2021-12-20
Tronditet opinioni publik/ “Kishte një të kaluar të dhimbshme traumatike", shqiptari i jep fund jetës duke u vetëvrarë në gjykatën e Francës, i kishin vrarë 15 anëtarë të familjes
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Francë, ku një shqiptar nga Kosova, 41 vjeç, i dha fund jetës së tij duke u vetëvarur në bodrumin e gjykatës në Bordo të Francës. Ai kishte refuzuar të hipte në një aeroplan dy ditë më parë për t’u kthyer në Kosovë, shkruan gazeta franceze, Le Monde.“Ai mbërriti në Francë rreth 15 vjet më parë, duke ikur nga konfliktet ndëretnike dhe një situatë të paqëndrueshme politike”, tha avokatja e tij, duke pasur parasysh dosjen që i është komunikuar. “Ai kishte një të kaluar të dhimbshme traumatike të lidhur me vrasjen në të njëjtën ditë të pesëmbëdhjetë anëtarëve të familjes së tij. Ai u largua nga vendi i tij me vëllain e tij, i cili do të jetonte në Alsace. Ai nuk ka më familje, nuk ka më njeri atje.”
Zëri i Amerikës: Vuçiç në Tiranë për ‘Open Balkan’, protestë e Berishës
Në Shqipëri, ish kryetari demokrat Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, organizuan sot në mbrëmje në Tiranë, një manifestim proteste kundër projektit “Ballkani i hapur” dhe vizitës në Tiranë, në këtë kuadër, të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili nesër, së bashku me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe atë shqiptar Edi Rama do të zhvillojnë takimin e radhës të këtij projekti.Ndërsa ndodhen në një betejë të hapur me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, të cilin e konsiderojnë të shkarkuar pas Kuvendit të thirrur në 11 dhjetor dhe referendumit të organizuar të shtunën, mbështetësit e zotit Berisha, u mblodhën në oborrin e selisë së PD-së. Në pritje të mbërritjes së ish kryetarit Berisha, ata shpërthyen herë pas here në thirrje kundër zotit Basha. Prej andej, të gjithë së bashku u drejtuan në këmbë për nga selia e Qeverisë, ku ishte ngirtur dhe një podium.
“Kjo është një protestë kundër projektit fantazmë, të aleancës trilaterale Beograd-Tiranë- Shkup, apo të treshes Vuçiç dhe vasalët e tij, Rama e Zaev”, deklaroi zoti Berisha që në hyrje të fjalës së tij, duke shpjeguar se nuk bëhet fjalë për një manifestim kundër bashkëpunimit rajonal. “Eshtë protestë kundër një projekti i cili shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit, përveç Beogradit, kundër një projekti i cili është refuzuar në mënyrë kategorike nga Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt i cili nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në këtë rajon”, u shpreh zoti Berisha. Sipas tij “Open Balkan”është një “projekt djallëzor, një përpjekje aventurierësh për të zëvendësuar nismën e Berlinit, projektin europian të integrimit të rajonit në BE”.Zoti Berisha dhe organizatorët e protestës kujtuan disa herë se ajo ishte thirrur me urgjencë, brenda 48 orësh, duke justifikuar kështu dhe pjesmarrjen modeste. Manifestimi u zhvillua qetësisht, me përjashtim të disa flamujve serbë të cilët u dogjën nga grupe të vogla protestuesish.
Në takimin e nesërm, udhëheqësit e të tre vendeve, shoqërohen dhe nga anëtarë të kabineteve qeveritare si dhe sipërmarrës. Eshtë njoftuar po ashtu dhe pjesmarrja e James O’Brien, përfaqësues i Këshillit të Atlantikut. Pak kohë më parë Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Presidenti Biden synon ta emërojë atë si koordinator për politikën e sanksioneve, në Departamentin e Shtetit, një post i lartë në rang ambasadori.
Në takim do të jetë gjithashtu dhe drejtuesi i Fondacionit për një Shoqëri të hapur, Alex Soros, ndërsa në seancën e hapjes do të ketë një fjalim të Komisionerit europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili do të ndërhyjë përmes një lidhjeje online.
Në përfundim të takimit, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje që kanë të bëjnë, me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Nisma Ballkani i hapur ka hasur në kundërshtitë e forta të qeverisë së Kosovës, ndërsa kanë refuzuar t’i bashkohen edhe Bosnja e Mali i zi, që po ashtu e shohin atë me skepticizëm. Kryeministri Edi Rama, një mbrojtës i flaktë i projektit, e sheh atë si një mekanizëm të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit, dhe një “projekt strategjik për interesat e Shqipërisë dhe tërë kombit shqiptar”.
Ende nuk ka hequr dorë? Bora Zemani jep mesazhin 'e koduar' për Donaldin: Nuk ecën përpara nëse...
Bora Zemani disa herë përmes emisionit 'Përputhen', i ka dërguar mesazhe Donaldit, e që një gjë të tillë e ka bërë edhe së fundmi.Takimi i një çifti në “Për’puthen” nuk shkoi edhe aq mirë, e për të cilin kishte disa fjalë edhe moderatorja.
“Pa u sqaruar deri në fund gjërat nuk ecet përpara”, u shpreh Bora duke cituar fjalët e opinionistit, Arjan Konomi, i cili poashtu kishte hedhur ‘kunja’ në kohën kur u zyrtarizuar lidhja e Donaldit me Beatrixën.
Mediat serbe “djegin” Tiranën, shihni se çfarë shkruajnë për protestën që organizoi Prof.Dr..Sali Berisha
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur disa qindra protestues para Kryeministri në protestën e thirru prej tij kundër Aleksandër Vuçiç, i cili vjen në Tiranë në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
Kjo protestë është lajm kryesor tani në mediat serbe. “Kurir” raporton se “ekstremistë shqiptarë, të ndihmuar nga të tjerë nga shqiptarë nga Kosova janë mbledhur para kryeministrisë për të protestuar kundër presidentit të Serbisë”.
Ndërkohë, “Blic”, po ashtu media pranë qeverisë, i referohet djegies së fjalmujve serb në Tiranë duke e cilësuar situatën si kaotike. Në fakt përveç protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një perimetër të kufizuar, nuk ka asgjë kaotike në kryeqytetin e Shqipërisë.
Ndërkohë, “Alo,rs”, një portal i njohur për qendrime ekstremiste ndaj shqiptarëve e cilëson “të tmerrshme situatën në Tiranë” duke theksuar se shqiptarët dogjën dhe kërcënuan Serbinë.
Nobelisti Eliot dhe “hiri” grotesk i Tokës së djegur, në krijimtarinë e tij poetike
Nga Sejdo Harka
Tomas Sterns Eliot, ky akademik polivalent i kulturës amerikane dhe angleze, ka mbetur në memorien e lexueseve, jo vetëm si pionier i parë i poezisë moderne, që përcjell idetë e standardizuara të kohës, por dhe si një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë botërore të shekullit të XX .I tronditur thellë nga luftërat shkatërruese të ‘’Tokës së djegur’’, të mbetur shkretë dhe metamorfoza që po pësonte njeriu tokësor dhe shoqëria e kohës, si rezultat i të ashtuquajturit ‘’Revolucioni i yjeve’. Ai, nëpërmjet groteskut të tij poetik, kërkon të ndërtojë mrekullinë e botës qiellore kristiane, si të vetmen shpëtimtare të njerëzimit të kohës. Këtë, Eliot-i, u mundua ta bënte nëpërmjet tërë arsenalit të tij krijues shumëplanësh. Ai u shqua si eseist e dramaturg ,kritik letrar dhe botues, sociolog dhe publicist. Por, fusha mbi të cilën ngriti tempullin e famës së tij të padiskutueshme, ishte poezia origjinale, ku përmes ‘’icebergut ‘’ të tij poetik, kërkon ta largojë njeriun e kohës nga të këqijat e botës tokësore, për ta kthyer drejt ‘’kthjelltësive shpirtërore’’ të botës kristiane.
Po kush është në të vërtetë Tomas Sterns Eliot?
Ai u lind më 26 shtator të vitit 1888,në St.Lauis, Missuri, në një familje të pasur, që emigroi nga Anglia për në Amerikë, nga fundi i shekullit XVII.E ëma e tij ishte një aktiviste e shumë veprimtarive social-kulturore të kohës shkruante poezi. I ati ishte një biznesmen i suksesshhëm, ndërsa gjyshi ishte një nga drejtuesit kryesorë të Kishës së New England-it dhe themelues i Universitetit të Uashington-it. Nga viti 1906 deri në vitin 1916, ai kreu studimet e larta për filozofi dhe letërsi në universitetet më të mira të botës si ai i Harvardit, Oxsfordit dhe të Sorbonës, ku përgatiti temën për metafizicienin anglez F.H.Bradhey-i. Por lufta nuk e lejoi atë ta mbronte këtë studim me gojë. Ky është momenti i largimit të tij përfundimtar nga karriera akademike, për të nisur rrugën e mbarë të poezisë, e cila më pas do t’i jepte emrin e merituar. Nisi të shkruajë letërsi, pa ndërprerë, duke ecur në gjurmët e poezisë tradicionale të Arthur Symons dhe Julis Lafaige, poezitë e të cilëve i zgjeron koncepsionin dhe talentin poetik. Edhe pse në Amerikë ai bënte një jetë të mirë, largohet andej, për t’u rikthyer në Anglinë e origjinës së tij familjare, që vitin 1915 ,për të mos u larguar kurrë ,deri sa vdiq, më 4 janar të vitit 1965. Për herë të parë u martua me Vivin në vitin 1915, por kjo martesë nuk shkoi gjatë. Ndaj u martua për së dyti herë me Esme V. Fletcher, në vitin 1957, me të cilën kaloi tërë jetën. Karrierën e tij e nisi si mësues, ndërsa nga viti 1917-25 punoi si nëpunës në departamentin e marrëdhënieve me jashtë në Lloyd Bank, me shpresën se do të gjente kohë për t’u marrë edhe me poezi. Krijimet e tij të para dallohen për temat e urta dhe motivuese për lexuesit. Tomas Eliot, edhe pse me origjinë angleze, duke filluar nga viti 1927, koha kur hoqi dorë përfundimisht nga shtetësia amerikane, mbeti poet tipik amerikan, vazhdues i artit të Emerson-it dhe Uitman-it. Bashkë me, Paund-in, do të bëhej model dhe frymëzues për poetët modernë të kohës. Me lëvizjen për letërsinë moderne ai, bashkë me shokët e tij u bënë një shkollë e vërtetë letrare dhe estetike. Eliot, si poet tipik ekstravagant e modern, në krijimtarinë e të cilit ndërthuret bukur eseja me vjershërimin, do të nderohej me disa çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare si : “Medalja e Artë e Mbretëreshës së Britanisë Madhe”. Por çmimi që do t’i jepte një njohje më të madhe në botë, do të ishte ai, “Nobel” për letërsinë për vitin 1948,dhënë nga Akademia Suedeze e Shkencave. Tomas Eliot, në fjalën e tij, më 10 dhjetor të vitit 1948, mbajtur në Banketin e Nobelit në Bashkinë e Stokholmit, mes të tjerash thekson: ”Tek Çmimi ‘’Nobel’’ shoh dashamirësinë tuaj për të më kthyer në simbol të veçantë. Gjuha e poezisë është e veçantë. Të shijosh poezinë e një gjuhe tjetër, do të thotë shijosh mirëkuptimin e atij populli me popujt e tjerë.P ër Eliot-in poezia e çdo vendi do të prishej, dhe ndoshta do të zhdukej, po të mos ushqehej nga poezia e gjuhëve të tjera të botës. Prandaj ai mendon se Çmimi’’ Nobel’’, një poeti i jepet, në radhë të parë, për vlerat mbikombëtare të poezive të tij.
Përfaqësuesi i Akademisë Suedeze, në këtë banket, Gustaf Hellstrom, laurantit të këtij çmimi i drejtohet me këto fjalë: ”Për ju z.Eliot, shpëtimi i njeriut qëndron në ruajtjen e traditës kulturore. Tradita nuk është ngarkesë e vdekur. Ajo është dheu në të cilin hidhen farat e të mbjellave të ardhshme”. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Akademie, Andres Osterling,në fjalën e prezantimit të këtij çmimi të madh, duke e quajtur Eliot-in poet të idealeve të standardizuara, mes të tjerash thekson: ”Në krijimtarinë e tij gjej një theks të veçantë për të çarë ndërgjegjen e brezit tonë me mprehtësinë e diamantit. Ashtu siç thekson dhe Ostrerling, Eliot, në mënyrë të veçantë shkëlqen, jo me anën sasiore, por atë cilësore të poezive, të cilat ngrihen nga thellësitë e Oqeanit si një majë shkëmbore dhe formon një gur-themeli, me fuqinë mistike të një Katedraleje. Është një poezi që mban vulën e përgjegjësisë strikte dhe të vetdisiplinës së jashtëzakonshme. Ajo përqendrohet në gjërat esenciale, larg emocioneve. Është e ngurtë si graniti dhe e pastolisur, por e ndriçuar nga një rreze e befasishme, që buron nga hapësira e pakohë e mrekullive…’.’Përmbajtja e poezive të Eliot është e pazakontë, që mbart probleme, të cilat duhen tejkaluar dhe pengesa, që duhen kapërcyer. Revolta e tij ndaj realitetit të kohës, është revolta e një të krishteri. Nuk e stërmadhon forcën e poezisë, në raport me atë të religjionit, por ai është i bindur se jeta tokësore është krejtësisht një evazion i vazhdueshëm i vetë njeriut. Me fjalën traditë ai nënkupton lëvizjen, diçka që nuk mund të jetë statike. Në krijimtarinë e tij mbizotëron mendjehollësia e lartë, imagjinata, dhe analiza në thellësitë e nënujshme të ‘’icebergut’’.
Siç kemi përmendur edhe më lart, krijimtaria e Eliot-it është shumëdimensionale. Me esetë e tij, ai shpalos dimensionet akademike për nocionet bazë të teorisë së letërsisë. Në to ai shpreh idetë dhe shijet klasike në letërsi, ruajaliste në politikë dhe anglokatolike në besim. Një nga esetë e tij më të mira, përmes të cilës ai përçon mendime dhe ide të thella, është ajo me titull “Tradita dhe talenti individual”. Në të theksohet se, tradita ekziston jashtë rrethanave dhe kohës, që shkruan poeti. Shkrimtari i madh është ai, që shkruan kohën e vetë dhe që me idetë e tij troket në botën e të ardhmes.
Tomas Eliot shkroi edhe 7 dramë në vargje, si ajo me titullin “ Vrasja në Katedrale” (1935) dhe “Partia Koktej” (1949), të cilat, edhe pse në thelb janë religjioze, u vunë në shumë skena të Londrës dhe në disa vende të tjera të botës. Ishte koha, kur edhe pse ishte bërë plotësisht qytetar anglez, vazhdonte të shkonte në SHBA për të dhënë leksione në universitetet e tyre të rëndësishme për çështje të Filozofisë, Teorisë Artit e Letërsisë dhe të Sociologjisë.
Megjithatë, ai u shqua veçanërisht në fushën e poezisë, të cilat janë përkthyer , jo vetëm në shumë gjuhë të botës ,por edhe në gjuhën shqipe, nga shqipërues të njohur si Gentian Çoçoli. Janë të shumta poezitë e tij që ruhen edhe sot e kësaj dite në fondacionin e’’Nobelit’’ të Akademisë Suedeze. Por ne, më poshtë po ndalemi tek ajo me titullin “The Rok”(Rroku). Vargjet e kësaj poezie, tingëllojnë si një pamflet grotesk, kundër shoqërisë moderne të kohës, që vinte si refleksion i të ashtuquajturit “Revolucion i Yjeve”.J a disa nga vargjet e saj, ku pjesa e nënujshme e’’icebergut’’poetik, shfaqet drejtpërdrejt, pa nevojën e intuitës zhbiruese metaforike: ”O ti revolucion i përjetshëm i yjeve t’ë mirëvendosur/o ti botë e pranverës, bindjes dhe vdekjes/Ky qark i pafund idesh dhe veprimesh/Që sjell dituritë e lëvizjes, por jo të prehjes/E gjithë kjo dituri më afron më pranë vdekjes”. Eliot-i, i tronditur nga shkatërrimi shpirtëror dhe moral i njeriut nga degradimi i shoqërisë, përmes gjallërimit të krimit shtypjes dhe shfrytëzimit, si rezultat i të ashtuquajturit “Revolucion i yjeve”, që kishte sjellë një shoqëri hibride ,e fshikullon atë ashpër përmes apostrofit grotesk. Duke i mohuar këto metamorfoza, që në dukje shfaqen si moderne, ndërsa në të vërtetë bëhen shkak për regres, poeti shpëtimin e njeriut dhe të shoqërisë e kërkon te krishtërimi. Ndaj, më poshtë shkruan: ”Ku është vallë jeta që kemi humbur, që në gjallim/ku është mençuria që humbëm me informacionin!?”. Për Eliot-in, është koha kur njerëzimi ka humbur udhën e vërtetë të bekimit, ndaj qytetërimin dhe njerëzit e kohës i fshikullon nëpërmjet vargjeve sarkastikë: ”O qytete të ndyta…/O ju brezi i njerëzve të ditur’’, që s’dini ç’bëni. Ndërsa Zoti, i zhgënjyer nga njerzëit e kohës, nëpërmjet gojës së tij, u drejtohet atyre me vargjet qortuese: ”Unë ju kam dhënë duart ,që ju i kthyet nga adhurimi/Unë ju kam dhënë buzët, për t’ju shprehur ndjenja miqësie/Unë ju dhashë fuqinë e zgjidhjes, dërsa ju, thjesht alternativën’’.
Vepra e Eljot-it, thotë poeti i madh G.Mitosz, është një përpjekje për të treguar se, poezia religjioze mund të fitojë sërish privilegjet e dikurshme. Një nga vëllimet poetike që i dha famën më të madhe Eliot-it, është ajo me titullin “Toka e shkretë”. Në poezinë “Varrimi i të vdekurve”, përmes vargjeve metaforikë peisazhikë:”Dimri mbajti ngrohtë, mbështolli/dheun me harresë dëbore ushqeu/Një bulbë jete, me bulbë të tharë”, shpreh trishtimin që përcjell një jetë e fikur e tjetersuar,t ashmë në një grusht’’ hiri.’’Qytetet e kohës i quan qytete ireale, kufomat e mbjella në kopshtet e tyre, nuk dihet në se “Do të lulëzojnë sivjet/apo ngrica e parë, ua ka prishur shtatin”. Heroi lirik i Eliot-it, duke predikuar zjarrin, pas një shkrumbulli ere ndien “Rropama kockash dhe ngërdheshje të frikshme vesh më vesh”. I pakënaqur nga realiteti i kohës, me dëshpërim e dhimbje u drejtohet njerëzve të zhgënjyer me vargjet: ”O të mirët e mij/Njerëz që prisni hiçin/O zoti im, shkulëm që andej” (22), që jo vetëm kërkon ta mohojë këtë realitet të trishtë, por edhe të largohet prej tij sa më parë. Simbolika, sa groteske, aq dhe metaforike, bëhet akoma më e thellë në vargjet e poezisë “Çfar i tha bubullima:”O mik i shtrenjtë,gjaku ma shkallmon zemrën/Dhe kjo nuk do të shkulet në nekrologjinë tonë”…
Disa nga poemat e Eliot-it siç është “Toka e Shkretë” (1967), e marrin frymëzimin nga legjendat e ripërtërira, të mara nga poetët simbolistë pararendës të tij. Ripërtëritja e miteve të lashta i jep atij forcë për te stigmatizuar dukuritë e këqija të shoqërisë moderne të kohës. Motivin e shkatërrimit të tokës, ai e merr nga tragjedia “Edipi Mbret” e Sofokliut, i cili tregon se shkatërrimi i Tebës vjen si rezultat i incestit të Edipit me të motrën e tij Jokastrën. Edhe për Eliot-in, Toka e djegur, është rezultat i marrëzisë së tokësorëve të kohës. Ndërsa motivi i poezisë “Vdekja nga uji”, buron nga motivi i ringjalljes së shpirtit të njeriut, gjë që për autorin nuk do të vijë nga njerzit tokësorë, por nga kozmosi kristjan,i çliruar nga veset dhe të këqijat tokësore. Në poezinë’’ Çfarë tha bubullima”, Eliot-i, rrënimin e shoqërisë e sheh te Evropa Lindore, e pas Luftës së Dytë Botërore, që solli mortajën Bolshevike të Stalinit.
Një nga përmbledhjet më të bukura poetike të Eliot-it, është ajo me titullin “Katër Kuartetet”(1943),ku përfshihen 4 poema. Shkrimi dhe botimi i tyre i kushtoi atij një kohë të gjatë prej tre dekadash me radhë. Edhe në këto vepra, simbolika dhe imagjinata e krishterë, është e pranishme kudo. Kjo vjen si rezultat i konvertimit të tij të plotë në një i krishterë i devotshëm , që në vitin1927.Në të katër poemat zënë vend disa dukuri të përbashkëta si: lakonizmi gjeografik, meditacioni përshkrues mbi natyrën, teologjia e krishterë, sentencat filozofike…Brendia e tyre është refleksion i katër stinëve.”Burunt Norton”, është refleksion i fillimit të verës., “Esat Coher” simboli i tokës në fillim të verës.,”The Dry Salvoges”,simboli i ujit dhe i vjeshtës dhe “Lidtte Giddi”, simbol i zjarrit dhe i dimrit. Këto poema janë të shkruara me një gjuhë të bukur eseike, poetike ,që edhe pse në bosht kanë të njëjtën brendi, secila poemë ka veçoritë e saj të papërsëritshme. Për shkak të ideve të mëdha dhe muzikalitetit poetic, ato janë kthyer në simfoni muzikore. Në qendër të poemës “Burunt Norton” (1935), vendoset një kështjellë e braktisur, e ndërtuar mbi rrënojat e një shtëpie të hershme, e cila shkrumbohet nga zjarri. Ndaj u quajt “Shtëpia e djegur”. Pranë saj ndodhet një kopsht me trëndafila. Vargjet e poemës janë një meditacion i thellë, përmes të cilit përballen idetë tokësore me ato qiellore të besimit Kristjan. Poema nis me vargjet: “Kohë e tashme dhe kohë e shkuar/Janë ndofta të pranishme në kohën e ardhshme/Dhe kohë e ardhshme , gjehet në kohën e shkuar”(53),vargje, që kanë vlerën e një sentence filozofike përmes së cilës bëhet lidhja logjike mes të tashmes, të shkuarës dhe së ardhmes. Vargjet: “Hapat që jehojnë në kujtesë/Poshtë udhës që kurrë nuk morëm/Dhe që kurrë nuk hapëm”, shprehin pamundësinë e njerëzve për realizimin e ëndrrave të njerëzve të kohës. Për Eliotin ”koha e shkuar dhe e ardhshme” kërkon ndërgjegjësim nga të gjithë njerëzit, për t’u larguar nga angazhimet tokësore. Varfërimi i botës së ndjenjave, dëbimi i botës së hamendjes, plogështimi i botës së shpirtit, janë burimi të këqijave të kohës.
Poema e dytë e këtij vëllimi “Sest Coher” (1940),lidhet me emrin e fshatit anglez, nga buron origjina familjare e Eliot-it, e cila thuhet se ne vitin 1967 emigroi në Boston të Amerikës. Poeti këtë fshat e vizitoi për herë të parë në vitin 1936. Edhe sot në këtë fshat ruhet një pllakatë përkujtimore që përjetëson figurën e poetit. Ndërsa në kishën e fshatit ruhet hiri i trupit të Eliotit. Në pllakatë shkruhet ,me shkronja të arta, epitafi me vargjet që hapin dhe mbyllin këtë poemë: ”Në fillimin tim është fundi im/Në fundin tim është fillimi im” që ka vlerën e një sentence filozofike, e cila shpreh idenë e ripërtëritjes ciklike të jetës dhe shoqërisë, ide që thellohet nëpërmjet vargjeve: ”Pas lindjes vjen vdekja, ashtu si pas një vdekje vjen një lindje”. Poema është dhe një refleksion për pafuqishmërinë e kohës për ndryshimin e gjërave dhe paaftësinë e tokësorëve për ndalimin e degradimit ekonomik, shpirtëror dhe moral të shoqërisë së kohës. Për poetin, njeriu ndeshet me një shumëllojshmëri kohërash: me kohën për të ndërtuar, për të jetuar dhe për të prodhuar, me kohën e stinëve dhe kohën e yjeve. Bile, siç thotë dhe vetë ai, edhe me “kohën e bishave”. Për poetin, asgjë nuk ka mbetur nga e kaluara. Ka vetëm një rrugë shpëtimi. Dhe kjo, fatkeqësisht, është nënshtrimi, gjë që e shpreh në vargjet: ”E vetmja dije që shpresojmë/është dija e përuljes dhe e padijes”. Kjo rënie shpirtërore ndodh, jo sepse Eliot-i nuk e njeh vlerën e dijeve, por sepse i është lëkundur besimi tek vlera njerëzore tokësore. Këtë mosbesim ai e mbyll me vargjet :”Ajo që nuk di, është e vetmja gjë që di/dhe, ajo që ke, është ajo që nuk ke”, e cila edhe pse u ngjan kalambureve, shpreh mosbesimin tek dijet dhe shpirti i njerëzve të kohës. Për Eliot-in, tek fillimi i jetës së njeriut të kohës, qëndron dhe fundi i tij. ”Njeriu është krijesë e Zotit dhe për Zotin” ide që e shpreh më qartë në vargun “Në fundin tim është fillimi im”(105).
Poema “The Dry Salvages” e ka marrë titullin nga një grup i vogël shkëmbinjsh me të njëjtin emër, ku familja e Eliotit pushonte shpesh. I lindur buzë Misisipit, ai ushqente një admirim të veçantë për lumenjtë, të cilët i quan Zot, të papajtueshëm dhe kokëfortë. Për poetin qeniet njerëzore janë të pafuqishme ndaj kapriçove të natyrës .Ato, as mund të kontrollojnë dhe as mund ta kuptojnë kohën, gjë që e shpreh nëpërmjet vargjeve: ”Ne s’mund të mendojmë për një kohë, që nuk është oqeanike/Për një të ardhme që nuk është mashtruese.” Për të, e vetmja shpresë do të ishte Krishtërimi. Edhe dhimbja, edhe lumturia, janë njëlloj të pakuptueshme. Koha, herë bëhet varrmihëse dhe herë mbrojtëse e njeriut. Elioti ,nuk e kërkon të ardhmen e njeriut, as te horoskopi, as te magjia, sepse ato i quan dëfrime, droga të kohës.
“Litte Gidding “ (1942),është poema e katërt e Kuartetit ,e cila titullin e ka marrë nga emri i një fshati anglez, i cili ka qenë strehë e një komuniteti religjioz të lashtë. Ky komunitet u shkatërrua nga Chales i Parë, që në vitin 1946.Fillin e frymëzimit për këto vargje e merr nga Komedia Hyjnore e Dandes. Thelbi i brendisë së saj është raporti mes përjetësisë dhe rëndësisë së objekteve, veprimeve dhe ndjesive të harxhuara kot nga njerëzit. Përmes vargjeve të saj, poeti bën thirrje për çlirimin e njeriut nga e shkuara dhe e ardhmja, për të jetuar sa më mirë të tashmen. Për poetin, dashuria është e kundërta e zjarrit të pasioneve: ”Ne veç frymojmë/bjerrur prej zjarrit’’. Shpesh, thotë poeti, atë që e quajmë fillim, është fundi ynë. Nëpërmjet kësaj substance filozofike, Eliot, do të na thotë se, lindja dhe vdekja janë dukuri të zakonshme dhe ato peshojnë njëlloj në zinxhirin e ekzistencës dhe mos ekzistencës së njeriut. Në fund të fundit njeriu ka lindur për të vdekur. Por në duart e Zotit, ne e harrojmë këtë të vërtetë. Ndaj poeti e mbyll me vargjet ” Fundi i kërkimit tonë, do të jetë mbërritja, aty ku u nisëm, atje ku gjejmë strehën e përjetshme”(112)
Janë të shumta thëniet e mençura të Tomas S. Eljot-it, të cilat, me gjithë kufizimet ideore që mbartin, vazhdojnë të kenë vlerat e sentencave të bukura filozofike, jo vetëm për të sotmen por dhe të ardhmen e njerëzimit. Në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, po ndalemi tek disa prej tyre: ”Vetëm ata që do të rrezikojnë për të shkuar shumë larg, mund ta dinë se sa larg mund të shkohet”, ”Bëj gjëra të domosdoshme, thuaj gjëra të guximshme, adhuro gjëra të bukura”, ”Humanizmi është një nevojë e mirë për të thënë gjëra serioze”, ”Është e lehtë të flasësh, kur ke çfarë të thuash, por është e vështirë të kesh çfarë të thuash, kur duhet të flasësh”, ”Drejtësia tentohet të korruptohet nga pasioni politik’’, ”Shumica e shqetësimeve në botë shkaktohen nga njerëzit, që duan të jenë të rëndësishëm”…
Organizohet simpoziumi shkencor “Mehmet Akif Ersoj dhe vepra e tij”
Në Shqipëri u organizua simpoziumi shkencor me temë “Mehmet Akif Ersoj dhe vepra e tij”, me rastin e 100-vjetorit të miratimit të himnit kombëtar të Turqisë, ndërkohë në simpozium referuan studiues nga Shqipëria, Turqia, Azerbajxhani dhe vende të tjera.
Simpoziumi dyditor në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, u organizua nga Dega e Gjuhës Turke në Universitetin e Tiranës në bashkëpunim me institucione vendase dhe të huaja të cilët u përfaqësuan me folës nderi dhe referues me kumtesa. Ndërkaq, mbështetes të aktivitetit ishin edhe profesorët e Akademisë se Kulturës e të Folklorit të Baku, Azerbajxhan.
Prof.As.Dr, Adriatik Derjaj, Përgjegjës i Departamentit të gjuhëve sllave dhe ballkanike, gjatë fjalës së hapjes së simpoziumit tha se krenohen me veprën e Mehmet Akif Ersoj.
“Kam nderin të mbaj fjalën e hapjes në këtë takim shkencor të organizuar me rastin e 100 vjetorit të Himnit të Flamurit të Republikës së Turqisë i cili u shkrua nga dora e birit shqiptar , poetit të madh Mehmet Akif Ersoj. Në seancat e këtij simpoziumi spikatën tituj ne lidhje me Qytetërimin dhe kulturën Osmane e Turke, Poezinë e Mehmet Akifit Ersoy, Receptimi i veprës se Ersoy nder shqiptaret”, tha ai.
Derjaj tha se në ketë event kolegët shqiptarë do të kene rastin të njihen me studimet e profesorëve turq, azerë, arabë dhe të tjerë evropianë, dhe përtej Atlantikut.
Studiuesi Alban Foçi duke folur për jetën, shkollimin dhe veprën e Mehmet Akif Ersoj, tha: “Mehmet Akif Ersoj si shumë intelektualë të tjerë do t’i bashkohet luftës për mbrojtjen e territoreve turke dhe pavarësisë së shtetit turk, luftë e cila drejtohej nga Mustafa Qemal Ataturk, i cili më vonë do të themelojë dhe Republikën e Turqisë, atë që ne njohim sot”.
“Si shumë nga këto poetë dhe intelektualë, Mehmet Akif Ersoj dha kontributin e tij me atë që dinte të bënte më mirë, me fjalën. Ndihmoi që njerëzit të kishin kurajën të ngriheshin për të luftuar për mbrojtur vendin e tyre. Duheshin njerëz si Mehmet Akif Eroj të cilët me maturinë e tyre do ta ngrinin peshë popullin turk që të luftonte deri në pikën e fundit për pavarësinë e tyre”, tha Foçi.Referuesit në simpozium trajtuan tematika mbi jetën, personalitetin dhe universalitetin e veprës letrare të poetit Mehmet Akif Ersoj.
Ky event është ndër aktivitetet shkencore ndërkombëtare që organizohen duke marrë shkas nga fakti që këtë vit mbushen plot 100 vjet nga miratimi i himnit të flamurit të Republikës së Turqisë; teksti i së cilës mori jetë nga pena e poetit shqiptar me origjin nga Peja, shkrimtarit të madh Mehmet Akif Ersoj. Sipas organizatorëve, simpoziumi u organizua me pjësëmarrje ndërkombëtare për nder të këtij poeti dhe universalitetit të veprës së tij.
Mehmet Shehu, 40 vjet pas vetëvrasjes: Versioni i Nexhmije Hoxhës dhe nata e 18 dhjetorit, si thyerje e rëndë dhe e pariparueshme në ashtin kryesor të sistemit
Nga Xhevdet Shehu
Fiks 40-vjet më parë, në natën mes 17 dhe 18 dhjetorit ndodhi një nga ngjarjet më tronditëse të historisë, jo vetëm të historisë së Shqipërisë komuniste. Për të rinjtë e sotëm kjo ngjarje duket tejet e largët, prehistorike. Por për ata që e kanë jetuar atë kohë dhe atë ngjarje, ajo ngjall debat edhe pas 40-vjetësh.
Unë kam shkruar ndoshta si rrallëkush për këtë ngjarje. Kam shkruar edhe një libër me titullin “Prapaskena. Hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste.” U qëndroj atyre që kam thënë…
Një miku im, një personalitet i shquar i kulturës, më tha para pak ditësh:
– E dëgjove Sali Berishën në 11 dhjetor në stadium? Fjalimi i tij ishte identik si tabloja sinoptike e Enver Hoxhës për Mehmet Shehun 40 vjet më parë… Brenda një nate edhe Mehmet Shehu edhe Lulzim Basha u shpallën armiqtë më të mëdhenj që kishte njohur historia… Që tregon se Sali Berisha sado të hiqet si demokrat, e ka aq të rrënjosur mentalitetin komunist, saqë duket si dordolec kur do që të na hiqet si demokrat…
– Profesor, i thashë mikut tim. Ju mbase keni të drejtë në paralelen që hiqni dhe në krahasimet që bëni. Por të gjitha krahasimet çalojnë, aq më tepër kur kemi të bëjmë me dy epoka krejt të ndryshme, madje krejt të përkundërta. Për më tepër Saliu nuk është e nuk mund të jetë Enver, dhe aq më pak Lulzim Basha nuk mund të krahasohet me Mehmet Shehun. Pastaj, nuk dihet ende kush do ta vrasin shoshoqin në këtë historinë e PD-së… Prandaj nuk do ndalem me këtë histori ngjashmërish.
Le të kujtojmë atë që ndodhi 40 vjet më parë.
***
Faqja e parë e gazetës 18/12/2021
E pra, në fillim të viteve ’80 (në natën mes 17 dhe 18 dhjetorit 1981) ndodhi vetëvrasja e kryeministrit Mehmet Shehu. Kjo ngjarje, si rrufe në të kthjellët, i hutoi njerëzit krejt, por edhe ngjalli shumë dyshime. Mehmet Shehu ishte numri 2 i regjimit. Me afro tre dekada në postin e kryeministrit, me një autoritet të padiskutueshëm, ai nënkuptohej lehtë si pasardhës i Enver Hoxhës, i cili flitej se ishte i sëmurë prej vitesh. Figura e tretë autoritare e regjimit, Hysni Kapoja, kishte vdekur dy vjet para Mehmet Shehut.
Vështruar nga distanca e katër dekadave, nuk është e vështirë të dallosh se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu janë dy figurat më të rëndësishme e më të spikatura të diktaturës komuniste. Ata ishin shtyllat që e kishin mbajtur në këmbë atë regjim.
Ata ishin të jashtëzakonshëm, gjëmimtarë e dhétundësa, dhe si të tillë krijuan epokë. Në këngët e kohës emrat e tyre gjenden shumë shpesh së bashku. E, ashtu, të lidhur pazgjidhshmërisht e fatalisht me njëri-tjetrin, ata mbetën edhe pas vdekjes. Njëri nuk kishte dhe nuk ka kuptim pa tjetrin. Enveri nuk bënte dot pa Mehmetin… Mehmeti (ndoshta) mund të bënte pa Enverin, pas Enverit. Por kjo mbeti vetëm hipotezë.
E vërtetë është se eleminimi i Mehmetit, vetëvrasja e tij, shkaktoi një thyerje të rëndë dhe të pariparueshme në ashtin kryesor të sistemit. Kjo thyerje nuk u shpall kurrë zyrtarisht, por ishte e dukshme në të gjitha drejtimet. Shteti u zbeh, humbi ekuilibrin, filloi tatëpjetën e pakthyeshme dhe të pandalshme. Në fillim dizekuilibri nuk u vu re, sidomos poshtë në popull, te njerëzit e thjeshtë, të cilët si pasagjerët e një vapori, defektin që rrezikon mbytjen e marrin vesh të fundit. Populli, pra, nuk po kuptonte se ç’po ngjiste atje lart. Aq më tepër që Timonieri kishte deklaruar se “Partinë e kemi më të fortë se kurrë!”…
Tërheqja e këmbëzës dhe krisma e asaj arme në natën e 17-18 dhjetorit 1981 ishte goditja fatale, pashmangshmërisht vdekjeprurëse, që mori sistemi komunist në Shqipëri dhe vetë Enver Hoxha.
Sepse, në të vërtetë, me vetëvrasjen e Mehmetit, mori fund edhe Enveri.
Pikërisht këtë fakt, ma ka pohuar me gojë dhe me shkrim bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, në një letër që më ka dërguar për këtë çështje, ku ndër të tjera më shkruante:
“Unë, duke qenë pranë Enverit natë e ditë, jam dëshmitarja e vetme sa e thellë ishte tronditja shpirtërore e Enverit për vetëvrasjen e papritur të Mehmetit. Që në momentet e para të njohjes së lajmit të hidhur, mbeti i habitur, duke përsëritur pyetjen, sikur ia bënte vetes: “Pse e bëri këtë Mehmeti? Pse ma bëri këtë Mehmeti!?”
Pas leximit të letrës që i la Mehmeti, unë jam dëshmitare për angazhimin e tij total, për të parë qartë pse Mehmeti zgjodhi këtë akt ekstrem të vetësakrifikimit e pas hetimeve e reflektimit me përgjegjësi të lartë, erdhi zemërimi i njohur i Enverit në fjalimet e shkrimet e tij, i prekur e i zhgënjyer thellësisht nga mënyra më e keqe që zgjodhi Mehmeti për t’ia shpërblyer Enverit gjithë ndihmën që i kishte dhënë sa herë kishte gabuar, besimin që kishte treguar duke e ngarkuar në funksionet më të larta shtetërore partiake, politike, ekonomike e ushtarake, për miqësinë e shoqërinë e sinqertë ndaj tij, si shok e vëlla, ndaj Fiqretit e gjithë familjes së tij.
Unë, duke parë e ndjerë gjithë mobilizimin total e punën intensive të Enverit, në zhvillimet e reja që u krijuan, nga ana politike, organizative etj., kam deklaruar me dhimbje se:
“Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin”.
Në fakt, pas vetëvrasjes së Mehmetit, në dhjetor 1981, gjendja shëndetësore e Enverit, me sëmundjen e rëndë të zemrës, mori tatëpjetën deri sa mbylli sytë në prill të vitit 1985.
Letra e zonjës Hoxha mban datën 18 shtator 2015 dhe është botuar e plotë në DITA më 30 shtator të atij viti.
Sidoqoftë në këtë 40 vjetor të ngjarjes që ndodhi 40 vjet më parë, po sjell në vijim kujtimet e Nexhmije Hoxhës, të cilat ajo arriti t’i botonte në janar 2020, vetëm pak javë para se ta ndahej nga jeta në moshën 99-vjeçare.
Nexhmije Hoxha
Kujtimet e Nexhmije Hoxhës: Nata e fundit e Mehmet Shehut
Në shtator 1981, Mehmet Shehu bëri fejesën e djalit të tij, Skënderit, ngjarje kjo, që do të shkaktonte një krizë të re në marrëdhëniet midis Enverit dhe Mehmetit. Për këtë fejesë, ne mësuam nga djali ynë, Iliri, kur u kthyem nga Pogradeci. Ai na tha se atë dhe Teutën i kishin ftuar në shtëpinë e Mehmetit dhe ata kishin shkuar për urim. Iliri na tregoi se djali i Mehmetit qe fejuar me vajzën e një profesori të Universitetit të Tiranës.
Të nesërmen, Enveri dhe unë shkuam dhe uruam Mehmetin e Fiqretin, si edhe çiftin e ri. Më pas, dëgjuam se në Tiranë po ziente lajmi i kësaj fejese, se krushqia që kishte bërë familja Shehu ka habitur opinionin publik dhe është bërë objekt muhabeti e diskutimi, në takime në rrugë, në kafene etj. Shumëkush çuditej për këtë krushqi, pasi për këdo ishin të njohura qëndrimet e rrepta të Mehmetit në zhvillimin e luftës së klasave, aktet e tij luftarake kundër pushtuesve të vendit gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe, më vonë, kundër armiqve të jashtëm. Kush nuk e njihte sloganin e tij: “Shqipëria në gojë të ujkut”. Prandaj të gjithë pyesnin: “Si është e mundur ta ketë bërë këtë fejesë Mehmet Shehu?!”
Këto pyetje bëheshin, ngaqë vajza, nga ana e nënës, i përkiste familjes së Pipajve të Shkodrës, në mesin e së cilës kishte edhe kriminelë të luftës, të burgosur ose të arratisur. Ndër ta ishte edhe Arshi Pipa, i cili nga SHBA, nuk pushoi së përdoruri penën e tij të helmatisur kundër pushtetit popullor dhe socializmit në Shqipëri. Të gjitha këto që dëgjoi, e shqetësuan shumë Enverin.
Herë pas here ai bënte pyetjen “Si e bëri këtë Mehmeti?! Si nuk pyeti njeri?!” “As mua nuk më njoftoi drejtpërdrejt. Bëri sikur nuk e dinte rrethin familjar të vajzës dhe nuk më njoftoi. As kur erdhi vetë në Pogradec dhe na takoi, ai nuk na tha gjë, por na foli për një libër që po bënte mbi imperializmin”.
Enveri vazhdonte t’i bënte vetes pyetjen: “Pse e bëri këtë fejesë, kur ai kishte qenë për shumë vjet ministër i Brendshëm dhe duhej ta njihte mirë veprimtarinë armiqësore të Arshi Pipës dhe rrethit të tij?”.
Ky shqetësim krijohej vetëm dy muaj para Kongresit të 8-të të Partisë, kur Enveri kishte aq probleme, jo vetëm lidhur me përgatitjen e raporteve, që do të paraqiteshin në Kongres, por edhe lidhur me çështjet dhe me vështirësitë që na kishin dalë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën.
Duke menduar se çështja e fejesës duhej sqaruar dhe mbyllur sa më parë, Enveri dha porosi atë natë që Mehmeti të kthehej nga Korça, ku kishte shkuar për Konferencën e Partisë të rrethit, që të bisedonte me të. Të nesërmen, Mehmeti u kthye nga Korça dhe erdhi në takim, në shtëpinë tonë. U takua dhe bisedoi me Enverin tri-katër pasdite me radhë. Qenë takime të gjata dhe unë kam qenë e pranishme në to. Enveri, në fillim, u përpoq shumë ta ndihmonte Mehmetin që t’i thoshte Partisë se çfarë e çoi në këtë vendim, duke i theksuar se akti që ai kishte kryer nuk mund të shpjegohej me sentimentalizmin e një babai. Ai i kërkoi Mehmetit të shpjegonte sesi arriti ta merrte këtë vendim.
Në takimin e parë, Mehmeti pranoi, ndonëse me gjysmë zëri, se kishte bërë gabim të madh dhe iku mjaft i mërzitur dhe i shqetësuar. Më pas, ai premtoi se do ta prishë fejesën porsa të kthehej djali nga Stokholmi. Por ai vazhdonte me versionin e tij, duke insistuar se nuk pa tej babait të vajzës, Qazim Turdiut, që ishte pedagog në Universitetin e Tiranës (pavarësisht se edhe ky kishte qenë pranë Ballit Kombëtar – shën. im, N.H.) dhe se vajza e tij, njihej për sjellje të mira.
Mehmeti, pas çdo takimi me Enverin, ikte i mërzitur. Një herë, kur po e përcillja, duke zbritur shkallët, ai më tha: “Ja, edhe Ladi po më lë”. E kishte fjalën për djalin e madh, Vladimirin, i cili po meremetonte një apartament, diku afër të ashtuquajturit Bllok, pasi do të largohej nga shtëpia e re dhe e madhe e Mehmetit, vila 30, ngaqë gruaja e Ladit, vajza e gjeneral Shytit, donte që prindërit, të afërmit, shoqet e saj t’i vinin lirisht për vizita dhe jo vetëm me raste festash e ditëlindjesh.
Ia thashë këtë Enverit dhe ai, të nesërmen në mëngjes, thirri në zyrën e tij Vladimirin, e uli pranë vetes dhe i foli me butësi. Duke i kërkuar të mos largohej nga shtëpia, i tha: “Ti Ladi, si djali i madh i tij, qëndroi afër dhe ndihmoje, se Mehmeti po kalon çaste të vështira…”.
Gjendja e trazuar e Mehmetit u duk edhe në periudhën e përgatitjeve për Kongresin e 8-të të Partisë, ndërkohë që aparati i KQ dhe e gjithë Partia, si dhe institucionet shtetërore dhe shoqërore ishin në një aktivitet intensiv. Raporti kryesor llogaridhënës i Komitetit Qendror, që do të mbahej në Kongres, ishte përfunduar nga Enveri dhe i qe ndarë Byrosë Politike, por raporti tjetër, ai mbi direktivat e planit 5-vjeçar, që do të mbante Mehmet Shehu, u dorëzua me vonesë në aparatin e KQ për anëtarët e Sekretariatit të KQ dhe të Byrosë Politike. Madje, u vu re se ky raport kishte shumë mangësi dhe pasaktësi të karakterit politik, që duheshin ndrequr. Enveri bisedoi me shokët kryesorë që këto plotësime dhe përmirësime të bëheshin nga shokët e Aparatit të KQ, me qëllim që të mos rëndohej edhe më tepër Mehmeti, që sipas tij, nuk ishte në gjendje të mirë shpirtërore.
Po ashtu, për të mos e trazuar edhe më tej gjendjen e Mehmetit, Enveri kundërshtoi mendimin, që u dha nga disa shokë, që në Kongres të mos mbahej raport i dytë, që, tradicionalisht, mbahej nga Kryeministri. Ata që e hodhën këtë mendim niseshin nga fakti se politika ekonomike e Partisë dhe direktivat e planit të ri 5-vjeçar dilnin mirë në Raportin e Komitetit Qendror. Por Enver Hoxha, duke e parë më gjerë problemin, konkludoi se një masë e tillë nuk do të pritej mirë nga Mehmeti, do të ndikonte për keq tek ai dhe mund të keqinterpretohej si masë ndëshkimore ndaj tij. Prandaj Enveri vendosi të mos ndryshohej praktika e ndjekur në kongreset e mëparshme, duke u nisur nga qëllimi i mirë që në Kongres të vihej në pah edhe figura e Kryeministrit.
Në saje të këtij qëndrimi dashamirës të Enverit, Mehmet Shehu e mbajti raportin, madje, u zgjodh përsëri anëtar i Komitetit Qendror dhe i Byrosë Politike. Po ashtu, edhe Fiqreti u rizgjodh anëtare e KQ. Megjithatë, gjatë punimeve të Kongresit u duk qartë që Mehmeti ndenji shumë i vrarë në fytyrë, si për t’u thënë delegatëve dhe atyre që e ndiqnin në televizor se “me të diçka kishte ngjarë”.
Është e njohur që në Kongresin e 8-të të Partisë, as nuk u zu në gojë gabimi i Mehmet Shehut, lidhur me fejesën e të birit, dhe as u bë ndonjë ndryshim në funksionet që ai kishte. Ky ishte një sinjal i qartë se mbledhja e Byrosë Politike, që ishte lënë për t’u zhvilluar pas Kongresit për të diskutuar problemin e tij, nuk bëhej për të marrë masa përjashtimi a dënimi tjetër të rëndë ndaj Mehmetit, por vetëm me qëllimin që ai të korrigjonte gabimin dhe karakterin e tij.
Edhe në këtë rast, Enver Hoxha përdori metodën e tij të bashkëbisedimit me shokët. Ai e thirri në takim Mehmet Shehun dhe bisedoi me të, me qëllimin për ta ndihmuar që të kuptonte se gabimi që kishte bërë, nisur nga pozita e tij e lartë, ishte politik dhe i dëmshëm, ndaj duhej ndrequr. Fejesa në vetvete është një ngjarje e zakonshme në çdo familje, por fejesa e djalit të Mehmetit, në fakt, mori përmasa politike. Ajo u bë shkas i një krize të rëndë në marrëdhëniet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.
Me gjithë përpjekjet e Enverit për ta mbyllur mirë këtë çështje, megjithë dashamirësinë dhe qëllimin e mirë që tregoi ai dhe shokë të tjerë ndaj Mehmetit, për ta ndihmuar dhe për ta shpëtuar, kjo krizë që ndodhi në marrëdhëniet e Enverit me Mehmetin, në vitin 1981, pati një përfundim tragjik, krejt ndryshe nga krizat e mëparshme, si ato në vitin 1953 apo në 1974, që, gjithsesi, ishin mbyllur me një përfundim të mirë për Mehmetin.
***
Diskutimet që u bënë në mbledhjen e Byrosë Politike, më 17 dhjetor, në fakt, qenë me kritika të rënda, që këtë herë bëheshin aq haptas dhe nga të gjithë. Ata që e morën fjalën nuk u ndalën vetëm në gabimin e fejesës, por, si asnjëherë tjetër, pa druajtje, i kujtuan Mehmetit edhe gabimet që ai kishte bërë në të kaluarën, i vunë në dukje të metat në punë dhe në keqtrajtimin e kuadrove, në mosrespektimin e punonjësve etj., duke theksuar se të gjitha këto e kanë burimin në karakterin e tij të vrazhdë, në mendjemadhësinë e stimën e lartë që kishte ai për veten e tij etj.
Mund të thuhet se anëtarët e Byrosë kishin reflektuar në atë që kishte thënë Enveri në një mbledhje të mëparshme se, është në interes të Partisë dhe të vetë Mehmetit që Byroja Politike dhe Qeveria të punojnë si forume kolektive partie dhe jo si shtab ushtarak.
Sipas mendimit tim, kjo porosi flet për shqetësimin që kishte Enveri se ç’mund të ndodhte kur ai vetë nuk do të ishte më. Ai e kishte mirë parasysh se, kur i drejtonte vetë mbledhjet e Byrosë Politike, Partinë dhe, në përgjithësi, punën për zbatimin e vijës dhe të strategjisë së saj, Mehmeti sillej korrekt ndaj shokëve, si në Byro dhe në çdo mbledhje ku ishte prezent Enveri. Po kur ky të mos ishte…?!
Është fakt që Enveri dhe të gjithë anëtarët e Byrosë në fund të mbledhjes së 17 dhjetorit propozuan për Mehmetin thjesht një masë disiplinore partie, shënim në kartën e regjistrimit, që, pas pak kohe, mund të shlyhej. Kjo flet për dashamirësinë e treguar gjer në fund nga Enveri ndaj Mehmetit. Këtë e dëshmon edhe ajo që ka shkruar Ramiz Alia në librin e fundit të tij, ku thotë se Enveri, rrugës duke u kthyer në shtëpi, në mbrëmjen e 17 dhjetorit, pas mbylljes së seancës së parë të Mbledhjes së Byrosë, i kishte thënë Ramizit: “Ja, nesër në mëngjes, do të flas dhe unë. Edhe unë jam për masën që propozuat ju të gjithë dhe ta mbyllim me kaq”.
Por, pavarësisht nga të gjitha këto përpjekje të Enverit, Mehmeti e mbylli vetë, me aktin ekstrem të vetëvrasjes.
Subscribe to:
Posts (Atom)
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...