2022-05-08

Statusi i shkrimtarit sot

 NGA Prof.Dr.FLORI BRUQI

Jorge Francisco Isidoro Luis Borges do t’i mjaftonte vetëm një fjali për ta dhënë mrekullisht thelbin e dinjitetit: “Individ dinjitoz është ai që ia del të jetë në paqe me veten dhe me të tjerët”.
 
Thënia e njohur e Immanuel Kantit se “Individi pa dinjitet s’mund të prodhojë vepra dinjitoze”, duket që u përket atyre postulateve që s’vjetrohen kurrë, pavarësisht konotacioneve që mund të fitojë fjala “dinjitet” në kohërat moderne apo postmoderne.
 
Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, përmes një shprehje fare pak dinjitoze, jepen dy shpjegime të fjalës “dinjitet”: 1. Tërësia e vlerave morale të njeriut a të një grupi njerëzish (nderi, krenaria etj.); vetëdija që ka njeriu a një grup njerëzish për këto vlera e për të drejtat e veta në shoqëri dhe nderimi i tij për vetveten; shfaqja e jashtme e kësaj vetëdije dhe e këtij nderimi.
 
Dinjiteti kombëtar.
 
Dinjiteti i njeriut (i familjes, i ndërmarrjes, i institutit). Me (pa, plot) dinjitet. Ngre (ul, fyen, merr nëpër këmbë) dinjitetin. S’ka pikë dinjiteti. Flet (sillet) me dinjitet. 2. Cilësia e mirë a vlera e lartë e diçkaje që e bën atë të çmohet. Me dinjitet artistik. Vepër plot dinjitet.
 
A ka dinjitet shkrimtari i sotëm shqiptar?
 
Jo pa dhimbje, derisa flas edhe për veten më duhet të përgjigjem (zë-ulët): “Jo”. 
 
Si për ta ngushëlluar veten dhe kolegët e mi, po shtoj se problematika në fjalë, domethënë “dinjiteti i humbur i shkrimtarit” duket së është një shqetësim mbarë-kombëtar çka lidhet, me siguri, me “dinjitetin e humbur” të vetë letërsisë.
 
Sipas studiuesit Ridvan Dibra ”Konsumizmi i shfrenuar, triumfi i imazhit, realitetet elektronikë, ekspansioni i medias etj. duket se vërtet ia kanë lëkundur letërsisë dinjitetin e dikurshëm”.
 
(Në parantezë, gjithherë e kam fjalën për autorë dhe letërsi serioze, që rreken t’u rezistojnë kohërave dhe ndërrimit të përvitshëm të modave).
 
Amerikani, Joseph H Bloom njëri ndër emrat më të lavdishëm të kritikës letrare bashkëkohore, shprehet plot dhimbje: “Talentet e mëdha janë shurdhuar një herë e mirë nga realiteti i medias amerikane.
 
Kush mund t’i rivalizojë me parodi lajmet e televizorit, gazetës dhe fjalimet e qeveritarëve?
 
Realiteti amerikan është më grotesk dhe më qesharak se cilado parodi, sado e mirë qoftë…”. (Kur realiteti amerikan paraqitet i tillë, imagjinojeni tonin, të dashur miq).
 
Të dënuar të përballen e të jenë pjesë e një realiteti të tillë, disa prej shkrimtarëve shqiptarë bashkëkohorë (post-modernë që të gjithë!) duket se kanë zgjedhur rrugën më të lehtë e më të shkurtër: e kanë hequr nga vetja e tyre dinjitetin, sikur ai të ishte zorrë qorrë a diç tjetër e panevojshme.
 
Kujt i është shitur dinjiteti?
 
Së pari, pikërisht asaj për të cilën kanë nevojë më shumë. Asaj që të bën të njohur e “person publik” edhe pse mund të kesh botuar vetëm dy-tre tekste të dyshimtë. Asaj që të bën të famshëm e delirant, deri edhe në ëndrra me Nobel. Asaj “lubie” që për ta shuar urinë e vet të përditshme, “gëlltit çorbën” e gatuar prej lloj-lloj grafomanësh e sharlatanësh. Domethënë medias.
 
Argumente?
 
– Shikojeni paraqitjen e shkrimtarëve nëpër gazeta ditore, ekranet televizivë: herë fodullë e herë kinse shpërfillës, teksa për hir të pranisë mediatike dëshmohen të gatshëm të debatojnë e diskutojnë për lloj-lloj argumentesh e problematikash jashtë fushës së dijeve të tyre, domethënë jo letrare.
 
(Para disa ditëve , një poet i lakuar bashkëkohor fliste plot kompetencë për avantazhet e centraleve atomikë).
 
– Lexuesi i pasionuar i lexon intervistat apo auto-intervistat e tyre nëpër faqet kulturore të përditshmeve tona: megalomani e neveritshme, vetëmburrje e vetëvlerësime foshnjarake, mungesë e plotë etike, modestie e qytetarie.
 
(“Kur flet libri, autori duhet të heshtë”, përsëriste para pak kohësh postulatin e njohur të filozofit gjerman me origjinë polake Friedrich Wilhem Nietzsche:” Merrni pjesë në promovimet për çdo libër të botuar: seanca të bezdisshme hipokrizie mes “miqsh të gotave dhe të femrave” e që fill të nesërmen media e unshme i bën publike.
 
– Shfletoni librat e botuar: foto autorësh delirantë e me pamje profetike (kujtesë: post-modernizmi nuk e pranon autorin-profet), shënime entuziaste në kapakët e pasmë, që do ta skuqnin nga turpi edhe vetë Xhejms Xhojsit (James Joyce) për shembull etj.
 
Shkrimtari bashkëkohor shqiptar (përsëri u kërkoj ndjesë përjashtimeve) duket i etur për njohje e famë, qoftë edhe për një “filxhan lavdi”.
 
Dhe këtë lavdi (i yshtur, si duket, edhe nga ndonjë rast pararendës) kërkon ta arrijë sa më shpejt e më lehtë, duke e konsideruar punën e tij kryesore, domethënë punën e mundimshme me tekstin letrar, si punë të dorës së dytë. Kurse parësore për të bëhen:
 
1.     paraqitjet e vazhdueshme mediatike në gazeta dhe televizonet tona ;
2.    pjesëmarrjet nëpër lloj-lloj mitingjesh e festivalesh letrarë anë e kënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Globit;
3.    radhitja e sa më shumë çmimeve të fituara (jo pak të dyshimtë e fiktivë) etj.
 
Këtë situate sipas Ridvan Dibrës “ në thelb tragji-komike – të letrave tona pas viteve 1990, e “favorizojnë” edhe dy mungesa extra, tipike shqiptare:
 
1.     Mungesa thuajse e plotë (uluritëse kjo mungesë!) e kritikës letrare, e cila, kuptohet nëse do të ekzistonte, mund t’ia dilte (ndoshta?) t’i “ulte gjelat që këndojnë majë togut të tyre plehut” dhe të nxirrte në pah vlerat e mirëfillta letrare-estetike.
 
2.    Mungesa e plotë e organeve të specializuara letrare, estetike e kritike (me siguri, duhet të jemi i vetmi vend në botë me një mungesë të tillë!), ku shkrimtarët mund të botonin, diskutonin e debatonin mes vedi dhe jo të silleshin si futuristët e para 100 viteve, duke i mbajtur mëri njëri-tjetrit e duke u zënë me grushte klubeve”, thotë Dibra.
 
E megjithatë, humbjen e dinjitetit ndër shkrimtarë nuk e justifikon asnjë mungesë apo situatë, sado të pafavorshme qofshin ato. Sepse pasojat kanë filluar të duken. Gjithnjë e më shumë po shtohen zërat (dashakeqë e nostalgjikë), që rreken t’ia mohojnë çdo vlerë letërsisë shqipe të pas viteve 1990, duke e vendosur bile në rrafshe krahasuese me realizmin socialist.
Gjithashtu, të gjitha sjelljet që përmenda më sipër e që dëshmojnë mungesë dinjiteti nga vetë shkrimtarët shqiptarë, ftohin dhe largojnë edhe më lexuesit seriozë.
 
Dhe besoj që një dukuri e tillë bëhet e dhimbshme sidomos për ata shkrimtarë të përkushtuar, që kanë dhënë e vazhdojnë të japin vlera të qëndrueshme e të spikatura letrare (Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli,  Fatos Kongoli, Eshref Ymeri,Bardhyl Londo,Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi,Zija Çela, Visar Zhiti,Fatmir Terziu,Skënder Buçpapaj,Mujë Buçpapaj,  Izet Duraku, Përparim Hysi,Agron Shele,Amiko Kasaruho,Fatime Kulli,Raimonda Moisiu,Rexhep Shahu, Albana Nexhipi,Zef Pergega, Edmond Tupja, Ema Andrea, Elona Tabaku,Rasim Bebo,Ferida Ramadani-Zmijani,Vullnet Mato,Mimoza Hysa,Ligor Shyti,Flutura Açka , Jerida Kulla, Eljan Tanini, Fran Ukcama,Linditë Ramushi Dushku,Rami Kamberi,Raimonda Maleçka,Vjollca Tiku Pasku,Riza Lahi,Andi Meçaj,  Lisjana Demiraj, Kabil Bushati, Rexhep Qosja ,Azem Shkreli,Ali Podrimja,Ibrahim Rugova,Ramiz Kelmendi,Din Mehmeti,Adem Gashi, Flora Brovina,Qerim Ujkani, Reshat Sahitaj, Naim Kelmendi, Skënder Zogaj,Shyqri Galica,Rushit Ramabaja, Migena Arllati,Kadrush Radogoshi,
Dibran Fylli, Mehmet Kajtazi, Anton  Pashku,Ruzhdi Baloku,Sejdi Berisha,Halil Haxhosaj, Iljaz Prokshi,Akil Koci, Adem Zaplluzha,Nebih Bunjaku,Musa Ramadani,
 Mehmet Kraja, Zejnullah Rrahmani,Bilall Maliqi,Bedri Zyberaj,Shefqet Dibrani,
Nazmi Rrahmani,Xheladin Çitaku,Xheladin Mjeku,Begzad Baliu,Zeqir Fazliu,Agim Desku, H.Berisha, Mentor Thaqi,Musa Jupolli,Esat Loshaj,Hydajet Hyseni,Rexhep Ferri,Gëzim Ajgeraj,Makfire Maqedonci-Canolli, …etj).
 
E përsëris se dinjiteti i shkrimtarit bashkëkohor paraqitet problematik edhe ndër shoqëritë tjera më civile se e jona.
 
Porse aty nuk mungojnë edhe aktet e qëndresës e të sfidës. Sa për ilustrim, po përmend vetëm dy shembuj.
 
Shkrimatri i famshëm çek Milan Kundera (01.04. 1929) ka më shumë se 33 vjet (1982) që nuk jep intervista, i bindur tashmë në hipokrizinë dhe artificialitetin që ato, shpeshherë, përmbajnë në vetvete.
 
Kurse novelisti amerikan Thomas Ruggles Pynchon (08.05.1937-), njëri prej zërave më interesantë të narratives bashkëkohore amerikane (natyrisht post-modern!), ka publike vetëm një foto të hershme në internet, kurse gazetarët që i kërkojnë intervista, i përzë me të shara.
 
Jam i bindur se ithtarët e post-modernes mund t’i konsiderojnë si donkishoteskë këto raste, duke shtuar se statusi i shkrimtarit ka ndryshuar dhe nuk është si ai i para 100 viteve.
 
Por nuk e besoj që ka pasur, ka dhe do të ketë ndonjë epokë, kur statusi i shkrimtarit përcaktohet nga bjerrja e dinjitetit të tij.
 
Nga shkrimtarët e pas viteve 1990, përveç një letërsie cilësore e ndryshe, (vepra të tilla nuk mungojnë) kam pritur e besuar edhe në akte dinjiteti e qytetarie, duke iu kundërvënë kësisoj pararendësit famëkeq realizëm socialist, që u shqua pikërisht për mungesë dinjiteti e qytetarie.
 
 Nëse fillimet dukeshin premtuese e shpresëdhënëse, tashti e pohoj me dhimbje se ndihem i zhgënjyer.
 
Thjesht ndërrim diktaturash, më duket.Nëse dje dinjiteti i shitej apo i falej diktaturës komuniste, sot i shitet apo i falet “diktaturës mediatike”. Kurse vitet 1930, ku mund të gjenim jo pak modele dinjiteti e qytetarie edhe ndër shkrimtarë, duken gjithnjë e më të largët.
 
Mediat dhe televizionet tona ngrenë pyetjen: Sa dhe si vlerësohen shkrimtarët dhe poetët në Kosovë,Shqipëri ,Maqedoni, Kosovë Lindore, dhe a kanë ata një lloj statusi?”
 
Hedhja e këtij “asi” në tryezë, në mos qoftë thjesht sa për të fituar një emision a një intervistë në TV tona apo gazete, më shumë, duket se është njëfarë ndihme që media jep që shoqëria të kuptojë diçka më shumë se ç’ndodh dhe ç’pretendohet në këtë kohë dhe në këtë klimë të përgjithshme “mosvëmendjeje ndaj shkrimtarit, librit dhe leximit”.
 
Ndonëse vetë do të këshilloja që mediat tona elektronike, të shkruara etj., në vend të pyetjeve retorike, të krijonin më shumë hapësirë, duke shtuar fletë apo kohë televizive për letërsinë, përsëri grishem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, që në të vërtetë edhe para përgjigjes sime ka njohur qindra përgjigje e rrugëzgjidhje të mbetura në rrafsh konstatimi dhe utopie.
 
E formuluar në kohë, pra “sa dhe si vlerësohet shkrimtari sot” kjo pyetje të bën të mendosh përmes opozicioneve dje-sot, këtu-atje, Lindje-Perëndim, si dy modelet ku shkrimtari vendoset përballë shoqërisë dhe pret që ajo të reagojë me vlerësim, shpërfillje apo thjesht të hyjë në komunikim të natyrshëm.
 
Për të qenë të besueshëm duhet të kujtojmë edhe atë fazë të jetës krijuese ku shkrimtarët e Lindjes (përfshi këtu edhe shkrimtarët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria) u krekoseshin shkrimtarëve të Perëndimit se kishin gjithçka falas dhe të garantuar: shërbim mjekësor falas, arsimim falas, shtëpi falas, studio falas, piano, penela e bojëra, pushime dhe leje krijimtarie të garantuar një herë në vit dhe botime të sigurta, njëlloj si dhe honorarët.
 
Njëra anë e balancës, duket haptazi, qe plot. Ana tjetër e balancës kishte vetëm një njësi, himnizimin e kësaj parajse e cila përmes letërsisë së ideologjizuar, më shumë se përmes vetë indologjisë, bëhej jo vetëm e besueshme, por e dashur dhe e ëndërruar, duke krijuar edhe në mungesë lirie të shprehuri idiolatrinë mbi “statusin shoqëror të shkrimtarit”.
Të gjorët shkrimtarë të Perëndimit!
 
Ndiheshin të dëbuar nga kjo parajsë! Atyre u mungonte, siç dhe u mungon statusi. Por modeli i shkrimtarit të Lindjes tanimë ka rënë dhe ka mbetur vetëm ai i shkrimtarit përballë një shoqërie vlerash përfshi këtu edhe ato të tregut.
Të mësuar me atë gjendje, falsiteti më shumë sesa vërtetësie, iluzioni më shumë sesa serioziteti, shkrimtarët shqiptarë, sidomos pjesa më e madhe e atyre që i kanë jetuar të dy kohët, por jo pak edhe nga ata që krijimtarinë e kanë nisur pas viteve 1990, ndihen keq dhe ankohen për mungesën e statusit shoqëror (kupto shtetëror).
Këtë “nostalgji për status” ata kërkojnë ta paguajnë jo vetë, por t’ua paguajë shoqëria e cila prej tyre jo rrallë etiketohet si turmë lexuesish të padenjë, që gati-gati nuk i meriton shkrimtarët e saj të mëdhenj. Por në vend të presin që dikush të bëjë diçka për ta, shkrimtarët nuk mund të jenë të kënaqur me gjendjen mazokiste të rënies së lirë që po pëson “esnafi” i tyre.
 
Ankesat për mungesë statusi dhe vëmendjeje tingëllojnë si një vetëlinçim publik. Kjo për faktin e thjeshtë se “esnafi” i shkrimtarëve, sipas atyre që shoh e dëgjoj çdo ditë, për mua rezulton se është më i përfaqësuari në Shqipëri e më pak në Kosovë.
 
Shkrimtarët (ose të ngjashmit) prej vitesh i gjemë këshilltarë në Presidencë, në Kryeministri, në Ministri të Arsimit, Ministri të Kulturës, e në të tjera ministri që nuk kanë lidhje me kulturën. Ata i gjejmë drejtues institucionesh kulturore, anëtarë bordesh ku miratohen strategji, projekte, politika e tekste për lexim.
 
Ata janë pjesë e kryesive dhe kolegjiumeve të medieve tona. Janë dhe kanë qenë parlamentarë, ministra, profesorë, dekanë, rektorë profesorë e gjer tek mësues të thjeshtë. Ata janë pra të kudondodhur.
 
Studiuesi Arian Leka thotë “Atëherë kujt ia kërkojnë shkrimtarët “statusin” dhe përse u duhet ai? Kujt i adresohen dhe a nuk e kuptojnë se ndodhen para pasqyrës sa herë që flasin për statuse shkrimtarësh dhe mungesë vëmendjeje nga shoqëria e cila pret t’i shohë ata sa më pak të rreshtuar nën modelin shkrimtarë të të gjitha llojeve bashkohuni”?
 
Në sesionin letrar të FNP “Drini poetik”, që mbahet çdo here më 8 e 9 qershor në Prishtinë-Prizren- ka krijuar hapësira multimediale që kanë të bëjnë me çështje të procesit letrar po aq edhe me raportet e letërsisë me realitetin ideologjik nën diktaturë dhe më vonë, me një kohë të re ku shkrimtari e humbi pozitën mbështetëse të mecenatit shtetëror i cili ishte njëfarësoj edhe “porositësi” i veprës së artit.
 
Letërsia shqipe nuk ka pasur fatin e letërsive të tjera. Shtrohet pyetja”.
 
 Po nëse shkrimtari “vdes” në momentin që libri është në duar të lexuesit”, Fatos Kongoli jep këtë përgjigje: “Unë jetojë me një libër derisa sa e përfundoj së shkruari. Mendoj se kur botohet, ai nuk është më imi.” Por ai e shikon të arsyeshme rishikim e një vepre gjatë ribotimeve. Kjo është diçka që ai vetë e ka bërë.”
 
Dhe kur bëhet fjalë për rishikimin e veprave dhe korrigjimet e asaj që ke shkruar edhe dyzet vjet përpara, një shembull për t’u komentuar është shkrimtari Ismail Kadare i cili në një deklaratë të tij pohon se kjo lidhet me procesin letrar në kushtet e mungesës së lirisë së shkrimtarit.
 
Unë kam parasysh atë çka Ismail Kadare ka thënë në një intervistë se gjella e burgut paskesh dalë më e mirë për një numër arsyesh.
 
“Nuk e kam kuptuar se çfarë ka dashur të thotë Kadare. Gjella e burgut që ha tjetri gatuhet më mirë apo gjella e burgut që ha vetë.”, shton shkrimtari Visar Zhiti.
 
Si kanë ndryshuar shijet e lexuesit?
 
Ajo që ne quajtëm liri ka ndryshuar jo vetëm për krijuesin, por dhe për lexuesin. Tashmë shkrimtarët tanë janë një hap me lexuesin evropian.
Ne Kosovë, Shqipëri etj., jemi fatlum në krahasim me mjaft vende të tjera sepse kemi më shumë lexues.
 
Shkrimtari Zija Çela thotë “Nuk besoj se do të kem shpëtuar pa ndonjë kompromis të këtij lloji, për një fragment apo një fjalë të shkruar. Një shembull: si vjen letërsia. Në vitin ‘84 kam qenë në Kukës dhe kam shkruar një roman, “Burrat nuk dalin nga lufta”.
 
Po të botohen sot katër recesionet e saj kohe, është krejt ndryshe.
 
Përfundimi i recesioneve dhe i redaksisë ishte “Sipas Zija Çelës burrat kanë dalë nga lufta”, nuk quhej më një roman dekadent. Në vitin ‘90 ka qenë një kohë e ethshme për të botuar shkrime të cilat nuk ishin botuar, aq më tepër të dokumentuara me recesione.
 
Kuptova se ai që ishte kundër këtij botimi, tani isha unë, sepse kishin kaluar vite dhe nëse ideologjia është afatshkurtër, beteja estetike është e përjetshme. Standarti gjithmonë krijon më shumë hapësirë për komunitetet, por e ngushton hapësirën e individit.
 
Thelbi i një shkrimtari është individualiteti i tij, që të jetë i ndryshëm nga të tjetër. Nëse censura në vendin tonë tashmë është lënë mbrapa, ajo që nuk lihet mbas është autocensura.
 
Gara me veten është preferenca ime. Por mund të them se e kemi ende të mangët kulturën e leximit, kuptohet se faktorët mund të jenë të natyrshëm. Ruajtja e kulturës së leximit është e domosdoshme.
 
Natyrisht që ndryshimi është shumë i madh. Por ka dhe një ndryshim tjetër që e sfumon këtë ndryshim, pasi njeriu e krijon lirinë brenda vetes.
 
Mund të jesh i burgosur dhe mund të jesh i lirë në mendime. Mund të jesh i lirë, por je i burgosur pasi nuk mendon ashtu siç duhet. Në këtë kuptim dhe para dhe pas nëntëdhjetës shkrimtarët kanë pasur privacionet e tyre. Madje mund t’u ketë kushtuar shumë shtrenjtë.
 
Kjo situata paradoksale në sistemet diktatoriale ku ndodh që të lindë letërsi më e madhe se në sistemet e lira.
 
Letërsia nuk është thjesht produkt shoqëror, produkt i një sistemi, por është produkt i një grupi individual.
 
 Pra vepra e një shkrimtari mbetet pavarësisht sistemit,thotë Çela dhe shton:”Këtu janë dy gjëra krejt të ndryshme.
 
Nuk mund të bëhet krahasimi sepse tirazhet e atëhershme i botonte shteti dhe shteti i blinte. Në kuptimin që vërtet mund të botoheshin librat në njëzet mijë kopje, por shumicat i blinin prapë bibliotekat.
 
Autori nuk paguante gjë, dhe merrte vetëm një honorar simbolik.
 
Ndërsa sot, për ata libra që shiten, kemi një shtije reale. Kjo nënkupton faktin se i boton shtëpia botuese dhe i blen publiku.
 
Si kanë ndryshuar shijet e lexuesit?
 
Lexuesi është i informuar, vërtet nuk botoheshin shkrimtarë bashkëkohorë kontemporanë, por letërsia e madhe botohej dhe atëherë sepse botoheshin klasikët Homeri, Servantesi, Shekspiri, Tolstoi, etj. Janë shkrimtarët që formojnë shijet, por mungonte pjesa më e madhe e letërsisë.
 
Këta autorë e formonin shijen atëherë, e formojnë dhe sot. Kur flasim për shije të mirëfillta, mund të themi se dhe sot kërkohen këto botime. Kërkohet gjysma e modernistëve, ajo pjesë që mungonte.
 
Por në rast se sot kërkohen shkrimtarë të një letërsie komerciale, atëherë kjo është një gjë tjetër sepse ndodh në të gjithë botën.
 
Nuk është shija e vërtetë, shija e mirëfilltë. Vërtet Daniele Steel në të gjitha vendet shitet me miliona kopje, por është një letërsi e ditës, një letërsi kalimtare etj.
 
Dhe krejt në fund theksojë se ka shkrimtarë që nuk kanë bërë kompromise. Të gjithë e kanë bërë kompromise , për pjesë të vogla të cilat duhet të hiqnin apo duhet të shtonin, por e kanë bërë.
 
Kohë më pare në një intervistë për Radio Radicale, radio kombëtare dhe politike në Itali ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi shprehet lidhur me nismën e tij në dialogun me shkrimtarë, artistë, filozofë të cilët ndajnë me ambasadorin pikëpamjet mbi integrimin evropian të Shqipërisë.
 
Duke iu referuar bashkëbisedimit me shkrimtarin e mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare, Sequi shprehet se i ka mbetur në mendje shprehja e shkrimtarit ku thotë: “Evropa është shteti natyral i Shqipërisë, i vetmi shtet! Kështu besoj se kjo gjë është pak a shumë perceptimi i të gjithë shqiptarëve. Shqipëria është një vend shumë filo-Evropian.”
 
Lidhur me personazhin e dytë që ambasadori do të ftonte në bashkëbisedim, Sequi nuk jep një emër konkret por shprehet se do të jetë “një personalitet jo shqiptar dhe shumë i njohur në botën globale.”
 
I pyetur nga gazetari Artur Nura se a ka dialog mes palëve politike në vendin tonë, ambasadori i kujton politikanëve shqiptarë se “dialog nuk simbolizon monologë të ndryshëm të palëve.”
 
Duke iu referuar integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, diplomati thotë se “Ballkani dhe në zë të veçantë Shqipëria është duke bërë shumë progres, megjithëse me një seri vështirësish.”
 
Ambasadori flet edhe për raportet dhe interesat, përgjegjësinë e BE-së për zgjerimin e saj me Ballkanin dhe veçanërisht Shqipërinë.
 
Ismail Kadare që është një evropian i bindur i botës shqiptare, por që është edhe shkrimtari më i mirë shqiptar, ndoshta edhe në dimensione Ballkanike dhe jo vetëm.
 
Midis të tjerësh, ka qenë së fundi edhe në listën e shkurtër të konkurrentëve të Çmimit Nobel për letërsinë.
 
Kështu pra, më duhet të them se pata idenë e këtij dialogimi për të arritur të kuptoja se çfarë një personazh domethënës mendon në lidhje me Evropën dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë.
 
Kështu kam dashur të shpjegoj dhe dua të shpjegoj, për shembull në intervistën me Kadarenë në mënyrë të kthjellët, se çfarë në fakt, presin shqiptarët nga Evropa.
 
Një frazë nga ky bashkëbisedim më ka mbetur thellësisht në mëndje, Kadare më tha: Evropa është shteti natyral i Shqipërisë, i vetmi shtet! Kështu besoj se kjo gjë është pak a shumë perceptimi i të gjithë shqiptarëve. Shqipëria është një vend shumë filo-Evropian.
 
Kadare është një shqiptar europian. Ai jeton si në Tiranë ashtu edhe në Paris, por unë besoj që na nevojitet të dimë se cili do të jetë personi i dytë që do të vazhdojë këtë dialog me ju?
 
Sugjerojë publikisht që politikanët tanë, nuk duhet të kenë një diplomë formale universiteti, por duhet të kenë edhe njohuri minimale në lidhje me filozofinë politike perëndimore, pra të njohin minimalisht veprat e Tomas Hobbes, John Lock, (François-Marie Arouet) Volterit dhe Jean-Jacques Rousseau, apo Konrad Adenauer, Alice De Gasperi, Robert Schuman, Altiero Spineli, vizionarët e historisë që frymëzuan Bashkimin Evropian.
 
Markezi thotë “ s’kam dashur që librat e mi të kenë fatin e sanduiçeve. Letërsia e sanduiçeve është letërsia rozë e një gjuhe fakirfukareshë dhe të shterpët. Letërsia e madhe, ku bën pjesë edhe Hrabali, s’ka asnjë lidhje me të. Për mua ka dy lloj letërsie.
 
Letërsia e fabulës dhe letërsia e stilit.Tek kjo e dyta fabula është thjesht një pretekst. Tek Hrabali i gjejmë të mpleksura të dyja. Duhej ruajtur kjo veçori e veprës së tij. Pastaj ç’është përkthyesi tjetër, në mos po fjalë?
 
Volteri, Borges dhe Pamuk ftillojnë se te secili prej nesh ekzistojnë dy, ose më shumë qenie të tjera. Kësisoj unë s’kam pse të mos ta besoj që ekziston një Hrabal i hedhur nga dritarja me të shtatë macet e tij, por edhe një tjetër që mund ta ketë vrarë veten i lodhur prej vanitetit njerëzor…

https://drini.us/statusi-i-shkrimtarit-sot/?fbclid=IwAR2tY2jRb8ERJFV3WSJ3AkDprrjjio_u7vsWP9_t3n0eMWvUXUaZvoCOfCs


Librat që duhet t'i lexojë çdo grua

 

Shumë njerëz mund të këshillojnë libra. Kjo është njëra prej përzgjedhjeve.

"Qielli S’ka Preferenca" nga Erich Maria Remarque

Kjo është historia e një vajze që nuk i ka mbetur  më asgjë për të humbur në jetë.  Clerfayt- një garues makinash merr Lilianën nga dhoma e saj e sanatoriumit ku ajo shtynte ditët e fundit si pasojë e sëmundjes së turbekulozit. Ajo e di që nuk ka më kohë për të jetuar dhe dëshiron të shijojë momentet e saj të fundit. Historia është një mësim i vërtetë për vlerën e jetës duke të mësuar të mos kesh frikë nga vdekja. Një gjë është e sigurt: Do të keni nevojë për një shami të madhe teksa e shfletoni këtë libër.

"Chocolat" nga Joanne Harris

Një roman i tejngopur me shije çokollate, karameli, cupcakes të pjekur dhe mister, shumë mister. Në roman mund të takoni dy personazhe të mrekullueshëm, një nënë dhe një vajzë, të cilat hapin një dyqan çokollatash dhe ndryshojnë jetën e banorëve të zonës. Ky libër tregon se çdo grua ka një magji në vetvete, vetëm se ka nevojë të dijë si ta përdorë atë.

"Rrëfenja e Shërbëtores" nga Margaret Atwood

Romani, i shkruar në vetë të parë, është rrëfimi  i shërbëtores me emrin e çuditshëm Efrediti, të cilën regjimi e ka shkëputur nga familja, i ka zhdukur burrin dhe fëmijën, i ka mohuar emrin e vërtetë dhe e detyron, bashkë me gra të tjera në të njëjtën gjendje, të jetë makina riprodhuese e pushtetarit  të lartë të quajtur në libër  “Komandanti”. “Rrëfenja e shërbëtores”, i vendosur në një shtet totalitar, të bazuar mbi kontrollin e trupit femëror, eksploron tematikën e nënshtrimit të femrës dhe të manipulimit të masave nga politika e etur për pushtet. Ky libër është një leksion i shkëlqyer për vlerën e lirisë.

"The Best of Me" nga Nicholas Sparks

Nicholas Sparks shkruan një novelë aq natyrale saqë të bën të besosh çdo fjalë që thuhet në të, e të jetosh çdo emocion. Historia ka gjithçka që ju duhet nëse doni të shëtisni në një natë të qetë; në një vend të qetë, larg nga diku duke mos harruar suspansën. Shkurt një histori që do t’ju bëjë ta dashuroni për historinë rozë që qëndron kah përjetësisë.

"Ditar" nga Anne Frank

Anne Frank ka lindur në vitin 1929. Ajo vdiq në një kamp përqendrimi në moshën 15-vjeçare duke lënë pas një ditar të fshehur për dy vite teksa ajo u strehua në Holandë së bashku me familjen e saj gjatë pushtimit nazist. Ky ditar mori vëmendjen e njerëzve në mbarë botën. Është e domosdoshme të kalosh në libra të tillë, sepse ata na kujtojnë për historitë e tmerrshme që njerëzve iu është dashur të kalojnë duke na kujtuar se pavarësisht rrethanave nuk kanë hequr dorë asnjëherë nga jeta.

"Unë Më Parë Se Ty" nga Jojo Moyes

Louisa është një vajzë e zakonshme që jeton një jetë të qetë, në paqe me veten,  aq komode sa edhe e mërzitshme. Will është i suksesshëm, biznesmen i fuqishëm. Por një ditë, çdo gjë ndryshon. Will përfshihet në një aksident rrugor dhe përfundon në një karrige me rrota. Aksidenti i mori edhe dëshirën për të jetuar. Louisa bëhet bëhet infermeria e tij. Historita e tyre mëson lexuesin se ndonjëherë vështrësitë mund të jenë të kapërcyeshme edhe pse çdo gjë tregon të kundërtën.

"Lolita" nga Vladimir Nabokov

Humbert Humberti, një kritik letrar në mesmoshë, pas martesës së tij të dështuar, niset në kërkim të një strehe ku mund të shkruajë i qetë, diku në një qytezë në New England. Ndërsa është duke këqyrur për një dhomë me qira në shtëpinë e zonjës Hejz, sytë e tij ndeshin të bijën e zonjës së shtëpisë, Dolorezën, një dymbëdhjetëvjeçare e rritur para kohe, pas së cilës ai nis e lë mendtë. Për disa ky libër do të mbetet historia e “dashurisë me shikimin e parë, të dytë, e çdo e çdo shikim”.

"Gruaja e Kolonelit Francez" nga John Fowles

Në breg të detit qëndron çdo ditë një grua e veshur me të zeza duke kundruar dallgët. Një ditë një djalë i ri e vë re. Ai është në prag martese me një grua tjetër dhe çdo gjë fillon të shkojë keq. A do të martohet ai me të, apo do të zgjedhë të ushqejë pasionin e tij? Ti zgjedh. Fowles ka shkruar dy versione sesi historia mund të mbyllej. Një mënyrë për të treguar sesa personale është ndjenja e ndërgjegjes.

"E Dashur Jetë" nga Alice Munro

Tipari karakteristik i librave të shkruar nga fituesja e Çmimit Nobel Alice Munro është që ju mund të pengoheni me një histori të ngjashme me atë të jetës tuaj. Ata madje posedojnë të metat dhe veçoritë e karakterit tuaj. Pika e fortë e historisë së Munro-së është dhembshuria e saj për personazhet dhe “E dashur Jetë” e tregon atë në mënyrë të përkryer.

Librat që jua shtojnë dashurinë

 



Ata që bëjnë dhurata çdo vit për Shën Valentin, kanë gjithmonë nevojë për ide dhe libri është, minimumi, një ide e zgjuar. Dhe, qoftë edhe dhuratë e përsëritur, një titull i ri e bën gjithmonë dhuratë të re. Por një libër do ia vlente edhe për ata që nuk e kanë kuptuar kurrë se pse 14 shkurti u kthye në këtë lloj feste masive.

Nëse një i dashuruar blen një libër për partneren e tij, apo e anasjellta, tabloja bëhet më e bukur, ndoshta edhe se çdo dhuratë tjetër. Libri është një provë sinqeriteti, thellësie dhe vërtetësie. 

Po cilët janë librat më të kërkuar si dhuratë për Shën Valentin? Aida Baro, nga shtëpia botuese “Pegi”, propozon këta libra si dhuratë për Shën Valentin.

“Të dua” dhe “Pusulla dashurie” - Cecilia Ahern

Ata që e kanë dashuruar romanin “P.S. Të dua”, kanë pritur me ankth vijimin e historisë së Olit dhe tashmë, “Pusulla dashurie” është në duart e tyre.

Mallëngjyes dhe shpresëdhënës, ky vijim i mrekullueshëm do të na rrëfejë për udhën e re që ndërmerr Oli drejt zbulimit të vetes.

Kanë kaluar shtatë vjetësh që nga humbja e bashkëshortit dhe ajo ka gjetur më së fundi pakëz qetësi. Tani që ka një punë të re dhe një njeri i veçantë është bërë pjesë e jetës së saj, është plotësisht e vendosur që ta hedhë të shkuarën pas krahëve dhe të shohë përpara, vetëm përpara. Por teksa zbulon që historia e letrave të Xherrit ka frymëzuar lindjen e një shoqërie të çuditshme, të quajtur pikërisht “P.S. Të dua”, kujtimi i çasteve më të dëshpëruara kanoset ta përfshijë sërish në kthetrat e trishtimit. Vetëm pasi pranon të ndihmojë anëtarët e shoqërisë “P.S. Të dua” për t’u dhënë lamtumirën e fundit njerëzve të tyre të shtrenjtë, ajo do të kuptojë se çfarë dëshiron në të vërtetë. Kështu do të zbulojë kuptimin e njëmendtë të fjalëve “kujtim”, “e shkuar”, “dashuri”. Dhe mbi të gjitha “e ardhme”.

Pesëmbëdhjetë vjet pas “P.S. Të dua”, historia e Olit pasurohet me një kapitull të ri.

Delikatesa - David Foenkinos

Në shkurt të vitit 2013, shtëpia botuese “Pegi” solli në shqip bestsellerin francez “Delikatesa” të David Foenkinos. Kopertina me Audrey Tautou, aktoren e filmit me të njëjtin titull që u xhirua pas botimit, bëri të vetën, emri i përkthyesit Edmond Tupe, gjithashtu: ndoshta kurrë më parë, për Shën Valentin në Shqipëri, një libër u shit po aq sa lulet…

Natalia dhe Fransuai janë çifti i përkryer dhe janë përsosmërisht të lumtur. Por, kur Fransuai vdes papritur, pas shtatë vjetësh martese të bekuar, vejusha Natali ngre një kala rreth emocioneve të saj, ku askush nuk mund të hyjë më. Derisa kandidati më i paimagjinueshëm shfaqet...

“Dhurojani gjithë të dëshpëruarve të kësaj bote, për t'u rikthyer buzëqeshjen. Për vetë të dëshpëruarit, blijeni! Dhe për ata që nuk janë të dëshpëruar, një kurë e vogël gajasjesh nuk bën kurrë dëm! Lexojeni!” thuhet për librin në Petites lectures entre amis.“Për të kanë thënë se ishte “mashkulli që u pëshpëriste në vesh grave”, gjë që ai e urren. Nuk është e drejtë: librat e tij kanë po aq heronj sa edhe heroina. Është e drejtë: ai flet vetëm për dashurinë. Dashurinë që lind, që arratiset, dashurinë e pastër, të çmendur, të shtrembër, hileqare, të gabuar, dashurinë e përhershme, dashurinë e asnjëhershme”,- shkruan L’Hebdo për autorin.

Përçmimi - Alberto Moravia

“Përçmimi” është një ekzaminim i pamëshirshëm i dëshpërimit dhe i vetëmashtrimit në zbrazëtinë emocionale të shoqërisë moderne të konsumit.

“Përçmimi” u botua për herë të parë më 1954 dhe përfaqëson një prej etapave kryesore të rrugëtimit e kërkimit të Alberto Moravia-s në botën e borgjezisë italiane të shekullit të kaluar.

Rikardo Molteni është dramaturg në profesion, por për shkak të shtrëngesave ekonomike të familjes është i detyruar të punojë si skenarist kinematografik, ndërsa e shoqja, Emilia, ish-daktilografiste, është e dashuruar pas zotërimit të një shtëpie. Në një Romë borgjeze të viteve ‘50, Rikardo rrëfen se si ndryshojnë ndjenjat e të shoqes ndaj tij, kur në skenë futet bota e kinemasë, e karrierës dhe suksesit. Në krye, ato zbehen dalëngadalë derisa mbërrijnë në atë përçmim të dhembshëm, që ngjan i pakuptueshëm qoftë në sytë e protagonistit, qoftë në ata të lexuesit, por që sidoqoftë, Moravia e zgjedh si titull të librit. Sepse pikërisht përçmimi, i prekshëm në dialogët mes çiftit, do të kthehet në personazh dhe do të ndryshojë rolet e protagonistëve, madje do të bëhet ai vetë protagonist, motor prej të cilit lind çdo veprim dhe reagim i tyre.

Miti i “Odisesë” dhe kthimi i Uliksit në shtëpi te Penelopa do të shndërrohet në një përballje dhe analizë të hollë mes qytetarisë dhe barbarizmit, mes normave të nderit dhe njeriut modern.

Më 1963, romani u ekranizua nga regjisori i njohur francez Jean-Luc Godard, me aktorë kryesorë Brigitte Bardot dhe Michel Piçoli.

‘Këngë nga rruga e farkëtarëve’ - poezi të Ndriçim Ademajt

Ditët e mia
kalojnë si re t'hutueme nën qiellin tand...
Nji ditë, prej teje ka me ardhë ai shi
ka me m'lagë, ndoshta me m'mbytë,
e ti ke me i pa retë e mia
qysh ikin kokuluna për askund
ndoshta ke me u mallu e me kujtu sa fort t'kam dashtë
e sa pak jam rujtë prej dashnisë teme...

‘Jehona ngacmimesh të dikurshme’ - skicat erotike të Edmond Tupes

“Jehona ngacmimesh të çuditshme” është vëllimi i tretë me tregime erotike shkruar nga Edmond Tupja. 41 skicat e shkruara ndër vite përshkruajnë situata subtile erotike, të cilat përmes gjuhës, alegorisë, simboleve dhe metaforave e shtyjnë lexuesin drejt fantazisë, rizgjimit të dëshirës e pasionit dhe gjithashtu drejt eksplorimit të mënyrave të reja për ta kuptuar dashurinë dhe erosin. Autori Edmond Tupja (1947) është përkthyes, publicist, leksikograf dhe shkrimtar shqiptar. Ka studiuar në Francë dhe konsiderohet si një nga përkthyesit më të mirë të gjuhës shqipe. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike, si p.sh., “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd”, “Fjalor erotik i gjuhës shqipe”, “Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh” dhe “Po shkoj të kap Enisin”. Ai është gjithashtu autor i veprave autobiografike “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.

'Ringjallja e erosit' - Esther Perel

Në librin e saj “Ringjallja e erosit”, Esther Perel merr në shqyrtim çështje të vështira, përballet me pengesat dhe ankthet që lindin kur kërkimi ynë për një dashuri të sigurt gjendet në konflikt me kërkimin e pasionit. Ajo na fton të eksplorojmë bashkimin paradoksal të përditshmërisë me dëshirën seksuale dhe shpjegon se ç’duhet bërë që epshi të bëhet sërish pjesë e jetës sonë.
Gjatë punës së saj thuajse 35-vjeçare si terapiste çiftesh, Perel-i ka trajtuar qindra çifte, të cilave u ka humbur flaka e pasionit. Ata vërtet duhen dhe janë të hapur me njëri-tjetrin, por sensualiteti iu është venitur. E pra, ç’po ndodh e ç’duhet bërë në këto raste?
Në këtë libër thellësisht origjinal, Perel-i shpjegon që prirjet tona kulturore për barazi, solidaritet dhe dëlirësi absolute janë krejt në antitezë me dëshirën erotike që kanë të dyja palët, si burrat, si gratë. Poetika e seksit del shpesh nga kornizat e të qenit korrekte dhe nuk zbaton asnjëherë rregullat e imponuara nga shoqëria. Ajo lulëzon përmes lojërave të pushtetit, përfitimeve të padrejta dhe në hapësirën ndërmjet vetes dhe tjetrit. Seksi mund të jetë vërtet ngazëllues, lojcak, madje dhe poetik, por së pari duhet të nxjerrim nga dhoma e gjumit idealin e barazisë dhe emocionet familjare.
Nga njëra anë, libri tregon se përse rutina e përditshme e mbyt pasionin dhe i bën çiftet të ndihen si në kafaz, nga ana tjetër, me vizionin e saj, Esther Perel-i, synon t’i çlirojë, t’i joshë e t’i provokojë ato.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...