Intervista e dhënë për portalin ‘Telegrafi’ nga Kryetari Themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Prof. Rifat Latifi
është intervista e dhënë më 11 Shtator 2021 për portalin ‘Telegrafi’ nga Kryetari Themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës:
Ndërtimi, funksionalizimi, përgatitja dhe ngritja e kuadrove shkencore, dhe administrative të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, është synimi kryesor i kryetarit themelues të këtij Kolegji, Rifat Latifit, kirurg i njohur në Shtetet e bashkuara të Amerikës, dhe i cili në komunitetin shqiptar si dhe komunitetin e Telemjekësisë në mbarë botën, njihet si një nga autoritetet botërore në Telemjekësi.
Me krijimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, të parin në Ballkan, Latifi në një intervistë për Telegrafin tha se “me këtë mund të ndërrojmë faqen e Kirurgjisë së Kosovës, dhe të mjekësisë përgjithësisht, ngase Kirurgjia është “Mbretëresha e Mjekësisë”.
Sa i përket pandemisë COVID-19, dhe varianteve të ndryshme të virusit, Latifi thotë se varianti Delta paraqet një sfidë serioze për kontrollin e pandemisë COVID-19 në SHBA, dhe në mbarë botën. Por, siç tha ai vaksinat janë e vetmja rrugë përpara që do të ruajë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor dhe ekonominë, dhe përfundimisht do të përmbajnë dhe kontrollojnë pandeminë.
Rifat Latifi ka folur edhe për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.
“Nëse nuk ke mjete materiale, nëse nuk ke infrastrukturë adekuate, atëherë mund të bëhet vetëm me ato mjete që ke në dorë. Gjithë popullsia duhet kuptuar bindshëm se kjo është shumë serioze, se duhet të vaksinohen, dhe duhet tu përmbahen rregullave në fuqi”, tha ndër të tjera ai në intervistën për Telegrafin.
Duke folur për Kongresin PAN Shqiptaro-Amerikan ku është edhe anëtar i bordit, dr. Latifi theksoi se ky Kongres është një tentim i riaktivizimit të rindërtimit të lobit Shqiptaro-Amerikan, dhe për këtë komuniteti shqiptaro-amerikan duhet të punoj shumë, që të arrijmë edhe një çerek të asaj, që Liga Shqiptare dhe lobi shqiptar ka bërë në të kaluarën.
Por kush është dr. Rifat Latifi?! Ai është profesor dhe Kryeshef i Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor të New Yorkut (New York Medical College), Shkolla e Mjekësisë, Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë, dhe Shef i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester në Valhalla, New York. Më parë ai ishte në Universitetin e Virgjines në Virginia, në Universitetin e Arizonës, Tucson dhe Doha të Katarit. Ai është anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, dhe Kryetar themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që nga dhjetori i vitit 2018. Gjatë dy mandateve, ai ka qenë edhe kryetar i Kolegjit të Kirurgeve të Shtetit të Arizonës.
Dr Latifi është një mishërim i kirurgut akademik: klinicist dhe mentor i shume kirurgëve të rinj në SHBA, në Kosovë, Shqipëri dhe shumë vende të botës. Ai është autor dhe bashkautor i mbi 350 punimeve shkencore dhe kapituj librash, dhe ka shkruar/redaktuar 20 libra në lëmi të ndryshme në fushën e Kirurgjisë, dhe Telemjekësisë, Nutricionit të të sëmurëve e fusha tjera. Përveç kësaj, ai shërben në bordet redaktuese të shumë revistave ndërkombëtare kirurgjikale, dhe është redaktues për revistën Hernia dhe European Journal of Trauma and Emergency Surgery. Së fundmi, ai është kryeredaktor i Revistës së Kirurgjisë të Kosovës, që botohet në gjuhën anglishte.
Ai është anëtar i një numri të madh organizatash të shumta kirurgjikale shtetërore (në Amerikë), kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Shoqatën Amerikane të Kirurgjisë, shoqata më prestigjioze kirurgjikale në botë.
Në këtë intervistë, dr. Latifi bëri të ditur edhe mbajtjen e Kongresit të Parë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, në mënyrë hibride (për shkak të eskalimit të gjendjes së Covid-19) me 23-26 shtator.
Telegrafi: Cilat janë interesat Klinike dhe Hulumtimeve Shkencore të Dr. Latifit?
Dr. Rifat Latifi: Kam interesa të ndryshme dhe të gjëra klinike dhe kërkimore, në shkencën e kirurgjisë, por më së shumti kam interes në kirurgjinë komplekse rioperative, traumat komplekse dhe kirurgji të përgjithshme, kujdes kritik kirurgjik dhe reamacionit, vendimmarrje kirurgjikale dhe kirurgji gjeriatrike, telemjekësi dhe ushqimin e të sëmurëve kirurgjik dhe pacientëve të sëmurë rëndë. Interesi im kryesor klinik dhe kërkimor për 10 vitet e fundit, megjithatë, është rindërtimi i murit të barkut për herni komplekse, sidomos në pacientët me cirrozë dhe pas traumave e katastrofave kirurgjike intraabdominale. Jam autor i dy botimeve të Kirurgjisë komplekse të murit të barkut dhe studiues i thellë i procesit se si kirurget marrin vendime të komplikuara edhe atëherë, kur nuk ka shumë kohë të merret vendimi. Tash po punoj në edicionin e 2 –të, të librit mbi ‘Vendimi Kirurgjik’. https://www.amazon.com/s?k=Rifat+Latifi&ref=nb_sb_nossTelegrafi: Çfarë punon dhe për çfarë njihet dr. Latifi?
Dr. Rifat Latifi: Së pari jam kirurg i thjesht, modest, pa mendjemadhësi. Po ashtu, jam drejtor në Departamentin e Kirurgjisë në Westchester Medical Center Health Network, profesor dhe kryeshef i Departamentit të Kirurgjisë në New York Medical College, në Valhalla, NY, një nga Fakultetet më të vjetra të Mjekësisë në SHBA (krijuar me 1861), që nga viti 2016 kur u transferova nga Universiteti i Arizonës, Tucson, Arizona. Departamentin e Kirurgjisë, që unë udhëheq, është në rrjetin e dhjetë spitaleve. Me gjithë këto, unë dhe jam kirurg aktiv me praktikë shumë të ngarkuar, bëjë operacione të hapura, laparaskopike dhe së fundi edhe kirurgji robotike.
Kam lindur në Kllodernicë të Drenicës, kam përfunduar fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, dhe gjatë studimeve kam qenë gazetar aktiv. Pas shkuarjes në SHBA, është marrë me hulumtime shkencore për disa vite, e pastaj ka filluar specializimin në Klinikën e njohur të Klevelandit, në Ohajo. Kam përfunduar specializimin në Kirurgjinë e Përgjithshme në Universitetit e Yale-s dhe specializimin e dytë në traumë dhe Kujdesin Intensiv Kirurgjik në Spitalin Lincoln, Kolegji Mjekësor i New Yorkut, në Bronx. Në komunitetin shqiptar si dhe komunitetin e Telemjekësisë në mbarë botën, ai njihet si një nga autoritetet botërore në Telemjekësi dhe Teleshndetësi.
Për më tepër, jam i përkushtuar me pasion në Kirurgjinë Globale dhe Telemjekësisë Ndërkombëtare, si platforma për rindërtimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor në botën në zhvillim dhe vendet pas konfliktit. Jam autor i tre programe kombëtare të Telemjekësisë në botë: Kosovë, Shqipëri, dhe Cabo Verde (Afrikë), për të cilat ka marrë çmimin nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve/Pfizer International Surgical Volunteerism në vitin 2015. Për më tepër, kam krijuar programin e parë të Teletraumës dhe Teleprezencës në Arizona, e cila u shërbente banorëve përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Për këto dhe për programin e Telemjekësisë në Kosovë, kam marrë se “Çmimin e Arritjes së Shekullit 21 për Shëndetin” nga Programi Computerworld dhe “Çmimi Ndërkombëtar për Promovimin e Shëndetit” nga Komisioni i Akreditimit të Shqyrtimit të Shfrytëzimit (URAC).
Në vitin 2017, jam nderua me “Mjekët e Dalluar” të Qarkut Westchester në New York, “Çmimi nuk ka tokë shumë larg” nga Westchester Business Journal në Westchester, New York dhe Top Doctors në 2020. Përveç kësaj, kam edhe “Certifikata e Mirënjohjes”, nga Shtabi i NATO -s, Brukseli për Përkushtim dhe Punë të Shkëlqyer për Sistemin Shumëkombësh te Telemjekësisë ku kam qenë klinicist pyetësor. Që nga viti 2006, kam marrë pjesë si kirurg vullnetar në Filipine, dhe shërbej në Komitetin e Kolegjit te Kirurgeve Amerikan për Angazhimin Global. Aktualisht, shërbej si zëvendës President dhe delegat i shtetit të New Yorkut në Kolegjin Ndërkombëtar të Kirurgëve, Kapitulli i SHBA.
Telegrafi: Ishte kjo rrugë e vështirë?
Dr. Rifat Latifi: Rruga ishte shumë e vështirë, por do ta bëja edhe njëqind herë, po të duhej, ngase vetëm me punë dhe përkushtim të madh njeriu arrin atë që e dëshiron dhe e arsyeton të jesh gjallë. Personalisht, unë kam pasur fat shumë të madh gjatë gjithë jetës, që nga familja, fshati dhe vendi ku kam lindur, e deri në shtegtimet rreth e rreth botës.
Telegrafi: Por, çka ju preokupon sot, dhe çfarë synimi keni për të ardhmen?
Dr. Rifat Latifi: Ndërtimi dhe funksionalizimi, përgatitja dhe ngritja e kuadrove shkencore, dhe administrative të Kolegjit të Kirurgeve të Kosovës, që do t’ia kthej autoritetin dhe besimin Kirurgëve, besimin që një herë e patën, do të jenë preokupimi kryesor për dhjetë vitet e ardhshme të mija. Nëse unë e kam pasur fatin me 14 udhëheqësit e Shoqatave Kirurgjike të Kosovës, ta krijojmë Kolegjin e Kirurgëve, të parin në Ballkan, dhe në Evropën Lindore, dhe ata të më besojnë të jam në krye të këtij grupi të jashtëzakonshëm të Kirurgëve të Kosovës, atëherë unë do bëjë gjithë atë që mundem, por edhe te pamundshmen, në mënyrë që t’ia ndërrojmë faqen Kirurgjisë së Kosovës, ngase Kirurgjia është “Mbretëresha e Mjekësisë”.
Kirurgjia është dhe duhet të jetë prioritet kombëtar i çdo populli, i çdo shteti, është prioritet njerëzor. Një e treta e vdekjeve në botë, ngjajnë për shkak të mungesës ose kualitetit të dobët kirurgjik ose të pamundësisë që të behet fare operacioni. Nuk mund të ketë një spital modern pa kirurgji moderne; nuk mund të ketë një sistem modern shëndetësor pa kirurgji moderne dhe të avancuar. Nuk mund të ketë një departament modern të kirurgjisë, pa kirurgë individualë të përgatitur për të udhëhequr modernizimin e këtij procesi, që përfundimisht krijon sistemin shëndetësor. Së fundmi, nuk ka mjekësi të avancuar, pa siguri të pacientit dhe pa shërbime klinike kirurgjikale me cilësi të lartë, që e bëjnë një departament modern të kirurgjisë dhe një spital modern.
Këto janë prioritet e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, dhe këto janë çështje që më mbajnë zgjuar natën, por me forcë, punë e vullnet nuk do të ndalemi në këtë proces.
Me rëndësi është, ne të vendosim themelet e Kolegjit të Kosovës, themele të forta administrative, ligjore, akademike dhe t’ia kthejmë autoritetin kirurgut të Kosovës, dhe përkrahim ata si një nga vlerat e rëndësishme dhe pasuri kombëtare, për ngritjen e të cilëve shoqëria dhe shteti i Kosovës ka dhënë shumë. Kur kanë vdekur profesor Sami Haxhibeqiri, profesor Gazmend Shaqiri, e të tjerë, Kosova është dashur të shpallë ditë zie. Të gjithë kirurgëve, ju duhet dhjetëra vite të përgatiten, që të jenë të suksesshëm dhe të bëjnë atë, që shumica nuk mund as ta marrin me mend, andaj duhet të trajtohen dhe të sillen si të tillë.

Telegrafi: Si mund te arrihet ky vizion?
Dr. Rifat Latifi: Unë gjithmonë e shoh anën pozitive dhe shoh mundësi të reja, andaj ndonëse kjo është një gjendje e palakmueshme dhe në fakt shumë e keqe, megjithatë, paraqet një mundësi të madhe kolektive të zhvillimit dhe implementimit të strategjisë 100 vjeçare shkencore në kirurgji. Ne kemi nevojë të madhe për këtë strategji, për të cilën duhet përkushtim shtetëror, gjithë publik, dhe individual. Por, ne kirurgët nuk duhet të presim se diçka e jashtëzakonshme do të na bie ose nga qielli, ose nga ndonjë organizatë ndërkombëtare bamirëse ose fitimprurëse, ose do të vije nga vet Parlamenti i Kosovës.
Ne duhet të kemi idetë tona, guximin tonë, vendosmërinë tonë dhe përkushtimin individual e kolektiv, që të ndërrojmë këtë gjendje, sipas eksperiencës Amerikane dhe vendeve tjera.
Ne duhet të krijojmë programe afatgjate, jo njëvjeçare, jo katër vjeçare, jo për një mandat të një apo një partie tjetër politike në fuqi, por programe 100 vjeçare kombëtare. Këto programe duhet të jenë të strukturuara dhe afatgjate, por nuk do se ato programe duhet shkruar në një gurë, por të gatshme të modelohen dhe gdhenden sipas zhvillimeve shkencore. Vetëm avancimet shkencore, duhet të jenë fener i rrugës tonë shkencore, e jo të ndërrohen drejtimet dhe shkatërrohen arritjet, sa herë që ndërrohen qeveritë, sa here që ndërrohen ministrat, sa here që ndërrohen koalicionet politike. Këto programe duhet të udhëhiqen dhe krijohen nga strategjitë shkencore, atyre që ia donë të mirën Kosovës, dhe që kanë aftësitë profesionale të shohin përtej kaptinave kohore të shkurta. Shkenca dhe mjekësia, duhet të bëhen prioritet kryesor i secilës qeveri dhe shtetit të Kosovës. Ne duhet të investojmë në përgatitjet e kuadrove që do të na udhëheqin strategjinë 100 vjeçare. Për zhvillimin shkencor të kirurgjisë, ne vet kirurgët duhet ta bëjmë punën tonë, por si pjesë dhe partner serioz integrues dhe transparent i zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës.
Telegrafi: Cilat janë detyrat momentale dhe afatgjate të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës?
Dr. Rifat Latifi: Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (KKK), është ombrellë e shoqatave të Kirurgëve të Kosovës dhe organizatë e të gjithë kirurgëve jashtë Kosovës. Programet afatgjate janë këto:
- Të krijojmë infrastrukturën e qëndrueshme të lidershipit, mbështetjen profesionale dhe mjedisin hapësinor, teknologjik dhe administrativ optimal për të drejtuar aktivitetet e KKK.
- Të botojmë Revistën Kirurgjisë së Kosovës ( Kosova Journal of Surgery) si revistë zyrtare e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, një revistë që në 5-7 vjet të citohet në PubMed, SCOPUS dhe motorë të tjerë kërkues; dhe Buletinin e KKK duke filluar nga viti i ardhshëm.
- Të krijojmë procesin vetanak të vlerësimit të studimeve dhe kërkimeve shkencore dhe kapaciteteve editoriale, përmes programeve të strukturuara edukative.
- Të ndërtojmë një Qendër Klinike të Kërkimeve Shkencore në Kosovë me ambiente dhe kapacitete akademike njerëzore shumë disiplinor.
- Ta bëjmë Kolegjin, ashtu sikurse Kolegji Amerikan, instrument për akreditimin e kualitetit të shërbimeve kirurgjike në të gjitha spitalet për disiplina të ndryshme kirurgjikale si trauma, onkologjia, kirurgjia vaskulare dhe programe të tjera të ardhshme, sikurse transplantimi dhe të tjera për Ministrinë e Shëndetësisë.
- Të vendosim programet dhe kapacitetet e evokimit për të përfaqësuar KKK-në, në agjencitë qeveritare, dhe në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
- Të krijojmë programe edukative për të mbështetur pacientët dhe familjet me sëmundje kirurgjikale për të ngritur vetëdijen shëndetësore.
- Të krijojmë shërbimet e ngritjes së cilësisë dhe Programet e Kualitetit dhe Sigurisë së Pacientëve në të gjitha disiplinat kirurgjikale, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e kujdesit, bazuar në kualitetin e shërbimeve të propozuara dhe akredituara nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve, dhe për të përmirësuar programet dhe sigurinë e pacientit;
- Departamentet e ndryshme të Kirurgjisë të mbahen përgjegjës për përgatitjen e kirurgëve dhe mësimin e vazhdueshëm të tyre, si dhe ri-vlerësimi i aftësive dhe eksperiencës kirurgjike pas diplomimit të kirurgëve.
- Të organizojmë dhe fuqizojmë punën e Kolegjit, përmes rreth komisioneve shkencore dhe autoritative, që do të jenë përgjegjës për punën e kirurgëve, por edhe akreditimin e spitaleve për shërbime të caktuara kirurgjike.
Telegrafi: Përpos punës profesionale, jeni edhe anëtar i bordit të Kongresit PAN Shqiptaro-Amerikan. Formimi i këtij Kongresi, a mund të quhet riaktivizim i lobit shqiptaro-amerikan?
Dr. Rifat Latifi: Gjithsesi, është një tentim i riaktivizimit të rindërtimit të lobit Shqiptaro-Amerikan. Neve, na duhet shumë punë që të arrijmë edhe një çerek të asaj, që Liga Shqiptare dhe lobi shqiptar ka bërë në të kaluarën. Fatkeqësisht, në 20 vitet e fundit, në vend që të forcohet dhe masivizohet ky lob, është shkatërruar, ngase është politizuar nga Prishtina dhe është përçarë në grupe të vogla. Kur ka mbaruar lufta fizike në Kosovë, ne komuniteti shqiptar me ndihmën e udhëheqësve të Kosovës, është dashur të fillojmë luftën e re, luftën për ndërtimin e ligjit dhe themeleve të shtetit të ri, luftën për kuadrot e reja, dhe luftën për të mbajtur afër ata që i patëm dhe për të zgjeruar rrjetin e miqve tanë Amerikan.
Lobi dhe udhëheqësit, dhe po ashtu gjithë pjesëmarrësit e lobit, janë harruar nga Kosova, dhe kështu është shkatërruar një pasuri dhe forcë e jashtëzakonshme e Kosovës në Amerikë. Tash, duhet edhe një herë të fillojmë këtë luftë të re, se Kosova nuk është jashtë krize, liria nuk është e plotë, zhvillimi është gjysmë dhe në proces, ndërsa truri intelektual i Kosovës, po e lënë Kosovën për Gjermani e vende tjera.
Telegrafi: Bota që një kohë të gjatë po përballet me pandeminë Coronavirus apo COVID-19. Ka disa lloje të vaksinave që janë në përdorim, por prapë virusi ka depërtuar në përmasa të mëdha tek njerëzit. Është bërë sa duhet në këtë drejtim, dhe si e shihni situatën jo vetëm në SHBA, por globalisht?
Dr. Rifat Latifi: Sipas revistës shumë autoritative në SHBA, JAMA (Journal of Medical Association) varianti Delta, i identifikuar për herë të parë në Indi në dhjetor 2020, u përhap me shpejtësi në gjithë vendin kryesisht tek ata të pavaksinuar dhe shkaktoi një numër masiv të rasteve, shtrime në spital dhe vdekje. Në Angli, varianti Delta, gjithashtu u përhap me shpejtësi pavarësisht mbulimit të lartë të vaksinimit, megjithëse pati një rritje shumë më të ngadaltë të shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Disa ekspertë të shëndetit publik, kanë spekuluar se kjo përhapje e shpejtë u shpjegua të paktën pjesërisht me vendimin e vendit për të vonuar dozat e dyta të vaksinës.
Në SHBA, varianti Delta u identifikua për herë të parë në Mars 2021. Që atëherë, Delta është bërë varianti mbizotërues në SHBA dhe ka shkaktuar një valë të gjerë infeksionesh të reja, veçanërisht në vendet ku normat e vaksinimit të komunitetit janë të ulëta. Në fakt, përhapja e Delta është kryesisht një pasqyrim i mbulimit të pabarabartë të vaksinimit në SHBA, me një numër shumë më të madh të rasteve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve midis shteteve me norma të ulëta vaksinimi dhe masa të kufizuara të zbutjes së shëndetit publik.
Varianti Delta është shumë i transmetueshëm, vlerësohet të jetë rreth 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, dhe CDC ka sugjeruar shkallën e lartë të riprodhimit.
Telegrafi: Si e vlerësoni menaxhimin e kësaj situate nga institucionet e Kosovës?
Dr. Rifat Latifi: Institucionet mjekësore të Kosovës, kanë bërë atë që kanë mundur në kohën kur kanë mundur. Është lehtë për neve qe jemi jashtë të kritikojmë një ose një vend tjetër, por nëse nuk ke mjete materiale, nëse nuk ke infrastrukturë adekuate, atëherë mund të bëhet vetëm atë që mund të bëhet, me ato mjete që ke në dorë. Gjithë popullsia duhet kuptuar bindshëm se kjo është shumë serioze, se duhet të vaksinohen, dhe duhet tu përmbahen rregullave në fuqi.
Telegrafi: Sa janë të mbrojtur njerëzit nga marrja e vaksinave, sa mund të jetë kohëzgjatja e saj, dhe a ka vend për dyshime për efekte anësore të shëndetit?
Dr. Rifat Latifi: Varianti Delta paraqet një sfidë serioze për kontrollin e pandemisë COVID-19 në SHBA, dhe në mbarë botën. Përgjigja efektive ndaj këtij varianti të frikshëm do të kërkojë një përgjigje të bazuar në prova që, për fat të keq, nuk ka qenë rasti për shumë shtete të botes. Vaksinat janë e vetmja rrugë përpara që do të ruajë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor dhe ekonominë, dhe përfundimisht do të përmbajnë dhe kontrollojnë pandeminë.
Rritja e përfshirjes të marrin vaksinat në mesin e popullatave që hezitojnë t’i marrë vaksinat, do të kërkojë pjesëmarrje të plotë dhe angazhim të plotë nga të gjithë, përfshirë zyrtarët qeveritarë, mjekët, praktikuesit e shëndetit publik dhe anëtarët e komunitetit. Zyrtarët e zgjedhur dhe politik-bërësit e tjerë, mund të bëjnë pjesën e tyre tani duke i dhënë mbështetje të fortë strategjive të vaksinimit dhe zbutjes së shëndetit publik. Ne nuk e dimë, se sa zgjatë imuniteti pas vaksinës, dhe është shumë e mundur që vaksina duhet të përsëritet, sikurse edhe vaksina e gripit që ne e marrim për çdo vjet.
Telegrafi: Prof. dr. Latifi, cili është mesazhi juaj për të rinj të cilët synojnë rrugën e suksesit?
Dr. Rifat Latifi: : Duhet punuar 26 orë në ditë, duke ia marrë dy orë ditës që vjen, dhe mos humb as një sekondë duke mos bërë asgjë.
/Telegrafi/Lumturije Bekaj/
N
Për dijeninë e lexuesve
Në gushtin që kaloi, Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare” nxori nga shtypi Fjalorin frazeologjik frëngjisht-shqip, një vepër voluminoze kjo prej 1580 faqesh, e cila përmban 40200 shprehje frazeologjike. Autorë të Fjalorit janë Prof.dr. Eshref Ymeri dhe Sefulla Kata. Fjalori, i shtypur në Studion Intergrafika, me drejtor zotërinë Eduard Shima, është një botim mjaft luksoz. Po kjo Shtëpi Botuese, në vitin 2015 dhe 2019, po në Studion Intergrafika, pati botuar, përkitazi, Fjalorin frezeologjik rusisht-shqip dhe Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip, me autor Prof.dr. Eshref Ymerin. Në vijim po u përcjellim lexuesve materialin që shërben si Hyrje për Fjalorin frazeologjik frëngjisht-shqip. Materialin na e dërgoi për botim bashkautori i Fjalorit Sefulla Kata. (Prof. dr. Fatmir Terziu Londër, 22 shtator 2021)
Një përqasje e çmuar e pasurisë frazeologjike të frëngjishtes me atë të shqipes
Mendimi për të hartuar një fjalor frazeologjik frëngjisht-shqip domosdo që ka lindur shumë më herët sesa fjalori ynë. Këtë e dëshmojnë disa fjalorë të këtij lloji, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të vyer në sjelljen në shqip të frazeologjisë dhe të shprehjeve të larmishme të gjuhës frënge. Me respektin më të madh për këtë punë të bërë, bashkë me prof. Eshref Ymerin, iu futëm punës për të hartuar një fjalor të përmasave më të mëdha, me qëllimin e mirë që përdoruesit e tij të gjejnë në të më shumë sesa kanë mundur të gjejnë deri më sot, që atyre të mos u mungojë asgjë nga ajo që gjuha e bukur frënge e ka në fondin e saj si gjuhë e një kulture të pasur. Një sipërmarrje e tillë dukej në fillim shumë e vështirë. Por kur në këtë punë ke zgjedhur të udhëhiqesh nga prof. Eshref Ymeri, njeri i dashuruar me leksikografinë, hartues i shumë fjalorëve të këtij lloji, hulumtues i palodhur i fondit frazeologjik të gjuhës ruse dhe të disa gjuhëve të tjera, por, mbi të gjitha, njohës deri në hollësi i gjuhës sonë të bukur shqipe, puna të duket ku e ku më e lehtë. Ēshtë njëlloj sikur të jesh mbështetur në trungun e një rrapi shekullor dhe të ndihesh më se i sigurt.
Pasuria frazeologjike e frëngjishtes ka një mori burimesh të prejardhjes së saj, të cilat shkojnë thellë në të kaluarën e hershme dhe përfshijnë praktikisht të gjitha fushat e veprimtarisë së shoqërisë franceze. Që të qëmtosh shprehjet e bukura të frëngjishtes, të duhet të udhëtosh shumë larg në kohë. Të duhet të sjellësh nga shekujt atë që gjuha frënge e ka pasur më të bukurën e më të çmuarën, të gërmosh në ligjërimin e figurshëm të një kombi të madh, të futesh mes rreshtash në letërsinë e kolosëve francezë, të zbërthesh gjuhën e figurshme të mbretërve francezë, të filozofëve, të presidentëve, të intelektualëve, por edhe të njerëzve të thjeshtë, të fshatarëve francezë, të studentëve dhe të mos lësh pa marrë parasysh edhe gjuhën e figurshme të grupeve të ndryshme shoqërore. Kudo ku mblidhen, kuvendojnë, punojnë, studiojnë, madje dhe atje ku vuajnë, njërëzit pëlqejnë ta zbukurojnë të folurit e tyre dhe, në rrethana të caktuara, ta bëjnë atë nganjëherë edhe “të pakuptueshëm” për dikë. Ndodh kështu me popullin francez, me popullin shqiptar, por edhe me të gjithë popujt e tjerë. Ky rrugëtim për të zbuluar shprehje frazeologjike, proverba, shprehje popullore, madje dhe zhargonin e grupeve të ndryshme shoqërore, është shumë i gjatë, por dhe shumë interesant e mjaft tërheqës. Por ajo që e bën edhe më të lehtë këtë udhëtim, është aftësia fantastike e gjuhës sonë për t'iu përgjigjur më së miri gjuhës frënge, me frazeologjinë e saj shumë të pasur dhe të larmishme. Aq e vërtetë është kjo, sa në shumë raste, një shprehjeje të gjuhës frënge, shqipja i përgjigjet me një shumëllojshmëri shprehjesh të barasvlershme, të bukura, elegante, si dëshmi e një gjuhe të lashtë sa vetë kombi ynë.
Në punën tonë na është dashur t’u drejtohemi shumë fjalorëve të gjuhës frënge, fjalorëve të mirëfilltë gjuhësorë, fjalorëve enciklopedikë, përmbledhjeve të ndryshme me shprehje frazeologjike, me proverba, teksteve të autorëve të ndryshëm, të vjetër dhe të rinj, të “gërmojmë” deri atje ku mundësia jonë shteret, me synimin për ta bërë sa më të pasur e më të dobishëm fjalorin tonë. Dashamirësit e gjuhës frënge, por në veçanti përkthyesit nga gjuha frënge në gjuhën shqipe, nuk do të kenë përse të “ankohen” kur do të ndodhen përpara një shprehjeje, të cilën nuk e kanë dëgjuar e hasur kurrë më parë apo kur do të hasin në shprehje shumë të ngjashme, të cilat nganjëherë duken identike, por që në të vërtetë janë krejt të ndryshme dhe përcjellin kuptime shumë larg njëri-tjetrit. Jemi përpjekur t’ua lehtësojmë punën të gjithëve, duke u dhënë jo një, por disa shprehje analoge në gjuhën shqipe, me një përfaqësim mbarëkombëtar.
Njëra ndër veçantitë më të spikatura të fjalorit tonë është aspekti i tij etimologjik. Për shumë shprehje, për të cilat ka qenë praktikisht e mundur, në fjalor është dhënë prejardhja e tyre dhe kjo veçori e bën fjalorin shumë më interesant. Ndërkohë që përdoruesi kërkon për të gjetur në shqip barasvlerësin e një shprehjeje të caktuar në gjuhën frënge, kur has në shpjegimin e origjinës së saj, ai jo vetëm ndërgjegjësohet dhe qartësohet lidhur me kontekstin e përdorimit, por, nga ana tjetër, ai pasurohet intelektualisht dhe, përse jo, edhe argëtohet e çlodhet, ndërkohë që është duke punuar.
Sipas burimit të formimit të tyre, shprehjet frazeologjike të frëngjishtes janë disa llojesh:
Së pari, shprehje frazeologjike të krijuara me brumin e frëngjishtes, në të cilën kanë hyrë nga sferat e jetës materiale, kulturore, ekonomike dhe politiko-shoqërore. Në to pasqyrohet historia, jeta, kultura, fryma dhe mënyra e të menduarit të popullit francez. Si shembull mund të marrim shprehjen pendre la crémaillère “feston banesën e re, vendbanimin e ri”. Në këtë shprehje përcillet një zakon i francezëve, sipas të cilit ai që merrte një banesë të re, mbërthente në oxhak një bosht të dhëmbëzuar që shërbente për të varur kazanin. Fjala crémaillère do të thotë bosht me dhëmbëza.
Së dyti, shprehje me prejardhje joterminologjike. Në këtë grup përfshihen ato që lidhen me fakte historike, me gojëdhënat dhe me besimet popullore, me doket dhe zakonet e popullit francez, si edhe ato që janë krijuar mbi bazën e frazave dhe të citateve historike, mbi bazën e anekdotave ose të rrëfimeve anekdotike, si dhe shprehjet me burime letrare. Këtu përfshihen, gjithashtu, shprehjet që lidhen me njeriun dhe me natyrën e gjallë dhe jo të gjallë. P.sh., shprehja Paris vaut bien une messe! “Parisi e meriton një meshë!”, në kuptimin “ia vlen të bësh një kompromis (të hysh në një kompromis) për hir të një leverdie të dukshme”, shërben si fjalë fluturake që e pati shqiptuar Henriku i Navarës (Henri IV, Henri le Grand, Henri de Navarre - 1553-1610), me rastin e vendimit që mori në vitin 1593 për të pranuar fenë katolike, me qëllim që të bëhej mbret i Francës me emrin Henriku IV dhe të themelonte dinastinë e burbonëve.
Së treti, shprehjet me prejardhje terminologjike që lidhen me profesione të ndryshme, me llojet e sportit, me gjuetinë, me lojëra të ndryshme etj. Dikur këto përdoreshin në kuptim të drejtpërdrejtë në disa lloje veprimtarie, por, me kalimin e kohës, ato erdhën e morën kuptim figurativ, çka ishte karakteristike edhe për artin usharak. Për këtë rastin e fundit, le të marrim si shembull shprehjen faire long feu (fjalë për fjalë “bëri shkrap, s’mori, nuk ndezi pushka”), në kuptimin “i doli huq, i vajti mundimi kot, pësoi disfatë, s’nxori gjë në dritë”. Dikur, gjatë përdorimit të armës së zjarrit me barut, ndezja bëhej me anë të fitilit, por qëllonte që baruti të mos ndizej menjëherë dhe, për pasojë, shkrepja nuk bëhej aty për aty, çka bëri që ajo të quhej e pasuksesshme. Përdorim të gjerë kanë edhe shprehjet frazeologjike me prejardhje nga fusha e gjuetisë. Si shembull po marrim shprehjen rompre les chiens (fjalë për fjalë “i tërheq, i thërret qentë mbrapsht, u flet qenve të largohen”), në kuptimin “e ndërpret një bisedë e cila nuk ka marrë drejtimin e duhur”.
Së katërti, huazimet frazeologjike të cilat shërbejnë si një burim i rëndësishëm, por jo kryesor i pasurimit të fondit të shprehjeve frazeologjike të frëngjishtes. Këto huazime kanë ardhur nga gjuhë të ndryshme, kryesisht nga latinishtja dhe nga greqishtja. Si burim kryesor për huazimin e tyre ka shërbyer letërsia. Më shpesh ato janë huazuar nga latinishtja si kalke, por nganjëherë ato mund të përdoren edhe pa përkthim. E tillë është, fjala vjen, shprehja terra incognita (diçka e panjohur, fushë e pahulumtuar e dijes, njollë e bardhë). Ndërkohë, shprehja latine advocatus diaboli e ka barasvlerësin në frëngjishte avocat du diable “avokat i djallit, akuzues i betuar”, një shprehje që lidhet me një zakon katolik që ka ekzistuar që nga koha e mesjetës etj.
Nga greqishtja janë huazuar shprehje të tilla, si l’âge d'or “shekulli i artë, koha e lulëzimit më të madh të shkencave dhe të arteve në historinë e një vendi”, e cila ka hyrë në frëngjishte nga poema e Hesiodit (shek. VIII-VII p.e.r.) “Punët dhe ditët”. Po nga kjo gjuhë ka hyrë në frëngjishte, si edhe në gjuhë të tjera, shprehja e famshme cheval de Troie “kali i Trojës”, në kuptimin “dhuratë për të të vënë në gjumë, nder, shërbim për qëllime mashtrimi, për qëllime të fshehta”, e huazuar nga poema e Homerit (shek. VIII p.e.r.) “Iliada” etj.
Në fondin frazeologjike të frëngjishtes ka edhe shprehje të huazuara nga gjuhë të tjera. Por këto nuk janë të shumta. Kështu, nga anglishtja janë huazuar shprehjet guerre froide “cold war” (luftë e ftohtë); bas bleu “blue stocking” (çorap ngjyrëkaltër), në kuptimin “grua pa hire (pa hijeshi, pa butësi) femërore, grua pedante (librangrënëse, e dhënë pas librave)”; la ruée vers l’or “gold rush” (ethet e arit) në kuptimin “ethet e kërkimit të arit” etj. Nga italishtja janë shprehje frazeologjike, si faire fiasco (fare fiasco), në kuptimin “dështoi në arritjen e objektivit (e qëllimit), pësoi disfatë”; arche sainte (arche d’alliance, du Seigneur) “arco dell’alleanza”, me kuptimet “arkë, kuti; gjëja më e shenjtë…”; la furie française (furia francese), me kuptimin “çmenduria e (tërbimi i) francezëve, çmenduri franceze, tërbim francez” etj.
Së pesti, në frëngjishte, si edhe në gjuhë të tjera, një grup jo të vogël frazeologjizmash e përbëjnë ato me prejardhje biblike. Të tilla janë bouc émissaire (dashi i kurbanit), në kuptimin “ai, të cilit i ngarkohet faji i të tjerëve, ai që vuan ose ndëshkohet për fajin e të tjerëve”; malédiction originelle (mëkati i parë); porter sa croix(mban kryqin (e vet) mbi shpatulla), në kuptimin “i bën ballë jetës vetë, i përballon kusuret (hallet) e jetës vetë, i nënshtrohet fatit”; serpent tentateur (gjarpër joshës (ngasës), në kuptimin “njeri i poshtër” etj.
* * *
Për ta bërë të lehtë përdorimin e fjalorit, kemi ndjekur shembullin e fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh me autor prof. Eshref Ymerin, duke e dhënë fjalën që shërben si vatër kuptimore e shprehjes frazeologjike, me shkronja të mëdha të trasha dhe në vijim, gjithnjë në rend alfabetik frazeologjimat që ndërtohen me këtë vatër kutprimore. Kështu, le të marrim si shembull disa shprehje me vatrën kuptimore TËTE “kokë”:
TĒTE ■ tête à claques bis - njeri i neveritshëm (që të acaron).
tête à corvées thjesht - i shkundur nga trutë, copë mish me dy sy, fyell pa vrima, vandak me bezga, shul (hu) gardhi, tra i pagdhendur, derr me zile, koqe kandari, rrotë mulliri.
tête à gambier thjesht - biçim (turi) i shpifur (i shëmtuar).
tête à gifles bis - biçim (turi) i neveritshëm (i shpifur).
tête à X thjesht - 1. matematikan, inxhinier. 2. student i institutit politeknik.
tête à l’huile zharg teatr vjet - aktor rolesh episodike, aktor-figurant.
Pastaj vijojnë shprehjet që e kanë në trup fjalën tête, gjithnjë në rend alfabetik:
à la tête de… - 1. në krye të… 2. faqeza…, në prani të… 3. duke pasur në dorë (në zotërim)…
à la tête du client bis - secilit sipas midesë, në varësi të njeriut.
à laver (blanchir) la tête d’un ȃne (d’un Maure, d’un More, d’un nègre) on perd (son temps et) sa lessive (son savon) - dëm sapuni tek arapi; qenin laje edhe me sapun me erë, ai prapë erë qeni do të bjerë.
à quoi (où) ai-je la tête? bis - ku e paskam kokën, xhanëm? për çfarë po e lodhkam trurin? sa mendjehumbur qenkam!
Një renditje e tillë është bërë me qëllim për ta ndihmuar përdoruesin e fjalorit ta gjejë me lehtësi shprehjen që i intereson.
Në rastin e shprehjeve frazeologjike të cilat në strukturën e tyre kanë si vatra kuptimore emra që kanë tema të ndryshme në numrin njëjës dhe në numrin shumës, si p.sh. œil “sy” dhe yeux “sytë”, frazeologjizmat me fjalë bosht temën e dytë janë dhënë tek tema e parë, dmth. tema e dytë nuk është nxjerrë si vatër kuptimore më vete.
Siç shihet edhe nga shembujt e mësipërm, shprehjet frazeologjike janë pajisur me shënime stilistike, si p.sh.: iron, lart, libr, shak, vulg, argo etj., ose të fushës së ligjërimit, si: anat, farm, gjeol, hek, kinem, radio, skerm etj. Frazeologjizmat me burim krahinor, të cilat gjithsesi janë të pakta në numër, janë pajisur me shënimin krahin., ndërsa ato të ligjërimit bisedor me shënimin bis. Pa ndonjë shënim janë dhënë shprehjet frazeologjike stilistikisht asnjanëse (neutrale).
* * *
Shpjegimi i kuptimit të shprehjeve frazeologjike është një punë fort e vështirë, sidomos kur është fjala për t’i dhënë në një gjuhë tjetër. Në fjalorin tonë kjo është bërë duke kërkuar barasvlerësit e plotë ose barasvlerësit e pjesshëm, dhe, më rrallë, atë të përshtatjes së shprehjeve në shqipe. Kurse në rastin e disa frazeologjizmave të dokumentuar në burime të shkruara, duke dhënë motivimin e krijimit të tyre, që përcillet me një shpjegim etimologjiko-enciklopedik, çka, në këndvështrimin e autorëve, përbën një informacion me vlera kulturore.
Idealja do të ishte që të gjitha shprehjet frazeologjike të frëngjishtes të kishin përgjegjëset e tyre në gjuhën shqipe. Por kjo është e pamundur për shkak të formës së brendshme të ndryshme të frëngjishtes dhe të shqipes, që lidhet me botëperceptimin e ndryshëm të të dy popujve, të formuar në kontekste hitorike, gjeografike e kulturore të ndryshme. Megjithatë, për një numër jo të vogël shprehjesh frazeologjike të frëngjishtes kemi mundur të japim barasvlerësit e tyre në shqipe, disa prej të cilëve janë barasvlerës të pjesshëm ose barasvlerës të plotë, që përputhen me shprehjet frazeologjike të frëngjishtes nga kuptimi, nga përbërja leksikore, nga ana figurative, nga ana stilistikore dhe nga struktura gramatikore. Shprehje të tilla të frëngjishtes në ballafaqim me shqipen nuk janë të shumta. Ja disa shembuj nga fjalori:
armé à blanc - i armatosur deri në dhëmbë.
comme un lion en cage - si bisha në kafaz.
il est un terme à tout - çdo gjë e ka një kufi.
lever (ôter) un (le) voile- i heq maskën.
mieux vaut (il vaux mieux) tard que jamais - më mirë vonë se kurrë.
ne pas avoir un croque - i ka xhepat trokë, ka mbetur pa një dysh (pa një kacidhe) në xhep, ka mbetur trokë, i fryn murrani në qese, s’ka në xhep asnjë kacidhe për be, s’ka një lek të fshijë synë, ka mbetur kishë frëngu.
ne pas toucher la terre- s’i zënë këmbët dhé.
nez à (pour) nez - ballë për ballë.
t’en fais pas pour la croûte thjesht -mos merr zjarr kot si pushka e jevgut.
faire coup double (triple) - bën një rrugë (udhë) e dy punë.
* * *
Gjatë dhënies në shqipe të shprehjeve frazeologjike të frëngjishtes, vihet re se hasen edhe të tilla që, kur përkthehen në gjuhën tonë, duket sikur kemi të bëjmë me kalke semantike, me ca ndryshime fare të vogla leksiko-gramatikore. Kështu, përkthimi i shprehjes mettre des bâtons dans les roues përfaqëson një kalk semantik dhe për nga përbërja leksikore dhe formësimi gramatikor përputhet plotësisht me shprehjen e shqipes i fut shkopinj në rrota. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shprehjet jouer un rôle “luaj rol”, accuser de tous les maux “e akuzon për të gjitha të zezat” etj. Por duhet theksuar se këto lloj shprehjesh që hasen njëlloj në të dyja gjuhët, nuk janë huazime nga frëngjishtja. Ato mund të jenë krijuar si rrjedhim i së njëjtës përvojë që popujt kanë pasur në jetën e tyre. Prandaj është e vështirë të thuhet se njëra ose tjetra gjuhë ka pasë shërbyer si “vendlindje” e shprehjeve të tilla.
Me kalke frazeologjike kemi të bëjmë vetëm në ato raste kur një shprehje e caktuar është një historizëm, pra, kur përmes saj është përjetësuar një dukuri që i takon një periudhe historike të kaluar. Kështu, fjala vjen, shprehja l’État c’est moi “shteti jam unë!”, në kuptimin “këtu vendos unë! ligjin e bëj unë!”në gjuhën shqipe përcillet si kalk semantik. Sipas burimeve franceze, kjo shprehje është përdorur nga mbreti Luigji XIV (1638-1715). Me kalk semantik përcillet në shqip edhe shprehja état dans l'état “shtet brenda shtetit”, në kuptimin “strukturë e paligjshme me kompetenca ekzekutive brenda shtetit ligjor”, e krijuar gjatë luftërave fetare të shek. XVII në Francë.
Për shprehjet frazeologjike të frengjishtes që nuk kanë barasvlerës në gjuhën shqipe, mund të mendohej si e pranueshme edhe njëfarë përshtatjeje në gjuhën shqipe. Por ne nuk e kemi parapëlqyer këtë rrugë, prandaj jemi munduar të qëmtojmë barasvlerësit frazeologjikë të gjuhës shqipe që i përgjigjen mundësisht sa më shumë kuptimit të shprehjeve frazeologjike të gjuhës frënge.
Të tilla kanë qenë ato shprehje frazeologjike që përcjellin tradita gojëdhënore që lidhen me doket e vjetra dhe me fakte e dukuri nga mënyra e jetesës e popullit francez. Le të shohim si i kemi dhënë disa shprehje frazeologjike që janë me të vërtetë argëtuese, por jo të lehta për nga kuptimi dhe përdorimi.
Kështu, shprehja raconter des salades (fjalë për fjalë “rrëfen sallata”) do të thotë “tregon përralla me mbret, gënjen”. Ja përdorimi i saj në kontekst:
- J’ai maitrisé le français dans un jour. “- E përvetësova frëngjishten për një ditë.”
- Arrêtez de raconter des salades. “- Boll na tregove gënjeshtra.”
Shprehja la moutarde me monte au nez (fjalë për fjalë “mustarda më ka ardhur te hunda”, përdoret në kuptimin “inatosem, nevrikosem, nxehem”.
Shprehja partir en cacahuète (fjalë për fjalë “u largua mbi kikirik”) tingëllon shumë mbresëlënëse për nga çudia që përcjell. Ja konteksti i përdorimit të saj:
Tout est parti en cacahuète! “iku, shkoi, vajti për dhjamë qeni”.
Shprehja c’est la fin des haricots “ky është fundi i fasuleve”, duke pasur parasysh përmbajtjen e saj zbavitëse, duhet përdorur në një situatë tejet dramatike, në kuptimin “caku i fundit i durimit, më keq s’ka ku shkon më, s’mban më ujë pilafi”.
Shprehja en faire tout un fromage (fjalë për fjalë “e bën djathë”) në shqipe jepet me shprehjet “e bën mizën buall, e bën pleshtin ka, e bën qimen tra, e bën venë deve”. Pra, për të dhënë idenë e stërmadhimit të gjërave, francezi e ndërton shprehjen frazeologjikembi vatrën kuptimore djathë, kurse në shqipe barasvlerësit e saj janë ndërtuar mbi vatrat buall, ka, tra dhe deve.
Kur lexuesi has shprehjen sans crier gare “pa paralajmërim” në thënien Il est parti sans crier gare “Ai u largua pa paralajmërim”, nuk duhet të habitet dhe të pyesë veten se ç’hyn në këtë mes fjala la gare “stacion hekurudhor”,sepse këtu është fjala jo për një stacion të tillë, por për një pasthirrmë të vjetruar.
Shprehja sous l’eau (fjalë për fjalë “nën ujë”), e përdorur në kontekstin Pardon je te réponds tard mais je suis sous l’eau “Më fal, po përgjigjem me vonesë, por më kanë mbytur punët”, nuk duhet ta bëjë lexuesin të mendojë se dikush është duke notuar nën ujë, si një lloj sporti apo për argëtim.
Shprehja appeler un chat un chat (fjalë për fjalë “ta quash macen mace”) përdoret në kuptimin “t’i quash gjërat me emrin e vet”. Ja një kontekst i përdorimit të saj:
- Attends, tu veux vraiment dire qu’il est stupide?!
- Écoute, il faut appeler un chat un chat.
- Pa prit, ti me të vërtetë dëshiron ta quash atë budalla?
- Dëgjo këtu, gjërat duhen quajtur me emrin e vet.
Shprehja peigner la girafe tingëllon e çuditshme në përkthimin e saj të fjalëpërfjalshëm “kreh xhirafën”, por kuptimi i saj është “e çon (e harxhon) mundin kot, punon kot së koti”.
* * *
Ashtu si fjalët nuk janë thjesht etiketa të sendeve dhe për këtë arsye nuk mund të kërkojmë përputhje një për një të fjalëve të gjuhëve të ndryshme që emërtojnë të njëjtin send, edhe shprehjet frazeologjike të një gjuhe mund të kenë më shumë se një barasvlerës në gjuhën tjetër. Kështu, janë të shumta frazeologjizmat e frëngjishtes që kanë si barasvlerës një vargan të tërë shprehjesh frazeologjike të shqipes, të cilat formojnë vargje sinonimike me ngjyrime të ndryshme stilistikore. Gjatë përkthimit të letërsisë artistike, në varësi të kontekstit, përkthyesi mund të përzgjedhë shprehjen më të përshtatshme. Për përkthimin e saktë të shprehjeve të tilla, sidomos të atyre të stilit të zhargonit, përkthyesit i duhet të konsultohet paraprakisht me fjalorë frazeologjikë dhe sidomos me fjalorë idiomatikë të frëngjishtes, duke arritur shkallë-shkallë deri në zotërimin e fondit të saj frazeologjik.
Jemi përpjekur të bëjmë më të mirën e mundshme dhe mendojmë se, në një farë mënyre, ia kemi arritur këtij qëllimi. Natyrisht, me shumë mund e përpjekje, me shumë kohë të shpenzuar. Ndërkohë, ndonjë gjë edhe mund t’i ketë “rrëshqitur” kontrollit tonë shumë të rreptë. Ndaj janë të mirëpritura vërejtjet me qëllim përmirësimin e fjalorit.





