2016-10-08

Arrestimi i Kryekomisarit Nehat Thaçi - Kosova paralajmëron “masa reciproke” ndaj Serbisë


“Qeveria e Kosovës do të sillet në të ardhmen në mënyrë reciproke, nëse Qeveria e Serbisë vazhdon më arrestimin e oficerëve të lartë të shtetit të Kosovës apo të zyrtarëve të lartë”, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Ministri Hoxhaj e cilësoi si “akt të papranueshëm arrestimin e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi” dhe njëkohësisht theksoi se po bëhen përpjekje të shtuara për lirimin e tij.

Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, për Mitrovicën Jugore, Nehat Thaçi, u ndalua të enjten e kaluar në vendkalimin kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletarresti të Serbisë për, siç thuhet, veprën penale ‘të terrorizmit’.

Një gjykatë në Nish, një ditë më vonë i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Kjo duhet të kuptohet në një rrafsh më të gjerë; Serbia ka zgjeruar gamën e provokimeve në raport më Kosovën dhe në raport më rajonin; prej zhvillimeve që po ndodhin në Republika Serpska në referendumin atje (në Bosnje dhe Hercegovinë) e deri tek ndërhyrjet më të shpeshta edhe shumë dimensionale qoftë në Kosovë, qoftë në vendet tjera të rajonit. Kjo për ne është e papranueshme”.
Autoritetet në Prishtinë thanë se kanë kërkuar që çështja “Thaçi” të adresohet në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, megjithëse BE-ja ende nuk ka dhënë asnjë qëndrim për arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës.

Ministri i jashtëm Hoxhaj tha se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të bëhet presion mbi Beogradin zyrtar.

“Deri më tani ka pasur disa komunikime dhe kemi lutur partnerët tanë ndërkombëtar që të ushtrojnë presion mbi Serbinë, pasi është e papranueshme dhe e pakuptueshme, kur të dy shtetet janë në proces të normalizimit, dhe dikush mund të arrestohet dhe të vendoset në paraburgim më akuza të paqena dhe në formë të një përndjekjeje politike”.

Në anën tjetër analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, arrestimin e zyrtarëve të Kosovës, e quan provokim dhe shantazh të autoriteteve serbe.
Dhe për provokimet e tilla, thotë ai, Qeveria e Kosovës është dashur të ndërpres menjëherë bisedimet që po zhvillohen në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar në Bruksel, deri sa të lirohet Nehat Thaçi.
“Është krejtësisht i papranueshëm reagimi i vakët, jo profesional dhe jo shtetëror i përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës. Pra, është e turpshme, se çfarë qasje indiferente dhe neglizhuese ka Qeveria e Kosovës ndaj kësaj praktike e cila e ofendon shtetin, qytetarët dhe të gjitha institucionet e Kosovës, sepse tregon se Serbia kur do mund të bëjë provokime të tilla dhe Kosova nuk do të reagojë në mënyrë të duhur”,ka thënë Muhaxhiri.

Muhaxhiri ndërkaq ka theksuar se një dozë të fajit për këtë çështje ka edhe vetë Bashkimi Evropian.
“Një pjesë të madhe të fajit e ka edhe Brukseli, sepse si zakonisht i mbyll sytë para akteve të tilla të Serbisë, duke e minimizuar peshën e tyre. Aktet e tilla e minojnë çdo shpresë dhe dialog të frytshëmpër një përmirësim të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, synim ky kryesor i Brukselit” .

Një numër i zyrtarëve të lartë të Kosovës, përfshirë edhe ata partiakë, bazuar në njoftimet e autoriteteve në Prishtinë, janë ndaluar në të kaluarën, siç është thënë, në qendra të ndryshme në Evropë, mbi bazën e flet-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Republika e Serbisë.

Hashim Thaçi flet nga Tirana - “Arrestimi i N.Thaçit, veprim arbitrar i Serbisë. Çështja në Bruksel”


“S’ mund t’i përgjigjemi arrestimeve me arrestime dhe dhunës me dhunë” deklaroi Presidenti Thaçi pyetjes së një gazetari lidhur me arrestimin e drejtorit të policisë së Mitrovicës Jugore Nehat Thaçi nga Serbia.
Pyetja u bë në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Nishani sot në vizitën zyrtare që presdienti Thaçi ka në Tiranë.
Hashim Thaçi: “Ne jemi duke koordinuar krejt potencialin dhe angazhimin tonë me autoritetet ndërkombëtare. Pjesëtarët e UÇK kanë bërë luftë të drejtë. Eshtë për të ardhur keq për këtë reagim paranojak të Beogradit në raport me pjesëtarët e UÇK-së me dosje të kohës së Millosheviçit. Po punojmë me autoritetet përkatëse  që kjo çështje të mbyllet drejtë dhe njëherë e përgjithmonë. Ky veprim arbitrar  ngjall reagime të të gjithë institucioneve të Kosovës dhe Ndërkombëtare dhe do të shtrohet në instancat më të larta të dialogut të komunikimit ndërshtetëror me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar.
Cfarë mendon Thaçi dhe Nishani për demarkacionin me Malin e Zi?
Thaçi nxit dialogun. Nishani: Nuk ndërhyjmë. Ja deklaratat  
Hashim Thaçi: Nxis dialogun politik në Kosovë. Në parlament po zhvillohet një debat konstruktiv dhe më mban  me shpresë se do të nxjerrë një konkluzion të drejtë mbi interesa partiake, logjikën provinciale dhe mbi politikën ditore. Interesi shtetëror është të kryhet demarkacioni, të ndodhë liberalizimi i vizave dhe themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Nga Tirana nxis debatin
Bujar Nishani: Për çështjet konkrete, padyshim që janë çështje me ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë. Në kontekstin e detajuar, Shqipëria, unë e kam pasur qëndrim timin të pandryshuar, Shqipëria nuk mund të ndërhyjë dhe nuk do të ndërhynte në debatin politik në Kosovë pasi çështje të tilla janë terësisht pjesë e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë së lidershipit të klasës politike dhe të gjithë aktorëve të tjerë vendimarrës dhe opinionbërës në Kosovë. Mendoj se të gjithë duhet të orientohen nga interesi madhor dhe strategjik i Kosovës. Gjenerata e sotme që ka fatin dhe privilegjin të përfaqësojë mandate por dhe të marrë vendime mendoj se përgjegjësinë më të madhe e ka për të menduar për gjeneratat që vinë.Nuk mundem ti orientoj apo këshilloj sepse është përgjegjësi dhe detyrë e klasës politike në Koosvë të marrin vendimet e duhura. Ajo çka unë uroj është që përgjegjësia e tyre ti shërbejë interesit më të mirë strategjik të Kosovës dhe popullit shqiptar në Kosovë dhe gjithë qytetarëve të tjerë që jetojnë në të.
 Te thellohet bashkepunimi dhe te vijoje dialogu Kosove-Serbi
Në konferencën e përbashkët të dy presidentët nënvizuan domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe vazhdimin e dialogut Kosovë- Serbi, i domosdoshëm për stabilitetin në rajon.
Nishani deklaron: Dialogu Kosovë-Serbi sjell stabilitet në rajon.
Hashim Thaçi: “Kam besim të plotë se Shqipëria do të jetë zëri shtesë i Kosovës. Ne jemi në rrugë të mbarë dhe do të plotësojmë njëri tjetrin në rrugën tonë euroatlantike.
Pyetje: Çfarë nuk shkon me zbatimin praktik të marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës?
Presidenti Nishani mendon se ka hapa pozitivë por ka dhe vend për përparim.
Nishani: “Bashkëpinimi ekonomik mbetet sfidë për dy vendet”
Hashim Thaçi:  Nuk mendoj se ka diçka që nuk shkon por mund të lëvizim më shpejt në fushën ekonomike. Inkurajojmë qeveritë të rrisin angazhimet. Shoh vullnet dhe gadishmëri
Kjo është vizita e parë e zotit Thaçi si president i Kosovës.

Mediat ndërkombëtare: Arrestimi i nënkolonelit Nehat Thaçit, tensione në Ballkan

Arrestimi i Drejtorit të Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës Nehat Thaçi tregon një shenjë të tensioneve të vazhdueshme të përqendruara në Ballkan, dhe mund të provokojë tensione mes Beogradit dhe Prishtinës, kanë vlerësuar agjencitë e lajmeve “Associated Press” dhe “AFP”.


AP përkujton se Thaçi u arrestua të mërkurën dhe se autoritetet në Prishtinë kërkuan nga ana e Serbisë një shpjegim për arrestimin e tij.

Agjencia franceze vlerëson se pas arrestimit të  nënkolonel Nehat Thaçit u krijua një situatë që mund të provokojë tensione mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Gjykata në Nish ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Nehat Thaçin. Ky vendim është marrë për shkak të rrezikut të arratisjes, dhe për shkak të dënimit me kusht që ka shqiptuar gjykata në Nish prej 10 viteve burg ” tha një zëdhënëse e gjykatës për AFP .

E zëdhënësi i gjykatës në Nish, Vladimir Stanojevic i tha AFP-së se janë duke kryer hetim ndaj Thaçit “kundër terrorizmit”, por nuk pranoi të japë më shumë hollësi në lidhje me veprat për të cilat akuzohet.

Visar Ymeri: Anulimi i Demarkacionit shmang luftën

Cenimi i integritetit territorial mund të prodhojë tensione të vazhdueshme në rajon, ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, marrëveshja aktuale për Demarkacionin duhet të hidhet poshtë.
“Shmangia e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, natyrisht që është shmangie e luftës”, ka thënë Ymeri.
Në këtë intervistë, Ymeri akuzon Policinë e Kosovës për inskenim dhe montim të rastit të arrestimit të gjashtë aktivistëve të saj, nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit dhe e përjashton mundësinë që gjësendet dhe mjetet ilegale të zbuluara nga policia në një depo në Prishtinë, i përkasin Vetëvendosjes.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, Lëvizja Vetëvendosje këto ditë doli me një propozim pesë pikësh në lidhje me çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Sa ofron zgjidhje ky propozim dhe a e keni diskutuar atë me pjesën tjetër të spektrit politik?
Visar Ymeri: Propozimi që e kemi bërë rreth pesë hapave që duhet të ndërmerren është rruga e vetme përpara, për sa i përket kësaj marrëveshje të Demarkacionit që e ka sjellë Qeveria e Kosovës. Ne kemi menduar që është e domosdoshme që kjo marrëveshje të hidhet poshtë. Pra, të rishqyrtohet dhe të përmirësohet sikurse metoda e përdorur, ashtu edhe përmbajtja tjetër e marrëveshjes, e veçanërisht konkluzat e saj.
Duhet ta kemi parasysh që Komisioni shtetëror ka qenë mandatar që ta shënjojë vijën kufitare, ndërkohë që ky Komision ka vendosur një kufi të ri, i cili e dëmton Kosovën për 8 mijë e 200 hektarë dhe natyrisht që kjo nuk është e pranueshme dhe as që mund të procedohet tutje në institucionet e Kosovës. Ndërkohë, në pesë pikëshin e propozuar nga ne shprehet qartë interesimi i Kosovës që ta shënjojë vijën kufitare me Malin e Zi, natyrisht duke mos e dëmtuar as integritetin territorial të Malit të Zi dhe as integritetin territorial të Kosovës.
Kjo është e arritshme dhe duhet të jetë e arritshme, sepse shtetet, e në veçanti ato që kanë fqinjësi njëra me tjetrën dhe që synojnë marrëdhënie të mira, siç i ka Kosova me Malin e Zi, duhet që këto marrëdhënie t’i ndërtojnë mbi bazën e reciprocitetit dhe respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial. Aq më tepër, që këto marrëveshje, në veçanti ajo për kufirin, të bëhet mbi bazën e parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, gjë që nuk ka ndodhur me rastin e Republikës së Kosovës.
Ne e kemi bërë këtë propozim publik, në mënyrë që ta orientojmë debatin. Deri më tash nuk ka pasur kontakt nga subjektet tjera që ta diskutojmë me to. Ne jemi të gatshëm që të diskutojmë, por mendojmë që parimet e vendosura në këtë program janë të drejta dhe të dobishme, si dhe garantojnë një shënjim të drejtë të vijës kufitare dhe njëkohësisht mirëmbajtje dhe avancim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Radio Evropa e Lirë: Pse u desht edhe një propozim i Vetëvendosjes, kur ju, si Vetëvendosje dhe katër subjektet tjera politike parlamentare ishit duke biseduar rreth një deklarate të iniciuar nga Grupi Ballkanik, si përpjekje për tejkalimin e bllokadës së krijuar?
Visar Ymeri: Po, ky propozim i yni është hap që të ecet përpara. Pra, kah do të duhej të lëviznin institucionet e Kosovës karshi nevojës për ta shënjuar vijën kufitare dhe njëkohësisht edhe karshi procesit të marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian dhe veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave. Në këtë drejtim konsiderojmë që këto pika dhe një deklaratë e mundshme e përbashkët e subjekteve politike në të ardhmen, që po synohet nga shoqëria civile, nuk janë përjashtuese njëra me tjetrën, por janë edhe komplementare edhe të përbashkueshme. Ne edhe në atë deklaratë kemi bërë disa propozime që të futen si pika, sepse në formën në të cilën ajo ka qenë apo është aktualisht, mendojmë se është edhe e përgjithësuar dhe nuk zgjidh asgjë.
Qeveria e Republikës së Kosovës deri më tani nuk ka shprehur fare interesim për ta zgjidhur këtë çështje dhe në këtë drejtim konsiderojmë që qeveria, tani me vetëdije, është duke synuar që ta cenojë integritetin territorial të Kosovës, gjë që është e papranueshme për ne.
Policia inskenon skenat e sulmeve dhe zbulimit të mjeteve të paligjshme
Radio Evropa e Lirë: Mospajtimet rreth çështjes së Demarkacionit shtuan edhe tensionet e brendshme politike. Policia e Kosovës arrestoi aktivistë të Vetëvendosjes nën dyshimet për sulme ndaj Kuvendit, ndërkaq gjatë bastisjes së një objekti, i cili u tha se është në pronësi të Vetëvendosjes, u tha se u gjetën edhe mjete të palejueshme. Cila është përgjigja e juaj ndaj këtyre zhvillimeve?
Visar Ymeri: Këto rastet e fundit janë inskenime të kulluara të policisë, të cilat natyrisht që bëhen me urdhëra politik. Në këtë drejtim, konsideroj që kjo e dëshmon atë që ne e kemi thënë disa herë se sa thellë dhe gjerë është kapur shteti i Kosovës. Pra, aparati shtetëror, institucionet shtetërore dhe si ato po keqpërdoren nga politika për të luftuar kundërshtimin politik me mjete edhe me gjuhë të papranueshme për ne.
Ju e keni parë se si është zhvilluar rasti ndaj gjashtë aktivistëve të Vetëvendosjes, ku policia nuk ka ofruar kurrfarë dëshmie, as fakti, por vazhdohet me të njëjtin avaz që të ngre akuza dhe të paraqitet në publik me inskenime dhe montime, në mënyrë që ta fitojë opinionin publik kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe kundër aktivistëve të saj.
Por, kjo qartazi nuk po ka efekt, sepse të gjithë e kanë parë se këto janë raste të montuara. Konsideroj që pushteti aktual në Kosovë, pra ky regjim që do të duhej të ishte qeveri demokratike, po shndërrohet në regjim autoritar e nganjëherë edhe në përmasa të regjimit diktatorial, sepse montimi i rasteve karshi kundërshtarëve politik në asnjë vend demokratik nuk ka ndodhur kurrë. Me akuza e falsifikime e montime të rasteve, synon t’i dënojë aktivistët e kësaj Lëvizje dhe ta akuzojë Lëvizjen Vetëvendosje si një Lëvizje që ka ndërmarrë sulme terroriste. Pra, kjo e shpreh edhe njëherë panikun e këtij pushteti.
Radio Evropa e Lirë: Një sqarim këtu. Edhe gjësendet, mjetet jo legale që u gjendën në depon e bastisur, e të cilat u tha se ishin të Vetëvendosjes, janë pjesë e asaj që po i quani montim i policisë?
Visar Ymeri: Jo, s’janë të Vetëvendosjes ato. Policia është futur aty pa kurrfarë dëshmitari dhe aty ata ku e dimë ne se çfarë kanë bërë. Unë nuk do ta kisha pasur një dyshim të tillë në Policinë e Kosovës po të mos e kishte pasur një historik të gjërave të tilla, edhe karshi Vetëvendosjes, por që besa edhe në aspekte tjera.
Konsideroj që policia, pjesëtarët e policisë, një numër i madh i tyre, natyrisht që janë njerëz të mirë që ia duan të mirën vendit dhe punojnë në interes të Republikës së Kosovës. Por, ja që policia e Kosovës, kreu i saj, i lidhur drejtpërdrejt me koalicionin qeverisës dhe veçanërisht me SHIK-un dhe në anën tjetër me krimin e organizuar, që mbase është e njëjta gjë, janë duke e keqpërdorur aparatin apo institucionin e Policisë së Kosovës për të bërë inskenime të tilla.
Homogjenizimi i Serbisë, rrezik për rajonin dhe sidomos Kosovën
Radio Evropa e Lirë: Po në planin e jashtëm, u tha se Demarkacioni jo i drejtë do të mund të tensiononte raportet edhe me Malin e Zi. A besoni ju se rajoni ende mund të përfshihet në konflikte?
Visar Ymeri: Luftën ne as nuk e duam dhe as nuk e inkurajojmë. Mirëpo, lufta mund të ndodhë pikërisht atëherë kur synon ta shmangësh atë. Pra, kjo mungesë absolute e përgatitjes së Republikës së Kosovës për ta mbrojtur territorin e vet natyrisht që bëhet pastaj një sinjal i rrezikshëm për fqinjët, veçanërisht Serbinë që territori i Republikës së Kosovës është një pre i lehtë dhe rrjedhimisht i pushtueshëm.
Ajo çfarë ka thënë me këtë rast deputeti Albin Kurti është thënë më herët edhe prej një gazete me renome, në mos gabofsha ose ‘New York Times’ ose ‘Washington Post’, në një shkrim ku autori supozon që, meqenëse lëvizja e kufijve ka prodhuar luftëra gjithandej në botë, një gjë e tillë nuk mund të mohohet si mundësi as në Kosovë.
Ajo çfarë kemi thënë ne është që cenimi i integritetit territorial mund të prodhojë tensione të vazhdueshme dhe në këtë drejtim natyrisht që duhet me domosdo që marrëveshja aktuale për Demarkacion të hedhet poshtë, në mënyrë që Kosova ta ketë mundësinë e shënjimit të drejtë të vijës kufitare, për ta shmangur luftën. Pra, shmangia e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës natyrisht që është shmangie e luftës.
Për sa i përket rajonit, ne po e shohim se çfarë po ndodhë. Marrëdhëniet midis vendeve të rajonit nuk kanë qenë kurrë më të këqija që nga përfundimi i luftërave këtu e deri më sot. Kemi në njërën anë një Kroaci e cila vazhdimisht është duke u armatosur, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër e kemi një Serbi e cila po homogjenizohet politikisht dhe po armatoset nga Rusia për çdo herë e më shumë.
Parlamenti i Serbisë nuk ka qenë kurrë më i homogjenizuar në ekstremin e djathtë nacionalist-shovenist sesa që është tani. Referendumi në Bosnje është një aspekt tjetër, në të cilin qartazi Republika Serbe i ka shprehur aspiratat e veta të ndahet nga Bosnja e Hercegovina dhe kështu të dal edhe nga Marrëveshja e Dejtonit. Pra, të gjitha këto zhvillime në rajon e tregojnë në njëfarë mënyre që mundësia për ta pasur një luftë të re në rajon është më e madhe sesa që mendohet.
Mendoj se është fëmijërore dhe naive nga ana e institucioneve dhe krerët e institucioneve të Kosovës që të sillen sikur kjo nuk është duke ndodhur.
Ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk mendojmë se në politikë duhet të sillemi si makushi i cili në rast të rrezikut e fut kokën në rërë duke menduar se do ta shmang rrezikun, siç po bën Qeveria e Kosovës. Konsiderojmë që sa më të papërgatitur që jemi ne, do të shihemi si pre më e lehtë nga Serbia për kontrollin politik mbi një pjesë të territorit apo kontroll politik mbi Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Në funksion të relaksimit të raporteve Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialog politik. Nuk shihni përfitime nga ky proces?
Visar Ymeri: Dialogu që ka ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë, qartazi i ka shërbyer vetëm Serbisë. I ka shërbyer Serbisë, sepse e ka shtrirë kontrollin mbi Republikën e Kosovës, duke e thelluar shumë atë. Me anë të Listës Serbe mban kontrollin mbi një pjesë të territorit, mbi të gjitha komunat me shumicë serbe, e kështu me radhë.
Ndërkohë që në anën tjetër ia ka krijuar mundësinë një njeriu i cili do të duhej të ishte i gjykuar për krime lufte, pra tash Vuçiqi e më herët Daçiqi, që të paraqitet me një fytyrë njerëzore karshi institucioneve të Brukselit. Kjo ndodh vetëm për shkak të pranimit të krerëve të institucioneve të Kosovës që të takohen me Vuçiqin e Daçiqin dhe të buzëqeshin me të para kamerave thua se nuk është i njëjti person i cili kishte qenë në qeverinë që kishte urdhëruar gjithë ato krime, vrasje ndaj shqiptarëve, përdhunime të grave e vajzave tona, e njëkohësisht djegie të shtëpive dhe shkatërrim të ekonomisë së vendit.
Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, në bazë të kësaj që ju deklaroni, mes dy rrugëve që ka përpara rajoni – integrimeve evropiane dhe konfliktit, ju besoni se ende nuk ka kaluar rreziku i përsëritjes së konflikteve në rajon?
Visar Ymeri: Rajoni mendoj që e ka një problem, e problemi është Serbia. Serbia ka qenë problem historikisht në këtë rajon. Homogjenizimi politik i Serbisë është rrezik imanent dhe i përnjëhershëm për rajonin, sepse Serbia, kjo vijë politike e Serbisë dhe jo e gjithë Serbia, e ka një qëllim të vetëm dhe ai është që ta rrit sa më shumë territorin në dëm të tjerëve. Pra, duke i pushtuar territoret e të tjerëve. Në këtë drejtim, veçanërisht Republika e Kosovës është jashtëzakonisht e rrezikuar. Mendoj që mungesa e një procesi të denazifikimit të Serbisë ka krijuar një problem në ditët e sotme dhe besoj do të jetë problem dhe rrezik edhe në të ardhmen.
Shqiptarët duhet ta kthejnë shikimin nga vetja dhe interesat e veta. Kjo duhet të ndodhë në Kosovë, në Shqipëri e gjithandej ku jetojnë shqiptarët, sepse kjo ideja e bashkimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian, asnjëherë as nuk ka qenë e qëndrueshme, as historikisht dhe as aktualisht.
Tash, Bashkimi Evropian ka probleme të brendshme për shkak të daljes së Britanisë së Madhe, pastaj për shkak të çështjes së emigrantëve, krizës ekonomike, andaj gjithnjë e më shumë po e kthen shikimin nga vetja dhe në këtë drejtim Bashkimi Evropian nuk e ka ndërmend që për 10-15 vitet e ardhshme të ndërmerr çfarëdo procesi të zgjerimit.
Duke qenë kjo e vërtetë, atëherë shqiptarët domosdo që duhet të kthejnë sytë nga vetja në mënyrë që ta fuqizojnë dhe faktorizojnë vetveten në këtë rajon dhe të jemi një komb i cili e ka mundësinë edhe për t’u mbrojtur nga jashtë, por edhe e ka mundësinë që të zhvillohet dhe të fuqizohet nga brenda

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek: Jam cituar gabim për demarkacionin si kusht për vizat

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, i ka reaguar deputetes së NISMA-s, Valdete Bajramit, e cila ka thënë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga BE që demarkacioni të jetë kusht për vizat. “Deputetja Bajrami më ka cituar gabimisht”, ka thënë Lunaçek.


Lunaçek, e cila është edhe raportuese për Kosovën e PE-së, ka thënë nëpërmjet një deklarate se Bajrami e ka cituar gabimisht.

Deputetja Valdete Bajrami më ka cituar gabimisht”, ka thënë Lunaçek.

“Deklarata e deputetes Bajrami nuk korrespondon me faktet. Unë kurrë nuk kam thënë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar që demarkacioni me Malin e Zi të jetë kusht për heqjen e vizave me Zonën Schengen” ka shtuar ajo.

“Unë u kërkova të gjithë deputetëve që të lëvizin përpara me ratifikimin e marrëveshjes sa më parë që të jetë e mundur dhe kam shpjeguar se në atmosferën aktuale në BE, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza është e rëndësishëm që të përmbushen edhe dy kushtet e mbetura sa më parë që të jetë e mundur. Po ashtu u kam thënë atyre që qeveria duhet të përmbush kushtin e dytë që është sjellja evidenca për dënimet e nivelit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion. Po ashtu kam shprehur mbështetjen e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave dhe për procesin e zgjerimit për Kosovën në përgjithësi”, është shprehur Lunacek.

Demarkacioni - Ambasadori britanik: E çuditshme që flitet për luftë me Malin e Zi

Ambasadori britanik Ruairi O’Connell ka folur për demarkacionin me Malin e Zi duke shprehur habi që flitet për luftë me këtë shtet.
Diplomati britanik duke u përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në një transmetim direkt të Gazetës Express ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi kanë raporte të mira duke përmendur faktin që Podgorica e kishte njohur pavarësinë e Kosovës disa muaj pas shpalljes, pavarësisht telasheve me Beogradin.
“Më duket e çuditshme që flitet për luftë me Malin e Zi” ka thënë ai.

Më pas ai, nuk e ka përjashtuar mundësinë që subjektet që flasin për këtë ta bëjnë për konsume të brendshëm.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht duke përsëritur mundësinë e një luftë me Malin e Zi nëse kalon demarkacioni.

Zbulohen libra të bërë me lëkurë njeriu


Sipas disa studimeve të fundit është zbuluar se në Harvard janë gjetur disa libra të cilat janë bërë nga lëkura e njeriut.
252324_2
Librat ishin gjetur kohë më parë dhe në pamje të parë kopertina e tyre dukej tepër e pazakontë por pas studimit të thellë mendohet se librat janë bërë lëkura e njeriut.
252326
Në një prej këtyre librave u gjet një shënim ngjyrë violë, ku thotë: “Ky libër, është ajo që mbetet nga miku im Jonas Wright, që u rrjep gjallë në ditën e katërt të muajit gusht në 1632.
252325
U prehsh në paqe”.

Kjo histori e pazakontë e lidhur me lëkurën e njeriut ka ngjallur vëmendjen e të gjithë Kampusit, ku kohët e fundit ka fillur puna intensive për studime të thella.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...