Ata që bëjnë dhurata çdo vit për Shën Valentin, kanë gjithmonë nevojë për ide dhe libri është, minimumi, një ide e zgjuar. Dhe, qoftë edhe dhuratë e përsëritur, një titull i ri e bën gjithmonë dhuratë të re. Por një libër do ia vlente edhe për ata që nuk e kanë kuptuar kurrë se pse 14 shkurti u kthye në këtë lloj feste masive.
Nëse një i dashuruar blen një libër për partneren e tij, apo e anasjellta, tabloja bëhet më e bukur, ndoshta edhe se çdo dhuratë tjetër. Libri është një provë sinqeriteti, thellësie dhe vërtetësie.
Po cilët janë librat më të kërkuar si dhuratë për Shën Valentin? Aida Baro, nga shtëpia botuese “Pegi”, propozon këta libra si dhuratë për Shën Valentin.
“Të dua” dhe “Pusulla dashurie” - Cecilia Ahern
Ata që e kanë dashuruar romanin “P.S. Të dua”, kanë pritur me ankth vijimin e historisë së Olit dhe tashmë, “Pusulla dashurie” është në duart e tyre.
Mallëngjyes dhe shpresëdhënës, ky vijim i mrekullueshëm do të na rrëfejë për udhën e re që ndërmerr Oli drejt zbulimit të vetes.
Kanë kaluar shtatë vjetësh që nga humbja e bashkëshortit dhe ajo ka gjetur më së fundi pakëz qetësi. Tani që ka një punë të re dhe një njeri i veçantë është bërë pjesë e jetës së saj, është plotësisht e vendosur që ta hedhë të shkuarën pas krahëve dhe të shohë përpara, vetëm përpara. Por teksa zbulon që historia e letrave të Xherrit ka frymëzuar lindjen e një shoqërie të çuditshme, të quajtur pikërisht “P.S. Të dua”, kujtimi i çasteve më të dëshpëruara kanoset ta përfshijë sërish në kthetrat e trishtimit. Vetëm pasi pranon të ndihmojë anëtarët e shoqërisë “P.S. Të dua” për t’u dhënë lamtumirën e fundit njerëzve të tyre të shtrenjtë, ajo do të kuptojë se çfarë dëshiron në të vërtetë. Kështu do të zbulojë kuptimin e njëmendtë të fjalëve “kujtim”, “e shkuar”, “dashuri”. Dhe mbi të gjitha “e ardhme”.
Pesëmbëdhjetë vjet pas “P.S. Të dua”, historia e Olit pasurohet me një kapitull të ri.
Delikatesa - David Foenkinos
Në shkurt të vitit 2013, shtëpia botuese “Pegi” solli në shqip bestsellerin francez “Delikatesa” të David Foenkinos. Kopertina me Audrey Tautou, aktoren e filmit me të njëjtin titull që u xhirua pas botimit, bëri të vetën, emri i përkthyesit Edmond Tupe, gjithashtu: ndoshta kurrë më parë, për Shën Valentin në Shqipëri, një libër u shit po aq sa lulet…
Natalia dhe Fransuai janë çifti i përkryer dhe janë përsosmërisht të lumtur. Por, kur Fransuai vdes papritur, pas shtatë vjetësh martese të bekuar, vejusha Natali ngre një kala rreth emocioneve të saj, ku askush nuk mund të hyjë më. Derisa kandidati më i paimagjinueshëm shfaqet...
“Dhurojani gjithë të dëshpëruarve të kësaj bote, për t'u rikthyer buzëqeshjen. Për vetë të dëshpëruarit, blijeni! Dhe për ata që nuk janë të dëshpëruar, një kurë e vogël gajasjesh nuk bën kurrë dëm! Lexojeni!” thuhet për librin në Petites lectures entre amis.“Për të kanë thënë se ishte “mashkulli që u pëshpëriste në vesh grave”, gjë që ai e urren. Nuk është e drejtë: librat e tij kanë po aq heronj sa edhe heroina. Është e drejtë: ai flet vetëm për dashurinë. Dashurinë që lind, që arratiset, dashurinë e pastër, të çmendur, të shtrembër, hileqare, të gabuar, dashurinë e përhershme, dashurinë e asnjëhershme”,- shkruan L’Hebdo për autorin.
Përçmimi - Alberto Moravia
“Përçmimi” është një ekzaminim i pamëshirshëm i dëshpërimit dhe i vetëmashtrimit në zbrazëtinë emocionale të shoqërisë moderne të konsumit.
“Përçmimi” u botua për herë të parë më 1954 dhe përfaqëson një prej etapave kryesore të rrugëtimit e kërkimit të Alberto Moravia-s në botën e borgjezisë italiane të shekullit të kaluar.
Rikardo Molteni është dramaturg në profesion, por për shkak të shtrëngesave ekonomike të familjes është i detyruar të punojë si skenarist kinematografik, ndërsa e shoqja, Emilia, ish-daktilografiste, është e dashuruar pas zotërimit të një shtëpie. Në një Romë borgjeze të viteve ‘50, Rikardo rrëfen se si ndryshojnë ndjenjat e të shoqes ndaj tij, kur në skenë futet bota e kinemasë, e karrierës dhe suksesit. Në krye, ato zbehen dalëngadalë derisa mbërrijnë në atë përçmim të dhembshëm, që ngjan i pakuptueshëm qoftë në sytë e protagonistit, qoftë në ata të lexuesit, por që sidoqoftë, Moravia e zgjedh si titull të librit. Sepse pikërisht përçmimi, i prekshëm në dialogët mes çiftit, do të kthehet në personazh dhe do të ndryshojë rolet e protagonistëve, madje do të bëhet ai vetë protagonist, motor prej të cilit lind çdo veprim dhe reagim i tyre.
Miti i “Odisesë” dhe kthimi i Uliksit në shtëpi te Penelopa do të shndërrohet në një përballje dhe analizë të hollë mes qytetarisë dhe barbarizmit, mes normave të nderit dhe njeriut modern.
Më 1963, romani u ekranizua nga regjisori i njohur francez Jean-Luc Godard, me aktorë kryesorë Brigitte Bardot dhe Michel Piçoli.
‘Këngë nga rruga e farkëtarëve’ - poezi të Ndriçim Ademajt
Ditët e mia
kalojnë si re t'hutueme nën qiellin tand...
Nji ditë, prej teje ka me ardhë ai shi
ka me m'lagë, ndoshta me m'mbytë,
e ti ke me i pa retë e mia
qysh ikin kokuluna për askund
ndoshta ke me u mallu e me kujtu sa fort t'kam dashtë
e sa pak jam rujtë prej dashnisë teme...
‘Jehona ngacmimesh të dikurshme’ - skicat erotike të Edmond Tupes
“Jehona ngacmimesh të çuditshme” është vëllimi i tretë me tregime erotike shkruar nga Edmond Tupja. 41 skicat e shkruara ndër vite përshkruajnë situata subtile erotike, të cilat përmes gjuhës, alegorisë, simboleve dhe metaforave e shtyjnë lexuesin drejt fantazisë, rizgjimit të dëshirës e pasionit dhe gjithashtu drejt eksplorimit të mënyrave të reja për ta kuptuar dashurinë dhe erosin. Autori Edmond Tupja (1947) është përkthyes, publicist, leksikograf dhe shkrimtar shqiptar. Ka studiuar në Francë dhe konsiderohet si një nga përkthyesit më të mirë të gjuhës shqipe. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike, si p.sh., “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd”, “Fjalor erotik i gjuhës shqipe”, “Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh” dhe “Po shkoj të kap Enisin”. Ai është gjithashtu autor i veprave autobiografike “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.
'Ringjallja e erosit' - Esther Perel
Në librin e saj “Ringjallja e erosit”, Esther Perel merr në shqyrtim çështje të vështira, përballet me pengesat dhe ankthet që lindin kur kërkimi ynë për një dashuri të sigurt gjendet në konflikt me kërkimin e pasionit. Ajo na fton të eksplorojmë bashkimin paradoksal të përditshmërisë me dëshirën seksuale dhe shpjegon se ç’duhet bërë që epshi të bëhet sërish pjesë e jetës sonë.
Gjatë punës së saj thuajse 35-vjeçare si terapiste çiftesh, Perel-i ka trajtuar qindra çifte, të cilave u ka humbur flaka e pasionit. Ata vërtet duhen dhe janë të hapur me njëri-tjetrin, por sensualiteti iu është venitur. E pra, ç’po ndodh e ç’duhet bërë në këto raste?
Në këtë libër thellësisht origjinal, Perel-i shpjegon që prirjet tona kulturore për barazi, solidaritet dhe dëlirësi absolute janë krejt në antitezë me dëshirën erotike që kanë të dyja palët, si burrat, si gratë. Poetika e seksit del shpesh nga kornizat e të qenit korrekte dhe nuk zbaton asnjëherë rregullat e imponuara nga shoqëria. Ajo lulëzon përmes lojërave të pushtetit, përfitimeve të padrejta dhe në hapësirën ndërmjet vetes dhe tjetrit. Seksi mund të jetë vërtet ngazëllues, lojcak, madje dhe poetik, por së pari duhet të nxjerrim nga dhoma e gjumit idealin e barazisë dhe emocionet familjare.
Nga njëra anë, libri tregon se përse rutina e përditshme e mbyt pasionin dhe i bën çiftet të ndihen si në kafaz, nga ana tjetër, me vizionin e saj, Esther Perel-i, synon t’i çlirojë, t’i joshë e t’i provokojë ato.
Artikuj të këshilluar
LIBRA DHE AUTORË
Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit
..
LIBRA DHE AUTORË
‘Përtej botës sime’, historia tronditëse dhe frymëzuese e 11-vjeçares me aftësi ndryshe
E jashtëzakoshme ..
LIBRA DHE AUTORË
Jeta e aktores së madhe, e gjitha në një libër: Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti”
..
LIBRA DHE AUTORË
Panairi i Librit 2021, kush fitoi çmimin si autori më i mirë
..
LIBRA DHE AUTORË
Titujt që duhet të blini këtë vit në Panairin e Librit
..