2018-09-01

Lamtumirë narkozës, tani në operacion “të mpijnë” me realitet virtual


Një spital në Calgary është bërë i pari në Kanada që ka trajtuar pacientët me teknologji të realitetit virtual. Gjithçka vjen pasi është konstatuar se pacientët përjetojnë një reduktim prej 75% të shqetësimeve duke u arratisur në realitetin virtual gjatë procedurave të dhimbshme.

Graydon Cuthbertson, një pacient në Spitalin e Përgjithshëm të Rockyview, gati humbi këmbët nga sindroma compartment. Pas operacioneve të shumëfishta në muskujt e tij, 47-vjeçari përjetonte dhimbje shumë të mëdha gjatë ndërhyrjeve në plagë.

Cuthbertson zbuloi se përdorimi i teknologjisë VR e ndihmoi atë të largonte vëmendjen nga operacioni dhe të bënte një kamping virtual qetësues në liqen, një xhiro prehistorike me dinosaurët ose të zhytej në një oqean të qetë për të notuar me delfinët.

“Është perëndia vetë”, tha ai. “Edhe me ilaçet kundër dhimbjeve, dhimbja ishte e tmerrshme. Por me realitetin virtual, kam marrë trajtimin me ngjyra fluturuese. U përqendrova në atë që po shihja dhe dëgjoja, dhe nuk mendoja fare se sa e dhimbshme mund të ishte. Ishte super”, tha ai.


Rockyview është spitali i parë në Kanada që përdor teknologjinë VR për të lejuar pacientët të lehtësojnë dhimbjen dhe ankthin e tyre duke u arratisur në një nga 12 përvojat e VR. Spitali tha se pacientët raportuan një reduktim prej 75% të ankthit dhe një përmirësim prej 31% në përvojën e përgjithshme.


Një donator anonim financoi blerjen e dy headseteve të Samsung Gear, për të cilat stafi i spitalit thotë se mund të transformojnë kujdesin e pacientit. Pacientët nuk kanë raportuar efektet anësore të përdorimit të VR dhe metoda mund të përdoret si një terapi plotësuese për të zvogëluar varësinë nga narkoza dhe drogat.

“Ju mund të shihni një efekt të menjëhershëm në gjuhën e tyre të trupit, në frymëmarrjen e tyre. I gjithë trupi i tyre lehtësohet”, tha fiziologu Jaclyn Frank për CBC.

Arta Seiti dhe pesha e së kaluarës


Një autore e re shqiptare Arta Seiti, sapo ka botuar librin e saj të parë eseistik në Paris «Nimbes», që do të thotë «Aureolë», që zanafillën e ka nga aureolat e apostujve të kishës kristiane, por ku thelbi është pesha e kujtesës, kjo dritë që vazhdimisht vjen nga lart dhe qëndron tek njerëzit që kanë emigruar dhe që kanë filluar një udhëtim të ri.

Në pasthënien e lirbit, botuesi i botimeve «Fauves» ka vendosur një paragraf të saj ku ajo ka shkruar: «Gjithçka fillon në një gjendje gjysëm-koshiente, midis gjumit dhe zgjimit pas një shëtitje në kryeqytet, ku në rrugë më afrojnë një degëz mimoze. Dhe kështu, në një gjendje disi të veçantë, të çuditshme, unë nis të meditoj, një fletore shënimesh të një udhëtimi të brendshëm, një shkuarje-ardhje ku mpleksen shënimet subjektive me një kronikë të kohës së tashme dhe të shkuar, një gjeografi e brendshme, në gjysmë-ëndërr e gjysmë realitet.

Një pjesë e padukshme e vetes time, e pashpjegueshme, një faqe e fshehtë e misterioze njëkohësisht që rivjen përmes perceptimesh, pëshpërimash, kujtimesh, personazhesh, një diçka e përjetuar, arti, leximet e mia themelore… Nga kjo ambivalencë intime rezulton një raport me botën e një «spektatoreje» ku gjendja e saj aleternohet me një lloj tërheqje por dhe angazhimi njëkohësisht. Ky udhëtim përshkon kufijtë spacialë, mendorë dhe intelektualë në mënyrë thelbësore. Ai pëpiqet të shkojë nga e veçanta tek universalja përmes linjash ku krijimi artistik është motori lëvizës.

Një «krijim në vetvete» për të kaluar në një qerthull më universal, një kurorëzim i aureolave mbi kokat tona, simbolikë e zjarrit që zë një vend qendror». Arta Seiti është diploomuar për letërsi franceze dhe aktualisht jep leksione mbi marrëdhëniet ndërkombëtare në Fakultetin e Letërsisë dhe të Shkencave Humane të Universitetit Katolik të qytetit të Lille-s. Eshtë autore e shumë artikujve gjeopolitikë mbi Europën dhe vendet e jug-lindjes së Europës, pra të Ballkanit.

Por letërsia mbetet padyshim pasioni i vazhdueshëm i saj. Siç e ka shprehur dhe ajo vetë, gjithë këto vite në Francë, ajo ka qenë e rezervuar të shprehet përmes letërsisë; ajo veç ka shkruar në fletoret intime të saj, duke u kapur fort pa meditimeve dhe fragmenteve mbi jetën e ssaj, ndaj të bukurës, dashurisën jerëzore, të shkuarës dhe të ardhmes, çka dhe unë e kam ndjerë në takimet tona parisiane.

Një «ceremoni» siç e cilëson ajo këtë përjetim kujtimesh, çka më së fundi e ka çuar në shkrimin e këtij libri eseistik mbi udhëtimin shpirtëror dhe të bukurën në gjirin e shoqërisë njerëzore. Ajo që është e rëndësishme në këtë libër meditacioni është shkrimi poetik, fraza e qëmtuar, e bukur, përshkrimet e ndjeshme, metaforike, plot ngjyra, çka e bëjnë librin të rrjedhshëm, një lloj udhëtimi në vetevete, por ajo që spikat gjithashtu janë dhe leximet e saj themelore, referimet mbi shkrimtarë, filozofë, sociologë, nga Rimbaud e Baudelaire, duke kaluar gjithashtu nga Kafka, Hedegger, Bergson apo Caudel për të ardhur në autorë të tjerë të mesit te dytë të shekullit XX.

E kështu, Shqipëria padyshim është e pranishme në këtë libër meditimi, fëmijëria dhe rinia e saj, koha kur luante teatër në frëngjisht si studente e gjuhës frënde, « Borgjezin fisnik » të Molierit apo kur e marrin për një rol në një film historik ku ajo ka rolin e Anës. Gërshetohen kështu imazhe, cipëza kujtimesh, shalli i kuq, një ditë zbori kur duhet të mbajë një kallashnikov apo një pushkë me karabinë

Model 56…kohë absurde e totalitare ku u ngjiz jeta e shumë gjeneratave. E megjithatë ajo e kishte të pamundur shkonte në varrimin e të atit që i vdiq në Paris, për çka i referohet edhe librit të Danilo Kish «Një varr për Boris Bogdanoviç» dhe ceremonive funebre greke.

Padyshim një peshë e rëndë, pasi ai varr me kalimin e viteve do ta thërriste nga ajo tokë e origjinës, çka vite më vonë do ta çonte në atë pelegrinazh drejt varrit të atit të saj në Shqipëri, për ta mbyllur kështu më së fundi atë plagë që i rridhte gjithnjë. Ja pse ata që emigrojnë mbartin gjithnjë plagët e së kaluarës, kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë, dashuritë e para siç e shohim në letërsinë e Ornela Vorpsit,. E megjithatë ata janë të vendosur të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt të bukurës në këtë botë humane dhe efemere njëkohësisht.

Luan Rama

Librat e Enver Hoxhës në librarinë e Buenos Aires


Përkthyesi i njohur i spanjishtes Bajram Karapolli teksa tregon se këto ditë do të dalë në shitje romani i tretë dhe i fundit i Ernesto Sabatos, «Abadoni, engjëlli i skëterrës», tregon një episod mbi udhëtimin e tij kohë me parë në Buenos Aires ku në një librari është hasur me veprat e Enver Hoxhës. ” Ishte aty nga mesi i dhjetorit të vitit 2000.

Po ecja përgjatë Avenidës “Corrientes”, në Buenos Aires, në kërkim të ndonjë bukinisti, për të blerë romanet e Ernesto Sabatos. Dihet se në këto lloj librarish të vjetra mund të gjesh libra të çmueshëm me çmim tejet të arsyeshëm. Hyra në një të tillë dhe po këqyrja librat në rafte. Për çudi vështrimi im kapi shpinën e disa të ashtuquajturave vepra të Enver Hoxhës: “Me Stalinin” dhe “Rreziku angloamerikan për Shqipërinë”.

Natyrisht në spanjisht. Për të shuar kureshtjen pyes pronarin, një burrë i moshuar, se si kishin mbërritur ato libra në librarinë e tij. Ka 15 apo 20 vjet, më thotë, m’i sollën nja dy persona, mbase të ambasadës së Shqipërisë. Kur u thashë se nuk më duheshin, më thanë se nuk do të m’i shisnin, përkundrazi, do të më paguanin për to.

Natyrisht, pranova. Më thanë t’i vendosja në vitrinë se donin t’i fotografonin. I fotografuan, më paguan dhe ikën. Pastaj unë i vendosa në raft dhe ja ku janë. Paradoksi: të gjesh në Argjentinë librat e diktatorit të Shqipërisë të përkthyera në spanjisht, ndërkohë që shkrimtarë argjentinas si Borges, Sabato, Arlt, Cortazar, etj, gjigantë të letërsisë botërore të mos ua kesh dëgjuar as emrin e jo më t’i kesh lexuar në shqip.

Dhe kini parasysh ato çka thotë për Shqipërinë Sabato në romanin e tij të fundit. A nuk është për të vënë duart në kokë?! Vetëm barbaria komuniste mund të bënte gjëma të tilla që, gjatë gjysmë shekulli, të ndalonte autorë të tillë e aq më tepër libra të tillë, ku lexuesi shqiptar do të gjente fragmente me lëvdata dhe hyjnizime për atdheun e tij” shkruan Karapolli.

Hamz Lladrovci : Çështja shqiptare përball diplomacisë dhe gjeopolitikës ruso-madhe 1856-2018

 Nga Besiana Dauti


Hamz Lladrovci ka promovuar sot librin e tij të parë “Çështja shqiptare përball diplomacisë dhe gjeopolitikës ruso-madhe 1856-2018”.

rofesori Eqrem Zenelaj tha se autori i ka përzgjedhur një temë shumë të rëndësishme, e cila është aktualizuar së fundi sërish.

“Sado që t’i kthehemi prapa historisë Ballkani i sotëm apo Gadishulli i Ilirisë së dikurshme, pra trojet etnike shqiptare, kanë qenë dhe kanë ngelur akoma si vatër e krizave politike ushtarake dhe gjeopolitike e fuqive ballkanike dhe fuqive të mëdha prapa të se cilave gjithë këtyre të këqijave autori qëndron Rusia e dikurshme Cariste apo Moska e sotme zyrtare gjegjësisht federata ruse”, tha Zenelaj.


“Libri i autorit ka një rëndësi të veçantë për shkak të përzgjedhjes së temës. Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës ruso-madhe nga vii 1956 deri tek ditët e sotme nuk është as e rastësishme dhe as e parëndësishme”.

“Pas ndërhyrjeve të gjeopolitikave të mëdha dhe luftës së ftohtë, Rusia kishte humbur fuqinë dhe rolin e vet dhe nuk është paraqitur si fuqi botërore.

Por tani Putini pretendon me të gjitha mekanizmat dhe elementet destruktive ta rikthejë këtë ”, tha ai.Zenelaj tha se shumë herë Drenica i ka shpallur luftë Serbisë.


“Ndërsa tani Hamza po i shpall luftë Rusisë”, tha ai me shaka.Prefesori Muhamet Mala tha se një hulumtim i tillë shkencor është i rrallë.“Recensioni im ka të bëj me një libër të veçantë i cili në hulumtimet e mirëfillta shkencore është i rrallë sepse në vetë përmban dy elemente të rëndësishme të cilat në mënyrë paradoksale përputhen në tërësi me aktualitetin.

Rastet e tilla dëshmojnë faktin se disa ngjarje dhe disa aktorë të historisë përkundër ndryshimeve kohore mbesin të njëjtë në veprime dhe qëndrime duke ndjekur skemat diplomatike të përcaktuara më parë”, tha Mala.


“Libri që po promovohet sot përshkruan një qëndrim të pandryshuar me kohë dhe hapësirë te politikes ruse madhe ndaj shqiptarëve që me disa ndryshme të vogla mbeti anti-shqiptare që nga deri më sot”, shtoi Mala.Autori i librit, Hamz Lladrovci tha se ky është libri i tij i parë dhe ka falënderuar të gjithë personat që e ndihmuan atë gjatë tërë jetës e sidomos në botimin dhe promovimin e këtij libri.

“Shpesherë e kam menduar dhe analizuar se populli ynë kishte të gjitha këto vuajtje, këtë fat historik, këto fatkeqësi, këta armiq të paskrupullt dhe grabitqarë si dhe kush qëndron prapa kësaj drame historike të gjakderdhjes se vazhdueshme shqiptare”, tha Lladrovci.


“Drama dhe golgota e përgjakshme tragjike shqiptare, pushtimi dhe copëtimi i vazhdueshëm i trojeve etnike shqiptare në periudha të caktuara historike të realizuara nga fqinjët tanë ballkanik, sllavo-ortodoks sidomos nga vitet 1876-77 e deri më sot kishin dhe kanë burim kryesor furnizim dhe shtytje pansllave një skenar të koordinuar dhe të vazhdueshëm një mbështetje të fuqishme politike ushtarake diplomatike si në Rusinë Cariste ashtu edhe në federatën e sotme ruse në krye me Vladimir Putinin”, tha Lladrovci.

Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, e dinte vlerën e dijes dhe të mësuarit në jetë.

Related image

Cili prind i sotëm nuk do të kishte dashur t’i drejtohej mësuesit të fëmijës së tij, ashtu si Abraham Lincoln mësuesit të të birit, para 184 vjetësh!? Prandaj, meqë sot është 1 shtatori, dita e parë e vitit të ri shkollor, kjo letër ia vlen të lexohet sërish, të paktën nga prindërit dhe mësuesit.

Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, e dinte vlerën e dijes dhe të mësuarit në jetë.

Për këtë, ai kishte vendosur që mësuesit të djalit të tij, t’i shkruante në formë përkujtimi rreth mënyrës se si duhet trajtuar një fëmijë i vogël.


Lincoln i kishte renditur mësuesit të djalit të tij, pikërisht në ditën e parë të shkollës, një sërë arsyesh e mësimesh të arta të cilat dëshironte që djali i tij t’i mësonte nga mësuesi.

Lexoni më poshtë letrën e Abraham Lincoln të shkruar në vitin 1830

Mësues i nderuar,

Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.
Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.

Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.

Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.

Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.

Mësojeni t’i përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.

Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.
Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarësinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im".

Me respekt,

Abraham Lincoln*


https://www.youtube.com/watch?v=M_Dxl18GmHA

2018-08-29

...mbi token tande, kosovar, je skllav!


Arshi  Pipa  u lind në Shkodër në 28 korrik 1920. Kjo është datëlindja që njihte ai. Them kështu, sepse kam gjetur në regjistrin e gjendjes civile në Shkodèr, ate të vitit 1930 (nuk kishte regjistër më të vjeter), si datëlindje 13 shkurtin e po atij viti. Por kësi punësh në Shqipëri nu kjanë fort të rralla…

Ai ishte djalë i vetëm në krye të katër motrave te po një barku. Vëllanë me të madh gjashtë vjet para tij, Muzaferin, e kishte të tillë nga babai. Kështu, ishte drita e syrit jo vetëm e prinderve, por edhe i motrave, të cilat gjithë jetën e kanë adhuruar. Por kjo nuk do të thotë aspak se në familjen Pipa, për Muzaferin nuk ishte po e njëjta gjë. Aty nuk bëhej asnjë dallim ndër dy djemtë e shtëpisë, si nga prindërit, ashtu edhe nga motrat. Ishte një familje me lidhje afektive shumë te theksuara, të pashlyeshme kurrë. Dhe kjo i detyrohet kryesisht nënës se tyre, zonjës së mrekullueshme Hatixhe, shkodrane e përkryer në të gjitha drejtimet, nënës së fortë, të dhemshur aq edhe të drejtë deri në shkallën e një modeli klasik.

Fëmi i mbarë, i shëndetshëm dhe i bukur, Arshiu ishte njëkohësisht edhe një “lojcak” i madh, si thonë në Shkodër, madjé edhe një “sherret”, domethënë që nuk linte dy gure bashke. Perveç lojrave teper të guximshme me shokët e vet të lagjes, majat e pemeve të larta në oborrin e shtëpise a në kopësht, pusi i thellë dhe kulmi i çatise, ishin vendet e preferuara të tij.

Zakonisht fëmijët dhe adoleshientët çamarokë nuk i nënshtrohen disiplinës dhe mësimeve të shkollës. Për pasojë, shpesh përpanimi në mësime ecën çalë-çalë. Por tek Arshiu ky fare rregulli s’kishte fare vend. Përkundrazi! Tek ai natyra e gjallë dhe dinamizmi i moshës së re, harmonizohej qysh në fëmijëni mrekullisht me zellin e madh për shkollën, për mësimin. Dhe faktet tregojnë se ai që në klasën e parë e deri në mature dilte gjithnjë i pari i klasës!

Filloren e kreu tek shkolla e jezuitëve në Shkodrës, e në mos gaboj edhe në vitet e para të gjimnazit. Them vitet e para, sepse gjimnazet atëhere ishin me tetë e nëntë klasë, deri më vonë madjé, në kohën e regjimit komunist. Vërtetë ishin të paktë këto gjimnaze para luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por ishin të saktë. Ejo vetëm gjimnazet (ai i Shkodrës, Tiranës, Korçës etj.) por edhe shkollat e mesme profesionale, si Normalja e Elbasanit, Normalja e Tiranës (vetëm për vajza) dhe Shkolla Teknike Amerikane e Fullcit në Tiranë apo ajo e Kavajës.

Tek jezuitët, Arshiu mori bazat e kulturës klasike, me greqishten e vjetër e latinishten dhe për pasojë, kur shkoi të vazhdoje në Gjimnazin shtetënor të Shkodrës, që quhej atëherë Lice, si ai i Korçës dhe i Tiranës, kishte baza të forta për të dalë i pari edhe në dy gjuhët klasike që përmendëm më lart. Dhe këto dy gjuhë, ai s’i ndau gjatë gjithë jetës. Përkthimet e bollshme, të lëna në dorëshkrim e dëshmojnë më së miri këtë fakt.

Gjatë kohës së arsimimit në shkollën e jezuitëve, ku jepnin mësim klerikë të shquar, i ati, duket për një lloj “ekuilibrimi” kulturash e futi që të ndjeki njëkohësisht edhe mejtepin, për të mësuar format e moralit islamik. Kështu Arshiu, deri në moshën e thyer, mbante mend akoma dhe i recitonte për bukuri shumë nga syret e Kuranit arabisht, për çudine dhe admirimin e miqve shkodranë të dhënë fort pas kësaj feje, por që arabishten nuk e dinin fare, as me shkrim e as me lexim!…

Gjimnazi i Shkodrës, si thamë, ishte fort i dalluar ndër ata pak homologet e tij të atëhershëm në vendin tonë. Dhe kjo punë jo vetëm nga programi, por sidomos nga trupi i tij mësimor, që përbënte ajkën e inteligjencës shqiptare të asaj kohe, që të gjithë intelektualë të formuar më së miri, me prirje të theksuara perëndimore, por me shpirt tërësisht kombëtar. Figura të tilla si Hil Mosi, Mirash Jovanaj, Ndue Paluca, Gjergj Canco, Gjergj Kokoshi, Kolë Kamsi, Skënder Luarasi, Anton Deda e të tjerë si këta, e dëshmojne qartë çfarë thashë pak më lart.

Dhe kjo punë sigurisht ndodhte edhe në shkollat e tjera të mesme në Shqipëri, të cilat jepnin dije të shëndoshë dhe farkëtonin qytetarë të denjë, të zotë për vendin, farkëtonin shqiptarë të vërtetë e të denjë, plot humanizëm, drejtësi dhe dashuni, deri në adhunim për kombin dhe shqiptanizmin. Në atë kohë, deri në prak të ardhjes së pushtetit komunist në fuqi, shkolla shqiptare mund të krenohej me të drejtë se nuk kishte aspak pse t’ia kishte zili shkollave më të mira e prestigjtoze europiane dhe amerikane!

Por këtë e dëshmojnë edhe plot reivsta arsimore a pedagogjike që botoheshin në Shqipëri para luftës së dytë botërore si “Laboremtis”, “Normalisti” etj. Ashtu siç mund të dëshmojnë mësuesit e nxënësit e asaj kohe, që ende janë gjallë sot, e që po bëhen gjithnjë e më të pakët…

Familjaret dhe shokët e tij të moshës së re, më kanë treguar se Arshiu, jo vetëm që ishte i pari në mësime, por edhe ndër më të dalluarit ndër lojra, në gjimnastikë e sport. Ndërsa i vëllai më i madh, Muzaferi, mbasi kishte lojtur futholl në gjimnaz, kishte arritur të bëhet ndër asat e skuadrës “Vllaznia”, Arshiti ishte efektiv i skuadrës së gjimnazit, edhe pse nuk kishte talentin e shpllar futbollistik të Muzaferit dhe nuk hyri në skuadrën e qytetit. Këto që them këtu janë të trajtuara më gjërë e më saktë tek kujtimet e mjaft sportistëve shkodranë të asaj kohe, si dhe të gazetarëve sportivë të kohëve të sotme.

Për guximin tek Arshiu do të sjell tre shembuj nga momente të ndryshme të jetës së tij: Kur ishte adolishent, më tregonte në Shkodër shoku i tij i moshës, tek vinin në lum për t’u larë, Arshiu, si asnjë nga shokët e tij, hidhej në pellgun e lumit nga një shkëmb i lartë, pozicioni i të cilit ishte shumë i rrezikshëm për këtë punë. Në Burgun e Burrelit, Arshiu hapte sportelin e birucave dhe u hidhte shokëve të dënuar atje duhan, ndopak sheqer a ç’të kishte mundur të mbledhi, me rrezik që po ta shohin rojet, e fusnin dhe atë në birucë, mes dimnit, në çimento, vetëm me mbathje e kanotjere në trup, për një muaj rresht, megjithëse ai ishte i sëmurë. Kurse rasti i tretë i takon momentit të arratisjes, kur ai çan kufinin, bashkë me të motrën Fehimen, me kobure në dorë, i vendosur të mos bijnë në dorë i gjallë më tek rojet.

Me shokë Arshiu ishte, si me gjithë të tjerët i sjellur dhe shumë i dashur. Ai i ndihmonte ata vazhdimisht ne mësimet. Në albumin e familjes, mes të tjerave ka edhe një fotografi ku ai është bashkë me tre shokë të tij të klasës, para një tabele të zezë, në oborr, tek po man noun e profesorit, në përgatitjen për provimet e maturës. Në tabelë, veç disa shprehjeve algjebrike, ka në një anë edhe një vjershe, me shkrimin e tij të njohur, vjershë që tregon bukur shpirtin e preokupuar të nxënësve para “torturës” së maturës:

Me studime
e numra të shkreta.
kot na shkuen
të rijt e jeta…

Gjimnazi i kohës së tij, si dhe i kohës sime ndahej, mbas semimatures, në dy degë: Reale e klasike. Realja ishte e prirur më fort ndaj shkencave të natyrës, me preferim matematikën e fizikën. Klasikja ishte e prirun ndaj dijeve humanitare të gjuhëve. E Arshiu zgjodhi me dëshirë këtë të fundit. Duket që në moshë fare të re, ai e kishte përcaktuar rrugën e tij në jetë. Dhe kjo punë duket edhe nga dy fakte të tjerë. Gazeta “Cirka” e vitit 1936, kur Arshiu ishte dy vjet para maturës, kishte shpallur një konkurs poetik.

Në të mori pjesë edhe studenti i klasës së gjashtë të Gjimnazit shkodran, i degës klasike, Arshi Pipa. Vjersha e tij me titull “Në Lamën e Luftës” fitoi çmimin e tretë. Ishte një vjershë e gjatë me plot 26 strofa, secila gashtëvangëshe, herë me rimë e herë pa rimë. Vjersha kishte karakter epiko-lirik. Tema e saj ishte një lloj proteste e hapur kundër luftës, si një veprim mizor, që sjell vetëm vdekje. Pra, ishte tërthorazi një hymn për paqen, mirëkuptimin, vllazërimin e njerëzve e popujve. Kështu, humanizmi i shpirtit të tij nis e nxjerrë krye që në moshë fare të re, atë të një adolishenti gjimnazist.

Prova e tij e dytë e botuar në shtypin e kohës, këtë herë në lëmin e prozës, shifet tek tregimi me titull “Liqeni”, një tregim lirik, botuar tek “Vatra Shqiptare”, shtator-tetor 1941. Kjo prozë, sigurisht është shkruar në moshë fare të re, por u botua atëherë, siç tregon data, ndërkohë që autori i saj ishte tashmë pedagog në gjimnazin e Tiranës dhe jepte filozofi. Nuk e dimë me saktësi se kur poeti Arshi Pipa ka nisur të shkruajë poezi. Por një gjë është e sigurtë, që këtë punë ai e ka nisur që në bankat e gjimnazit të Shkodrës. Dhe këto poezi gjimnaziale në shumicën e tyre do të mbushin më vonë faqet e librit të tij të parë, me titull “Lundertarë” botuar në Tiranë më 1944.
Pjesa është marrë nga libri:ARSHI PIPA njeriu dhe vepra
BOTIMET TOENA, ISBN: 99927 1 169 8




KOSOVËS


Vllazen shqiptare, Kosova s’asht e jona.
Kush me e permende guzon ai ban trathti!
O kob qi s’do t’harrohet kurr tevona!
Kosova e ngrate dergjet e vdes n’robni.

Prej bastardhesh trathtue qi i zhgulen zemren
e n’pre ua hodhen klyshve qi Moskova
Per gjak ndersen, me parzem shkele nen themren
mizore sllave po jep shpirt Kosova.

Deri kur, vllezen, do ta ndiejme na veten
fajtore pse vendin ku Shqipnija leu (1)
guxojme ta duem, tue pasun frige fatshkreten
Kosoven tone ta quejme gjymtyre atdheu?

O toke e bukur ku fjala burrneshe
ilire ushton qysh me mjegull gojdhane!
gjoks i Shqipnis, ku e ndryme si luaneshe
nder hekura gjemon zemra Dardane.

A mundet ajo, vall, me u-zhgulun dejsh
pa ba kufome llogoren e krahnorin?
Lumnin tande, Kosove, at’here ta rrfejsh
kur gjak i lire t’vadise hullin e plorit.

Sot tjeterkush ta gzon frytin e punes,
mbi token tande, kosovar, je skllav!
Qi t’la mbi vetulla kamxhiku sllav!

Qofte e mallkueme fara qi aty hidhet
me djerse e njomun pleqsh, me lote kerthijsh!
Buken e turpit e t’poshtnimit t’idhet,
o vend martyr, der kur ta kaperdijsh?

Qenka pra faj me lype te drejten tande?
Doren per lmoshe duhet me i shtri kusarit?
O gjuhe, ti bamu rrfe e tmerrin trande!
Do t’vije, do vije nji dite ora e shqiptarit!

Mbas nesh tjere kane me ardhe. S’fiket Shqipnija
pse disa qinda nesh rrzohen nen plumbin.
Se per cdeo dhjete prej nesh qi amshon lirija
dhjete mije do t’lindin e dhjete mije do t’humbin!

Do t’humbin shqim ata qi sot na shtypen!
Kulshedra e re me lakminat e vjetra
at’here do t’shembet kur ta shofim shqypen
prej majesh tu’e sulmue me sqeq e kthetra.

Andej na priret shpirti i forte me hove
t’dalldisuna ngadhnjimi, ushton jehona:
O vllezen, nalt ju ballin! prej Kosove
Der n’Çamëri Shqipnija asht e jona.

NISJE

Lamsh na perlane –cka mundem me rrembye
prej teshash vrik –e na stivuen si thase
nder kamjona, me shqelma tue na rrase;
prangat nder duer, per s’mbrapshti, ashtu mberthye

sa mishi u-nxi mbas pake e u-fry me plase;
mandej per kame e gjoks litarin nye
tri heresh na e pershuen, tue u-derkrye
ma keq mbi ke u-angue a desh t’u flase.

E mbasi kryen, rrethuen nenkolonelin
qi gjithe at kohe kish ndenjun tue soditun
fetyrat tona t’ajtuna, t’gerdheshna

nen klithmat e paza… Ishin djersitun
e fshiheshin me nge. E mbante belin
njeni tue qeshe me llanet e perveshna.

ELEGJIA VELLAZNORE

Ma thonte zemra e ngrata
se jeta t’kishte lane,
edhepse miqt e shoket
nuk dojshin me ma thane.
Der sa mbi krye mandata
kur se pritsha me ra (1),
dhe mora vesh cka n’anderr
prej kohe m’ishte gja.

E pau epileptiku (2)
qi s njifte mue as tye.
Po kapercejshim lumin
kur befas ura u-thye…
Un rashe… m’u-turr vertikut…
humba! uluroi nji za…
Ti u-hodhe, m’kape, m’qite…
por vete nuk dole ma!

Ti vuejtje, ti rreziqe
durove simbas stines,
nga ishulli i Ventottenes (3)
nder telat e Prishtines (4).
E pse perbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmone anmik i shtypjes,
e bir i atdheut, besnik.

Sot qi nga dita e mortit
ka rrjedhe ma se nji mot
tue ta nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.
Pse per vdekjen e t’fortit
i forte duhet me u-bame.
As permendi fajtoret:
nuk kam ma çka me u name.

Kur ndolta nga mizori
po pergatitet ura,
per mue ket ehre, e kanga
e mbrame asht kjo qi thura,
me gjakun tand deshmori
vulosi sot nji be:
perbuzi komunizmin
e truhemper atdhe.

SHËNIME (shënimet janë të autorit)
Kjo elegji u shkruejt ne Nanduer 1948, pak para se te nxirresha ne gjyq per heren e dyte. — Ky gjyq u ba ne prokurori te Durresit me dyer te mylluna dhe zgjati gjithsejt 15 minuta. Vendimi i gjyqit u dha mbrende ne burgun e Durresit.
1) Im vella, Muzafer Pipa, avokat, qe arrestue ne Shtatuer 1946, dhe mbasi u torturue der ne vdekje, u nxuer dhe u vra me nji batere automatiku ne Degen e Sigurimit te Shkodres, kinse kishte dashte t’ikte. Vrasjen e tij, te cilin ma kishin mbajte te mshehte, e mora vesh vetem gjate procesit te dyte ne Prokurorinë e Durresit.
2) Andrren e pau nji i burgosun, kosovari Azir Sula, ne kohen e vrasjes.
3) 4) Im vella pat qene burgose nga auktoritetet fashiste italjane n’ishullin Ventottene, afer Gaeta-s, me 1940, dhe ma vone internue ne kampin nazist te Prishtines, me 1944.

Padër Gjergj Fishta dhe studenti i “shkolluar”…


At Gjergj Fishta




Jemi në Shkodrën e viteve 1935-40. Si kudo edhe aty qarkullojne idet e reja e të vjetra simbas shkollave e gjeneratave. Gjergj Fishta ishte nji njeri i njohur në popull për humor e thjeshtësi.

Ai ndalonte e fliste rrugëve me lypësa, fëmijë, gra, plaka, studenta, hoxhallarë, etj. dhe për secilin kishte çka të thoshte. Nji ditë, nji grup studentësh në rrugë, para Kafes së Madhe, janë mbledhë e po flasin e diskutojnë gjëra të forta, tema filozofike. Ishin studentë të ardhur për pushimet dimrore nga Roma, Vjena, Parisi, etj. (Shkodra e viteve 35-40, përfytyroni veshjet elegante të asaj kohe….)

Në këtë kohë po kalon andej Fishta ose Padër Gjergji, siç e quanin populli.

Nji nga studentët, i cili ishte i shquar për “zotësi” e “kulturë” të lartë, e i brymosur pak me materializem, i thotë shokëve:

— Ndigjoni shokë. Kam me i ba Padër Gjergjit nji pytje të fortë e kam me e nxanë MAT… S’ka me ditë ka me ia mbajtë i shkreti… – e po zgërdhihet studenti me shokët e vet.

E mirë, afrohet Fishta e përshendetet buza-gaz me studentat, e i pyt si ia kan kalu me mësimet, etj. etj. Por studenti në fjalë gjen rastin dhe e pyet:

— Padër Gjergj, a muj me të ba nji pyetje?
— Po si jo Djaloç, mundesh… po të ndigjoj – thotë Fishta.
— Padër Gjergj, – thot studenti, – Ju fetarët thoni që pas vdekjes së njeriut, shpirti i tij fluturon prej trupit…
— Po – thotë Fishta, duke buzëqeshë, – ashtu themi na fetarët, pse a je kundër a?
— Po mirë, thotë studenti, – tash po ta baj pyetjen… Nëse nji njeri sapo vdes e marrim dhe e fusim shpejt në nji arkivol, e këtë arkivol e fusim në nji arkë të madhe prej plumbi, e këtë arkë prej plumbi e fusim në nji arkë prej bakri, e këtë arkë prej bakri e fusim në nji arkë prej çeliku, e mbyllim mirë e mirë… Nga ka me dal shpirti k’tu o Padër Gjergji? A ban me m’kallxu?…

Edhe mbaron pytjen studenti, e u buzqesh shokëve fitimtar…

Padër Gjergji buzëqeshi disa sekonda dhe i thotë qetësisht:
— Ndigjo djalosh i mirë… Ti me sa po shoh unë, ke në krye nji borsalinë… nën atë borsalinë të bukur i paske do flokë bukur shumë të dendura, bash si shtëllunga leshi të dashit rudë… nën ato flokë si shtëllunga ke nji lëkurë të trashë të kryes, nën atë lëkurë të kryes, ke nji kockë të fortë si guri (kafka e kokës), nën atë kockë të kryes, ke nji cipë ma të hollë që mbulon trunin (trurin) tand, që ashtë ai që mendon njeriu… A po din me m’tregu ti more student i dashtun po ty si të duel (doli) e nga të duel kjo pyetje e marrë, a ban me e ditë?…
Studenti mbeti e s’dinte çka me thanë.

Në këtë mënyrë Fishta iu përgjigj studentit “filozof”, e shkoj ne punë të vet. Studentat e tjerë ngelen gojë hapë, e fillun me qesh masandej me fjalët e Pader Gjergjit të pamposhtur…

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...