Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/19

Çamëria, zëri i arsyes hyjnore




 Shefki Hysa është një nga shkrimtarët më interesantë të një brezi krijuesish, që erdhën në letrat shqipe, pas çlirimit të tyre nga kufizimet dhe tabutë jashtëletrare të një periudhe ndalimesh e muresh, duke na dhënë një vizion të ri për përditshmërinë, kohën dhe bashkëkohësit. Bir i një familje çame, që ka përjetuar një kalvar të dyfishtë, atë greko-zervist dhe atë komunist, Shefki Hysa ka ngritur në sistem estetik fatin dhe fatalitetin e Çamërisë, një botë magjike plot kumte thellësisht historike e mitologjike, në kërkim të identitetit të bjerrur çam. Në një epokë të mbrapshtë, ndër udhëkryqet më të trishta kombëtare shqiptare, një popull i pafajshëm, në tokat e stërgjyshërve fisnikë, u përndoq e u linçua nga barbarët. Shefki Hysa në rrëfimet e tij e risjell artistikisht Çamërinë, këtë copë truall epik të gjymtuar nga vrazhdësia e kohërave. Ai rrëfen për një botë ku gëlojnë ende ëndrrat dhe shpresat e njerëzve të lirë, se një ditë do të kthehen në Edenin e mohuar. Shefki Hysa është shkrimtar i vëzhgimit të hollë psikologjik, i narracionit të gjallë ku gërshetohet përshkrimi, dialogu, monologu dhe mpleksen fort e shkrihen në njëra-tjetrën realja dhe fiksimi, e mundshmja dhe transhendetja, ëndrra dhe veprimi i vetëdijshëm, një botë që, me anë të protagonistëve që veprojnë në të, apelon për më shumë liri, paqe e humanizëm. Por ajo që e bën atë një shkrimtar me një profil estetik krejt të tij është ngritja në kult e botës çame, ai kërkim metaforik në analet e mitit dhe të historisë së një populli të ndaluar, që në këtë erë të re të globalizmit ende është peng i psikozave nacionaliste e shoviniste të fqinjëve tanë. Në një sërë krijimesh të mrekullueshme si tregime, romane, libra pulicistiko-letrarë, ku gëlojnë dritëhijet e një kohe të ngecur në një nga labirinthet më të koklavitura të kohës shqiptare, Shefki Hysa ndërton një sagë narrative poetike të gjithëkohshme, ku lëviz ëndrra dhe realiteti i Çamërisë. Tredimensionaliteti kohor, ku i vendos Hysa ngjarjet e rrëfimeve të tij, përfshin në mënyrë estetike ato ura të kujtesës shqiptare, ballkanike, europiane e botërore, ku prapa çdo trilli artistik është një fakt historik për Çamërinë, të vërtetat e ndrojtura, të shpallura apo të nënkuptuara, që ushqejnë pemën e dhimbjes, qëndresës dhe dashurisë së një populli të ndaluar. Eksodi çam nga trojet e të parëve të tyre, të përndjekur nga pasardhësit e atyre që i kishin dhënë botës përfytyrimin më të mirë të paqes e bashkëjetesës, me anë të rrëfimeve të Homerit dhe sagave filozofike të Aristotelit, Platonit e Sofokliut, këtyre kalorësve të së drejtës, i përngjet rrugëtimit biblik të Moisiut dhe izrealitëve, të përndjekur nga Faraoni i Egjyptit. Me një ndryshim, se izrealitët prireshin në kërkim të Tokës së Premtuar, ndërsa çamët i përzunë nga toka e tyre dhe i vranë e i përndoqën egërsisht. Masakra ndaj çamëve i ngjet holokaustit nazist, të aplikuar nga një sistem monstër, si ai që derdhi mbi hebrenjtë llavën e një urrejtje patologjike, ushtroi genocidin deri në shfarosje të proteinës njerëzore. Hebrejtë u ngritën mbi detin e dhimbjeve, mbi rrënimin dhe plagët dhe shkuan në tokën e tyre të premtuar për të ndërtuar Izrealin dhe për të gjetur vetveten e humbur në një kohë-hapësirë të çmendur. Çamët e kanë Tokën e Premtuar, ato vise përrallore ku “pikon diell e mjaltë”, siç thotë një poet, por në të jetojnë të huajt, grekët, të cilët i kanë përzënë nga tokat dhe pronat e tyre, duke i privuar nga varret e gjyshërve, nga historia e të parëve fisnikë, nga mitet dhe legjendat e një populli me shpirt të pasur poetik. Dr. Haim Raitan, diplomat, personalitet i shquar me origjinë izrealite, pasi është njohur me dosjen çame, shprehet në një nga qëndrimet e tij publike: “Edhe unë jam çam, jam nga Çamëria. Ashtu si të parët e mi i mbijetuan holokaustit, luftuan dhe panë me sytë e tyre krijimin e shtetit të Izraelit, edhe unë do ta quaja për nder të përpiqesha për çështjen çame”. Ndërkombëtarizimi i të vetmes dosje në Europë e më gjërë, dosjes çame, që ende mbahet peng e komplekseve të një madhështie të rreme, që ka perënduar bashkë me perandoritë e fantaksura, çdo ditë e më shumë evidenton domosdoshmërinë e këputjes së kësaj nyjeje gordiane, e cila mban në këmbë ligjin absurd të luftës midis dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë. Dy vende, të cilët historia më shumë i bashkon se i largon nga njëri-tjetri, janë peng i një kompleksi sindromik, shovinist. Në mes është Çamëria, toka përkohësisht e humbur. Ajo është qendra e gravitetit të botës shqiptare, por dhe e botës demokratike, që nuk punon me orën e vjetër të disa qarqeve të Athinës. Kjo botë e përndezur nga sharmi i mbijetesës historike dhe kërkimi i rrugëve për t’u ngritur mbi komplekset e harrimit muzeal, i jep spunto shkrimtarit Shefki Hysa për të ndërtuar një gamë tematikash, ku protagonistët bëjnë luftën e tyre të radhës për triumfin e çështjes çame. Autori është i vetëdijshëm se grekët erdhën si vikingët në këtë vend, duke përzënë me dhunë e terror vendasit, por ishin më barbarë se vikingët. Nëse vikingët, në fund të fundit, u shkrinë me popullsinë anglo-saksone, duke mësuar prej tyre alfën dhe omegën e qytetërimit, grekët jo vetëm i dëbuan çamët, jo vetëm nuk mësuan nga fisnikëria deri në altruizëm i tyre, por segmente të caktuara të shtetit dhe shoqërisë helene ende sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë më vikingë se vikingët, duke ushqyer psikozat e urrejtjes gjenetike ndaj çamëve. Në këtë këndvështrim, libri me proza të shkurtëra “Aromë Çamërie” i shkrimtarit çam Shefki Hysa, është një vizatim narrativo-poetik me dorë të lirë i një bote të virgjër e të etertë, ku personazhet kërkojnë fatet e tyre dhe fatet e një toke të mbetur pa njerëz, të një popullate ikanake, peng i një historie të keqkuptuar e të devijuar deri në absurditet. Nuk është vetëm tematika e hapësirës çame me të veçantat e saj, me dritëhijet, misterin, botën transhendente të miteve e legjendave çame, të panjohura ose fare pak të njohura në letrat tona, që e bëjnë këtë libër të lexohet me një frymë. Mbi të gjitha, është magjia e rrëfimit, sugjestioni i mjediseve dhe situatave, zhdërvjelltësia e tipave dhe karaktereve të vizatuar, kumti i asaj bote të përndezur nga prurje emocionale të shkallës së epërme, që përcjell fati i Çamërisë në optikën estetike të shkrimtarit Shefki Hysa. Autori, ky kërkues pasionant i psikologjisë dhe shpirtit çam, në vazhdën e Bilal Xhaferrit dhe apostujve të tjerë të letrave shqipe, në atë cep të harruar të Iliriadës, ku perëndesha Dodona foli së pari shqip, dhe pasardhësit e Pirros u nisën në rrugëtimin biblik drejt një fati të panjohur, jo një herë në shkrimet dhe librat e tij, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli të sakrifikuar, i cili në majë të Golgotës së një stine të trishtë u kryqëzua nga kryqëzorë, që nuk kanë as pseudo-alibinë e Pilatit. Në tregimet e këtij libri lëvrin fati i çamëve, rruga e kalvarit, makthi ekzistencial i një populli që, edhe pse ka bashkëjetuar në prehistori me Zeusin dhe perënditë mitologjike dhe trashëgon genin fisnik të epirotëve, i kanë mohuar pragun e shtëpisë, gurin e themelit dhe gurin e varrit. Në tregimin “Elimët”, autori, duke shfrytëzuar heronjtë e eposit çam, elimët, botën e tyre mistike dhe magjike, ato elementë aq të veçantë e sugjestivë, që i jep në dorë një folklor dhe mitolgji e virgjër, ndërton një rrëfim të mrekullueshëm, ku me anë të personazhit kryesor, Fatos Mero Rrapaj, një figurë reale e botës shqiptare, një historian kurajoz, që e ka mbartur çështjen çame si një peng ekzistencial, përcjell makthin, deziluzionin, ëndrrën dhe shpresën e vetë popullit çam, në luftën e tij shekullore për të gjetur vetveten dhe tokën e mohuar. Në fakt, bota fantastike, që i jep rrëfimit sharm e ngjyra të gjalla në disa proza të shkurtëra të kësaj përmbledhjeje, si në tregimin “Didini” ku elementët magjikë shërbejnë për strukturimin narrativ dhe përforcimin e lëndës jetësore, “Turtullesha dhe djalli”, që ka në qendër të rrëfimit një legjendë të lashtë çame etj., “Elimët” ku shkrihen në një fantastikja me të mundshmen, të kujtojnë imazhet kuteliane, atë botë lugetërish, hijesh nate e fantazmash që tregimtari i shquar e vuri në shërbim të mesazheve të tij estetike për fatin dhe fatalitetin njerëzor. Por ndryshe nga Kuteli, Hysa shfrytëzon një arkiv origjinal bestytnish, duke i përdorur ato jo si qëllim në vetvete, por për të përforcuar elementët jetësorë, për t’iu dhënë atyre më shumë sharm e motivim në rrugëtimin e tyre arkitipal drejt dimensioneve të ëndrrës së madhe çame. Para se të sendërtohet në prozën magjike të Shefki Hysës, realizmi magjik mund të themi se ka ekzistuar qysh në prehistorinë e largët në mitet, përrallat e legjenendat e popullit çam, në atë dimension poetik të pavetëdijes më të thellë kolektive, që ka krijuar vetë zotat në tempullin madhështor të Dodonës pellazgjike. Fryma markeziane që përshkon prozën e Hysës, veçanërisht tregimet, ka të bëjë me prerjen vertikale të linjave të rrëfimit, ku sundon fiksimi dhe paradestinimi estetik. Por, ndryshe nga Markezi, që në shumë proza të tij i shikon marrëdhëniet njerëzore dhe, në këtë kuadër, dhe të drejtën zakonore latino-amerikane që popullon prozën e tij në frymën e një vartësie të kulluar nga miti dhe mitologjia, Shefki Hysa e vë mitin dhe mitologjinë në shërbim të përforcimit të historisë dhe evidentimit të simbolikës dhe metaforës së realitetit. Në këtë kuptim, fantastikja i shërben Hysës për ta bërë më të prekshme realen, për t’i dhënë një tjetër kuptimshmëri rrëfimit. Kështu, bie fjala, Didini, heroi i tregimit me të njejtin titull, i cili shfaqet dhe vepron jo si njeri konkret, por si shpirt i trazuar i djaloshit nacionalist, masakruar nga komunistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, në rrethanat magjike ku vepron, përcjell më së miri tragjiken e një kohe të keqe, kur një pjesë e shqiptarëve vranë e masakruan pjesën tjetër për shkak të ideologjisë së huajtur nga stepat moskovite, që hyri si një makth vrasës midis tyre. Ngjarjet në rrëfim ndodhin në perspektivë, duke e mbështjellë gjithë materialin jetësor rreth personazhit shpirt, i cili si një fllad i padukshëm shkon e vjen në viset e vendlindjes, duke përcjellë ngjarjet e një kohe kallkan, që hyri si një gjëmë midis shqiptarëve. Fakti që Didini është çam e bën dyfish tragjike dramën e tij, rrëfyer mjeshtërisht nga shpirti i djalit të ri, që endet tutje-tëhu, në kërkim të vetvetes fillestare, mbetur në një muzg të egër gjaku e dhimbjeje. Tregimi “Qafa e botës” është një sagë tragjike e ngjeshur dhe befasuese, me kode simbolike që shpërfaqen te kloni vdekjeprurës (rrethim telash me gjemba përcjellës të një voltazhi vrastar energjie elektrike), që ndante dy botë, botën propogandistike këtej kufirit shqiptar, e cila villte zjarr mbi ata që guxonin të kalonin kufirin e telave me gjemba drejt ëndrrës së një bote të lirë, ku frynin të tjera erëra, ku ndodhej Çamëria, kjo nuse e bukur e Ballkanit, robinë e grekëve. Udhëtimi i protagonstit të kësaj proze nga kloni i ngrirë, ku endet hija staliniste shqiptare, drejt Çamërisë është një aventurë tragjike ku mplekset krimi, paradoksi, deliri, malli, kërkimi i atyre të vërtetave psiqike, etike, morale e filozofike, që mbartin kohën dhe hapësirën e ndaluar çame. Shkrimtari Shefki Hysa e ka shndërruar dosjen e Çamërisë në një metaforë universale të kërkimit të identitetit të bjerrun, ku fati individual dhe kolektiv i një populli të përzënë barbarisht nga trojet e të parëve, ndërthuret në metafizikën e kohë-hapësirës së lirisë. Libri me tregime “Aromë Çamërie”, në kuptimin e të vërtetave estetike që shpalos dhe të mesazheve që përcjell, siç thotë shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, “është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm, si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e të gjithë shqiptarëve”. Në thelb, kjo është e drejta e të gjithë progresistëve dhe idealistëve të mbarë botës. Stili i ngjeshur e konçiz, por i ngrohtë dhe plot ngjyra e jetë, ku shkrihen në një rrëfimi i pastër, monologu dhe dialogu, poetika dhe lirika, ironia, grotesku dhe paradoksi, vendosja e fantastikes në një kontekst të drejtë pisikiko-estetiko-linguistik, gjuha e figurshme, plot thyerje dhe të papritura, fraza elegante dhe plot sharm gjuhësor etj., e bëjnë prozën e shkurtër të Shefki Hysës të lexohet me një frymë. Shkrimtari çam Shefki Hysa beson në arsyen hyjnore të vendlindjes së të parëve të tij, beson në zërin e Çamërisë dhe zërin e kësaj arsyeje transhendente e ka grimcuar në dhjetëra zëra protagonistësh të tregimeve të tij të mrekullueshme të paraqitura në këtë libër, të cilët besojnë se një ditë do të kthehen në tokën e tyre, ku piqen fruta dashurie dhe bashkëjetese, në këtë cep të trazuar të Ballkanit. Dukagjin HATA

Bota çame, një rrëfim historiko-publicistik i shpirtëzuar


Rreth librit publicistik “Diplomacia e vetëmohimit” i autorit Shefki Hysa



Shkrimtari Shefki Hysa, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikolgjisë dhe shpirtit çam, në vazhdën e Bilal Xhaferrit dhe apostujve të tjerë të letrave shqipe, në atë cep të harruar të Iliriadës, ku perëndesha Dodona foli së pari shqip, jo një herë në shkrimet dhe librat e tij, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli muhaxhir, atij çam, në dejet e të cilit rrjedh gjak i pastër i epirotasve të vjetër, që e shkruan historinë e fiseve krenare e të panështruar ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare. Shefki Hysa e ka shndërruar temën e fatit të Çamërisë në një         Dugagjin Hata

metaforë universale të kërkimit të identitetit të bjerrun, ku fati individual dhe kolektiv ndërthuren në metafizikën e kohë-hapësirës së lirisë. Pas një sërë rrëfimesh të mrekullueshme si tregime, romane dhe saga, ku bota çame lëviz në dritëhijet e kohës, Shefki Hysa i kthehet një historie të drejtpërdrejtë, por një “historie të shpirtëzuar nga uni poetik”, siç mund të thoshte Umberto Eco, për kohën e ndaluar çame. Kjo kohë jepet në tredimensionalitetin e saj, në lidhje me ato ura të kujtesës shqiptare, ballkanike, europiane dhe botërore, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për tek pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të ndaluar. Në këtë vazhdë, libri i tij i ri “Diplomacia e vetëmohimit” është një përmbledhje publicistike me artikuj, ese, intervista, kujtime, mbresa, portrete, përshtatje, readaktime, replika, reportazhe, rrëfime, skica, në fokus të së cilës është zbulimi i botës shqiptare të Çamërisë, në atë vektor historik dhe aktual që quhet çështja çame dhe që përbën nyjen gordiane të historisë së re shqiptare. Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë dhe plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, portretizimi dhe analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, qëndrimi personal dhe qëndrimi komunitar e, më tej, qëndrimi kombëtar për këtë çështje kapitale të botës shqiptare, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i gazetarit përzihet me tharmin estetik të shkrimtarit, Shefki Hysa na sjell në këtë libër më shumë se një shqetësim për fatin historik të një populli ikanak, të sakrifikuar në rrugën e kalvarit të dyfishtë, atij greko-zervist dhe enveristo-komunist. Autor i disa librave artistikë si tregime dhe romane, si dhe botues i revistës prestigjioze “Krahu i shqiponjës”, ku herë pas here ka përcjellë hapësira narrative dhe dukuri të botës çame, (për romanin e tij të fundit që trajton fatin dhe fatalitetin çam flet me admirim Kadareja), Hysa në këtë libër na sjell një vlerësim historiko-letrar dhe filozofik mbi një plagë të botës shqiptare, plagën çame. Kjo plagë, që vazhdon të na shkaktojë dhimbje të gjithë ne shqiptarëve, duhet operuar pa u kthyer në gangrenë dhe pa dëmtuar gjithë trupin e çështjes kombëtare shqiptare, pohon autori me sjelljen e fakteve dhe qëndrimin intelektual të tipit gandist të tij. Autori nënvizon me forcën e argumentit, se në tunelin e errët të një të kaluare tragjike, e cila ende duket se mban peng kujtesën e të gjallëve dhe të të vdekurve, pas kaq kohësh heshtjeje, paragjykimi dhe dizinformimi, duket, më në fund, një fjollë drite. Autori na fton të rendim drejt kësaj fjolle, të shohim matanë saj, atë rrugë ku shpaloset vizioni dhe strategjia e ardhmërisë për atë tokë dhe popull të sakrifikuar. Në këtë libër voluminoz lëvizin personazhe historikë dhe vipa, njerëz të thjeshtë dhe indidvidë që e kanë mbartur barrën çame rrugëve të Gogoltës staliniste shqiptare, lëvizin Bilal Xhaferri, Ismail Kadareja, Namik Mane, Sabri Godo, Bedri Myftari, Ibrahim Hoxha, Pandeli Koçi, Pjetër Arbnori, Sali Berisha, vizioni politik dritëshkurtër që nuk prodhon asgjë përveçse konjuktura momenti për hir të mbijetesës së iks partie apo ypsilon politikani, por dhe ai vizion që mbruhet në kudhrën e nacionalizmit real (jo të nacionalizmit folklorik) dhe gjeneron ide për të ardhmen e popullit dhe truallit çam. Por këndvështrimit të gjërë, investigues, përqasës dhe polemizues nuk i shpëtojnë dhe figura të tilla ndërkombëtare si Hillari Klinton, studiuesja dhe diplomatja angleze Miranda Wickers etj, që në manastirin e zymtë të çështjes çame kanë ndezur qiririn e shpresës. Universi i botëvështrimit të autorit është vetë universi i thyer dhe shumëplanësh i çështjes çame, e cila përbën një dimension ende të paeksploruar të çështjes kombëtare shqiptare. Në thelb libri është një përvojë e jetuar nga autori dhe bashkëpunëtorët e tij, me fitoret e humbjet, me arritjet e shikuara, arsyetuara, argumentuara, paragjykuara e gjykuara nga këndvështrimi i syve të atyre, që në ëndrrën dhe vizionin e tyre ideal, Çamërinë e kanë pasur dhe e kanë në bashin e vendit. Autori vlerëson botën diplomatike dhe reagimet e saj, që ndonëse të brishta, prap kanë bërë të tyren për të sensibilizuar këtë hapësirë të trishtë të kujtesës kolektive të botës shqiptare, duke nënvizuar faktin se arritjet e diplomacive botërore janë shumë herë më të mëdha se ato të luftërave. Dishepull i frymës gandiste dhe i atyre rrugëve që çojnë ujë në zgjidhjet efektive kombëtare nga mulliri i intelektualitetit, Hysa i bën apel elitës së shoqërisë shqiptare të bëjë atë që duhet për Çamërinë, të kontribuojë që vizioni çam të mos mbetet peng i një të kaluare të trishtë. Autori nënvizon me dhimbje heshtjen thuajse apostolike të shtetit shqiptar përballë një drame historike dhe aktuale, dramës çame, ndërkohë që diplomcia e huaj dashamirëse ndaj shqiptarëve u kujton politikanëve të vendit të shqiponjave, se Çamëria është një peng historik që duhet çliruar nga keqkuptimi dhe padrejtësia, duke e nxjerrë çështjen nga ngrehinat e mykura të arkivave në agjendën politike të ditës. Autori përshkruan labirinthet e një dosjeje sa të keqkuptuar, aq dhe befasuese, për nga shkalla e perceptimit të vetëdijes politike të shqiptarëve. Atë që nuk e bënte dhe vështirë se do ta marrë kurajon ta bëjë ndonjëherë politika e mefshtë dhe pritëse deri në penelopizim naiv, rreken ta bëjnë të huajt e përgjegjshëm, miqtë e këtij vendi me sytë nga Perëndimi. Kështu në verën e vitit 2001, me ndërmjetësimin e Hillary Clinton çështja çame u paraqit në Seantin Amerikan. Në një seancë dëgjimore senatorët u informuan për marrëdhëniet shqiptaro-greke, për zhvillimet, acarimet dhe zbutjet e tyre, që nga vera e vitit 1944, kur ishte ushtruar genocidi mbi popullsinë muslimane, me kombësi shqiptare të Çamërisë, të quajtur ndryshe Thesprotia, duke e masakruar dhe dëbuar atë prej vendlindjes dhe vendbanimit, truallit etnik. Autori përshkruan reagimin e lobit grek në Amerikës dhe të politikës zyrtare të Athinës, kartat e justifikimeve të kësaj politike, mbyllja në një muranë të izoluar e këtij problemi, nxjerrja në pah e gjoja faktit se në Shqipëri nuk ekzistoka një organizëm që të përfaqësojë çamët, se shteti shqiptar e ngreka këtë çështje vetëm si kundërpeshë në momente të acarimit të marrëdhëniesve dypalëshe midis Tiranës dhe Athinës dhe se tek e fundit ky problem nuk ekzistonte dhe aty ku diçka nuk ekziston nuk ka asgjë për t’u zgjidhur. Si për t’i bërë jehonë një realiteti të ri politik, që konturohej në Senatin Amerikan për Çamërinë, diplomatja dhe studiuesja angleze Miranda Wickers, i përcjell një tjetër sfidë politikës greke, kur ajo si përfaqësuese e Ministrisë së Jashtme Angleze publkoi një studim të detajuar me të dhëna dhe fakte historike të pakontenstueshme rreth tragjedisë së popullit çam dhe shkaktarëve të saj. Kjo iu dha një shuplakë të fortë qarqeve politike të Athinës, vuri në lëvizje dhe disa nga deputetët e Parlamentit Europian si italianin radikal Marko Panela dhe personalitete të tjerë si Dr. Haim Reitan etj, të cilët ishin një zë proteste, që vinte në kohën e duhur dhe nga drejtimi i duhur kundër heshtjes deri në harrim të njërit prej problemeve më kardinale të historisë së kombit shqiptar. Një vend të rëndësishëm në libër zë personaliteti letrar dhe intelektual i Bilal Xhaferrit, shkrimtarit elitar të Çamërisë, disidentit që e pagoi lirinë e krijimit me jetën e tij të re, amplifikuesit më të zellshëm dhe më të pasionuar të botës çame, të cilën ai e ngriti në qiellin e shtatë të një estetike brilante. Shefki Hysa, me angazhimin e tij intelektual, me themelimin e Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri” dhe të Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”, ndikoi që figura e Bilal Xhaferrit të dilte nga pluhuri i keqkuptimit dhe falsifikimit pesëdhjetvjeçar dhe të zinte vendin e merituar në panteonin e harruar të letrave të disidentëve. Udhëtimi i Shefki Hysës në analet e botës çame është një udhëtim virtual, ku mplekset fakti dhe detaji historik me impersionin e autorit, gjeopolitika ndërkombëtare me rrëfimin për heshtjen apostolike deri në naivitet politik të institucioneve të Tiranës zyrtare, investigimi në të vërtetat e mbuluara nga pluhuri i harresës me deduksionin për gandizmin intelektual, si mjet për identifikimin dhe përftimin e parajsës së ndaluar çame. Ashtu siç thotë dhe shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare: “Ky libër është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm, si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e të gjithë shqiptarëve. Për më tepër është një detyrë morale, sepse kurrë nuk mund të harrohet një plagë e vuajtur nga mijëra njerëz. Kurrë nuk mund të harrohet një shpërngulje, kurrë nuk mund të harrohet vendi ku ke lindur, ku ke shtëpinë… Kurrë nuk mund të harrohet Çamëria”.

Dukagjin Hata

Shpalosja e flatrave në gjirmat poetik të Thani Naqos ...


PLEQTË SHULLEHEN NË DIELL
Pleqtë e rrëgjuar shullehen në diell,
mbushen stolat me kokëzbardhur,
psherëtij, përloten, me rënkim ngrihen,
cukër-cukër, cukë-cukër, ikin nga kanë ardhur.

Cukër-cukër vijnë sërish me bastunë,
në heshtje e gjejnë cili mungon,
aspak çuditen. Pleqëria është paragjumë,
dhe zilen e zgjimit ndodh që s'e dëgjon.... 
ÇDO GJË QË ZVERDH,NUK ËSHTË FLORI

(Lirikë mendimi)

Provuam sistemin me gjëmba ngjizur,
për hatër të barazisë humbëm lirinë,
pa luftë e gjak, dy gishta ngritur,
për hir të lirisë flakëm barazinë.

Liria mbetet ALTAR I SHENJTË,
shënjtëria mbart koston e lartë,
me instinktin e bletës, paguhet shtrenjtë,
në shekullin blu...dy gishta të ngratë.

Sistemet marin nga njëri-tjetri,
është herrët t'i shohish në pësosmëri,
filozofët kohërave do të pëshpërisin:
" çdo gjë që zverdh nuk është flori."

Çelësi i magjishëm hap portën ideale,
formul'e thjeshtë: mos bëj popullin nevrik,
e ardhmja trokthon në rrugë paralamentare,
ku UNI tretet dhe vdes një ditë... 
2006
ÇAST I TRISHTËM  MIDIS DY KOHËVE

Kukudh' i harruar mbetur mes fushës,
fashoja e dritës tej në atë dritare,
më bën të mbledh rrotull fundin e bluzës,
të thëthij përhumbjen në bisht cigare.

Braktisja vajton nën vellon e muzgut,
mbi mezhda rënkon dhe shelgu qyqar,
përshpirtjen ia dëgjova djaloshit larg-humbur,
drithëronte për të edhe bryma mbi bar...
PYLLI NË VJESHTË

Vjeshtave, përmes pyllit, sa herë kaloj,
rrethuar nga drurët e zhveshur krejt,        
tok' e burime nën jorganin gjethor,
e gjelbra vetmitare në pishë a bredh.

Fundvjeshta lakuriqe shëtit mbi mal,
gjithësinë trishtëzon edhe sfondin blu,
nëse jam kaluar, unë kalin e ndal,
kqyr pajën e brishtë e plagët mbi dru.

Bryma përzhit barin, drithëron mbi tokë,        
thinja bore të imta vijëzojnë gjithandej,
majëmalit ia qëndisin qeleshen mbi kokë,
në rrugën e kthimit kokën pas nuk kthej.

S'jam i zemëruar me pyllin në vjeshtë,
virgjëresha lakuriqe s'di pse më trishton,
i pagjumë mbetem gjersa bora të zbresë,
dhe jorgani i bardhë gjithësinë mbulon...

1974

BALADA E ÇUÇURIMAVE
 
Shkrin dëbora n' ato pllaja,
ujrat rrjedhin nga Morava,
e përenjtë zënë e mblidhen,
nëpër shtrate llokoçiten.

Del graria hallemadhe,
mbi çakëlle edhe sfrate,
lumi sot ka mbushur shtratin,
çuçurimat zgjojnë fshatin.

Shtroja dimri kopanisin,
gojëmëdhatë gagarisin,
duket se janë vënë në garë,
kush ka tri e kush një vajzë.

I harruan grindjet e vjetra,
për ca fjalë koti-shkreta,
ç' isha unë e ç' ishe ti,
vite të shkuara në rini.

S'është turp në zallishtë,
pulpëbardhoshe mbi aliçë,
fustanngrehura përmbi gjunjë,
s' kanë turp nga asnjë burrë!

Sapuni shkon dorë më dorë,
magjistari-shuk-dëborë,
shkumbon tymrat që lë dimri,
lan inatet kur vjen Prilli!

Zemrëk-zemrat janë kurdisur,
lëvdojnë çupat që janë rritur,
vesh në vesh me njëra- tjetrën,
çuçurisin dhe për djemtë.

Derdhen fjalët e një viti,
sa i gjatë qe ky dimri,
thashetheme e të vërteta,
mos shani vajzat e shkreta!

Lihen mënjanë huqet e fisit,
hidhësi' e gjemb murrizit,
siç ka lule ka edhe ferra,
ka puntorë e dembela!

Pa vjen vjeshta me bereqet,
kaq nga mollët, kaq nga qepët,
nga zhumbrica n' ato pllaja,
në çdo ferrë fshihet paraja...

Mburr sikush vajzat e veta,
lakror me hithra e lëpjeta,
dinë t' arnojnë e çorrape,
rrobevjetrat ndër dollape.

Mbulesa leshi e pambuku,
arne mbi arne rrobe bujku,
kundërmimi i dollapëve,
vjen nga djers'e baballarëve.

Thurrin pajat plot me ngjyra,
i rrëmbejnë nga natyra,
me lëng lisi e çaçanikë,
ngjyejnë penjët vajzëritë!

Nën mbulesa e nën çarçafë,
flenë çapkënë, flenë tuhafë,
ca me grep, ca me gjilpërë,
një model ka fshat' i tërë!

Oh, sa mirë iku dimri,
plot fejesa do ketë prilli,
pa do hidhemi e në valle,
të harrojmë se kemi halle!...

       *   *   *

Nënëzemrat çuçurisin,
qesh' e shkriu, kopanisin,
s' ka inate, s' ka zili,
vesh në vesh lidhin krushqi...


1973-2008
 
KTHEJE PAKËZ KOKËN

Ika papritur, të lashë ballërrudhur,
shëmtia e tyre nuk të shkon ty,
mbase je plakur e ri përgjumur,
tek qoshk'i ballkonit, ku rinim të dy.

Nuk di si je. Nuk di në jeton,
ç' mendim i marrë më çuket në kokë!,
ti je gjallë e patjetër përgjon,
në ç' skutë kam mbetur, diku nëpër botë.

Në zemrën tënde lashë pak vënd bosh,
aq fare pak sa, e mbush një pleqëri,
sa herë ty të mer malli e, unë s' vij dot,
ktheje pakëz kokën, më ke përbri...

 
SHAKA E MARRË

Ç' bëre, shakanë e marrë,
tregove një yll me bisht,
" atë yll, me bisht të zjarrtë,
kape e, tek unë të vish!"

Kërkoj në yllësinë e dendur,
galaktikat ngatëruar keq,
ndonjë dashnor i çmëndur,
i kish trazuar për dreq!

Veç kur mesnata shkau,
i zjarrti bisht mbi bri,
turfëlloi një dre, e ngau,
ylli yt vraponte pas tij...


NUDE 1)

Jetoj mes afshit të nxehtë tropikal,
hijet mashtruese nuk veshin mantel,
në Qytetin Lakuriq vendosa të dal,
shëtita si mbret, në trup asnjë tegel.

Pata ndjesinë, hap-pas-hapi më ndjek,
i famshmi rrobaqepës nga vëndet nordike,
mantelin e tij hoqi, ma dha mua ta vesh,
ai, lakuriq, humbi mes turmës lakuriqe...
1)nude=angl. i zhveshur lakuriq
MËNGJESET I SJELLIN KËNDESAT

Mbushini gotat! Le te ndjekim sonte telat,
Kitarat e drunjta kanë tingull real.
Mengjeset nën këngë këndesash,
Netët e dashurisë i kthejne mall.


Me fund, o miq, t’i pimë këto gota,
Le të turbullohemi njëherë sadopak,
Zgjuar le të mbetet sonte e gjithë bota
Fundi i saj kurdoherë është larg.


T’i këndojmë këngët kur kemi dashuruar
Edhe kitarave t’u këputen sonte telat,
Kështu do të harrojmë se kemi mërguar,
Nga mëngjeset qe i sjellin këndesat.

2006


MAR PJESË NË CEREMONINË E PAGESAVE MUJORE

Me pamjen e një burri që nuk do t’ia dijë,
Për borxhet familjare dhe deficitin shtetëror.
Gruan me të re se vetja. Dy të rritur fëmijë,
I duruar. Martuar njëherë.
Tejet optimist!
Ëndërr te jesh kreditor!

Dukem gjë fondamentalist?
2007


ËSHTË NJË NATË SI GJITHË TË TJERAT

E padurueshme mbërritja në shtëpi,
Ditëgjata tërhiqet llastikë,
Lodhja kërkon prehje e qetësi,
E njëtrajshmja shfaqet cdo ditë
Dhe hënorja blasfemi.


Sërish turbullira për ata që i kërkuan,
Mbikoha paguan haraçin e tërbimit,
Në daç per te rindërtuar,
Formulën e ozonit drejt shkatërimit,
Planeti në blu tjetërsuar.


Tymos cigare në oborrin e pasmë,
Shqetësimet i lë në thithjen e natës.
Kështu dhe euforizmin e një dasme,
Dhe klithmën briskprerese të gatës,
Mes vringëllima metalesh.


Lodhja m’i kthen sytë nga shtrati,
Prehet shurdhërimi me pakëz naivitet,
Vecoj ëndrrat sfondblu, ku fati
Gjahtar i regjur në natën që shket.

2006


MENGJES, ORA 6-TE
 
Përpiqem të gjej me probabilitet
Mendimin para se t’i dorrëzohesha gjumit,
Sikur të plakeshim, e dashur, në tjëtër kontinent,
Çfarë do të ndodhte në fund të fundit?!...


Shpresa, si gjithnjë, do të gjallonte,
Ditët dhe netët e zakonshme.

2006


NENA
Më pret gjithnjë tek prag’i portës,
Duart nën përparëse sikur fsheh dicka,
Njëlloj si nënat në mëhallet e botës,
Nëna ime, e plakura.


Ndodh që kthehem vonë nga puna
Pret dyshimzëmërdredhur.
“Mbasi im bir pi raki me cunat,
dhe sonte vjen në shtëpi i dehur”.


Njëmijë këshilla mban në gjuhë,
Pret sa të kaloj pragun e portës,
Por, oh, sa shpejt i kalon ai duf!...
Njëlloj si nënat e mëhallëve të botës.

1980


HESHTJA ËSHTË ZOTËSI E GRUAS SË HESHTUR

Ndarja e punëve gjymton ato dëshira,
Ndër vite iluzive me kotësi mbuluar.
Në fillesën e ëndrrës shpërrthen dashuria,
Në konusin e rritjes gjithnjë ka kërkuar
Largimin e anemisë që sjell errësira,
Me pluhur dekadash ngarkuar.


Hije të heshtura përqark venë e vijnë,
Janë kuajt e kaltër në vrahun e jetës,
Bukën e përditshme në vrahe shijnë,
Përzgjedhin majanë me instiktin e bletës,
Mes lulesh dimërore, ku shpesh ngrijnë
Kotësitë e të vërtetës.


S’ka pse mbeten dëshirat në harresë,
Rizgjimi vjen me cicërima sqepverdhësh,
Shpalosja e flatrave përreth folesë
Me të parën krenari imitim shpendësh,
End vellon e padukshme në rrathë dehëse
Me fije të magjishme shprese.

2006



TROKASHKAT

Jam ngjitur në katin e njëqind e nëntë,
Prek retë e Cikagos me mustaqe e gishta.
Në majë të gratacielit ç’ m’ i morën mëntë,
Valltaret spanjollka me pulpët e brishta.


Trokojne trokashkat, shpalosen fustanet,
Nën sombrerot 1) strehëgjëra tunden kitara.
Spanjollkat e bukura c’m’i kujtuan stanet,
Mullinjtë pas lumenjve, andej nga Morava.


Trokashkat trokojnë me rrahjen e ujit,
Uji rreh pendën e derdh forcën mbi gur.
Vocëraket vallëzuese nxitin rrjedhën e grurit
Dhe pah’i miellit vesh mullirin me nur.


Trokashkat e kitarat në maje gratacieli,
Gdhendur prej druri, nga pylli kanë dalë.
Sombrerot strehëgjëra dhe tingujt e fyellit,
Nën trokthin e kuajve vrapit ia kanë marë.

2007
1)sombrero= kapele strehegjërë e popujve latinë


ENIGMA E MADHE
Ç’prill marroz bën në Alaskë!
Bardhesi vrastare. Mbi gjigantin ajsberg,
Trupin e akulluar ma ndez një kuqalashkë,1)
Mulrlan i tërbuar mbi ne dëbore hedh.


Me duart e saj me thuri mokasina, 2)
Të etur ramë pas gjurmëve të Londonit. 3)
Me harta të vjetra kërkonim nëpër humbëtira,
Jatakun iluziv mbi flori cdo natë e shtronim.


I lodhur, mërdhirë, mbështjelle me lekurë,
Londoni inatçor më shkul veshin e thërret fort:
-Me Ethet e Floririt mos u bëj dhëndër kurrë,
Në jatakun e gënjeshtërt nuk zgjohesh dot!


Plasaritur qielli, me yje të cifluar,
Thërmohet Kasht’e Kumtrit diku mbi Dauson. 4)
Habitem: “Kaq larg, o Thani, ç’dreqin ke kërkuar!”
Dhe hëna anemike mbi kokë më mërmëron....

2007

1)kuqalashkë= indiane e Alaskës
2)mokasina= qiklla, rrathë që lehtësojnë ecjen mbi dëborë
3)Londoni= Xhek London (1876-1916), shkrimtar amerikan.
4)Dauson=krahine ne Alaske, mban emrin e lumit Dauson.



BALADA E ZOGUT TË NATËS
Fle ditën dhe del natën,
Zog’ i shekullit të pagjumë,
Cakërdisur kërkon fatin,
Në qytetin dritëshumë.


Brylmbështetur në dritare,
Ankth’ i nënës kthimin pret,
Zog’ i natës s’erdhi fare,
Gjersa nata krejt u tret.


Ëndërrkeqja përmbi drurë,
Folen’e zbrazët diku sheh,
Zog’i n’çuar s’kthehet kurrë,
Kur folenë era e rreh...


Ankth’i ëndrrës ballin mpiu,
Dhe cepsyrin plot me rrudha,
Lotët nënorë aty i ngriu,
Mblodhi dhimbjen në dy gurëza...

2007


MJAFTON T’I TRAZOSH...

Hej, ke shkuar atje ku mbolle puthjen e parë?
C’aromë dhe c’ngjyrë ke sot lulen dashuri?
Nën hirin e vjetër thëngjij mbeten mbuluar,
Mjafton t’i trazosh dhe ato ndizen përsëri...

2007


PLAKUSHI JU BËRI ME BAHCE E VRESHTA
(mesazh për bahcevanët e botës)
Hej, mos harroni të famshmin Miçurin,1)
Në bahçet tuaja bustin t’ia ngrini.
Mrekullira, o miq, bëri ai me shartim,
Belica dhe kumbulla dhe fruta si gjinj!


Mjaft i shtrënguat paraçkat e shkreta,
Bustin e tij ta porositni menjëherë.
Plakushi ju bëri me bahçe e vreshta,
Damixhanat me raki dhe butet me verë!


Të hiqni kapelen dhe ta pershendetni:
-Tungjatjeta, mbreti ynë, në shekuj ti rrofsh.
Që nga moll’e kuqe dhe gjer tek pjepri,
Në çdo kokër frutë, i madhërishëm ti qofsh!


Hajt, mjaft i shtrënguat paraçkat e shkreta,
Hiç mos u mërzitni kur të bini në pleqëri.
Miçurini ju bëri me bahce dhe vreshta,
Butet me verë, damixhanat rrafsh me raki!

2008

1)Ivan V.Miçurin (1855-1935)= seleksionist dhe ortokulist rus me famë botërore në prodhimin e më shumë se 300 llojeve hibride te pemeve frutore.

MËNGJES I FLORIZUAR

Thëllëzkat e n’cuara ia morën këngës,
Firon nata nëpër korijet.
I përhimti agim shtrin drapërin e hënës,
Kosit pllajave dritëhijet.


E kaltra qiellore po shkrin e venitet,
Yjet treten porsi thëngjij.
Hën e gjysmuar lëkundet e përdridhet,
Florizon mbi kashtë dhe kallinj.


Florizon çatitë dhe kalldrëmet e fshatit,
Përmes kortinave shkon e vjen.
Dhe kur dielli drtitëson kokën e shtratit,
Dalt’ e qerpikëve ëndrra gdhend.

1972

OQEANI

...E prek, i flas edhe lutje i pëshpëris,
I tregoj per Moravën, m’i bukuri në botë.
Malësor isha dikur dhe atë mal kisha mik,
Male s’shoh gjëkund dhe miku im bëhu sot...


Është krejt e kotë të flasësh me dallgët,
Duf’i tyre, pa mëshir, bregun godet.
Unë mbyll sytë dhe shoh Moravën e largët,
Nën dëborë gjumash, i fresket nën gjeth.


Hapësira ovale shtrihet tej mbi oqean,
Rreth e qark s’ka përrenj, as lumë sheh.
Shpina ujore ngrihet lart si Ivan, 1)
Vec dallgëve o mik s’u venke dot fre!

2007

1) Ivani= mal në Devoll

TE BURIM' I LLËNGËS

Burimit të Llëngës vajzat mbushin ujë,
Unë fshihem rrakitave në tjetrin breg.
Monopatit të ngushtë, plot gaz e bujë,
Shfaqen pulpë lavrake që dielli i pjek.

Koken e burimit e hijezon një kumbull.
Degëvarur nga kokrat e kuqe plot lëng.
Gjersa stomnat mbushin barkun e rrumbullt,
Fustanet e vajzave mbi gjunjë zënë vënd.

Mendoj jam i vetëm, asnjë djalosh tjetër,
Kurmet femërore t'i shohë ka fat.
Por hijet tradhëtare pas shelgjeve të vjetër,
Ngjasojnë me siluetat kur bien në mëkat.

Pas bregut te lumit, me shelgje e rrakita,
Hajdutçe ikin, hajdutçe çapkënë vijnë.
Përkëdhelin kallëpët e arave me misra,
Ua shkulin mustaqet, pëllëmbët i nxijnë!...


UNE, PERANDORI I PERANDORISË SË GJELBËR

Jam zhytur i vetmuar në jeshil livadhi,
Aromë lulesh atdheu dhe freski ahu.
Poleni më pudroi dhe me spërka nektari,
Nën tumba fierishtash mbeta tulatur.


Mbi krye kam qiellin krejtësisht të gjelbër,
Ndihem perandor i botës me klorofil.
Nuk ka hënë të më shohë vëngër,
Me brirët e turpshëm më këqyr një kërmill.


Këtu s’ ka presidentë dhe as kryeministra,
As gjeneralë dhe buzëqeshje djallëzore.
Gushëkuqët vocërrakë thurin kanistra,
Dhe vargan’ i milingonave zënë për dore.


Me perandorinë time pa ndrojtje krenohem,
Dirigjoj sinfonitë e thëllëzave dhe bilbilave.
Në hotelin e fierishtave të fle e të mos zgjohem,
Gjersa t‘më trokasë m’e bukura e dëshirave!

2007


MANTELI MË I BUKUR NË BOTË

S’përgjova diellin kur u fsheh pas shpatit,
Muzgu grizoi pyllin dhe me nxit për rrugë.
Si fshatar i regjur unë gjej rrugën e fshatit,
Mar rrjedhën e lumit mbi zhavorre dhe gurë.


Pllaq-plluq nëpër ujra dhe mes lumit ndal,
Kur do t’ia dëgjoj sërish zërin fëshfërimës?!
I mbërthyer mbeta brenda guaskës – metal,
Zhgënjimpërzhitur nga stina e brymës...


Ndjeva se ky cast ishte gjumi im më i gjatë,
Klithma e mëllënjës nga hutimi më shkund!
Ngadalë muzg’i mbrëmjes po zbriste mbi fshat,
Më të bukur mantel nuk kisha parë kund!

2007



KUR DITËT FIROJNË RRUGËVE TË BOTËS

Pas shpinës ujore diell’ i pjekur perëndon,
Përpëlitet dita në kthetrat e fillimmbrëmjes.
Cdo perëndim i tij kujtesën më ngacmon:
“Të iku dhe një ditë nga dekada e plakjes!”

Koha firon dhe bëhem më i kërrusur,
Kryeneç dhe m’ i ashpër në ditën që vjen.
Pasqyra hakmerret me fytyrën e tejrrudhur,
Thinjën e së djeshmes nëpër flokë m' a gjen.


Shpend shtegtar ndjehem çdo dite,
Zemra arakate pulson mes stilit të modës.
I rreshtuar në karvanin ku çapiten pleqëritë,
Shgarravis kalendarin rrugëve të botës...

2009


SHËTIS RRUGICAVE, FSHATI SHKRETË

Shëtis rrugicave, fshati shkretë,
Çapitem mbi kalldrëme porsi plak.
Hëna përndjek dhe syri i saj nga retë,
Shënja më bën dhe mbas reve fshihet prap.


Paqtia – braktisje, fshatin ka mbuluar,
Asnjë qen nuk leh. Gjithësia pipëtin.
Rrugicave të njohura dikur kam lodruar,
Edhe gurët ua kam dashur, njëlloj si vajzërin.


Sa shpejt rriten djemtë edhe vajzat sa shpejt!,
Pleqtë e dikurshëm, (ehu!), janë tretur qëkuri!
I përlotur shëtis në fshatin tim mbetur shkret,
Braktisja më bren mua dhe sofatet prej guri...


Leviz nje hije...mbase është koti vizion,
Një plakë dërdënge, me gjuhën shpoti.
Në xhepat e përparëses arra dhe oshafe kërkon,
Cinglamingla dhe... gjithe fëmijëria futur aty!


U shfaq një siluetë me ecje drenushe,
Nallënet e drunjta trokuan mbi gurë.
-Ndiqe!- më pëshpëriti plaka djallushe,
Bëje atë nuse, bëju edhe ti burre!


Prisni!... Mu bë se pas xhamave dikush përgjon,
Njoha gërrshetin e asaj që kam adhuruar!...
Lëvizin kortinat...Mos gjë hëna sonte frymon?
Dhe tallet nga qielli me yje arnuar?!...



PEISAZH DIMRI PAS MESNATE

Krëk-krëke dërgon thellësi e pyjeve,
Dimri rëndon edhe trarët ankohen.
Spërkatur gjithësia me kristalet e yjeve,
Gjer tej, ku malet me qiellin takohen.


Thik’ era skalit pirgjet e bardha,
Dëborën e ngjesh, mbi gjerdhe e hedh.
Përmes skalizmave si kafshë të gjalla,
Një dhelpër e hutuar rrugicave  bredh.


Çati dhe oxhaqe mbuluar nga dëbora,
Perëndeshë e virgjër shëtit shpate e kodrina.
Pemët nusërojnë dhe se ç’ bëjnë ca nojma,
Pagjumë lënë vajzërinë që përgjon nga kortina...


Befas, zëplotë ja mori këndesi i parë,
Oxhaqet frymojnë me gushet e tymit.
Mbi trungun e vjetër cak-cuk një sëpatë,
Dhe amvisat e fshatit nxitin zjarret e dimrit...

1970


MBRETËRIA-MËMËDHE

Mos kisha marë rrugët e kurbetit,
Në vëndlindjen time mbretërine do t’a ngrija.
Gjoksin të nxirrja e të mburresha si mbretërit,
Zot i asaj vatre me prush e shkëndija.


Mbret i pyjeve dhe mbret i maleve,
Asnjë burim nuk do lija pa e puthur.
Me mikun të hapesha kur të kisha halle,
Në mbretërinë e tij, askush nuk ka humbur!


Mbret i kodrave dhe i fushave të isha,
I vlagës magji në brazdën e porsahapur.
Princ i korijeve me dushqe e lajthishta,
Dhe dashnor i natyrshëm me ato që kam dashur.


Qejflinjte mblidhen ku pikon rakia,
Zëlartë t’ja marim këngëve tona të vjetra.
Princave t’u themi se c’ligj bën dashuria,
Dhe ç’janë iluzionet dhe ç është e vërteta.


Kontinenteve të largëta, tej oqeaneve të kripur,
Për mbret e princ s' gjëndet një këmbëdhe.
Mbretëri e paqësisë është ku je lindur dhe rritur,
Dhe kjo mbretëri, shqiptarçe, quhet Mëmëdhe!



HËNA PLOT PESËMBËDHJETË

Shkau mesnata, hëna pesëmbëdhjetë
Edhe hijet e natës i spërkat me flori.
Sofatet e drunjta s’kanë mbetur shkretë,
Bijen kitara dhe këndojnë ca të rinj.


Trishtuar ri plaku. I ve ka mbetur,
Duart pleksur mbi harkun e bastunit.
Vështrimin pleqëror qiellit e ka tretur,
Për hatër të hënës, ka shtyrë orarin e gjumit.


Rrezaton florihëna dhe kthjellon sytë e tij,
Mbi kulmin e catisë sonte ka qëndruar,
Soditmë, sikur i thotë, për ty po vij,
Capkën i dikurshem, o plak i vetmuar!


Nënqesh pleqërishte. Zemra i troket shpresë,
Sa vite, muaj, a ditë, mbetur akoma?
Nën hënë ka lindur dhe hënë do kur të vdesë,
“ Si sonte, o Zot, -psherëtin- mos harro, dërgoma!...”


Florizon hëna mbi harkun e bastunit,
Yll’i Mëngjesit u tret në sytë e tij të mekur.
E plotë, pesëmbëdhjetë, kjo ishte hën’e fundit,
Ndërsa kitarat tingëllonin me telat e dredhur...



MAGJIA E KËNGËVE TË SERENATAVE

... mos pandeh se s'gjej një tjetër...
Shigjeta dashurie nga serenatat vijnë,
Gërvishtin koren e plagës së vjetër,
Kryqëzohen shikimet dhe aty ngrijnë,
Lulebardhat e dimrit të qelqtë.


...që t'a ketë syrin e zi...
Bebëzat errëson nën të lagurit qerpikë,
Dyshimet gjurmohen marrëzisht!
Yll'i mekur afrohet dhe lëshon drite,
I harruar n'errësirë, cuditerisht!


...veç buzëqeshja jote e ëmbël...
Mbi buzl cel lulen e vonuar,
Magjilulja kthen femrën në ëngjëll,
Flladon dhe ndez thëngjijte e shuar
Dhe vatrën e ngrohtë t'a sjell në prehër...



E TRISHTUARA

Përherë e trishtuar, kështu e mbaj mend
edhe flokët porsi vurbulla reje.
Në zemrën e saj s'pati një copëz vënd,
për një tingull kitare prej meje.


Përherë e trishtuar. Ajo s'qeshte kurrë,
as ditëve e netëve pranverore.
Në lojën dritëfikur " grua dhe burrë",
ish m'e ftohta stinë dimërore.


Përherë e trishtuar, vinte dhe ikte,
mjegulla asnjëherë s'ju nda.
Ca vorbulleza më ndjekin mua ndër vite,
nga trishtim'i cuditshëm i saj.



HERËS TJETËR S'DO TË MUNGOJ

Kur unë mungoj disa orë,
diku do të jem penguar,
klubit plot tym, me hamejte e gjorë,
pi raki me cironka fërguar.


Kur unë mungoj edhe një ditë,
patjetër dergjem diku,
i dehur të vij, nga unë ti ke frikë,
këndoj e flas kuturu.


Mbase s'mund të vij dot as sonte,
njëmijë dyshime mbaj ti,
rrodhe, gjithë veset e kësaj bote,
i jane qepur të dashurit tim.


Përgjon errësirën dhe pret drithëruar,
kërcitjen e portës së vjetër,
ti s'ke pse t'a gdhish më natën e zgjuar,
une s'do të mungoj heres tjeter.



SHKEL PELLGASHET SI DHËNDËR I PRAPË

Hëna pellgasheve është shumuar,
kalldrëm i pafund me pogaçe.
Unë dhëndr'i varfër, eci menduar,
s'kam as dollibash dasme.


Përmbi pellgashe dredhoj kokëulur,
me duhet e  një gjerdhan.
Për gishtin e saj, unazën më të bukur,
ah,s'kam flori anjë gram!


Hëna gremiset atje lart mbi kodrina,
e florinjta pemëve ka ngecur.
Hajdutçe e ndoqa, qiellit iu kacavira,
dhe hënën e ngjesha nën sqetull.


Leshoj pllazin n'errësire , as dua t'ja di,
pogace s'më duhen këtë natë.
Nën sqetull shtrëngoj hënën e nxehtë flori,
shkel pellgjet si dhëndër i prapë!

1980
 
MOS ZGJO NE DIMER LULEN E NGRIRE

C’te shtyn qe kerkon me te ti te perballesh?
Kurre s’i pikoi loti mbi gurin ku shkel
I mjaftueshem bishtsyri dhe ti shpermallesh
Vetullngrehura iken dhe koken pas nuk kthen

Rrugicave,qoshkave,apo mullareve me kashte
Treten endrrat e rinise qe s’kthehen perseri
Meshkujt s’dyshojne ne ndjenjen e mbrapshte
U mjafton ledhatimi qe s’eshte dashuri

Dekadat ikin dhe me to u largo
Zemra e akulluar s’ka per t’u shkrire
Sekuenca kureshtjeje nga ajo mos kerko
Te lutem!,mos zgjo ne dimer lulen e ngrire!

2008

Dhe për çudi, Atdheu ( s’u rrit ) u zvogëlua!



një arsye fatale


… u populluan sërish shpellat brenda meje.
Sa herë qielli lind një shënj
dhe e mbyt në thellësinë e ujrave të syve të mi,
vështrimin tim të plagosur e varros
në çdo lule të qytetit
që mund të jetë grua...
 
Është  sëmurë Shqipëria ime e gjakut,
merr serum,
e kafshojnë gjarpërinjtë
që janë bijtë e saj;
asnjë lloj shqiponje nuk i ha,
veç lufta me vëllan.

Rrallë, ajo lind edhe njerëz!...

Shoh jetën time, kërmill
dhe kuptoj se qurret janë historia.

I rrahur nga heshtja
më zhvesh një gur e hynë në mishin tim.
Unë jam vet faji im ose një arsye fatale…


Tiranë, pranverë 2010

Atmëmëdheu

Çfarë është gabim tek unë?
Përse duhet ta ndjejë  kaq shumë këtë atmëmëdhe?!
 … po shkoj të çmendem
kësaj mbrëmje greve e feste  ndër kohë,
këtë ditë me lindje dhe vdekje përzier.

O kohëra që pas do të vini
fshijini gjurmët e mia, model!... 
... Atmëmëdheu
më vriste,
përse unë dhe më shumë e doja?! 

Tiranë, 2 maj 2010

Trokitje
1... ç'më kujtohen ca troje të pushtuara
 gjëma e ngathët për zemre  e këputur!
Mbi mjegull bien plumba 
të artë  kujtimesh
përpara  
përfytyren miqtë e mi të vdekur...
2Një kolonë  me varre rrugën që trishton.
Iskrat e pikëllimit
gozhdë të arkivoleve
qimiteri i zi e shikon dhe struket
ngrihet varri i fundit
i troket në derë...
Tiranë, pranverë 2009

-Cikel me poezi nga libri: 
Mirë se erdhe  Lamtumirë!”-

Nuk e di ç’të ardhme do të le?!

Sa herë që selvi të larta shoh,
e dua edhe më shumë gruan time.

Sa herë që male të lartë shoh,
fusha të paana,
i dua edhe më shumë djemtë, vajzat e mia.

Dhe pastaj më kujtohen gjyshërit,
stërgjyshërit,
baballarët,
që më shumë deshën atdheun …

Dhe për çudi,
Atdheu ( s’u rrit ) u zvogëlua!

Tiranë, maj 2005

Gjithmonë… tre varre…

Tek kthes’e lumit që ka vdekur,
një copë shkëmbi
                   është atje.
E  mbollën ca fshatarë  në motin,
kur bridhte vdekja përmbi dhe’.

Në bregun tjetër ka një gur.
E vunë po ata fshatarë…
…shqiptar ishte dhe “ tradhëtari ”
me trimin, trimërisht qe vrarë.

…atëhere lumi ishte gjallë
dhe shkonte detit përkrenar!…

Tre varre janë tani, atje…
dy plaka qajnë, oi … oi
rrëzuar qyqet përmbi gurë…
po kush e qan lumin e zi?!

Tiranë, vjeshtë 2006

Gratë

Gratë që kam takuar,
rrinë mjegull në krahët e zogjve shtegtarë
dhe vrap në akrepat e orës së vrarë.

Gratë që kam takuar,
rrinë verbëri që kërkon dritë në sytë e mi
dhe karroca që vrapojnë përherë pa karrocierë.

Gratë që kam takuar
rrinë lekë qindarka në xhepat e shpuar të kohës
dhe lëndina ku fëmijët shkelin
kullota të largëta kuajsh të egër.

Gratë që kam takuar
rrinë zogj që bëjnë fole në gotat bosh të pijeve
dhe ikona të varura përjetësisht
në kishën time të lindjes.

Gratë që kam takuar
rrinë gurë kilometrikë të thyer anë rrugëve
dhe faqe të rrëshqitura malesh,
ura të prishura
burrash vandalë

gratë që kam takuar … 

Fier, verë 2003

Jeta

Sa herë e kam takuar jetën gënjeshtare,
tinzare,
të pa sinqertë,
të pa cipë,
të vërtetë pak herë e kam takuar,
por edhe atëherë
gënjente!

Sa herë e kam takuar jetën hajdute,
kriminele,
të pa besë,
mosmirënjohëse,
të mirë pak herë e kam takuar,
por edhe atëhere
vidhte!

Sa herë e kam takuar jetën të varfër,
të pistë,
gjithë zhele
tretur…
Të pasur pak herë e kam takuar,
por edhe atëhere
s’kishte për të ngrënë!

Sa herë e kam takuar jetën jo jetë,
dashtë Zoti,
vdekjen takoj
 vdekje! …
 

Fier, pranverë 2005

Pallto biblioteka

më propozoi e Sotmja, - dehemi?!...
dhe të dehur shkuam tek Zoti.
Zotin e gjetëm të varfër,
Zotin e gjetëm
poet.

Faqet e qiellit shkruam të tre
dhe që shiu të mos i fshinte poemat,
në palltot e vjetra grirë nga motet
i futëm.

Tani
faqet e qiellit janë libra,
në pallto bibliotekat e shqyera të poetëve…

Tiranë, dimër 2005 




Petraq Kote u lind në Sheq Marinas,Fier  më 27.02.1959  nga prindërit Todi Kote dhe Kalije Dumi. Të dy me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Arsimin tetëvjeçar e kreu në vendlindje 1966 - 1974. Në vitin 1974 – 1978 studioi në shkollën e mesme ushtarake "Skënderbej" në Tiranë  Akademinë e Forcave Tokësore e përfundoi po në Tiranë në vitet 1979 – 1982, ku u diplomua për specialitetin “Fizkulturë “. Në vitin 2006 – 2010 studioi dhe u diplomua në Universitetin "Ismail Qemali", Vlorë, në fakultetin e shkencave humane, dega gjuhë – letërsi shqipe. Pas diplomimit të parë u emërua Shef i Përgatitjes Fizike të Brigadës së nëndetëseve të Republikës së Shqipërisë.
Më vonë Shef i Përgatitjes Fizike të Divizionin Fier. Shef i Kulturës së Bashkisë Fier deri në vitin 2001. Aktualisht është kryeredaktor i gazetës letrare mujore "Fieri Profil" dhe specialist i trashëgimisë kulturore në drejtorinë e kulturës së bashkisë, Fier.
Ka shkruar letërsi qysh në rininë e hershme, në rrethin letrar të shkollës së mesme ushtarake "Skënderbej" Tiranë, ku udhëheqëse e rrethit letrar ishte mësuesja e letërsisë dhe poete zonja Vasilika Vasi.
"Është poet, publicist, eseist i shkëlqyer", - thotë dr. Moikom Zeqo. Krijimtarinë e tij poetike e kanë vlerësuar kritikë, studiues të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar vëllimet poetike.
  • "Këngë e Marrë" 1996 shtëpia botuese "Planet" Fier,
  • "Humbja" 1998 shtëpia botuese "Darmisa" Fier,
  • "Ranë Këmbanat" 1997 shtëpia botuese "Planet" Fier,
  • "Muza" 1999 shtëpia botuese "Albapress" Fier,
  • "Këngë e Parrëfyer" 2001 shtëpia botuese "Darmisa" Fier,
  • "Këngët e Motmotit" 2003 shtëpia botuese "Ymeraj" Fier,
  • "Mirë se erdhe Lamtumirë !..." shtëpia botuese "Globus. R" Tiranë,
  • "Portretin kam varur në muret e kohës" 2008 shtëpia botuese "Globus. R" 2008.
Ka botuar dy vëllime me tregime
  • "Ngjarje ndër Muzakë - 1" 1999 shtëpia botuese "Albapress" Fier,
  • "Ngjarje ndër Muzakë – 2" 2005 shtëpia botuese "Ombra GVG" Tiranë,
Publicistika më e shquar e tij është
  • "Hija... e Kadaresë",
  • "Lasgushi dhe Kosova",
  • "Një çast me Migjenin",
  • "Kritika Letrare Shqiptare dhe prof. Adriatik Kalluli",
  • "Dasma e Kreshbardhës",
  • "Diktatura Letrare shqiptare",
  • "Poezi që gjëmon më parë se të vetëtijë",
  • "Hija... e Kadaresë",
  • "Qiellëzanat Trillane",
  • shënime për romanin "Darka e Gabuar" të Kadaresë etj.
"Më kujton Kostandin Paustovskin" në librin me tregime
"Ngjarje ndër Muzakë – 2" – Shkruan studiuesi dhe përkthyesi Perikli Jorgoni
"Petraq Kote është poet i klasit të parë. Poet i dhimbjes kombëtare", ka thënë prof. Adriatik Kallulli.
"Atdheu lakuriq në një poezi pa stoli... të stilit avantgard", ka shkruar prof. Agim Vinca. "...është nder por edhe privilegj të lexosh e shkruash për poezinë e Petraq Kotes..." shkruan dr. Faik Shkodra.
"Petraq Kote po ngre një Apolloni letrare ilirike", ka shkruar poeti dhe publicisti Ylli Xhaferri.
"... ai është dinjitet poetik..." shkruan Xhevahir Spahiu.
"...fjala te poezia e P. Kotes edhe gjen vetveten", shkruan prof. Valter Memisha
"...klasi i lartë i leksikut i derdhur në vargje e vendos atë, në çdo hapësirë lexonjëse elitare", ka shkruar prof. Bardhosh Gaçe.
"...poezia e Petraq Kotes rrjedh me natyrshmërinë e lindjes së një dite të re apo me fluturimin e një zogu" ka shkruar poeti, studiuesi dhe përkthyesi Xhevdet Shehu.
"...poeti Kote mund të quhet l’enfant terrible për nga forca tronditëse që përmban vargu i tij. Kontribuon denjësisht në poezinë e re shqiptare duke iu shtuar atij grupi poetësh shqiptarë që meritojnë të studiohen dhe të mbahen në radarin si të studiuesve, ashtu dhe kritikës letrare" ka shkruar Aida Dismondy në revistën Illyria dhe Kuvendi në Amerikë. Është përkthyer në rumanisht nga revista "Haemus", 2009 nën titullin "Trenul ce fuge de durere".
Është botuar në revistën letrare "Illyria", "Albpoem", "Floart Press", "Kuvendi" në SH. B. A. 2008.
Është anëtar i klubit te Shkrimtareve Shqiptare ne Bote "Drita" me qendër ne Athine dhe një kohe sekretar i këtij klubi....

GJAKMARRËSI
 
ISHIN NE GJAK.
 
Ishte agresiv fisi që kishte hyrë në gjak.
Nuk ishte fare tjetri.
Një dhe’ i rriste, një bukë, një ujë, një frymë. Një hije bënin prapa vetes. Hije shqiptarësh. Një gjuhë, një zë. Një gaz, një  vaj, kishin.
Vitet shkonin. Shkonin dhe gjaku thahej.
Thahej, thahej, thahej.
Por… binte shi…
Tek këta, që gjaku paqtonte, kishte shumë djem.
Kishte edhe një plak.
Plaku kalonte të tetëdhjetat. Ura që e lidhte me jetën ishte ende e fortë. E fort si ura e “ Matit “. Ura nuk shëmbej.
Ç’të bënte?!
Nuk vdiste.
Nuk vdiste se binte edhe shi. Nuk vdiste se gjaku ç’ thahej. Se gjaku…
Djemtë vazhdonin jetën. Vazhdonin frymëtarinë…
Ç’ punë kishin me të djeshmen djemtë? Ç’ punë kishin me të ikurën djemtë? Gjakun s’e shikonin dot me sytë e gjakmarrjes.
Gjaksit s’ i urrenin dot.
Të gjithë të martuar. Të gjithë të pjellë.  Pa ishin edhe fidanuar. Pa ishin bërë edhe pyll.
Pa kishte dhe një këngë pylli.
Pa mateshin edhe me stuhitë drurët.
Por …prapë binte shi!... binte shi dhe gjaku… ç’thahej.
Dhe plaku thirri nusen e djalit të vogël.
Nusen e oxhakut. Nusen e trarit. Nusen e shtyllës. Pishën e fundit të pyllit…
Nusen e pragut. Nusen e gurit të shtëpisë. Se çdo shtëpi, ka gurin e vet.
Se çdo shtëpi është vetgur. E nën gur ka një gjarpër. Dhe bëhet e tëra gjarpër shtëpia, vetroje…
-  Nuse, dua që nga… ajo…familje, të më vjedhësh një djalë!
Po, po, të më vjedhësh një djalë!
Askush të mos e dijë. Unë, ti dhe varri.
Varri, ti dhe unë!
E kupton?
E dëgjon? Pyeti për të mos marrë përgjigje negative plaku.
Nusja u flakërua në gjithë qënien. U bë prush i turpit. Po ndizej… po digjej.
Po si ta bëj baba? Mezi foli ajo kur hetoi se kerkesa ishte e pa kundershtueshme.
Po si ta bëj?
Po, po do ta bësh! vulosi plaku.
Vetëm varri ta dijë!
“ Thonë se edhe varri tregon”! – shkoi mendësh, ajo…
Dhe nusja, vodhi…
Dhe djali i hajdutosur, lindi.
Dhe plaku u gëzua.
Nuk e la në gji të s’ëmës. E pelenosi në gji të vetë.
Dhe po shtatej fëmija. Dhe u bë nishantar fëmija.Tre vjeç, lozte me sytë e pushkës.
Dhe djali mbushi shtatë vjeç. Dhe viti mbushi shtatë muaj.
Dhe …binte shi.
Dhe dolën në korije të tre. Djali, pushka, plaku.
- A mban mend si të shënosh o bir? – pyeti plaku.
Pyeti gjyshi.
Pyeti urëpaprishuri.
- Mbaj gjysh. Si nuk mbaj!
- Mirë.
A e sheh atë burrin në majë të asaj çatie, atë që është duke zënë pikatën e… gjakut?
- Ku gjysh?
- Ja, ja.
- Po e shoh, gjysh.
- Po a mund ta shënosh?
- Po, gjysh.
Dhe djali e shënoi.
- E shënova gjysh.
- Atëherë, shkrepe.
Dhe burri ra i vdekur nga çatia. Nga maja e shtëpisë. Nga maja e gjaktrimit. E ku ta dinte djali se gjyshi i kishte futur fishek në gojë armës?!
E ku ta dinte djali se kishte vrarë babanë?!...
Dhe në fshat u hap: Gjaku u mor. E mori shtatë vjeçari dhe viti shtatë muajsh.
E pritën djalin.
E vranë djalin(!).
U rigjakën.
Gjakosën, kur djali mbushi tetë vjeç dhe viti tetë muaj…
E ku ta dinin se vranë nipin e tyre “dy herë gjaksit” ?!
…Binte shi…


Fier, pranverë 2005
është anëtar i Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqipërisë, është anëtar i Akademisë Evropiane te Artit, është anëtar i klubit letrar "Bota e Re" Amerike.
Fitues i çmimit "Migjeni" për librin poetik "Mirë se erdhe lamtumirë !..." dhënë nga Klubi i Shkrimtarëve në Botë "DRITA" dhe revista Letrare - Kulturore "Pelegrin" në Athinë.Etj.Etj.

******

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...