Ardian Ndreca
Cili është raporti që kanë sot shqiptarët me besimin dhe a mund të quhet toleranca e rrezikshme… Kritika ndaj Ben Blushit, duke i quajtur sulm deklaratat e tij ndaj kreut të Kishës Ortodokse…
Kemi asistue së fundi përpara nji sulmi që nji përfaqsues i popullit i bante nji drejtuesi të naltë të Kishës ortodokse tue kufizue lirinë morale që ai ka mbrenda nji ndërtese kulti me përdorë për arsye komunikative nji gjuhë të huej. Sulmi vinte nga nji përfaqsues i popullit dhe nji jobesimtar, pra krijonte nji precedent dyfish të rrezikshëm.
Për me ia ba ma të kuptueshëm problemin atyne që nuk e kapin, po jap nji shembull: pse duhet që nji besimtar i krishterë t’u kërkojë autoriteteve të bashkësisë islame që hoxha në xhami të mos falet arabisht? Le t’ua kërkojnë besimtarët myslimanë në qoftë se nuk u pëlqen ajo gjuhë. Pse duhet që nji ateist të fusë hundët në punët e komunitetit katolik apo bektashi?
Alda Bardhyli
Ardian Ndreca e quan Volterin antisemitin më të ashpër të kohës së tij, ndërsa i beson më shumë shpirtit të lirë të Locke. Por toleranca dhe çështja e lirisë te Volteri dhe Locke ndahen në dy mendësi të ndryshme që kanë themeluar dy botë: e para kalon prej revolucionit francez, tek revolucioni i vitit 1948, deri tek ai bolshevik, e dyta projektohet nga idetë e liberalizmit anglez te revolucioni amerikan. Nisur nga “Traktati i tolerancës”, libri i kthyer në një himn kundër fanatizmit fetar, sjellë në shqip nga “Saras”, Ndreca vjen në një intervistë më poshtë mbi raportin e brishtë mes shqiptarëve dhe besimit, por dhe për ndërhyrjet që politika bën shpesh te çështjet fetare. Ai merr rastin e fundit duke e quajtur atë të një deputeti, por që i referohet një deklarate që deputeti i PS-së, Ben Blushi, bëri kundër përdorimit të greqishtes në liturgjinë fetare. Për Ndrecën, sa më modern e ligjor të jetë shteti, besimi fetar nuk do të jetë problem për të.
Ju e quani Volterin ati i antisemitizmit modern, ndërsa tolerant të vërtetë quani Xhon Lok. Ku ndryshon “Traktati i tolerancës” së Volterit nga “Letra mbi tolerancën” e Lok?
Varri i VolteritQë Volteri ka qenë nji prej antisemitëve ma të ashpër të kohës së tij e edhe ma vonë, tue pasë parasysh se shkrimet e tija janë përdorë deri edhe prej qeverisë së Vichy gjatë pushtimit nazist të Francës, nuk e mohon kush. Shpeshherë ka ndodhë që ndjeksat e iluminizmit, tue u turpnue për antisemitizmin e tij janë mundue me e mbulue diellin me shoshë. Për shembull, ka shumë botime, sidomos përkthime, të “Dictionnaire philosophique”, që i dorëzohen lexuesit pa skajin “Juifs”, ku Volteri derdh gjithë vnerin e mundshëm kundër hebrenjve, tue i quejt popull injorant, barbar, koprrac, që përfiton prej popujve tjerë që i japin strehë e shpifje tjera që un parapëlqej mos me i citue këtu. “Traktati mbi tolerancën” mishnon atë lloj tolerancet që ushqeu ma vonë revolucionin francez dhe u projektue përfundimisht në terrorin revolucionar. Në bazë të saj qëndron pikësëpari instanca themelore e arsyes (l’apanage de la raison) dhe ideja e kundërshtisë së dogmës kristiane të “mëkatit të rrjedhshëm” nëpërmjet idesë të së keqes të interpretueme si injorancë. Pra, kemi natyralizimin e së keqes në histori e si rrjedhojë edhe mundësinë njerzore me e çrranjosë atë pa ndihmën e Zotit apo të nji realiteti metahistorik. Identifikimi i besimit fetar me supersticionin dhe lufta ndaj iluzioneve të fesë, sjellin me vete shumë konsekuenca politike e në këtë pikë princat e kohës duhet të toleronin të gjithë ata që ndiheshin të çliruem prej autoritetit të besimit. Revolucioni asht hapi i dytë, mbasi mohon autoritetin e “ancien régime” dhe themelon nji rend të ri. Mund të themi se toleranca volteriane asht premisë e nji veprimi politik shumë ma të thellë në histori, krejt ndryshe prej tolerancës dhe iluminizmit deist kantian e aq ma shumë prej tolerancës së Xhoh Lok. Ky i fundit si në “Letrën mbi tolerancën” ashtu edhe në “Esenë mbi tolerancën” tregon nji shpirt liberal. Asht po ai shpirt që themeloi qytetnimin e ri përtej oqeanit. Lok sheh nevojën e ndamjes së pushtetit të magjistratit prej atij kishtar, dhe i koncepton të dy pushtetet të lira e të pamvaruna. Filozofi anglez kërkon me ia pre hovin absolutizmit tue kërkue struktura kushtetuese solide për me ruejt paqen, pronën dhe me shmang grumbullimin e pushtetit në pak duer dhe si rrjedhojë edhe mundësinë me humbë paqen për shkak të vullnetit të pak vetëve. Toleranca dhe çështja e lirisë te Volteri dhe Lok ndahen në dy mendësi të ndryshme që kanë themelue dy botë: e para kalon prej revolucionit francez, te revolucioni i vitit 1948, deri tek ai bolshevik, e dyta projektohet nga idetë e liberalizmit anglez te revolucioni amerikan.
Në kohën kur Volter shkroi këtë libër, kritikat e tij binin mbi Kishën Katolike. Ishte kjo e fundit që dënoi thjesht duke u ndikuar nga fanatizmi Zhan Kalasin, protagonistin e këtij libri.
Nuk due me hy në hollësinat historike të çeshtjes së Jean Calas, pse do t’i hiqja etjen lexuesit për me marrë në dorë veprën e Voltaire, e cila meriton me u studjue me vemendje, tue shijue stilin e tij pikant. Protagonizmi i masës injorante dhe fanatike në rastin Calas ia vodhi skenën Kishës, por kjo gja nuk e ulë numrin e atyne që Kisha katolike asokohe ka dënue dhe ia ka dorëzue forcës shekullare. Pse kanë ndodhë këto gjana? Arsyet janë të shumta, simbas rasteve dhe rrethanave historike. Rasti Calas i përket vitit 1762 dhe lidhet me luftat fetare në Europë, të cilat janë të ndotuna rranjësisht me interesa të forta politike. Fillimisht Kisha katolike asht nji prej aktorëve, por në fazën e dytë, me ndërrimin e disa Papëve, del në plan të dytë. Por, po kthehena mbrapa, në fillimet e shek. XVII. Asokohe Kisha, tue e ndie valën e shekullarizimit dhe progresin e shkencës, nuk e kishte kuptue në tansi, se asnjena prej tyne nuk e rrezikonin misionin e saj të mirëfilltë, e aty ku dukej se e rrezikonin nuk ishte “domaine” i saj. Sot ketë keqkuptim po e kalojnë besime tjera që paraqiten me vonesë përpara procesit të pashmangshëm të shekullarizimit.
Volter parashikonte një Europë të trazuar vite më parë…”Sa bukur do të dukej Europa e veshur me kapuç e maskë dhe me dy vrima të vogla të rrumbullakëta për sytë! Vërtet besojnë se në vend të rrobave të zakonshme Zoti do të parapëlqente këtë lloj veshjeje? …”, shkruan ai. A është Europa e veshur me kapuç e maskë sot?
Jo, nuk besoj aspak. Bashkimi Europian, siç shkruente para do vitesh te The National Interest, studiuesi Peter Berger, asht kthye në nji agjenci shekullarizuese dhe homogjenizuese. Ekziston rreziku i humbjes të karakteristikave të veçanta, të cilat i mbartin edhe religjioni e kultura e kombeve pjesëmarrëse në BE.
A mund të flasim sot për një luftë mes besimeve… një dëshirë për të dominuar, duke u nisur nga lajmet e trishta që vijnë çdo ditë nga lëvizjet ekstremiste?
Luftë mes besimeve apo edhe mes qytetnimeve! Këtu na del në shteg Samuel Huntington. Nuk mendoj se ka luftë mes besimeve. Besimi fetar keqpërdoret, si në rastin e fondamentalizmit islamik, për qëllime politike. Në qoftë se divergjencat politike dhe problemet ekonomike, do të zgjidheshin, tue rritë njikohsisht nivelin e kulturës, edhe konfliktet do të tulateshin disi. Sigurisht, nuk zgjidhen vetëm me bomba, nga asnjena palë.
Një nga pikëpyetjet që ngre Volter dhe e lë pa përgjigje është fakti në është toleranca e rrezikshme?
Toleranca absolute asht mohimi i thelbit të tolerancës, lirisë. Mbas Volteri reflektimi rreth tolerancës asht zhdrivillue e përpunue gjithnji e ma shumë. I. Kant asht pesimist për “drunin e shtrembt të njerzimit”, siç e quen ai. Ndërsa J.G. Fichte për shembull, tek nji vepër kushtue së drejtës natyrale, thotë se nuk mund të ketë tolerancë ndaj së keqes, dhe se shoqnia asht e autorizueme me përdorë nji forcë të arsyeshme e të përpjestueme ndaj çdo shfaqjet që e rrezikon bashkëjetesën dhe sferën e përbashkët.
Shqipëria është një vend ku dominon harmonia fetare, megjithatë kohët e fundit shihet një nevojë identitare për të ndarë dy skajet në veri dhe jug. A mund të flasim për dy identitete?
Jam kundër idesë së dy apo ma shumë identiteteve. Nuk ka identitet toskë apo gegë, apo edhe kosovar. Gjithçka të mirë e kemi bashkë, e po bashkë duhet të përpiqemi me zhdukë të metat tona. Te ky identitet i vetëm ndërthuren vlera të ndryshme, që s’kanë autonomi të marruna veçmas. Mendoni sesa e vorfën do të ishte kultura jonë pa polifoninë labe apo eposin e kreshnikëve. Në të kaluemen mosnjohja ka sjellë mosbesim, sot punët kanë ndryshue, njohja ka sjellë nji besim që asht në proces diskutimi të ndërsjellë. E randësishme asht të qëndrojmë mbrenda nji diskursi dhe asnji të mos ndihet i autorizuem me dalë prej tij. E kam fjalën si për disa shfaqje folkoristike të nacionalizmit shqiptar ashtu edhe për disa tendenca centrifugale të ndonji pakice. Me nji gjuhë të vetme që asht ajo politike, mundet dhe duhet të zgjidhim gjithçka. Për shembull nji gjuhë e papranueshme asht ajo e përdhosjes së simboleve dhe emblemave kombtare prej ndonji individi të randomtë, tue shpikë figuracione tjetërsuese të idealeve tona bashkimtare. Asht kundër ligjeve të sotme themelore të Republikës, edhe në qoftë se Shqipnia do të donte të bashkohej vullnetarisht me Islandën, që dikush të ndryshonte arbitrarisht flamurin tonë kombtar. Por, çka të bajmë kur garanti i unitetit asht nji figurë qesharake dhe e pakuptimtë dhe nuk ka hapsinën e duhun shpirtnore me i konceptue këto gjana! Shqipnia e sotme politike asht fryt i nji padrejtësie historike. Këtë e dijmë. Mirëpo në nji rend ku drejton ligji dhe jo historia, ne, që jemi të vegjël, kemi shumë ma pak arsye se të tjerët me dalë kundër ligjeve. Nji padrejtësi nuk mund të shlyhet tue shkue kundër ligjeve, konventave, premtime solemne që kemi nënshkrue përpara familjes së kombeve dhe partnerëve tanë. Ne jemi pjesë e sistemit demokratik, kemi aspirata integruese, jemi vend që gjithmonë ka mbështetë paqen në rajon, dhe nuk kemi pse të humbim durimin sidomos tashti që betejën e kemi të fitueme, tue veprue në nji mënyrë që çon ujë vetëm në mullinin e atyne që nuk e duen bashkimin e shqiptarëve.
Megjithatë, shpesh përballemi me zëra që kërkojnë të nxjerrin në pah një truall të hershëm otoman ku janë ngulitur shqiptarët. Vetëm një javë më parë një imam në Kosovë tha se kosovarët duhet t’u jenë mirënjohës turqve që i sollën në këto toka?
Do të ishte shumë e thjeshtë me e vulos imamin në fjalë si tradhtar, injorant, spijun, neo otoman etj. S’do të kishte kurrfarë vleret nji gja e tillë. Ajo që do t’i vlente bashkësisë shqiptare asht nulifikimi social i individëve të tillë në funksionin që ata kryejnë. Sigurisht që ai imam apo ndonji tjetër nuk mund t’i mësojë kujt historinë, pse ai s’din ku ka kryet e vet. Bashkësia e besimtarëve myslimanë, e cila ka ndjenja kombtariste dhe nuk e pranon falsifikimin e historisë as kur bahet prej podeve të nalta të besimit, duhet ta izolojë imamin në fjalë, atëherë fjalët e tija do të kthehen në nji monolog pa sens. Ne kemi të drejtë ta presim nji veprim të tillë nga bashkësia në fjalë, pse imami nuk po merret me çeshtjet e fesë, por po ban politikë dhe po përdorë për ketë gja madje keqeshkronjat serbe të shekullit XX. Por nga ana tjetër imami asht pararoja groteske e nji aradhe pseudo-studiuesish e bloggersash shqiptarë që tue pasë mbetë jetima prej komunizmit, janë hedhë në krahët e nji ideologjie tjetër. Disa prej tyne ishin ma pak të damshëm kur ishin komunista mirëfilli apo famuj të përkëdhelun të atij sistemi.
Sa të brishtë e kemi raportin mes shqiptarëve dhe fesë?
Un nuk e mendoj të brishtë raportin mes feve dhe as mes shqiptarëve dhe feve. Në qoftë se shteti do të jetë modern dhe ligjor, besimi fetar nuk do të përbajë kurrë nji problem për të. Sa dhe si besojnë shqiptarët? Ekziston ma shumë sensi i përkatësisë sesa vetëdija fetare! S’asht për t’u çuditë, kemi kalue nji shekullarizim të dhunshëm dhe intensiv që ka prodhue indiferencë, por edhe injorancë të thellë në çështjet fetare, kjo gja vehet re edhe kur bahet fjalë për vetë klerin. Te ne bashkësitë fetare gëzojnë liri legale dhe liri morale, të dyja të pacenueshme dhe të harmonizueme me sistemin. Rreziqet ekzistojnë, por jo gjithmonë vijnë nga ndonji imam çaprashitës. Për shembull kemi asistue së fundi përpara nji sulmi që nji përfaqsues i popullit i bante nji drejtuesi të naltë të Kishës ortodokse tue kufizue lirinë morale që ai ka mbrenda nji ndërtese kulti me përdorë për arsye komunikative nji gjuhë të huej. Sulmi vinte nga nji përfaqsues i popullit dhe nji jobesimtar, pra krijonte nji precedent dyfish të rrezikshëm. Për me ia ba ma të kuptueshëm problemin atyne që nuk e kapin, po jap nji shembull: pse duhet që nji besimtar i krishterë t’u kërkojë autoriteteve të bashkësisë islame që hoxha në xhami të mos falet arabisht? Le t’ua kërkojnë besimtarët myslimanë në qoftë se nuk u pëlqen ajo gjuhë. Pse duhet që nji ateist të fusë hundët në punët e komunitetit katolik apo bektashi? E para e punës ai nuk asht antar i atij komuniteti, e dyta këto lloje bashkësish nuk janë parti politike dhe mbrenda tyne nuk bahen diskutime politike, ndjekja e të cilave mund t’i interesonte nji jobesimtari, aty për definicion kultivohet raporti me Zotin. Mënyrën e kultivimit të raportit me Zotin mbrenda nji bashkësie fetare nuk e dikton as nji deputet dhe as nji jobesimtar apo besimtar i nji feje tjetër. E kam të qartë se deputeti në fjalë hedh shashka të tilla, pse jehona e librave që shkruen i zgjat veç dy javë, nga ana tjetër në partinë e tij nuk e përfill fort kush. Tue i pasë zgjidhë problemet e zonës së tij elektorale s’i mbetë se çka me ba tjetër: o me shkrue ndonji libër ose me fut hundët ku nuk i takon. Po ku ishte ky zotnia, që ushqehet me paret e taksapaguesve shqiptarë, kur komisioni famëkeq vendoste kufinin detar me Greqinë, mos kishte shkue me leje krijimtarie? E pra në atë komision nuk kishte asnji klerik vendas apo të huej, por disa palo politikanë dhe eksperta shqiptarë, disa prej të cilëve vijojnë ende me u pague prej shtetit shqiptar. U desht të dilte nji ushtarak pensionist ta denonconte planin, pse sa për deputetët tanë, Shqipnia ka mbetë kërcune.