2018-05-14

Diaspora nuk duhet të shihet vetëm si mundësi për të dërguar para

Gashi: Diaspora nuk duhet të shihet vetëm si mundësi për të dërguar para (Video)
Kohë më parë, Liza Gashi, nga organizata që merret me çështje të diasporës “Germin”, ka theksuar se ka ardhur koha që diaspora të mos shihet vetëm si mundësi për të dërguar remitenca.

Ajo në emisionin “Përballje”, me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka thënë ka një mungesë të angazhimit më serioz të institucioneve vendore për ta rregulluar çështjen e mërgimtarëve kur vinë në Kosovë, si shembull problemet me të drejtën e votës, kartonin e gjelbër, policën kufitare, etj.


Nga të gjithë afrodiziakët kjo mjaltë është shija më e ëmbël e romancës tuaj

“Fatkeqësi është se si në shekullin 21, kemi probleme me të drejtat bazike të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Diaspora nuk duhet të shihet si temë e rëndësishme kur flasim për remitenca. Ata kanë shumë më shumë fuqi, sepse pothuajse pjesa më e ndritur e shqiptarëve jetojnë në diasporë, dhe këtu mund të hynte edhe pjesa dhe kontributi i tyre në rrafshin profesional”, ka shtuar Gashi.

Diaspora, si partnere për një të ardhme më të mirë

Indira Kartallozi

“Ndonjëherë mendojmë se pushtojmë të dy kulturat, herë tjera mendojmë që rrëzohemi në mes të dy ulëseve” (Salman Rushdie).


Po e filloj shkrimin me këtë thënie, sepse reflekton qartë atë se çfarë do të thotë të qënit person që ka lëshuar Kosovën para 26 viteve. Duke reflektuar në vitet që kam kaluar, identiteti im ka kaluar në disa periudha ndryshimi dhe transformimi. Dhe, kështu mësohesh të jetosh në procesin e të qënit në mes të dy kulturave; shpeshherë duke qenë pjesë e të dyjave ose asnjërës në tërësi.

Ky rrugëtim mes identitetesh më solli ndër tjerash edhe para dyerve të Germin-it, që me një hulumtim përmes Google më kishte gjetur dhe kontaktuar për ofertën e tyre për t’u bërë pjesë e “diçkaje të madhe”, e që më zgjoi kureshtjen. Ata thjeshtë flisnin “gjuhën time” dhe ishin mjaftë të hapur ndaj kritikave dhe komenteve të mia. Çuditërisht, nuk donin para nga unë, e as ndonjë shërbim falas, gjëra të cilat duke qenë pjesë e diasporës, isha mësuar të më kërkohen. Ata deshën që t’i japin zë të gjithë anëtarëve të diasporës, dhe jo vetëm për politikë e investime, por edhe për vete. Pra, deshën që ne – diaspora – të shpjegojmë dhe flasim për jetën tonë në mes të dy kulturave, dhe për atë se si është të gjendesh në mes të koncepteve të të qënit “i huaj” dhe të qenit “i jashtëm”.

Çfarë dua të them me këtë?

Të jesh “i huaj’ të bënë të jesh në një sfidë të vazhdueshme për t’u bërë pjesë e shtetit ku jeton, pa marrë parasysh përjashtimet socio-ekonomike të cilat i përjeton. Është sfidë të ecësh përpara, të punosh zellshëm, dhe të krijosh mundësitë për vete, duke zhvilluar një qëndrueshmëri që vjen pikërisht me faktin e të qënit “i huaj”. Përkrah faktit të mbijetesës dhe mbështetjes së familjeve në Atdhe, nga fëmijët tanë kërkohet të rriten, të jenë të suksesshëm dhe të kthehen në Atdhe si “të jashtëm” dhe të bëjnë mirë për të gjithë! Pra, fëmijët tanë rriten krahas ëndrrave të prindërve të tyre edhe me barrën e të qenit “i huaj” edhe “i jashtëm”.

“I jashtëm” jam unë. Aktivistja, ndryshuesja dhe ëndërrimtarja – që kthehem prapa dhe shtyj fort për ndryshim pozitiv, pavarësisht komenteve degraduese si “shaci” apo “darling” apo ndonjëherë edhe me “fli-se” me çmim shtrenjtë për nivelin e një të ‘pasuri’ si unë e reflekton pasurinë time.

Unë do të vazhdojë të kontribuojë, edhe pse irritohem nga kërkesat e investimeve si e “jashtit” dhe dhuratave të cilat unë pritet t’i jap, shantazhuar me fajin e braktisjes nga vendi im. Jam unë, nëna e fëmijëve emigrantë, që ndonjëherë përqeshem për prejardhjen edhe me gjuhë denigruese. Fëmijët e mi emigrantë, të panjohurit, me diplomat dhe ëndrrat e tyre për Atdheun e tyre më të mirë, për vetën dhe për prindërit e tyre.


Germin e kupton këtë, angazhim timin të drejtë, andaj me plot të drejtë ndërhyn në krijimin e kushteve për komunitetin e diasporës dhe negocion mundësitë për ne, “të jashtmit”. Është zëri ynë i cili na mundëson të jemi këtu. Germin kupton mjaftë mirë dallimet tona dhe ndjenjën e të qënit në mes dy kulturash, prandaj përmes “Diaspora flet” na ofron një mundësi që të dëgjohemi. E vetmja organizatë e cila i mundëson shkëlqimin, ëndrrave tona. E largon atë “mjedisshmëri” në mes të qenit “i huaj” dhe ‘i jashtit” dhe të bën të ndihesh “kosovare”, atë që përpiqem të jem.

E rëndësishmja është që Germin i përfshin fëmijët e mi, i mirëpret dhe ju ofron përfshirje dhe mundësi të shkëlqejnë dhe t’i realizojnë ëndrrat e tyre përmes “Shkollës së diasporës”.

Germin është një komunitet i udhëhequr nga forcat e ndërmjetme, që i thyen muret dhe barrierat, duke krijuar lidhje dhe integrim të jetës së diasporës, si dhe bashkimin e ëndrrave për të krijuar vlera më të mëdha.

Autorja është drejtuese e Kaleidoscope Futures dhe themeluese e Migrant Entrepreneurs International. Ekspertiza e Indirës shtrihet prej qëndrueshmërisë, ndërmarrësisë sociale, të drejtat e njeriut e deri në udhëheqje (lidership). Puna e Indirës në qëndrueshmëri e ka dërguar në vende të ndryshme në Afrikë, Azi, Evropë dhe Amerikën Latine. Më parë ajo ka qenë edhe presidente në panelin e jurisë për Çmimin për raportim të ndërmarrësisë sociale (The SERAs), një iniciativë nga CSR Nigeria. Indira po ashtu është e angazhuar në pozita të ndryshme, duke mbështetur punën e ‘Impacto’, një ndërmarrje sociale në Malajzi, Women for Peace and Participation (WPP), organizatë jo-fitimprurëse që promovon përfshirjen sociale dhe politika të grave, Germin dhe “Mentoring Our Future” .

Pa diasporë nuk ka Evropë

image
Mark Kosmo,Ph.D

Kosova dhe Shqipëria nuk do të hyjnë në Evropë përderisa nuk angazhojnë diasporën e gjërë shqiptare në një mënyrë më të organizuar dhe institucionale. Diaspora shqiptare është sine qua non (më e rëndësishmja) për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.


Historia shqiptare është e mbushur me shembuj të angazhimit të diasporës, qysh nga koha e Skënderbeut e deri në kohët e tanishme, por realiteti është që asnjëherë nuk ka pasur një organizim të mirëfilltë në nivel botëror, dhe asnjëherë nuk ka pasur politikë koherente për angazhim të diasporës nga ana e qeverive të Kosovës apo Shqipërisë.

Asnjë vend në Evropë nuk ka diasporë më të madhe për sa i përket përqindjes së popullsisë sesa ajo shqiptare, dhe asnjë vend nuk ka të ardhura më të mëdha sesa diaspora shqiptare. Trupi i njeriut nuk funksionon në mënyrë optimale në qoftë se pjesët e rëndësishme të tij nuk funksionojnë drejtë, prandaj e njëjta gjë ndodh edhe me kombin shqiptar, për të cilin diaspora paraqet një pjesë shumë të rëndësishme e të begatshme me njohuri teknike, eksperiencë profesionale dhe kapital financiar.

Në shekullin e XXI-të, me një komunitet të gjërë global shqiptar dhe teknologji që na mundëson bashkëpunimin gjithëpërfshirës, ka ardhur koha që ta lëmë prapa të kaluarën tonë të pa organizuar dhe të krijojmë një të ardhme më të organizuar. Nëse Irlanda, Izraeli, India dhe shtete të tjera të shumta kanë arritur që të angazhojnë diasporën e tyre si agjentë të ndryshimit dhe zhvillimit social e ekonomik, njëjtë mund të bëjnë edhe Kosova e Shqipëria. Këto të dyja duhet dhe mund të mësojnë nga shembujt e vendeve të tjera. Nëse dëshirojmë që të bëhemi pjesë e Bashkimin Evropian (BE), nuk kemi zgjidhje tjetër pos të kemi një angazhim më të mirëfilltë të komunitetit global shqiptar.

Drejt këtij qëllimi, Germin po organizon Konferencën Diaspora Flet në Prishtinë më 17-20 Maj. Kjo konferencë paraqet një hap shumë të rëndësishëm drejt angazhimit më të mirëfilltë të diasporës shqiptare, pasiqë është e para konferencë e madhe e organizuar së bashku nga një organizatë jo-qeveritare dhe diaspora. Do të bazohet në eksperiencën e Samitit të Diasporës të organizuar nga Qeveria e Shqipërisë në Tiranë, në nëntor të 2016-es, dhe do të adresojë shumë çështje, përfshirë edhe atë se pse diaspora shqiptare është shumë e rëndësishme për të ardhmen evropiane të shqiptarëve, dhe pse është e rëndësishme tani?

Me kalimin e kohës, të gjithë komunitetet emigruese e humbin një dozë të lidhjes me atdheun përpos nëse ka fluks të vazhdueshëm të emigrantëve. Përderisa Kosova dhe Shqipëria zhvillohen, përqindja e madhe e migrimit që ka ndodhur përgjatë 25 viteve të fundit, do të bie, prandaj nëse përpjekjet e angazhimit të komunitetit global shqiptarë nuk do të jenë të suksesshëm në dy dekadat e ardhshme, kjo do të paraqesë një mundësi të humbur për angazhimin e miliona shqiptarëve anë e mbanë botës.

Për institucionet në Shqipëri dhe Kosovë për të arritur nivelin e sofistikimit që nevojitet për tu bërë pjesë e BE-së, duhet të shfrytëzojnë eksperiencën e profesionistëve shqiptarë jashtë Ballkanit Perëndimorë. Kjo gjë nuk mund të ndodh brenda natës, por në 10-15 vitet e ardhshme do të mund të ndodhte një gjë e tillë. Kërkoj falje prej optimistëve që mendojnë ndryshe! Anëtarët e diasporës shërbejnë si ambasadorë të Kosovës dhe Shqipërisë çdo ditë në shtetet ku ata jetojnë, dhe për të pasur ambasadorë të denjë, kërkohet dizajnimi i një politike të mirëfilltë e angazhimit të tyre


Çfarë duhet bërë?

Padyshim se duhet së pari të zhvillohet një program i gjerë i promovimit të kulturës dhe gjuhës shqipe në diasporë, pasi se mund të konsiderohet thelbi i të gjitha aktiviteteve të diasporës nga gjeneratat e ardhshme. Duhet të krijohet dhe zhvillohet rrjeti global i profesionistëve, investitorëve, dhe ndërmarrësve shqiptarë. Deri më tani shumica e këtyre rrjeteve kanë operuar në nivele lokale dhe ndonjëherë shtetërore, por asgjë nuk funksionon në nivel më të gjerë global/ndërkombëtarë.

Votimi për diasporën shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë prej vendeve ku ata janë rezident duhet të lehtësohet dhe thjeshtësohet, përndryshe personat nga diaspora do të vazhdojnë të ndjehen si qytetarë të klasit sekondar dhe rrjedhimisht më pak të interesuar për angazhim. Diaspora shqiptare duhet të krijojë një fondacion që do të kanalizonte donacionet nga Fondacioni Global Shqiptar që të ndihmojë shqiptarët kudo. Një fondacion i tillë do të rriste besimin e diasporës që fondet e tyre do të përdoreshin dhe menaxhoheshin në mënyrë të drejtë. Këshilli Global i Diasporës Shqiptare duhet të krijohet në mënyrë që të bashkëpunojë me qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë (dhe qeveritë tjera regjionale) që të sigurohen se interesat e diasporës merren parasysh dhe që ata janë plotësisht të angazhuar. Duhet të ekzistojë një këshill i vetëm, e jo të ndarë në secilin shtet.

Përfundimisht, nuk ekziston ndonjë shkop magjik në angazhimin e komunitetit global shqiptarë, sikurse mund të organizohet një ekip i futbollit apo një orkestër, por kërkohet angazhimi i shumë faktorëve dhe akterëve në harmoni me njëri tjetrin në mënyrë që të arrihet suksesi. Angazhimi i Diasporës shqiptare nuk është zgjidhja përfundimtare e problemeve në Kosovë, Shqipëri madje as në diasporë, mirëpo do të jetë gjithmonë i nevojshëm.

Mark Kosmo është kryetar i Massachusetts Albanian American Society në Boston dhe anëtar i Bordit këshillues të Germin-it. Ai poashtu ka qenë i angazhuar me programin e diasporës shqiptare në Universitetin e Harvardit. Ai do të jetë i pranishëm në konferencën Diaspora Flet të organizuar nga Germin nga 17-20 Maj në Prishtinë. Në konferencë do të shpaloset një plan veprimi që mbulon këto tetë pika: (i) Angazhimi i diasporës në politikë-bërje dhe avokim, (ii) Korniza ligjore dhe institucionale për angazhimin e Diasporës, (iii) E drejta e votës për Diasporën dhe përfaqësimi në kuvend, (iv) Politikat ekonomike dhe investimet e Diasporës, (v) Promovimi i shkëmbimit profesional me Diasporën shqiptare, (vi) Shkëmbimi edukativ dhe kulturor, (vii) Promovimi i projekteve lokale të Diasporës në qytetet/rajonet e zgjedhura në Shqipëri dhe Kosovë, dhe (viii) Filantropia e Diasporës shqiptare dhe organizatat joqeveritare.

Angela Merkel: Paqja në Ballkan shumë e brishtë, shikojeni Kosovën...

Image result


Në Konventën Kombëtare të Katolikëve,që u mbajt në Mynster të Gjermanisë foli edhe kancelarja Angela Merkel. Merkeli përcolli përshtypje nga takimet e fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor e detyrat para vetes.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel tha për DW se Ballkani Perëndimor mbetet një nga detyrat e Gjermanisë në politikën e jashtme. Merkeli u ndal te Ballkani të premten, në kuadër të diskutimeve në Konventën Kombëtare të Katolikëve, e cila zhvilloi punimet javën e kaluar në Mynster në landin e Rinit Verior-Vestfalisë.

"Tani, pas fundit të Luftës së Ftohtë ne kujtuam se koha e konflikteve të mëdha politike kishte kaluar. Por shumë shpejt mësuam se kjo nuk qëndron - në shembullin e luftërave në Ballkanin Perëndimor", tha kancelarja gjermane.

"Ende sot (Ballkani Perëndimor) është një nga detyrat tona në politikën e jashtme - natyrisht ti duhet të negociosh më parë me ambientin përreth teje, unë kalova shumë kohë këtë javë me këtë temë - që të sigurosh rendin e paqes atje. Ai është shumë i brishtë".

Angela Merkel u ndal më tej në konfliktet kufitare dhe të natyrave të tjera, që vazhdojnë të kenë me njëra-tjetrën shumë shtete ballkanike.

"Edhe po ta hedhësh vështrimin te Kosova, te Serbia, te Bosnja dhe Hercegovina. Edhe po të shohësh mosmarrëveshjen për emrin në Maqedoni, konflikte kufitare këtu dhe atje, madje edhe Sllovenia dhe Kroacia vazhdojnë të flasin ende për kufijtë e tyre”, tha ajo.

Merkeli u shpreh e vendosur se Gjermanisë dhe shteteve perëndimore i duhet të punojë për t'i zgjidhur këto konflikte."Na duhet t'i zgjidhim të gjitha këto, në mënyrë që të mos ekzistojë gjithmonë një tension i caktuar, që të mund të rindizet në çdo kohë", tha kancelarja e Gjermanisë

A janë budallenj shqiptarët e sotëm?



Klementin Mile

Shqiptarët thonë për veten se janë racë e zgjuar. Dhe për të mbështetur këtë tezë sjellin shembuj shqiptarësh që ia kanë dalë të bëhen të famshëm e të suksesshëm në skenën botërore, që prej Skënderbeut e deri tek Ismail Kadareja. Shqiptarët besojnë se kanë një aftësi të veçantë për t’u përshtatur me çdo situatë dhe për të gjetur rrugëzgjidhje edhe atëherë kur popuj të tjerë do të dështonin.


E megjithatë, Shqipëria vazhdon të mbetet njëri nga vendet më të varfra të Europës, vazhdon të mbetet jashtë Bashkimit Europian, vazhdon të ketë gjysmën e kombit jashtë kufijve të shtetit dhe përballet me probleme të mëdha ekonomike, politike, ligjore, sociale dhe kulturore. Kjo situatë duhet të na bëjë ta vëmë në pikëpyetje tezën për zgjuarsinë e pashoqe të shqiptarëve.

Te shqiptarët e sotëm mund të vëresh disa sjellje tipike. Si zoon politikon (kafshë politike) shqiptarët, në shumicë dërmuese, votojnë vazhdimisht për partinë që i zhgënjen vazhdimisht. Të tjerë e shesin votën për një sasi parash. Si homo economicus (njeri ekonomik) shqiptarët zakonisht i investojnë paratë e tyre në biznese që falimentojnë brenda gjashtë muajve, siç është rasti me kafenetë.

Pas kësaj, zgjidhja e tyre është të harxhojnë çdo gjë që kanë vetëm e vetëm për të emigruar nga Shqipëria që njohin drejt një vendi të huaj që nuk e njohin. Ata që mbesin këtu provojnë si zgjidhje evazionin fiskal, mbajtjen e dy bilanceve, dhënien e ryshfetit për të mos paguar taksa etj.

Si animal sociale (kafshë sociale) shqiptarët dynden te lojërat e fatit, kazinotë, llotot. Ose dynden në qebaptore ku hanë e pinë pafund. E kur kthehen në familje, si për ta kompletuar ditën, nisin të ushtrojnë dhunë mbi gratë dhe fëmijët e tyre.

Teoricieni italian Carlo Cipolla ka shkruar një libër të famshëm me titullin Ligjet themelore të budallallëkut njerëzor. Sipas tij ka katër lloje njerëzish: banditët, të paaftët, inteligjentët dhe budallenjtë. Nga veprimi i banditit fiton ai vetë, ndërkohë që tjetri humbet.

Nga veprimi i të paaftit ai vetë humbet, ndërsa tjetri fiton. Nga veprimi i inteligjentit fiton ai vetë dhe fiton edhe tjetri. Dhe budallai, shkruan Cipolla, është personi që i shkakton humbje një personi tjetër ose një grupi personash, ndërkohë që vetë nuk nxjerr fitim nga kjo dhe madje mund të dalë me humbje. Pra, nga veprimi i budallait humbet edhe vetë ai, edhe tjetri.

Duke iu kthyer edhe njëherë sjelljeve tipike të shqiptarëve të sotëm mund të vërejmë se në raport me gjërat (si p.sh. ambienti natyror) shqiptarët priren t’i shkatërrojnë ose t’i lënë të degradojnë, sikur ky të mos ishte habitati ku jetojnë ata vetë. Në raport me kohën (p.sh. sigurimet shoqërore, pensionet, buxhetin e shtetit) shqiptarët priren ta shkatërrojnë të ardhmen e tyre.

Dhe në raport me tjetrin (në familje, punë, shkollë, ambiente publike) priret të dominojë zilia, smira, xhelozia e sëmurë, e cila i bën ta pengojnë tjetrin, pa fituar asgjë vetë prej kësaj. Raporti i shqiptarëve të sotëm me gjërat, kohën dhe tjetrin i ekspozon ata, në masë të madhe, si budallenj.

Por natyrisht, te shqiptarët nuk gjen vetëm budallenj. Fakti që shumë shqiptarë votojnë vazhdimisht për një parti që i zhgënjen vazhdimisht, tregon se këta janë të paaftë. Prej veprimit të tyre humbasin ata vetë, por fiton kupola e partisë.

Të njëjtën paaftësi tregon edhe shitja e votës për një shumë parash: pasi ai fitim i vogël parash është në fakt një humbje e madhe mundësie për të përmirësuar të ardhmen e tyre. Te shqiptarët gjen edhe banditë, por këta janë në pakicë.

I gjen në politikë, në biznes, në administratë. Këta janë njerëzit nga veprimi i të cilëve fitojnë ata vetë dhe shkatërrohen jetët e të tjerëve. Çfarë është e vështirë të gjesh te shqiptarët e sotëm janë inteligjentët. Ata që do duhej ta merrnin në dorë fatin e vendit, duke bërë që me veprimet e tyre të fitonin ata vetë dhe gjithë të tjerët. Mungojnë ata që njihen ndryshe me emrin “burra shteti”.

Pse jemi perfeksionistë?


Klementin Mile


Kujt s’i ka ndodhur ta shtyjë për më vonë një punë, një udhëtim, një vendim apo diçka tjetër të rëndësishme? Në fakt, sa më e rëndësishme të jetë ajo gjë për ne, aq më shumë priremi ta shtyjmë për më vonë bërjen e saj. Duket sikur ka një rregull që i shtyn për më vonë të gjitha gjërat e rëndësishme, një rregull që dominon psikikën tonë dhe na e mbush jetën me gjëra të parëndësishme. Gjërat e rëndësishme ose i shtyjmë për më vonë ose nuk i bëjmë kurrë.


Është e famshme historia e arkitektit nga Shirazi që projektoi xhaminë më të bukur të botës. Ai ishte një projekt jashtëzakonisht i guximshëm, e megjithatë me proporcionet e duhura, kishte një sofistikim hyjnor, por nga ana tjetër edhe një ngrohtësi njerëzore. Ndërtues të famshëm iu lutën arkitektit t’i lejonte ta ngrinin xhaminë; njerëz të pasur erdhën prej së largu për t’ia blerë projektin; hajdutët bënë plane për t’ia vjedhur; sundimtarë të fuqishëm menduan t’ia merrnin me forcë. Por arkitekti e kyçi veten në studion e tij dhe, pasi e pa ngulazi projektin për tre ditë e tre net, e dogji.

Arkitekti nuk mundi ta duronte mendimin që ndërtesa e ngritur e xhamisë do t’u nënshtrohej forcave të degradimit dhe kalbëzimit, kolapsit eventual ose shkatërrimit nga barbarët. Gjatë atyre ditëve dhe netëve në studio ai e pa krijimin e vet të reduktohej në pluhur dhe tmerrua nga ajo pamje. Më mirë të mbeste perfekt. Më mirë të mos ndërtohej kurrë.

Por si përballemi me këtë mungesë perfeksioni të botës që ekziston? Në gjuhën angleze ekziston termi ‘procrastination’, i cili ka pikërisht domethënien e bërjes së gjithçkaje të parëndësishme, si justifikim për shtyrjen më vonë të gjërave të rëndësishme. Kështu, ‘procrastination’ është të shohësh nga dritarja, të pish një gotë, të bësh një shëtitje, ta shoshitësh edhe njëherë me mendje atë çështje, të shfletosh një libër, të përhumbesh në imazhet e celularit etj. etj.

Në pamje të parë duket sikur ‘procrastination’ manifeston thjesht përtacinë tonë për t’u marrë në mënyrë vendimtare me gjërat. Në një shikim të dytë do mund të vinim re mungesën e guximit për t’u përballur me vendimet për gjëra të rëndësishme. Por në fakt ‘procrastination’ (shtyrja për më vonë e gjërave të rëndësishme) shënjon një problem më themelor. Qoftë kur bëhet fjalë për shtyrjen e vendimit për t’u martuar, vendimit për të bërë fëmijë, vendimit për të nisur shkrimin e një libri apo vendimit për të zgjedhur destinacionin e pushimeve, problemi që manifestohet e ka burimin te diferenca që bënte Platoni ndërmjet botës së qenies dhe botës së bërjes, idesë dhe realizimit, ideales dhe ekzistueses.

Problemi është se idealja është gjithmonë më perfekte se ekzistuesja. Jo më kot bota e ideve është model për botën empirike të bërjes së gjërave. Disa njerëz kanë një lloj prirjeje perfeksioniste – ata preferojnë idealen kundrejt ekzistueses, pasi qenia e gjërave është gjithmonë më perfekte se bërja e tyre. Lidhur me këtë argument, gnostikët thoshin që bota e krijuar prej Zotit ishte më pak perfekte se bota që Zoti mund të mos e kishte krijuar kurrë. Bota, po të mos ekzistonte, do të ishte vërtet perfekte. Gnostikët besonin se mosekzistenca ishte shenjë e perfeksionit, ndërkohë që ardhja në ekzistencë një formë degradimi. Për shembull ata thoshin se atributi më i lartë i hyjnores ishte mosekzistenca. Prandaj i referoheshin Zotit si “ai që nuk është”, dhe jo si krijues i botës, i mbetur në kurthin e ekzistencës dhe kohës. Të biesh në ekzistencë – pavarësisht në qofsh botë, person, send apo Zot – do të thotë të hysh në kohë, dhe me kohën vjen kalbëzimi, vjetrimi dhe vdekja.

Në kulturën perëndimore ka prioritet qenia ndaj asgjësë, ekzistenca ndaj mosekzistencës, realja ndaj ideales. Madje të jesh, siç shpjegon Heideggeri, do të thotë të jesh prodhuar. Por, pavarësisht kësaj, perfeksionizmi nuk duhet parë si diçka për t’u shmangur. As si diçka që na fton në pasivitet dhe padobishmëri. As si diçka që na shpie në nihilizëm. Përkundrazi, perfeksionizmi mund të jetë përbërësi kryesor i bërjes së gjërave të rëndësishme të jetës, duke na shtyrë jo drejt shmangies së tyre, por drejt reflektimit për t’i bërë më mirë.

Shqiptarët, midis Perëndimit dhe Lindjes


Shqiptarët, midis Perëndimit dhe Lindjes
Klementin Mile

“M’u kujtua libri i Çabejt Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, ndërkohë që po lexoja dallimin që bën filozofi gjerman Sloterdijk midis një mënyre lindore dhe perëndimore, ku në Perëndim gjen mendim pa zgjim, ndërsa në Lindje zgjim pa mendim”. Kështu pata shkruar në një status në Facebook para disa ditësh.



Më bëri përshtypje komenti i një shqiptari nga Maqedonia që thoshte “Assesi të kapim Perëndimin Klementin. Na kanë kapur për fyti otomano-bizantinët, s’na lëshojnë kurrsesi. Rrotullohemi në vend. Rast unikal, sui generis në kontinent. Madje disa e kanë për krenari këtë ‘origjinalitetin’ tonë kulturor saqë e përsërisin si papagaj vend e pavend (lexo: “tolerancën e famshme fetare”). Evropianët kanë sensin e taktin të mos e thonë publikisht, por tallen prapa shpine me pallavraxhinjtë tanë orientalë, apatridë e të pa identitet. Rezultati final, vendi më i varfër e më i pazhvilluar në Evropë. Tragjedi”.

Ky koment është përfaqësues i një mendësie të përhapur gjerësisht te shqiptarët, sipas së cilës fajin për moszhvillimin dhe varfërinë e kombit shqiptar e ka mënyra lindore e të vepruarit, otomano-bizantinizmi ynë. Kjo mendësi mund të ishte tërësisht korrekte, po të ishte e qartë dhe e sigurt se mënyra perëndimore gjeneron realitet, vlerë dhe dije. Çështja është se qartësia dhe siguria për këtë mungon. Po të përdorim shprehjen e Kantit për të karakterizuar problemin e Perëndimit, do mund të thoshim se ai është bosh, na ofron vetëm koncepte (konceptet pa intuita janë bosh). Nga ana tjetër, edhe ata që na shtyjnë drejt Lindjes duhet të mbajnë parasysh që Lindja është e verbër (intuitat pa koncepte janë të verbra). Sigurisht, boshësia dhe verbëria, ashtu si i ka përdorur Kanti, janë metafora. Por edhe si të tilla ato arrijnë të shprehin problemet e thella që ekzistojnë në Perëndim dhe Lindje.

Shqiptarët, shkruante Çabej, kanë qenë historikisht midis Perëndimit dhe Lindjes. Por a është ky pozicion sui generis një bekim apo një mallkim? A do të thotë kjo se shqiptarët kanë edhe mendim edhe zgjim? Apo që nuk kanë as njërin as tjetrin? Sigurisht shqiptarët sot nuk i karakterizon as mendimi as zgjimi. Në trojet shqiptare nuk ka hedhur rrënjë as shkencizmi që mendon, as iluminizmi që zgjon. Prandaj shqiptarët sot janë më keq se fqinjët e tyre në Perëndim dhe Lindje – në hapësirën shqiptare nuk është i mirëfilltë as shteti as protesta ndaj tij. Shqiptarët, në fakt, janë dyfish të larguar nga demokracia, e cila s’është gjë tjetër veçse bashkekzistenca e shtetit me protestën, ku garantohet cilësia e të dyja perspektivave.

Projekti i së ardhmes, si për shqiptarët ashtu dhe popujt e tjerë, është prodhimi i një mendimi që zgjon. Integrimi në Bashkimin Evropian, si bashkim i të gjitha trojeve shqiptare në këtë organizëm, apo si shanse më të mëdha për mirëqenie ekonomike, apo si kushtëzime më të forta për shtet të së drejtës, nuk premton ndonjë gjë të madhe në këtë drejtim. Ky proces teknik mund të ndërtojë më mirë shtetin, por jo demokracinë.

Mendimi që zgjon, si sintezë e mënyrës perëndimore me atë lindore, u provua të prodhohej nga filozofi Heidegger. Ai krijoi “mendimin pasionant”. Prej kësaj duhet kuptuar se mendimi që zgjon është i lidhur pazgjidhshmërisht me pasionin. Pasion do të thotë të konsumosh veten, të jesh i gatshëm të vuash çdo pasojë për të realizuar qëllimin. Ky është i ndryshëm nga dëshira, e cila orientohet dhe jep efekte tek objekti i saj. Problemi me projektin e Integrimit Evropian të shqiptarëve është se gjithmonë e kanë dëshiruar integrimin, por nuk e kanë patur kurrë pasion.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...