Me 69 vota për është formuar organi përzgjedhës i pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Anëtarë të Komisionit do të jenë Rustem Thaçi, Franciska Zhitia-Imeri, Nikola Petroljeviç.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, para votimit të kësaj pike, ka thënë se me procedurën që ka bërë qeveria po del që paska mundur para një viti ta kryej këtë punë.
“Qeveria në këtë rast është pjesë e një afere korruptive me tenderë njëburimor. Ky është problemi që e ka Kuvendi. Një orë pa ardhur kjo pikë në rend kryeministri prej Amerike e ka ndalë counter strike-in edhe e ka propozu një emër”, ka thënë ai.
Bordi i OSHP-së nuk është funksional nga 31 marsi i vitit 2021.
Seanca ka përfunduar në mungesë kourumi dhe do të vazhdojë të premten.
Opozita thotë se nuk do ta votojë organin për përzgjedhjen e Bordit të OSHP-së
Pika për formimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka nxitur debat mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.
Deputeti i LDK-së, Driton Semanaj, ka thënë se që nga marsi 2021 Organi Shqyrtues i Prokurimit është pa Bord funksional, që sipas tij i bije se janë qindra mijëra euro të bllokuara.
Ai ka thënë se Ligji për OSHP-në nuk e obligon Qeverinë të shpallë konkurs, por në Kosovë ka më shumë se 4 raunde që është instaluar praktika e organizimit të konkursit.
“Qeveria çfarë bën? Shpallë konkurs dhe pasi të mbyllet i shton edhe tre emra të tjerë. Për ta shtuar paradoksin dy orë para se kjo të vijë në votim qeveria shtoi edhe një propozim. Çfarë po ndodh me këtë qeveri? Nuk respekton as praktiken as ligjin. Edhe organizon konkurs edhe propozon emra jashtë konkursit. I bije që kryeministri ka emra të përveçëm që ka blerë më shumë se ata që kanë konkurruar. Për këtë shkak ne nuk mund të votojmë dhe nuk bëhemi pjesë e kësaj loje të pakuptimte që tregon qëllimin për kapjen e këtij institucioni”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kjo qeveri edhe i ka dëgjuar miqtë ndërkombëtar edhe ka propozuar jashtë konkursit njerëz.
“Kryeministrit nuk i ka pëlqyer konkursi dhe emirat në të, sot na erdhi edhe i katërti. Prej Amerike ka organizuar mbledhje të qeverisë për ta propozuar edhe emrin e katërt”, ka thënë ai.
Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në raportin e Freedom House është përmirësuar Qeverisja në Kosovë.
Ajo ka thënë se nuk mund ta prishim një praktikë që tregon rezultat pozitiv.
“Nëse duan destruktivitet le të provojnë metoda të tjera. Mos të dalin dhe të vendosin fajin tjetër kund për arsye se sot është një proces i rëndësishëm. Ftoj deputetët të votojnë propozimin e KGJK-së për përzgjedhjen e anëtarëve të OSHP-së për zhbllokimin e qindra-mijëra eurove”, ka thënë ajo.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se janë mbi 200 milionë të bllokuara në institucione si pasojë e moszgjidhjes së bordit të OSHP-së tash e 12 muaj.
Sipas tij, kjo nënkupton që Qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin e emërimit të bordit për të vendosur një bord që u shkon përshtati kontraktimeve të Qeverisë.
“Ne si GP e kontestojmë procesin dhe tej zgjatjen, si rezultat si GP nuk e votojmë”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka pyetur se ku ka mbërritur akumulimi i fondeve nga tenderët e pa kontraktuar.
Ai ka thënë se nuk mundet paaftësia të kamuflohet, kur sipas tij, për çdo ditë është bërë thirrje për funksionalizim të OSHP-së.
“Dyshimet tona janë të bazuara kontratat burimore të negociuara në tavolinë në katër sy dhe prapa tyre qëndrojnë afera të mëdha korruptive.
Të thuhet që ne jemi kundër zhbllokimit kjo nuk është e vërtetë por ne kemi bërë thirrje që të mos kapet ky organ i rëndësishëm.
Të thuhet që nuk u përkrah një marrëveshje ndërkombëtare është gënjeshtër ajo jepet për trajnime për gjëra që janë bazike dhe të cilat për mendimin tonë i ka kaluar Republika e Kosovës.
Njerëzit që paguhen aty janë të paguar ta kryejnë atë detyrë, ka kaluar koha e trajnimeve e ligjëratave, kemi ecur përpara. Kreditë nuk janë falë të buta a të forta ato duhet të kthehen nga taksat e qytetarëve. Bllokimi ka pasur arsye, arsyet kanë qenë korruptive, nuk ka tjetër”, ka thënë ai.
Deputeti Hajdar Beqa ka thënë se nuk do ta votojë këtë pikë, pavarësisht se çfarë vendimi merr grupi i tij parlamentar.