Nga Bujar Nishani
Personi i cili u lobua, sponsorizua dhe katapultua të marrë pushtet absolut në Shqipëri kryesisht vetëm për përfshirjen në dy projektet antishqiptare, atë të shitjes së detit territorjal shqiptar jugor dhe atë të garantimit të logjistikës politike të ndarjes territoriale të Kosovës e më tej, për të orientuar një strategji afatmesme për një Shqipëri salamandër me fusha të minuara nacionalizmash shoviniste antishqiptare brenda saj, tashmë ka nisur intensifikimin e platformës shekullore shqiptarofobe të rajonalizimit të saj politik, social e shoqëror.
Deklarimi hapur dhe jetësimi i veprimit politik e institucional me të ashtuquajturin “Këshilli Rajonit i Veriut”, përbën kulmimin e një platforme politike që ky individ dhe rilindja e tij kanë përdorur si ideologji të përçarjes kombëtare dhe profitit politik mbi këtë përçarje.
Shqipëria nuk është një federatë por një Republikë unitare, madje shumë e vogël në kontekstin territorial dhe politik për tu konsideruar e trajtuar me pjesë.
Historikisht, pavarsisht organizimit social/politik të kohës, veçanërisht gjatë pushtimeve apo sfidave kombëtare, shqiptarët kanë reaguar si një të vetëm në bashkëpunim e gjithëpërfshirje.
Malësia dhe Labëria, Dibra dhe Kolonja, Shkodra dhe Bregu, Gjakova dhe Lumi Vlorës kanë qenë vatra të ndezjes së kryengritjeve antiosmane, antisllave, antifashiste e antikomuniste, që prej shekullit XVI.
Kuvendi i Greçës dhe Kongresi i Lushnjes, Ismail Qemali dhe Isa Boletini, Hasan Prishtina dhe Sulejman Delvina, Prek Cali e Selam Musai, Sali Butka e Ded Gjo Luli, Elez Isufi e Çerçiz Topulli, Postriba dhe Zhapokika, Hysni Lepenica e Abaz Kupi e shumë e shumë të tjerë janë emblema të atij qëndrimi dhe ekzistence unitare shqiptare përpara të cilave e të cilëve del se sa i vockël është ky anarkist i kohëve moderrne me misionin për të zhbërë Shqipërinë.
Perdorimi i zhargonit, dialektit të deformuar të veriut në daljet dhe logoret publike prej tij nuk kanë qenë as për “gallate”, as batuta, as të rastësishme dhe as për të thyer monotoninë e logoresë.
Ato kanë qenë mirë të projektuara, paramenduara dhe pjesë e platformës shqiptarofobe “përça e sundo”. Padyshim që partitë politike në kuptimin organizativ të tyre kanë strukturë kapilare në çdo lagje, fshat, qytet e zonë të vendit.
Por dizenjimi dhe adresimi i strukturave politike me konotacion krahinor është helmi i ndarjes dhe përçarjes kombëtare në interesin e përfitimit politik brenda vendit dhe shërbimit për lobim prej qarqeve shqiptarofobe.
Platforma e identifikimit, adresimit dhe sjelljes formale, jo vetëm në perceptim por dhe artikulim, të Shqipërisë dhe shqiptarëve si “veriorë” dhe “jugorë”, është një platformë e importuar në këtë vend nga akademitë albanofobe, për ta mbajtur këtë vend e komb të përçarë, të frymëzuar nga urrejtja e xhelozia në vend të fokusimit tek vlerat dhe gjenerimi i burimeve të shumta zhvilluese. Platformë kjo që u injektua me intensitet të fortë veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, e cila ishte periudha e bumit prosperues të kontinentit tonë, platformë që u adaptua si opium ideologjik gjysëm i fshehtë nga rregjimi stalinist që u vendos në Shqipëri dhe u mbajt gjallë vijimësisht si një nga detajet e poshtra të përçarjes dhe sundimit të shqiptarëve prej rregjimit.
Platformë që për fat të keq duhet të pranojmë që jo pak ja ka mbërritur të kompleksojë herë pas herë shqiptarët.
Kjo platformë e poshtër dhe antishqiptare qëndron e inkubuar dhe aktivizohet kur raporti i perceptimit skanohet si frymë virtuale makro, por kur zbret në raportin familjar e individual ajo nuk ka forcë e sot madje injorohet.
Por rreziku i aktivizimit të saj si virus kryesisht për qëllime të pushtetit politik mbahet në jetë e ushqehet vazhdimisht duke identifikuar si laboratorin e së keqes sot qeverisjen antikombëtare të “rilindsave” që nuk kanë as turpin e as cipën ta artikulojnë atë edhe në zyrat apo tryezat e ambasadave të ndryshme.
Ajo pjesë e shoqërisë, elita e saj, që e kupton fare mirë rëndësinë e unitaritetit social/politik të vendit dhe rrezikun e madh të platformës antishqiptare të copëzimit apo margjinalizimit në kuptimin rajonalist duhet të ndihen jo vetëm të turpëruar por dhe përgjegjës nominal në raport me historinë, nëse heshtin dhe nuk veprojnë në mënyrën e duhur, drejtpërdrejt e vendosmërisht.
Askush prej nesh nuk mund e nuk duhet të pranojë të na deformojnë e të na fusin në mutacion degradimi, identitetin tonë real e të shëndetshëm që kemi. Me qenë shqiptar!