2019-01-02

Milazim Kadriu: VARGJE ME PLOTË PIKËLLIM, DHEMBJE E MALLËNGJIM (Nexhat Halimi “a vuan më pse nuk vuan”)


Nexhat Halimi “ a vuan më pse nuk vuan”, shtëpia botuese “fad” prishtinë, 2018

Milazim F. KADRIU

“ a vuan më pse nuk vuan
a të dhemb më pse s’të dhemb
a digjesh pse s’digjesh “
Me këtë përkushtin Nexhat Halimi e hap librin “ a vuan më pse nuk vuan” që është libër me poezi përkushtuese për nënën e tij me rastin e shkuarjes në amshim.
Nexhat Halimi është poet me talent të rrallë e kulturë të gjerë, që trajton një gamë të gjerë temash, motivesh, idesh e preokupimesh tematike.
Figura e nënës është mjaft e shpeshtë  në krijimtarinë poetike të poetëve të ndryshëm. Mirëpo te Nexhat Halimi portreti i nënës  pasqyrohet në një libër të tërë i cili është i konceptuar në  42 poezi apo njësi poetike dhe që të gjitha i kushtohen nënës së poetit. Përmes vargjeve të tij Halimi paraqet figurën e nënës së tij, një nënë tipike shqiptare. Këto poezi janë krijime të veçanta për jetën dhe vdekjen e që janë plotë pikëllim, dhembje e mallëngjim.
“ unë bima e gjakut tënd mitik nënë
marr frymë gjithnjë te molla e kuqe
e vdes në kokrra dheu në dumnicë ”
Përmes figurës së nënës që është një nënë  e zakonshme  por përmes vargjeve ajo ngritët në një krijesë mitike, nga një kohë në një kohë tjetër. Autori ka evokuar gjithë historinë  e nënës e që përmes saj evokohet gjithë historia e nënës shqiptare me të gjitha vuajtjet dhe sakrificat e kohës.
Këto evokime kujtimesh  autori Halimi i sjell përmes vargjeve  të bukura, kuptimisht të plota  e gjuhësisht të rrjedhshme e elokuente, ku asgjë nuk duket e tepërt si dhe asgjë nuk ka lëshuar pa thënë, gjithë atë që ndjen për nënën e tij tashmë të ndjerë.
Dhembja dhe pikëllimi për nënën është edhe më i thellë ngase ajo ka ndërruar jetë  larg vendlindjes.
“ krejtë çfarë të mbeti në amerikë qe hiç
qe veç ‘ i lule e thjeshtë e plastikës
ja pse provoje kaq vjet të ikje nga vetmia “
Nëpërmes vargjeve të tij autori kujton shumë ngjarje të kaluara bashkë më nënën, vuajtjet e asaj kohe, jetën në fshat që  nuk ishte aspak e lehtë.
Në shtratin e gjerë të vargjeve  të këtij libri rrjedh edhe dashuria  e autorit për vendlindjen e tij Dumnicën që tashmë ka pësuar shumë ndryshime nga koha kur ai ka jetuar aty.
“ dumnica e vrej ka trup e tjetër fytyrë
as rosujërat as vigu i muharremit asgjë
as një e vetmja gjë s’është e njëjtë
dumnica është shpirti lot i ngrirë nën qerpik’
…………………………………..
dumnica natyrisht është mekam i gjithësisë “
Autori evokon kujtime kur ishte nxënës  në fshatin Dumnicë dhe kur e përfundonte orarin ditor të mësimit në luadhe mblidhte lule xheneti dhe ia dërgonte nënës në shtëpi  që ajo pastaj në tufa i fuste në gota me ujë dhe ato lule e mbushnin shtëpinë me aromë të këndshme. Tash nuk i mbledh ato  lule ngase nuk ka kujt t`ia dërgoj, nëna nuk është më  të thithë atë aromë të këndshme të luleve të xhenetit të mbledhura në luadhet e dumnicës.
Autori në mënyrë sintetike  rrëfen jetën e nënës që në të kaluarën nuk është aspak jetë e lehtë. Vuajtjet dhe sakrificat qofshin fizike apo shpirtërore  nuk kanë qenë  të lehta por megjithatë  nëna ka arritur ta përmbush idealin, vazhdimësinë e jetës.
Nga poezia në poezi shumëfishohet dhembja për mungesën e nënës, e këtë e përjeton thellë autori ku ndër tjera në vargjet e tij shprehet :
“ pse s` do të vish me shprehi
 të më prekësh në netët e acarta
 a i kam këmbët të ftohta
 të më mishërosh me besim ”
Autori e ka vështirë të pajtohet me këtë të vërtetë që ka ndodh, pra me vdekjen e nënës. Ai këtë e ndjen rëndë shpirtërisht por i duhet të pajtohet me realitetin ngase gjërat nuk mund të kthehen më prapa, por dhembja është e madhe.
“ ai që lind vdes më përmend zëri yt i çelur
është fare kot të ndërroj diçka aty është kot
e lë zemrën te ti e ik rrugës së shkelur “

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...