Bukurie Seiti bashkëshortja e gjeneralit çam Hilmi Seti, sot
është 70-vjeç. Për herë të parë ajo tregon ato pak sekrete për të shoqin, para
dhe ditën që ai vdiq kur ishte në detyrën e kryetarit të degës së Shkodrës, më
26 prill 1960. Kishte vetëm pak kohë i graduar gjeneral, dhe për 9 vite punë në
Shkodër, shkroi emrin e tij në memorien e veriorëve. Ankthi, bisedat e pakta me
të shoqin, takimi me Enver Hoxhën, grupi armiqësor i çamëve, takimi i Hilmi
Seitit me Kadri Hazbiun vetëm pak orë para se të vdiste etj, janë gjithçka që
mban mend gruaja, që për 44 vjet jetoi me kujtimin dhe enigmën e vdekjes së
burrit, gjenerali i çamëve, Hilmi Seiti. Pëshpërima nëpër korridoret e
Ministrisë së Brendshme, ku ajo punoi për vite me radhë.
- Është shkruar pak për vdekjen e burrit tuaj. Për vite me radhë
ju vetëm keni heshtur. Pse?
- Isha vetëm 27 vjeç, kur im shoq, Seiti, më la. Atëherë vajzën e
madhe, Verën, e kisha 7 vjeç. Të dytën, Violetën, dy vjeç e gjysmë, kurse djalin,
Agimin, 17 muajsh. Humba njeriun e jetës time, dashurinë time, gjithçka kisha. Nuk
kuptova asgjë! Më duhej të rrisja fëmijët.
Sot jam e moshuar, jetoj me kujtimin e Hilmiut.
-Pse ai vdiq?
-Informacionet në rrugë të ndryshme më kanë tunduar gjithmonë.
Nuk besoj se ai vdiq siç thanë në atë kohë, nga “hemoragjia cerebrale”.
- Edhe në shtyp është aluduar vite me parë, që ju personalisht
keni dyshime për vdekjen e burrit tuaj?
- Është hera e parë që unë flas për një gazetë. Nuk duhet të
abuzohet me ato ç’ka them, por mendoj se Hilmiu nuk kishte asnjë lloj sëmundje.
Nuk vuante as nga zemra dhe asgjë tjetër. Për vite me radhë më vinin njerëz dhe
më flisnin për çfarë dinin. Kam lexuar dhe unë në gazeta që është helmuar,
apo... edhe unë dyshoj. Dua të di të vërtetën për atë njeri, i cili nuk ishte
vetëm bashkëshorti im dhe njeriu më i dashur edhe sot e kësaj dite për mua, por
ishte shumë i mirë me mijëra njerëz, që hynë e dolën në shtëpinë time. Unë dhe
fëmijët e mi kemi tentuar vazhdimisht në gjetjen e një dokumenti. Do të doja të
bindesha, për të mos mbetur borxh ndaj atij njeriu, që në ato vite dha gjithçka
mundte, për këdo që njihte dhe nuk njihte. Vetëm se asnjëherë nuk mund ta
harroj bisedën e fundit me të. Pas pak vdiq...!
- Çfarë ju tha ai para se të vdiste?
- E kujtoj atë ditë çdo minutë të jetës time. Ishte data 25
prill. Jetonim në Shkodër, pasi Hilmiu ishte kryetar i Degës. Kishte një vit e
gjysmë që ishte graduar gjeneral. Në mëngjes, unë i thashë burrit se do nisesha
për në Tiranë, sepse babai im ishte i vjetër në moshë dhe duhej ta takoja. Kur
isha në Tiranë më marrin në telefon dhe më thonë se Hilmiu ishte shtruar në
spital. Kthehem shpejt në Shkodër. Rrugës nuk e di pse riprodhoja një bisedë që
kisha bërë me të para disa ditësh. Kur mbërrita në Shkodër më dërgojnë në
spital dhe gjej Hilmiun në minutat e fundit të jetës. Nxirrte vetëm shkumë nga
goja! “Më dhanë aspirinë”, më tha në vesh, aq sa unë nuk mundja të kuptoja se
ç’po më tregonte, “njerëz me armë”, pastaj vdiq. Një mjek, që ishte kujdesur për
burrin tim, tashmë ai ka vdekur, më tha se ‘’vdekja e Hilmiut nuk është e
zakonshme.” Pa folur për atë që dëgjoja nga shokët e tij, apo nga njerëz që nuk
i njihja.
- Ju thatë më parë se ju kujtohej diçka nga bisedat jo të
zakonshme me burrin tuaj. Ç’ishte ajo bisedë dhe sa kohë më parë u bë ajo?
- Duhet t’ju shpjegoj, së pari, se për çdo gjë që flas kam
përgjegjësi. Unë gjatë atyre viteve që kam jetuar me Hilmiun kam pasur një rol
të përcaktuar. Nuk mund të ndërhyja asnjëherë në punët e tij dhe isha vetëdukuar,
që të mos e pyesja asnjëherë për atë ç’ka ai kishte, sukseset apo dështimet, aq
më pak për problemet, që për mentalitetin e kohës ishin të padiskutueshme. Por,
mbaj mend një natë kur ai u kthye nga puna, u ul në divan i lodhur. Vuri duart
pas kokës dhe më tha: “Si do kalojmë, jam në situatë të vështirë.” Nuk e
kuptova se ç’po thoshte, por përnjëherë i thashë: Çfarëdo që të jetë ne kemi
fëmijët, do plakemi dhe do vdesim bashkë.
- Këto copëza bisedash, ju kanë bërë të dyshoni për vdekjen e
tij?
- Po! Mbase edhe shumë të tjera, por ajo ç’ka më kishte thënë në
spital, nuk më shqitej nga mendja. Kështu, pas tre muajsh, shkova dhe takova
Enver Hoxhën. Më priti përzemërsisht.
- “Pse vdiq Hilmiu?”- - i thashë. Ai ngriti supet. “Me
hemoragji, thonë mjekët “ - më tha.
Asnjë fjalë më tepër!
Kurse Kadri Hazbiu ka ardhur vazhdimisht më pas në shtëpi, së
bashku me të shoqen. Vinin të gjithë njerëzit e partisë për vite me radhë. Më
kanë thënë se Kadri Hazbiu ishte njeriu që u takua për të fundit herë me
Hilmiun. Thuhet se është diskutuar për “grupin çam”. Duket se i kishe kërkuar
Hilmiut bashkëpunim për këtë çështje në atë kohë, kur thuhej se një grup çam
armiqësor duhej të asgjësohej. Pas tre muajsh, u arrestua Teme Sejko. Midis të
tjerash u tha se grupi çam do të lidhej më flotën e 6-të amerikane. Pati 32 të
arrestuar, 17 prej tyre të akuzuar si agjentë grekë.
- Kanë kaluar 44 vite nga ajo kohë deri më sot. Ç’mendoni se ka
ndodhur atë ditë me Hilmiun?
- Mendoj se e helmuan, por nuk kam asnjë dokument. Nuk kam se ku
të kërkoj!
- Si e njihnit ju burrin tuaj?
- Një njeri i së drejtës dhe vetëm i asaj. Një burrë që
sakrifikonte edhe veten në çdo rast, në emër të së vërtetës apo të së drejtës.
Kur në zyrat e degës sillnin njerëz që donin të kalonin kufirin, ai i pyeste;
pse? Dikush i tregonte hallin e shtëpisë, mungesën e punës, etj. Ai I dërgonte
në zyrat e punës dhe kërkonte ndihmë për ta, jo t’i varroste nëpër burgje apo
t’i ekzekutonte. Një zyrtar që mbante dyert e degës hapur, për t’u zgjidhur
hallet njerëzve, një njeri që...kur i kërkuan të firmoste ndoshta ndonjë
dokument të fundit kundër çamëve, apo ashtu siç u quajt në atë kohë, grupi
armiqësor i Teme Sejkos, tha se nuk ka asgjë të vërtetë. Kur Halim Xhelo ishte
në burg, në një rreth të ngushtë kishte thënë: “U bë mbledhja nën drejtimin e
Hysni Kapos në Ministrinë e Brendshme, me Kadri Hazbiun, Hilmi Seitin dhe mua.
U fol se duhet të krijojmë një grup armiqësor për t’i thënë botës se ne nuk u
përulemi as revizionistëve modernë e as imperializmit amerikan. Dhe mendojmë ta
quajmë “grupi armiqësor i Teme Sejkos”. Në këtë moment, Hilmi Seiti kundërshton
dhe del nga mbledhja dhe shkon në Komitetin Qendror ku takon Enver Hoxhën.”
Enver Hoxha e pyeti:
- Hilmi, pse të shikoj të mërzitur?
- Shoku Hysni mendon t’i ngarkojë Çamërisë martire një grup armiqësor,
- ia ktheu ai.
- Ah! Hysniu i bën këto me kokën e tija, pa më pyetur mua?
Dëgjo, Hilmi, ke besim tek partia dhe tek mua?
- Po, shoku Enver!
- Shko në punë dhe puno ashtu si ke punuar.
Ja kështu është shprehur dikur Halim Xhelo. Në volumin e 19 të
veprave të Enver Hoxhës thuhet se: “Për mua është enigmë grupi armiqësor i Teme
Sejkos. Albert Kotini shkruan: “Me vdekjen e tij (Hilmiut) shprehën ngushëllime
me tërë vlerësimet e sinqerta, midis të tjerëve edhe Kadri Hazbiu, Mihallaq
Ziçishti, Zoi Themeli, Sul Baholli, Teki Koloneci, Qazim Kondi, Halim Xhelo,
Xhule Çiraku, Dilaver Poçi, Rexhep Kolli etj.
Kush nga këta e helmoi? Me çfarë urdhri special të Enver Hoxhës
u realizua?! Me urdhrin me linjë partie apo të nëntokës së sigurimit?! Përse
Shkodra e nderoi dhe e qau Hilmi Seitin me respektin e madhështinë, që ia ka
bërë vetëm Fishtës?!” Skënder Vincani, ish shef i policisë për qarkun e Shkodrës
në vitin 1953 deri në vitin 1961, kur ishte Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme
zoti Hilmi Seiti, ky bashkëpunëtor më tregon: “Kam pasur nderin të punoj 7 vjet
me Hilmiun. E njihja si njeri të drejtë, të ndershëm dhe detyrën e kryente me
pastërtinë morale më të madhe. Nuk burgoste dhe internonte njeri pa fakte dhe
faj. Punonjësit e gjithë degës së brendshme dhe populli i Shkodrës e admironin
për cilësitë e tij njerëzore. Vdekja e tij për mua është 100 për qind e
dyshimtë, alibi e një helmimi të bërë ndaj tij. Hilmiu deri ditën që u helmua
ishte njeri me trup atleti, me shëndet shumë të mirë. Atë ditë ishim duke
shëtitur të tre, unë, Mitati, (që ishte zëvendësi për sigurimin), dhe vetë
Hilmiu, në rrugët e Shkodrës. Kur vajti ora 20.00, Hilmiu më tha se kishte
mbledhjen e Byrosë së Partisë të Rrethit, (se Hilmiu ishte anëtar i byrosë së partisë),
na tha se, duhej të shkonte. Ne të dy, unë dhe Mitat Zaçe shkuam në shtëpi,
ndërsa Hilmiu në mbledhjen e byrosë së partisë. Më vonë morëm vesh se në
mbledhjen e byrosë së partisë, Hilmiut i kishin ardhur të vjella, kishte marrë
leje për të nxjerrë të vjellat në banjo, dhe ndërpreu mbledhjen. Presin sa
presin dhe kur u vonua e gjejnë të shtrirë pa ndjenja në banjo, dhe nuk
komunikonte më. E marrin urgjent dhe e shtrojnë në spitalin e Shkodrës. Shkuam unë
dhe Mitat Zaçe në spital. E gjetëm në gjendje që përpëlitej me shkumë nga goja
deri në mëngjes dhe vdiq. U njoftua Ministria e Punëve të Brendshme. Erdhi
Kadri Hazbiu dhe anëtarë nga Byroja Politike. Sollën me vete tre ekipe mjekësh
nga Tirana dhe pse kishte plot Shkodra. Ata e panë të vdekur. I bënë autopsi në
kokë. Një nga kirurgët ishte sovjetik dhe në konkluzionin e ekipit mjekësor të
Tiranës konkluduan se vdiq nga një “hemoragji cerebrale” etj, argumentime
“shkencore”, por mua nuk m`u besua! Po të flisja atëherë, edhe
si vëlla i Nexhipit që isha, do ta pësoja si Mitat Zaçe, që pësoi edhe ai një
vdekje të dyshimtë më vonë.
Pse nuk e besova?... Si bie hemoragjia cerebrale kështu, kur ai
një orë më përpara ishte në gjendje të shkëlqyer dhe nuk ankohej nga asnjë
sëmundje?” Rrahman Perllaku, Heroi i Popullit, tregon: “‘Hilmiun e njihja shumë
mirë. Ishte shumë njeri i qeshur, i aftë, inteligjent dhe e donte shumë
Shkodrën, sa dhe vetë shkodranët. Kam luftuar bashkë me të, si në brigadën e
III-të Sulmuese, dhe në Divizionin e V-të sulmues, dhe më pas zv/komisar i
brigadës së V-të sulmuese. Ka qenë tepër komunikueshëm, me një burrëri dhe
zgjuarsi, që e lartësonin dhe kishte një sjellje të përsosur në shoqëri. Ne,
kuadrot e asaj kohe, e vlerësonim Hilmiun, si një nga oficerët më të kulturuar,
dhe më të aftit. Në luftë ishte nga të parët në betejë, nuk dinte ç’ishte
frika. Në organet, në degën e brendshme të Shkodrës, siç dihet nga lart, ky
rreth kishte veçori. Hilmiu manifestoi veçori të tilla. Mjaft komunikues e
dashamirës me njerëzit. Si punonjës i MPB, u ka dalë ballë për ballë gjërave me
drejtësi dhe vërtetësi. Informacionet që vinin, në veçanti ato që kuptonte ose
më mirë që i zbulonte si tendencioze, Hilmiu i bënte ballafaqimin. Kur e
kuptonte keqdashjen e punonjësit të punëve të brendshme, i thoshte: “Ik! Mos u
ndjej se do të vesh atje ku nuk ta pret.” Kështu ia priste rrugën marrjes në qafë
të njerëzve, edhe për një llaf të pavetëdijshëm. Me këtë pikë po tregoj një
ngjarje të vërtetë, që deri më sot nuk ia kam shprehur njeriu. Hilmiut i janë
dorëzuar në besë disa të arratisur nga Shkodra në Mal të Zi, që e kishin bërë
rrugën e tyre pa u kapur. Mbasi i merrte në besë, gjithmonë i lironte duke
mbajtur fjalët e premtuara. Në një rast konkret tjetër, ishin katër të
arratisur që hynin e dilnin në Mal të Zi, sa herë të donin, asnjëherë nuk i
kapnin dot. E vetmja rrugë për MPB, ishte fjala e Hilmiut me të arratisurit,
dhe këtë ia kërkuan ta bënte Hilmiu, që t’i takojë, të bisedojë, dhe t’i
sigurojë se nuk do të prekeshin, po të dorëzoheshin vetë. Hilmiu e mori përsipër.Të
katër të arratisurit u dorëzuan në besë të Hilmiut, se e kishin provuar fjalën
dhe burrërinë e tij, edhe të tjerë para tyre. Ata u dorëzuan tek Hilmiu, ai i
liroi dhe i la të lirë të shkonin në shtëpi. Mbas dy - tre muajve, Hilmiut i
dhanë urdhër nga MPB, që t’i arrestonte të katër të arratisurit. Mori urdhër
nga Kadri Hazbiu apo Mihallaq Ziqishti, nuk më kujtohet mirë. Hilmiu mjaft i
revoltuar, erdhi menjëherë tek zyra e Mehmet Shehut dhe u fut i nevrikosur.
Mehmet Shehu i tha me shaka:
- Hë, ç’ke kështu, çam i dreqit? - Ai në fakt e respektonte shumë
Hilmiun. - Pse ke ardhur?
- Erdha t’ju dorëzoj kapelën e spaletat, - i tha Hilmiu.
- Pse ç’ka ndodhur?
- Atyre që u ka dhënë besën, Hilmi Seiti nuk i arreston! Merri!
-Spaletat i kishte në dorë. - Këtë nuk e bëj kurrë, sa të jem gjallë, - tha dhe,
në fakt, sa qe gjallë Hilmiu, ata nuk u arrestuan. Asnjë në Shkodër nuk u
arrestua para vdekjes së tij për gjëra që nuk faktoheshin nga Hilmiu. Pas
Hilmiut erdhi Feçor Shehu, prandaj kur vdiq Hilmiu, unë si Rrahman vajta
menjëherë me Teme Sejkon për të organizuar varrimin e tij.
Nuk kam parë varrim me përmasa të atilla në Shkodër, pas asaj të
Fishtës. Qanin gratë në ballkon, ka qarë e gjithë Shkodra. Unë më Temen, shkuam
në orën 23.00 të asaj dite. Vdekja e Hilmiut për mua ka mbetur enigmatike.
Muhamet Spahiu, veteran mjaft i respektuar dhe i persekutuar,
veç të tjerash që i thamë lart, shton se Hilmi Seiti, ishte pararoja e zhdukjes
së Teme Sejkos dhe çamëve të tjerë, në vitet ’60-’61. Ka qenë një skenar i vërtetë
Hoxha- Hazbiu, që ne e kemi vuajtur në vite.’’
CEREMONIA E VARRIMIT
Hipokrizi nga ata që e vranë! Respekt dhe dhembje nga ata që e
deshën: populli i mrekullueshëm i Shkodrës. Hipokritët dhe vrasësit ballë për
ballë varrit të Hilmi Seitit, jagot dhe brutët e shoqërisë shqiptare, që nga
zv/kryetari i këshillit të ministrave, anëtarë të Byrosë Politike e të
Komitetit Qendror, si Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Sul Baholli, etj. që i
bënë nekrologjinë më datën 28 prill 1960.
Nga këto rreshta shkëputet Kadri Hazbiu dhe merr fjalën para varrit
të Hilmiut: “Vendosmëria juaj, inteligjenca, patriotizmi i flaktë, dashuria e
pakufishme ndaj popullit, partisë dhe B.S., të gjitha cilësitë tuaja të mira,
ne do t’i takojmë përditë në gjurmët e punës tënde, dhe brezat e ardhshëm do të
edukohen me to, për t’ i shërbyer me besnikëri popullit dhe Atdheut”.
Po kështu, pranë varrit të Hilmiut, kortezhi i përmotshëm dëgjoi
fjalën e shokut Sul Baholli, sekretar i parë K. P. të rrethit të Shkodrës. ‘’Populli
i Shkodrës, me dhjetëra e mijëra njerëz kishin ardhur të përcillnin trupin e
Hilmi Seitit. Ata vinin të përcillnin birin e tyre, i cili për vite me radhë i
kishte mbrojtur nga persekutimi i padrejtë i gjuetisë së biografive, luftës së
klasave, që bëheshin viktima. Pra, ishte barrikadë, dhe ata po e ndienin këtë
burrëri e ndershmëri, që po u
varrosej pikërisht për këtë barrikadë’’. Hoxha dhe Hazbiu që e
kishin Shkodrën si rezervë për të mbushur burgjet politike, nga “reaksionarët e
komunizmit”, eliminuan Hilmi Seitin dhe i hapën rrugën ekzekutorit Feçor Shehu.
Plani I arrestimeve me ardhjen e Feçor Shehut, u realizua me burgime, spiunime
dhe internime në tërë Shkodrën. Besa, burrëria, ndershmëria e çamit Hilmi
Seiti, pushtoi një zemër të tillë si Shkodra. Respekti dhe nderi i Çamërisë,
Hilmi Seiti, ishte në gjirin e Shkodrës, sepse ai ishte edhe biri i saj.
BIOGRAFIA E HILMI SEITIT
Hilmi Seiti lindi më 15 nëntor 1922, në fshatin Spatar të
Çamërisë. Ai rrjedh nga një familje fshatare patriote dhe qe përkrahës i
lëvizjes çlirimtare shqiptare dhe asaj greke. Në moshë të vogël mbetet jetim
dhe dërgohet me bursë në konviktin “Çamëria”,
në Sarandë, pastaj vazhdoi shkollën e mesme në Gjirokastër dhe Shkodër.
Dallohet për rezultate të larta, si
dhe dashamirësi me shokët. Nga viti 1938 ishte anëtar i grupit
komunist të Shkodrës dhe me formimin e partisë u bë anëtar i saj. Lufta e gjen
në shkollë të mesme dhe për aktivitet antifashist arrestohet dhe internohet në
Bari të Italisë.
Në vitin 1942 kthehet në Shqipëri dhe në vitin 1943 hyn në radhët
e ushtrisë N. Ç., duke kryer detyrat e zv/komisarit të brigades së V-të dhe të
III-të sulmuese. Mori pjesë në çlirimin e Kosovës. Pas mbarimit të luftës, më
1946 punon në Komisionin e Planit të Shtetit si kryetar dege. Në vitin 1949
punon në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me gradën major. Në 1953
emërohet kryetar i Qarkut të Shkodrës.
Në vitin 1959 Hilmiu u gradua “Gjeneral-major”. Për merita të shquara në luftë dhe në punë,
Hilmiu dekorohet me pesë medalje dhe gjashtë urdhra, si: “Urdhri i Flamurit.
“Urdhri i
Skënderbeut i
klasit të III-të”, “Urdhri i Trimërisë”, “Urdhri i Shërbimit Ushtarak”,
“Urdhëri Ylli i Kuq”, si edhe shumë medalje etj. Në 26 prill 1960, në moshën
38-vjeçare, Hilmiu vdes në Shkodër në mënyrë të papritur, gjatë një mbledhjeje
pune, i helmuar, si e kemi përshkruar më lart. Populli i Shkodrës dhe gjithë
veriu e përcollën Hilmiun me një ceremoni madhështore dhe respekt të madh në
banesën e fundit.
Materialet: Gazeta
“Çamëria” me titull, “Vdekja mister e
gjeneralit të
çamëve”. Maj 2004, f. 11. Albert Kotini, “Çamëria
denoncon”, botimi 2002", faqe 51-53. Shënime të kohës.