2017-02-01

Për dy pëllëmbë shqiponjë


Nga Enkel Demi

Në tetor të 2014 Olimpiakos i Athinës arrinte të fitonte në Champions League ndaj Juventusit me një gol të Pajtim Kasamit, shqiptar nga Struga. Kasami ma merr mendja ka hyrë në historinë e klubit grek, i cili do të ketë pak gjasa ta ripërsërisë një fitore të këtillë. Kasami festoi golin duke bërë shenjën e shqiponjës. Fill pas ndeshjes mësohet që ai u gjobit nga drejtuesit e klubit dhe jo vetëm. Në kronikat greke në televizion që pasqyronin rastet e kësaj ndeshje mund të shihje golin e Pajtimit nga të gjitha këndet, por festën e tij aspak. Nëse e kërkon në youtube festën e Kasamit e gjen, por nga postime jo greke. Të gjitha mediat e vendit fqinj e kanë cesuruar këtë gjë, veç po e pati ruajtur kush në arkivat personale. Ky është një rast i thjeshtë që rrëfen mendjen e kyçur jo vetëm të politikës greke, por mbi të gjitha medias, asaj që konsiderohet pararoja e ndryshimeve në mendim.

Për dy pëllëmbë shqiponjë

Ndaj, histeria e autoriteteve greke ndaj një fotoje gazmore të ushtarëve shqiptarë që shërbejnë në ushtrinë e Greqisë është krejt e kuptueshme. E çuditshme është se si ndonjë gazetë shqiptare me një farë qasje në publik pretendon që fotoja në fjalë ishte një komplot i shërbimeve inteligjente të vendit fqinj për të na nxjerrë nacionalistë. Kjo tezë e re rrëfen për të kundërtën e mentalitetit grek, për mentalitetin tonë të shqyer, i cili shprehet për pak “evro” nën dorë.

Qytetarët shqiptarë, gazetarët, rrjetet sociale, portalet dhe mediat reaguan jo se u çuditën nga veprimi i rekrutëve shqiptarë, sepse këtë e konsiderojnë krejt normale, por e panë me vend të mbrojnë disa bashkëpatriotë që rrezikojnë sipas Panos Kamenos pesë vjet burg për dy pëllëmbë shqiponjë. Do ta rrezikonin ndoshta burgun, nëse do kishin bërë shenjën e svastikës, përshëndetur si nazistët apo të kishin kryer veprime fyese me simbolet kombëtare të vendit ku jetojnë e shërbejnë. Asnjë gjë nga këto, por kanë bërë simbolin e tyre kombëtar. Ky simbol jo vetëm nuk është fyes, por gjendet shumë në modë në sport e kudo në Itali, Spanjë, Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë. Përse e ka bërë Sergio Ramos simbolin e Pajtim Kasamit? Po karabinierët italianë, të cytur nga Hajri Kaci? Po Stipe Mesiç? Lista ka për të qenë e gjatë, sepse nuk ka mbetur shqiptar pa ia kërkuar një miku a mikeshe të huaj. Asnjë gjë të keqe nuk ka në këtë mes, jo më të mendosh që ka qenë komplot i SISDE, CIA apo MOSAD.
Nga ana e tyre shqiptarët nuk tuten të shprehin tolerancën e tyre pa kurrfarë droje. Askush nuk ankohet prej tyre, nëse një grek mban flamurin e vendit të tij në majë të çatisë në mes të Shqipërisë. Madje, më ka qëlluar në një dasëm tironcish të besimit islam të shoh se si nja dy të afërm të dhëndërit, të ardhur prej Greqie u hodhën përpjetë më keq se Zorba greku nën rritmin e sirtaki. Dasmorët u mblodhën rreth valltarëve u ulën në gjunjë dhe përplasnin duart, thua se kishin lindur në ishullin Kio të Miki Teodoraqis. Askush nuk u fye, megjithëse jo të gjithë e pëlqyen shfaqjen. Këta njerëz që jetojnë në Greqi padyshim që mund të marrin nga doket vendase, muzika e vallet, gjë që ndikon në kulturën e tyre, mënyrën e jetesës, por jo në identitetin kombëtar, sepse jam i bindur që pëllëmbët u shkojnë vetë si shqiponjë.

Por, le ta lëmë mënjanë Greqinë, sepse do na thonë që biem në kurthin e nacionalizmës dhe të rrëfejmë një tjetër rast tejet të veçantë; miqësorja e futbollit mes Italisë dhe Shqipërisë në Gjenovë, atje ku serbët e dogjën stadiumin me në krye Ivan Bogdanov. Masat e sigurisë edhe për shqiptarët ishin tejet të larta, por sa nisi ndeshja komentatorët italianë dhe tifozët hasën në një të papritur. Shqiptarët kënduan himnin e Italisë, njësoj si bënë me himnin e tyre. Ka gjasa të ndodhë sërish kjo gjë në ndeshjen që kemi në Palermo. Pse ngjau vallë? E thjeshtë fare; është një shenjë falenderimi nga qytetarët shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj, sepse nuk ndjehen të ndrydhur apo të marrë nëpër këmbë. Bëhet fjalë për një vend, ku media i ka shumë zemër shqiptarët, sidomos për kronikën e zezë, por këta janë shqiptarët që po kthyen dy gota të këndojnë këngën, të hedhin vallen e pastaj të kërkojnë të bësh shqiponjën me pëllëmbë.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...