2021-12-14

POROSITË E KUVENDIT TË SHKUPIT, NJË REFLEKTIM PËR POLITIKËN SHQIPTARE


Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane

 Nga Mehmet PRISHTINA

Lëvizja Kombëtare Shqiptare në kapërcyll të shek.19 dhe shek.20, kishte intensifikuar betejat diplomatike dhe ushtarake për ruajtjen e tërësisë territoriale pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane.  Pasi që revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë të shtypur, përkundrazi forcoi Perandorinë Osmane, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qëndror, lëvizja kombëtare në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Dervish Himën, Çerçiz Topullin etj, gjatë viteve 1909-1911 organizuan kryengritje të armatosur gjithandej viseve etnike shqiptare të cilat patën epilog çlirimin e Shkupit më 12 gusht të vitit 1912.  Më 19 gusht “Times “, raportonte se kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin të enjten e kaluar… Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit. Një grup kryengritësish u drejtua për në Veles. Udhëheqësit kryesorë të kryengritjes të cilët hynë në Shkup ishin, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi,  Zefi i Vogël, dhe Bajram Daklani. Për rrjedhojë, kryengritja u përhap edhe ne viset e tjera të Kosovës dhe Shqipërisë. Qeveria osmane thuajse i pranoi pjesërisht 14 pikat autonomiste të parashtruara nga Hasan Prishtina, të mbështetura edhe nga Austro-Hungaria (propozimi i Vjenës i 13 gushtit), ndërsa Fuqitë e Mëdha kundërshtuan dhënien e autonomisë dhe caktimin e kufijve të Shqipërisë, sepse u druheshin shteteve ballkanike dhe interesave të tyre mbi territoret shqiptare, ndaj edhe qeveria osmane e quajti çështjen shqiptare problem të brendshëm të saj.
Platforma ideologjike e Kuvendit të Shkupit ishte përgatitur nga kolosi Hasan Prishtina, mirëpo pjesëmarrja e tij në këtë Kuvend ishte pamundësuar për shkak se ai bashkë me  Said efendi Hoxhën burgosen në hyrje të Shkupit dhe dërgohet në burgun e Kalamegdanit. Kjo ishte edhe arsyeja se pse Hasan Prishtina nuk ishte i pranishëm edhe në Kuvendin e Vlorës gjatë shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor, 1912.

Rrethanat në të cilat u organizua Kuvendi i Shkupit, janë të ndërlidhura me ngjarje të bujshme të cilat sollën ndryshime radikale në skenën politike të Ballkanit.   Zhvillimet në terrenet luftarake, ku Turqisë gjithnjë e më tepër po  zbehej fuqia ushatrake e politike, sidomos pas fillimi të luftës italo-turke (në fund të shtatorit 1911), diktuan që harta e Ballkanit të pësojë ndryshime në favor të shteteve shoveniste fqinje dhe në dëm të territoreve shjqiptare. Për t’i parandaluar këto pasoja më 12 janar 1912 në Stamboll u mbajt një mbledhje e krerëve të lëvizjes kombëtare, ku u vendos që në katër  vilajetet shqiptare të organizohet një kryengritje e përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë e pastaj të zgjerohet edhe në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua, të organizonte kryengritjen e përgjithshme, fillimisht në Kosovë…, ndërsa Ismail Qemali të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane për këtë rrugë të nisur.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Kryengritja e përgjithshme shqiptare dhe lufta italo-turke (në Jemen…), i dhanë goditje të reja sundimit pesë shekullorë turk në Ballkan. Nga këto zhvillime, ndonëse gjatë verës së vitit 1912 perandoria turke, po i numëronte javët e fundit në Ballkan, në zgjidhjen e çështjes shqiptare do të inkuadrohen edhe fuqitë e mëdha. Austro-Hungaria, duke e kuptuar funksionin historik të Shqipërisë si digë para zgjerimit sllav, filloi t’i bëjë trysni Turqisë që të tregojë më tepër mirëkuptim për 14 kërkesat e parashtruara të shqiptarëve, që ishin bërthama e platfmormës ideologjike të Hasan Prishtinës. Konti austro-hungarez  Berthold, (ministri i jashtëm) u propozoi Fuqive të Mëdha që të ndërmarrin masa për decentralizimin e Turqisë evropiane në aspektin etnik, ku do të përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare, Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.  Këtë propozim e kundërshtoi fuqishëm Rusia, e cila me planet e saj ogurzeza, synonte që tërë Ballkanin ta bënte sllave-ortodokse dhe për fat të keq në këtë drejtim ajo kishte përkrahjen e Francës dhe të Anglisë. Për këtë çështje, reagoi edhe Porta e Lartë, e cila deklaroi se çështja shqiptare është “çështje e brendshme e Turqisë” dhe për të dëshmuar këtë gjë ,përfaqësuesit turq, ndryshuan rrënjësisht  konkluzat e marrëveshjes të arritur me krerët shqiptar, më 18 gusht 1912 në Shkup.

Fatkeqësisht këto manovrime dhe marifetllëqe të autoriteteve turke  i hapën rrugë formimit të aleancave të shteteve ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) për pushtimin dhe coptimin e tokave shqiptare. Planet serbe për një “luftë kundër Turqisë”, kishin filluar me bisedat e fshehta me Bullgarinë. Diplomacia ruse në krye me carin Nikollajin e II, ishte shumë e interesuar që sa më parë të nënshkruhet aleanca luftarake në mes Bullgarisë e Serbisë, për ndarjen e Shqipërisë etnike.  Kjo ishte edhe arsyeja që qarqet sunduese të Sofjes dhe Beogradit ua ndaluan krerëve bullgaro-maqedonas të Maqedonisë që të bashkpunojnë dhe të përkrahin kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912. Për rrjedhojë pas disa takimeve të shumta midis  kryeministrit serb Milovanoviq dhe atij bullgar Geshov, me ndihmën e Rusisë, më 13 mars 1912, Serbia lidhi një aleancë të ashtuquajtur “Traktati  miqësisë” me Bullgarinë, ku si synim parësor kishin kundërshtimin e formimit të çfarëdo shteti shqiptar në Ballkan dhe coptimin e tokave shqiptare. Një aneks sekret i këtij traktati parashikonte veprime eventuale të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane, ku parashihej që Serbisë t´i takonte mbarë territori në veri të maleve të Sharrit. Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj 1912  me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.

Pjesë e kësaj Aleance, pas bisedimeve të carit rus me Kral Nikollën, u bë edhe Mali i Zi. Këto shtete ortodokse të “aleancës…” përfundimisht ,në emër të luftës kundër “robërisë osmane” në tetor 1912 filuan Luftën e Parë Pallkanike për pushtimin dhe coptimin e tërsisë së tokave shqiptare.

Për ta alarmuar faktorin e brendshëm dhe të gjitha kancelaritë e fuqive të mëdha, për rrezikun që po i kanoset popullit shqiptar  dhe trojeve etnike shqiptare nga qëllimet ekspansioniste të Aleancës Ballkanike, më 14 tetor 1912 në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej si ”Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata ”Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një Kuvend të jashtëzakonshëm. Në këtë kuvend, të kryesuar nga Nexhip Draga, morën pjesë: Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj. Pasi u konkludua se ”Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan…” u morën këto vendime:

  1.  Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha;
  2.  Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë të përbashkët  kundër forcave osmane në Shkodër).
  3. Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtue atë prej rrezikut të coptimit.”

Në zbatim të këtyre vendimeve, Kuvendi më 16 tetor 1912 në Shkup ia dorëzoi konsullatës austro-hungareze dhe gjermane një proklamatë, ku thuhet: ”…Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim të zgjerimit  tokësorë ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptarët po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si ”Stara Serbija” (Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”. Pra, këto dokumente dëshmojnë qartë se në Kuvendin e Shkupit u vunë themelet e Pavarësisë së Shqipërisë, gjegjësisht u kalua nga kërkesa e autonimisë në kërkesën për pavarësi.

Kuvendi i Shkupit caktoi edhe një delegacion (Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani), i cili u ngarkua  të përgatisë terenin për mbajtjen e një Kuvendi gjithëkombëtar që do të mbahej në Vlorë më 28 nëntor, 1918.

Kuvendi i Mbledhja e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria Osmane do ta humbiste luftën dhe vendosi t’u njoftonte Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët jo për të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë, që po rrezikohej nga Aleanca Ballkanike e shteteve shoveniste fqinje. Gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante se Kuvendi i Shkupit prodhoi vendime që të drejta dhe realiste, që u përgatitën në formë të një dokumenti që i u dorëzuan përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup më 16 tetor.

Ndërkohë ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet.  Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.

Turqia u gjend e papërgatitur për luftë dhe vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e tyre.

Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.

Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.

Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.

Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.

Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane. Mirëpo ky synim mbeti vetëm një ëndërr e parealizuar e krerëve shqiptarë, ndërkohë që Shkupi do të vazhdojë të frymojë shqip edhe në saje të ideve dhe perosive të Hasan Prishtinës, të cilat mund të përmblidhen në një nocion kuptimplot: HASANIZMI.

 


Tropoja kërkon referendum për t’u bashkuar me Kosovën


Në Tropojë, qytetarë dhe politikanë po ngrenë zërin për vuajtjen që përjeton ky qytet në fund të Shqipërisë dhe pranë Kosovës dhe vlerësojnë se zgjidhja më e mirë është bashkimi me trojet përtej kufirit.

Deputeti demokrat i zonës së Tropojës, Isuf Çelaj, ka ngritur nga foltorja e Kuvendit alarmin për largimin e investimeve dhe shërbimeve nga Tropoja.

“E lënë në harresë, e mjeruar, pa përkujdesje dhe pa investime, Tropoja nuk ka rrugë tjetër vetëm se të mendojë seriozisht të kërkojë referendum për bashkimin me Kosovën.

Të paktën atje qytetarët e kësaj bashkie marrin shërbimet kryesore,” e tha në fjalën e tij deputeti në seancën e sotme plenare.

“Si deputet i lidhur ngushtë me Tropojën, kam detyrimin të ngre zërin për gjendjen në të cilën ndodhen këto zona, banorët fisnikë të malësisë, si pasojë e harresës së shtetit. Në fakt përkufizimi i duhur do të ishte: mungesës totale të shtetit.

Kanë kaluar 8 vite nga qeverisja juaj e Rilindjes dhe në Tropojë nuk është parë më asnjë metër asfalt në rrugët rurale, pra ato që lidhin fshatrat me qytetin dhe mes tyre dhe investimi i fundit në këtë infrastrukturë është në qeverisjen e Partisë Demokratike para vitit 2013”, tha Çelaj.

Sipas tij, është alarmant fakti se tani do të mbyllet edhe Gjykata e Tropojës si pjesë e projektit për rishikimin e hartës gjyqësore.

“Edhe gjykata do të migrojë në Kukës, ashtu si të gjitha shërbimet e tjera. Ky është projekti që ofron pushteti i sotëm për Tropojën. Do ta mbyllë gjykatën dhe drejtësinë do ta ofrojë vetëm në Kukës.

Pra, fjala vjen, një pensionist që i duhet të hapë një çështje gjyqësore për të drejtën e tij, do të duhet të shkojë në Kukës për të marrë drejtësi.

Ndërsa të paraburgosurit e qendrës së paraburgimit në Tropojë, do të merren me policë e të dërgohen për masë sigurie në Kukës në vend që të merrnin masën në Bajram Curri ku ka vite e vite që ofrohet drejtësi me gjykatë funksionale. Tani jo më, dhe kjo falë Rilindjes që Tropojën e ka lënë në harresën e mjerimit!” tha Çelaj.

Deputeti tha edhe se është e patolerueshme që Tropoja të ketë probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Shkrimtari francez në 1609 për Skënderbeun: Flinte vetëm dy orë

Në faqen n°200 të poemës me titull “Le Dauphin” të shkrimtarit francez Jacques de La Fons, botuar në Paris në vitin 1609, gjejmë disa vargje dedikuar heroit tonë kombëtar, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi: Bibliothèque nationale de France

“Thuhet se Skënderbeu (ndërsa shteti i tij lëkundej i shqetësuar nga tërbimet e Muratit)

Bënte gjatë netëve kapjet më të mira të tij

Dhe gjatë netëve më të gjata flinte vetëm dy orë,

Vrojtimet dhe gjaku janë lavdi të frytshme,

Dhe netët më të shkurtra bëjnë ditët më të gjata

Nëse unë do t’i pikturoja lavdinë, do të kisha dashur një figurë (portret) me

Një sy gjithnjë të çelur, fare pa qepallë.”

A DO TË TOLEROJË AMERIKA BOSNJIZIMIN E KOSOVËS?

Analistë usharakë dhe diplomat të karrierës në Perendim tash më e kanë të qartë se konfliktet në Ballkan dirigjohen direkt nga Moska dhe mbështetet nga Pekini. Dhe të gjitha këto po ndodhin në kufinjt e NATO-s, aty ku siguria kolektive e rajonit do të duhej të garantojë sovranitetin e shteteve anëtare. Shfrytëzues i kësaj sigurie është edhe Kosova, mirëpo ajo ende nuk është anëtare e NATOs, prandaj në të ardhmen mbetet seriozisht të shqyrtohet kjo mundësi edhe nga politikanët tanë, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.   Vetëm një Kosovë në NATO garanton stabilitet jo vetëm për vendin tone, por edhe për gjithë rajonin.

 

Nga Mehmet PRISHTINA

Se si do të jetë e ardhmja e Kosovës sipas skenarit serb, mjafton të shikoni çka po ndodhë aktualisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, paralajmëroi në fillim të javës që shkoi se marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga SHBA-ja e nënshkruar në fund të luftës, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit,  rrezikon të shembet nëse nuk ndërmerren veprime për të ndaluar separatistët serbë që po shkojnë drejt shkëputjes.
“Synimet e rrezikshme” të Dodikut kërcënojnë paqen. Kështu i vlerësojnë analistët njoftimet për anulimin e njëanshëm të ligjeve shtetërore të Bosnje-Hercegovinës në territorin e Republikës Srpska. Milorad Dodik, udhëheqësi serb në presidencën kolektive të Bosnjë dhe Hercegovinës, po fut legjislacione që do të ndante Republika Srpska nga institucionet e përbashkëta të shtetit siç janë forcat e armatosura dhe organet gjyqësore.
Javë më parë Serbia filloi të ndërtoj një bazë ajrore jashtë kufijve të saj, në një shtet tjetër, dhe konkretisht një aeroport të madh ndërkombëtar në qytetin e vogël të Trebinjës, që ndodhet në pjesën e të ashtuquajturës “Srpska Republika” në shtetin e Bosnje-Hercegovinës. Në 30 gusht media e Bosnje-Hercegovinës “Sarajevo Times”, me titullin “Qeveria kroate po i kërkon shpjegime Bosnje-Hercegovinës për aeroportin e Trebinjes”, njoftonte se “aeroporti i Trebinjës ta tërhequr vëmendjen e autoriteteve kroate, të cilat po i kërkojnë tani shpjegime Bosnjë-Hercegovinës që të sqarojë se çfarë është planifikuar ekzaktësisht të ndërtohet në atë zonë kufitare me Kroacinë”.

Ky përbindësh serb nuk mbiu si këpërdhë, por ai ishte i ideuar në detaje nga estabilshimenti politike e ushtarak i Beogradit.  Ana Bernabiç, në një fjalim në Nova Topola në 13 nëntor 2020  aeroportin në Trebinje e cilësoi “projekt i ri dhe i madh strategjik, që ju do ta ndjeni fuqinë e Serbisë këtu në “Srpska Republika”.

Beogradi po synon ta dekompozojë shtetësinë e BeH, duke gllabëruar territore të saj në emër të zgjerimit të idesë hegjemoniste të Serbisë së Madhe. Kjo po ndodhë ende pa u tharë plagët e masakrave të kryera në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, siç ishte ajo e Srebrenicës me 8 mijë viktima (11 dhe 22 korrikut 1995),  dhe ende pa kërkuar falje askush nga krerët serbë për gjithë këta lumej gjaku. Madje disa prej tyre,  siç është Milorad Dodik, janë irituar së tepërmi nga futja e fundit e një ligji nga zyra e Komisionerit të Lartë që mund të japë dënime me burg për këdo që mohon kryerjen e gjenocidit. Duke kontestuar ligjin, Dodik pat thënë: “Kjo është gozhda në arkivolin e Bosnjës… Republika Srpska nuk ka zgjidhje tjetër veçse të fillojë… shpërbërjen”.

A mund të inskenohen skenarë të njejtë në Kosovë, sipas modelit serb  në Bosnjë e Hercegovinë?

Nëse i vërejmë disa zhvillime që kanë ndodhur në Bosnjë e Hercegovinë dhe pretendimeve serbe në Kosovë, nuk është vështirë të konstatojmë se janë të njejtat metoda, por me mjete tjera, që po përdoren për të defaktorzu shtetësinë e Kosovës perms një projekti i quajtur Bashkësia e komunave me shumicë serbe.

Edhe në Bosnje kështu kishte filluar. Së pari ishte formuar Bashkësia e komunave me shumicë serbe, pastaj si rrjedhojë logjike, kishte ardhur Republika Srspka.

Në Bosnjë po kontestohet Marrëveshja e Dejtonit, kurse në Kosovë Serbia nuk ështl e kënaqur me Pakon e Ahtisarit dhe synon përtej kësaj të krijoj një entitet të ri që do të ishte nën kontrollë të Beogradit. Bashkësia e komunave me shumicë serbe, sipas planeve të Serbisë, nesër mund të shkojë rrugës nga po shkon Republika Srpska dhe në këtë mënyrë, Kosova nga një shtet me sovranitet të plotë, me Asociacioni bëhet një eksperiment që prodhon një sovranitet të kufizuar në një pjesë të territorit të vendit.

Historia e ekspansionizmit serb njeh vetëm pushtime të tokave të huaja, kuptohet në bashkëveprim edhe me aletatët tjerë ballkanik. Kështu ndodhi edhe me rastin e nënshkrimit të traktati të fshehtë të aleancës ndërmjet Serbisë dhe Greqisë, ku përveç Kosovës (Serbia e Vjetër), Serbia kishte kërkuar edhe Shqipërinë veriore. Rritja territoriale e synuar, nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si rritje e shtetit serb. Ky objektiv, do të përmbushej pjesërisht nga vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, ku nga 37.7 mijë km2 territori i Serbisë u rrit në 52.7 km, në kurriz të vendeve fqinje, sidomos kundrejt territoreve shqiptare. Ky traktat, sikundër dihet, erdhi si rezultat i fitores së Rusisë në luftën me Perandorinë Osmane, e cila me kushtet që i imponoi kundërshtarit kërkoi t’i vinte përpara faktit të kryer Fuqitë e Mëdha, duke e kthyer disfatën tërësisht në interes të politikës së saj në Ballkan. Në këtë periudhë çështjet kombëtare të vendeve ballkanike do të vendosen sërish përball njëra-tjetrës, ashtu si edhe në të shkuarën, interesat ekspansioniste të Perëndimit dhe Lindjes, duke vënë në pikëpyetje ekuilibrin e forcave.

Me pjesëmarrjen në Traktatin e Shën Stefanit, Serbia orienton vektorët e saj politikë drejt Lindjes, ku identifikonte edhe përkatësin e saj etnike, si pasojë e ndikimit të fortë të Kishës Ortodokse. Megjithatë, ky orientim gjeopolitikë drejt Lindjes nuk do të ishte I plotë. Përkatësia territoriale në Evropë dhe ndikimi i Fuqive të Mëdha në rajon do të bënte që Serbia të dyzohej në orientimin e saj. Ky dyzim do të vazhdojë deri më sot dhe do të njihet si politika e Beogradit me “një këmbë në Lindje dhe një në Perëndim”. Nga ana tjetër, Perëndimi nuk mund të qëndronte indiferent ndaj kësaj lëkundjeje dhe thirri Kongresin e Berlinit për rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit, ku synohej rivendosja e ekuilibrit të forcave, duke u mbështetur mbi parimin e legjitimitetit – një synim që nuk u realizua për shkak të vetë qëllimeve ekspansioniste të fuqive kryesore të kohës, të cilat binin në hapësirën e interesit të vendeve të Ballkanit. Traktati i vitit 1881, parashikonte se në rast se “Serbia do të ishte në gjendje të fitonte territore në drejtim të kufirit jugor, Austro-Hungaria nuk do të kundërshtonte një shtrirje të tillë”, madje “do të përpiqej pranë Fuqive të tjera me qëllim që të merrej një qëndrim i favorshëm”. Edhe njëherë, Serbia do të aspirojë drejt territorit shqiptar. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë, me një vijë bregdetare të gjatë që siguron tregti dhe kontakt të shpejtë me Perëndimin është lakmuar nga Serbia, fuqia e së cilës kufizohet pikërisht nga gjeografia e saj kontinentale pa dalje në det. Kongresi i Berlinit u pasua nga 35 vjet paqe të qëndrueshme, por antagonizmat mes Fuqive nuk u shuan.
Krijimi i një shteti me hapësirë territoriale që përfshinte të “gjithë serbët” në një njësi politike dhe përmbushte gjithë nevojat e kombit do të vazhdojë të përvijojë politikën serbe dhe rezultat i saj do të jenë krijimi i dy formacioneve politikoshtetërore, ku Serbia do të luaj rol qendror dhe do të synoj dominimin politik, duke e identifikuar veten si lider i popujve sllavë dhe zemra e shteteve sllave të jugut.
Në rrethanat e sotme, pavarësisht kushtëzimeve të rendit ndërkombëtar, Serbia vazhdon të shfaq këtë tendencë ekspansioniste në mënyrë më të moderuar, duke kërkuar të ndikojë në shtet fqinje ku ka popullsi serbe: rastet më tipike janë Republika Srpska dhe Kosova, të cilat Serbia i sheh në kuadër të një projekti madhor për realizimin e idesë së Serbisë së Madhe. Kjo, mbase, është edhe arsyeja se pse Beogradi po ngutet të fus në dy binarë paralel politikën e saj ekspansioniste – në njërën anë duke ushtruar trysni në BeH për shkëputje  përfundimtare të Republika Srspska dhe në Kosovë për të Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe në anën tjetër, duke lancuar ide gjoja integruese, siç është “Open Ballkan”, gjë që nuk është asgjë tjetër pos një ballon provues i Beogradit i mbushur me gasrat e mbetura nga mesjeta e “botës serbe”.

BE është tepër inerte ndaj zhvillimeve të fundit në Ballkan. Brukseli po e negzhizhon së tepërmi ndikimin e krizës së BeH në hapësirat tjera të Ballkanit. Por analistë e vëzhgues të ndryshëm janë shprehur të shqetësuar se ky ndikim është i pashmangshëm. Jasmin Mujanoviq, autor i librit “Hunger and Fury: The Crisis of Democracy in the Balkans”, tha se do të ishte një “katastrofë për Bashkimin Evropian dhe komunitetin Atlantik më gjerësisht, pasi do të ishte një krizë tjetër e sigurisë në një gjendje jashtëzakonisht të paqëndrueshme në juglindje të Evropës”. Ai vuri në dukje se me krizat e sigurisë tashmë ekzistuese në Ukrainë, Bjellorusi, Siri dhe Afganistan “një përkeqësim i rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës është diçka që BE dhe SHBA vështirë mund ta përballojnë”.
Këto dridhje tektonike që pritet të shkundin  edhe më tepër hapësirën ballkanike nuk mund të mbetet pa impakt edhe më të ku pashmangshëm mund të pritet ndikimi i Rusisë dhe Kinës. Në anën tjetër diplomatët dhe mediat me ndikim në Evropë tash më e kanë shprehur hapur keqardhje për dështimin historik të Perëndimit, sidomos të BE-së,për të vendosur sanksione ose për të vepruar ndryshe kundër atyre që nxisin konflikte në Bosnje-Hercegovinë.

Është hera e dytë që BeH, pas masakrës së Srebrenicës,  po e pëson rëndë nga neglizhenca e Evropës dhe shqetësimi bëhet më i madh nëse kjo neglizhencë vazhdon të trimërojë Serbinë edhe në rastin e Kosovës.
A thua Amerika  do të tolerojë që të bosnjizohet Kosova?

Analistë usharakë dhe diplomat të karrierës në Perendim tash më e kanë të qartë se konfliktet në Ballkan dirigjohen direkt nga Moska dhe mbështetet nga Pekini. Dhe të gjitha këto po ndodhin në kufinjt e NATO-s, aty ku siguria kolektive e rajonit do të duhej të garantojë sovranitetin e shteteve anëtare. Shfrytëzues i kësaj sigurie është edhe Kosova, mirëpo ajo ende nuk është anëtare e NATOs, prandaj në të ardhmen mbetet seriozisht të shqyrtohet kjo mundësi edhe nga politikanët tanë, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.   Vetëm një Kosovë në NATO garanton stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por edhe për gjithë rajonin.

Prishtinë, 9 nëntor, 2021

Moska po planifikon luftën tjetër Ballkanike


Administrata Biden e ka përqendruar politikën e saj të jashtme në kundërshtimin e rritjes së Kinës si fuqi. Një konsensus dypartiak është shfaqur në Uashington se Kina është kundërshtari më i rrezikshëm global i Amerikës. Dhe në mënyrë që të ndalojë përballjen me Pekinin, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar marrëdhënie më “të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Rusinë. Në realitet, nxitja e paparashikueshmërisë dhe e paqëndrueshmërisë janë dy strategjitë thelbësore të Moskës për të minuar Perëndimin dhe nuk ka arsye për të hequr dorë prej tyre.

Nga Janusz BUGAJSKI

Ndërsa Shtëpia e Bardhë është e preokupuar me fuqinë ushtarake të Kinës dhe kërcënimet e saj kundër aleatëve të SHBA-së në Lindjen e Largët, Kremlini mund të rrënojë rajone të tjera. Përfitimi nga shpërqendrimet e Shtëpisë së Bardhë mund të ndihmojë në ndezjen e konflikteve të reja dhe Ballkani Perëndimor mbetet objektivi kryesor. Mosmarrëveshja e fundit në kufirin Kosovë-Serbi për njohjen e targave duket si një provë për konfrontime më serioze. Zyrtarët rusë po inkurajojnë qeverinë e presidentit Aleksandar Vuçiç që ta transformojë Serbinë në fuqinë dominuese në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë mënyrë të rrisë ndikimin e Rusisë me Uashingtonin dhe Brukselin.

Beogradi ngriti një bllokadë përgjatë kufirit me Kosovën, në shtator, vendosi trupat e saj në gatishmëri dhe kërcënoi ndërhyrjen ushtarake. Ambasadori rus Aleksander Botsan-Kharchenko shoqëroi ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Nebojsha Stefanoviç për të inspektuar njësitë e ushtrisë serbe. Ndërsa Prishtina dërgoi njësitë policore për të zbatuar kërkesat e targave, Beogradi vendosi automjete ushtarake përgjatë kufirit dhe fluturoi avionë luftarakë MiG-29 mbi zonë për të provuar të frikësonte fqinjin e tij.

Në një shfaqje tjetër fuqie dhe një demonstrim të angazhimeve ushtarake të Kremlinit ndaj Beogradit, forcat e mbrojtjes ajrore ruse dhe serbe kryen stërvitje të përbashkëta në mes të tetorit, ku përfshiheshin avionët luftarakë MiG-29. Moska ka vendosur gjithashtu një bateri të sistemeve kundërajrore me rreze të shkurtër Pantsir-S në Serbi dhe deklaroi se ishte gati të shesë sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore në Beograd. Duke qenë se fqinjët e Serbisë nuk posedojnë ndonjë forcë të konsiderueshme ajrore, manovrat tregonin qartësisht si një sinjal për NATO-n se Rusia do të mbrojë aleatin e saj kyç ballkanik në rast të një lufte rajonale.

Edhe terreni propagandistik po përgatitet për konflikt. Beogradi dhe Moska e akuzojnë qeverinë e Kosovës se po kërcënon të drejtat dhe ekzistencën e pakicës serbe. Një tregim i ngjashëm mund të përdoret kundër qeverisë boshnjake për të justifikuar luftën. Kremlini ka përdorur vazhdimisht pretendime të tilla për popullsinë ruse në ndërmarrjet e tij agresive revizioniste në Ukrainë, Gjeorgji dhe shtetet baltike. Rusia tani po udhëzon “vëllanë e saj më të vogël” Serbinë për metodologjinë e dominimit rajonal dhe ndarjes territoriale.

Në një skenar, inteligjenca serbe mund të provokojë konfrontime ndëretnike brenda Kosovës dhe të ushtrojë dhunën që pason si pretekst për ndërhyrje ushtarake. Kjo do ta vendoste forcën e vogël të NATO-s në Kosovë në pozitë të vështirë për t’u përballur me ushtrinë serbe. Duke mbështetur çdo inkursion serb dhe duke kërcënuar se do të ofrojë ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake nëse NATO angazhohet, Moska do të testonte vendosmërinë e Bidenit për të rrezikuar një luftë NATO-Rusi. Putini mund të mendojë se Uashingtoni do të preferonte negociatat edhe nëse kjo nënkupton dorëzimin e komunave veriore të Kosovës nën kontrollin e Beogradit, veçanërisht pasi Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe nuk mund të mbështetet në angazhimet e saj të mbrojtjes kolektive.

Loja me Kosovën mund të jetë pjesë e një ofensive më të gjerë nga Beogradi me udhëzimet ruse për të zgjeruar pozicionin rajonal të Beogradit. Sipas ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, të gjithë serbët kanë të drejtë të jenë të bashkuar në një shtet. Ashtu si rusët, serbët portretizohen si viktima të shumëvuajtura, të cilat fuqitë armiqësore po komplotojnë për t’i eliminuar. Beogradi pretendon të drejtën për të mbrojtur serbët në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci. Përveç destabilizimit të Kosovës, fokusi aktual i Beogradit është në thellimin e ndarjeve të Bosnjës dhe aftësimin e entitetit serb që të kërcënojnë për shkëputje. Ajo gjithashtu bashkëpunon me nacionalistët serbë në qeverinë e koalicionit të Malit të Zi për të ndryshuar pavarësinë e Malit të Zi dhe politikat properëndimore.

Ndërsa Vuçiç kërkon lavdinë si një bashkues i “tokave serbe”, Putini e manipulon atë për t’i shërbyer qëllimeve gjeopolitike të Rusisë. Vuçiç është borxhli i përhershëm ndaj Moskës për bllokimin e hyrjes së Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe varësia ekonomike e Serbisë nga Rusia po zgjerohet, veçanërisht në fushën e energjisë, ku së fundmi ajo iu bashkua lidhjes së re të gazit natyror rus përmes Bullgarisë dhe Turqisë.

Serbia po krijohet gjithashtu si një postë ushtarake ruse dhe një qendër e konflikteve rajonale. Ajo ka qenë e armatosur me një shumëllojshmëri armatimesh gjatë viteve të fundit, duke përfshirë avionë luftarakë, tanke, helikopterë dhe sisteme kundërajrore. “Qendra humanitare” ruso-serbe afër kufirit me Kosovën shërben si objekt për mbledhjen e inteligjencës dhe operacione speciale për Moskën. Serbia po zhvillon gjithashtu lidhje të ngushta me Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të kontrolluar nga Rusia, e synuar si një homologe shumëkombëshe e NATO-s.

Nëpërmjet tentakulave të kontrolluara nga Kremlini, Serbia po bëhet peng i Ballkanit i Rusisë. Moska është e bindur se çdo lëvizje e Serbisë drejt anëtarësimit në NATO nuk do të tolerohet dhe mund të rezultojë në zëvendësimin e Vuçiçit dhe qeverisë së tij. Mbështetja e Kremlinit për grupe të ndryshme nacionaliste në Serbi, ndikimi i tij i gjerë në hapësirën informative të Serbisë, lidhjet e saj me Kishën Ortodokse Serbe dhe depërtimi i spiunazhit të tij në institucionet kryesore në Serbi kanë për qëllim të mbajnë Vuçiçin në linjë dhe ta pengojnë atë të afrohet më shumë.

Serbia ofron një mundësi të vlefshme për Putinin për të nxitur konflikte të armatosura në një rajon ende të paqëndrueshëm të Ballkanit. Kjo do të ndihmonte në zgjerimin e ndikimit të Rusisë, do të largonte vëmendjen perëndimore nga konfliktet që Moska ndërton në “lagjen e saj” dhe do të fshihte goditjen në rritje të disidencës brenda Federatës Ruse. Në një moment, Vuçiç mund të joshet ose provokohet në një konfrontim ushtarak me një nga fqinjët e Serbisë dhe më pas do t’i drejtohet Moskës për ndihmë. Me BE-në pa timon dhe SHBA-në e fokusuar në Kinë dhe kriza të tjera ndërkombëtare, Kremlini mund të llogarisë se ia vlen të merret rreziku i reduktuar i ndërhyrjes ushtarake perëndimore.

TAKTIKA TË GABUARA DIPLOMATIKE TË PERENDIMIT NDAJ BALLKANIT


Strategjikisht Rusisë i intereson roli qendror, drejtues dhe hegjemon i Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Por çfarë mund t’i interesojë BE-së apo NATO-s roli qendror, drejtues dhe hegjemon i Serbisë filoruse dhe antiatlantike në Ballkanin Perëndimor.

Nga Shaban MURATI

 

Diplomacia europiane dhe ndërkombëtare, siç e kam thënë në librat e mi, fillon lëviz kur plasin ujrat, por ka shumë rëndësi se në çfarë drejtimi lëviz.  Ka lindur një fenomeni i ri shqetësues, që lëvizjet tani po bëhen jo në kahun e duhur, dhe diplomacia ndërkombëtare po u jep çmime nderuese shteteve dhe forcave destruktive, që janë gjeneratorë të tensioneve lokale.

Kriza e re e pragkonfliktit e shkaktuar tani nga entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë, që shpërtheu krahas pragkonfliktit që shkaktoi Serbia në kufirin me Kosovën muajin e kaluar, evidenton një qendrim të ri të habitshëm në diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare, e cila po flirton dhe po vlerëson luftënxitësit si “çelësa të stabilitetit ballkanik”.

Pragkonflikti në Bosnje-Hercegovinë arriti pikën më të keqe që nga mbarimi i luftës atje në vitin 1995. Ndërprerja e pjesëmarrjes së të ashtuquajturës “serpska republika” në institucionet qendrore të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, mosnjohja nga serbet e autoritetit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Sarajevë ish-ministrit gjerman Kristian Shmidt, planifikimi i krijimit të një ushtrie separatiste, i një sistemi serb drejtësie dhe institucioni taksimi separatist serb, etj. e çuan situatën në pikën më të lartë të vlimit, sa që detyruan zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit Escobar të shkonte me shpejtësi në Sarajevë në datat 7-8 nëntor për dy ditë bisedime me krerët e tre komuniteteve etnike përbërëse të Bosnje-Hercegovinës për të ulur gjakrat.

Situata ishte kaq pranë luftës sa që Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Sarajevë, Kristian Shmidt, në 4 nëntor paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të OKB me raportin e tij të posaçëm se Bosnje-Hercegovina po kalon rreziqe ekzistenciale, se kërcënimet e udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, janë të njëjta me seçesionin pa e shpallur atë, se kërcënimet e tij rrezikojnë paqen jo vetëm në vend, por edhe në rajon.

 

Në kulmin e këtij alarmi për rrezikun e një lufte të re etnike, ngrihet në 6 nëntor kryeministri hungarez Viktor Orban, i një shteti anëtar të BE dhe të NATO-s, dhe bën një vizitë të posaçme pune në Banja Luka, kryeqendra e të ashtuquajturës “Srpska republikës” dhe në mënyrën më skandaloze shpall se serbët e “serpska repubikës” luajnë rol kyç në procesin e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në Ballkan.

Dhe e deklaron këtë certifikim nderi pas bisedimeve me kreun e separatizmit serb Dodik, i cili ka marrë pishtarin e ndezjes së luftës etnike dhe të prishjes së shtetit të Bosnje-Hercegovinës. Kemi një mbështetje publike diplomatike dhe politike të Budapestit për luftënxitësin e Banja Lukës, i cili i entusiazmuar nga përkrahja hungareze, deklaroi në 6 nëntor se “I jemi mirënjohës Hungarisë për mirëkuptimin që ka për “serpska republikën”.

Kjo lexohet si një mirëkuptim për separatizmin serb. Kryeministri i Hungarisë bën vizitë pune duke marrë edhe ministrin e jashtëm me vete në “serpska republika”, duke i dhënë entitetit serb statusin e shtetit, në një kohë që nuk shkon në kryeqytetin e vendit në Sarajevë dhe nuk takon anëtarët e presidencës boshnjak dhe kroat.

Kryeministri i Hungarisë i dorëzon “çelësin e stabilitetit të Ballkanit” fashistit Dodik dhe pjellës së gjenocidit me emrin “Srpska Republika”, të cilët po ecin përsëri drejt luftës etnike si në 1992. Para pak kohësh kryeministri i Hungarisë Orban gjatë vizitës zyrtare në Beograd shpalli se “Serbia është shteti kyç i Ballkanit Perëndimor. Asnjë shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk integrohet në BE nëse nuk hyn Serbia”.

Vështirë të gjesh se çfarë emri mund t‘i vesh kësaj diplomacie, e cila nderon me “çelësin e Ballkanit” luftënxitësit kryesorë të Ballkanit, që janë Serbia dhe “serpska republika”. Duket si një infeksion diplomatik dhe politik me origjinë ruse, që ka kapur disa shtete të BE ku udhëheqësit e tyre e kanë afishuar hapur filorusizmin e tyre brenda BE dhe në Ballkan.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur dëgjon që edhe një diplomate e një shteti të rëndësishëm të NATO-s në 28 tetor deklaron se “Serbia është shteti kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”. Një deklaratë e habitshme po të kesh parasysh se bëhet pasi Serbia dy herë brenda muajit tetor tentoi të provokonte konflikt të armatosur në kufirin verior të Kosovës.

Ka diçka thelbësore, që nuk shkon dhe nuk mund të pranohet, në këtë fenomen të ri në diplomacinë europiane apo ndërkombëtare, që nderojnë “me çelsa dhe kyçe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor” luftënxitësit si Serbia dhe “serpska republika”, të cilat po gjenerojnë tensionet e rrezikëshme në rajon.

Së pari, kjo dëshmon një konfuzion dhe dobësim gjenetik në diplomacinë e shteteve europiane, të cilat në vend që të dënojnë dhe të frenojnë Serbinë dhe “serpska republikën” si vatra dhe forca destruktive, shkojnë dhe i glorifikojnë si “çelsa stabiliteti”.

Së dyti, duke u dhënë rolin dhe vendin e “çelsit të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”, inkurajohen Serbia dhe “serpska republika” në ambicjet dhe politikat e tyre luftënxitëse.

Së treti, duke klasifikuar Serbinë dhe “serpska republikën” në rolin e “çelsit ballkanik” automatikish krijohet një lloj hierarkie nënshtrimi e shteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, që duhet t’i binden “çelsit”.
Së katërti, fenomeni i shpalljes se primaritetit të Serbisë në Ballkan si “shtet kyç” dëshmon një dobësi strategjike dhe sigurie ndaj fuqive të mëdha antiatlantike dhe antiperëndimore, që sponsorizojnë Serbinë dhe forcat destruktive serbe në Ballkanin Perëndimor.

Në datën 8 nëntor profesori i politikologjisë në Universitetin e Sarajevës Lindore, Sërgjan Perishiç, i deklaronte agjencisë ruse “Regnum” lidhur me tensionet e fundit në vend se “serpska republika” në rradhë të parë ka mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës. Askush nuk ka dëgjuar nga Beogradi asnjë deklaratë të drejtpërdrejtë se udhëheqja e Serbisë nuk është dakord me politikën e Banja Lukës”.

Nuk mund të mos shtrohet pyetja se çfarë opinioni krijohet në Moskë për BE dhe për NATO-n kur në Ballkanin Perëndimor, që ka tre shtete anëtare të NATO-s, del ndonjë kryeministër, shtet anëtar apo ndonjë diplomaci atlantike, që deklaron se “Serbia është shteti kyç i sigurisë ballkanike” dhe jo NATO.

Ky fenomen i ri i në diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare për të nderuar me “çertifikata mirënjohje për çelsa dhe kyçe stabiliteti” shtete dhe forca destruktive ballkanike, bie në kundërshtim me sistemin e vlerave, parimeve dhe traktateve themeluese të BE dhe të NATO-s.

Nga burime diplomatike mësohet se ky fenomen diplomatik në diplomacinë europiane ka lindur nga vlerësimi se duke nderuar me “kyçe dhe çelsa nderi të stabilitetit” shtete dhe forca destruktive në Ballkanin Perëndimor, ato shtete dhe forca destruktive do të bëhen më të prirur ndaj BE.

Është një iluzion optik apo diplomatik, që është përgënjeshtruar me qindra herë nga gjithë dinamika e zhvillimeve të pas luftrave në ish-Jugosllavi. As Serbia dhe as “serpska republika” nuk kanë nxjerrë mësime nga e kaluara e përgjakshme e konflikteve në ish-Jugosllavi dhe po përpiqen ta rikthejnë atë të kaluar.

Baronesha britanike Arminka Heliç shkruante në 8 nëntor në “politicshome.com” për tensionet e reja në Bosnje-Hercegovinë: “Seçesionistët janë të mbështetur jo vetëm nga Serbia, por gjithashtu nga Rusia, dhe më në heshtje nga Kina. Moska e shikon si rast për të krijuar kaos në zemër të Europës. Seçesionistët duan të krijojnë një krizë si pretekst për shkëputje me qëllimin e bashkimit me Serbinë”.

Argumenti tjetër, që jepet për fenomenin e ri të vlerësimit për luftënxitësit në Ballkan, është se me këtë taktikë do të ndikohet që Serbia dhe “serpska republika” të largohen nga Rusia. Është një naivitet diplomatik, i përgënjeshtruar nga zhvillimet, madje ditët e fundit udhëheqësi fashist i “serpska republikës” Dodik deklaroi se nëse na sulmon NATO ne do të kërkojmë ndihmën e Rusisë.

Fenomeni i ri diplomatik i akordimit të dekoratave të “çelsit ballkanik” për Serbinë apo për “Srpska Republikën” përbën një sinjal tepër shqetësues për shtetet sovrane të Ballkanit Perëndimor dhe të të gjithë Ballkanit. Është shqetësues, sepse inkurajon shtete agresive dhe militariste si Serbia që të intensifikojnë ambicjet e tyre të aneksimit të territoreve të shtete të tjera me devizën e “botës serbe” apo të Serbisë së Madhe. Është shqetësues, sepse u tregon shteteve të rajonit se modeli destruktiv i sjelljes rajonale merr përkrahje në diplomacinë europiane.

 

Konfuzioni dhe dizorientimi në diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare, ku në vend të dënimit të Serbisë dhe të “serpska republikës” shpallen “çelsa të stabilitetit ballkanik”, krijojnë kushte të favorshme për maskimin e forcave destruktive në rajon.

Tingëllon ironike dhe tallëse për shtetet dhe popujt e Ballkanit Perëndimor, që Serbia e cila po ngren erërat e luftës në Bosnje dhe në Kosovë, del dhe shpall se po bashkon Ballkanin Perëndimor për “zonën e përbashkët ekonomike” apo për integrimin ballkaniko-perëndimor. Presidenti serb Vuçiç psall për paqen dhe parajsën, që do të sjellë projekti i tij i “Ballkanit të hapur” në të njejtën kohë që nxit luftë në kufijtë e Kosovës dhe në Bosnje.

Serbia e përdor “Ballkanin e hapur” si mbulesë të ambicjes serbe për përfshirjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në hegjemoninë serbe. Pikërisht për këtë strategji e vlerëson politikën e Vuçiçit diplomati rus Mihail Plisjuk, i cili shkruan në 4 nëntor në “eadaily.ru” se “Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e bashkuar me ta, po krijojnë para syve tanë projektin integrues të “Ballkanit të hapur” dhe për presidentin Vuçiç kryesorja është që t’i sigurojë Serbisë praninë e nevojshme maksimale në Ballkan.

Kështu në mënyrë të sigurtë Serbia bëhet lider rajonal”. Diplomacia ruse është tepër entuziaste për projektin e Vuçiçit dhe e lavdëron atë se që nga koha e Titos ai realizoi përsëri rëndësinë e Serbisë në arenën ndërkombëtare.

Strategjikisht Rusisë i intereson roli qendror, drejtues dhe hegjemon i Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Por çfarë mund t’i interesojë BE-së apo NATO-s roli qendror, drejtues dhe hegjemon i Serbisë filoruse dhe antiatlantike në Ballkanin Perëndimor.

Si nuk arrijnë ta kuptojnë shtete raja si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që ranë në dashuri me shikim të parë me projektin serb, se diplomacia serbe ka hapur sirtarët e federatës ish-jugosllave për t’i aplikuar sot.

Si nuk gjejnë kohë zyrtarët e lartë të Tiranës të lexojnë pak faqe histori të Jugosllavisë dhe të mësojnë se gjithë përmbajtja dhe premtimet e “Ballkanit të hapur” bashkë me katër apo pesë liritë e ungjillit diplomatik serb kanë qenë të realizuara në Federatën komuniste Jugosllave, ku bënin pjesë pesë shtete nga gjashtë të Ballkanit Perëndimor. Madje kishin më shumë liri të qarkullimit të mallrave, kapitaleve, punësimit dhe të shërbimeve brenda federatës jugosllave nga sa premtojnë sot të dalldisurit e tymosur të projektit serb.

Nuk ka logjikë historike, politike, diplomatike, ekonomike, etj. që mund të justifikojë kthimin në formë të re në federatën e dikurshme të shteteve që ikën nga ajo federatë mbytëse, me premtimin për të rishijuar prapë ato katër apo pesë liritë, që kishin në federatë.

Çudia e çudirave është përse Tirana zyrtare ka kaq etje të bëhet republikë jugosllave e Serbisë dhe nuk i kërkon më ato katër liritë te integrimi europian në BE. Askush në Tiranë nuk është në gjendje të thotë se ka diçka të re në “Ballkanin e hapur”, që nuk e kanë pasur republikat e Federatës Jugosllave. Udhëtimi ballkanik pandalim i kamionave dhe i shalqinëve tingëllon si diplomë profanësh.

Në dritën e këtyre zhvillimeve ballkanikoperëndimore bëhet edhe më e pakuptueshme se mbi cilat llogari strategjike apo gjeopolitike ndërtohen këto taktika diplomatike, që dekorojnë me “kyçe apo çelsa nderi”shtetet dhe forcat destruktive në Ballkanin Perëndimor. Këto taktika të gabuara diplomatike jo vetëm nuk i qetësojnë situatat, por i komplikojnë, sepse rrisin agresivitetin e Serbisë dhe të “serpska republikës” ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Çelësi i stabilitetit dhe i sigurisë në Ballkanin Perëndimor është Aleanca Atlanike, ku bëjnë pjesë tre shtete të këtij mini-rajoni. Klasifikimet e tjera janë të gabuara dhe të dëmshme për Ballkanin Perëndimor.

Letërkëmbimet me të dashurat: Pse nuk u martua kurrë Mid’hat Frashëri


Një letër (përmbajtjen e së cilës, duhet jo vetëm ta ndjejmë, akoma ta shijojmë) për mua është një luks, një dëfrim i mendjes dhe luksi do nge, do qetësi, do një atmosferë të paturbulluar. Luksi i nxituar, degjeneron në grotesk. Shkoni dhe shihni qytetin amerikan Alantic Citu, ku harbutësia e një luksi të shpejtë e bën një kontrast aq të madh me bukuritë evropiane të shekullit XVII-XVIII” -Mid’hat Frashëri

Nga Uran Butka

Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit përbën kurorën e meditimit, të veprimtarisë shkrimore dhe krijimtarisë  së tij: aty shfaqen idetë e reja iluministe të tij në çdo fushë të jetës e të mendimit, sfidat dhe vendimmarrja e tij  në ngjarjet kyçe të historisë së kombit, shqiptarizmi si platformë dhe veprim, përpjekjet titanike në mbrojtje të çështjes shqiptare në krizë, këmbëgulja e palodhur për zgjidhjen më pozitive të saj, humanizmi dhe  evropianizmi si frymë e model, diplomacia si mjeshtëri dhe art, debati me argumente dhe logjikë të pakundërshtueshme, elokuenca dhe sjellja fisnike, bashkëbisedimi dhe polemikat me personalitete të shquara historike shqiptare e të huaja, përfshirë presidentë shtetesh, kryeministra, ministra, kryetarë forumesh kombëtarë e ndërkombëtarë,  bashkëpunimi e bashkimi kombëtar, haxhiqamilizmi shqiptar, rreziku komunist, lufta për shtet ligjor dhe demokraci, miqësia dhe dashuria, por edhe kritika ekzistenciale,  largpamësia, kultura sipërore, informacioni i gjerë dhe sensi zyrtar, por edhe intim dhe artistik i këtij letërkëmbimi.

Tre janë kulmet e kësaj pasurie epistolare: koha kur ishte anëtar dhe kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhen e kombeve në Gjenevë në mbrojtje të identitetit dhe tërësisë teritoriale të Shqipërisë përkunder politikave pushtuese serbe, greke dhe italiane, por edhe kundër politikave imperialiste të Fuqive të Mëdha shpesh në  mbështetje të tyre, si edhe në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të Shqipërisë jug-lindore të okupuara padrejtësisht dhe të persekutuara deri në asgjësim;  letërkëmbimi  kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, ku mbrojti si askush tjetër çështjen çame, duke u përballur me politikat antishqiptare dhe antinjerëzore të helenizmit për shpernguljen barbare dhe shpronësimin e popullsisë shqiptare nga trojet e tyre në vitet 1923-1925; dhe letërkëmbimi erotik, që zgjati thuajse gjithë jetën, ashtu siç zgjati edhe dashuria e tij.

Dashuria e Mid’hat Frashërit ishte shpuzë e amëshuar, e mbuluar me hirin e jetës. Ai i caklon dhe i shpupurit me penën-pupël gacat, që vagëllojnë në një dritë të gjelbër dhe i derdh me mjeshtëri dhe art në letrat e tij. Dashuria e tij është e çiltër, e vetvetishme, e magjishme, emocionale. Ai e ka provuar atë me pasion më tepër se një herë, si njeri i lirë dhe i kulturuar, atë ndjesi të brendshme të patjetërsueshme njerëzore, atë prush që djeg e shqerr, si një dritë dhe terr, si shend e vuajtje, si poezi e si dramë, si  forcë njerëzore që e çliron dhe e ndryshon botën.

“Dashuria, shkruan ai, është kondita e jetës. Po të mos ekzistojë ajo, shkatërrohet lidhka në mes të gjymtyrëve të njeriut, familjes dhe njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka enthuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër. Enthuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë  dhe të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilë mëngjesi, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen  nën rrezet e para të diellit

Letrat e dashurisë mes intelektuales rumune Angela Romano dhe Mid’hatit zgjasin e dokumentohen për 24 vjet me radhë, pak më tepër se letrat e dashurisë mes Balzakut dhe Princeshës Hanska, por edhe me një pathos të papërshkruar.

Pyetjes pse nuk u martua kurrë Mid’hat Frashëri, i japin përgjigje letrat e tij dhe të dashurave të tij.

E zhuritur  nga malli dhe largësia, Angela Romano e grish në Bukuresht të dashurin e saj, ku i kishte të gjitha komoditetet që të jetonin së bashku “me idhullin e saj, shpesën e  saj të parealizueshme”, siç shprehet ajo në letër. Por Mid’hati zgjedh  midis Angelës dhe Shqipërisë, këtë të dytën dhe ajo ia kthen: “Jam e lumtur për ty dhe për vendin tënd”.

Mid’hati i përgjigjet së dashurës Emma: ”Ti e di sëmundjen morale nga e cila unë vuaj, ajo mani për t’i analizuar gjërat, ajo ngasje për të gërmuar përherë në thellësi të tyre, duke dashur të shoh larg, ta konsideroj shumë shpesh të tashmen si preokupim të së ardhmes. Një martesë, për mua është e pamundur dhe jam i sigurt se nuk do ta bëja kurrsesi të lumtur”. Në letrën drejtuar Elsës, Mid’hati shkruante: “Të dua të lumtur, Elsa. Po luftoj midis zemrës dhe arsyes, midis dashurisë dhe detyrës, pikërisht në emër të kësaj dashurie”. Elsa: “Mbase është një marrëzi e madhe dashuria ime për ty, që e do aq shumë lirinë, të udhëtosh, t’i biesh botës qark, tek do ndryshimin, jetën pa halle, pa telashe”.

Mid’hati ishte një qytetar  i lirë evropian, ndaj përpiqej jo pa dilemma, që pasioni dhe jeta familjare  të mos ia  pengonin  dashurinë e madhe  ndaj atdheut dhe detyrën ndaj  çështjës kombëtare, si edhe të mos lëndonin njerëzit e dashur.

Mid’hati pati një letërkëmbim të pazakontë, nga përmbajtja e thuktë, por edhe nga shumësia e letrave, që arrijnë në mijëra e mijëra. Të habit fakti që ku e ka gjetur kohën të shkruajë letra pa fund, kur ka pasur një veprimtari tejet intensive atdhetare, politike, diplomatike, pedagogjike, kulturore, studimore, albanologjike, kritike, botuese, letrare, memoriale, bibliografike dhe përshkrime udhëtimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ai ka shkruar dhe këmbyer letra nga nevoja e kohës, me personalitete, por edhe njerëz të thjeshtë të botës shqiptare si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Mehmet Konica, Kristo Luarasi, Gaetano Petrota, Dr. I.Temo, Dr. M. Turtulli, Fan Noli, Sulejman Delvina, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Gjergj Pekmezi, Ahmet Zogu, Sotir Kolea, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Dhimitër Berati, Aqif Pashë Elbasani, Eshref Frashëri, Pandeli Evangjeli, Arif Dino, Asdreni, Kolë Tromara, Kostë Çekrezi, Mihal Grameno, Avni Rustemi, Samin Visoka, Branko Merxhani,  Mirash Ivanaj, Seit Kemal, Hil Mosi, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Musine Kokalari, Emine Frashëri, Abaz Kupi, Dhimitër Falo, Safet Butka, Sali Mani etj; por edhe me personalitete te shquara të politikës e diplomacisë botërore si presidenti Wilson, Lord Robert Cecil, kryetar i Konferencës së Paqes në Paris, Jules Cambon, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, Eric Drumond, sekretar i Përgjithshem i Lidhjes së Kombeve, D’Estornuelles de Constand, Lloyd George, Aristide Briand, Aubrey Herbert, Edit Durham, Justin Godart, Baron Hayashi, Telford Erickson, Jean Pelissier, I.S. Barnes, Morton Eden, A.J.Balfour, Rene Vivian, K.Ishii, Bill Maklin, Alexandër Kirk, Julian Emer etj. si edhe ministra, deputetë, këshilltarë, ambasadorë, shkrimtarë, kryeredaktorë agjencish, gazetash e revistash, miq dhe armiq të Shqiperisë dhe të Mid’hat Frashërit.

Po ashtu, pati letërkëmbim me personalitete te shkencës  evropiane si M.Shuflai, G.Weigand, E.Pittard, M.Roques, M. Tomasie, H. Pedersen, N. Jokli, Prof.Meillet, E.Legrand etj

Letërkembimi është hulumtuar dhe nxjerrë në  Arkivin Qendror të Shtetit,  Arkivin e Ministrisë së Jashtme dhe  arkivat e bibliotekat e Turqisë, Francës, Britanisë së Madhe, SHBA, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, etj, kryesisht në gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht.

Ky letërkëmbim është ngërthyer tek vëllimi VI dhe VII i kolanës “Mid’hat Frashëri- Vepra të zgjedhura” botim i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” Tiranë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...