2012-02-10

LIRIKA NGA ABDYL KADOLLI




Abdyl KADOLLI lindi më 10 nëntor 1946 në Bukosh të Therandës, Kosovë.
Ka mbaruar studimet pasuniversitare të letërsisë më 1974 në Prishtinë.
Nga viti 1993-1998 ishte sekretar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë të Kosovës .
 Deri tash ka botuar vëllimin poetik “Këmisha e zjarrit, ”Rilindja”, Prishtinë, 1998 dhe veprën publicistike “Ora kombëtare”, Ars, Prishtinë, 2001. Ka në dorëshkrim edhe disa vepra të reja letrare.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe redaktor përgjegjës i revistës letrare “Metafora” të LSHK-së.


POZIA

Kush tha se vdiq poezia
Ah  nuk vdes dashuria,
Mijëra lumenj burojnë
Mijëra valë dashurojnë.

Kush tha se vdiq dashuria
Oh nuk vdes bukuria,
Mijëra yje vezullojnë
Mijëra zogj ligjërojnë.

Kush tha se vdiq bukuria
Eh nuk vritet liria, 
Mijëra lule çelin purpur 
Mijëra buzëqeshje flamur .


DITË E BUKUR

Ditë e bukur çeli
Qiellin ka hapur
Luleverën purpur.

Vera u poq në qershi
Degët ka hapur
Nga mall i pritjes.

Ti vjen me erën e jugut
Sytë e blertë të detit
Gastare e gushës.

Zogjtë trokasin në dritare
Flatrat shkruajnë
Dashurinë e fshehur.

Ditë e bukur çeli
Ti e bën më të dashur
Verën e prushit.


QERSHI E PRIZRENIT

Vijmë për çdo mot te ti
Kur skuqen qershitë,
Ti na pret te dera
Paska çelur vera!

Ti na pyet nga vijmë,
Me Drinin ilirik erdhëm
Shkumbinin e Vjosën
Vardarin Valbonën.

Vijmë e këndojmë për ty
Himnin e lirisë,
Dhe habitemi shumë
Si i zure burrat e dheut!

Ti na pyet a u vu çatia
Si u shkrua historia?
Ah mbetën tutje-tehu
Cepat e shamisë!

Vijmë për çdo verë te ti
Kur lëkuqen qershitë,
Ti ndrit aurolë amshimi
Në tempullin e dashurisë.


QËLLOI ATDHEU KURRIZ

Qëlloi Atdheu udhëkryq
Gjithë udhët e pritnin
Shtëpi si të bënte?

E prenë nga të katër anët
Kufijtë e përgjakur
Mbeti një grusht eshtra.

I thanë bëhu urë
Ke shumë lumenj
Sa shumë gurë!

Mbeti atdheu kodër
Gjithë erërat e rrihnin
Si një gogël.

I thanë bëhu han
Të të hamë, të pimë
Të flemë, të rrimë.

Kurriz qëlloi Atdheu
E s’mund ta shalonin
Kurriz kish Atdheu.


URA E GJAKUT

Është një urë në Kosovë
Ura e Gjakut i thonë

Urë e gurit, fjalë  e burrit 
Gurgjak rrënjë  flamurit

Ura rrjedh lumenj gjaku
Vërshon çurg në baladë

Ura rend  harqe-harqe
Ka marrë udhën për Janinë

Është një urë në Kosovë
Ura e Gjakut i thonë.


FLUTURIM  SHQIPONJE

Ju lëvizet si drita
Si era, si yjet
Fluturuat si shqipet.

Kishit shumë dashuri
Më e madhja ish Arbëria
Më e bukura Liria. 

Fluturuat e ratë
Mbi shkëmbin e shqipes,
Te rrënjë e arbrit

Sikur të mos binit ju
Lulet nuk do të kishin ngjyrë
As liria frymë

Fluturuat si shqipet
Te shenjat e shenjta
Të gjyshërve plisbardhë

Dhe dhatë lajmin e parë
Djem kish Shqipëria
Syshqiponjë Arbëria.


ZJARRET E DRENISË

Ç’janë këto zjarre dritë
Takim me yjet
Natën kallin flakë
Pushtimin hi.

Zjarr i Ahmet Delisë
Fushës së Arbërisë
Kushtrim i Azemit
O prite-vrite heu!

Zjarr i Tahir Mehës
Çan rrethimin zi
Flakë e Adem Jasharit
Drita  U Ç K !

Ç’ janë këto zjarre flakë
Takim me yjet,
Zjarret e Lirisë
Fushës së Arbërisë.


TAHIR SINANI

Një hap në Tropojë
Një në Kosovë
Tahir Gria
Ku i bie Arbëria?

Një hap në Pashtrik
Dy në Preshevë
Mic Sokol
Shigjetën hedh.

Një hap në Tiranë
Tre në Tetovë
Kufijtë e përgjakur
Mat me kokë.

Ku bie hapi, bie nami
Tahir Mal Sinani
Kushtron Shqipëria
Ka burra Arbëria!


KAPEDANI I GALLAPIT

Ditën e Madhe del nga balada
Hyn në legjendën e kombit
Sy shqiponjë, krahë petriti
Kapedan Zahir Pajaziti.

Vrap e vrap
Jep kushtrimin
Edmondi, Hakifi...
Çanë rrethimin...

Madhështor përballë Grandit
Me kallash në dorë
Koburën në brez
Lart emblemën UÇK.

Në Grand ngërdheshen horrat
Pinë uiski, luajnë me vota.


EMRIN E KANË ALBAN

I kthejnë një nga një
Në thasë najlonë
Veç shifra janë.

Një herë janë vrarë
Pastaj janë grirë
Djegur nga urrejtja.

Testi ADN zbulon
Grupin e gjakut
Dhe gjenin Alban.

 Në gjak janë larë
 Në shira lotësh
Mallkojnë, trishtojnë.

I kthejnë një nga një
Në thasë najlonë
Emrin e kanë Alban.

Kanë hequr shumë
Prehje kërkojnë
Një gur te koka.


NANA FATË

Ajo kishte fatin e emrit
Duke përjetuar shekullin
Me tri luftëra.

Kishte klithur në Luftën e Parë
Kishte parë Luftën e Dytë
Dhe kishte mbijetuar Luftën e Kosovës.

Ishte si të gjitha nënat,
Me të gjitha dhembjet e shekullit,
Më e dashura në botë.

Iku duke kënduar një ditë
Tha vetëm vend po ndërroj,
Nuse erdhi, nuse shkoi.




Cikël poetik nga Anila Kruti




Anila Kruti u lind në qytetin e Përmetit. Eshtë diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Në vitin 2006 boton vëllimin e parë poetik “Përtej skajeve me ëndrrën”. Gjatë kësaj kohe është aktivizuar me shkrimet e saj dhe prezantime letrare në gazetën “Shqip”, revistën ''Obelisk” etj.“Psherëtima e gjethes” është vëllimi i dytë poetik.






Natë apokaliptike

U vështruam gjatë nën zjarrin e yjeve
Dhe tokën lëvizëm nga ndjenjat dashurore.
E zgjuam botën...
E çmendëm tokën!
Ti gotën tënde ktheve të mbushur me pjalm vere,
dhe unë me lakuriqësinë e hënës,të mbulova eklipsuar,
sa i ndeza hatashëm ndjenjat e tua mizore...
E zgjuam botën...
E çmendëm qiellin dhe tokën!
E dehur nën këtë tis çmendurie,
të pëshpërita ëmbël mes tokës,qiellit,magjisë:”Unë ,ti,Zeusi...
në puthje titanike dashurish!”
Natë magjike...
Natë apokaliptike!
Unë marr nga madhështia e Zeusit...
Ti merr nga madhështia ime!


Ortek dashurie

Zgjohem...
Rrotullohem si uragan në hapësirën pa kufi.
Rrokullisëm si ortek i bardhë mbi univers.
Rrëshqas butësisht mbi trupin tënd.
Të prek ...
Të përpij në krahë!
Të ndjej...
Çdo qelizë të trupit tënd e mbush me jetë.
Rrokullisem...
Më vështrojnë...
Lakmohem...
Mbetem ëndërr në sytë e një burri.
Digjem zjarr në buzët e dashurisë.
Rrokullisem...
Nuk ndal!
Gjithandej...shpërthej në petale lulësie.
Të shkrij të gjithin në të miat pasione çmendurie.
Jam... Jam!
Ortek i pandalshëm dashurie...


Jam jetë

Ja,bota ime,
Planet me emrin poezi...
Shekull që rizgjon ëndrrat,
Planet që frymon dashuri.
Dhe vrull,jam...
dhe ndjenjë...
dhe ajër ne kraharorin tënd...
Dhe gjak në dejet e tua,
dhe ëndërr që të çmend.
Jam dhe pranverë dhe dielli i nxehtë.
Jam gjithçka shpirt...
Jam jetë!


Endërr e blertë

Në këtë orë ku toka ngrin nën akuj,
Mbi duart e tua unë jam,zjarr...
Zjarr...që përshkon hapësirën tënde cep më cep.
Ndez gjithçka aty...
Rrëshqas nëpër fytyrë dhe këmishën ëmbël t’a zbërthej.
Përlidhem lastar i vogël rreth qafës tënde.
Jam ëndërr e blertë!
Zjarr ,në të ftohtën e kësaj mbrëmjeje.


Kur ti, më thua: “Poezia ime...”

Fjala u ndez në metaforë.
Si kristale yjesh
mbi kraharorin tënd,bie...
Dhe nis rrëshqas ëmbël si ujëvarë,
Kur ti më thua:”Poezia ime...”

Vërshoj si burim i etur për blerim.
Dhe nis të depërtoj thellë, në gjak...
Poezi çmendurie jam unë.
Ndërsa ,ti diell  që më përflak.

Shtrirë nëpër gjethet e kuqe.
Si petal lulevjeshte mbi buzë, të bie...
Shpërthej e gjitha në puthje,
kur ti më thua:“Poezia ime...”


Më të vetmen, Virgjëreshë

E kam një dell të çmendur lesbik.
Ku dashurohem dhe puthem papushim.
Një dell që brenda shpirtit më përsos.
Dashurohem qiejve dhe zbres në tokë.
E kam një dell,gjithnjë e më marros.
Më tundon...
Më puth...
Më hyjnizon...
Një dell i çmendur lesbik.
Zgjuar netëve...
Ndezur shtrateve...
Me të vetmen,Virgjëreshë,
...Poezinë...

...

Flatro me mua në qiellin e dëshirës
dhe dashuroje çmendurinë time,
që ka jetë në shpirt...
“Se çmendurisë sime i’a puthin gjurmën,
edhe perënditë...!”


Përsiatje për librin “Diferencimi” të Bedri Tahirit


Dinjiteti dhe guackat

Përsiatje për librin “Diferencimi” të Bedri Tahirit

Nga Fatmir Minguli

I pari dhe besoj jo i vetmi libër me tregime i publicistit të mirënjohur kosovar Bedri Tahiri, i titulluar “Diferencimi” është një risi krejt e veçantë në letërsinë shqiptare që krijohet në Kosovë. Një buqetë me tregime të bukura, ku secili ka emër  si “Vetmia”, “Dinjiteti”, “Asnjanësia”, “Diferencimi”, “Nusja e praruar”, “Orekse të sëmura”, “Gulçimi”, Tjetërsimi” dhe “Plisi”. Buqeta ka erë të ndryshme, por të bashkuara në dorën e Bedri Tahirit, kundërmimi i tyre është krejt tjetër e shpërthen që andej nëpër malet e Kosovës, luginat e lumenjtë e saj, në kohët e historive të shkuara dhe pse jo dhe në hapësirat e së ardhmes. Është një buqetë popullore dhe atdhetare, një buqetë njerëzore, por më damarë zemërimi.

Zotëri Prend Buzhala, në pasthënien e këtij libri me tregime, me një përkujdesje plot sqimë letrare, arrin të përçojë tek lexuesi idetë themelore, ato më baziket që ngërthehen në çdo tregim të librit “Diferencimi”. Megjithatë, ndryshe do doja të nxirrja në pah disa aspekte që çuditërisht Bedri Tahiri i prek,  por nuk i përshkëndrit.
        Tregimi i parë “Vetmia” nuk është thjesht vetia e një burri që do të jetë i vetmuar, i papërzjerë me të tjerët. Kjo është se është. Por, Sokol Guri është Sokol dhe fluturon vetmitar, duke e ndërtuar jetën e tij privatisht dhe këtë veprim të stërgjatur për gjithë jetën ai heshtazi e ka të segmentuar. Nuk është thjesht shprehje popullore: A moj punë, punë e mirë që s’të bëri dora ime.
Përkundrazi ai është fantast. Ai parashikon se bashkëveprimi me të tjerët do ta sillte te keqkuptimi dhe te ngatërrimi i këmbëve të karavidheve. Ai arrin shkurt të jetë një personazh pak a shumë i Alber Kamysë apo pak a shumë i Kafkës, që gjithsesi i kishin dhënë jetës së tyre kuptim.
        Sokol Guri nuk ka guackë, ndryshe nuk është i futur në guackë. Guacka vjen e merr kuptim më të zjarrtë e më të vrullshëm në tregimin “Dinjiteti”. Edhe këtu kritika letrare normale ka folur mirë. Por, ajo që shqetëson, që thumbon trurin e Bedri Tahirit është një gjë më e fortë. Është pikërisht forma e guackës ku duan ta futin partitë e ndryshme shkrimtarin e që t’i shërbente interesave të tyre, se më pas do vinin tek botime të sponsorizuara, promovime me troftë e më verë Rahoveci etj.
Shkrimtari nuk i  njohu këto guacka. E vetmja parti që nuk  ka guackë në Kosovë është Kosova vetë. E për atë shkruan Bedriu.
Te tregimi tepër alegorik “Asnjanësia” Bedri Tahiri nëpërmjet një ngjarje fluorente sjell para lexuesit krahët e pemëve të Rilindjes Kombëtare, duke parashikuar gjithçka njëlloj si tregimi “Dinjiteti” kurrfarë guacke nuk mund ta futësh në shpinën  e drejtësisë.
A janë guackat pjesë të forta të rrëshqanoreve? Janë metaforikisht a mund të rrëshqanohet një burrë i moshuar me plis borë të bardhë në kokë. A ka dinjitet? Po guacka s’ka.
Tek lexon tregimin e jashtëzakonshëm “Plisi”, që për mua është një ese e mrekullueshme me nivel ndërkombëtar, më kujtohet fotografia që kam bërë përpara godinës së Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës. Ato kupetë e bardha, plisa të mendjeve të ndritura e  trimave të tejgjithkohëve më tronditin në shpirt. A ka simbolizëm më të madh se plisi. Dhe ata arkitektë që i zbatuan ato plise të bukur duhen kujtuar e nderuar.
Ndërsa inersektimi i Bedri Tahirit me autorë të mëdhenj të rilindjes europiane si me Eduardo De Amiçis, apo disa autorë të tjerë italianë e francezë, na çon të mendojmë se Bedri Tahiri del tej përte idesë së thjeshtë të të shkruarit tregim. Kjo nuk ndodh vetëm me tregimin tronditës “Diferencimi” por dhe me “Orekse të sëmura”.
Një aspekt modern të denjë për literaturën e sotme intelektuale europiane na jep tregimi “Gulçimi”. Nuk është vetëm lufta e plakut për t’u kthyer në fshat, pra lufta e pleqve të Kosovës që i bien djemtë e tyre në fshat. Ky është problem europian e ndoshta më tej. Fenomenet e ambjentalizmit të ngërthyera nga ato globaliste po çojnë drejt kërkimit të shtigjeve të jeshilta, drejt hapësirave me ajër të pastër etj etj.
Kështu, kushdo që mendon se Bedri Tahiri ka bërë thjesht një libër me tregime, sepse ashtu i erdhën radhë, nuk më duket i vërtetë.
Tetëmbëdhjetë libra  nuk janë thjesht numra librash, por ndryshe janë qëmtime portretesh të heronjve realë, nga të cilët publicisti i specializuar Bedri Tahiri ka ditur të marrë pjesë njëlloj si ai piktori i madh që merrte porcione nga fytyrat e njerëzve e krijonte veprën e vet të padiskutueshme.
A nuk veproi kështu piktori ynë i madh Ibrahim Kodra që futi në masivitet në pikturat e tij trekëndëshin e plisit të bardhë.
Libri “Diferencimi” i Bedri Tahirit kërkon më shumë diskutim. Kurrësesi nuk duhet mbetur në hullitë e promovimeve me buzëqeshje  e vetëm buzëqeshje

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...