Kurorën e vet poetike, autorja Sofe Sadrija-Rizaj, e kurorëzoi me botimin e veprës me titull pak sa simbolik “Ujëvarë e kujtimit”, që në esencën e vet ngërthen tërë frymëzimin e saj që e kishte grumbulluar dhe shtresuar në kohën më tragjike, e pse jo edhe më delikate të kombit tonë në Kosovë, të luftës çlirimtare të udhëhequr nga trimat dhe luftëtarët e paepur të UÇK-së. Tërë ky grumbullim frymëzimi nuk qëndron shumë i mbledhur në ndjenjën dhe pendën e autores, por ai del dhe skalitet në faqet e kësaj vepre të parë poetike të saj mu në vitin e parë pas përfundimit të luftës, si dhe në ditët e para të shekullit të ri, shekullit XXI, i cili erdhi i mbarë me dhuratën më të mirë për Kosovën, me lirinë dhe pavarësinë e saj. Andaj i gjithë preokupimi, qëllimi dhe synimi i kësaj autoreje depërton mendueshëm, por edhe me frymëzim nëpër figurat dhe hallkat e kësaj ujëvare, që është shndërruar në kujtim jo vetëm për kohën kur u krijuan vargjet, por edhe për të ardhmen, e cila gjithmonë në dialektikën e kuptimit është e sotme dhe ardhmëri. Në këtë prizëm, Sofe Sadrija-Rizaj e ndërton ujëvarën e saj të gurrës së frymëzimit. Dhe ajo nuk është e mërzitshme, nuk është e pa shijuar, madje as e pakapshme, por rrjedh ngadalë, herë e turbullt e herë e kthjellët deri te shija dhe raporti i lexuesit, gjegjësisht i receptorit në kohë dhe hapësirë. Poezia e kësaj poeteje femër ka një fokus qendror që nuk vjen nga mendimi ndryshe për poezinë, por nga një botëkuptim që e lidh poezinë me realitetin në të cilin ajo jeton.
Sofe Sadrija-Rizaj është poete që rrugën e saj të përjetimit dhe të frymëzimit e ka përjetësuar në vargje. Dhe pikërisht kjo poete e mishëron realitetin, që e rrethon, shoqëror e personal në kornizë me sensin e pasqyrimit nëpërmjet poezisë së saj. Parë në vështrim spontan tërë poezia e poetes në fjalë, e përfshirë në këtë vepër, pasurohet me ndryshime në ecje e sipër. Duke qenë një poezi tipike ku figurat poetike e kryejnë një rol dedikues, ajo gjatë shprehjes së ndjenjave fikson disa ndërhyrje emocionuese. Këtu vargëzimi i drejtpërdrejtë retorikën e drejton kah niveli i lakmuar, që natyrshëm tërheq vëmendjen e lexuesit. Kjo shihet edhe në poezinë hyrëse të veprës me titull “Sygjerim”, e cila mund të konsiderohet edhe si e jashtë qerthujve, apo cikleve:
Libri im
parathënie ka robërinë
luftën
pasthënie e ka Lirinë
Në këtë poezi sqarohet, në një mënyrë edhe strukturimi, qëllimi, mesazhi, synimi dhe të gjitha preokupimit e tjera me të cilat ia orienton ajo lexuesit. Në këto vargje ajo shtron qëllimin dhe e kryen këtë, duke theksuar në mënyrë të përsosur rëndësinë e fjalës që formon vargun. Fjala në kuptimin poetik, është ajo që autorja e përzgjedh për ta vargëzuar. Andaj, këtë vepër ajo e strukturon në gjashtë qerthuj apo cikle poetike, që janë: 1. E humbur në botën e vargut, 2. Ujëvarës së kujtimeve, 3. Lotët janë si vesa, 4. Peizazhi i sfilitur, 5. Liria s’ka elegji, dhe 6. Nga plagët e vjetra po rrjedh gjak i ri që në një mënyrë sajojnë fjalinë: “E humbur në botën e vargut ujëvarës së kujtimeve lotët janë si vesa në peizazh të sfilitur, sepse liria s’ka elegji, ngase nga plagët e vjetra po rrjedh gjak i ri”. Mbi këtë moto strukturore poetike, autorja ndërton, skalit, por edhe lëvron qëllimet dhe synimet e veta mbështjellë me petkun edhe figurat artistike, përveç atij retorik. Dhe, kështu për nga forma dominuese është poezia përkushtuese, e cila ka rolin dominant dhe frymëzimin, duke paraqitur kohën para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare të Kosovës. Duke nënkuptuar vargëzimin që duhet të bëhet me afshin e poezisë, që frytet dhe lulet e saj të jenë të bukura, ai është i mbarë. Është e vërtetë se gjuha është një simbol për të zbuluar qëllimin e poetes, që është totalisht në përputhje me bukuritë e diskursit të vetë fjalës, që zakonisht tërheqin vëmendjen e bukurive të objekteve dhe të ideve. Këtu simbolet kanë një përjetim të ndjeshëm sepse poezia e kësaj poete vjen si bukurtingëllim.
Sa i kuptueshëm është vargu
Me të mund të flasësh
Si me mikun
Pa droje pakuptueshmërie pabesie
shprehet autorja në poezinë me titull “Vargut”, e cila është i pari përkushtim në këtë taban artistik. Vargu, gjegjësisht vargëzimi gjithmonë është mik, besëtar, i cili nuk do kohë të caktuar takimi, madje as me e as pa ftesë, sepse për të mjafton të kesh vetëm laps, frymëzim dhe zjarr. Mbi këtë piramidë qëllimi, ndërtohet kjo strukturë poetike, e cila pastaj vjen duke u konkretizuar në kuptimin e mirë të fjalës, duke krijuar hallkat e kësaj poezie përkushtuese të Sofe Sadrija-Rizajt.
Shtrirja e këtij strukturimi nëpër këto hallka fillon nga përkushtimet për prindërit, vëllezërit e motrat, fëmijët, luftëtarët e UÇK-së, heronjtë e dëshmorët, por edhe për vendlindjen, atdheun, Kosovën, e të tjera. Gërshetimi i këtillë ka shtrirje të plotë, jo vetëm nëpër këto hallka, por edhe nëpër njësitë qerthullore, gjegjësisht ciklore të librit “Ujëvarë e kujtimit”.
Forma më tërheqëse e kësaj poezie është akrostiku, i cili mundëson paraqitjen e figurës së të përkushtuarit në formë më adekuate. Kjo formë figurën e personalitetit e fikson duke skalitur shkronjat e para të emrit e mbiemrit që është një paraqitje e akrostikut si formë e poetikës specifike. Në poezinë akrostik me titull “Hero”, kushtuar komandantit të UÇK-së Sali Çekut, autorja vargëzon:
S – sakrifica yte
A – tdheut iu bë krah
L – risë emër nder
I – deali yt i dha …
Ç - ave bjeshkët me gjoks
E – rdhe bashkë me shokë
K – osovës dhatë emrin: E LIRA TOKË
U – bëre kurban i shtegut sinor
T – i linde në Koshare me emër hyjnor – HERO …
Poezi të kësaj forme janë edhe akrostikët: “T’u bekoftë lapidari”, kushtuar Agim Ramadanit, “Ai që ndërron jetën me lirinë, nder ka përjetësinë”, kushtuar heroit Kasim Ibish Uka, e të tjera.
Poezia e poetes Sofe Sadrija-Rizaj është një bashkëbisedim intim poetik i shtrirë nëpër të gjitha ndodhitë reale të kohës, që është një pasqyrim artistik i gjendej kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Bashkëbisedimi bëhet i afërt sepse ka të veshut petkum figurativ të ndjenjës dhe ndjeshmërisë, i cili përkon edhe me anën e përjetimit të lexuesit. Mu kështu, në këtë mënyrë dhe në këtë stad shprehet edhe qëllimi i mesazhit poetik i këtij vargëzimi që është fitorja e lirisë, sepse në disa vargje të poezisë me titull “Lirisë”, shkruhet:
E bukur je
e ëmbël
e bardhë
Kudo të ndjej të shoh
mbi varre dëshmorësh
pranverën përjetësi e le
aty lulet s’i vshk
kurrë më
as vjeshta
as dimri …
Gjuha e pasur, letrare e mbushur me figura, metafora, simbole e të tjera janë pasuri i një gërshetimi të qëlluar dhe funksional. Mbarështimi i këtij binomi poetik është një porosi e autores, e cila nuk e harron asnjëherë kur e shkruan secilin vargj të secilës poezi të këtij libri të parë. Dhe tërësia nuk mëton të parcializohet, por të strukturoret në bashkësinë e vet poetike. Dhe kësaj, por edhe qëllimeve të tjera autorja, Sofe Sadrija-Rizaj, ia arrin mirë e me sukses.
Kështu ajo e zgjedh gjuhën e atyre poezive dhe atyre formave vargore, të cilat kanë një mënyrë të ngjashme me të folurit natyror, dhe vijnë në ndjesinë tonë si hiri i artistikes, siç thotë Pol Elyar, si “tinguj dhe ndjesi”, ndaj, vetë kujtesa do të mbajë në memorie dhe do ta rikujtojë derisa të bëhet ky vargëzim i shtrirë në tërë aspektet dhe llojet e shprehjes, duke synuar alternativat në poezi.