngulja e shqiptarëve të Plavë – Gucisë”, Nju Jork 1997, “100 – vjet luftë”, Nju Jork 1999, “Si e gjeta dhe si e lash shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës”, Nju Jork 2009, “Gjurmë mërgimtarësh”, Nju Jork 2009, “Çung Tahiri i Vuthajve”, Pejë 2013 dhe “Komandanti me plumb në trup”,Pejë 2014. Ka në dorëshkrim edhe shumë libra të tjerë. Në luftën për liri e çlirim kombëtar, u shquan luftëtarë e udhëheqës të sprovuar me trimërinë, burrërinë dhe idealizmin e të cilëve populli ynë i shumëvuajtur në shekuj, i mbanë të gjalla në kujtesën kolektive të tij dhe i përcjell brez pas brezi. Ata qenë me dhjetëra e qindra që dolën nga gjiri i këtij populli, nga “palca e kombit”, siç do të shprehej rilindësi i shquar Zef Jubani. Ata, me aktin, veprimtarinë e guximshme,me qëndresën dhe aktivitetin e tyre mahnitën epokën në të cilën jetuan,çuditën çdo strateg e kronist të kosës, u bënë sfidë shekujve. Këta luftëtarë të paepur dhe udhëheqës të shquar popullorë nuk ishin të vetmuar, por të lidhur me popullin që i lindi dhe i rriti. Një bir i tillë legjendar është edhe Çung Tahiri i Vuthajve, nga Vuthajt e Gucisë së Malit të Zi, por edhe shumë emra të tjerë që ndoqën rrugën e këtij atdhetari të shquar të kombit. Është mirë kur bëhet përpjekje për t’u ndriçuar çdo segment që përbën historinë e një populli. Është mirë kur kjo punë bëhet me zell, përkushtim dhe disiplinë intelektuale. Sidomos është e çmueshme kjo punë kur bëhet për ndonjë personalitet të shquar të jetës historike,për ndonjë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë,që për shkaqe ideologjike dhe shkaqe të tjera politike për aq kohë të gjatë ka qenë vlerësuar shtrembër. E kuptova kështu përpjekjen e autorit Rexhep Dedushaj për të ndriçuar personalitetin dhe veprimtaritë atdhetare të atdhetarit Çung Jahë Tahiri i Vuthajve, po edhe i disa të tjerëve, si Bajram Musa, Bajram Xhuku, Isuf Zymeri, Jahë Tahir Dedushaj, por edhe shumë emra të tjerë të brezit më të ri, si Smajl Isufi, dr. Isuf Isufi – Dedushaj, Naim Dedushaj, Jeton Idriz Dedushaj, e të tjerë. Janë këta emra të shquar të jetës historike, politike dhe shoqërore, që kanë lënë gjurmë nderi dhe krenarie për brezat që do të pasojnë. Krejt më qëllim të ndriçimit të jetës dhe veprimtarisë së këtyre figurave, autori Dedushaj ka shkruar këtë libër, si një vlerë e rëndësishme që këta emra dhe këto ngjarje që i ka përfshirë, të mos i mbulojë pluhuri i harresës as ndryshku i kohë.
Çung Tahiri i Vuthajve dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha
Në epiqendër të shqyrtimit, autori Dedushaj ka figurën e patriotit Çung Jahë Tahirit, i lindur më 1890 në katundin e Epërm, të Vuthajve, veprimtarie e të cilit është shumë e rëndësishme dhe me vlera dimensionale për kohën kur ka vepruar me qëllim të çlirimit të trojeve shqiptare. Sipas evokimeve që autori ka shfrytëzuar nga njerëzit që kanë njohur këtë trim malësor, guximi i tij i mahniste të gjithë. Sipas autorit Dedushaj, Çungu ishte ndër të parët që kishte shkuar në luftën e Grebenit në mbrojtje të Krahinës në tetor të vitit 1912, ku iu kishte plagosur rëndë xhaxhai i tij Smajl Isufi. Pastaj, sqaron autori, ky patriot kalon në mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët. Gjatë Jugosllavisë së parë të Karaxhorgjëve, shpeshherë kishte rënë në konflikt me xhandarët e Gjorgje Llashiqit, që vetëm në territorin e Vuthajve i kishin sajuar 9 kazerma ushtarake për ruajtjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, këtë kufi,të cilin nuk e kishte pranuar asnjëherë deri në vdekje. Në vitin 1920 ky patriot dhe luftëtar i denjë merr pjesë edhe në Luftën e Koplikut, në mbrojtje të Shqipërisë nga okupuesit jugosllavë. Në rrugën e tij jetësore ky patriot i shquar edhe në shumë lëvizje të tjera dëshmoi veten, me heroizmin dhe patriotizmin e tij. Për veprimtarinë e tij atdhetare dhe liridashëse, patrioti Çung Tahiri u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë – dr. Sali Berisha, me rastin e 80-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, me “Urdhër për veprimtari patriotike të klasit II”. Atdhetarizmin, guximin dhe luftën e paepur për çlirimin dhe lirinë e trojeve etnike shqiptare, që dëshmuan përpos Çung Jahë Tahirit, autori Dedushaj e prezanton në mënyrë shumë të thukët edhe për pinjollët të tjerë të kësaj dere më tradita patriotike dhe heroike, deri te brezi më i ri dhe shumë të tjerë që kanë qenë pjesë e këtyre lëvizjeve për çlirim kombëtar. Përpos pasqyrimit të këtyre figurave të shquara të historiografisë sonë kombëtare, autori Dedushaj, po ashtu nuk lënë anësh edhe ndriçimin e disa ngjarjeve të rëndësishme historike që kanë ndodhur në atë krahinë gjatë këtij rrugëtimi historik. Autori Dedushaj në vijim pasqyron ngjarjen e 18 korrikut 1951, kur pas prishjes së marrëdhënieve jugosllave – shqiptare, më 1948, sllavo-komunistët jugosllavë e rivendosën “Murin e Berlinit”në këtë kufirin shqiptaro-shqiptar. Me këtë rast, sqaron autori, çetat kaçake të përbërë nga patriot e atdhetarë të kësaj krahine, u vunë në lëvizje sërish dhe të cilët nuk iu dorëzuan okupatorit serbo-jugosllav. Por, edhe ata që ikën në Shqipëri pas atij viti e më parë, me të vetmin qëllim që ta bindin popullin që të mos i dorëzohet pushtuesit, të mos i mashtrojë doktrina e UDB-ës,që për moto e kishte parullën “përçajë e sundo”, d.m.th. të mos spiunojnë njëri – tjetrin, të mos vriten njëri me tjetrin, të mos pranojnë të shkojnë diversantë në Shqipëri – veprime këto tejet djallëzore dhe të rrezikshme, që i sajonte UDB-eja serbosllave pas vitit 1948. Pastaj, ishte një rezistencë e madhe për moslejimin e mbylljes së shkollave shqipe në Mal të Zi dhe të kërkojnë rihapjen e atyre që ishin mbyllur më parë, të mos lejojnë shpërnguljen masive të shqiptarëve nga kjo krahinë në Turqi dhe vendet tjera. Janë edhe të shumta ngjarje të tjera që gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur në këto pjesë të hapësirës sonë etnike. Autori Dedushaj, në mënyrë shumë kronologjike me këtë rast i prezanton edhe pasojat që ka përjetuar popullata e kësaj krahine pas ngjarjeve të 18 korrikut 1951. Një kapitull të veçantë autori Dedushaj i kushton luftëtarëve të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rinjve, Jeton Idriz Dedushaj dhe Ismet Avdi Dedushaj. Jetoni veproi në brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”. Ka marrë pjesë në të gjitha betejat që i ka zhvilluar kjo brigadë në Loxhë, Gllogjan, Prejlep, Maznik, Lumbardh, Jabllanicë (tani Dushkajë) etj., duke luftuar deri në flijimin e tij për lirinë e Kosovës,më 5 qershor 1999, në mes të fshatrave Dashinoc dhe Lumbardh të Deçanit,duke u përjetësuar. Një tjetër luftëtar i lirisë nga kjo familje që në kuadër të batalionit “Atlantiku” nga Amerika, ishte edhe i riu Ismet Avdi Dedushaj, i cili iu përgjigj zërit të atdheut dhe nga Amerika erdhi për të çliruar atdheun e tij, Kosovën. Sipas autorit Dedushaj, nga krahina e Plavës dhe Gucisë, batalionit “Atlantiku” nga Amerika iu bashkëngjiten edhe shumë luftëtarë të tjerë, si Haxhi Balidemaj, Cen Haxhaj, Sadri Mehaj, Ymer Kukaj, Brahim Selimaj, Kujtim e Xhemë Goçaj dhe Arben dhe Milot Buçaj.
Meditimet që ngërthejnë rëndësi shumëdimensionale
Një kapitull të veçantë autori Dedushaj e ka titulluar, “Meditime”, me ç’rast autori i shpalos disa opinione të tij me interes dimensional. Po potencojmë disa nga opinione e tij që autori Dedushaj i shpalos, si Vujanoviqi mashtrohet, Pse po diskriminohet Malësia e madhe, Pse po flijohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata nën Malin e Zi, 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë: Kontributi i Plavë – Gucisë në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Vuthajt në 100-vjetorin e Pavrësisë, Pse shqiptarët e Plavës e Gucisë nuk flasin shqip, Në kullën e Ali Demë Gecit të Llukës, Eshtrat në Previ kërkojnë drejtësi (100-vjet nga masakra e Privisë në krahinën martire të Plavë – Gucisë, ku malazezët vranë barbarisht 700 shqiptarë), Shkolla fillore Dardania e arsyetoi emrin e vet, Lufta për mbrojtjen e Plavë – Gucisë (1879-1880) dhe dilemat rreth saj, (Me rastin e 135-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) etj. Kështu, në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri dokumentar dhe historik “Çung Tahiri i Vuthajve”, i autorit Rexhep Dedushaj, është një libër e mirë për lexuesit, sepse autori nga njeh me shumë figura dhe ngjarje të rëndësishme historike nëpër disa periudha kohore, në krahinën e Plavë- Gucisë. Ky libër, po ashtu njëherësh edhe e pasuron fondin e librave tanë dokumentarë dhe historik, duke njoftuar lexuesit për shumë fakte dhe dëshmi të panjohura deri me tani edhe rreth këtyre figurave, po ashtu edhe shumë aspekteve dhe ngjarjeve të zhvilluara në këto pjesë të hapësirave etnike shqiptare.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...