2019-03-22

SHQIPTARËT NË STUDIMET GJERMANE



Historia dhe gjuha e shqiptarëve, një “terra incognita” për Evropën shkencore të periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e rrjedhimisht, historia dhe kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti më të gjerë politik, të Perandorisë Osmane. Për shkak të mungesës së të dhënave për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë një periudhe të mesjetës (shekulli VI deri XI), prejardhja e shqiptarëve, në studimet gjermane, u bë objekt i një debati të gjatë shkencor. Studimi i gjuhës shqipe për të arritur në përfundime mbi prejardhjen e saj e të shqiptarëve filloi qysh me filozofin dhe matematikanin gjerman Lajbnicin (Gottfried
Wilhelm Lajbniz, 1646-1716) dhe me historianin suedez Tunman (Hans Erich Tunmann, 1746-1778; profesor në universitetin e Halles në Gjermani).
Tunman është një nga albanologët e parë. Në veprën e tij Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindore (1774) bëhen orvatjet për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sipas tij, bazuar në dokumentet e lashta greko-latine e bizantine, del se shqiptarët mesjetarë janë vazhdues autoktonë të ilirëve. Studimi i parë gjerman, e njëkohësisht evropian, rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e të shqiptarëve i takon filozofit më të madh të kohës së tij – Lajbnicit. Këtë përpjekje ia kishte kërkuar bibliotekari i Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, ku tanimë ishte themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për prejardhjen e gjuhës shqipe Lajbnici bën fjalë në tri letra që tanimë njihen si “Letra shqiptare” të cilat ai i dërgonte bibliotekarit të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit.
Në letrën e dytë të datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici e quan shqipen “gjuhë e ilirëve të lashtë”. Enciklopedisti i gjuhëve – Lajbnici – thotë se kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, të cilët dihet se janë “Doktrina e kërshtenë” (1618) e Pjetër Budit (1566-1622) dhe “Fjalori latinisht-shqip” (“Dictionarium latino-epiroticum”) (1635) i Frang Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në etimologjizimet e fjalëve shqip operon me një koncept që do të formulohej shkencërisht rreth një shekull më vonë. Shekulli XVIII është shekull i iluminizmit. Më 1774 u botua në Lajpcig libri i Tunmanit Kërkime për historinë e popujve të Evropës Lindore, kushtuar historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve dhe të rumunëve. Tunmani del si eksploratori i parë i Evropës shkencore në historinë e shqiptarëve. Tunmani kishte vënë në dorë Fjalorin latinisht-shqip të F. Bardhit dhe përkthimin shqip të Katekizmit të Belarminit nga Pjetër Budi.
Koncepti i familjes gjuhësore indoevropiane në formën e tij embrionale u parashtrua së pari nga Uiliam Xhons rreth 80 vjet pas letrës së Lajbnicit. Gjuhëtari gjerman, një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867) është i pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në trungun e gjuhëve indoevropiane.
Filozofi, shkrimtari dhe teoricieni i historisë së shekullit XVIII Johan Gotfrid Herder (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) në veprën e tij “Ide për historinë e njerëzimit”, 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të botës. Herderi në këtë vepër thotë për shqiptarët: “Ata nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane”. Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë e popullit shqiptar. Për Herderin, shqiptarët janë popull me histori të lashtë; dhe shqiptarët rrjedhin prej ilirëve.
Në vitin 1850, profesori i Universitetit të Berlinit August Shlajheri (1821-1868) vërtetoi karakterin indoevropian të shqipes.
Studiuesi dhe albanologu gjerman Jozef Riter fon Ksilander (Josef Ritter Xylander,1794-1854) është autor i veprës Gjuha e shqiptarëve (Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren,1835). Në kohën kur është botuar vepra në fjalë e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Laonik Halkokondilit (rreth 1425-1490, i vetmi athinas të cilin e njeh historia e letërsisë bizantine) dhe historianëve kishtarë Le-Quien dhe Assemani, që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit. Herderi është autori i tretë gjerman ( njëkohësisht edhe evropian) që shprehet në favor të prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Studimet rreth Shqipërisë e shqiptarëve hyrën në një fazë të re pas themelimit të pashallëqeve shqiptare – autonome, sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit, Ali pashë Tepelena (1740-1822), një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit shqiptar, synoi jo vetëm autonominë nga Porta, por edhe krijimin e një shteti të pavarur që do të shtrinte sovranitetin e tij mbi të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Ekzistenca e pashallëqeve faktikisht autonome i dha një impuls të fuqishëm zgjimit të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve dhe idesë së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri të njohur Shqipërinë si një entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një objekt hetimi për Evropën shkencore.
Në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës u vendosën për herë të parë përfaqësues diplomatikë të fuqive të mëdha, fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me problemet shqiptare bashkëkohore dhe të së kaluarës, duke lënë vepra interesante.
Konsull i përgjithshëm i Francës në Janinë u emërua Pukëvili. Ky ndoqi nga afër e për shumë vite veprimtarinë politike të Ali pashë Tepelenës. Në veprat e tij jepen të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Vepra e tij përshkohet nga një admirim për grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët.
Përfaqësues politik i Anglisë në Janinë u emërua Uilliam Martin Lik. Me këto punime bota shkencore evropiane mori në dorë një informacion të pasur për Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë së tij. Për qëllime njohëse dhe studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Xhon Kam Hobhaus (1786-1869) deri te dijetari francez Ami Bue dhe arkeologu francez Leon Hezej. Në këngën e dytë të poemës së vet Shtegtimet e Çajld Haroldit (1812-1818) Bajroni vlerëson traditat burrërore, trimëritë, fisnikërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve.
Rreth problemit të prejardhjes së shqiptarëve u shprehën vetëm Pukëvili dhe Liku. Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të kundërta. Studiuesi francez pranon pikëpamjen fantastike të shprehur nga historianët kishtarë Le Quien dhe Asemani nga mesi i shekullit XVIII.
Në fillim të shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike, ekonomike dhe ushtarake në Mesdhe dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe provincën shqiptare të saj. Në atë kohë Rajhu gjerman ende nuk kishte interesa të këtilla ekspansioniste në rajon. Por në “klubin” osman të fuqive evropiane shpejt do të futet Austria. Që nga vitet 40 të shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e saj konsullorë. Në fillim të shekullit XIX problemi i prejardhjes dhe i gjuhës së shqiptarëve u bë objekt i hetimit shkencor për arbëreshët e Italisë, të cilët tani kishin hyrë në etapën e një zgjimi të vetëdijes për kombësinë e lashtë së cilës i përkisnin.
Së pari Nikollë Keta (1742-1803) në veprën “Etimologji të gjuhës shqipe” argumentonte autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjen ilire të tyre. Në “Annales des Voyages” (vol. III, 1809) (Analet e udhëtimeve) të botuar nga Malte-Brun, studiuesi arbëresh Engjëll Mashi (1758-1821) botoi punimin “Ese për prejardhjen e zakonet dhe gjendjen aktuale të kombit shqiptar” duke argumentuar prejardhjen ilire dhe autoktoninë e shqiptarëve.
Kur më 1835 Uilliam Martin Lik nisi të botonte në Londër veprën e tij “Udhëtime në Greqinë e veriut”, në Frankfurt-mbi-Majn, doli nga shtypi libri i gjuhëtarit bavarez Jozef Riter fon Ksilander Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren, në të cilin duke u mbështetur në 3500 fjalë të shqipes solli argumente themelore në të mirë të prejardhjes së lashtë indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë pikëpamjen për prejardhjen tatare ose kaukaziane të saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e ilirishtes dhe shqiptarët – pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se shqipja nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve romane.
Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe arriti që ta vërë në nivelin e gjuhësisë krahasimtare bashkëkohore. Me Ksilanderin përfundon etapa e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Studiuesi dhe albanologu gjerman, njëri nga themeluesit e shkencës së albanologjisë Johan Georg fon Han (1811-1869) i lindur në Jenë, gjatë udhëtimit në Shqipëri dhe Greqi, njohu shqiptarë dhe arbëreshë. Emërimi i tij si konsull i Austrisë në Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që t’i kushtojë thuajse tërë jetën e tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i cili ishin shkëputur arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës monumentale për historinë dhe botën shqiptare në përgjithësi “Studime shqiptare” (Albanesische Studien, Jena, 1954). Më vonë botoi veprën Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit (1867-1869).
Në veprën Studime shqiptare Hani thotë: “Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllav), i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të atij vendi .” Më 1868 Hani boton në Vjenë veprën Udhëtim nga Beogradi në Selanik. Ai riformulon pikëpamjen e tij për autoktoninë e shqiptarëve. “Ne mund të pranojmë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve të lashtë” (vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Serbi, njeh prejardhjen dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve në trevat e banuara prej tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar. Argumentimi i autoktonisë së shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana e kundërshtarëve të autoktonisë.
Më 1855 u botua teza e doktoraturës e studiuesit Nikokles në Universitetin e Hajdelbergut në të cilën nga pozita antishkencore ai përpiqet të argumentojë pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte paraqitur së pari nga historianët kishtarë një shekull para tij.
Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në vitin 1857 nga historiani dhe helenisti i shquar gjerman i mesit të shekullit XIX – Jakob Filip Falmerajeri (Jakob Philipp Fallmerayer, 1790-1861), i cili tregoi karakterin antishkencor dhe fantastik të punimit në fjalë. Në veprën e tij në tri pjesë Elementi shqiptar në Greqi, 1857, Falmerajeri përshkruan situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve, duke na dhënë tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë mbi atë të aloktonisë, një dominim në nivel shkencor të argumentimit.
Falmerajeri zbulon vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë edhe përballë rrebesheve më të egra të historisë. Falmerajeri është edhe autor i veprës Historia e gadishullit të Moresë. Ky ishte i pari që dëshmoi në mënyrë shkencore praninë e elementit shqiptar në Greqi.
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha shqipe u bë objekt studimi për figura të tilla të shquara botërore të gjuhësisë krahasimtare siç ishin Franc Bopi (1791-1867), profesor në Universitetin e Berlinit dhe August Shlajheri (1821-1868).
Më 1843 F. Bopi shqyrtoi numërorët dhe përemrat e shqipes dhe arriti në përfundimin mbi karakterin indoevropian të shqipes, duke konfirmuar përfundimin e J. R. fon Ksilanderit.
Më 1850 August Shlajheri, i njohur si themelues i teorisë së pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar indoevropiane dhe rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, kishte provuar karakterin indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt me greqishten. Më 1855 Bopi e hodhi poshtë pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta të shqipes me greqishten. Ky ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen patriotike shqiptare gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument shkencor kundër propagandës së megali idesë rreth një lidhjeje të lashtë prejardhjeje të përbashkët e kulturore të shqiptarëve me grekët.
Qysh në vitin 1861 arkeologu francez Leon Hezej (Leon Heuzey) vizitoi dhe përshkroi një sërë qendrash të lashta, ish-koloni greke të lashtësisë. Edhe studimet për gjuhën shqipe filluan të dalin përtej kufijve të Gjermanisë.
Gjuhëtari slloven Franc Miklosiç (1813-1899), profesor në Universitetin e Vjenës, nga vitet 60-70 të shekullit XIX u mor me historinë e shqipes (së cilës ai i njohu prejardhjen ilire) dhe me problemet e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera në fushë e leksikut.
Po kështu nga vitet 80 të shekullit XIX gjuhëtari çek Jan Urban (1848-1923) u mor me problemet e gjuhës e të folklorit shqiptar.
Nga mesi i shekullit XIX në historiografinë gjermane dhe atë botërore po ngrihej figura e njërit prej historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor Memesen-it. Në punimin e vitit 1850 Dialektet e Italisë së Jugut ai arriti në përfundimin mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen. Në veprën madhore të tij Historia e Romës, epirotët e lashtë të prirë nga Pirua ai i mbiquan “shqiptarë të lashtësisë”. Jemi tani në kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin formuluar ligjet e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve.
Për shqipen ky moment arrin kulmin me botimin në vitin 1891 të Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe nga profesori austriak dhe albanologu Gustav Majer-i (1850-1900).
Majeri hapi rrugën e studimit të fonetikës historike të gjuhës shqipe në të cilën më vonë do të jepnin kontribute themelore figura të tilla të gjuhësisë si Holger Pedersen-i (1867-1953; gjuhëtar dhe shkencëtar danez, albanolog), Norbert Jokli (1877-1942; pedagog dhe studiues austriak, albanolog) e deri te Eqrem Çabej (1908-1980) dhe studiues të sotëm si Erik Hempi, Martin Huldi etj. Në vitin 1877 në Gjermani del studimi i parë antropologjik për shqiptarët e, me të bashkë, nis dhe antropologjia e shqiptarëve. Udhëhapës në këtë degë të albanologjisë do të jetë një figurë e shquar e shkencës së shekullit XIX, patologu dhe antropologu Rudolf Virhov (Rudolf Virchov,1821-1902) i njohur si themeluesi i patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin Mbi kraniologjinë e ilirëve. Shqiptarët, kafkat e të cilëve i pat studiuar, Virhovi i identifikon me ilirë.
Nga fundi i shekullit të kaluar Helbig-u zbuloi se emrat e njerëzve që hasen në mbishkrimet mesape në shumë raste janë thuajse të njëjtë me antroponimet ilire të bregdetit lindor të Adriatikut. Mesapët ishin një fis joitalik që në Italinë Jugore, në pjesën lindore të siujdhesës apenine, kishin emigruar nga Epiri dhe Iliria. Ata ishin një degëzim i trungut të popullit ilir. Për t’i deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta shfrytëzojnë shqipen.
Studiuesi gjerman S. Buge në vitet 90 të shekullit XIX botoi punimin Mesapishtja dhe shqipja ku ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së mesapëve të lashtë dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh.
Në fillim të shekullit XX pasuan studime të tjera si ai i studiuesit italian F. Ribeco (F. Ribezzo).
Në vitet 30 të shekullit XX pasuan studimet e gjuhëtarit gjerman A. fon Blumental, kurse në vitet 60 të atij shekulli – studimet e O. Has-it. Historia dhe gjuha e ilirëve u njoh me një konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX formojnë një fushë të veçantë të dijes, të njohur si ilirologji.
Një ndër përpjekjet më të hershme për ta parë gjuhën e ilirëve në një kontekst të dyfishtë, si paraardhëse të shqipes e në marrëdhëniet e saj indoevropiane u bë nga gjuhëtari i shquar gjerman e një nga helenistët më të mëdhenj – Paul Kreçmeri në kryeveprën e tij Hyrje në historinë e gjuhës greke (1896), ku problemet e ilirishtes trajtohen në unitetin e tyre me shqipen dhe mesapishten.
Shkencëtarët gjermanë ishin Prometheu që nxori dritën e së vërtetës nga terri i mosdijes.
Para monumentit që ata kanë ngritur në fushën e historisë dhe të gjuhës shqipe, shqiptarët përulen me mirënjohje të thellë.
SHQIPTARËT DHE AMI BUE, FRANSUA PUKËVIL, MARTIN LIK

Me shqiptarët dhe me Shqipërinë janë marrë edhe studiues të tjerë, si për shembull etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami Bue (Ami Boué, 1794-1881). Ky bëri udhëtime në Evropë dhe në Ballkan, e në veçanti në Shqipëri. Me interes për çështjet shqiptare janë veprat: Turqia evropiane, Paris 1840 (Esquisse géologique de la Turquie d’Europe) në katër vëllime dhe Përmbledhje udhëtimesh në Turqinë evropiane, Vjenë 1854, në dy vëllime.
Në to paraqet të dhëna për historinë politike dhe ekonomike të Shqipërisë si dhe për demografinë, për veçoritë e kulturës materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve. Ndonëse ka dhënë disa vlerësime të diskutueshme, të dhënat e tij kanë vlerë njohëse historike.
Me shqiptarët dhe Shqipërinë është marrë edhe ushtaraku anglez Uilliam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860). Ky ishte përfaqësues politik i qeverisë angleze pranë oborrit të Ali pashë Tepelenës në fillim të shekullit XIX. Është autor i dy veprave në gjuhën angleze: Kërkime në Greqi (Researches in Greece, 1854) dhe Udhëtime në Greqinë e Veriut (Travels in Northern Greece), 1835, në katër vëllime. Në veprën e parë, përveç materialeve të ndryshme me karakter ekonomiko-shoqëror dhe politik, me interes për Shqipërinë, jep edhe shënime mbi gramatikën shqipe në bazë të një punimi të hartuar nga mësuesi Jan Evstrat Vithkuqari (1755-1822) si dhe mbi një fjalor të gjuhës shqipe.
Udhëtime nëpër Greqinë e Veriut e Likut është një vepër themelore për historinë e Shqipërisë jugore, nën sundimin e Ali pashë Tepelenës, me informacione historike, gjeografike, ekonomike, gjuhësore, etnografike, arkeologjike etj. që shtrihet në kohë – nga e sotmja deri në lashtësinë klasike. Këtu bie në sy njohja e burimeve të lashta greke e romake lidhur me trojet e Shqipërisë së jugut.
Liku arriti në përfundimin se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre qysh nga fillimi i epokës historike.
Shqiptarët kanë qenë objekt interesimi i studiuesit francez Fransua Pukëvilit (François Charles Hugues Laurent Pouqueville, 1770-1838). Ky ishte mjek, natyralist, diplomat, historian dhe arkeolog. Ishte konsull i përgjithshëm i Perandorisë e më pas i Mbretërisë franceze në Janinë dhe në Patra. Ndoqi nga afër veprimtarinë politike të Ali pashë Tepelenës. Njihet si historiani më i rëndësishëm i çerekut të parë të shekullit XIX për pashallëkun e Janinës. Vizitoi edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, duke udhëtuar nga Janina në Shkodër.
Në veprat e tij Udhëtim nëpër Greqi (Voyage de la Grèce, Paris 1820) dhe Historia e ringjalljes së Greqisë (Histoire de la regénération de la Grèce) jep të dhëna të çmueshme për vendin, për popullin si dhe për shtresat shoqërore të Shqipërisë jugore. Ndonëse armik politik i vezirit të Janinës, provoi më së miri synimet e Ali pashë Tepelenës për shkëputje nga Perandoria Osmane.
Duhet shtuar se vlerësimet e Pukëvillit që nxin personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme. Pukëvilli ishte një filogrek i përbetuar. Me shkrimet e veta ai e mbështeti pavarësinë e Greqisë nga Perandoria Osmane dhe u konsiderua si arkitekt i filohelenizmit në Evropë e sidomos në Francë.

Xhelal Zejneli

Tirana dhe Prishtina duhet ta ndihmojnë kulturën në viset shqiptare



“Dhuna dhe egërsia i fshehin kulturat në shkurë të helmuara. Por, kultura është dritë që, edhe kur të duket e fshehur, nuk asgjësohet dhe shpejt ose vonë, del dhe vezullon në një trevë kulturë të zhvilluar me fisnikëri të vërtetë…” Nermin Vlora Falaski/f.12/
Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin kulturor në nivel Rajonal e më gjërë, kryesisht merret parasysh bashkëpunimi kulturor i Luginës së Preshevës me viset shqiptare për rreth, sidomos me Shqipërinë dhe Kosovën, në realizimin e programeve të ndërsjella kulturore.
Lugina e Preshevës, sidomos Presheva realizoi programe të shumta kulturore artistike dhe bashkëpunim kulturor në Maqedoni, në Mal të Zi, në Shqipëri, sidomos në Kosovë, gjatë vjetëve të fundit të shekullit XX. Poashtu edhe këto vise shqiptare participuan në zhvillimin e jetës kulturoe të Luginës së Preshevës.
Vlen të theksohet bashkëpunimi i ngushtë i Luginës së Preshevës me kulturën e Shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë. U realizuan shumë aktivitete kulturore e bashkëpunime kulturore me Shqipëri, Kosovë e gjëtiu.
Bashkëpunimi i parë kulturor e arsimor u realizua më 1979, atëherë kur një numër i punonjësve kulturorë e arsimorë vizitoi Shqipërinë dhe u njoftua me arsimin dhe jetën kulturore në Shqipëri.
Në Shkodër, grupin e priti Grupi i Këngëtarëve të Shkodrës dhe pos kësaj punonjësit arsimorë dhe kulturorë vizituan shumë Parqe arkeologjike, Kala, shkolla, e tjerë.
Të theksojmë se shumicën e programeve kulturore, Presheva i mori me lehtësime financiare apo edhe falas nga Shqipëria dhe Kosova.
Kështu, në një bisedë të viteve të 70-ta të shekullit XX, në Sekretariatin Krahinor të Kulturës/atëherë-tashti Ministria e Kulturës/ nga sekretari i këtij Sekretariati, Shefki Stublla e morëm zotimin që Ansambletë kulturore dhe shërbimet kulturore të Kosovës do të jenë minimale për Preshevë. Në bisedë me të ishte Hasan Hajrullahu, udhëheqës komunal dhe kryetar i Këshillit për kulturë në Lidhjen Socialiste të Preshevës dhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Xhemaledin Salihu/atëherë Universiteti I Punëtorëve/.
Bashkëpunimi i këtillë filloi të realizohet dhe Presheva të ketë beneficione dhe çmime më të ulta për programet dhe shërbimet kulturore të Ansambleve dhe Shërbimeve të Kosovës në Preshevë.
Bashkëpunimi i pare, i realizuar ndodhi më 1975, kur Biblioteka e Qytetit dhe NGBG “Rilindja” nënshkruan Kontratë të Përhershme për sigurimin e botimeve në gjuhën shqipe që dalin në “Rilindje”, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe botimeve import nga Shqipëria. Kjo kontrarë u realizua deri më 1989, deri atëherë kur u suprimua Autonomia e Kosovës, poashtu u shkëpute edhe konktrata në fjalë.
Pastaj që nga viti 1966/67 në Preshevë erdhën shumë grupe, ansamble, teatro nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
Më 1975, në Preshevë u hap skena e përhershme e Teatrit të Prishtinës, në periudhën 1975-1983, me rëndësi të madhe shoqërore e kombëtare është hapja e Skenës së Përhershme e Teatrit të Prishtinës në Preshevë, për realizimin e së cilës u nënshkrua Kontrata nr.24 e dt. 14 janar 1975, në mes të Teatrit Krahinor të Prishtinës/atëherë/ dhe Shtëpisë së Kulturës në Preshevë. Pra, Teatri në fjalë pasuroi dhe edukoi jeten kulturore, sidomos jetën teatrale në Preshevë.
Më 1980, Preshevën e vizituan Teatri Popullor “Migjeni” Shkodër, Radio Shkodra me këngëtarët e mirënjohur:Bik Ndoja, Shqyri Alushi/i ndjer/, Violeta Zefi, Violeta Gjergji, e tjerë dhe Ansambli Artistik “Kuksi i Ri” nga Kuksi.
Presheva organizoi që nga vitet e 90-ta të shekullit XX shumë festivale kombëtare: Festivalin “Kosovarja”Këndon” më 1992, Festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare” që nga viti 1995 u themelua Festival i Komedisë dhe ky Festival ka legjtimitetin dhe legalitetin që të mbahet në Preshevë, sepse për të janë nënshkruar marrëveshje në mes të Shtëpisë së Kulturës dhe LASH-it të Maqedonisë, Kosovës, pastaj të Shqipërisë dhe Malit të Zi.Pastaj u realizuan Festivali i Recitueve në Preshevë, unik për të gjitha trojet shqiptare, Festivali i Këngës dhe Valles së përpunuar në Preshevë apo i SHKASH-ve shqiptare dhe Festivali i Fëmijëve “Gëzimi Ynë” që mbajnë vulën e kohës dhe janë Festivale të Preshevës.
Andaj në mbështetje të kësaj që thamë më lartë, kërkohet një bashkëpunim më i mirëfilltë i Tiranës dhe Prishtinës, për të realizuar programe konkrete kombëtare kulturore dhe arsimore në Luginën e Preshevës, sigurisht, jo vetëm për ta zhvilluar kulturën shqiptare, por edhe për ta mbajtur ndezur e gjallë kulturën shqiptare në Luginën e Preshevës, e harruar nga Serbia, por edhe nga Tirana dhe Prishtina.
Poashtu, Lugina e Preshevës dhe shoqëria civile e saj kanë nevojë të madhe për financimin e programeve dhe projekteve kulturore që kanë taban kombëtar, sepse ato nuk i financon as shteti i Serbisë, as komuna e Preshevës, ajo e Bujanocit kujdeset për financimin e projekteve dhe programeve të shoqërisë civile, me taban kombëtar, vetëm të atyre me seli në Bujanoc.

Xhemaledin SALIHU
KRYETAR I SHOQATËS PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI E LUGINËS SË PRESHEVËS, ME SELI NË PRESHEVË.

Si sot, 465 vjet më parë nisi rrugën e vet fjala e shkruar shqip.





“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për smujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor, shkruan Gjon Buzuku në Meshar, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot.

Libri përbëhej nga 110 fletë mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.

Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin.

Akademia e Shkencave dhe Arteve ndërron emrin, por jo siglën





Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase ka ndërruar emrin në Akademia e shkencave dhe Artit të Republikës së Maqedonisë së Veriut- ASHAM. Kështu sot në seancë konsultative vendosën anëtarët e institucionit më të lartë shkencor në vend. Sipas kryetarit të ASHAM, kjo ka qenë zgjidhje kompromisi dhe vlerëson se ASHAM e ka mbajtur autonominë e saj duke vendosur në mënyrë të pavarur për emrin e ri.

“Ne gjashtë muaj luftojmë për atë akronim, që të mbetet shkurtesa ASHAM. Dua posaçërisht t’ju them se kjo nuk ka vetëm rëndësi formale, kjo ka rëndësi esenciale, pasi megjithatë, termi ASHAM, maqedonase, nga njëra anë tregon për çështje identitare në Maqedoni, dhe nga ana tjetër kjo na relakson dhe na mundëson të mos e ndryshojmë faqen e internetit”, deklaroi Taki Fiti, kryetari ASHAM-it.

Ky është rekomandim i ASHAM, por vendimin duhet ta marr Qeveria. Një pjesë e akademikëve kanë shprehur mospajtim për shkak të ndryshimit të emrit të këtij institucioni. Megjithatë, duke u thirrur në Kushtetutë dhe obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, shumica, gjegjësisht 24 akademikë kanë votuar “Pro” ndërsa vetëm katër “Kundër”.

“Në nenin 1 t Marrëveshjes qartë thuhet se pala e dytë, ka për qëllim Republikën e Maqedonisë, e pranon emrin Republika e Maqedonisë së Veriut dhe se obligohet t’i ndryshojë emrat e organeve shtetërore dhe trupat e institucioneve publike të formuara me ligj dhe të financuara nga buxheti. Pra, kjo përjashton mundësinë e mos ndërrimit të emrit”, theksoi ai.

Pas firmosjes së Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimit të emrit kushtetues, vendi filloi procedurën për ndërrimin e emrave të mbi 130 institucioneve.

Prof.Dr.Blerim Reka për mediet e Beogradit: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme






Kandidati i pavarur për president në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, në një intervistë për gazetën më të vjetër serbe “Politika” të Beogradit, ka folur për marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Serbi. Reka ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

“Kosova u çlirua nga Serbia, dhe tash është koha që Serbia të lirohet nga Kosova. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, prandaj Serbia i nevojitet një Degoll, i cili do e pranoj këtë realitet të ri”, ka thënë ai.

Reka është shprehur se duhet të lirohemi nga e kaluara.

“Ballkani ka fatkeqësisht suficit të së kaluarës dhe deficit të së ardhmes”, ka theksuar ai.

Po ashtu Reka ka mbrojtur tezën e tij të njohur për anëtarësimin në pako të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, në mënyrë që siç tha të mos ndodhë që shteti i parë që anëtarësohet, pastaj me të drejtën e vetos t’i bllokoj shtetet tjera.

Në këtë intervistë, Reka i cilësoi si të shkëlqyeshme marrëdhëniet e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Republikën e Kosovës dhe me Republikën e Shqipërisë.



Udhëheqësit e vjetër e bashkuan Kosovën,kurse këta tash e copëtuan


Udhëheqësit e vjetër e bashkuan Kosovën,kurse këta tash e copëtuan


Shkruan: Ragip Mexhuani


Rrugën e Millosheviqit për formimin e komunave serbe e vazhduan ndërkombëtarët me pushtetarët e Kosovës

Kosova nuk është dashur të negocioi me Serbinë , pasi asnjë republikë jugosllave pas ndarjes, nuk negocioi me Serbinë

Kosova nën Mbretërinë e Jugosllavisë 22 vjet ka qenë e ndarë në mes 5 krahinave dhe 3 banovinave jugosllave ( 1918-1940). Banovina e Moravës përfshinte territorin e rrethit te Llapit dhe Vuçiterrnës. Banovina e Vardarit: rrethin e Prishtinës ( Graçanicës ) ,Gjilanit , Kaçanikut ,Ferizajt , Pruzrenit dhe Dragashit , kurse Banovina e Zetës : rrethin e Mitrovicës , Drenicës , Istogut , Podrimes , Gjakovës dhe Pejës, kështu ishte deri në shpartallimin e Mbretërisë së Jugosllavisë në Luftën e Prillit 1941, kur filloj LDB , edhe Kosova u pushtua nga nazifashizmi italiano-gjermano-bullgar. Italia e kishte pushtuar pjesën më të madhe të Kosovës. Gjermania e kishte pushtuar veriun e Kosovës: Mitrovicën , Vuçiternën, Podujevën , kurse Bullgaria Kamenicën, Pozharanin, Kaçanikun . Konferenca e Pestë u mbajt 19-23 tetor 1940 në Zagreb ajo aprovoj propozimin e shokëve delegatë nga Rrafshi i Dukagjinit dhe Kosova që organizata partiake e kësaj krahine të ndahet nga Mali i Zi dhe që Komiteti Krahinor i Rrafshit të Dukagjinit të Kosovës të lidhet drejtpërdrejt me Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë.


Populli kurrë nuk u pajtua me ndarjen

Udhëheqësit e vjetër e çliruan Kosovën nga fundi i vitit 1944 nga nazifashizmi.

Udhëheqësit e vjetër të Kosovës me 31 dhjetor 1943 dhe me 1 e 2 janar 1944 në Konferencën e Bujanit u bashkuan me Shqipërinë . Pas çlirimit , ka qenë ideja që Kosova të fshihej si krahinë autonome , të ishte në përbërje të Serbisë ose të ndahet në tri zona : Metohija ( Dukagjini ) t’i bashkohet Malit të Zi, Kosova Veriore e Qendrore të bashkohet me Serbinë , ndërsa Kosova Jugore nga Ferizaj në Kaçanik të bashkohet me Maqedoninë. Më 12 shkurt 1945 në Beograd Milladin Popoviqi kundërshtoj i pari mendimin e Udhëheqëseve jugosllav. Ne tha ai, i kemi premtuar popullit shqiptar të Kosovës se ai vetë do të vendosë për fatin e tij, kurse Fadil Hoxha tha: “Kjo do të thotë kthim në ndarjet e vjetra të kralëve serbë : në Zetska , Ibarska Vardaska banovina ... Populli kurrë nuk do të pajtohet me këtë ndarje... Më 24 shkurt 1954 në Prishtinë u mbajt mbledhja plenare e Komitetit Krahinor. Në këtë mbledhje do të shtrohet çështja e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi . ... Në këtë Plenum më së largu kishte shkuar Ali Shukriu , i cili atë botë kishte theksuar “ se këtu ka shenja të asgjësimit të shqiptarëve... Ali Shukriu ishte i deleguari i presidentit të Jugosllavisë, Josip Broz Titos , për kumari me familjet e nënave shqiptare që kishin lindur nëntë e më tepër fëmijë, kurse ish ministri Blerand Stavileci u deklarua që shqiptarët mos të lindin shumë fëmijë. Latinka Peroviq: tensionin e ngulfatur të marrëdhënieve politike midis funksionarëve serbë e shqiptarë edhe njëra palë edhe tjetra kanë bartur revole .

Kosova pas shkarkimit të Rankoviqit gjysma e vitit 1966-1989 ishte e barabartë me republikat jugosllave, këtë e vërtetoj Gjykata Ndërkombëtare e Hagës që e njohu Pavarësinë e Kosovës edhe në bazë të Kushtetutës 1974.

Veriu i Kosovës , dhe komunat serbe të administruara nga serbët

Kosova nuk është dashur të negocioi me Serbinë , pasi asnjë republikë jugosllave pas ndarjes, nuk negocoi me Serbinë. Që në ditën e parë të hyrjes së forcave ndërkombëtare më 12 qershor 1999 , si misione ushtarake dhe civile e nxitën , ndarjen e Kosovës , nga vendosja e KFOR- it përgjatë lumit Ibër në veri të Kosovës. Kosova para ardhjes së Millosheviqit në pushtet i kishte 22 komuna, vetëm komuna e Leposaviqit ishte shumicë serbe. Për ta copëtuar Kosovën Milosheviqi formoj komuna serbe si : Zubin Potokon, Zveqanin , Shterpcën etj . Rrugën e Millosheviqit për formimin e komunave serbe e vazhduan ndërkombëtarët me pushtetarët e Kosovës.

Serbët kanë kërkuar që të formohen komuna serbe edhe aty ku janë vetëm disa qindra serbë. Për qudi edhe Grupi Negociator shqiptar është pajtuar që të jenë 5-6 komuna të reja serbe ! Serbia kërkon që komunat serbe të kenë lidhje direkte mes veti dhe ti financoj Serbia . Serbia në realitet e ka pushtuar pjesën veriore të Mitrovicës . Trabjorn Solstrom , u garantoj serbëve se dencetralizimi do t’u mundosoj komunave serbe të kenë lidhje me njëra- tjetrën dhe më autoritetet e Beogradit . Si mini shtete serbe do të jenë edhe : Komuna e Parteshit , Cërnica fshat i kësaj komune ka

me shumë banorë shqiptarë se sa komuna e Parteshit. Në kuadër të komunave serbe përfshihen edhe vendbanime shqiptare si në komunën e Novbërdës , të Graçanicis dhe të Ranillukut. Nga gjithsej 4 temat e paketës së Ahtisarit , në të gjitha bëhet fjalë vetëm për serbët dhe privilegjet e tyre në Kosovë ( decentralizimi , trashëgimia kulturore , kishat dhe manastiret , minoritetet edhe ekonomia , çështja e pronave të serbëve të Kosovës dhe bashkëpunimi i tyre ne fushën ekonomike me Serbinë . Serbia kërkon 39 zona mbrojtëse , me nga 5 . 500 ha secila . Uzurpimi i tokës së pronave të shqiptarëve ( rreth 800 ha ) rreth Manastirit të Deçanit . Në kohën e monizmit kishat - manastiret quheshin ortodokse e jo serbe si tash .

Këto kisha - manastire në Kosovë pas LDB i kishin vetëm 184 ha , kurse para LDB i kishin 1447 ha. Kishat ortodokse mesjetare Graçanica afër Prishtinës , Levishka në Prizren , Patrikana në Pejë dhe Kisha e Deviqit ne Drenicë , nuk janë dhëshmi e kulturës serbe , sepse ato janë ndërtuar para ardhjes së tyre në këto treva. Kisha e Deçanit është ndërtuar mbi themelet e kishës së vjetër katolike shqiptare. Kishën e Deçanit e ka projektuar prifti katolik shqiptarë fra Vita Kuçi . Dëbëllden , M. E Zahirajve a e mori Maqedonia ? A i mori Mali i Zi 8200 ha tokë Kosove përgjatë kufirit ? Veriu i Kosovës , dhe komunat serbe të administruara nga serbët . Kosova dhe shqiptarët këndej kufiri nga gjysma e vitit 1966-1989 ishim shumë më mirë , ashtu Shqipëria 1945 -1990 ishte shumë më mirë .

Dhjetë vjet më parë, gjatë udhëtimit të tij të parë në Evropë, si president i SHBA-së, Barack Obama mbajti një fjalim historik në Pragë.

Kthimi te gremina bërthamore


Kthimi te gremina bërthamore

Javier Solana 

Më shumë për kënaqësinë e turmës, Obama përshkroi një botë pa armë bërthamore si të dëshirueshme dhe brenda mundësive. Kjo deklaratë ishte e pashembullt për një president amerikan dhe do të kontribuonte në fitimin e Çmimit 'Nobel për Paqe' më vonë atë vit. Obama gjithashtu e përdori rastin për të siguruar çekët - dhe përgjithësisht evropianët - se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do t'ua kthenin shpinën; se angazhimi i tij ndaj parimit të mbrojtjes kolektive sipas nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut ishte i përhershëm dhe i pakushtëzuar. Këto fjalë tani duken si një relikt i një epoke të kaluar. Pasardhësi i Obamës, Donald Trump, e vuri në pyetje atë shtyllë kyçe të NATO-s, duke u larguar kështu nga pothuajse 70 vjet tradite diplomatike. Më keq, ai kohët e fundit bëri publik qëllimin e tij për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me rreze të mesme (INF) me Rusinë, që ka qenë thelbësore në garantimin e sigurisë evropiane që nga viti 1987.

Edhe pse administrata e Obamës përfundoi duke relativizuar çarmatimin bërthamor me kalimin e kohës, Trump duket se e ka zëvendësuar atë qëllim me një të kundërt: riarmatim. Ka shumë gjasa që objektivi i tij i ardhshëm do të jetë START i ri Për të qenë të sigurt, marrëveshjet dypalëshe si Traktati i INF - një artefakt i Luftës së Ftohtë të vonshme - nuk janë më të mjaftueshme në botën multipolare sot. Ndërsa SHBA-ja dhe Rusia e kanë të ndaluar sipas traktatit posedimin e raketave me bazë në tokë me një distancë prej 500-5.500 kilometrash (300-3,400 milje), rreth 95% e arsenalit raketor të Kinës tani përbëhet pikërisht nga armë të tilla. Për më tepër, SHBA-ja dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të Traktatit INF, duke nënkuptuar se marrëveshja është bërë gjithnjë e diskutueshme. Por një strategji shumë më e ndjeshme e SHBA-së do të kishte qenë të ripohonte angazhimin e saj ndaj traktatit, duke i bërë presion Rusisë të bënte të njëjtën gjë në dritën e shkeljeve të veta të supozuara.

Duke marrë vendin e sipërm, SHBA-ja do të bënte shumë më mirë që të zgjeronte të njëjtën kornizë normative ndaj Kinës dhe arsenalit të saj. Në vend të kësaj, autori i librit "The Art of the Deal " (Artit të marrëveshjes) ka ndjekur këshillën e dikujt që ende nuk ka arritur në jetën e tij ndonjë marrëveshje të kënaqshme, këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare, John Bolton. Pasi që më 2002, gjatë mbajtjes së mandatit të tij në administratën e Presidentit George W. Bush, Bolton-i kishte përdorur pozicionin e tij në administratën Trump për të filluar sulme kundër Traktatit të INF dhe Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA ) me Iranin. Ka shumë gjasa që objektivi i tij i ardhshëm do të jetë START i ri. Nënshkruar nga presidenti Obama dhe presidenti rus, Dmitri Medvedev, në Pragë më 2010, ky traktat i reduktimit të armëve bërthamore do të përfundojë në vitin 2021, duke përjashtuar një marrëveshje për shtyrjen e saj. Me rënien e qëndrueshme të arkitekturës ndërkombëtare të kontrollit të armëve ka ardhur një garë e re për zhvillimin e llojeve të reja të armëve bërthamore. Përdorimi i mundshëm i këtyre armëve tani diskutohet me një mendjelehtësi të tillë, që të parashikojë një kthim në ditët më të errëta të Luftës së Ftohtë, por një që është edhe më i rrezikshëm, sepse vendet e tjera që nuk i nënshtrohen Traktatit të Mos-Proliferimit (NPT) Koreja e Veriut, që nga ajo kohë u bashkuan me klubin bërthamor.


Gjatë vitit të parë të Trump në detyrë, shkëmbimet e tij të zjarrtë publike me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, acaruan marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Penianit në pikën e tyre më të ulët në dekada. Edhe pse Trump ka braktisur kërcënimet e tij të "zjarrit dhe tërbimit" dhe i ka dhënë një shans diplomacisë, qasja e administratës së tij ndaj Koresë së Veriut ka injoruar të gjitha ligjet e diplomacisë efektive. Kjo ka shkaktuar një lloj tjetër frustrimi: spektaklin e lavdërimit të pavullnetshëm. Në fund, mungesa e konsensusit midis politikëbërësve të huaj të SHBA dhe pritjeve kaoitke të dy palëve negociuese, të kombinuara me improvizimet e veta të Trumpit, dënuan samitin e tij të fundit me Kimin, duke e çuar atë në dështim. Nevojitet urgjentisht një riorganizim, veçanërisht për të inkorporuar fuqitë e tjera rajonale dhe për të penguar Boltonin dhe skifterët e tjerë në administratë nga çrregullimi i mëtejmë i procesit. Administrata Trump është duke eksploruar mundësinë e eksportimit të materialit bërthamor Ndërkohë, India dhe Pakistani, dy nënshkruesit e tjerë të NPT, kohët e fundit u angazhuan në një konfrontim ushtarak ndërkufitar, pas një sulmi terrorist muajin e kaluar në shtetin indian Jammut dhe Kashmir.

Pasi konsiderohej "vendi më i rrezikshëm në botë" nga ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, Kashmir është në thelb i ndarë midis tre fuqive bërthamore: Indisë, Pakistanit dhe Kinës. Që nga koha kur Pakistani zbuloi kapacitetin e saj bërthamor në botë në fund të viteve 1990, marrëdhëniet indo-pakistaneze kanë qenë tepër të tensionuara. Më keq, siç tregon paqëndrueshmëria e fundit, prania e armëve bërthamore nuk është e mjaftueshme për të parandaluar konfliktin. Në vend të kësaj, ajo thjesht rrisin rrezikun që grindjet do të përshkallëzohen në konflikte ekzistenciale. Së fundi, në Lindjen e Mesme, administrata Trump ka mbjellë në mënyrë aktive fara për përhapje bërthamore. Vendimi për të braktisur JCPOA-n ishte tërësisht kundërproduktive, duke reflektuar vetëm mbështetjen e verbër të Trumpit për Izraelin - një tjetër NPT që nuk ishte nënshkruar - dhe Arabinë Saudite. Në të vërtetë, administrata Trump është duke eksploruar mundësinë e eksportimit të materialit bërthamor te regjimin saudit pa vendosur masa mbrojtëse të nevojshme. Me sa duket, Trump nuk shqetësohet nga fakti se Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman nuk ka përjashtuar as zhvillimin e armëve bërthamore, as nuk është angazhuar për një regjim të rreptë të inspektimeve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Megjithatë, një hap i rremë mund të zhysë Lindjen e Mesme në një garë të armëve bërthamore - vërtetë një skenar më i keq për një rajon kaq të fortë. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, Trump ngriti një flamur të kuq për herë të njëmbëdhjetë kur ai sugjeroi që Japonia dhe Koreja e Jugut duhet të zhvillojnë armët e tyre bërthamore si një mjet për vetëmbrojtje. Kjo ide nuk mund të kishte qenë më e gabuar. Logjika dikton se nëse më shumë vende fitojnë armë bërthamore, gjasat për përdorimin e armëve të tilla do të rriten. Lufta e Ftohtë na dha një paraqitje të shkurtër të rreziqeve që kemi kur ndjekja jonë e njëmendësisë për disa interesa gjeopolitike na shkakton të harrojmë më të rëndësishmen e të gjithëve: sigurinë ndërkombëtare.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...