Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka paralajmëruar për pasoja anëtarin serb të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik
2021-12-16
rEPUBLIKA sRPSKA DHE PRESIDENTI I SAJ DODIK NËN THJERZEN E DEPARTAMENTIT AMERIKAN
Tryeza me BE për lirinë e medias/ Soreca: Kërcënimet dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve ekzistojnë, madje deri ditët e fundit. Gazetarët: Kemi vetëcensurë, informacionet në institucione janë hermetike
Gazetarët pohuan se janë të pambrojtur gjatë veprimtarisë së tyre dhe se kufizimet e shumta prej autoriteteve nxitin auto-censurën.Komisioni Europian theksoi në raportin vjetor se në Shqipëri ekzistojnë ende sulmet verbale, fushatat shpifëse dhe kërcënimet kundër gazetarëve.
Qendra Res Publica organizoi sot, së bashku me Këshillin e Europës dhe Bashkimin Europian, një diskutim publik mbi Sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve shqiptarë.
Përfaqësuesja e Qendrës Europiane për Liri të Medias dhe Shtypit, me qendër në Lajpcig të Gjermanisë, Flutura Kusari, thotë se gjendja e gazetarëve në Shqipëri është vërtet e keqe dhe një nga më të rëndat në Europë.
“Arsyeja pse ne vazhdojmë ta përsëritim se gjendja është e keqe, është për shkak se nuk ka vullnet politik për t’u përmirësuar situate e gazetarëve. Po flasim në një shtet si Shqipëria, ku gazetarët nuk janë të lirë që të raportojnë. Shumica e gazetarëve, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk kanë të drejtë të vendosin se çfarë është në interes të publikut dhe çfarë jo. Pra, ata kanë një vetëcensurë për shkak të kushteve në të cilat jetojnë. Gazetarët jo vetëm që nuk kanë kontrata, por edhe ata që kanë, nuk kanë qasje në ato kontrata. Paguhen cash, nuk kanë qasje në informacione dhe kanë një mbyllje hermetike të institucioneve. Në takime si sot ne e dokumentojmë se çfarë po ndodh, por për aq kohë sa nuk ka vullnet politik nga Partia Socialiste në këtë rast që të përmirësohet situata, do të vazhdojmë të kemi një situatë të rënduar dhe një nga më problematiket në kontinentin e Europës. Jo më keq se Turqia,
Polonia, Azerbajxhani, por është jashtëzakonisht të rënduar” – thotë zonja Kusari.
Shqetësimit të gazetarëve shqiptarë iu bashkua përsëri sot ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili theksoi se asnjë gazetar nuk duhet të të dëmtohet për shkak të punës që bën, se ata duhet të ndihen të sigurt për të punuar, dhe se pa lirinë e medias nuk ka shoqëri të lira dhe demokratike.
Ambasadori Soreca tha se liria e shprehjes dhe e medias është një pikë e rëndësishme në marrëdhëniet e BE-së me vendet kandidate si Shqipëria, dhe një standard kyç me të cilin BE-ja vlerëson përparimin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit.
“Raporti vjetor i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2021 vëren se atmosfera e sulmeve verbale, fushatat shpifëse dhe akte e kërcënimit kundër gazetarëve ekzistojnë ende madje deri ditët e fundit, – thotë ambasadori Soreca. Raporti theksoi se për asnjë nga sulmet e raportuara kundër gazetarëve vitin e kaluar nuk pati dënim të formës së prerë, kur përkundrazi nevojitet tolerancë zero ndaj sulmeve kundër medias. Ai këmbënguli te vetërregullimi në mediat online dhe theksoi se parlamenti dhe qeveria i kanë kanë konfirmuar BE-së se nuk kanë asnjë qëllim për të vazhduar me diskutimin dhe miratimin e të ashtuquajturit projektligj për median. “Nëse do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin e tyre në të ardhmen, presim që parlamenti dhe qeveria të mbajnë angazhimin e tyre për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm i këtij projektligji të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe t’i nënshtrohet konsultimeve të duhura me palët e interesuara dhe me bashkësinë e mediave” – tha ambasadori Soreca.
Ndërsa reporterja investigative, Lindita Çela, pjesë e projektit për raportimin mbi krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, thotë se këto tryeza me ndërkombëtarët janë shumë të rëndësishme për të mbrojtur gazetarët, sepse kanë mbetur të vetemet mënyra për të ngritur zërin dhe për t’I diskutuar problemet. Por pasi mbyllen këto tryeza me ndërkombëtarët askush nuk merret me problemet e vërteta që kanë gazetarët në Shqipëri.
“Pas këtyre takimeve, ne përfshihemi në punën tonë të përditshme dhe të gjitha këto vështirësi që renditen në tryeza të tilla përsëri ngelemi ne vet duke u përballur. Gazetaria në Shqipëri ka aktualisht problematika shumë të mëdha, që burojnë prej dëshirës që ka qeveria për të kontrolluar mediat. Duket se mediat janë krejtësisht nën kontrollin e qeverisë. Ne kemi edhe një vendim të qeverisë, i cili synon të krijojë një agjenci, dhe që ka nisur të quhet ministria e propagandës. Duket se gazetarët janë të lënë të vetëm në betejën e tyre” – thotë zonja Çela.
Vetërregulllimi i bashkësisë së gazetarëve vlerësohet si rruga më e mirë për rregulluar gjendjen kritike, por edhe këtu mbeten përsëri shumë cështje në dorë të qeverisë, thotë zonja Kusari, për sa kohë që mediat ndikohen dhe përdoren fuqishëm nga politika dhe bizneset, që i kanë ato nën pronësi.
“Nuk mund të presësh vetë-rregullim kur shumica e pronarëve të mediave janë biznesmenë, të cilët nuk e kanë median si biznes të parë, por i përdorin ato si mjet për të shantazhuar qeverinë, ose si i thonë këtu në Shqipëri për disa prej tyre, janë gjobëvënës. Nuk presësh në këto kushte që ata të rregullojnë vetveten. Shpresa e parë dhe më e madhe mbetet tek ndikimi ndërkombëtar, sepse Shqipëria aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Ende mund ta përdorim ndikimin ndërkombëtar në mënyrë që të përmirësohen gjërat. Ndonëse situata është e rënduar, ka gazetarë të mirë e të guximshëm, edhe pse në numër të vogël, dhe shpresa është tek ata” – thotë zonja Kusari e Qendrës Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit.
Shqipëria është në prag në hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian dhe nevojitet të përmbushë standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve, të shtojë masat mbrojtëse dhe një mjedis të sigurt pune për ta.
Rregullatori i Brazilit miraton vaksinën kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç
Çështja tani i kalon Ministrisë së Shëndetësisë, e cila fillimisht do të duhet të vendosë nëse do të shtojë vaksinat kundër COVID-19 për fëmijët 5-11 vjeç në programin kombëtar të imunizimit dhe të sigurojë doza me sasi të përshtatshme për fëmijët – një e treta e dozës së të rriturve.
“Vaksinimi kolektiv redukton transmetimin e SARS-CoV-2 për këtë grupmoshë dhe si rezultat, redukton transmetimin nga fëmijët dhe adoleshentët te të rriturit dhe të moshuarit”, tha Meiruze Freitas, drejtoreshë e rregullatorit brazilian të shëndetit duke njoftuar vendimin.
Pandemia ka marrë më shumë se 615,000 jetë në Brazil, e dyta vetëm pas Shteteve të Bashkuara në numër total.
Megjithatë, rastet dhe vdekjet janë ulur pasi Brazili ka rritur vaksinimin. Aktualisht, 66 për qind e 213 milionë banorëve të vendit janë plotësisht të vaksinuar.
Fushata masive e imunizimit vjen pavarësisht komenteve kundër vaksinës nga presidenti i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, i cili ka thënë me shaka se vaksina mund të “të kthejë në një aligator” dhe refuzoi të vaksinohej vetë.
Me botën që shikon me nervozizëm variantin e ri shumë ngjitës të virusit Omicron, Gjermania, Spanja, Greqia, Kroacia dhe Hungaria kanë hapur të gjitha fushatat e tyre të vaksinimit për fëmijët më të vegjël kohët e fundit.
Varianti Omicron tejkalon Deltan, bëhet dominues në SHBA
Në SHBA , varianti Omicron ka tejkaluar Delta në mostrat e ujërave të zeza në Orange County, Florida, thanë zyrtarët.
Pavarësisht disa infeksioneve klinike të konfirmuara, mostrat e ujërave të zeza treguan se varianti i ri është tani lloji dominues. Omicron përfaqësoi pothuajse 100% të shtameve nga objektet e ujërave të zeza në një kampionim këtë javë, tha për AP zëdhënësja e Orange County Utilities Sarah Lux.
Orange County është shtëpia e atraksioneve turistike si Walt Disney World dhe Universal Orlando.
Përhapja e variantit Omicron, EMA: Pilula e krijuar nga Pfizer efikase në luftimin e këtij mutacioni, shtetet ta përdorin!
Rregullatori i Barnave për Bashkimin Evropian, të enjten (16 dhjetor) i ka lejuar shteteve anëtare të BE-së përdorimin e pilulës së Pfizer kundër COVID-19.
Gjigandi farmaceutik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha këtë javë se pilula- një trajtim i ri që është i paraparë të përballojë variantin Omicron- ka zvogëluar numrin e hospitalizimeve dhe vdekjeve tek njerëzit me rrezik, deri në 90 për qind.
“Produkti medicinal, që ende nuk është autorizuar në BE, mund të përdoret për të trajtuar të rriturit me COVID-19, të cilët nuk kanë nevojë për shtesa të oksigjenit dhe të cilët janë në rrezik të shtuar për të kaluar në sëmundje të rëndë”, tha Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) në një deklaratë.
EMA e ka lëshuar këtë deklaratë për të mbështetur autoritetet shtetërore që mund të vendosin në përdorim të hershëm këtë terapi… për shembull për përdorim emergjent, në një periudhë ku shkalla e infektimit është rritur së bashku me vdekjet nga COVID-19 në BE.
Trajtimi i quajtur, “Paxlovid”, është kombinim i dy tabletave që merren ndaras.
“Paxlovid duhet të administrohet sa më herët që është e mundur pas diagnostifikimit me COVID-19 dhe brenda pesë ditësh nga nisja e simptomave”, tha EMA duke shtuar se tabletat duhet të merren më pastaj edhe për pesë ditë të tjera.
Efektet më të shpeshta anësore janë një pengesë në shqisën e shijes, diarre dhe vjellje.
Sipas njoftimit, ky bar nuk duhet të përdoret nga gratë shtatzëna dhe gjithënia duhet të ndërpritet derisa merret terapia.
Deri më tani, EMA veçse ka lëshuar një aprovim për përdorim të ngjashëm emergjent të pilulës të prodhuar nga rivali i Pfizer, Merck .
Varianti Omicron i COVID-19, Franca përforcon kufizimet ndaj udhëtimeve nga Britania
Franca njoftoi sot se për shkak të shtimit të rasteve me Covid në Britani vetëm kategori të caktuara udhëtarësh do të lejohen të udhëtojnë dhe kushdo që vjen nga Britani duhet të vetë-izolohet
.Megjithatë shoferët e kamionëve janë të përjashtuar nga kufizimet, duke qetësuar shqetësimet për vonesa të mëtejshme në zinxhirin e furnizimeve.
“Synimi është të shmangim sa më shumë të mundemi përhapjen e variantit Omicron” tha një zëdhënës i qeverisë franceze. Në Britani varianti Omicron po përhapet me shpejtësi. Franca deri tani ka vetëm 240 raste të konfirmuara, shumë më pak se Britania.
Në bazë të kufizimeve të reja, nga Britania në Francë do të lejohen të hyjnë vetëm shtetasit francezë, ata që kanë leje të përhershme qëndrimi në Francë, ata që kryejnë funksione jetike dhe udhëtarët me qëndrim transit më të shkurtër se 24 orë. Rregullat e reja hyjnë në fuqi pas mesnate të premten.
Basha apo Berisha, kush mund ta sjellë PD-në në pushtet?
Z. Berisha dhe përkrahësit e tij kërkojnë të legjitimojnë veten duke u kapur pas idesë se kryetari Basha nuk mund të fitojë kurrë. Ata thonë se ai është një humbës serial dhe, aq më tepër tani që sulmoi Berishën, ai do ta reduktojë PD-në në një patericë të pushtetit, në një OJQ apo aneks të SOROS-it. Sigurisht, ata përjashtojnë këtu përgjegjësitë e z. Berisha në humbjet e këtyre 8 viteve dhe përpiqen të mos e konsiderojnë rolin dhe efektin e pranisë së tij në politikë.
Në realitet, është e qartë se Partia Demokratike ka pasur një problem serioz në lidhje me drejtimin e saj gjatë këtyre 8 viteve. Ajo ka qenë një parti me dy timonë, ku lideri historik ka imponuar axhendën e tij personale dhe ka ushtruar presion mbi liderin në detyrë. Kjo ka sjellë dublimin e rolit udhëheqës, dobësim të autoritetit të lidershipit, paqëndrueshmëri strategjike dhe një imazh të keq të opozitës në elektorat.
Nga ana tjetër, prania e z. Berisha i ka dhënë Edi Ramës të vetmen alibi për të legjitimuar kërkesën e tij për një mandat të tretë. Ai e përdori këtë për të motivuar votuesit e lëkundur të së majtës të dalin masivisht në votime, me kërcënimin se abstenimi i tyre do sillte në pushtet “gogolin” historik: Berishën. Por gjithashtu, kjo situatë ka bërë që opozita të mos fitojë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, i cili duket qartë se nuk ka qenë i predispozuar të mbështesë një rrotacion që risjell në pushtet Metën dhe Berishën e për këtë arsye ka heshtur ndaj abuzimeve të qeverisë në zgjedhje.
Në këto kushte, Lulzim Basha është detyruar të bëjë opozitë me gjyle nëpër këmbë: Metën dhe Berishën, si dhe enturazhin e tyre politik të konsumuar, të cilët kanë ushtruar presion të vazhdueshëm gjatë gjithë këtyre viteve. Në këmbim të nevojës për të mospërçarë partinë, Basha ka paguar faturën duke tërhequr zvarrë një opozitë të dobët e të pareformuar, me aktorë politikë të ezauruar e pa peshë elektorale, por me fuqi të konsiderueshme përçarëse. E megjithatë, ai arriti të krijojë njëfarë fryme në zgjedhje dhe do t’ia kish dalë të fitojë nëse qeveria nuk do të kish sakatuar procesin zgjedhor me ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës, blerjen e votave, punësimet masive para zgjedhjeve, përdorimin e parave të tërmetit, si dhe një ushtri patronazhistësh, punonjësish administrate, e deri tek elementë nga krimi i organizuar që kërcënuan e mikluan votuesit për të qenë në anën e tyre.
Gjithsesi, në vija të përgjithshme mund të themi se gjithçka që kjo opozitë ka arritur deri tani është sukses apo dështim i të dyve: Bashës dhe Berishës. Tashmë që ky dualitet mbaroi, e ardhmja duhet projektuar mbi avantazhet dhe disavantazhet e secilit më vete.
SHANSET E BERISHËS
Sado që në pamje të parë Berisha duket sikur gëzon mbështetje te pjesa më e zhurmshme e demokratëve, ky është një avantazh i pamjaftueshëm.
Për të ndërtuar një opozitë fituese, nuk mjafton të zgjosh euforinë te militantët më fanatikë, por kërkohet që organizata të hapet jashtë partisë drejt shtresave të gjera të popullsisë. A mund të mendojmë dot se Berisha, aq më tepër në kushtet ku ndodhet sot, me gjuhën linçuese, teoritë e konspiracionit dhe barrën e non gratas mbi shpinë, arrin të marrë vota gri?
Jeta e gjatë në politikë dhe karakteri i tij konfliktual e kanë konsumuar shumë z. Berisha. Ai sot përkrahet vetëm nga një grusht mbështetësish fanatikë që e duan aq fort sa ç’e urren pjesa tjetër. Në këto kushte, ai nuk mund të bëjë dot kurrë një maxhorancë. Rezultati i zgjedhjeve të 2013-s, ku PD-ja, megjithëse në pushtet, humbi Shkodrën dhe Kavajën, tregon se ora e doktorit ka mbaruar me kohë. Shtoji kësaj edhe konsumimin e këtyre 8 viteve dhe sidomos perceptimin e krijuar se ai nuk ikën edhe pasi jep dorëheqjen, kuotat e tij janë më keq se kurrë.
Nga ana tjetër, figurat politike që ai mbledh rreth vetes përbëjnë kategorinë më të konsumuar e më të padëshiruar nga e djathta, çfarë e shton pakënaqësinë dhe mosbesimin. I detyruar të mbesë në rrethin e njerëzve që e mbështesin, Berisha do ta ketë të pamundur të krijojë një parti me fytyrë të re, figura të reja, imazh të ri, ide dhe narracion të pranueshëm. PD-ja e tij do jetë pashmangshmërisht një model i stanjacionit dhe kokëfortësisë politike, i kalçifikuar në të kaluarën e vet tashmë të tejkaluar dhe ezauruar plotësisht. Z. Berisha nuk mund të prodhojë gjë tjetër vetëm se një PD të strukur në guaskën e saj, pa asnjë fuqi për të ngjallur besim dhe entuziazëm tek elektorati i gjerë. Por, edhe sikur PD-ja e tij të jetë më e mira e mundshme (brenda kushteve të sotme), ajo nuk do të vinte dot kurrë në pushtet duke pasur një lider non grata, i kërcënuar nga SHBA-të me izolim ndërkombëtar.
Duket që edhe ai vetë e di që nuk ka asnjë shans për të ardhur në pushtet. Gjuha që ai po përdor i përgjigjet një situate rezistence dhe nuk projekton një opozitë fituese. E mbushur me sulme personale, demaskime e akuza agresive pa limit, e pasuruar me fjalor teorish konspirative të fiksuara pas psikozës së një komploti ndërkombëtar kundër tij, tregon se PD-ja do të ketë për qëllim mbrojtjen e doktorit, jo rrëzimin e Ramës. Vetë aksioni opozitar që ai premton se do ndërmarrë sapo të rikthehet në krye të partisë, është politikë rruge, e cila bëhet gjithmonë për mbijetesë, jo për të ardhur në pushtet. Kjo opozitë nuk paraqitet si një alternativë qeverisëse, por si garnizon ushtarak që të vetmen armë ka kërcënimin e stabilitetit politik si shantazh ndaj ndërkombëtarëve.
SHANSET E BASHËS
Nga ana tjetër, Basha ka tashmë një mori vështirësish dhe problemesh të mbivendosura prej 8 vitesh. Ai ka një pati të përçarë, të demoralizuar nga humbjet, të sulmuar nga të gjithë faktorët, brenda dhe jashtë saj, çfarë ka sjellë, ndër të tjera, një konsumim të vetë kryetarit. Në rastin e një fitoreje të tij përballë Berishës (që duket se do jetë skenari më i mundshëm) sfida e tij do të jetë shumë e vështirë, për të zbutur dëshpërimin dhe agresivitetin e krijuar gjatë kësaj përballjeje, por edhe për t’u shkëputur nga modeli politik i këtyre 8 viteve.
Megjithatë, ai ka në favor kohën. Duke pasur një rrugë të gjatë deri në zgjedhje, nëse ai do të dijë të krijojë një frymë të re opozitare, të krijojë ekipe pune seriozë si dhe të arrijë suksese të rëndësishme në betejat institucionale, ai mund ta rikthejë besimin e humbur te shumë prej atyre që sot e urrejnë. Duhet thënë se para katër viteve ai ka qenë në një situatë të ngjashme pakënaqësie të thellë dhe ia doli deri diku ta meremetojë imazhin e vet në zgjedhje.
Përtej pasojave të konfliktit, Basha ka një problem të madh afatgjatë me partinë, të ardhur nga klima që ka kultivuar berishizmi ndër vite. Ai është midis dy zjarresh: Nga njëra anë atij i duhet të fitojë elektorat gri, nga ana tjetër të krijojë besim te militantët, të cilët kanë pritshmëri krejt të tjera, madje të kundërta, me pjesën tjetër të shoqërisë. Për të qenë i pëlqyer jashtë rretheve partiake, atij i duhet të bëjë politikë institucionale e të shfaqet si një lider modern, institucional, racional, me teza dhe artikulim që u përgjigjen nevojave të gjera të shoqërisë. Për të fituar zemrat e militantëve, atij i duhet të jetë ekstremist, agresiv e luftarak, me një gjuhë denoncimesh, akuzash e sulmesh agresive që kënaqin epshin e tyre revanshist.
Do të duhet shumë punë, për të prodhuar fitore institucionale dhe për t’i bindur demokratët mbi vlerën reale të tyre, përballë perceptimit se opozitë e fortë është vetëm ajo e bojkotit, molotovëve dhe gangsterizmit revolucionar. Alternativa populiste e artikuluar nga foltorja, se Rama bie me protesta masive, është një instrument që do ta vërë atë në presion të vazhdueshëm, siç ka bërë gjatë këtyre 8 vjetëve, duke mbajtur ndezur brenda partisë pakënaqësinë ndaj lidershipit.
Një ndër faktorët që mund ta avantazhojë z. Basha në rrugën e tij politike është përkrahja ndërkombëtare. Opozitës i duhet doemos të përfshihet në një betejë institucionale për të arritur një sërë kërkesash të rëndësishme, përfshi këtu edhe ndryshime kushtetuese, të cilat nuk mund të bëhen pa përkrahjen e aktorëve ndërkombëtarë. Nëse vullneti i tyre është të përkrahin ndryshimet që garantojnë rregulla loje të barabarta, kjo do të jetë një fitore që, përveç efekteve të drejtpërdrejta institucionale, do të mund të krijojë edhe idenë e një opozite të suksesshme dhe efektive.
Në fund, suksesi i opozitës do të varet nga sa ajo do të jetë e aftë të prodhojë frymë, ekip, fabul, e narrativë të re, si dhe sa do të jetë e aftë të ofrojë një platformë qeverisëse për t’u perceptuar si një alternativë që ia vlen. Fabula duket se është krijuar tashmë: Opozita mund të projektohet si iniciatore e transformimeve që godasin, jo vetëm qeverinë, por gjithë sistemin politik e financiar, që ka prodhuar kapjen e shtetit gjatë këtij tranzicioni. Mbetet që kjo të materializohet në një aksion politik serioz e këmbëngulës. Opozita e ka tashmë një shans dhe është në dorën e saj nëse do të dijë ta shfrytëzojë.
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...