2012-12-13

Amerikanët që çliruan Kosovën, kthehen si biznesmenë



Kryeministri Hashim Thaçi e ka punën pisk. Ndërmarrja më e madhe dhe më fitimprurëse e shtetit të tij, kompania shtetërore e telekomunikacionit, është pranë shitjes. Shtyrjet me bërryla në mesin e blerësve janë intensifikuar. Ngushtimi i ofertave vështirë se ka për të ndihmuar gjë, shkruan “New York Times”.

Një ofertë është bërë nga një fond i themeluar nga ish-Sekretari i Shtetit Madeleine K. Albright. Lobimi tjetër bëhet nga James W. Perdew, përfaqësuesi special për Ballkanin i epokës së Clintonit. Të dy ish diplomatët janë në mesin e amerikanëve të cilët e mbajnë statusin e heronjve këtu, për rolet e tyre në ndërhyrjen e vitit 1999, që ka ndarë Kosovën nga Serbia dhe që krijoi një nga shtetet më të reja në botë.

Në një takim me z. Pardew në tetor, kryeministri e sqaroi pozicionin e “vështirë” të tij në përcaktimin në mes të dy blerësve - thotë një kabllogram që rrodhi në gazetën “Zëri” - “sepse cilido prej dy ofertuesve që fiton, ai do të shihet nga dy milionë njerëzit e tij se ka tradhtuar tjetrin”.

Shumë ish-zyrtarë amerikanë janë kthyer në Kosovë për biznes - në qymyr dhe telekomunikacion, ose për lobim për kontratat tjera fitimprurëse qeveritare - sa që është vështirë për t'i mbajtur ata larg nga ballafaqimi.

Këtu përfshihet edhe Wesley K. Clark, një gjeneral i pensionuar, ish-komandant i forcave të NATO-s për Evropë, që udhëhoqi fushatën e bombardimeve kundër Sllobodan Millosheviqit; si dhe Mark Tavlarides, i cili ishte drejtor legjislativ i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, në kohën e Clintonit.

Departamenti i Shtetit nuk ka politikë që ndalon ish diplomatët nga lobimi në emër të kombeve ku ata kanë shërbyen ose kthimin atje për përfitim, pos rregullit që zbatohet për shërbyesi federal në tërësi, e që ndalon zyrtarët e lartë për të kontaktuar agjencitë ku ata kanë punuar dhe ndalimi i përjetshëm i të punësuarve federalë për të këshilluar për çështjet e njëjta.

Kosova nuk është vendi i vetëm ku ish-zyrtarët janë kthyer për të bërë biznes - Iraku është një shembull tjetër - por, ajo paraqet një rast ekstrem, dhe ndoshta një gjendje të vështirë e të veçantë etike, duke pasur parasysh ndikimin enorm amerikan këtu. Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, mund të jetë i vetmi qytet në botë ku rruga “Bob Dole” kryqëzon bulevardin “Bill Clinton”.

Ekspertët e politikës së jashtme thonë se praktika e ish-zyrtarëve që të kthehen për biznes është më e zakonshme sesa pranohet publikisht. Privatisht, ish zyrtarë pranojnë mundësinë e konfliktit të interesave dhe madje edhe potencialin për të ndikuar në politikën e jashtme amerikane, pasi diplomatët - të cilët tradicionalisht kanë bërë karrierën në shërbimin publik - tani i kthehen shpesh punëve fitimprurëse në sektorin privat.

Të pyetur për koment, ish zyrtarët e përfshirë në këtë thonë se nga marrëdhëniet e tyre të biznesit me qeverinë e Kosovës do të përfitojnë kosovarët duke ndërtuar një ekonomi më të begatë.

“Ne po shkojmë për të punësuar njerëz, të ofrojë trajnime, të krijojmë eksporte, për të ndihmuar vendin që të rritet dhe të zhvillohet si një demokraci”, tha gjenerali Clark, i cili është kryetar i “Envidity”, një kompani kanadeze e energjisë që kërkon të eksplorojë depozitat e linjitit dhe qymyrit në Kosovë, për të prodhuar karburante sintetike.

Lawrence Lessig, një profesor i drejtësisë dhe drejtor i Qendrës J. Edmond Safra për Etikë në Harvard, tha se dukuria e “arkëtimit” rrezikon minimin e prestigjit të Shteteve të Bashkuara, duke turbulluar natyrën humanitare të ndërhyrjes më 1999, që synonte dhënien fund të mizorive serbe kundër kosovarëve.

Pas ndarjes, Kosova ishte një protektorat ndërkombëtar i drejtuar nga mijëra zyrtarë nga vendet e tjera, Kombet e Bashkuara që shërbenin si qeveri përfaqësuese, si dhe nga kontraktorët privatë. Katër vite të “pavarësisë së mbikëqyrur” ndërkombëtare përfunduan në shtator. Rreth 6.000 paqeruajtës mbesin ende aty.

Ngushtimi i lidhjeve mes shtetëndërtuesve dhe shtetit që ata ndërtojnë e ka bërë të lehtë për zyrtarët ndryshimin e roleve. Edhe pse vendi është një prej më të varfërve të Evropës, aty ka ende potenciale për përfitime, sidomos kur Qeveria privatizon asetet kritike.

“Albright Capital Management”, e themeluar nga znj. Albright, ka qenë në listën e ngushtë për 75 për qind të aksioneve në kompaninë shtetërore të telekomunikacionit, PTK-së. Shitja e kompanisë pritet të sjellë 400-800 milionë dollarë.

Drejtuesit e lartë të një kompani simotër, “Albright Stonebridge Group”, tashmë janë aksionarë të vegjël në konkurrentin e vetëm të PTK-së, kompanisë private IPKO, gjë që ngritë brenga për kërcënimin e tregut të konkurrencës nëse konsorciumi Albright fiton ofertën.

Z. Pardew, ish i dërguari amerikan, ka lobuar tek zyrtarët kryesor të Kosovës në emër të konsorciumit konkurrues, “Twelve Hornbeams S.a.r.l /Avicenna Capital LLC”.

Kabllogrami i takimit të kryeministrit me z. Pardew, brenda konsorciumit u zbulua nga dikush që ishte i pakënaqur me drejtimin e procesit të tenderit. Zgjedhja e z. Pardew si misionar i tyre kishte “rëndësi jetike”, thekson kabllogrami, pasi elita e Kosovës “e njeh dhe e do për rolin e tij në terren gjatë luftës”.

Pasi dokumenti u bë publik, z. Pardew u tërhoq nga lobimi për konsorciumin, dhe ai nuk pranoi të komentonte gjë. Është e mundur që asnjëri nga ofertuesit e mbështetur nga amerikanët nuk do të fitojë tenderin, gjë për të cilën pritet të vendoset në janar.

Zonja Albright iu përgjigj kërkesës për intervistë me një deklaratë. Duke përmendur kufizimet gjatë procesit të tenderimit, deklarata nga Nelson Oliveira, drejtor dhe këshilltar i përgjithshëm i “Albright Capital Management”, thotë në një pjesë: “Ne i kemi marrë seriozisht të gjitha detyrimet tona - ligjore dhe etike, në këtë dhe në të gjitha investimet e tjera të mundshme”.

“Ne besojmë se privatizimi transparent, i menaxhuar mirë, i kompanisë shtetërore të telekomunikacionit duhet të sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonominë dhe popullin e Kosovës”, shton deklarata.

Qeveria e Kosovës ka mohuar se ndonjë nga diplomatët mori trajtim të veçantë.

“Unë shpresoj se ata do të bëjnë para në Kosovë dhe se Kosova do të bëjë para nga investimet e tyre,”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi. “Qeveria e Kosovës nuk do të zgjedhë një kompani vetëm se ajo është amerikane”.

Telekomunikacioni në Kosovë mund të jetë një biznes i vështirë. Më vitin 2007, njerëz të armatosur u përpoqën - së pari me armë zjarri, e pastaj me një sulm me mortaja në makinën e tij - për të vrarë Anton Berishën, kreun e agjencisë rregullatore të telekomunikacioneve. Ai i mbijetoi të dy tentimeve që ndodhën jo shumë kohë pasi ai e dha licencën e dytë për celularë tek kompania sllovene IPKO. Një vit më vonë ai u bë ambasador në Slloveni.

Në vitin 2004, Albright u bë këshilltare speciale e kryetarit të bordit të IPKO-s, Akan Ismaili, i cili tani është ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja telekomunikacionit është vetëm një nga shumë të tjerat tek të cilat kanë anuar amerikanët. Projekti më i madh infrastrukturës në ish-Jugosllavi, një shtrirje prej 63 miljeve e autostradës që lidh Prishtinën me kufirin shqiptar, iu dha në vitin 2010 kompanisë “Bechtel” nga San Francisko - në një ndërmarrje e përbashkët me një kompani turke, “Enka”.

Në atë kohë, kryeministri e ka vlerësuar marrëveshjen në një miliard dollarë.

“Bechtel” kishte ndihmë në marrjen e kontratës nga z. Tavlarides, drejtor legjislativ në Këshillin Kombëtar të Sigurisë gjatë ndërhyrjes në Kosovë më 1999. Sipas një raporti lobues të plotësuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Tavlarides ka lobuar në emër të “Bechtel” për “çështjet që ndërlidhen me autostradën”, derisa ai ka punuar për “Van Associates Scoyoc”, një firmë lobuese me bazë në Washington.

Z. Tavlarides tani punon tek “Podesta Associates”, i cili nënshkroi një kontratë mujore prej 50 mijë dollarëve me Qeverinë e Kosovës më 1 janar, duke i këshilluar ata në komunikimet dhe forcimin e lidhjeve të Kosovës me qeverinë e Shteteve të Bashkuara. “Podesta Associates” ishte bashkë-themeluar nga John Podesta, shefi i personelit në Shtëpisë e Bardhë gjatë mandatit të dytë të z. Clinton. Z. Podesta e la firmën në vitin 1993. Ajo tashti është në pronësi të vëllait të tij, Anthony.

Z. Tavlarides nuk pranoi të komentonte, duke cituar politikën e firmës së tij që të mos flas me mediat për klientët.

Nga ana e tij, gjenerali Clark tha se ishte “fyese” për të menduar se mund të ketë ndonjë konflikt mes profitit privat dhe përgjegjësive të tij të kaluara. “Biznesi im është pa dinakëri, transparent dhe i ndihmon popullit të Kosovës”, tha ai. “Ne do të përdorim një burim që nuk kishte asnjë vlerë për popullin e Kosovës dhe për të sjellë qindra miliona dollarë të investimeve”.

Sipas Pentagonit, oficerët ushtarakë të SHBA-ve kanë një vit të ndalimit pas në pension për të kontaktuar ish shërbimin e tyre për çështje zyrtare, dhe një ndalim jetësor në lidhje me çështjet për të cilat ata punonin.

Grupet monitoruese kanë ngritur mundësinë që Qeveria e Kosovës mund ta shoh biznesin me ish zyrtarët amerikanë si një kanal me administratën aktuale të Shteteve të Bashkuara. Ata gjithashtu frikësohen se ndikimi i ish-zyrtarëve zvogëlon konkurrencën dhe lëndon konsumatorët.

Shfaqja e një favorizimi të disa kompanive ka dekurajuar konkurrentët “sepse ata e dinë se loja është përcaktuar”, thotë Avni Zogiani, një gazetar kosovar i cili kryeson një organizatë antikorrupsioni në Prishtinë, “Çohu”, e që ka hetuar lidhjet midis biznesit të telekomunikacionit, krimit dhe politikës. “Nuk ka asnjë interes për të investuar më në Kosovë nga kompanitë me reputacion”.

Edhe disa ish-zyrtarë e shprehin sikletin në shtrirjen ndërveprimit në mes të ujdive dhe diplomacisë.

Steven P. Schook, një brigadier në pension i Shteteve të Bashkuara dhe ish shef i shtabit të KFOR-it, forcë e NATO-s në Kosovë, tha se ai kishte “ndjenja të përziera” në lidhje me këtë.

Z. Schook, i cili gjithashtu ka shërbyer si zëvendës i kreut të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është kthyer si një konsulent privat për kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili ishte liruar muajin e kaluar nga gjykata e krimeve të luftës në Hagë. Ai thotë se punon për z. Haradinaj për shkak të një besimi në udhëheqjen e tij dhe se kompensimi i tij i vetëm janë shpenzimet e tij që jeton në Kosovë, rreth 2.600 dollarë në muaj.

“Ka shumë ish diplomatë që vijnë e shkojnë dhe që tash përfaqësojnë interesat e tyre private”, tha ai. “Nëse unë jam një korporatë e madhe dhe unë dua të jem konkurrues, unë dua të punoj me njerëzit që më ndihmojnë për ta bërë këtë”.

“Por, nga ana tjetër, duket pak vulgare”, shtoi z. Schook. “Një minutë ju jeni duke çliruar një vend, dhe në minutën tjetër ju jeni duke u përpjekur për të marrë një tender të energjisë”.

FBI arreston hakerin nga Maqedonia


Byroja Federale për Hetim (FBI) ka arrestuar dhjetë persona të dyshuar se kanë vjedhur shfrytëzuesit e rrjetit social “Facebook”.

Në mesin e të arrestuarve, sipas portalit suedez mobil.idg.se, është edhe një shtetas i Maqedonisë.

Ata dyshohen se kanë shfrytëzuar një softuer malicizioz përmes të cilit kanë infektuar mbi 11 milionë kompjuterë në mbarë botën, duke shkaktuar dëm në vlerë prej 850 milionë dollarë.

Sipas FBI-së, softueri mund të përdoret për t’u vjedhur shfrytëzuesve numrat e kartelave kreditore, të llogarive bankare dhe të dhëna të tjera.

Krahas shtetasit të Maqedonisë, në grupin e të arrestuarve ka edhe persona nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacisë, ndërsa të tjerët janë shtetas të Zelandës së Re, Perusë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së.

Siguria e “Facebook” u ka ndihmuar autoriteteve amerikane për të identifikuar të dyshuarit.

Gjenocidi është vrasja e qëllimshme a njerëzve në baza etnike, nacionale, racore, religjioze

Flori Bruqi

Gjenocidi është vrasja e qëllimshme a njerëzve në baza etnike, nacionale, racore, religjioze apo (nganjëherë) politike, si dhe veprime tjera të qëllimshme që shpijnë në eliminimin fizik të ndonjë kategorie të mësipërme.

Nuk ka ujdi nëse termi gjenocid duhet të përdorët për vrasjet masive të motivuara politikisht në përgjithësi, por në përditshmëri ky term përdoret thjeshtë si vrasja masive e qëllimshme e civilëve. Viktimat e gjenocidit në shekullin e kaluar llogariten të kenë qenë 40 milion njerëz.


Termi gjenocid është krijuar nga Rafael Lemkin (1900-1959), një shkollar juridik hebre, më 1943, nga rrënjët “genos” (greqisht për familje, fis, ose racë) dhe “–cid” (latinisht - occidere, me vra). Kjo u arrit më 1948, me Konventën për Ndalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

Pas nënshkrimit të minimumit prej 20 vendeve, Konventa u bë ligj ndërkombëtar më 12 janar, 1951. Në atë kohë, vetëm dy nga pesë anëtarët permanent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ishin nënshkrues, Franca dhe Tajvani.

Eventualisht, Bashkimi Sovjetik e ratifikoj atë m 1954, Mbretëria e Bashkuar më 1970, Republika Popullore e Kinës më 1983, dhe Shtetet e Bashkuara më 1988. Kjo vonesë në përkrahjen e Konventës nga kombet më të fuqishme të botës shkaktoj lëngim të saj për katër dekada. Vetëm më 1990-at filloj zbatimi i ligjit ndërkombëtar mbi krimin e gjenocidit.


Definimet e gjenocidit

Shumica e debatit rreth gjenocidit sillet rreth definicionit të duhur të fjalës “gjenocid”.

Ja çka Lamkin tha rreth definicionit të “gjenocidit” në miratimin e tij fillestar si ligj ndërkombëtar në Kongreset e Gjenevës:

Në përgjithësi, gjenocid nuk do të thotë shkatërrimi i menjëhershëm i një kombi, përveç kur mbërrihet nga vrasja masive e të gjithë anëtarëve të një kombi.

Përkundrazi ka për qëllim të nënkuptoj një plan të koordinuar të veprimeve të ndryshme me qëllim të shkatërrimit të bazave thelbësore të jetesë së grupeve kombëtare, me qëllim të shkatërrimit të vetë grupeve.

Objektivë e një plani të tillë do të ishte shpërbërja e institucioneve politike dhe social, kulturës, gjuhës, ndjenjave kombëtare, religjionit, dhe mbijetesës ekonomike të grupeve kombëtare, dhe shkatërrimit të sigurisë personale, lirisë, shëndetësisë, dinjitetit, e madje edhe jetët e individëve që i takojnë grupeve të tilla.

Gjenocidi si krim nën ligjin ndërkombëtar

Konventa për Ndalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit u ratifikua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar më 9 dhjetor, 1948, dhe hyri në fuqi më 12 janar, 1951.

Ajo përmban një definicion të pranuar ndërkombëtarisht, i cili u përfshi në legjislacionin kriminal kombëtar të shumë vendeve, si dhe u pranua nga Statuti i Romës i Gjyqit Penal Ndërkombëtar, traktati që themeloj Gjyqin Kriminal Ndërkombëtar. Konventa (në nenin 2) definon gjenocidin si "cilin do nga veprat në vazhdim kryer me qëllim të shkatërrimit tërësisht ose pjesërisht të një grup kombëtar, etnik, racor, ose religjioz: si:"

(a) Vrasjen e anëtarëve të grupit;
(b) Lëndim serioz trupor apo mental të anëtarëve të grupit;
(c) Shkaktim të qëllimshëm të kushteve jetësore llogaritur të sjellin shkatërrim të pjesshëm apo të plotë fizik;
(d) Marrja e masave për të ndaluar lindjet brenda grupit;
(e) Transferimi me dhunë i fëmijëve nga një grup në tjetrin.

Drafti i parë i Konventës përfshinte edhe vrasjet politike but u huq me insistimin e Bashkimit Sovjetik. Përjashtimi i grupeve sociale dhe politike si cak i gjenocidit in këtë definicion legal është kritikuar. Në përdorimin e përditshëm të kësaj fjale, këto grup shpesh përfshihen.

Përdorimi i rëndomtë po ashtu nganjëherë e barazon gjenocidin me vrasjen masive të sponsorizuar nga shtetit, por gjenocidi, siç është definuar nga larta, nuk nënkuptoj vrasje masive (apo çfarëdo vrasje) as që çdo vrasje masive nuk është detyrimisht gjenocid.

Përfshirja e një qeverie po ashtu nuk kërkohet. Fjala 'gjenocidi' nganjëherë po ashtu përdorët në një kuptim më të gjerë, si "skllavëria ishte gjenocid", por ky përdorim devijon nga definicioni ligjor i krijuar nga KB.

Ligji ndërkombëtar

Të gjithë nënshkruesit e konventës së mësipërme kërkohet që të pengojnë dhe dënojnë aktet e gjenocidit, si në paqe ashtu edhe në kohe lufte, megjithëse disa pengesa e bëjnë zbatimin e kësaj të vështirë.

Gjenocidi konsiderohet problem ndërkombëtar, dhe me të merren KB, dhe asnjëherë nuk mund të trajtohet si problem i brendshëm i një vendi.

Pranohet se, se paku që nga Lufta e Dyte Botërore, gjenocidi është ilegal nën ligjin zakonor ndërkombëtar si një normë e prerë, si dhe në ligjin konvencional ndërkombëtar. Aktet e gjenocidit janë vështirë të nxirren para drejtësisë pasi qe “qëllimi,” demonstrimi i zinxhirit të përgjegjësisë duhet të tregohet.

Gjenocidet në histori.

Gjenocidi shfaqen rregullisht në historinë e civilizimit. Shprehja “kurrë më” shpesh përdorur në marrdhënie me gjenocidin, është thyer deri në ditët e sotme.

Përcaktimi i ngjarjeve historike për ndryshim nga aktet kriminale apo sjellje johumane nuk është çështje e lehtë.

Për më tepër, pothuajse në të gjitha rastet kur akuzimet për gjenocid kanë qarkulluar, përkrahësit e anëve të ndryshme kanë kundërshtuar me forcë interpretimin dhe detajet e ngjarjes. Akuzimi për gjenocid nuk merret lehtë dhe pothuajse gjithmonë rezulton në polemikë.

Fazat e gjenocidit dhe përpjekjeve për ta penguar atë

Sipas Dr. Gregory Stanton, President i Genocide Watch, gjenocidi zhvillohet në tetë faza:
Klasifikimi: njerëzit ndahen në "ne dhe ata".

Simbolizmi: "Kur të kombinohen me urrejtje, simbolet mund të asociohen mbi anëtarët mosdashjes të grupeve viktima...Për të luftuar simbolizmin, simbolet e urrejtjes mund të ndalohet me ligj … si dhe gjuha e urrejtjes."

Dehumanizimi: "Dehumanizimi mundëson tejkalimin e neverisë normale njerëzore kundër vrasjes."

Organizimi: "Gjenocidi është gjithmonë i organizuar... Forca të veçanta ushtarake apo paramilitare shpesh armatosen dhe trajnohen.... Për të kaluar këtë fazë, anëtarësimi në këto grupe duhet të ndalohet me ligj."

Polarizimi: "Grupet urryese shpërndajnë propagandë polarizuese... Ndalimi i kësaj arrihet nëpërmjet mbrojtjes së udhëheqësve të moderuar ose ndihmesës së grupeve për të drejtat e njeriut..."

Identifikimi: "Viktimat identifikohen dhe ndahen në bazë të identitetit etnik apo religjioz... Në këtë fazë, një alarm i gjenocidit duhet të thirret..."

Asgjësimi: "Në këtë fazë, vetëm intervenimi i shpejtë i armatosur mund ta ndaloj gjenocidin. Zona me të vërtetë të sigurta apo korridore për largimin e refugjatëve duhet të krijohen në mbrojtjen e armatosur ndërkombëtare."

Mohimi: "Autorët e krimit... mohojnë kryerjen e ndonjë krimi... Përgjigja ndaj mohimit është dënimi nga një tribunal ndërkombëtar apo gjyq kombëtar."

Shpërthimi i urrejtjes

Për urrejtjen e të frustruarve nga feja e ideologjia. Për islamin “tim” dhe islamin e “atyre”. Për shoqërinë dhe shtetin çfarë e duam.

Nga Imer Mushkolaj

Asnjëherë nuk kam marrë më shumë akuza, sharje, fyerje e kërcënime për ndonjë shkrim në gazetë, sesa javën e kaluar. Në telefon, email e Facebook çfarë s’më kanë thënë e si s’më kanë quajtur. Të prezantuar si “myslimanë të vërtetë”, “luftëtarë të islamit” më kanë paralajmëruar se do ta pësoj keq kur ata të vijnë në pushtet. Më kanë shpallur luftë. Më kanë kërcënuar edhe me vdekje.

Për ditë të tëra jam shndërruar në njeriun më të urryer në debatet e tyre nëpër portale interneti, në personazhin më të përmendur në web faqet që propagandojnë islamin si fe të paqes e të mëshirës. Krejt shkaku i shkrimit të botuar javën e kaluar, në këtë gazetë, në të cilin tërheqja vëmendjen për rrezikun që i kanoset Kosovës nga radikalët islamikë.

Në mesin e atyre që më kanë fyer, sharë e kërcënuar ka pasur të atillë që më kanë akuzuar si njeri të shitur dhe antiislamist, që po shkruakam për para të majme, paguar nga kushedi kush. Nga Izraeli. Edhe nga Serbia. Të tjerë më kanë cilësuar antikombëtar, tradhtar e islamofob.

Gjithë ky shpërthim urrejtjeje ndaj meje vetëm për shkak se, si qytetar i lirë i këtij vendi, kam shprehur një mendim të lirë për lirinë e këtyre njerëzve që t’i realizojnë qëllimet e tyre, aspak fisnike, të papenguar nga askush.

Feja, besimi janë personale, shpirtërore. Ashtu si dhe praktikimi i besimit të gjithësecilit dhe komunikimi që gjejnë me atë që i besojnë. Por kur cilado fe, cilido besim keqpërdoret nga dikush për agjenda të ndryshme (edhe politike), me qëllimin që të ndryshojnë edhe identitetin e një shoqërie, një vendi, atëherë kemi të bëjmë me diçka tjetër. Diçka që këtyre njerëzve iu dhemb kur u thuhet publikisht. Qoftë edhe nga një qytetar i rëndomtë që, thjesht, brengoset se në çfarë shoqërie do t’i rriten fëmijët nesër. Atëherë ata sulmojnë, kërcënojnë e akuzojnë, duke menduar se në këtë mënyrë mund t’ua ndalojnë të tjerëve që nuk mendojnë si ata edhe të shprehen lirshëm.

Unë nuk kam fobi ndaj islamit, as ndaj identitetit tim fetar e kombëtar. Por po, kam fobi ndaj keqpërdoruesve të fesë. Ndaj atyre që bëjnë keq në emër të fesë. E shumica e atyre që kërcënojnë duket se kanë fobi nga vetja, nga identiteti i tyre.

Mund të ndodh që edhe mallkojnë veten pse kanë lindur në Kosovë, e jo diku tjetër. Diku ku do të mund të ndiheshin më rehat me mënyrën e praktikimit të besimit të tyre dhe ku nuk do të kishin nevojë të përpiqen që t’u imponojnë të tjerëve diçka që ata e ndiejnë se nuk është e vetja.

Unë ndihem rehat këtu ku jetoj. Jam rritur në një mjedis normal fetar, kam lexuar dhe vazhdoj të lexoj për islamin dhe për fe të tjera. Nuk më pengon askush pse i takon një feje a etnie tjetër. Për mua Skënderbeu nuk është tradhtar, që i paska luftuar osmanët, e as Nënë Tereza nuk është lavire, që i paska ndihmuar të sëmurët. Por, si të gjithë njerëzit e vetëdishëm e të ndërgjegjshëm, nuk mund të hesht kur shoh se ç’po ndodh rreth nesh.

Nuk mund të hesht kur shoh si përpiqen t’i keqpërdorin fëmijët “në emër të fesë”.

Nuk mund të hesht kur përhapet urrejtje “në emër të fesë”.

Nuk mund të hesht kur propagandohet luftimi i tjetrit “në emër të fesë”.

Nuk mund të hesht kur propagandohet jotoleranca dhe dhuna “në emër të fesë”.

Të fesë islame, në këtë rast.

* * *

Më ka ardhur keq për nivelin e gjuhës dhe kulturës së shumicës së atyre që më kanë fyer, sharë e kërcënuar. Një shqipe që më së paku mund të quhet e tillë dhe që të krijon përshtypjen se njerëzit që e kanë shkruar nuk lexojnë sa duhet. Madje as aq sa për të mundur të debatojnë normalisht. Por, ja që të tillët janë të gatshëm të hedhin helm e vrer kur i prek në tel.

Këto janë vetëm disa nga cilësimet që m’i kanë bërë komentuesit / kundërshtuesit e shkrimit tim – bashkëkombasit dhe bashkëfetarët e mi: “dashakeq i islamit”, “shka”, “shka shqipfolës”, “shkërdhatë muti”, “narkoman”, “pijanec”, “qen”, “i shitur”, “i asimiluar”, “i pafe”, “tradhtar”, “sorosist”, “majmun”, “adhurues i djallit”, “hipokrit”, “tuc”, “i prishtë”, “argat i djallit”, “racist”, “ma shka se shkijet, t’bijtë e shkinave”, “i korruptuar”, “i pamend”, “balosh”, “antikombëtar”, “mercenar antifetar e antishqiptar”, ”i pamoralshëm”, “hajvan”, “i paguar nga qarqe çifute”, “i poshtër”, “monstrum”, “ndyrësisë”, “qafir”, “idiot”, “budallë”, “teveqel”, “komunist”. Plot të tjera sharje që më janë adresuar nuk më lejon etika t’i bëj publike këtu. Sikurse as disa nga kërcënimet e poshtra dhe perverse – edhe më të poshtra se ato të stilit “kemi me të kallë në zejtin të nxehtë” ose “kemi me të rrjepë si qen”.

Unë e di se kjo gjuhë dhe këto cilësime nuk i takojnë një myslimani të mirë. Më tepër dalin nga gojët e njerëzve të frustruar dhe të shituar dogme e ideologjie. Sepse, islami është fe e paqes dhe e tolerancës. Si të tillë e njoh unë, e jo si fe të urrejtjes, kërcënimeve e dhunës.

Ky nuk është islami im.

Gjuha e urrejtjes mbi baza etnike në mediat e EJL-së & Bashkëpunimi i brezit të ri të artistëve në Ballkan


1. Mediat kanë luajtur një rol jashtëzakonisht negativ në periudhën e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe luftërave të përgjakshme në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë gjatë viteve 90-të. Përmes gjuhës së urrejtjes janë nxitur elementët ekstremistë brenda një kombi në luftën kundër kombeve të tjera. Gjuha e urrejtjes mbi baza etnike sot është më pak e pranishme në mediat e hapësirës së Evropës Juglindore, por është ngritur niveli i urrejtjes ndaj grupeve tjera minoritare. Bahri Cani.
2. Bashkëpunimi i brezit të ri të artistëve në Ballkan dhe në Evropë është realizuar edhe përmes krijimit të kolonive të artit në kryeqytetet e rajonit apo më gjerë. Sivjet Kolonia e artit 2010 u zhvillua në Shqipëri dhe u kurorëzua me një ekspozitë pikture në Tiranë. Çfarë prurjesh artistike sjell brezi i ri i krijuesve ballkanas në artet figurative?

Gjuha, revolta dhe kuptimi i jetës




Elsa Demo

Në një botim të viteve dymijë “Trashëgimia në rrezik”, titull që sot ka gjetur përdorim të shpeshtë në fushata sensibilizuese, ka dhe një foto, të njërit prej autorëve, Fatos Lubonja. Te ajo foto bardhë e zi ai ndodhet para një peme monumentale, si para një tempulli, veçse me zgavrën e trungut të djegur përdorur si oxhak, një hap tej “Syrit të Kaltër”. E gjejmë me kuptim për ta nisur bisedën nga kjo foto, kur Lubonja po linte grupin modest të protestuesve në mbrojtje të trashëgimisë, dje, pranë Parkut të Tiranës, përgjatë Rrugës së Elbasanit, në atë segment, ku po përparon zgjerimi i rrugës dhe prerja në të dy krahët e pemëve.

Analizat e Lubonjës në muajt e fundit përveçse më të shpeshta, kanë shtuar dozën e revoltës qytetare, e kritikës ndaj sistemit politik dhe pretendimin ndaj të ngjashmëve të tij për ta reshtur këtë pasivitet. Kemi parasysh shkrimet për zgjedhjen e presidentit, për humbjen e dialogut politik, për universitetet private, për mosshpërblimin e ish-të përndjekurve politik dhe përdorimin e tyre si mall elektoral. Më të shumtat godasin primitivizmin politik si përgjegjës të drejtpërdrejtë të humbjes së sigurisë dhe shpresës te njerëzit.

Diku ai kujton Montanelin që në fund të viteve ’70 u bënte thirrje italianëve para votimeve: “Mbyllni hundët dhe votoni demokristianët”, ndërsa konstaton se shqiptarët e tij “i kanë hundët të zëna tashmë; ato qimet e hundëve që ndiejnë qelbjen rëndë të politikës janë të tejmbushura dhe s’japin më asnjë shenjë”.

Diku tjetër as e ndjen të përmbahet e t’i përqasë seritë e telenovelave politike me “ndarjet e nevojtoreve allaturka të shkollave në kohën e komunizmit, ku nuk ishte problem era, por vendi se ku duhet të kryeje nevojën, pasi ishin të mbushura tumllas me mullarë m…trash dhe duhet të hapje njërën derë pas tjetrës për të gjetur atë se ku mund të vije këmbët, të paktën”.

Thirrja e përsëritur e Fatos Lubonjës është: Kush kërkon një Shqipëri ndryshe, që s’mbytet në pellg, qoftë edhe një President ndryshe, duhet të lëvizë, e jo ta presë ndryshimin nga ambasadorët e botës.

Më 24-26 qershor, Lubonja është ftuar të mbajë një bisedë me artistë të rinj të Stamboll mbi temën “Fjalët dhe shpresa”. Ishte kërkesë e dy studiueseve që u frymëzuan nga eseja e tij “Kuraja dhe tmerri i vdekjes” e vitit 2002. Përsëri fjala dhe përsëri shpresa që buron saj, edhe kur është e rreptë në pesimizmin e saj.

Rezistenca juaj në mbrojtje të trashëgimisë ka një fillim. Nga një botim i hershëm ku trajtoni gjendjen e trashëgimisë pas ‘90-s, është për t’u kujtuar një foto bardhë e zi, në “Syrin e Kaltër” të Sarandës. Ai lis i djegur ka mbetur një konstante e shkatërrimit, dje në jug sot në Parkun e Tiranës.

Unë e shikoj si shprehje të së njëjtës sëmundje që shfaqet gjithandej. “Syrin e Kaltër” e kam trajtuar si një tempull, si një gjë të shenjtë. Gëteja thotë se e shenjta është ajo që bashkon shumë shpirtra. S’mund të jetë vetëm feja që bashkon shumë shpirtra. Edhe një monument kulturor, edhe një monument i natyrës bashkon shumë shpirtra, si “Syri i Kaltër”.

Shoqëria shqiptare sot është e paaftë për të ruajtur të shenjtat për t’u bashkuar, për të mbrojtur atë që quhet publike. Egoizmi, babëzia individuale që është stadi më primitiv i njeriut, nuk ka arritur dot të ndërtojë publiken, komunitetin, të shenjtat të cilat na bashkojnë, e që janë pjesë e historisë, që krijojnë lidhjen midis të shkuarës dhe të ardhmes, midis individit dhe shoqërisë. Kjo mungon. Dhe atëherë shikojmë individë që vërsulën të rrëmbejnë çdo gjë publike për ta mbajtur rreth vetes. Unë e quaj këtë që është sot ekstremin tjetër të asaj që ishte komunizmi.



Pse sillni paralele me komunizmin?

Nuk mendoj që komunizmi ishte e kundërta e kësaj që është sot. Por sepse komunizmi deresponsabilizojë njeriun, i mori ai përsipër të gjitha, nuk u bë i aftë njeriu të ndërtojë komunitetin e vet, të ndërtojë të shenjtën e vet, t’i ruajë gjërat vetë. Ishte shteti që ia ruante, shteti ia pastronte rrugën, i bënte shteti të gjitha ato gjëra që duhej t’i bënte ndjenja e komunitetit.

Në këtë kuptim jemi në anën tjetër të medaljes. Kur iku shteti, kjo shoqëri shpërtheu në individualizëm ekstrem. Vjedhjet në Butrint, Apolloni, apo kur shkatërron një monument kulture dhe bën gjëra të tilla siç është dhe rasti në fjalë në Rrugën e Elbasanit, më kanë revoltuar edhe për faktin që shoqëria shqiptare nuk ka reaguar fare. Është prerë pema 250-vjeçare e Et’hem Beut që ishte përballë Galerisë Kombëtare. Ka disa variante: duhet të ketë qenë i sëmurë ose që pengon festën e Ambasadës Amerikane dhe komuniteti nuk di gjë. Ishte banori më i vjetër i gjallë i këtij qyteti. E presin, nuk japin asnjë shpjegim, nuk thonë asgjë, nuk mban zi asnjeri.



Nuk ekziston asnjë lloj transparence nga vendimmarrësit për atë që po ndodh në Rrugën e Elbasanit. Vendimet merren në fshehtësi, aksionet bëhen fakt.

Në qoftë se flasim për ndjeshmëri qytetare, është njëlloj sikur njeriu shikon veten në pasqyrë. Kur reagimi është kaq shpërfillës, sigurisht njerëzit edhe demoralizohen. Mendimi im është ky: individualizimi ekstrem, përfitimi ekstrem tek ne ka shkuar te skaji ekstrem, ka shkuar te shteti i kapur. Shteti i kapur nga interesa individësh - këtu vërtet s’ka transparencë, këtu vërtet tregohet fytyra më arrogante e shtetit, - edhe sikur ligjërisht të vepronte, ne shpeshherë e kemi parë se edhe ligjet bëhen të diktuara nga këto interesa. Kemi të bëjmë me një shtet të kapur. Lloji i ekonomisë po përcakton edhe vlerat, superstrukturën. Kur ke ndërtuar një ekonomi kriminale, një ekonomi bandash, një ekonomi të bazuar mbi trafiqe, mbi pastrim parash të pista, padyshim që kjo do të përcaktojë dhe sistemin e vlerave, shtetin dhe gjithçka. Pastaj vlerat që kanë idetë, vlera që ka shoqëria civile për të ndryshuar strukturën bëhet gjithnjë e më e vogël përpara fuqisë dhe arrogancës së pjesës së parë.



Revolta në shkrimet tuaja po gradohet në maksimum. Analizat janë sa konkrete aq edhe me metafora, për shembull, nga bota e zoologjisë. Kemi parasysh shkrimet e muajve të fundit për zgjedhjen e presidentit, për humbjen e dialogut politik, për universitetet private, për mosshpërblimin e ish-të përndjekurve politik.

Ndoshta ashpërsimi i gjuhës shpreh një urrejtje në rritje. Dhe urrejtja është shenjë dobësie, në kuptimin e pafuqisë. Njeriu kur ka fuqi bëhet dhe më bujar. Kur individi ndihet i vetmuar, i pafuqishëm, atëherë fillon edhe provon urrejtje. Kam qenë në burg një kohë të gjatë, ti e di, dhe kjo ka qenë një periudhe e urrejtjes ndaj Enver Hoxhës, pikërisht për shkak të pafuqisë.



Ashpërsimi i gjuhës është tregues i masës së problemit. Tregon edhe ndikimin që ka te njeriu Lubonja kjo klimë që trajtoni në kolonat e shtypit?

Sigurisht është dhe regjistri shpirtëror i njeriut që kalon nëpër këtë urrejtje, pafuqi dhe pesimizëm në rritje. Pier Paolo Pazolini ishte një nga pesimistët e mëdhenj, sepse ishte një nga kritikët më të mëdhenj të kapitalizmit, të shkatërrimit të vlerave kulturore të Italisë për të cilat ai ndihej i pafuqishëm për t’i ndaluar. Kur ka folur për monumentet e kulturës që po shkatërroheshin nga ky agresivitet, diku ka thënë: Kemi vetëm një shpresë: varfëria. Sepse duke qenë të varfër, nuk do t’i prishim, nuk do t’i shkatërrojmë. Jam kaq pesimist nga optimizmi i madh.

Sepse ishte shpresa e madhe për një Itali që po dilte nga lufta. Kurse ne dilnim nga burgjet dhe prisnim një Shqipëri të mirë, të bukur. Sot e shikojmë veten në duar banditësh. Është e rëndë. Ajo gjuha për të cilën fole ti është shprehje e një gjendjeje shpirtërore.

Në nivelin politik gjendja në Shqipëri po bëhet e paparashikueshme. Njerëzit duken spektatorë të ca llogaritjeve matematike që bëhen live në ekranet e televizionit. U pa me zgjedhjen e presidentit: me zë pretendohej një emër për bashkim, ndërsa kalkulohej interesi partiak, duke krijuar një situatë absurde dhe të lodhshme për mendjen e qytetarëve. Me këto manovra askush nuk do të thoshte me siguri si do të mbërrijnë shqiptarët në zgjedhjet e 2013-s. Në një analizë ju përmendni gazetarin Indro Montaneli që i ftonte italianët të mbyllnin hundët që të votonin demokristianët.

Ka dy aspekte kjo pyetje. Kritika ime në përgjithësi në këto vite ka qenë kundër sistemit. Ndryshimi i vërtetë i Shqipërisë nuk vjen nga ndryshimi i njerëzve por nga ndryshimi i sistemit. Sali Berisha mori pushtetin sepse premtoi që do të ndërronte sistemin e baronëve të drogës. Pikëpyetja e madhe ishte: ky do ta kalërojë sistemin apo do ta ndërrojë? Prova ishte që e kalëroi dhe e çoi në degradim duke u bërë kërcënim dhe për lirinë.

Shoqëria shqiptare sot ka dy probleme të mëdha. Së pari në drejtimin social-ekonomik. Shoqëria vuan prej këtij sistemi të kapur nga interesat e oligarkisë. Në qoftë se rrogat e një arsimtari, e një mjeku janë të tilla që ata nuk mund të kenë një minimum për të mbijetuar, këta mund të bëhen rrezik social. Imagjinoni një sistem ku është rrezik social mjeku, arsimtari.

Problemi i dytë është ai i demokracisë. Kur përfitimin dhe interesat do t’i ruash me çdo kusht, bëhesh politikisht i rrezikshëm edhe për lirinë. Vjen një moment kur nuk e lëshon më as pushtetin dhe do të eliminosh edhe opozitën. Ky është një sistem që ka filluar të ndërtohet mirë në kohën e Nanos e të socialistëve në pushtet, që u kalërua pastaj nga Berisha. Prirja e këtij sistemi ka qenë putinizmi. Me putinizëm kuptoj lënien e opozitës si një dekor, që nuk vjen dot kurrë në pushtet sepse i ka kapur të gjitha instrumentet e pushtetit banda kryesore dhe këtu jemi pak a shumë te kjo situatë. Edhe zgjedhja e presidentit tregoi që kjo është filozofia. Dhe shqiptarët me këtë situatë do të shkojnë në zgjedhje. I vetmi fat i shqiptarëve është që të shohin se sa i paaftë është ky sistem saqë do të vijë dështimi. Ashtu siç ranë piramidat dhe u shkatërrua vendi. Sepse ishte paaftësi e madhe që të lejoje piramidat dhe vendi të shkatërrohej. Babëzia e kësaj klase në pushtet është e tillë që krijon pasiguri, krijon pasiguri sepse është e paaftë. Kështu ne rrëzohemi. Dhe rrëzimi është shumë i rrezikshëm, sepse nuk shikoj shanse të mëdha. Do ketë trazira sociale. Ajo që thatë për kombinimet në tryezë të grupimeve që ndajnë pushtetin, është ana tjetër dramatike e situatës që i bën njerëzit të pashpresë.

Ky lloj sistemi nuk lë mundësi që të korrigjohet tjetri që ka gabuar. Po themi: Ilir Meta ka qenë në pushtet dhe për të po flitet aq shumë që duhet të shkojë te socialistët. Për dikë që ka qenë në pushtet, ai që duhet të korrigjohet, ai që duhet të ndëshkohet, duke u kthyer përsëri në pushtet, me forcën tjetër opozitare, nuk bëhet dot ndryshimi dhe ndëshkimi. Në këto lloj tryezash që kemi ne, ndëshkimi bëhet i pamundur. Njerëzit e ndjejnë, e kanë provuar që ndëshkimi për klasën politike nuk ka ardhur dhe kjo çon në pasivitet. Unë mendoj që arroganca duhet ta marrë një ndëshkim.



Gjejmë rastin t’ju përshëndesim për ekspozitën “Objekte nga Spaçi”. Meqë folët për humbjen e shpresës dhe pasigurinë te njerëzit, si e pritën vizitorët, bashkëvuajtësit në veçanti, këtë komunikim të thellë dhe shpirtëror me të kaluarën e burgut komunist?

Ekspozita qëndroi pak ditë e hapur. Mua më duket se veprat e artit e të letërsisë kanë pak influencë në këtë shoqëri. Është për t’u studiuar ky fenomen, pse ndodh kjo. Në tërësinë e vet, kjo shoqëri është bërë shoqëri e manipulimit mediatik të njerëzve, e sipërfaqes. Ajo që pikërisht nuk më pëlqen është fakti që gjithçka ekziston në qoftë se ti del në media, në qoftë se ti del në gazetë, në qoftë se ti del në televizion. “Objekte nga Spaçi” ishte simulim i një muzeumi që vlerën e kishte ta vizitoje atje, ta shikoje aje, ta jetoje, ta prekje mundësisht materialin nga afër, dhe jo te zhurma e buja televizive që bëhet. Është një fenomen shumë dramatik në shoqërinë shqiptare që gjithçka përcillet nëpërmjet mediave. Në qoftë se nuk është në media nuk ekziston. Kjo heq elementin e socializimit të njeriut, çka është shumë i rëndësishëm. Ndryshe është të shkosh e ta shikosh një film në kinema sesa në TV në shtëpi; ndryshe kur e takon autorin e një ekspozite dhe ndryshe kur e shikon në televizion. Megjithatë janë pak njerëz që i kam si pika referimi dhe vlerësimi i tyre më intereson.



Ekspozita na çonte te dilema: që ju si një ateist po shfaqeshit me një shtresë të fortë të nëndheshme religjioni, por jo i natyrës teiste. Cila është kjo gjë që ekziston tek njeriu me forcën e ngjashme të një religjioni?

Ajo që thashë në fillim: përpjekja për t’i dhënë kuptim jetës. Një nga teoritë interesante është që kuptimin e jetës ne na e jep vdekja, që ne duhet t’i jemi mirënjohës vdekjes sepse vetëm vdekja na motivon që të bëjmë diçka, që të mos ikim kot, që t’i japim vetes përjetësinë. Këtë thotë në një intervistë të fundit për vdekjen Zygmunt Bauman, që njerëzimi i ka dhënë një përgjigje kuptimit të jetës nëpërmjet ndërgjegjësimit për vdekjen. Kur njeriu nuk e ka këtë lloj besimi që shpirti i tij të mbijetojë, atëherë ka gjetur përgjigje të tjera.

Lidhur me këtë, doja të kujtoja edhe diçka tjetër nga Gëteja kur thotë: “Unë kam pasur një jetë të lumtur por nuk mbaj mend asnjë javë lumturi.” Lumturia është gjithë puna, përpjekja, ndërsa jeta vetë ka qenë përpjekje e përditshme. Mendoj që, pjesërisht, gjithë ajo krijimtari, gjithë ajo që bëj dhe unë, është në funksion të kësaj ideje, të lësh një kujtim, një trashëgimi. Njeriu i jep kuptimin jetës nëpërmjet shoqërisë, i lë shoqërisë një gjurmë. Shpeshherë jam edhe më realist, që në fund fare nuk është as kjo, as kuptimi i jetës nëpërmjet vdekjes, por thjesht që ta gëzosh jetën. Nganjëherë e mendoj dhe më thjesht fare: gjëja më e mirë që më bën ta jetoj jetën, më mirë se çdo gjë tjetër, është kjo lloj krijimtarie, kjo që ma mbush ditën, ma bën të bukur, ma bën marrëdhënien me njerëzit më të mirë. Kjo më duket nganjëherë më e rëndësishme. Pra, kam dyshimin tim nëse është vdekja kaq e rëndësishme apo instinkti i jetës dhe dëshira për jetën. Ashtu si bleta që krijon hojet e veta sipas një konstruksioni të vetin, ashtu dhe njeriu do të ndërtojë. Sigurisht, jo të gjithë duan të bëjnë gjëra të mëdha. Dikush do të ndërtojë një karrige, të kujdeset për një pemë, dikush rrit fëmijët.

Sidoqoftë, nuk mund ta heqësh dimensionin e vdekjes.

Kujtoj që në jetën time, në rini, kam patur krizën që unë do të iki nga kjo botë dhe sa e rëndësishme ka qenë për t’i dhënë një kuptim jetës. Por kur fillon e punon, arrin të kuptosh se nuk ka rëndësi u bëre apo jo i famshëm. Rëndësi ka ta ndjesh dhe ta jetosh jetën.

OSBE, fjalori i urrejtjes dëmton bashkëjetesën mes komuniteteve


Ato janë manifestime të mostolerancës që kanë ndikim të thellë jo vetëm për viktimën, por edhe për grupin me të cilin identifikohet viktima, tha ambasadori i OSBE-së në Shkup Ralf Breth


OSBE, fjalori i urrejtjes dëmton bashkëjetesën
Krimet e motivuar nga urrejtja dhe gjuha e urrejtjes ndikojnë në bashkëjetesën e komuniteteve dhe stabilitetin social, pasi ato janë manifestime të mostolerancës që kanë ndikim të thellë jo vetëm për viktimën, por edhe për grupin me të cilin identifikohet viktima, tha ambasadori i OSBE-së në Shkup Ralf Breth gjatë Konferencës rajonale të mbështetur nga OSBE që ka filluar në Shkup me temë ‘Këmbimi i praktikave më të mira se si më mirë të trajtohen rastet e krimit të motivuar nga urrejtja dhe gjuha e urrejtjes’.
"Veprat penale të kryera me motiv të njëanshëm, si dhe të gjitha format e shprehjes të cilat përhapin, nxisin, promovojnë ose justifikojnë forma të urrejtjes racore apo të tjera në bazë të mostolerancës, kundërshtojnë drejtpërdrejt vlerat e demokracive bashkëkohore dhe përbëjnë sulm ndaj bashkëjetesës paqësore’ tha Bret.
Ne në OSBE, shtoi Bret jemi këtu për të mbështetur këto përpjekje.
Bashkë nikoqiri i konferencës, zëvendës-ministri i jashtëm Zoran Petrov tha se krimet e motivuara nga urrejtja dhe pasojat e gjuhës së urrejtjes kanë preokupuar gjatë kohë autoritetet shtetërore dhe bashkësinë ndërkombëtare, përfshi edhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale, të tilla si OSBE.




Të gjitha palët janë duke bërë përpjekje të mëdha në nivel ndërkombëtar, rajonal dhe kombëtar për të përcaktuar shkaqet e kësaj dukurie negative dhe për të identifikuar mënyrat për të eliminuar atë. Për të parandaluar krimet e urrejtjes dhe për t’i trajtuar ato në mënyrë më efikase, në vitin 2009 vendi miratoi ndryshime në Kodin Penal, të cilat prezantuan rrethana tjera rënduese, nëse vepra motivohet nga urrejtja’ tha Petrov.
Procesi i harmonizimit të së drejtës penale në lidhje me krimin e motivuar nga urrejtja do të vazhdojë në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe me standardet tjera ndërkombëtare deklaroi Petrov.

Pjesëmarrësit në konferencë do të këmbejnë njohuritë lidhur me pengesat dhe sfidat në trajtimin efikas të rasteve kanë të bëjnë me krimet e motivuar nga urrejtja dhe gjuha e urrejtjes, si dhe mësimet e nxjerra, praktikat e mira dhe modelet më të mira të aplikuara në rajon.
Konferenca rajonale është iniciativë e përbashkët e misioneve të OSBE-së në rajon, e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e Jashtm

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...