Shkencëtari- Albanologu i mirënjohur kanadez
Robert Elsie lindi në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29
qershor 1950.
Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (
University of British Columbia),
ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe të gjuhësisë më 1972. Po
në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e
larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (
Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (
Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (
Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (
Universität Bonn),
ku mbrojti doktoraturën më 1978. Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë
Shqipërinë disa herë në kuadrin e 'takimeve shkencore' midis
Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në
Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në
Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve
të Jashtme gjermane në Bon. Është anëtar i Shoqatës së Evropës
Juglindore (
Südosteuropa-Gesellschaft) ), anëtar i Akademisë
së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës
së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në një fshat malor të Gjermanisë
afër kufirit belg.
(Flori Bruqi)
Kjo
periudhë, një lloj kohe e artë, solli një lulëzim, por një lulëzim
tepër të shkurtër në hije të katastrofës e cila do të shfaroste gati
gjithë prodhimtarinë letrare dhe kulturore për më shumë se njëzet vjet.
Edhe një herë në historinë e kulturës shqiptare burbuqet e letërsisë u
mblodhën. Edhe një herë rrënjët e bimës u prenë.......
Rruga e modernitetit dhe koha e artë e letërsisë shqiptare (Kultura shqiptare e viteve 30)
1. Rruga e modernitetit
Për gati një gjysmë shekulli pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,
shkrimtarë dhe intelektualë shqiptarë vazhduan të frymëzoheshin nga
iderat dhe nga idealet e Rilindjes Kombëtare të shekullit
nëntëmbëdhejtë. Rryma kryesore e letërsisë shqiptare deri në Luftën e
Dytë Botërore ishte ajo e shkollës shkodrane të Gjergj Fishtës - një
shkollë kreative, inovative por njëkohësisht tradicionale. Fishta solli
në Shqipëri një rrafsh cilësor më të lartë, rrafshin e letërsisë të
cilën vendet më të zhvilluara të Evropës kishin patur që nga gjysma e
dytë e shekullit nëntëmbëdhjetë. Kjo ishte një hap jashtëzakonisht i
rëndësishëm duke marrë parasysh konsolidimin e vonuar të Shqipërisë si
shtet dhe në zhvillimin e saj të ngadalshëm politik dhe kulturor.
Në vitet tridhjetë, kultura shqiptare hyri në një fazë tjetër. Rrymat
kryesore të letërsisë shqiptare filluan me kohë të humbnin kontakt me
realitetet e shtetit të pavarur shqiptar. Idera nga jashtë u futën në
vend dhe një stad më i lartë i arësimimit të intelektualëve ia hapi
derën zhvillimit kulturor më të shpejtë. Për një dhjetëvjetësh, letërsia
dhe kultura shqiptare lulëzuan si kurrë më përpara, fillimisht në
Shkodër, dhe më vonë në Tiranë dhe në mbarë vendin.
Rrugën e
modernitetit, d.m.th. rrugën drejt Evropës morën dy poetë të brezit
tjetër, dy njerëz nga jashtë rrethanave të njohura letrare që u
shkëputën nga traditat e letërsisë shqiptare dhe që ia dhanë kulturës
shqiptare vendin e saj në Evropën bashkëkohore: Migjeni dhe Lasgush
Poradeci.
Migjeni (1911-1938) i kishte të gjitha kushtet paraprake
për tu bërë poet: një mend kureshtar dhe kërkues, një natyrë depresive
pesimiste, dhe një seksualitet të shtypur, të parealizuar. Më interesant
nga të gjitha është ky aspekt i fundit. Erotizmi kurrë nuk ka qenë
tipar i dukshëm i letërsisë shqiptare. Zor të gjesh një autor shqiptar
në poezi ose në prozë i cili i ka shprehur me shkrim impulset dhe
dëshirat e tija intime. Migjeni e bën pjesërisht, por në mënyrë të
paditur. Thuhet se deri në vdekjen e tij në moshën njëzet e gjashtë,
poeti ka mbetur i virgjër. Poezia dhe proza të tija janë plot me figura
grash, shpeshherë prostituta të mjeruara, për të cilat Migjeni tregon
edhe mëshirë edhe një interes seksual të hapur. Janë sytë e përlotur dhe
buzët e kuqe që përmenden. Pjesët e tjera të trupit nuk përshkruhen
kurrë. Për Migjenin, seksi ishte vuajtje:
Ato dy buzë të kuqe
Dhe dy lote të mija
Qenë shenjat e dhimbjes
Kur më vrau bukurija
Kur më zû dashunija
E më dogji rinija.
Pasioni dhe dëshira epshore janë të gjithandejshëm në poezinë e
Migjenit. I gjejmë përshkrime të intimitetit trupor, por shpeshherë me
neveri dhe hidhërim. Për Migjenin edhe seksi është mjerim, si në Poemën e
mjerimit:
Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.
Nepër skâje t'errta, bashkë me qejë, mijë, mica,
Mbi pecat e mbykta, të qelbta, të ndyta, të lagta
Lakuriqen mishnat, si zhangë, të verdhë e pisa,
Kapërthehen ndjenjat me fuqí shtazore,
Kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta,
Edhe shuhet ûja, dhe fashitet etja
N'epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja,
Dhe aty zajnë fillin të mârret, sherbtorët dhe lypsat
Që nesër do linden me na i mbushë rrugat.
Sa larg u largua letërsia shqiptare nga folklorizmet dhe
artificialitetet e Çajupit, të Asdrenit, bile edhe të Fishtës! Edhe pse
nuk arriti të botojë një libër, poezitë e Migjenit kishin një sukses të
menjëhershëm. Migjeni i hapi rrugën letërsisë moderne. Por kjo rrugë
mbeti e hapur për një kohë tepër të shkurtër. Tamam në vitin e botimit
të Vargjeve të Lira u shpall fitorja e Stalinizmit.
Çfarë ndihmes do
të kishte bërë Migjeni, po të kishte jetuar më gjatë? Në fund, kjo
çështje mbetet hipotetike, sepse zëri i tij individualist i protestës së
vërtetë sociale do ta kishte pësuar të njëjtin fat si ai i shumicës së
shkrimtarëve të talentuar të viteve dyzet. Të paktën, vdekja e herët e
Migjenit na e la shkrimtarin të paprekur.
Fakti se Migjeni vdiq i
ri e vështirëson mundësine e një vlerësimi kritik të krijimtarisë së
tij. Në përgjithësi Migjeni admirohet dhe lexohet shumë, por nuk ka
mbetur pa kritik. Mjaft lexues qenë të zhgënjyer nga proza e tij, dhe
gjerësia e veprimtarisë poetike të tij nuk është aq që ta shpallim poet
universal. Arshi Pipa ka shprehur dyshime në çfarë masë Migjeni dinte
shqip tamam: Pipa thotë kështu: "I lindur shqiptar në një familje me
prejardhje sllave, dhe pastaj i rritur në rrethana kulturore sllave, ju
kthye Shqipërisë dhe gjuhës e kulturës shqiptare vetëm kur ishte i
rritur. Gjuhën e shtëpisë e kishte serbokroatishten dhe në seminar mësoi
rusishten. Ai s'dinte shqip mirë. Shkrimet e tij janë plot me gabime
orthografike, edhe nga më të thjeshtat, dhe sintaksi i tij nuk është
normal për një shqiptar. Vërejtja mbi italishten e Italo Svevo-s është
akoma më e vërtetë për shqipen e Migjenit1." Kritikë letrarë stalinistë
të Shqipërisë së pasluftës e shpallën Migjenin në mënyrë mjaft të
përciptë pararojën e Realizmit Socialist me gjithë se nuk ishin në
gjendje ti trajtojnë disa aspekte të jetës dhe të krijimtarisë së tij,
siç janë pesimizmi i tij shopenhauerian, simpatitë të tij me Perëndimin,
seksualitetin e tij, dhe elementin niçean në poemën Trajtat e
mbinjeriut. Edhe pse këta kritikë e vlerësuan veprimtarinë e Migjenit si
pasojën e Shqipërisë zogiste të paraçlirimit, ka dalë tepër e qartë
kohët e fundit se pas dyzet e gjashtë viteve të diktaturës së
proletariatit, Kangët e pakëndueme të poetit janë akoma më aktuale se
kurrë.
Rrugën e modernitetit mori edhe një poet krejt tjetër.
Lasgush Poradeci (1899-1987) shikohet nga disa kritikë si poeti më i
madh i shekullit njëzet. Megjithatë është mjaft e vështirë ta caktojmë
pozitën e tij në letërsinë shqiptare. Poradeci nuk kishte shumë gjëra të
përbashkëta me shkrimtarët e tjerë të kohës: me Asdrenin, Fan Nolin,
Migjenin. Lasgushi i solli letërsisë shqiptare një diçka të rrallë: një
misticizëm panteist i cili krijoi një urë midis gjendjeve shpirtërore të
ekzistencës tokësore dhe burimeve qiellore të energjisë krijuese.
Lasgush Poradeci ishte një prodhim eklektik i kohës dhe një paradoks në
letërsinë e Evropës juglindore. Rexhep Qosja e shprehu kështu: "Lasgush
Poradeci ndien si romantik, mendon si klasiçist, asht i vetmuem dhe
hermetizuem shpirtnisht si simbolist dhe i kujdesshëm e fanatik ndaj
formës së vargut si parnasist2." Me ngritjen e Stalinizmit në Shqipëri,
penda e shquar e Lasgushit filloi të shteret. Edhe pse u lavdërua
fshehtazi nga shumë kritikë, ky estet romantik kurrë nuk e gëzoi
aprovimin e dogmatistëve marksistë. Ata nuk e kuptuan veprën e tij.
Poeti vetë tha: "Më mirë ta thyej lapsin se sa të shkruaj si duan ata."
Fusha kryesore e veprimtarisë së poetit në periudhën socialiste ishte
atëherë përkthimi letrar, ai liman i sigurtë për heretikët letrarë.
Temat kryesore të poezisë të Lasgushit janë të njohura. Ai i donte
fjalët dhe shprehjet arhaike si dhe neologjizmat dhe gjuhën që buronte
në poezinë popullore të Shqipërisë së Jugut. Mitrush Kuteli, i cili
botoi vëllimin Ylli i zëmrës, tha: "Lasgushi është poeti shqiptar, i
vetmi poet shqiptar, që mendon, flet e shkruan vetëm shqip3." Por në të
njëjtën kohë, Lasgush Poradeci është edhe një artist evropian. Ai
bashkon sensualitetin e shprehjes së Sharl Bodler-it (1821-1867),
filosofinë estetike të formës dhe elegancën e dalluar të Shtefan
George-t (1868-1933), filosofinë dhe humanitetin e Naim Frashërit me
pavdeksinë kosmografike të mjeshtrit të tij Mihai Eminesku-t
(1850-1889). Shkencëtari Eqrem Çabej (1908-1980) fliste për poetin "të
cilin Shqipëria do t'ia falë njëherë botës4." Me gjithë se poezia e
Lasgushit nuk përkthehet kollaj, Çabej mund të ketë të drejtë.
Veprimtaria e Lagushit ishte e habitshme, e mahnitëse për ato vite. Me
Lasgushin, koha e nacionalizmit romantik, e ushqyer nga një mori poetësh
të cilësive të ndryshme të Rilindjes Kombëtare u zhduk përfundimisht.
Lasgush Poradeci vdiq në varfëri në Tiranë me 12 nëntor 1987.
2. Kulmi letrar i viteve 30
Brënda një periudhe prej pesë vitesh në mesin e viteve tridhjetë, u
realizua një hap i madh përpara në fushën e letërsisë. Në poezinë,
Lasgush Poradeci botoi përmbledhje lirike të mahnitshme: Vallja e yjve,
Constancë 1933, dhe Ylli i zemrës, Bukuresht 1937; Migjeni, i sëmurë
rëndë nga tuberkulozi, arriti ta dërgonte vëllimin e hollë Vargjet e
lira, Tiranë 1936, në shtyp para se vepra e tij të ndalohet dhe se poeti
vetë të vdesë; dhe Gjergj Fishta paraqiti versionin përfundimtar të
epikës së pashoqe Lahuta e malcís, Shkodër 1937, me tridhjetë këngë. Në
fushën e prozës shqiptare u botuan: romani nihilist Nga jeta në jetë -
Pse!?, Korçë 1935, nga Sterjo Spasse; përmbledhja e dytë e tregimeve të
Ernest Koliqit, Tregtar flamujsh, Tiranë 1935; romani i mirëpritur i
kritikës sociale, Sikur t'isha djalë, Tiranë 1936, nga Haki Stërmilli;
dhe vëllimi i parë i tregimeve të Mitrush Kutelit, Nete shqipëtare,
Bukuresht 1938. Edhe Migjeni i botoi njëzet e katër skiza të mprehta
nëpër gazetat e ndryshme brënda pesëvjeçarit 1933-1938 dhe e mbaroi
dorëshkrimin e pabotuar, Novelat e qytetit të veriut, 1936. Në fushën e
dramës, Etëhem Haxhiademi e mahniti publikun e kulturuar me tragjeditë
klasike të cilat, edhe pse nuk ishin gjë e re nga përmbajtja, e treguan
një finesë të padëgjuar dhe të paparë në skenën shqiptare.
Aq shpejt
sa letërsia, u zhvillua edhe zhurnalizmi, i cili që nga koha e
Rilindjes, vazhdoi të luante në rol themelor në afirmimin e kulturës
kombëtare. Nga moria e gazetave javore dhe mujore nacionaliste
jetëshkurtra që dolën në qytete të ndryshme të Ballkanit, u zhvillua një
zanat zhurnalistik me cilësi që i shërbeu përhapjes së informacionit,
qoftë politik, kulturor ose letrar. Me gjithë strukturat primitive që
zotëroheshin akoma në kohën e Ahmet Zogut (1895-1961), të bërë tashme
Zogu i Parë, Mbreti i Shqiptarëve, shtypi u zhvillua në mënyrë liberale.
Botuesit, po të kishin kujdes të mos kritikonin familjen mbretërore dhe
politikën e jashtme të mbretit, mund të botonin si të donin. Cenzura
ekzistoi, si në çdo diktaturë, dhe herë pas here gazeta u mbyllën, por
situata kurrë nuk ishte aq e tmerrshme se sa në periudhën pas
'çlirimit'.
Në krahasim me vendet e tjera në vitet tridhjetë dhe
dyzet, relativisht pak libra u botuan në Shqipëri. Kjo ishte rezultat i
mungesës së zhvillimit ekonomik si dhe i analfabetizmit të lartë. Leximi
i librave mbeti argëtim për një pakicë shumë të vogël meshkujsh. Një
rritje e dukshme në prodhimin letrar, bile lulëzimi i kulturës së
shkruar në Shqipëri varej atëherë shumë nga revistat dhe gazetat letrare
të kohës të cilat i ofruan shumë shkrimtarëve të rinj një mundësi
botimi dhe përhapën vepra dhe idera në tërë vendin.
Revistat
katolike të Shkodrës, si Hylli i Dritës (1930-1944) i Gjergj Fishtës,
Zâni i Shna Ndout (-1944), dhe Leka (1929-1944), vazhduan të luanin një
rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve. Për komunitetin mysliman doli
në Tiranë revista Zâni i naltë (1923-1938) e cila informoi lexuesin mbi
kulturën islame në Shqipëri dhe në Lindjen e Mesme.
Por kishte edhe
shumë revista të mira jofetare që ndihmuan në afirmimin e kulturës së
shkruar të kohës. Revista mujore liberale Minerva (1932-1936) u botua në
Tiranë ndër të tjerët nga Tajar Zavalani (v. 1976), artisti Odhise
Paskali (1903-1985), Nebil Çika (v. 1944) dhe Stefan Shundi (1906 -
ca. 1944). Shumë prej këtyre zhurnalisteve bashkëpunuan në revistën
kulturore Illyria (1934-1936) në të cilën Migjeni botoi prozën dhe
poezinë e parë. Një hap i madh përpara u realizua me revistën Përpjekja
Shqiptare (1936-1939) e Branko Merxhanit (v. 1976). Për përhapjen e
iderave të të majtës progresiste kishte edhe revista dyjavore ABC (1936)
të Petro Markos dhe Bota e Re (1936-1937) komuniste të Korçës. Më vonë
dolën revista mujore Shkëndija (1940-1943) e themeluar nga Ernest
Koliqi, Fryma (1944), Revista letrare (1944) dhe Kritika (1944).
Me
kohë, kultura e kësaj periudhe filloi të tregonte gjurmët e polarizimit
midis Lindjes dhe Perëndimit. Shqipëria ishte prekur fillimisht shumë
pak nga iderat dhe idealet e Revolucionit të Tetorit në Rusi, me gjithë
se një sasi e vogël figurash intelektuale e kishin vizituar Bashkimin
Sovjetik në kohën e Stalinit: Fan Noli (1882-1965), i njohur më vonë si
Peshkopi i Kuq, shkrimtari Haki Stërmilli (1895-1953), poeti rebel
Sejfulla Malëshova (1901-1971) dhe Tajar Zavalani. Padrejtësitë sociale
në Shqipëri, të theksuara akoma më shumë nga një diktaturë gati
bizantine, si dhe ngritja e Italisë fashiste mbushën mendjen e shumë
intelektualëve të viteve tridhjetë që të interesoheshin për komunizmin
sovjetik, ose të paktën për ndonjë lloj socializmi, për të luftuar
kundër varfërisë dhe shfrytëzimit të masave fshatare. Polarizimi i
ideologjive u theksua akoma më shumë me fillimin e Luftës Civile të
Spanjes në vitin 1936. Shkrimtarët Petro Marko (1913-1991) dhe Skënder
Luarasi (1900-1982) dhe një kontingjent shqiptarësh u nisën për në
Katalonjë për ta marrë pjesë në Brigadat Ndërkombëtare. Idera socialiste
zhvilloheshin në Shqipëri, por në të njëjtën kohë zhvilloheshin edhe
idera fashiste.
Një figurë mjaft interesante e kulturës shqiptare të
viteve tridhjetë ishte Branko Merxhani, botuesi i revistës Përpjekja
Shqiptare që nga tetori i vitit 1936. Merxhani e kishte të qartë se
vendi i tij ishte i pazhvilluar në çdo drejtim, edhe intelektualisht,
dhe bëri thirrje për një rilindje shpirtërore të cilën ai e quajti
Neoshqiptarizmi. Kjo rrymë intelektuale hyri në shoqërinë shqiptare afër
vitit 1928, me gjithë se rrënjët i kishte në Rilindjen Kombëtare të
shekullit nëntëmbëdhjetë. Duhej tani në Shqipërine e pavarur një
identitet kombëtar, një vetëdijë shqiptare për ta nxjerrë miletin nga
errësira dhe injoranca. Shqipërine e quajti një qënie e kufizuar së
jashtëmi dhe e pakufishme së brëndshmi. Së bashku me shkrimtarin fashist
Vangjel Koça (1900-1943), Merxhani e paraqiti Neoshqiptarizmin në vitin
1929 në gazetën gjirokastrite Demokratia dhe në vitin 1930 në revistën
Neo-Shqiptarizmi. Neoshqiptarizmi e kishte për bazë nacionalizmi
ideologjik. Në formën e mirëfilltë ishte një lëvizje kulturore dhe jo
politike. Në fjalët e Merxhanit: "Politikë s'ka! Vetëm kulturë!" Me
kohë, Neoshqiptarizmi u bë një kundërpeshë ideologjisë më të politizuar
socialiste dhe internacionalizmit të majtë. Edhe pse ishte një krijim
shqiptar, Neoshqiptarizmi duhet shikuar ne suazën e ideologjive
nacionaliste të tjera të Evropës së viteve njëzet dhe tridhjetë:
hellênikótêta greke, kryesisht nën diktaturën e gjeneralit Joanis
Metaksás (1871-1941) të viteve 1936-1940, italianità italiane në kohën e
Duçes italian Benito Musolini (1883-1945), dhe hispanidad në Spanjen
fashiste të gjeneralit Fransisko Franko (1892-1975). Ngadalë ngadalë ato
u bashkuan për të krijuar fashizmin evropian, i cili e solli një
diktaturë brutale dhe panjerëzore kudo në Evropë.
Shkrimtarë
shqiptarë të viteve tridhjetë u tërhoqën, u mahnitën nga Perëndimi dhe u
përpoqën ta zbulojnë rolin e Shqipërisë në Evropë. Kjo ishte një temë
kryesore në shtypin letrar të kohës. Një sasi e madhe intelektualësh
kishin qenë jashtë vendit dhe kishin parë shoqerinë perëndimore. Duke
ardhur nga vendi të cilin, sipas shprehjes së njohur, "e don Zoti sepse u
ndryshua aq pak që nga koha e krijimit të botës", ata ishin të
tërhequr, por gjithashtu të çorientuar, të tmerruar me gjendjen e
Shqipërisë.
Fjala Perëndim në Shqipëri kishte një kuptim disi të
paqartë duke qenë se vendi perëndimor më afër Shqipërisë ishte Italia
fashiste e Musolinit. Me 7 prill 1939, diskutimi intelektual mbi rolin e
Shqipërisë në Evropë u bë i tepërt pasi trupa italiane pushtuan
Durrësin, Vlorën dhe Shëngjinin për ta kolonizuar gjithë Shqipërinë.
Është puna e historianëve për të vlerësuar në çfarë masë përqafimi
kulturor italian i Shqipërisë dhe më vonë pushtimi drejtëpërsëdrejti
politik i vendit ishin një fitim ose një humbje kulturore në atë fazë të
zhvillimit. Shumë shpejt erdhi një luftë botërore. Polarizimi i ideve
evropiane të Lindjes së Re dhe të Perëndimit të Ri, d.m.th. të
komunizmit dhe të fashizmit, solli me vete konfrontimin përfundimtar në
Shqipëri, si dhe kudo tjetër në Evropë, gjatë të cilit vendi ju
nënshtrua vullnetit të pamëshirëshëm të ekstremistëve politikë dhe
ushtarakë, dhe gjatë të cilit shkrimtarë dhe intelektualë të të gjitha
krahëve politike u detyruan të përgjunjeshin.
Nuk e teprojmë kur
themi se jeta intelektuale dhe kulturore shqiptare kishte arritur një
kulm nga mesi i viteve tridhjetë deri në gjysmën e parë të viteve dyzet.
Për herë të parë ekzistonte në Shqipëri një letërsi moderne
bashkëkohore me cilësi. Kombi shqiptar qe arritur në moshë.
Kjo
periudhë, një lloj kohe e artë, solli një lulëzim, por një lulëzim tepër
të shkurtër në hije të katastrofës e cila do të shfaroste gati gjithë
prodhimtarinë letrare dhe kulturore për më shumë se njëzet vjet. Edhe
një herë në historinë e kulturës shqiptare burbuqet e letërsisë u
mblodhën. Edhe një herë rrënjët e bimës u prenë.