2021-11-26

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë, në Elbasan, është mbyllur me një varg marrëveshjes së arritura

 


Mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, në Elbasan,  është mbyllur me një varg marrëveshjes së arritura. Kryeministri, Edi Rama tha se në rast se ministrat e dy palëve do kenë vullnet për të bashkëpunuar, rezultatet e marrëveshjeve dy palëshe do japin efektet e tyre pa vonesa. “Tani thotë një fjalë që kush është ndryshimi mes diktatorëve dhe shefave të protokolleve.  Me diktatorët edhe negociohet. Mora pusullën nga protokolli se duhet të nxitojmë se jemi mbrapa me programin. Po bëj një falënderim për dy palët për punën e bërë për këto marrëveshje që duhet të firmosim. Nëse do kemi vullnetin që nuk na mungon. Dhe nëse ministrat nga dy anët do jenë të hapur për të bashkëpunuar me sekretariatin do kemi rezultate pa vonesa”, tha Edi Rama. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se duhen tejkaluar kufijtë mes palëve por jo kufijtë e kohës për realizimin e objektivave si detyrim ndaj qytetarëve të dy vendeve. “Faleminderit për punën, angazhimin dhe kontributin. Le t’i tejkalojmë kufijtë duke vajtur dhe ardhur te njëri tjetri por të mos i kalojmë kufijtë për zbatimin e marrëveshjeve. Koha nuk është e jona por e shtetit që mbahet me taksat e qytetarëve tanë dhe mirëmbahet nga qeveritë e dy vendeve. Albin Kurti, në fjalën e tij veç tjerash ka thënë se linja hekurudhore Durrës-Prishtinë forcon shqiptarët dhe portin kryesor, sikur  është Durrësi.

Jack Smith: Policia e Kosovës nuk ka dhënë garanci të mjaftueshme për mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së

Kohë më parë zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë kishin vizuar disa nga të arrestuarit nga radhët e krerëve të UÇK-së dhe ishin zotuar se institucionet e Kosovës do të interesohen për fatin e tyre, por nuk kanë shprehur gatishmërinë e policisë për të ofruar garanci të mjaftueshme, në lirimin e tyre me kusht, ose në arrest shtëpiak, derisa të kryhet gjykimi në Gjykatën Speciale. Mu për këtë mos interesim dhe mos-gatishmëri, të arrestuarit, Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk kanë pranuar të takoheshin dhe të bisedonin  me delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë, në Hagë.Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith,  në një parashtresë të dërguar, në gjykatë, ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit, për krerët e UÇK-së që po mbahen në burgun e Sheveningenit, në Hagë, të akuzuar gjoja për krime lufte,  duke konstatuar se Policia e Kosovës nuk ka dhënë sërish garanci të mjaftueshme për lirimin e krerëve të UÇK-së. “Garancitë e fundit të Policisë së Kosovës mbeten të pamjaftueshme dhe si të tilla nuk përbëjnë ndryshim të rrethanave”, ka thënë Smith në parashtresat e tij. Në dritën e rreziqeve të larta që ekzistojnë dhe rrethanave specifike të të akuzuarit, gjyqtari i procedurës paraprake duhet të përcaktojë se kushtet e propozuara janë të pamjaftueshme për të justifikuar lirimin dhe, por  edhe sikur të ishin, Kosova nuk dëshiron dhe nuk është në gjendje  t’i zbatojë ato”, ka thënë kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith.

Qeveria aktuale e Kosovë dhe kryeqeveritari, Albin Kurti, shprehen se vetë Thaçi e ka pranuar Gjykatën Speciale, dhe pikërisht për këtë ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë garanci nga Qeveria apo nga policia.

Ka kaluar një vit qyshkur katër krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi  po mbahen në burg, edhe pse kryetarja  e Gjykatës, bullgarja Trendafilova kishte deklaruar se nuk do të lejojë që ata të mbahen në arrest më shumë se një vit, nëse Prokuroria nuk do të ishte e gatshme të  ofron lëndë të mjaftueshme penale për fillimin e Gjykimit. Tani kjo drejtuese e Gjykatës Speciale, hesht, Qeveria e Kosovës nuk ofron garanci, ndërsa avokatët e të akuzuarve me fakte e dëshmi kanë provuar se Gjykata është politike dhe nuk ka lëndë të mjaftueshme e të dokumentuar penale, për gjykimin e kreut të luftës së UÇK-së. 

Ahmet Qeriqi: Gjergj Fishta kishte mbështetur fuqishëm interesin e shqiptarëve në kohën e rrezikut të shpërbërjes II

 Po të analizojmë me fakte e argumente rrethanat që mbretëronin në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit, do të shohin se fashizmi italian ishte shumë më i qytetëruar dhe më mik i shqiptarëve sesa fashizmi sllav, serb, bullgar e grek.

Italia kishte okupuar Shqipërinë në prill të vitit 1939, por pa u derdhur shumë gjak, ndërsa në vitin 1941 kishte çliruar viset shqiptare të Kosovës e Maqedonisë, të cilat kishin jetuar nën një regjim shumë më fashist dhe shfaronjës, sikur ishte Mbretëria  despotike serbe,  e cila kishte synim strategjik shpërbërjen e shqiptarëve dhe të Shqipërisë në tërësi.

Italia fashiste dhe forcat italo-shqiptare në trojet, deri atëherë të pushtuara të Shqipërisë, hapi shkollat e para kombëtare  në gjuhën shqipe, instaloi administratën shqip, qarkullimin e lirë. U lejua përdorimi i Flamurit kombëtar. Ajo iu dha armë shqiptarëve për të mbrojnë viset e veta etnike, natyrisht, nën flamurin me sëpatën e Liktorit. Asnjë të drejtë elementare njerëzore as kombëtare nuk e kishin gëzuar shqiptarët nën regjimin Jugosllav i cili pasi kishte vrarë rreth 300.000 shqiptarë në vitet 1912-1918 dhe kishte dëbuar për në Turqi disa qindra mijëra të tjerë, kishte filluar ndëshkimin kolektiv të shqiptarëve, asimilimin duke hapur disa shkolla vetëm në gjuhën serbe, ku nxënësit shqiptarë e kishin të ndalura rigorozisht të bisedonin në gjuhën e tyre madje edhe me njëri-tjetrin, derisa ishin në shkollë. Po qe se një shqiptari i zbulohej një libër shqip ai dënohej me burg deri në 20 vjet.

Cilat do të kishin qenë arsyet që shqiptarët e okupuar në Kosovës e troje të tjera, të rrëmbenin armët dhe ta mbaronin regjimin shfarues të Beogradit nga Italia e Gjermania?

Cili fashizëm ishte më i zi, ai që sollën italianët në trojet shqiptare, apo regjimi fashist jugosllav që  kishte kryer krimet më monstruoze kundër tërë një populli, prej vitit 1912  me pretendime për ta zhdukur gradualisht, duke e përndjekur për në Turqi, duke e asimiluar, duke e shfarosur në mënyrë graduale, duka ua marrë tokat shqiptarëve dhe duke ua bërë tapi kolonëve serbë.  

Fishta ishte i informuar me të gjitha mizoritë, me të cilat po ballafaqoheshin shqiptarët e mbetur nën regjimet monarko-fashiste të Ballkanit, andaj nga dy të këqijat ai zgjodhi të keqen më të vogël dhe koha ka treguar se ai nuk kishte gabuar.  Ishte hera e parë pas vitit 1912 kur shqiptari nga  Kosova, Plava e Gucia, nga Sanxhaku e Kumanova lëvizte i lirë deri në Labëri, Çamëri e gjithandej. Cilat masakra i ka kryer regjimi fashist italian në Kosovë kundër shqiptarëve?

Kosova ka vetëm 170 dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe shumicën prej tyre i kanë vrarë bandat partizane e çetnike serbe. Drenica i nuk ka dhënë asnjë dëshmorë kësaj lufte, ndërsa në luftë për t’u mbrojtur nga hordhitë partizane-çetnike kanë rënë dhjetëra mijëra, në Drenicë, Prishtinë, Gjilan, Tetovë, Kumanovë, Tivar dhe kudo në trojet etnike.

Ku krahasohen krimet e fashizmit italian me ato çetnike e partizane të Titos e Rankoviqit?. Prej vitit 1945 e deri në vitin 1951, OZN-a dhe më vonë UDB-ja ka vrarë me gjyq e pa gjyq jo më pak dhe 8.000 shqiptarë, 1200 prej tyre pjesëtarë të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare.

Vetëm prej vitit 1951, fillon një klimë më e zbutur politike ndaj shqiptarëve. Regjimi komunist i Jugosllavisë, duke u thirrur në parimet e lirisë, drejtësisë e barazisë, i bindur se shqiptarët nuk do të mund të shpërbëheshin as do të zhdukeshin me dhunë sikur kishte provuar me të gjitha metodat e mjetet  për 30 vjet ish Jugosllavia, u detyruan që shqiptarëve të iu njohin një autonomi kulturore, meqë e kishin anashkaluar Rezolutën e Bujanit të vitit 1944 dhe në gusht të vitit 1945 e kishin zhvlerësuar  në tërësi.

Gjergj Fisha nuk mund të akuzohet me asnjë fakt të qëndrueshëm për “bashkëpunimin”, sikur thuhet me fashizmin. Fakti se ai ishte shpallur anëtar i Akademisë Italiane, nuk do të thotë se atë Akademi i kishin themeluar fashistët, sepse nuk quhej Akademia Fashiste Italiane dhe i përkiste madje edhe sot i përket Shtetit të Italisë, Nuk është sikur Akademia e Kosovës që i takon vetëm një partie dhe bën gjumin e përjetshëm…

Po ashtu fshihet fakti se Fishta ka marrë një diplomë nderi  në vitin 1912, nga vetë Perandoria Osmane, Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke, në vitin 1912.

Pse fshihet nga opinioni konsiderata e lartë e Gjergj Fishtës për Hasan Riza Pashën, mbrojtësin e Shkodrës dhe të Shqipërisë nga  e po ashtu edhe e pashait për të.

Hasan Riza Pasha, vali e komandant i Shkodrës në periudhën 1911-13, megjithëse përfaqësues i Shtetit Osman, e çmoi shumë lart veprën e Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”. Kështu që, propozoi që atij t’i akordohej medalja “Mearif” e Sulltanit,   që gjithsesi ishte një mirënjohje me shumë vlerë që deri më sot, pothuajse nuk është përmendur fare.

Një rast që shkëlqeu në madhështinë monumentale të Gjergj Fishtës, është koncepti i tij për tolerancën  fetare në mes të krishterëve  dhe myslimanëve, gjë të cilën e ka kultivuar me shumë se kushdo tjetër duke e shprehur qoftë në veprën e tij letrare, qoftë në shkrimet teorike e publicistike. Toleranca ndër fetare komunitetesh të ndryshme me pjesëtarët e një fisi, të një gjuhe, të një historie, të një etnopsikologjie e një kolosi si ai, po veçmas të Shkodrës, ka qenë e një rëndësie të madhe për krijimin e një atmosfere mirëkuptimi dhe ndër komunikimi të një rrethi më të gjerë qytetarësh.

Ishte propozimi i Hasan Riza Pashës, që Fishta ta përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Rasti i parë ka të bëjë në raportet që kanë ndërtuar në mes tyre dy autoritete të Shkodrës: autorit të veprës “Lahuta e Malcisë” dhe valiut e komandantit të Shkodrës në periudhën 1911-1913, Hasan Riza Pashës. Hasan Riza Pasha, i shkolluar në akademinë ushtarake të Stambollit dhe i specializuar në Gjermani, pas shumë vend shërbimeve, më 1911 vjen në Shkodër si vali dhe komandant i ushtrisë osmane. Ai, e simpatizonte mjaft lëvizjen kombëtare shqiptare, bisedonte me anëtarët e Komitetit Shqiptar, apo me anëtarët e klubit “Gjuha Shqipe” të Shkodrës. I çmonte shumë veprat e letërsisë shqiptare, sidomos ato me frymë patriotike, siç ishte poema “Lahuta e Malcisë”.

Hasan Riza Pasha kërkonte nga Stambolli  që shqiptarët t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e një kombi, madje i nxiste ata për këto ndjenja. Në një moment, i propozoi Fishtës që të përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Fishta e përpiloi tekstin dhe Pasha, Hasan Riza ia shpërbleu njëqind fish tue ia pague, secilën strofë me nga një lirë ari të  kohës së Turqisë.

Teksti i marshit:

Prej kah len e sa merr hana,

M’u çue shekulli kundra nesh,

Djem kreshnikë na ban nana,

Vetëm na iu dalim ndesh.

Të parët tanë burra çelikut

Bota mbarë sot i nderon

Ata i binin ndesh armikut

Si rrufeja kur veton…

Në rivarrimin e eshtrave të Hasan Riza Pashës, edhe pse  ishte mysliman, morën pjesë të gjithë shkodranët pa dallim feje, të krishterë e myslimanë. Në mes të tjerave fjalimin më elegant, më prekës, me ndjenja mirënjohje e me fjalë të zjarrta atdhetarie e mbajti At Gjergj Fishta. S’pyeti Shkodra a ishte mysliman apo i krishterë miku i Shqipërisë, strategu ushtarak osman, Hasan Riza Pasha.

Në vitin  1936, sipas propozimit të kryetarit të bashkisë, Zenel Prodanit, eshtrat e Hasan Riza Pashës, të vrarë  pabesisht  më 1913, u rivarrosën në varrezat e Komaneve. Me këtë rast, Gjergj Fishta tha: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli prej atyne që nuk deshën shpëtimin e atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baras  me heronjtë e kombit shqiptar”. Fishta e ka shkruar edhe epitafin për Hasan Riza Pashën që është i gdhendur në gurin e varrit. Në atë epitaf shkruan “Gazi Hasan Riza Pasha, burrë si motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive Osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i shqiptarëve. Ndërsa Lufta Ballkanike bindte botën me mbrojtje fisnike të kalasë së Rozafatit, në 30 kallnuer 1913 e vrau një dorë tradhtare, mizore. Mban këtë përmendore prej Bashkisë të Shkodrës. Shembull burrnije e për kohën t’ardhshme, ku  kje varrosë TRIMI”.

Ky fakt  flet për kredibilitetin që gëzonte si krijues, politikan dhe personalitet me rëndësi kombëtare e botërore.

Përveç kësaj Fishta ka marrë edhe këto mirënjohje e dekorata:

Kurorë Argjendi, nga Klubi “Gjuha shqipe” në Shkodrër, më 1911.

Dekorata Ritterkreuz, nga Mbretëria e Austrisë, 1912.

Penë floriri, nga qyteti i Beratit, 1913.

Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI, 1925.

Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan, 1929.

Dekorata Phoenix, nga Greqia, 1931.

Urdhrin “Nderi i Kombit” Shqipëri, 2002,

Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, në Kosovë.

Pretendimet për ta damkosur Gjergj Fishtën, sepse ai kishte pranuar idenë për krijimin e Shqipërisë Etnike, apo të Madhe, përmes Italisë së Musolinit e Kontit Çano, nuk u bëjnë nder pretenduesve, cilët do qofshin ata. Edhe sot Serbia e quan fashiste e terroriste NATO-n dhe Amerikën sepse ndihmuan popullin shqiptar të Kosovës të çlirohet nga robëria, gati njëshekullore serbe. Fati i popujve të vegjël gjithnjë ka qenë dhe po mbetet i nëpërkëmbur, andaj nuk duhet të ngutemi sot, për të mos rrëshqitur nesër. Fishta me veprën dhe jetën e tij ka dëshmuar kush ka qenë, ndërsa vepra e tij e dëshmon, e argumenton dhe e fakton  më së miri. Kokëfortësia për ta paraqitur si profashist, është tejet e zbehur, sepse vepra e tij, krijimtaria, zbulon më së miri shpirtin dhe devotshmërinë e tij për kombin e Atdheun.  Gjergj Fishta me jetën dhe krijimtarinë e tij është i përsëritshëm.

Blerim Syla: Ka qenë e rëndë për ne si familje shkarkimi i vëllait tim, luftëtarit të lirisë, Lulzimit, nga pozita e kryeinspektorit

 Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka treguar se një ditë para grevës së organizuar nga kjo Federatë, Qeveria e Kosovës i ka shkarkuar vëllain nga pozita e kryeinspektorit. Ai nuk ka mundur të përmbahet derisa ka folur për vëllezërit e tij, njëri prej të cilëve është dëshmorë, e tjetri ka qenë pjesë e UÇK-së. “Vëllai im është shkarkuar. Vëllai im ka qenë kryeinspektor, ai e ka pas mandatin e vazhduar në shkurt. 7 muaj e ka ushtruar këtë detyrë, pak ka tingëlluar si  shantazhuese dhe kërcënuese sepse kanë pritur 7 muaj, që një ditë para grevës ta shkarkojnë.  Blerim Syla  është shprehur se ka qenë e rëndë për ta si familje shkarkimi i vëllait të tij. “Ne kemi qenë tre vëllezër, dy kemi studiuar jashtë, babën tim e kanë larguar  prej punës serbët në vitet e 90’ta dhe atëherë me mund e me gjak me nënën rrobaqepëse na ka shkolluar të treve. Një është dëshmor. Luli që e kanë shkarkuar është luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është e rëndë për një familje, aq më pak për një ish-luftëtar, inxhinier i treguar e i suksesshëm”, ka rrëfyer, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Adem Demaçi, ideologu i çlirimit dhe i bashkimit, shkrimtari dhe intelektuali më i merituar i kohës sonë

 Përderisa në Kosovë pati shkrimtarë që mbështetën orientimin ideologjik të Lidhjes Komuniste Jugosllave, idenë e patriotizmit dhe kozmopolitizmit jugosllav, pati edhe disa oportunistë të cilët bënë përpjekje që në krijimtari të dalin nga suazat ideopolitike të ditës, Adem Demaçi ishte dhe mbeti i vetmi shkrimtar i Kosovës i cili tërë krijimtarinë e tij e drejtoi në shërbim të kombit dhe kundër politikës hegjemoniste jugosllave. Veprimtari a tij krijuese në tregime, poezi, roman, dramë, publicistikë,  është krejtësisht e veçantë sa i përket qasjes ndaj problemeve ekzistenciale të shqiptarëve nën robërinë jugosllave. Derisa, Esad Mekuli do të shkruante një poezi për Titon apo revolucionin jugosllav, për t’i botuar pastaj dhjetë poezi me përmbajtje sociale, Adem Demaçi nuk shkroi as edhe një varg të vetëm, as një tregim apo novelë të vetme ku do të lavdërohej regjimi. Ai ishte nisur në një rrugë tjetër, në rrugën plot rreziqe e sfida drejt çlirimit dhe bashkimit të shqiptarëve.

Jemi mësuar që Demaçin, me të drejtë ta vlerësojmë në radhë të parë si Simbolin e gjallë të Rezistencës Kombëtare, shqiptarin e pathyeshëm dhe më meritorin ndër të gjallët për lirinë e Kosovës. Jemi mësuar tashmë me  paraqitjet e tij realiste, qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë  të vërteta, të shëndosha, të pastra  dhe pa paragjykime.

Të rrallë janë ata shqiptarë, që duke përcjellë paraqitjet e tij në opinion nuk kanë pyetur, se ku e merr tërë atë energji ky kalorës i fjalës dhe i mendimit të lirë? Çuditërisht, Demaçi ka manifestuar dhe manifeston një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e ka përcjellë gjatë tërë jetës, në trajtën e një  dhuntie hyjnore, si virtyt universal, si fenomen i llojit të vet. Demaçi, në botën e tij të pasur me energji krijuese e meditative, duket se është po ai i moshës rinore. Gjithnjë  energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shpeshherë ia qan hallin, duke ia kujtuar vuajtjet shekullore dhe duke ia fshikulluar lehtë të metat e babëzitë. Dhe, duke e parë Demaçin si “homo politicus” në njëfarë mënyre krijimtaria e tij letrare artistike ka mbetur nën hijen e kësaj, edhe pse është krijimtari e thellë dhe e mirëfilltë artistike, dhe tërësia e saj e deritanishme, nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike, stilistike e gjuhësore, e radhit në “sofrën” e parë të krijuesve kombëtarë  e më gjerë. Tregimet, romanet dramat  e Adem Demaçit janë po aq të veçanta në letërsinë tonë, sa është i veçantë edhe vetë autori, në jetën dhe disidencën politike të tij.

Dikur shkrimtar i ndaluar dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav, Demaçi ka qenë shkrimtari më i lexuar për afër 30 vjet në Kosovë e më gjerë, deri në vitet ‘90, kur u lirua nga burgu dhe kur vepra e tij kishte filluar të ribotohej.

Ishte kështu, në një masë, ndoshta edhe për faktin se veprat e tij ishin të ndaluara, por nuk është vetëm ky fakt, sikur pretendojnë ta interpretojnë  disa kritikë hileqarë dhe hipokritë. Tregimet e përmbledhjes “Kur Zoti harron”, pastaj romani antologjik “Gjarpinjtë e gjakut”, romani “Libër për Vetë Mohimin”, “Heli e Mimoza” “Tung, vargu im” “Dashuria kuantike e Filanit” dhe veprat e tjera të përfshira në kompletin e botuar në vitin 2012,  përbëjnë një opus tërësisht origjinal krijues, në të gjitha segmentet e krijimtarisë letrare, artistike.

Demaçi në letërsi ka ecur  me kohën. Ai ka filluar të shkruajë tregime me temë sociale, pikërisht në akord me periudhën e vuajtjeve të mëdha dhe katrahurës së varfërisë, që i kishte pllakosur shqiptarët, ndërsa në romanin, “Dashuria Kuantike e Filanit” ai ka shkruar një roman modern, një roman të personazhit, duke thyer klishetë e ndërtimit të romanit tradicional.

Përmbledhja me rrëfime “Kur Zoti harron” e autorit të mirënjohur të letërsisë shqipe, Adem Demaçi, e botuar në vitin 1990 gjithsesi se është një vepër antologjike e prozës sonë, e cila kishte filluar të krijohej në Kosovë në vitet 50 të shekullit të kaluar.

Po bëhen 61 vjet qyshkur Adem Demaçi e ka shkruar tregimin e tij të parë, “Te xha Sakipi”, botuar asokohe në revistën letrare “Jeta e re”. Dhe prej vitit 1953, kur u botua rrëfimi i tij i parë, në historinë e Kosovës do të shquhej ky emër i veçantë, i cili do të bëhet i njohur jo vetëm në Llap, ku kishte lindur apo në Prishtinë ku ishte rritur, shkolluar dhe frymëzuar, por ky emër i veçantë dhe shumë meritor i kombit tonë do të bëhet shumë i njohur për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për ta.  Rrëfimet e shkruara nga Adem Demaçi në vitet 50 të shekullit XX shënojnë fillimin e prozës realiste shoqërore në Kosovë, e cila burim frymëzimi kishte fatin e katandisur të shqiptarit të trojeve të robëruara të atdheut. Ashtu si dikur Migjeni, Nonda Bulka, Sterjo Spasse, Karl Gurakuqi, Demaçi e fillon krijimtarinë e vet letrare e artistike duke marrë pozicion realist, meqë në shpirtin e tij të ndjeshëm, më vonë revolucionar, ai do të brumoset me idealet e shenjta të çlirimit, për të mos u pajtuar kurrë me dhunën, robërinë, shfrytëzimin dhe denigrimin.

E shihte, e ndiente dhe e përjetonte rëndë pabarazinë shoqërore, e cila kishte goditur në radhë të parë shqiptarët. Dhe pikërisht këtu ai do të ndalej, jo vetëm për të menduar e për të konstatuar, por edhe për të vepruar fillimisht duke shkruar rrëfime, duke nxjerrë në sipërfaqe shembuj konkretë, të veshur me petkun dhe metodat shprehëse të letërsisë, e më vonë duke hartuar edhe plane e duke bërë organizime për rezistencë, liri dhe bashkim kombëtar.

 

Tregimi i tij antologjik, “Kur Zoti harron” i botuar në vitin 1954 në revistën letrare “Jeta e re” ishte më shumë se një akuzë e rëndë shoqërore drejtuar jo vetëm rendit shtypës, por edhe mungesës së shprehur të solidarësisë njerëzore për ata që vuanin dhe vdisnin duke u përballur me skamjen e mjerimin.

Në këtë rrëfim dramatik, rrëqethës e tragjik, Demaçi ka sintetizuar historinë e shqiptarit të nëpërkëmbur brez pas brezi. Është fati i njeriut të lënë në mëshirë të kohës, të cilin e kanë harruar të afërmit, shoqëria, të gjithë, e ndoshta edhe vetë Zoti. Duke mos përjashtuar Migjenin, nuk ka në letërsinë shqipe një tregim tjetër, i cili pasqyron aq thellë realitetin makabër të njeriut të nëpërkëmbur. Vetëm te Dostojevski, Mopasani, Çehovi apo Gogoli hasim në rrëfime të tilla, tronditëse.

Përshkrimi i fatalitetit të tillë, i frymëzuar nga realiteti faktik, doemos se nga shkrimtari ishte menduar për të qenë protestë letrare, në dukje e heshtur, por e temperuar për të goditur në një kohë të caktuar, në një kohë të volitshme. Demaçi dinte për çka shkruante dhe dinte çka donte. Andaj edhe i mbeti besnik Atdheut dhe vetvetes.

Të tilla për nga përmbajtja janë edhe rrëfimet: “Një natë Bajrami”, “Vegjëtarja në treg”, “Llustraxhiu”, e sidomos “Pizh Magjupi” që është një rrëfim tjetër antologjik, i frymëzuar me ndjenja të larta fisnike dhe njerëzore, për të gjithë njerëzit e vuajtur pa dallim kombi, feje apo race…. Demaçi, përmes këtyre rrëfimeve kishte depërtuar thellë në paraqitjen lakuriq të realitetit.

Për dallim nga Migjeni i cili hapur kishte manifestuar zërin kryengritës, Demaçi rezervohet nga tonet e tilla, i vetëdijshëm se rrëfimet diskrete migjeniane nuk do të shihnin dritë.

Dhe për të parë dritë rrëfimet e tilla, të cilat kanë ngelur si vula më autentike e një kohe, ai zgjodhi rrugën autentike të përshkrimit. Tregimi “Kur Zoti harron” jo vetëm ngjall zemërim e mllef kundër pushtetit antipopullor por ngjall edhe mëshirë humane te njerëzit, me qëllim për të ndihmuar të afërmit dhe skamnorët, me qëllim për të mos anashkaluar ata, sepse epilogu i lënies anash është tejet tronditës.

Në këto rrëfime, në dukje fragmentare Demaçi ndërton filozofinë e tij kryengritëse, duke bërë përshkrime të një realiteti makabër, ku ishte nëpërkëmbur njeriu deri në nivelin më brutal dhe më çnjerëzor, ku ishin shkelur të drejtat elementare për ekzistencë.

Në të gjitha rrëfimet e veta Demaçi ka hartuar me një kujdes të veçantë sidomos në perceptimin e realitetit, duke e pasqyruar rrëfimin në këndin epik dhe tragjik, në trashëgiminë jetike të varfërisë, duke u rezervuar nga manifestimi i kritikës diskrete kundër regjimit, e cila zakonisht sillte pasoja, e pak më vonë do t i sjellë pasoja edhe vetë autorit.

Në rrëfimet e mëvonshme për vetveten, në mbrojtjen e tij para gjyqeve, Demaçi ka treguar dhe ka pranuar se dhuna që është ushtruar kundër shqiptarëve, nga regjimi titist, sidomos aksioni i dëbimit të tyre për në Turqi, aksioni armëve i vitit 1956, i kanë mbetur në kujtesë si veprime tejet të shëmtuara, antishqiptare dhe pikërisht për këtë ai do ta marrë rolin e opozitarit dhe të kundërshtarit të fuqishëm të regjimit.

Edhe pse të thjeshta në dukje dhe në ndërtim, rrëfimet me temë shoqërore të Demaçit janë shumë të arrira në të gjitha aspektet. Me përmbajtjen e rrëfimeve sikur janë” “Kur Zoti harron” “Burrëria”, “Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet” etj. mund të shkruhen novela të gjata, romane, drama dhe mund të bëhen filma të shkëlqyeshëm artistikë.

20 tregimet e para të Adem Demaçit kanë ndikuar në publikun lexues të kohës më shumë se veprat e 20 shkrimtarëve dhe rrëfimtarëve të tjerë të cilët burim frymëzimi kishin “jetën e re” në Jugosllavinë e Titos.

Për të pasqyruar në tërësi ndikimin që ushtroi Demaçi pothuajse i vetëm në krahasimin me bashkëkohësit, duhet të shfletojmë shtypin e kohës dhe të zbulojmë sesi në këtë kohë të vuajtjeve të rënda për shqiptarët, zëdhënësit dhe skribët besnikë të regjimit pasqyronin realitetin e imagjinuar të jetës në harmoni dhe begati, por në asnjë mënyrë realitetin faktik. Tregime me një përmbajtje të tillë sociale pak kush shkruante në Kosovë. Në kohën kur Demaçi shkruante e botonte tregime sociale, falë edhe shkrimtarit Esad Mekuli i cili pati guxim për t i publikuat ato, shkrimtarë e tjerë shkruan për bashkim vëllazërimin, për Titon e Fadil Hoxhën, për “rrushin që kishte fillue me u pjekë” e për pranverën e socializmit e cila ishte vonuar, për “fëmijët fatkëqij të lumit tim” e për “njerëzit” që kishin mbetur në veriga të fatit, disa madje thurnin himne për Sutjeskën e Kozarën, për legjendat partizane jugosllave, për Sava Kovaçqviqin e për kovaçë të tjerë të përbashkësisë jugosllave. Demaçi nuk shkroi as një tregim të tillë, madje asnjë varg të tillë. Cili shkrimtar apo poet tjetër në vitet 50-60 nuk ka shkruar për bashkim vëllazërimin? Mendoj asnjë. Cili prej atyre poetëve njohur  për mbështetje të regjimit, prej Ali Podrimes e deri te ata që kanë shkruar e botuar qoftë edhe vetëm një tufë poezish, nuk ka shkruar një poezi apo tregim për Titon e bashkim-vëllazërimin?

Demaçi, ishte bota tjetër, bota ndryshe, që ishte nisur në rrugën plot pengesa të historisë, për ta realizuar qëllimin e tij të vetëm jetësor, çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve.

Kultura e letërsia shqiptare në Kosovë përballë hegjemonizmit kulturor serb e jugosllav

 Velloja shumëvjeçare e robërisë, hegjemonizmi kulturor pan-sllav, që iu imponua kulturës sonë sidomos në Kosovë, kanë lënë pas deformitete të shumta, pengesa në zhvillimin harmonik të letërsisë, përmbajtje ideologjike jugosllave dhe një përballje  të vazhdueshme të koncepteve të kundërta, të cilat në periudha të ndryshme të rritjes kulturore u manifestuan me stagnim , injorime, polemika, pretekcionizëm në botim, krijim të klaneve krijuese me preferenca partiake e të tjera.

Krijimtaria e përgjithshme në letërsi, art, dramë, film, teatër, muzikë etj,  e periudhës prej vitit 1945 e deri në vitin 1990, përshkohej me dominimin e hegjemonizmit kulturor serb dhe me përpjekjet e pareshtura të disa krijuesve për t’ iu kundërvënë skemave dhe mjegullës, që sillte robëria, dhe e cila kishte  qëllim të krijonte një kulture hibride sllavo-shqiptare. Në këtë drejtim krijuesit e shkollës së realizmit socialist jugosllav, ishin mbështetur fuqishëm në të ashtuquajturën politikë të bashkim vëllazërimit dhe patriotizmit jugosllav, që po mundohej të shtrinte ndikimin te masat me qëllim të krijimit të një identiteti kulturor kosovar, në kuptimin dhe përmbajtjen  sllave të fjalës.

Tashmë dihen emrat e shumë krijuesve të zellshëm të asaj shkolle, duke filluar nga regjenti i regjimit, Sinan Hasani, pastaj Enver Gjerqeku, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Rexhai Surroi, Ali Jasiqi, Vehap Shita, Rexhep Zogaj, Mehmet Hoxha, Maksut Shehu, Zekerija Cana, Mark Krasniqi  dhe një grupim i tërë shkruesish, të cilët në veprat e tyre u bënë apologjetë besnikë të frymës jugosllave. Në mesin e tyre pati edhe përkthyes së zellshëm të letërsisë jugosllave, e cila lexohej e mësohej detyrimisht nëpër shkollat tona si literaturë e domosdoshme shkollore. Të tilla ishin veprat e Andriqit, të Njegoshit, Desanka Maksimoviqit, Qosiqit  e shumë autorëve  të tjerë, veprat e të cilëve duhej doemos të lexoheshin, por që nuk i takonin me asgjë, me asnjë përmbajtje kulturës dhe traditës shqiptare. Ato ishin vepra të një letërsie të huaj, e cila iu imponohej shqiptarëve, sidomos në përudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, kur në Kosovë dhe përgjithësisht në trevat shqiptare nën robëri, u hapën shumë shkolla fillore e të mesme, edhe pse  në mungesë të theksuar të kuadrit arsimor.

Fillet e krijimtarisë letrare artistike në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore

Mirëpo, në këtë atmosferë kulturore disa krijues, në mënyra të ndryshme i rezistuan vijës politike të hegjemonizmit dhe kozmopolitizmit kulturor serb. Ata, nën ndikim të letërsisë dhe kulturës, që po zhvillohej në Shqipëri, veprat dhe angazhimin e tyre kulturor e orientuan në binarë të përhapjes së vlerave kulturore kombëtare.

Një hap me rëndësi në paraqitjen e realitetit të rëndë të shqiptarëve nën Jugosllavi, kishte ndërmarrë, poeti,  Esad Mekuli, i cili edhe pse kuadër i besuar i partisë, kishte shkruar mjaft poezi me përmbajtje sociale, ku paraqitej jeta e rëndë e shqiptarëve në ish-Jugosllavinë mbretërore, e cila vazhdonte të ishte po ashtu e rëndë edhe në Jugosllavinë e re të Titos.  Por, hapin vendimtar në këtë drejtim, në gjysmën e dytë të viteve 50 e mori, shkrimtari dhe veprimtari i mirënjohur politik, Adem Demaçii cili me botimin e tregimeve të tij sociale,  sidomos me romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, i vuri bazat krijimtarisë së mirëfilltë me temë sociale, në Kosovë, e cila pati ndikim të fuqishëm në zhvillimin e një rruge të re të krijimtarisë në vend. Në të njëjtën kohë fillojnë krijimtarinë e tyre poetike letrare artistike dhe të kritikës letrare edhe: Din Mehmeti, Zekerija Rexha, Fazli Graiçevci, Zeqir Gërvalla, Rexhep Hoxha, Ali Podrimja, Sitki Imami, Adem Istrefi, Rexhep Qosja, Agim Gjakova, Anton Pashku, Nazmi Rrahmani, Hilmi Agani, Rifat Kukaj, Mehmet Gjevori, Latif Berisha, Vehbi Kikaj, Azem Shkreli, Nebil Duraku, Ramiz Kelmendi, Murat Isaku, dhe disa krijues të tjerë, të cilët filluan të shkëputen nga ndikimi i letërsisë dhe i kulturës serbe.

Vërejmë në këtë mes edhe disa krijues, të cilët fillimisht kishin mbështetur pushtetin komunist dhe literaturën jugosllave, por me kohë u liruan nga ai ndikim dhe krijimtarinë e tyre e orientuan në tabanin kombëtar. Në këtë mes shquhej  shkrimtari,  Hivzi Sylejmani, i cili kishte marrë pjesë edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe fillimisht i kishte shërbyer regjimit jugosllav. Më vonë, duke parë deformimet dhe politikën e pabarazisë ndaj shqiptarëve, e cila në mënyrë verbale proklamohej si e barabartë, ai u mbyll në vete dhe shkroi vepra,  në të cilat hetohet tradhtia që komunistët jugosllavë i kishin bërë çështjes së barazisë kombëtare dhe revolucionit në përgjithësi. Këtë temë ai e ka trajtuar sidomos në romanet: “Njerëzit”,  “Fëmijët e lumit tim” etj.

Meqë proceset politike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar po vononin, ndërsa rendi shoqëror socialist kishte shpalosur vlerat e  veta internacionaliste, krijimtaria në Kosovë përgjithësisht, por  edhe në Shqipëri e në trevat e tjera të robëruara shqiptare, nuk mund të mos ishte nën ndikimin e këtyre vlerave, të cilat me kohë shteruan, meqë vetë procesi i tillë politik po stagnonte dhe po deformohej.

Pavarësisht se pati një duzinë emra krijuesish të ndryshëm si në prozë, poezi, roman, dramë, pikturë, muzikë etj, në dy deceniet e pas luftës së Dytë Botërore në Kosovë nuk u arrit të krijohet asnjë vepër e njëmendtë letrare e artistike, duke përjashtuar romanin “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit.

Në Kosovë, asokohe nuk u krijuan vepra të arrira letrare si: “Afërdita” e Sterjo Spases, “Këneta” e Fatmir Gjatës, “Çlirimtarët” e Dhimitër Shuteriqit, “Garda krutane”, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Tri ngjyrat e Kohës” të Ali Abdihoxhës, “Me valët e jetës” të Vedat Kokonës e të tjera, vepra të cilat ishin lexuar me interesim të jashtëzakonshëm dhe si të tilla ushtronin ndikim të fortë kulturor, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe te të gjithë shqiptarët në trevat e mbetura nën okupimin sllav.

Ku qëndronte stagnimi dhe deformiteti?

Stagnimin dhe deformitetet në fushën e kulturës i sillte regjimi jugosllav dhe rruga e dhunshme  e krejtësisht e gabueshme e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë. Pretendimet antihistorike  për krjimin e një kombi hibrid jugosllav, bënë që krerët e kësaj iniciative të mbështeteshin në të ashtuquajturin patriotizëm jugosllav, që ishte një absurd i papranueshëm, madje edhe për vetë serbët që e dominonin jetën politike, policore, ushtarake e diplomatike në tërë ish-RSFJ-në e kohës.

Në mungesë të lirive të plota kombëtare, por me një zhvillim të hovshëm të arsimimit, bota krijuese në Kosovë do të bëhej barometër i këtij zhvillimi dhe orientimi, ndërsa në kohë të caktuar, ajo edhe po këpuste një nga një vargonjtë e robërisë.

Disa krijues, me qëllim për të prosperuar dhe për të përfituar jo vetëm të mira materiale, por edhe favore të tjera e poste politike, mbeten  zëdhënës të neveritshme të frymës së jugosllavizmit në krijimtari. Disa të tjerë, arritën që përmes gjuhës lakonike të shprehin botën e tyre krijuese, e cila shpeshherë dekonspirohej, ndërsa autorët e tillë ndesheshin me  represion dhe izolim politik.

Në fund të viteve 60 e sidomos në vitet 70-të të shekullit XX, në Kosovë u përhap një klime e liberalizimit të gjithanshëm si në aspektin politik ashtu edhe në atë kulturor e krijues.

Asokohe në fushën e krijimtarisë dhe kulturës në përgjithësi, e cila po krijohej në vend u dalluan sidomos: Rexhep Qosja, Esad Mekuli, Adem Demaçi,  Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Nazmi Rrahmani, Rexhep Hoxha, Jusuf Gërvalla, Teki Dervishi, Ali Podrimja, Besim Bokshi, Teki Dervishi,  Mehmet Kajtazi, Agim Vinca, Destan Bajraktari, Arif Demolli, Milazim Krasniqi, Rushit Ramabaja, Abdullah Konushevci, Shaip Beqiri, Azem Shkreli, Sadri Fetiu, Flora Brovina, Sadik Përvetica e të tjerë.

Po kështu, në këtë kohë, nën ndikimin e ideve liberale jugosllave, në Kosovë u paraqit edhe një rreth i ri krijuesish, të cilët sikur anashkaluan traditën letrare dhe iu rreken formave moderne të pasqyrimit letrar artistik, formave të quajtura moderniste, futuriste që konsideroheshin si njëlloj avangarde. Në mesin e krijuesve që pretendonin të shkëputeshin nga tradita dhe të zinin “hapin me kohën”,  dalloheshin: Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Zejnullah Rrahmani, Beqir Musliu, Ilaz Prokshi, Mehmet Kraja, Ali Aliu, Agim Deva, Basri Capriqi, Agim Zogaj, Mark Krasniqi, Imer Shkreli, Zajnullah Halili,  Sadete Emrullahu, Hasan Hasani,  Beqir Musliu, Nexhat Halimi, Ibrahim Kadriu, Agim Mala, Sali Bashota, Jonuz Fetahu, Gani Xhafolli, Qibrie Demiri, Xhemajl Mustafa, Sylejman Pireva, Xhevat SylaMiradije RamiqiEdi Shukriu, Naxhie Doçi, Adem Gajtani, Hida Halimi dhe tërë një shtresë krijuesish modernë, apo që pretendonin me çdo kusht të ishin të tillë, por të cilët në veprat e tyre,  me përjashtime të rralla,  nuk shënuan të arriturat e pretenduara.

Këta autorë nuk kanë lënë asnjë vepër e cila do ta kishte pasur ndikimin e romanit “Gjarpinjë e Gjakut” e lërë më të veprave të shkrimtarëve që krijonin e botonin në Shqipëri, por që lexoheshin me shumë simpati nga shqiptarët në Kosovë e më gjerë.

Nuk ka ngelur në kujtesë ndonjë vepër e tyre, e cila do të mund të barazohej me ndonjë nga veprat e qindra autorëve, që krijonin në Shqipëri.

Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar pothuajse e tërë literatura e obligueshme për nxënësit e shkollave tetëvjeçare e të mesme ishte me përzgjedhje nga  veprat, romanet e librat e autorëve nga Shqipëria, meqë me të drejtë konsiderohej se ato vepra kishin nivelin e lartë kulturor, arsimor e pedagogjik. Vetëm romani “Malsorja” i Nazmi Rrahmanit, ndonjë përmbledhje poetike e  Esad Mekulit, apo e Azem Shkrelit  ishin radhitur në literaturë shkollore krahas atyre të krijuesve e shkrimtarëve që dominonin nga Shqipëria që nga letërsia e Rilindjes Kombëtare e deri ajo realizmit socialist.

Klasa projugosllave e viteve 80 -90

Pavarësisht klimës së përgjithshme të krijuesve, në Kosovë, të cilët nuk pajtoheshin me pozitën e vendit në federatën jugosllave, as me politikën e ashtuquajtur të bashkim vëllazërimit, sidomos pas vitit 1981, kur jo vetëm ishte thelluar por edhe ishte ndarë hendeku mes shqiptarëve shumicë, të cilët  donin bashkimin me Shqipërinë apo Kosovën Republikë si rrugë strategjike drejt bashkimit, kishte edhe të tillë që ardhmërinë e shihnin vetëm në një Jugosllavi të fortë unike e centraliste. Në këtë mes ishin bijtë e funksionarëve, të ambasadorëve dhe inspektorëve të UDB-së të cilët, çuditërisht edhe sot e kësaj dite i kanë mbetur besnikë Jugosllavisë tashmë të shkatërruar e të shpërberë për jetë e mot. Në këtë mes janë dalluar, shkrimtari i regjimit jugosllav, Sinan Hasani,  publisiti e më vonë krijuesi, Veton Surroi, djali i ambasadorit të Titos, Rexhai Surroi, pastaj Flaka Surroi,  Shkëlzen Maliqi, djali i Mehmet Cikulit, apo Mehmet Qorrit, ish sekretar i UDB-së në vitin 1981, vrasës i Ibrahim Lutfiut, i Hasan Remnikut dhe i shumë atdhetarëve shqiptarë, pastaj, Agim Deva, djali i komunisit titist, Veli Deva, gazetari,  Baton HaxhiuAgim Zatriqi, drejtor i dhunshëm në RTK, Jusuf Buxhovi, gazetar dhe inspektor i UDB-së,  dhe të tjerë, të cilët i qëndruan besnikë ideologjisë së patriotizmit dhe kozmopolitizmit jugosllav. Çuditërisht, shumica syresh edhe pas çlirimit të vendit nga robëria gati njëshekullore serbe, në vitin 1999 edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008 po i mbesin besnikë frymës së kozmopolitizmit jugosllav, në krijimtari dhe në ideologji.

Letërsia realiste në Kosovë

Pavarësisht se në Kosovë pati shumë emra krijuesish, vetëm pak autorë do të arrinin nivelin e veprave mesatare që krijoheshin në Shqipëri. Shkrimtarët si,  Adem Demaçi,  ( vepra e të cilit u ndalua nga viti 1959)  pastaj Rexhep Qosja i cili krahas kritikës letrare ku zuri vendin e parë meritor jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri, u shqua edhe në krijimtarinë artistike me një kredo origjinale krijuese, pastaj  Nazmi Rrahmani, i cili pretendonte të arrinte nivelet e letërsisë bashkëkohore shqiptare, si dhe Ramiz Kelmendi, i cili dallohej për kritikat e tij,  madje edhe të hapëta kundër devijimeve të caktuara në shoqëri, por kurdo herë me një gjuhë ezopike, nga ky mes krijuesish  u  shquan edhe shkrimtarë të tjerë,  të cilët gjithsesi se kanë merita. Megjithatë letërsia që po krijohej në Kosovë ishte pakrahasueshëm, nën nivel artistik e tematik të  asaj letërsie që krijohej në Shqipëri.

Radio televizioni dhe gazetat  ishin nën censurë të rreptë ideologjike e politike. Edhe pse censura ishte evidente, disa  krijues arrinin të shprehnin botën e tyre artistike në mënyra specifike të komunikimit me lexuesin tashmë të arsimuar dhe të ngritur në shumë pikëpamje Një shembull i tillë është romani: “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qoses, “Shtatë persona ndjekin autorin”, e Ramiz Kelmendit, drama “Agu” e Din Mehmetit e të tjera.

Pavarësisht një rruge specifike, nëpër të cilën po kalonte krijimtaria artistike, ajo nuk arrinte të lirohej nga pengesat ideologjike, që kishte vendosur pushteti okupator, i cili po bënte përpjekje të gjithanshme për të ushtruar ndikimin në çdo pore të popujve jo sllavë, ndërsa për veten e vetë ishte në krizë të identitetit, meqë jo të gjithë popujt sllavë pajtoheshin me imponimin politik e kulturor të ushtrohej nga kreu hegjemonist serb i Beogradit. Shqiptarët, që mbështesnin kreun polik të Jugosllavisë,  në këtë drejtim ishin më të dëgjueshëm, meqë edhe represioni kundër tyre ishte më i ashpër dhe sistematik.

Institucionet e kulturës, arsimit, artit, shtypi, radio e televizioni ishin nën censurë të ashpër ideologjike. Ato udhëhiqeshin nga njerëz të dëshmuar, të cilët kishin dhënë shembuj besnikërie për pushtetin. Ata, në të shumtën e rasteve bënë përpjekje, që ta përfillin me besnikëri platformën politike të LKJ-së, edhe pse ajo platformë  shqiptarët i trajtonte si pakicë kombëtare,  pavarësisht se shqiptarët në Jugosllavi  numerikisht ishin popullata e tretë në vend, pas serbëve dhe kroatëve. Në këtë mes u shquan: Sinan Hasani, Jusuf Buxhovi, Rrahman Dedaj, Ali Jasiqi, Isak Hasani, Maksut Shehu, Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Fahredin Gunga…

 

Arsimimi, kontaktet me botën tjetër shqiptare, me Shqipërinë amë, përmes Radio Tiranës, më vonë edhe me RTSH-në,  dhe kontaktet ilegale të veprimtarëve të organizatave të Lëvizjes Çlirimtare nga Kosova  me personelin e ambasadave shqiptare në shtete të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës, bënin që një pjesë  e inteligjencies shqiptare të orientohej krejtësisht në  jetën kulturore që po zhvillohej  në Shqipëri.

Letërsia Shqiptare në Republikën e Shqipërisë

 Në fillimet e letërsisë shqiptare janë veprat e Marin Barletit ("Historia e Skënder-beut", 1508) dhe të humanistëve të tjerë, të botuara latinisht. Libri i parë shqip është "Me-shari" (1555) i Gjon Buzukut. Letërsia e vjetër përfaqësohet nga vepra fetare, por që ishin shpre-hje e qëndresës kundër sundimit osman. Autorët më të rëndësishëm ishin Pjetër Budi , Frang Bardhi , Pjetër Bogdani dhe te arbëreshët e Italisë Lekë Matrënga e Jul Variboba. Në shek. XVIII-XIX lindi rryma e bejtexhinjve, e ndikuar nga i letërsia orientale, por në veprat e poetëve më të shquar kishte edhe tema laike e nota shoqërore (Hasan Zyko Kamberi, Nezim Frakulla, Zenel Bastari etj).

Letërsia e re kombëtare nis afër mesit të shek. XIX lidhur me lëvizjen e gjerë për glirimin nga sundimi I huaj dhe prandaj quhet letërsia e Rilindjes Kombëtare. Ajo pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në të mbisundoi romantizmi, bashkëkohës me romantizmin europian. U lëvrua sidomos poezia. Kjo ishte një letërsi me frymë demokratike e popullore, tema themelore ishte dashuria por atdheun, evokimi i të kaluarës heroike dhe lufta për çlirim kombëtar e shoqëror. Te arbëreshët e Italisë u shquan Jeronim De Rada me poemën "Këngët e Milosaos" (1836) e një varg veprash të mëdha poetike, Gavril Dara i Riu me poemën "Kënga e Sprasme e Balës", Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj. Poeti i madh kombëtar i kësaj periudhe është Naim Frashëri, autor i poemës "Bagëti e Bujqësia" (1886), i "Historisë së Skënderbeut" në vargje dhe i shumë krijimeve të tjera patriotike, lirike e filozofike. Figura të tjera të shquara janë poeti lirik e satirik Andon Zako Çajupi ("Baba Tomori", 1902), poetët Ndre Mjeda, Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni), novelisti Mihal Grameno etj. Pas shpalljes së Pavarësisëi (1912) letërsia e zhvilloi më tej frymën atdhetare të Rilindjes Kombëtare dhe në vitet 20-30 thellohet realismi, karakteri demokratik, problematika shoqërore. Përfaqësues i shquar i rrymës demo-kratike është Fan Noli, figurë politike por edhe poet, publicist e përkthyes. Lirik i njohur i kohës është Lasgush Poradeci. Nga ana tjetër një figurë qendrore e letërsisë dhe e publiçistikës ishte At Gjergj Fishta. Ndër prozatorët janë romancierët Ndoc Nikaj, Foqion Postoli dhe Haki Stërmilli. Kulmin e realizmit kritik, me pasqyrimin e gjendjes së masave më të varfëra dhe me theks të fortë të revoltës shoqërore e shënon krijimtaria në poezi dhe në prozë e Migjenit ("Vargjet e lira", 1935). Faik Konica ndërkohë ishte një kritik letrar me veprimtari shumë të zgjeruar publiçistike që ndikoi jo pak në këtë letërsi. Një etapë cilësisht e re në letërsinë shqiptare zë fill në vitet e Luftës ANÇ dhe mori zhvillim të plotë pas Çlirimit si letërsi e realizmit socialist. Në shtypin ilegal, si shprehje e qëndresës antifashiste, u lëvrua një letërsi revolucionare, kryesisht poezia qytetare e patriotike. Poema satirike "Epopeja e Ballit Kombëtar" (1944) e Shefqet Musarajt është krijimi më i shquar i kësaj kohe. Pas Çlirimit pothuajse e tërë letërsia ishte e kontrolluar nga çensura e shtetit. Hapësirat në cilat shtrihej letërsia e asaj kohe ishin të ngushta dhe plot rezik për autorët. Shumë prej tyre si Kasem Trebeshina , Dhimitër Xhuvani , Petro Marko e të tjerë u dënuan nga Partia në fuqi. Shkrimtarë të tjerë si Ismail Kadare , Jakov Xoxa e plot të tjerë shkruanin të vertetat e tyre të fshehura pas një sensi të dyzuar. Megjithatë edhe gjatë periudhës së Socializmit lindi dhe u zhvillua një letërsi e mirëfilltë e cila edhe pse nën çensurë, krijoi dhe u konfirmua. Në vitet e fundit të agonisë socialiste edhe letërsia filloi të shfaqej më hapur dhe të mbante një qëndrim kritik herë hapur e herë të nënkuptuar. Pas diktaturës letërsia shqiptare pati njëfarë mpirjeje. Brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste sidomos në poezi. Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por vetëm pak prej tyre ishin të një niveli të pëlqyeshëm. Peshën më të madhe e mbajtën akoma shkrimtarët e periudhës së Pas Luftës. Shkrimtarë si Diana Çuli , Besnik Mustafaj , Besnik Mustafaj , e plotë të tjerë vezulluan në këtë periudhë. Në poezi u shquan Mimoza Ahmeti dhe ndër më të rinjtë Etvin Hatibi. Vlen të përmendet që periudha e Post Diktaturës pati vlera të veçanta sidomos përsa i përket ribotimit të veprave që çensura komuniste i kishte ndaluar apo i kishte cunguar. U botuan të plota veprat e rilindësve Gjergj Fishta , Faik Konicës , Lasgush Poradecit , Mitrush Kutelit etj. U botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist të shkrimtarëve Petro Marko , Pjetër Arbnori , Fatos Lubonja , Kasëm Trebeshina , Dhimitër Xhuvani , Visar Zhiti e shumë të tjerë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...