Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/05

David Hosaflook: Bibla e përkthyer në 412 gjuhë, gjuha shqipe e 19-ta

Sipas tij, Bibla deri më tashti është përkthyer në 412 gjuhë të botës nga ana e Shoqërisë Biblike, dhe përkthimi i Biblës në gjuhën shqipe radhitet në një ndër gjuhët e para që kanë përkthyer Biblën
David Hosaflook nga Shoqëria Biblike, i cili ishte i pranishëm sot në Institucionin Nacional "Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe", në Manastir ka bërë të ditur për një studim të tij, duke vënë theksin në përkthimin e Biblës. Sipas tij, Bibla deri më tashti është përkthyer në 412 gjuhë të botës nga ana e Shoqërisë Biblike, dhe përkthimi i Biblës në gjuhën shqipe radhitet në një ndër gjuhët e para që kanë përkthyer Biblën. Sipas tij, përkthimi në gjuhën shqipe radhitet të jetë i 19-ti, në përkthimet e tërësishme prej 412 gjuhëve.

Shkrimtarja Rita Petro reagon mbi erotikën e poezive të saj

Është një çmim që e kanë marrë shkrimtarët më të njohur të vendit, si Ismail Kadare, Martin Camaj apo arbëreshi Mateo Mandala.

Libri i poetes Rita Petro, me titullin provokues “Vrima” u bë këtë vit fituese e çmimit të bibliofilisë “Lumo Skëndo”, një çmim që iu dorëzua nga Ministrja e Kulturës Shqiptare, Mirela Kumbaro.
Është një çmim që e kanë marrë shkrimtarët më të njohur të vendit, si Ismail Kadare, Martin Camaj apo arbëreshi Mateo Mandala.
Që në dhënien e tij për herë të parë në vitin 2006, kriteri kryesor për të merituar çmimin “Lumo Skëndo” është që libri fitues të përfaqësojë në një nivel të lartë kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Vëllimi poetik i Rita Petros, përveçse me titull provokues, përmban poezi të forta erotike dhe deri tani nuk ka qenë i vlerësuar për nivel të lartë përfaqesimi të kulturës dhe letërsisë shqipe.
Për shembull, si kjo më poshtë:
Tani je në dorën time, kush je ti? Mashkulli yt, çfarë është ky këtu?
P****, preke me dorë, auuu, sa i madh po bëhet? Lëviz si me magji!
Tani hiqi brekët, ule kokën dhe shih mes kofshëve, kjo është lulja ime
Ha ha ha akoma me përralla ti?
Auuu v***** ime, tani mësoje mirë, kur ky këtu futet quhet seks.
Tashmë ky libër do të jetë në të njëjtin raft nderi te Bibliotekës me “Lekë Matranga” e Mateo Mandales, “Kolanën” e Martin Canajt dhe veprat e Kadaresë e shumë emrave të mëdhenj të letërsisë shqipe.
Çmimi “Lumo Skëndo” jepet nga një juri e përbërë prej 5 anëtarësh.
Pasi lajmi ka shkaktuar një tërmet me reagime online, ka reaguar vetë Rita Petro.
“Pas botimit ne France te librit Vrima nga shtepia botuese prestigjioze Harmattan ndihem e vleresuar me cmimin e marre ne 95 vjetorin e Bibliotekes Kombetare…kjo tregon se shijet e leximit kane ndryshuar…kohe te reja na presin kunder skematizmit dhe moralit te rreme…lum kush e jeton mendjehapur jeten dhe mjere per ata qe i kryqezojne te tjeret per mekatet e veta qe s’kane guxim t’i pranojne…Ka disa njerez madje media qe i frikeson fjala PENIS dhe VAGINE..mua JO…bota e moderuar e kultures, ka qindra vjet qe lufton per te pastruar mendjet dhe trupat e frustruar nga pervesiteti mendor …

Retrospektivë kulturore: Dabishevci e nusëron gegërishten burrërore

“E studiuesja Donika Dabishevci duke i marrë për bazë gjithë këta përbërës të padiferencuar teorik, i është qasur trajtimit të prozës poetike në disa rrafshe, dhe për këtë i ka ndihmuar edhe vetë lënda e autorëve që i kanë kultivuar prozat poetike si Faik Konica, Mithat Frashëri, Errnest Koliqi, Martin Camaj dhe Mihal Ganxharri”, tha ndër të tjera Haxhaj.
Sarandë Selimi
Dy libra të shkruar në të njëjtën kohë, “Proza e poetizuar” dhe “Kam me ardhë si deka”, të autores Donika Dabishevci mesditën e së mërkurës u promovuan mes familjarëve, miqve, studiuesve, shkrimtarëve e shumë artdashësve të librit në Institutin Albanologjik në Prishtinë. 
Ardian Haxhaj fillimisht i tha disa fjalë për librin me poezi “Kam me ardhë si deka”, ku theksoi një preokupim të tij gjatë leximit të librit.
“Gjatë leximit të librit “Kam me ardhë si deka”, erdha në përfundim se sa shumë ka humbur gjuha shqipe, respektivisht standardi i gjuhës shqipe në vitin 1972 me mospërfshirjen e një dialekti siç është gegërishtja, jo vetëm në kuptimin e trajtave gramatikore por edhe në kuptimin e fjalësisë apo në kuptimin semantikor të tyre”, u shpreh fillimisht Haxhaj i cili vazhdoi më tutje të flasë për “Proza e poetizuar”, ku sipas tij studimi i prozave poetike dhe trajtimi i prozave poetike paraqet një sfidë të veçantë studimore për secilin studiues teoriko-letrar dhe kritiko-letrar, ku siç tha ai, vetë sintagma prozë poetike semantikisht ngërthen në vete dy e më shumë përbërës zhanror, dy e më shumë përbërës tipologjik.
“E studiuesja Donika Dabishevci duke i marrë për bazë gjithë këta përbërës të padiferencuar teorik, i është qasur trajtimit të prozës poetike në disa rrafshe, dhe për këtë i ka ndihmuar edhe vetë lënda e autorëve që i kanë kultivuar prozat poetike si Faik Konica, Mithat Frashëri, Errnest Koliqi, Martin Camaj dhe Mihal Ganxharri”, tha ndër të tjera Haxhaj.
Agim Baçi, studiues nga Shqipëria, vazhdoi të fliste më pas për librin “Kam me ardhë si deka”.
“Ajo që ishte befasi për librin është se jemi të mësuar me toskërishten në shumë libra në Tiranë, dhe e kishim vlerësuar gegërishten të ardhur kështu si burrërore, diçka luftarake diçka që flet për gjëra të mëdha. E kësaj radhe Donika e solli gegërishten të nusëruar, kjo gegërishte më kujton vetëm Donikën e jo shkrimtarët tjerë. Donika në këtë libër e ka ruajtur kufirin shumë të ëmbël të të gjitha fjalëve pa zbritur asnjëherë në momente banale, andaj e përdora edhe fjalën e nusëruar”, theksoi Baçi.
E krejt për fund, vetë autorja iu drejtua të pranishmëve, fillimisht duke i falënderuar për pjesëmarrje e më pastaj edhe foli për dy librat e saj.
“Libri “Proza e poetizuar”, ishte projekti im i doktoratës i cili zgjati katër ose pesë vite. Nuk do të kisha mundur ta paramendoja një kurorëzim më të mirë sesa një libër të botuar me logon e Institutit Albanologjik. Gjatë kësaj periudhe kam shkruar edhe librin me poezi “Kam me ardhë si deka”, të cilat filluan dhe mbaruan natyrshëm, do të thotë asnjëra nga poezitë e këtij libri nuk janë shkruar sa për numër, nuk janë shkruar në mënyrë arbitrare por kanë lindur që të gjitha natyrshëm”, u shpreh për fund autorja.

Ismail Kadare: Gjykimet e mia për Fishtën dikur, të gabuara

Shkrimtari i njohur në një rrëfim për Gjergj Fishtën, Naim Frashërin, Ernest Koliqin dhe shkrimet e tij gjatë komunizmit
Shkrimtari Ismail Kadare vjen më poshtë në një rrëfim ndryshe, duke analizuar gjykimet e dikurshme mbi një personazh të rëndësishëm të letrave shqipe siç është Gjergj Fishta apo Naim Frashëri, dhe letërsinë dhe shkrimet e shkruara gjatë komunizmit. Kjo bisedë është bërë për revistën “Hylli i Dritës”.Akuzoheni se keni shkrue dhe folë kundër At Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit dhe, në përgjithësi, se keni qenë kundër letërsisë dhe vlerave shpirtnore katolikegege. Çka mundeni me thanë për këtë gja dhe si e vlerësoni kontributin e elementit katolik emancipimin e kombit shqiptar?Po e nis me pjesën e dytë të pyetjes suaj, atë që lidhet me kinse qëndrimin tim mohues ndaj vlerave shpirtërore katolike-gege. Më lejoni t’ju them se kjo nuk është veçse një sajesë e neveritshme. Në këtë rast, më fort se vetë shpifja, më ka habitur zelli me të cilin një pjesë e katolikëve shqiptarë e kanë përqafuar atë. Del pyetja, përse? Më saktë: përse iu është dukur me interes një gjë e tillë? Normalisht duhej të ndodhte e kundërta. A nuk u ka shkuar ndër mend se, duke i shtuar katolicizmit shqiptar një armik të paqenë, kanë bërë lojën e komunistëve më të skajshëm? Sepse veç ata ishin të interesuar që katolicizmi shqiptar të kishte sa më shumë kundërshtarë, e aq më tepër një shkrimtar të njohur. Ka ardhur ky keqkuptim i rëndë nga padija? Për një pakicë po, por për shumë të tjerë kurrsesi. Këta të tjerët e kanë ditur mirë që akuza është krejtësisht e pavërtetë.

Mjafton leximi, qoftë dhe i pjesshëm, i veprës sime për ta kuptuar këtë. Nderimi im për krishterimin shqiptar, e sidomos për atë katolik, e ka zanafillën jo në frymëzimin fetar, por në nderimin tim për letërsinë shqipe dhe atë europiane, rrënjët e të cilave ishin të pandara nga qytetërimi i krishterë. Por, edhe pa e lexuar veprën time, do të mjaftonte biseda aq shumë e përfolur me ish-presidentin komunist, Ramiz Alia, në lidhje me fenë katolike, bisedë që u bë shkas për aq shumë spekulime për kinse antimyslimanizmin tim, në favor të katolicizmit, që kjo sajesë të binte. Unë u gjenda kështu në një skajim paradoksal: nga të dyja anët, nga katolikët dhe myslimanët, u shpalla si kundërshtar i secilës fe, me gjasë në dobi të tjetrës! Nuk dua të zgjatem lidhur me suksesin e shpifjes te katolikët. Dua vetëm të përsëris se disa prej tyre kanë qenë mjaft të lexuar, për ta ditur të vërtetën. Le ta gjejnë në ndërgjegjen e tyre shkakun. Lidhur me të vërtetën se ç’kam menduar për vlerat katolike-gege, do të mjaftonte romani im “Ura me tri harqe”, botuar më 1976, në kohën më të zezë, në mesnatën e diktaturës. Ky roman, i përkthyer qysh në atë kohë në gjithë Europën e në SHBA, dëshmon qartë çfarë kam menduar dhe, kryesorja, çfarë kam shpallur publikisht lidhur me qytetërimin katolik në Shqipëri. Ky roman është rrëfimi i gjatë i një murgu katolik, që flet si zëdhënës i krejt kombit shqiptar. Të mendosh që vepra u botua në kohën kur feja, e sidomos feja katolike, ishte e ndaluar dhe e persekutuar në Shqipëri, mendoj se s’ka nevojë për koment. Lidhur me At Gjergj Fishtën, do të thosha, së pari, se po abuzohet me të në mënyrë të palejueshme. Pyetja për poetin bëhet shpeshherë jashtë çdo kriteri të diskutimit intelektual. Ajo bëhet në mënyrë provokative dhe kundër çdo parimi të etikës. Askund në botën e qytetëruar nuk i kërkohet llogari askujt përse nuk e ka pëlqyer ose përse e ka kritikuar një shkrimtar. Të vijmë tek At Gjergj Fishta. Ka shumë rrahagjoksa sot që, ndërsa bëjnë be e rrufe për Fishtën, nuk kanë guxuar as t’ia përmendin emrin gjatë diktaturës. Natyrisht, nuk mund të fajësohen për këtë. Fishta ka qenë i ndaluar, madje më i mallkuari ndër të ndaluarit. 
 
Ndalimi i Fishtës ishte i rrokakrejtshëm (total). Kërkohej me këmbëngulje që as emri mos t’i përmendej. Më i keqi ndër ndalimet ishte pikërisht ky, kur poeti konsiderohej i paqenë. Rrahagjoksat iu bindën ndalimit. Në një pikëpamje duken të pafajshëm, por ka një çast kur mëkati shfaqet. Disa nga rrahagjoksat pranuan të shkruanin studime e sprova për letërsinë e fillimit të shekullit, sidomos vitet njëzet e tridhjetë, duke iu bindur verdiktit: Fishtës të mos i përmendej emri, të quhej i paqenë. Dikush mund të pyeste: ç’duhej të bënin? Përgjigjja është e thjeshtë: të shmangnin shkrimet për atë periudhë, kur ai zinte vendin e parë në letërsi. Në këtë pikë, mendimi im ndahej nga ai i rrahagjoksave. Mendoja se heshtja totale, fshirja nga kujtesa e shkrimtarëve të ndaluar, ishte ndalimi më i keq, ishte pikërisht dëshira e vërtetë, qëllimi final i diktaturës. Ndaj kam kërkuar një zgjidhje tjetër, që e mendoja më të favorshme për shkrimtarët e dënuar e, natyrisht, për të vërtetën. Ideja ime ishte: të përmendeshin ata, me çdo kusht, qoftë edhe duke i përcjellë me kritika të rrepta. Ç’kritika mund të përdoreshin si taksë për përmendjen e emrit? Ishin pak a shumë dy modele: njëri tepër i skajshëm, si për shembull, kriminel, hienë e zezë, spiun i fashizmit, shërbëtor i pushtuesve etj. Të tilla unë nuk kam përdorur kurrë. Modeli i dytë, më i moderuar: reaksionar, konservator, patriarkal, primitiv, nacionalist, folklorist, shovinist etj. Kam pasur idenë, i bindur se kisha të drejtë, të përdor ato kritika, për të cilat Fishta mund të kritikohej vërtet. Që Fishta ishte konservator, reaksionar dhe nacionalist, madje shovinist, për të mos përmendur folklorizmin e patriarkalizmin, e kisha shumë lehtë ta besoja. Madje, falë dy shkollave të larta, njohjes së letërsisë botërore dhe snobizmit rinor, disa nga këto cilësime s’më dukeshin ndonjë e keqe e madhe. Nuk do të guxoja të shtoja këtu se qëllonte që më dukeshin lavdërime, sikur të mos kisha një dëshmi që e vërteton këtë: Në botimin e librit tim të parë në Moskë, që u përgatit kur isha student atje, pranova si kusht për botim që, përkthyesi im, David Samoilov, të shkruante në parathënie se kisha ndikime të modernizmit e dekadentizmit borgjez. Kjo kritikë, jo vetëm që s’m’u duk e keqe, por më dha njëfarë kënaqësie.
Akuzat ose lavdërimet në botën komuniste shpesh bënin efekt të kundërt. Ato përdoreshin shpesh kundër shkrimtarëve të kohës, atyre që quheshin shkrimtarë të epokës së partisë. Një pjesë të epiteteve që përmenda më lart, madje të pasuruara me të tjera, si vepër kundër partisë, kundër socializmit, kundër popullit, jo vetëm janë përdorur kundër meje, por unë vetë, në një autokritikë të botuar tashmë, i kam thënë kundër vetes. U zgjata në këtë pikë, ngaqë kjo intervistë botohet në “Hylli i Dritës”, e pandarë nga emri i Fishtës. Siç e thashë në krye, ka një abuzim të madh me të. Është krijuar një mashtrim, që ka lidhje me një nga dukuritë më dinake të komunizmit: atë që quhet transferim i krimit. Diktatura dhe shërbëtorët e saj postdiktatorialë përpiqen të heqin nga supet e tyre barrën e turpit, për ta zbrazur mbi të tjerët. Shkrimtarët shqiptarë kanë përgjegjësinë e tyre për çoroditjen e letërsisë shqipe, por s’janë ata në zanafillë të krimeve të mëdha diktatoriale, tmerret dhe gjëmat e zeza, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e Fishtës, të Koliqit e të tjerëve. Fabrika e ndryshkur e pasdiktaturës vazhdon të prodhojë mashtrime nga më monstruozet. Një prej tyre, që e dëgjova në një mbledhje publike me shqiptarët e Amerikës, e shpjegonte ndalimin e Fishtës si rrjedhojë e vendimit të një komisioni prej tre vetash, të përbërë nga Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe Ismail Kadare. Ishte e lehtë për mua t’i jepja përgjigje këtij mashtrimi: kur Fishta dhe gjithë të tjerët u ndaluan, unë isha nëntë vjeç. Gjithë salla qeshi dhe unë bashkë me ta. Por nuk ishte për të qeshur. Fara që la pas ai regjim, vezët e gjarprit vazhdojnë të helmojnë atmosferën. Thelbi i mashtrimit është llogaritur në mënyrë djallëzore. Sipas tij, krimet nuk i ka bërë kupola komuniste, por tjetërkush. Në qoftë se përfytyrohet një komision ndalimi për Fishtën, me dy zyrtarë të lartë dhe një shkrimtar, natyrisht që faji për ndalimin, në radhë të parë i bie shkrimtarit. Rasti e solli që shkrimtari i akuzuar ua kujtoi dëgjuesve se ishte në atë kohë nëntë vjeç, por sa raste të tjera ka kur nuk gjendet kurrkush për të sqaruar të vërtetën dhe kështu gënjeshtra ngadhënjen? Dhe njerëzit mund të thonë: i gjori shoku Ramiz dhe e gjortha shoqja Nexhmije, ku ta dinin si ishte puna e Fishtës? Ishte ai, krimineli i madh I. K., që i ka bërë të gjitha, madje dhe të gjorthin shokun Enver, I. K. e ka nxitur të bëjë krime! (Kjo e fundit, sado fantaziste të duket, është thënë në shtypin gjerman pikërisht nga kinse disidenti që përmendni ju, në krye të kësaj interviste: në Shqipëri ka pasur jo një, por dy diktatorë, E. Hoxha dhe I. Kadare, madje ky i dyti ishte më i keqi!)
Meqë ra fjala, ky kinse disident dhe ish-oficer i Sigurimit, ndërsa është shfaqur si ithtar i Fishtës, në të njëjtën kohë, pasi është deklaruar turk, s’ka lënë sharje pa thënë kundër Skënderbeut. Fishta do të dridhej në varr (nëse do ta kishte), po të merrte vesh se një tip i tillë, pasi lavdëron Gjergj Fishtën, e hedh në baltë Gjergjin tjetër, atë të Kastriotëve, duke e quajtur hajdut kuajsh dhe agjent të italianëve! Në Shqipëri mbrapshtitë nuk kanë fund.
 
Tashti, pas kaq kohe reflektimi, cili asht mendimi juej për Fishtën dhe vendin e tij në letërsinë shqipe?Ndërsa për vlerat e katolicizmit shqiptar nuk kam pasur ndonjëherë moskuptim (më 1959, kur isha student në Moskë, romanin tim të parë “Qyteti pa reklama” e kam nisur me frazën e parë të “Mesharit” të Gjon Buzukut), nuk mund të them se kjo ka ndodhur me Fishtën. Gjykimi im i padrejtë për të, mendoj se nuk ka lidhje me komunizmin. Ka gjasë se edhe në një rend tjetër do të kisha, ndoshta, të njëjtin moskuptim. Moskuptimi ka qenë, me sa duket, fryt i një mode pothuajse botërore, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur letërsia klasike, e sidomos shkrimtarët e cilësuar kombëtarë, pësuan një nga sulmet e radhës, prej brezit të ri. Student i letërsisë, në një mjedis disi liberal, fill pas dënimit të krimeve të Stalinit në Moskë, jam gjendur midis kësaj mode, si rrjedhojë e së cilës, për një pjesë të letërsisë botërore e, natyrisht, të letërsisë shqipe, për Naimin, Fishtën, Çajupin e të tjerë, kam pasur ftohtësi dhe paragjykime, sidomos për veprat që quheshin monumentale, si “Histori e Skënderbeut” dhe “Lahuta e Malcisë”.
 
Duhej të kalonte shumë kohë për të kuptuar se vlerësimi im për ta ka qenë i gabuar. Kam kuptuar, ndër të tjera, se vlerësimi për ata që pranohen, me të drejtë, si “poetë kombëtarë”, nuk kalon nëpër të njëjtat kritere profesionale, si për të tjerët. Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta kanë qenë dhe mbeten dy poetët kombëtarë të Shqipërisë, të vetmit, të fundmit dhe të papërsëritshmit. Poeti kombëtar nuk është e thënë të ketë atë stërhollim artistik, atë përkryerje apo magji të epërme që ka shpesh arti luksoz dhe elitar. Poetët kombëtarë, për arsye që dihen, e kanë flijuar shpesh artin e tyre në një tjetër altar. Ndërkaq, ata krijojnë me kombet e tyre një raport të habitshëm, gati-gati misterioz, një njëjtësim me peizazhin historik e shpirtëror, të tillë që, duke u bërë njësh me atë të kombit, arrin disa herë ta dyzojë atë. Nëse shpesh ata qëllojnë që nuk janë shkrimtarët më të parapëlqyer e më të lexuar, ata janë, pa dyshim, më të domosdo-shmit. Të tillë na ngjajnë sidomos në kohë të vështira, kur kombi ligështohet dhe katastrofat shfaqen në horizont. Kam bindjen se, në kohën që jetojmë, në këtë fillim problematik të shekullit XXI, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë përsëri më të nevojshëm se kurrë.Si i gjykoni sot shkrimet tueja të kohës së komunizmit, ku flisni për E. Hoxhën dhe diktaturën? A mendoni se ka vend për interpretim aty ku nji lexues i randomt sheh nji realitet të lustruem të diktaturës komuniste?Pas përmbysjes së komunizmit, pyetja se ç’është kjo letërsi që u krijua në kohën e tij dhe si do të gjykohet ajo, bashkë me shkrimtarët që fati e solli të jetojnë në komunizëm, u kthye në një kureshti botërore.Mendimet u ndanë pak a shumë më dysh. Sipas një mendimi që ngjan tepër antikomunist, por që, siç do të shpjegohet më poshtë, del kryekëput komunist, kjo letërsi është kryekrejet komuniste, dhe si e tillë, do të ketë fatin e tij, të përmbyset. Gjithmonë sipas këtij mendimi, në motërzimin e tij shqiptar, më mirë do të ishte që kjo letërsi të mos ekzistonte dhe, bashkë me të, shkrimtarët vetë të mos ishin. Këtyre të fundit haptas iu është bërë pyetja: përse vazhduat të shkruani, përse nuk heshtët, madje përse nuk vdiqët!Kundërshtarët e kësaj teze ngulmojnë se ajo është në thelb komuniste, ngaqë pranon ngadhënjimin e plotë të komunizmit brenda epokës së vet, madje edhe tani, jashtë saj. Që këtë tezë e pëlqejnë shumë komunistët, kjo nuk është ndonjë habi, por që antikomunistët e pëlqejnë edhe më fort, kjo është një habi e habive.Te teza se do të ishte më mirë që kjo letërsi të mos ekzistonte, kundërshtarët e saj gjejnë racizëm, sidomos kur ajo bëhet prej të huajve. T’u thuash shqiptarëve se ishte më mirë të jetonin gjysmë shekulli pa letërsi dhe art, për të vërtetuar se komunizmi ishte i keq, do të thotë t’i konsiderosh ata si nënpopull. Është tezë raciste kur popullit shqiptar i parashtrohet diçka që nuk guxohet t’u propozohet as francezëve, as gjermanëve, madje as rusëve të gjendur në kushte të ngjashme (komunizëm, fashizëm ose pushtim nazist). 
 
Nënteksti racist i tezës është: s’u bë hataja pse ky popull jetoi pa art gjysmë shekulli, në kohën që quhet fundi i botës nëse jeta kulturore, për shembull, do të paralizohej gjatë pushtimit nazist në Francë, gjë që nuk ndodhi aspak.Një mendim tjetër është ai, sipas të cilit, pavarësisht në ç’kohë krijohet, letërsia gjykohet pas ligjeve të saj dhe jo ligjeve komuniste, fashiste ose jokomuniste, por, si kudo dhe kurdo, ndahet në letërsi të mirë dhe letërsi të keqe.Mendimi im është me ata për të cilët letërsia duhet të gjykohet si letërsi. Megjithatë, për atë veçanti që pati regjimi mizor në Shqipëri, do të shtoja se në këtë rast kriteri themelor, natyrisht, duhet të jetë vepra, por një kriter kryesor nuk ka si të mos jetë moraliteti i shkrimtarit. Me këtë nuk kam parasysh idiotësitë e shkrimtarëve, pjesë e idiotësive të popullsisë së sunduar, vjershat, këngët për festat, qeverinë apo katundarët e dalluar, për krimet e pafalshme, si spiunimin e kolegëve, dërgimin e tyre në burg a në pushkatim, e të tjera si këto. Është kjo arsyeja që prej më shumë se dhjetë vjetësh kam kërkuar hapjen e dosjeve të fshehta.Lidhur me teorinë e “heshtjes” si qëndresë ndaj regjimit, mendoj se jo çdo heshtje ka vlerë. Heshtja letrare është ajo e një shkrimtari të njohur, që befas e ndërpret krijimtarinë. Në njëfarë mase, atë e bëri Lasgush Poradeci dhe Dhimitër Pasko, por edhe ata me shumë kujdes, ngaqë regjimi ishte tepër përgjues edhe ndaj heshtjes.
 
Në Shqipëri sot kanë dalë shumë mëtues të heshtjes. Ata shpallin pak a shumë mendimin se do të kishin qenë shkrimtarë me vlerë, por parapëlqyen të heshtin. Si parim është vështirë të kundërshtohet, por, ndërkaq, një pyetje është e pashmangshme: si vërtetohet kjo? Me fjalë të tjera, si vërtetohet talenti, dhe e dyta, si vërtetohet se shkaku i heshtjes nuk është ajo që thuhet, por tjetër gjë (ta zëmë frika)? Kjo të kujton një tregim të Mark Tuenit, ku përshkruhet një botë paralele, ku qokat janë të ndryshme nga bota jonë. Kështu, poeti më i madh atje nuk është Homeri, por një rrobaqepës, ndonëse nuk ka shkruar kurrë asnjë varg. Shpjegimi zyrtar, dhe natyrisht i atij vetë, është i thjeshtë: unë vërtet nuk kam shkruar kurrë, ngaqë nuk pata kushtet, por po t’i kisha ato, kisha për të qenë mbi Homerin.Të kthehem te pjesa e rrokshme e pyetjes suaj: letërsia që kam krijuar në atë kohë. Do të përpiqem të jem sa më i kapshëm.Për vite me radhë unë vetë kam bërë pyetjen: ç’është kjo letërsi që po bëj? A është letërsia e duhur? A ka ndonjë vlerë, apo do të vdes bashkë me regjimin?Jam i sigurt se pyetje të tilla janë bërë gjithkund në kampin e gjerë komunist. Ndërkaq, në vitin 1970, në jetën time ndodhi diçka befasuese. Vepra ime, e botuar së pari në Francë, nisi të përkthehej në gjuhët kryesore të Europës e të botës, që nga Nju-Jorku në Tokio.Unë nuk e pranoj që kriteri bazë për të vlerësuar një shkrimtar është përkthimi në botën e huaj. Raste të kundërta ka plot. Por, të ndodhte ky përkthim, i shoqëruar me suksesin, më 1970, kishte një kuptim tepër të madh. Nuk ishte thjesht botim, e aq më tepër sukses jashtë shtetit. Ishte përkitja (kontakti) me botën e lirë.

Bota e lirë perëndimore, në metropolet e saj, në Paris, Nju-Jork, në Berlin, në Romë, në Londër, befas lexon dhe çmon një letërsi të krijuar në një vend-burg, më fatkeqin vend të perandorisë komuniste.Shqipëria në atë kohë nuk prodhonte veç terr, mërzi dhe lajme që të ngjethnin mishtë. Dhe, befas, ajo nxjerr një letërsi që, jo vetëm shpërndahet me shpejtësi, por pëlqehet njëlloj sikur të ishte e botës jokomuniste.Ky ishte për mua dhe për gjithë njerëzit një test i pazakonshëm. Si në mrekullitë e përrallave, ky test më çoi mua në të ardhmen. Prej tij kuptova se, pavarësisht se regjimi ishte i çmendur, unë po krijoja letërsi normale. Pavarësisht se Shqipëria ishte burg, kjo letërsi që dilte prej saj ishte e lirë. Ndryshe ajo s’kishte përse të pritej me aq dashamirësi në Perëndim.Gjithë vepra ime u botua në botën e lirë. Unë nuk kisha dy lloj veprash, një për “këndej”, një për “andej”. U bëra i njohur kryesisht me veprat e botuara në komunizëm, madje të botuara së pari në shqip dhe në Tiranë.Kam thënë shumë herë se vepra ime nuk ka nevojë të quhet as disidente, as komuniste, as antikomuniste, as subversive etj., etj. Ajo është në radhë të parë letërsi dhe ky është nderi më i madh për një vepër që u krijua në një vend si ky.Ka shumë njerëz që ngulin këmbë për ta paraqitur këtë vepër si pjellë të regjimit e të Enver Hoxhës. E kuptoj kur kjo bëhet nga shkrimtarët tepër militantë komunistë, e kuptoj kur bëhet nga Nexhmije Hoxha, ngaqë asaj i duket se po i bëhet nder burrit të saj, i cili nuk paska bërë vetëm vrasje në Shqipëri, por ka pjellë edhe vlera artistike! Por nuk e kuptoj dot se përse kjo mbrapshti bëhet nga ata që shpallen si antikomunistë.

Pyetja ngjan si në rastin e atyre katolikëve, që me zell qëmtojnë armiq të katolicizmit. Thelbi është i ngjashëm, veç, në këtë rast, në vend të armiqve qëmtohen miq të paqenë të Enver Hoxhës. Vërtet e çuditshme.Për sa i përket interpretimit prej lexuesit të rëndomtë që ju përmendni, ai ka vërtet nevojë për një lexim dhe interpretim më serioz. Po ju sjell vetëm një shembull të leximit krejtësisht të gabuar. Është fjala për një personazh themelor të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, plakën Nurihan. Ende sot detraktorët e mi e përmendin këtë personazh si akuzë kundër meje, gjasme si vërtetim të tezës se i kam rënë në qafë klasës së përmbysur.Në të vërtetë është krejt e kundërta. Plaka Nurihan, personazhi antonim i Enver Hoxhës, në “Dimrin e vetmisë së madhe” është një figurë monumentale, që simbolizon klasat e përmbysura në Shqipëri, dhe unë jam krenar që ky personazh është një ndër më dinjitozët në këtë vepër.Ç’është kjo plakë, me tipare mitike, në vazhdën e “plakave të jetës” të “Kronikë në gurë”? Qysh në faqet e para të romanit, ajo ngryset e gdhihet pranë radios, për të kapur prej stacioneve të botës ndonjë lajm, ndonjë shenjë të përmbysjes së komunizmit. Gjatë gjithë romanit, ajo përshkruhet gjithmonë kështu, në pritje, në heshtje, në vigjilim të pafund. Asnjë fjalë e keqe nuk thuhet për të. Për lexuesin “borgjez” ajo ishte mishërimi i shpresës, i ankthit të tyre, i pritjes së pafund për rrëzimin e pushtetit komunist. Për lexuesin komunist ajo ishte plakë borgjeze, shtrigë e keqe, që ëndërron fundin e partisë e të shokut Enver.Komunistët kishin të drejtë ta urrenin këtë plakë mitike, të kishin tmerr prej saj, por ç’kanë detraktorët antikomunistë? Për një habi të madhe, në vend që të jenë dashamirës për këtë zonjë borgjeze, këtë farë të shpresës, ata, në mendjet e tyre, e quajnë atë njëlloj si komunistët, shtrigë. Dhe zemërohen me mua që kam krijuar këtë shtrigë.Zotërinjtë shfaqen këtu në një dritë të pikëlluar. S’kam të drejtë ta vë në dyshim antikomunizmin e tyre, por, ndërkaq, nuk kam si të mos them se, pavarësisht nga mllefi antikomunist, mendja e tyre, pa e ditur, ndoshta, as ata vetë, në thellësi ka mbetur skllave e mendësisë komuniste.Meqenëse jemi te ky roman, ai përdoret shpesh si argument për kinse “lustrim të diktaturës”. Për të thënë se është e kundërta, nuk do të përmend acarimin kundër tij, pikërisht të aparatit të diktaturës shqiptare, e cila arriti ta hiqte nga qarkullimi botimin e parë. 
 
Do t’i kthehem testit të botës së lirë. Pas botimit të tij anekënd Europës, kjo botë nuk u mor me imtësirat dhe mungesat e tij të shpjegueshme. Lexuesi i botës së lirë, kapi në këtë roman tablonë globale të komunizmit botëror, një nga më të zymtat, për të mos thënë më e zymta që është dhënë ndonjëherë në një vepër letrare. Dimër i ftohtë dhe ankth, klasa kundërshtare që ëndërrojnë masakra kundër njëra-tjetrës, intriga të errëta midis shteteve kinse vëllezër komunistë, kujtime krimesh, burgjesh, arrestimesh, fantazma ministrash të pushkatuar, që shfaqen në pritje qeveritare, me shenjat e plumbave të gjakut mbi trup, si në dramat e Shekspirit, pyetja plot ankth e personazheve: tani që po shkëputemi nga Lindja, a do të shkojmë vallë drejt Perëndimit?Në qendër të ngjarjes, mbledhja botërore e 81 shefave komunistë të krejt planetit, përshkruhet si meshë e zezë. Intrigantë, vrasës, mafiozë të vërtetë. Midis tyre është lideri shqiptar, i cili i shpëton këtij përshkrimi për arsye që merren me mend.Moszbërthimi i plotë i portretit, ishte pjesë e taksës së detyrueshme që nuk mund t’i shmangej askush, për të ekzistuar si shkrimtar. E kam paguar atë taksë ashtu si të tjerët, por ajo zë një vend fare të papërfillshëm në veprën time. Ishte taksa që nuk iu shmangën dot as kolegët e mëdhenj Pasternaku, Ahmatova, Bulgakovi e të tjerë. Ndaj ajo nuk pengoi aspak që letërsia shqipe, nëpërmjet meje, të hynte në klubin e lirë të metropolit europian. Në një intervistë të gjerë me Stephane Courtois, autorin francez të veprës së famshme “Libri i zi i komunizmit”, i cili ka shkruar se “Dimri i vetmisë së madhe”, në një rilexim të vitit 2005 i është dukur më antikomunist se gjatë leximit të parë të vitit 1978, kam shpjeguar se shkëputja e Shqipërisë prej kampit komunist në vitet gjashtëdhjetë, ka qenë i vetmi aksion, historikisht pozitiv, ndonëse i pasinqertë i Enver Hoxhës, aksion me të cilin kam qenë dakord. Ashtu si gjysma e shqiptarëve, kam shpresuar se kjo shkëputje do ta çonte Shqipërinë drejt Perëndimit, gjë që, për fat të keq, nuk ndodhi.

Libri i Aleksandër Meksit, autobiografi e shoqërisë shqiptare

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe njëri nga protagonistët e lëvizjes së Dhjetorit dhe themelimit të PD-së, ka botuar librin “Rrugë e vështirë” në dy vëllime.
Libri i profesor Aleksandër Meksit është një vlerë e shtuar në memorien kombëtare, pasi ngjarje dhe zhvillime të një periudhe mjaft dinamike dhe shumë të diskutuar vijnë përmes një narrative të përkorë por edhe të sinqertë. Pavarësisht lidhjes emocionale me ngjarjet, njerëzit, datat etj., profesor Meksi ka shkruar si një dëshmitar që i dhemb shtrembërimi apo interpretimi i asaj që ka ndodhur
Ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe njëri nga protagonistët e lëvizjes së Dhjetorit dhe themelimit të PD-së, ka botuar librin “Rrugë e vështirë” në dy vëllime.
Vëllimi i parë i këtij libri ka shkrime dhe intervista, ndërsa vëllimi i dytë sjell një shënim me nuancë humori “Për njerëz dhe libra”. Duke lexuar titullin “Rrugë e vështirë” tingëllon si autobiografi e autorit, por në të vërtetë ajo është një autobiografi e gjithë shoqërisë shqiptare, me tranzicionin, problemet politike dhe ekonomike dhe ato kulturore. Një pjesë e shkrimeve të botuara në këto dy vëllime të Aleksandër Meksit janë shkrime dhe intervista të botuara në shtypin e përditshëm, që kanë ardhur në formën e reflektimeve, jo vetëm në kohën e duhur, por edhe për kohën që do të pasojë. Pjesa e intervistave të botuara nga gazetarë të mediave të ndryshme, rrëfen qartë se mendimi i politikanit dhe studiuesit Aleksandër Meksi kërkohet si për të vënë pikën mbi “i” në problemet e mëdha që shfaqen në Shqipëri dhe ato të udhëheqjes së vendit. Meksi është një nga politikanët më të njohur shqiptarë.
Dy kulmet e jetës së tij politike kanë qenë kur ishte Kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1992–1997 dhe në Dhjetor 1990, ku mori pjesë në themelimin e Partisë Demokratike. Profesor Aleksandër Meksi dallohet gjithashtu edhe për studimet e tij në lëmin e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore. Ish-kryeministri Meksi është shprehur se “këto dy dhjetëvjeçarë të tranzicionit kanë qenë të mbushur me ndodhi nga më të ndryshmet, me vështirësi e suksese, përparime e dështime, me pritshmëri e zhgënjime. Kjo përmbledhje synon të hedh dritë për këto vite. Kam shkruar e kam folur shumë herë më tepër se çka paraqitet këtu. Po kështu, në shtypin tonë mund të gjejnë dhe shkrime që lidhen me punën dhe mendimet e mija edhe ato mund të vlejnë për të vlerësuar qëndrimin tim për problemet që trajtohen në këtë vëllim, sigurisht duke marrë parasysh kohën kur janë shkruar”. Vëllimi i parë i librit përfshin 57 shkrime dhe 5 intervista, shumica e të cilëve janë botuar në organe të ndryshme të shtypit shqiptar në një hark kohor prej rreth 17 vitesh.
Ish kryeministri shprehet se “në përzgjedhjen e tyre ka synuar të paraqesë disa prej problemeve më të rëndësishme të politikës dhe shoqërisë sonë, që e kanë preokupuar dhe për të cilat ka shprehur mendime vazhdimisht përpara publikut dhe që janë ende aktuale”. 

Flutura Açka, kësaj radhe me përmbledhjen 'Ftesë për flirt'

Shkrimtarja Flutura Açka gati përmbledhjen poetike “Ftesë për flirt”, një libër midis erotikës dhe sociale. Ende pa dalë libri, ajo është cilësuar si lirike erotike e brishtë, e pabindur…A do të përsëritet historia si me librin e poetes Rita Petro?! Flutura Açka shprehet se libri është erotikë dhe jo erotikë pornografike, dhe dalja e botimit të tij është shtyrë prej muajsh nga zhurma e “Vrimës”
Flutura Açka është nga shkrimtaret më aktive, si autore, por edhe e angazhuar në debatet sociale e politike në vend, duke mos qëndruar indiferente në situata që shpesh kanë përfshirë jo pak në debate mediatike. E vendosur shpesh “jashtë” këtij sistemi ku jetojmë, Açka ka ndërtuar në njëfarë mënyre edhe letërsinë e saj. Rasti i fundit, romani “Kukullat”. Por, te ky rrëfim totalisht kontroverse, shkrimtarja heq “make up”-in e njerëzve pas ekranit përmes një kirurgjie letrare mbi realitetin. “Mua më është dashur shumë të shkëputem nga Flutura për të zbuluar atë pjesën që është dhimbja njerëzore e gruas që ne nuk e kuptojmë. S’e kuptojmë këtë realitet kaq të zymtë, e injorojmë dhe në harrojmë se këto pjesë janë bashkë me jetën. Shkruaj për gruan që po plaket dhe në fakt nuk ka jetuar. Kjo është tema që më ka shqetësuar”. Kjo është një çast nga gjithë bisturia e shkrimtares, për ta perceptuar pse në këtë fillim vit ajo bën gati një botim të ri, të quajtur “Ftesë për flirt”. Është përmbledhje poetike midis erosit dhe gjendjes, si rezistencë femërore.
Erdhëm me një parantezë të gjatë për të pritur mbi arsyet e Açkës mbi këtë vëllim poetik, që mund të jetë flirt erotik, që iu ndodh përditë grave shqiptare, por mund të jetë ftesë për flirt politik, që ju ndodh përditë burrave të politikës shqiptare, por dhe çfarëdo tjetër situatë që e vendos qenien tonë në lëkundjet morale, asaj që është e erës së hershme, të mirës e së keqes.
Duke tejkaluar këto marrëdhënie Açka thotë për “Mapon”, se “ftesa” e saj “për flirt” ka kuptim shumëdimensional. Një pjesë janë poezi erotike, këmbëngul të thotë se janë “erotike e jo pornografike”, si ajo e “Vesit të burrit”, poezi e publikuar në 2008.
Botimin e ka pasur gati për panairi e librit që u mbajt në nëntor 2015, por e shtyu duke parë që poezitë e koleges së saj, poetes Rita Petro bënë shumë zhurmë duke “e detyruar” ta shtynte për në janar të këtij viti, 2016-ën. “…”A shkruan poezi më”, më pyesin shpesh miq e gazetarë. “Po, shkruaj, por i hedh rrotull, s’di se ku, nëpër rrëmujën time të letrave. Sa poezi mbase do të mbesin harruar nëpër blloqëza. Këtë fat mund të kenë edhe tregimet e mia; ngaqë poezinë dhe tregimin e shkruaj me dorë. Por këtë radhë vendosa t’i kthehem dashurisë sime të parë. Nuk është aq pa drojë kjo tufë poezish të përmbledhura në këtë libër që do ta prezantoj së shpejti. Kjo, sepse poezia është aq e brishtë dhe aq ‘e pabindur’, sa ç’është edhe e paqtë”, – mbërrin në këtë dalje të re Açka në rikthimin si poete.
Por libri është i ndarë mes erotikës dhe sociales. Një cikël të saj është prezantuar për herë të parë në revistën letrare, “Poeteka”, në numrin e 35. Për këtë poezi, botuesi i saj Arjan Leka është shprehur se si një grua e fortë, që shkruan një roman denoncues si “Kukullat”, ka brenda saj edhe një lirikë erotike kaq të brishtë.
“Të jesh lexues poezie, është fat, sepse jo të gjithë janë. Por të jesh autor poezish, është bekim. Çfarë do të na mbesë nga kjo rrekje? Kur shkruajmë poezi, nuk e mendojmë, sepse shkruajmë siç ndiejmë…”, shkruan Açka duke na dhënë për botim dy poezi nga përmbledhja “Ftesë për flirt”. Për të kaluar në një tjetër atmosferë, Açka na lë poezinë “Aht..”, që flitet me një frymë. E pakuptueshme fillimisht, por poetja e shpjegon me frymëmarrjen e durimit me gjithë “Aht-in e këtij kombi durimshumtë!”

Botohet në frëngjisht një nga tregimet e romanit "Angelus Novus" të Bashkim Shehut

Është libri i katërt i botuar në Francë nga ky autor.
Një tregim brenda romanit "Angelus Novus" të Bashkim Shehut, përkthyer në frëngjisht nga Élisabeth Chabuel, botohet si libër më vete në Francë, me titullin “Gracka”, nga Shtëpia Botuese "Éditions Imprévues", e cila ka interes të veçantë për letërsinë shqipe.
Është libri i katërt i botuar në Francë nga ky autor. 
Personazhi i gjithëpranishëm i këtij romani është Historia, e cila me fuqinë e saj të përbindshme e të verbër, sjell shkatërrimin e jetëve të panumërta. Përballë Historisë, pohohet tragjikisht vlera e papërsëritshme e çdo historie të veçantë njerëzore. Është një nga temat e parapëlqyera të këtij autori, dhe në romanin "Angelus Novus" gjejmë një trajtim më të thelluar të saj.
Shkrimtari Bashkim Shehu, i cili jeton në Spanjë, por në kohë të fundit është gjithnjë e më shpesh në Tiranë, është autor edhe i një vistër veprash të tjera: Rrethi, roman, 2002, Orfeu në Zululandën e Re, roman, 2003, Udhëkryqi dhe humnerat, roman, 2003, Mulliri që gëlltiste shpirtra, novela, 2004, Gjarpri dhe heronj të tjerë, roman, 2004, Angelus novus, roman, 2005, Hija e gurit, tregime të zgjedhura, 2006, Mozart, me vonesë, roman, 2009, Loja, shembja e qiellit, roman, 2013. 

Kthehen librat e humbur të Konicës, së shpejti edhe një monografi

Librat e gjetur prej bibliotekës së Konicës bartin etiketën e famshme “Ex Libris” dhe autografe dedikuese të autorëve për vetë Konicën, të cilat janë edhe një e veçantë identifikuese e kësaj biblioteke të famshme. Studiuesi Agron Alibali së shpejti do të botojë edhe një monografi për Faik Konicën.
Biblioteka e Faik Konicës, që ende konsiderohet e humbur, numëron rreth 2000 tituj.
Disa nga librat e tij janë gjetur në SHBA falë pasionit, punës kërkimore shumëvjeçare të studiuesit Agron Alibali.
Kolekionisti i sjell në Tiranë në përgjigje të amanetit të vetë Konicës për t’ia besuar Bibliotekës Kombëtare. Janë disa nga librat e ccmuar të tij si: “Popolo, lingua e letteratura albanese” e Gaetano Petrotës, edicioni luksoz i “Lahutës së Malcis” dhuruar po me dedikim latinisht nga vetë Gjergj Fishta, i shndërrojnë këto libra në bartës afektesh të shumëfishta, të cilave u shtohen edhe ato të bashkohësisë sonë. 

"Interesi im për Konicën u nxit gjatë kohës që studioja në Shkollën e Drejtësisë së Universitetit të Harvardit në vitin 2000. Në bibliotekën e famshme të universitetit pata rastin të takohem me botimin e plotë të revistës së famshme “Albania”. Në raftet me koleksionin e pasur të librave shqip gjeta dhe historinë e Shqipërisë së Ndoc Nikajt. Brenda bleut të rrallë ishte një kartë e shkruar nga dora e Faik Konicës, ku ai komentonte me mprehtësi për mënyrën e botimit. Ndërkohë që kisha filluar të koleksionoj libra të rralla shqip, të gjetura në bibliotekat e brezit të vjetër të shqiptarëve në Boston, raportet e sekretares personale Charlotte Graham të Konicës më tërhoqën veçanërisht vëmendjen, sidomos pohimi i prerë se Konica kishte lënë gojarisht si amanet që biblioteka e tij e rrallë t’i lihej trashëgim Bibliotekës Kombëtare në Tiranë" thotë mes tjerash Alibali. 

"Enver Hoxha" i Blendi Fevizut edhe në anglisht


Libri i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën do të flas edhe anglisht. Kështu ka njoftuar vetë gazetari i njohur dhe autori i librit. “”Enver Hoxha” publikohet në Londër në përkthimin në anglisht, dhe sipas Fevizut I.B.Tauris ka mbaruar botimin dhe e hedh në treg këto ditë.
Me poshtë dy nga vlerësimet e librit për tregun anglishtfolës të cilat i ka postuar vet Fevizu:
 
Puna e Blendi Fevziut është e jashtëzakonshme. E shkruar si një novelë krimi, bazuar në akses të pakrahasuar në arshivat e shtetit Shqiptar, që më parë kanë qënë të mbyllura, libri është I detyrueshëm për të gjithë ata që duan të kuptojnë Europën komuniste dhe mënyrën se si lindnin dhe mbijetonin diktaturat. Fevziu ia del mbanë në mënyrë brilante për të kapur torturat e regjimit 41 vjecar të Hoxhës, dhe I jep zë shumë zërave që Hoxha kish mbytur. Jo vetëm kjo, por duke pasur parasysh dhe historikun e Hoxhës, Fevziu na ndihmon të kuptojmë pse rruga e Shqipërisë në demokraci është kaq e vështirë. Kjo biografi është një arritje e madhe.
(Rober Austin Shkolla e Aferave nderkombetare – Universiteti i Torontos – Kanada)
Bazuar në burime arkivore, orale të publikuara ose jo, Enver Hoxha I Blendi Fevziut është një rrefim tërheqës dhe realist I jetës dhe kohës të diktatorit Stalinist të SHqipërisë si dhe vendit që ai udhëhoqi me dorë të hekurt për katër dekada. Ky libër ëshë një kombinim mjeshtëror I biografisë dhe historisë.
(Nicolas Pano profesor i historise ne Universitetin e Ëestern Illinoisit USA)

Massimo Cacciari: Vdekja e artit ka kuptim pozitiv dhe jo negativ

Shoqëria e konsumit na bën budallenj – thotë Adorni, ndërsa Hegelit thekson se përballë artit të kohës sonë është e pamundur të qëndrosh duke u lutur, por ndoshta është i mundur një veprim edhe më i thellë: të reflektosh duke qeshur. Komedia – tragjedia midis Beketit dhe Bekonit si një dëshirë që publiku t’i afrohet dhe ta kuptojë artin. Arti bashkëkohor, si arti i reflektimit ecën nga paraqitja ironiko-tragjike e mosmarrëveshjeve midis nostalgjisë së veprës së subjektit dhe rezultatit të kërkimit të tij, përmes eksperimenteve heroike të avangardave historike që t’i japin zgjidhje deri në dorëzimin ironiko-komik, deri tek vepra si mohim i veprës, tek arti si vdekje e artit, tek arti që nuk mund të çojë përtej vetes, tek arti që nuk plotësohet tek pafuqia e operari-t të vet që të shprehë atë kënaqësi, apo pajtim të subjektit me botën e vet, që edukimi estetik dukej se ia siguronte. Artit që zbarzet kenotikisht. Një rezultat i tillë, vërtet tragjikomik, mbërrin përmes së qeshurës së madhe jokonstruktive të çdo forme apo tregimi, e Qeshur drejt çdo logoje projektuese

Përgatiti për botim Arjan Kallço
Përse zgjodhët Beketin dhe Bekonin?
Massimo Cacciari:  Të dy autorët janë figura kyçe të kulturës që ta kuptojmë gjithë artin bashkëkohor, sepse Beketi e çon në pasoja ekstreme arsyetimin që vjen nga bashkëpunimi i tij me Xhojsin, ndërsa Bekoni interpreton në aspektin dramatik konkluzionin e rrymës ekspresioniste në kundërshtim me atë abstrakte.
Do të ndaleni në konceptin e vdekjes së artit?
Massimo Cacciari: Vdekja e artit ka kuptim pozitiv dhe jo negativ. Më shumë sesa vdekje duhet thënë fund, përmbushje e idesë së artit që duhet të bazohet tek ideja e estetikës, e kënaqësisë, e bukurisë që është dhe ideja e Hegelit. Përkundrazi, arti bashkëkohor është i mendjes, i ironisë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, që do të thotë kërkime, eksperimente, aventura. Një arti i gjithi eksperimental, intelektual që punon rreth konceptit.
Në të vërtetë, herë pas here, flitet për vdekjen e artit, veçanërisht aty nga fundi i viteve ’70, kur pas shumë rrymash eksperimentale, dukej sikur arti nuk arrinte të thoshte asgjë të re?  
Massimo Cacciari: Ka mbi dy shekuj që arti ka vdekur. Një farë ideje për artin mori fund me Romanticizmin. “Vdiq” sepse nuk ka më veprimtari që ne i quajmë artistike. Është i ndryshëm arti i Beketit dhe Bekonit. Avangardë pas avangarde çojnë në përmbushjen radikale të kësaj idesë së tyre, që nuk ka të bëjë fare me artin e mëparshëm, edhe pse përsëriten, saqë të përzihet në stomak.
Prof. Cacciari ju keni shkruar se artit bashkëkohor i duhet mohuar çdo bukuri, menjëhershmëri, harmoni. Ai që nuk di të marrë pjesë me të qeshurën ndaj  këtij arti, kurrë nuk mund ta kuptojë dhe dojë. Një e qeshur që lidhet me dimensionin tragjik?
Massimo Cacciari: Komikja dhe tragjikja lidhen mes tyre dhe ky dimension është shumë i fortë te Beketi. Kur shohim Duke pritur Godonë, edhe mund të qeshim. Kjo ndodh edhe kur e lexojmë Kafkën: paraqitja e jothelbësores absolute, e asaj që s’ka qëllim është komike, por mund të jetë dhe tragjike. Tragjiken që mund ta shkaktojë e qeshura. Kjo është paraqitja artistike sot dhe nga kjo, afëria midis komedisë dhe tragjedisë.
Por e qeshura që ngjallin disa vepra të avangardës, duhet pëlqyer apo mëshiruar?
Massimo Cacciari: Nuk mund të ketë të qeshur për kënaqësi, sepse autori nuk qëndron më lart. Një e qeshur për mëshirë, po.
Dyshamp i dha një goditje të madhe artit, jemi ende në kohën dyshampjane?
Massimo Cacciari: Po, nëse marrim në konsideratë intelektualët e mëdhenj të artit bashkëkohor.  Pranohet loja, prandaj nuk mund t’i japësh asnjë kuptim të përcaktuar veprës. U vizatua një ermeneutikë e pafund. Studimi është eksperimentimi i një kulture alternative. Kështu prezantohet objekti dhe është e gabuar ta interpretosh Dyshampin në paraqitjen e objektit (ëc)… jashtë kontekstit. Problemi është prania e pastër e sendit, por çfarë është sendi, ky është misteri.
Arti mbaroi së qëni nevoja më e lartë e shpirtit?
Massimo Cacciari: Nuk ka qenë kurrë. Arti paraqiste nevojat më të larta të shpirtit, kur ishte i lidhur me një dimension fetar, me impenjimin politik…
Besoj se kemi mbetur tek Transavangarda e Bonito Olivës e themeluar mbi konceptin e Nomadizmit. Ku jemi sot?
Massimo Cacciari: Në vitet ’80 në Bienalen e Venecias ishte e rëndësishme ekspozita e Transavangardës, e organizuar nga vetë Oliva. Është stina e fundit që ka kuptim me atë të Artit të varfër. Tani jemi në fazën e përsëritjes, citimit, reflektimit. Arti që përtyp vetëveten. Janë fakte të pashmangshme të evolucionit të artit, por as nuk mund të flitet për evolucion të artit, si të filozofisë. Ka forma të ndryshme të filozofisë dhe artit.
Po Bienalja e fundit e Venecias?
Massimo Cacciari: Është më e keqja e mohimit të vetëvetes, e parë tashmë, e lodhur, pa ironi. E plasaritur.

Akademik Mehmet Kraja: Kadare ktheu në personazhe Esat Mekulin dhe Azem Shkrelin

Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë

Gjatë qëndrimit sado të shkurtër në Kosovë në vjeshtën e vitit 1980, Kadareja kishte marrë me vete imazhe dhe mbresa, të cilat nuk do t’i shlyheshin aq shpejt. Ai e kishte njohur ambientin kosovar. Në mënyrë të veçantë atë të Prishtinës. E kishte parë nga afër si funksiononte ky komunitet i shqiptarëve, çfarë synonte dhe cilat ishin preokupimet e tij. Kishte pasur takime dhe njohje me njerëz të ndryshëm, veçmas me të tillë që i përkisnin shtresës intelektuale. 

Ndonjë vit më vonë, ndërsa mund të ketë dëgjuar dhe lexuar se çfarë ndodhte me këta njerëz, tashmë miq të tij; si ishin përfshirë ata në një proces të egër të diferencimit politik; pra, në një rrethanë të këtillë, Kadareja do të ketë ndërtuar pa ndonjë vështirësi të madhe konstruktin rrëfimor të romanit “Krushqit janë të ngrirë”. Në të vërtetë, romani është mbështetje e përballjes së suksesshme dhe jashtëzakonisht dinjitoze të inteligjencies kosovare me aparaturën e egër represive të pushtetit dhe, në këtë pikë, romani përfshin një dimension më të gjerë të konfliktit të përjetshëm të shtetit represiv me atë shtresë të popullsisë, e cila ndryshe quhet ndërgjegje njerëzore. Në Kosovën e vitit 1981, kjo përplasje ishte e ashpër dhe gjithëpërfshirëse.
Në qendër të rrëfimit të tij, Kadareja vendos një galeri personazhesh imagjinare, por që, disa prej tyre, krijojnë ngjashmëri të qartë me personat realë. Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë. Mirëpo, ashtu siç ndodh rëndom në letërsi, imanenca e rrëfimit romanor e çon autorin në shqyrtime dhe përplotësime imagjinative. Teuta Shkreli është kirurge në spitalin e Prishtinës. Ajo, në procesin e diferencimit, akuzohet për përfshirje në tri çështje, të cilat lidhen drejtpërdrejt me demonstratat: Kush e shtoi numrin e shtretërve në spital, në repartin e kirurgjisë, një natë përpara demonstratave? Kush i angazhoi autoambulancat për bartjen e të plagosurve? Kush e zhduku librin e të vdekurve? Ky është, si të thuash, rrafshi dokumentar i romanit.
Por Kadareja, i cili shquhet për imagjinatë shpërthyese, nuk mund ta linte rrëfimin vetëm në suaza të ndodhive reale. Përballë çiftit Shkreli dhe personazheve të tjera të kësaj kategorie, ai vendos kundërpeshën e tyre, njerëzit e sigurimit, të UDB-së, të cilët situatën e krijuar në Kosovë e shohin si mundësi për ringjalljen e kohëve të errëta, në radhë të parë, të periudhës së Rankoviçit. Fitorja morale e Teuta Shkrelit mund ta ngazëllejë lexuesin, por në këndvështrimin e shkrimtarit ajo nuk i davarit retë e errëta mbi Kosovën e viteve të ardhshme. Mitet dhe legjendat vrastare, nga studimet etnografike të Martin Shkrelit, tashmë kanë dalë në dritë të diellit dhe kanë marrë forcën e shfaqjes reale. Mbyllja e romanit është rrëqethëse: Si te Skorsa, Kadareja zbret në varrin pa gjurmë të Shpend Brezftohtit dhe që andej sjell imazhin e një vdekjeje që gllabëron dhe tret trupin e një viktime të pafajshme. Kjo vdekje duket sikur pret në pusi kohë të reja dhe viktima të reja. 

Me këtë roman, Kadareja i jep Kosovës një mbështetje të fortë letrare, krahas mbështetjes politike. Mbështetja e tij letrare është esenciale: Kosova, në njërën nga situatat e saj më të rënda, bëhet subjekt i veprës të tij. Botimi i romanit në Tiranë, atëbotë, do të sjellë në Kosovë dy kumte diametralisht të kundërta: do të shkaktojë mirënjohje entuziaste te komuniteti letrar dhe intelektual i Kosovës, më një anë dhe, më anën tjetër, do të shtojë urrejtjen për Kadarenë te strukturat represive të pushtetit të atëhershëm serb dhe jugosllav. Ajo që i xhindoste më shumë këto struktura ishte mesazhi i veprës së tij thellësisht human, i cili shkonte në rrjedhë të kundërt me mësymjet shoviniste mbi Kosovën. Kosova, atëbotë, kishte nevojë pikërisht për një mesazh të këtillë

Kujtimet e Gjakovës në librin e Esad Dujakës

I botuar nga “Jalifat Publishing”, autori që në fillim të librit ka pas kujdes që pikërisht duke u bazuar në atë se libri sjell kujtimet mbi këtë qytet të vjetër, atëherë ta kujtojë këtë qytet edhe me dedikimin mbi figura të njohura shqiptare që ka nxjerr pikërisht ky qytet, duke u nis prej atdhetarëve e deri te mendjet e ndritura që ka nxjerr Gjakova
Qyteti i Gjakovës i futur në shpirtin e Esad Dujakës rrjedhshëm vjen edhe deri te lexuesi, pikërisht nëpërmjet librit me kujtime “Libri i Gjakovës”, që është prezantuar më herët edhe nëpërmjet promovimit.I botuar nga “Jalifat Publishing”, autori që në fillim të librit ka pas kujdes që pikërisht duke u bazuar në atë se libri sjell kujtimet mbi këtë qytet të vjetër, atëherë ta kujtojë këtë qytet edhe me dedikimin mbi figura të njohura shqiptare që ka nxjerr pikërisht ky qytet, duke u nis prej atdhetarëve e deri te mendjet e ndritura që ka nxjerr Gjakova. 
Nis me “Vitet e Rinisë”, ky libër i autorit Dujaka që ka një rrëfim të lehtë për ti bërë këto kujtime më të këndshme jo vetëm për qytetarët e Gjakovës, kapitull ky që më pas ka një shtrirje nëpërmjet rrëfimeve si në:  “Efednija dhe Kaja”, “Protesta për Trieshtën”,”Varret e natës”, “Deva dhe Kraleva”, “Kënga dhe humori”, “Mazllomi dhe Kosara”, “Burgosja e Tekiut” ...
 
Libri “Libri i Gjakovës”, më pas vazhdon edhe me kapitullin “Vitet e Rilindjes”, që përfshin fillet e punës së autorit të këtij libri në gazetën “Zëri”, e deri te “24 Marsi- jetë e ndarë në dyshe”, për ta përmbyllë këtë libër kujtimesh me kapitullin e fundit”Jeta është luftë”, kapitull ky që përfshinë edhe përvojën e autorit me problemet shëndetësore, por jo vetëm të tij por edhe të bashkëshortes së tij.
Esad Dujaka ka lindur më 15 qershor të vitit 1945 në Gjakovë. Libri “Libri i Gjakovës”, është libri i tij i tretë.

Dosja e munguar e FBI për Gabriel Garcia Marquez

Byroja federale ndër vite mblodhi informacione mbi tashmë të ndjerin Marquez. Hulumtimi ndaj tij zgjati për plot 24 vjet, edhe pasi shkrimtari u bë i njohur ndërkombëtarisht dhe u nderua edhe me një Nobel në Letërsi.
“Washington Post” ka raportuar se në vitin 1961, nën udhëheqjen e J. Edgar Hoover, FBI hapi një dosje konfidenciale mbi Gabriel García Márquez, në atë kohë 33-vjeçar; autori kolumbian që më vonë do të shkruante kryeveprat e letërsisë botërore “Dashuri në kohërat e kolerës”, “100 vjet vetmi” dhe vepra të tjera të realizmit magjik.
Byroja federale ndër vite mblodhi informacione mbi tashmë të ndjerin Marquez. Hulumtimi ndaj tij zgjati për plot 24 vjet, edhe pasi shkrimtari u bë i njohur ndërkombëtarisht dhe u nderua edhe me një Nobel në Letërsi.
Pas kërkesës së “Washington Post”, FBI nxori 137 faqe të dosjes, por për arsye ende të panjohura nuk u lejuan 133 faqet e para të dosjes. Dokumentet e dosjes zbulojnë se agjentët e FBI-së ngacmonin shpesh anglishten e varfër të shkrimtarit kolumbian. Në dosjen e bërë publike nuk kuptohet arsyeja e interesit të FBI-së ndaj autorit, por spekulohet se survejimi mund të ketë ardhur për arsye të pikëpamjeve të tij të majta dhe miqësisë me diktatorin kuban Fidel Kastro.
Nën drejtimin e Hoover, FBI survejoi disa shkrimtarë, përfshirë Ernest Hemingway and John Steinbeck. 

Librat e shkrimtarit Ismail Kadare, në shtëpinë e hebreut amerikan Michael Shaoul në New York

“Përveç mikpritjes me ushqime tradicionale hebreje ajo që më bëri përshtypje ishte libraria e pasur e Michael Shaoul. Në raftin e librarisë së tij ishin disa nga librat e shkrimtarit tonë Ismail Kadare. U ndjeva shumë mirë kur pashë këto libra të shkrimtarit tonë të madh”, tha botuesi Bajrami.

Dihet që librat e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare janë përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe lexohen në mbarë botën. Mirëpo, është gjithmonë një surprizë e këndshme kur gjen shembuj konkretë të këtij fenomeni.
Kështu ndodhi për botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, në shtëpinë e një çifti amerikano-hebre, në Manhattan, New York. Dr. Nirit Weiss dhe Michael Shaoul kishin shtruar një darkë me rastin e shabatit, për veprimtarë e miq të Komitetit të njohur Hebre Amerikan (American Jewish Committee).
“Përveç mikpritjes me ushqime tradicionale hebreje ajo që më bëri përshtypje ishte libraria e pasur e Michael Shaoul. Në raftin e librarisë së tij ishin disa nga librat e shkrimtarit tonë Ismail Kadare. U ndjeva shumë mirë kur pashë këto libra të shkrimtarit tonë të madh”, tha botuesi Bajrami.
Vehbi Bajrami ka një bashkëpunim të gjatë me American Jewish Committee, me sponsorizimin e të cilit, ka bërë edhe një udhëtim në Izrael, pas të cilit ka botuar edhe një libër “Udhëtimi im në Tokën e Shenjtë”. Për shkak të interesit, libri është ribotuar dy herë edhe në gjuhën angleze.
American Jewish Committee është i njohur për shqiptarët sidomos për ndihmën që kanë dhënë për refugjatët nga Kosova në vitin 1999, për mbështetjen dhënë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe për dënimin publik të spastrimit etnik të organizuar nga regjimi i Millosheviçit.

Rrëfimi lirik i Adil Ollurit

Ky roman lexohet deri në germën e fundit. Ai të prek, të mallëngjen dhe shërben si një leksion empatie, dashurie për dhimbjen e gëzimin e tjetrit dhe kjo s’është pak për kohët tona egoiste dhe narciste.
Rezart PALLUQI
Shekulli ynë duhet të rikthehet për pakëz në periudhën klasike kur njeriu e mbante një vesh të ngrehur për dhimbjen, dertet dhe gëzimet e tjetrit. Këtë e bën Adil Olluri në romanin e tij të parë. Ai sjell dy risi pra. E para është narratori i vetes së dytë “Ti”. E dyta është rrëfimi i fuqishëm lirik që e përshkon romanin tejpërtej. Rrëfimi lirik i Ollurit nuk është klasik, as vajtues me tepricë romantike. Lirizmi i tij është në totalitet humanist. Do të thosha se Olluri e vetëflijon personazhin kryesor, Bardhylin që me veshin e tij të durueshëm e ndjek si një Zot i dhimbshëm personazhin tjetër që vuan, Valdeten dhe harron dhimbjen e hallet e tij.
Teksa po e lexoja romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë” mendja më shkoi në romanet e nobelistit Modiano, ku ai i përkushton me aq durim, detaje dhe dashuri “jetës” së personazheve të tij.
Kjo ndodh edhe në romanin e Ollurit. Çdo lëvizje e Valdetes dhe vajzës së saj observohet dhe gjykohet me dashuri të madhe. Romani na shpalos aq trishtë dhe thershëm periudhën e luftës në Kosovë në vitin 1999, si dhe zbrazjen e saj prej diktatorit Millosheviç. 
Në kohë lufte bota e njeriut nuk është më e madhe se një dritare. Prej dritares së dhomës së pritjes e ndjek personazhi kryesor luftën. Në kokë ai bluan frikën dhe tmerrin që të ngjallin vrasjet, arrestimet, rrahjet e luftës e njëkohësisht planin për t’u arratisur pa ngrënë ndonjë plumb në kokë. 
Dritarja që përmendet dhjetëra herë në roman zëvendëson diellin, lirinë. Prej së njëjtës dritare, Bardhyli dhe Valdetja kundrojnë qytetin i cili tashmë patrullohet. Malli për qytetin e lirë dhe të qetë para një viti i djeg ata orë e minutë, megjithëse ky mall nuk përligjet plotësisht ngaqë Kosova edhe para një viti nuk ka qenë e lirë por nën tutelën e Serbisë. 
Qyteti i zhytur në luftë tashmë është shndërruar në një cigare të cilën Bardhyli e flakëron ndër buzë i hidhëruar 
Se sa e hidhur është jeta në kohë lufte e vërejmë rregullisht në fijen e shkrepëses që ndizet në mes të natës, kafetë që personazhi i pi pafund. Monologjet e tij të parrugëdaljes. Sidoqoftë ai përpiqet që shpresën ta mbajë të gjallë duke e shikuar bibliotekën dhe duke marrë me vete librat më të vyer e më të çmuar.
Skena më e bukur e pjesës së parë është momenti kur një shqiptar me uniformën e ushtarit dëbon me dhunë një serb dhe Bardhyli e kundërshton. Këtu hiqet një paralele e bukur dhe na bën të kujtojmë shprehjen e urtë se gjatë luftës të gjithë derrat një turi kanë, qofshin ata shqiptarë, serbë apo grekë. Kjo vlen edhe për faktin që fqinji serb i shpie shqiptarët me veturën e tij në stacionin e trenit, çka nënkupton se Serbia mund të çlirohet nga sindroma psikike ndaj Kosovës, vetëm nëse ajo distancohet vetë nga ajo dhe jo duke e detyruar atë me dhunë si në rastin e NATO-s. 
Autorin e gjejmë në roman në dy forma. Atë letrare mbasi Bardhyli del të ketë shkruar edhe libra. Dhe në formën shpirtërore, formën rrëfimore të vetës së dytë. Aty siç e thashë qysh në fillim ndeshim një lirizëm dhe empati tërësisht letrare, mëmësore dhe bashkëpërjetuese. Për të shmangur prozën monologuese autori e ngjiz romanin edhe me dialogje të shkurtër dhe të zhdërvjelltë. Dialogu sado që dallon për zhbllokimin shpirtëror të njeriut në roman ai mbetet brenda mureve të shtëpisë.
Konfliktet ose mosmarrëveshjet familjare vërehen në debatin që Bardhyli bën me Valdeten rreth vëllait të saj, Petritit. 
Aspekti kohor këtu merr frymë jo në fushën e shekujve por sekondave, minutave dhe orëve. 
Ja një pasazh i vogël që e ilustron këtë:
“Kështu që përgjigjen e saj e prisje me një lloj pezmi dhe ajo nuk vonoi as shtatë sekonda e gjysmë.”
“E ndeze cigaren pas pesëdhjetë e nëntë minutave e pesëdhjetë e nëntë sekondave!”
Kjo vjen prej izolimit të luftës. Atëherë përjetësia nuk është më e gjatë së 24 orë. Mbi dhjetë herë koha këtu përshkruhet me minuta dhe sekonda. Lufta ta mpin kujtesën dhe ta shkatërron retrospektivën. 
Në pjesën e dytë përshkruhen deri në detaj andrallat e arratisjes nga vendi ku të leu koka. Arrestimi i profesorit në tren përjetohet me dhimbje. Pushtuesi gjithnjë fut në shënjestër ajkën intelektuale sepse atëherë mund ta gjunjëzojë më lehtë një popull. 
Edhe skena kur dikush merr qenin me vete, ilustron mizorinë shpirtërore kur i kthen kurrizin shtëpisë ku u rrite duke të dashur të marrësh me vete deri dhe koliben e qenit.
Gjatë largimit nga Kosova, Bardhylin e sfilit ankthi i ndonjë arrestimi të mundshëm ngaqë ai shkruan poezi edhe për lirinë. 
Realitetin politik shqiptar Olluri di ta përshkruajë në pak fjalë dhe mjeshtërisht si më poshtë, ku konkludon se shqiptari luhatet midis dy poleve ekstreme: ose poshtërohet skajshmërisht ose zgjedh rrugën e dembelit, llafollogjisë së kafeve, aq të famshme në Shqipëri, ndërkohë që shqiptari duhet të përveshë mëngët e të punojë me zell e nder.
Më herët kishin qenë pjesë e një partie politike, por të dytë kishin dhënë dorëheqje për arsye krejtësisht të ndryshme. Hyseni hoqi dorë se nuk pajtohej me politikën se “kur polici të flakareshon në faqen e majtë, ti duhet t’ia kthesh atij edhe të djathtën, vetëm e vetëm që të mos e hidhërosh atë”. Ndërsa, Bedriu hoqi dorë se nuk pajtohej me oraret e mbledhjeve që kishte caktuar dega partiake e lagjes, e që përkonin me kohën kur ai zakonisht dilte për të pirë (f. 64).
Gjuha e Ollurit i përkon asaj të tregimeve të tij. E pasur me fjalor shqiptar si dhe fjalë të përbëra që shpesh të nguliten në tru dhe thua: sa e pasur që është gjuha shqipe dhe sa pak që ne e përdorim atë? 
Ja disa fjalë: shpuzoroja, dyrrotaku, rrangallë lëvizëse, lumëkaluesja, hekurlëvizësi, vendshkelja, vendlotim, shtirak etj. Fjalën “vendlotim” unë do ta shpallja fjalën më të bukur të gjuhës shqipe dhe reflektuese të realitetit shqiptar. 
Gjuha e tij nuk është artificiale dhe kjo s’është pak. Madje do të thosha është një ndër kolonat më të forta të tempullit prozaik. Ai të bind për atë çka shkruan. Dhe këtu bëhet dallimi i madh i gjuhës letrare prej asaj përdëllyese politike. 
Sinqerisht, kam lexuar romane shqiptarë me estetikë/stilistikë të lartë, por përjetim mjaft të rremë. Kjo lloj proze i ngjan atyre zonjushave që flasin me etikë marramendëse, janë të veshura si mos më mirë, por zemrën e kanë më të vogël se të një miu, paçka se shtiren sikur përjetojnë dhimbjen ose gëzimin e tjetrit. Shqiptarit që kalamendet në udhëkryqin psikosocial nuk i nevojitet proza që kanë qëllim vetëm stilistikën, por ajo që të lëvron shpirtin dhe të kthjellon mendjen. 
Romani e ka shtratin e ngushtë, me pak linja anësore por kjo ndoshta justifikohet me përkufizimet sociale që të sjell lufta.
Olluri i shmanget gabimit ku kanë rënë 90% të shkrimtarëve të rinj: romanet e tyre debutante janë mjaft volumniozë, pa strukturë ose bashkëngjisin dy romane në një. Olluri ka zgjedhur për rrugën e sigurt. Prej shtratit të tregimit ai u hodh në shtratin e novelës. Kështu ai solli një ndër romanet e pakta debutante që nuk lëngon prej mangësive të lartpërmendura. 
Ky roman ia vlen të lexohet, ngaqë ai vjen me një ulërimë ndaj kujtesës sonë mjaft të dobët e vetvrasëse. Olluri duket sikur do të na rifreskojë kujtesën duke na sjellë lëngimet, streset, pasiguritë e gjakun që u derdh për një Kosovë të lirë e të begatë për të gjithë. Për fat të keq jo vetëm brezat e rinj, por edhe brezat që luftuan përkrah UÇK-së, po e tregtojnë lirinë e shumë-ëndërruar, pak e nga pak për përfitime personale. 
Mendoj se ky roman ose kjo novelë do të kishte pasur vlera më të mëdha letrare nëse aty do të ishin gërshetuar dy ikje: Ikja e shqiptarëve nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s dhe ikja e shqiptarëve nga Kosova vitin e shkuar. Sepse atëherë do të ishin sjellë dy lloj diktaturash. Në këtë rast, ajo serbe dhe ajo brendashqiptare. Diktatorët kanë një fytyrë. Madje shpesh njeriu yt është më i egër dhe i pamëshirshëm se sa i huaji. 
Ky roman lexohet deri në germën e fundit. Ai të prek, të mallëngjen dhe shërben si një leksion empatie, dashurie për dhimbjen e gëzimin e tjetrit dhe kjo s’është pak për kohët tona egoiste dhe narciste. I uroj kolegut tim, Adil Olluri nga thellësitë e shpirtit sa më shumë suksese të tjera në prozë.


(Autori i këtij shkrimi është romancier. 
Jeton në Amsterdam, Holandë)

Thirrje për tekste në librin ‘Hartëzimi i Kujtesës në Kosovë’

Redaktoret: Nita Luci, Linda Gusia, Vjollca Krasniqi.
Ftohen akademikët, studentët, hulumtuesit, praktikuesit, artistët, dhe autorët e tjerë të interesuar, të dorëzojnë tekstet dhe/ose versionet e shtypura të punës së tyre që të publikohen në librin Hartëzimi i Kujtesës në Kosovë: Historitë, Hapësira dhe Kujtesa.
Ky libër është rezultat i projektit tre-vjeçar – bashkëpunim ndërmjet forumZFD - Programi në Kosovë, Alter Habitus - Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë, dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës – i titulluar “Hartëzimi i Kujtesës në Kosovë”.
Një nga qëllimet e këtij libri është t’i rishqyrtojë temat dhe diskutimet që ishin pjesë e Atelieve për Hartëzimin e Kujtesës. 
Temat e atelieve, të listuara më poshtë, paraqesin përmbajtjen kryesore të librit:
• Kujtesa private dhe publike: Ndërmjet arkivit dhe pjesëmarrjes 
• Kujtesa e kontestuar: Ndërmjet materialitetit, tekstualitetit dhe performativitetit të së kaluarës
• Hapësirat e shtetit: Nga socializmi në shoqërinë paralele
• Ndërmjet Orientit dhe Oksidentit: Historia, trashëgimia dhe politika
• Historia shoqërore e qytetit: Puna, kultura dhe politika 
• Të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë: Memorializimi dhe arti 
• Ngritja dhe rënia e rezistencës paqësore në Kosovë: 1990 - 1999
Redaktoret: Nita Luci, Linda Gusia, Vjollca Krasniqi.
Libri do të publikohet nga Universiteti i Prishtinës.
Afati i fundit për dorëzimin e teksteve (2500-5000 fjalë, duke përfshirë referencat) është 30 mars 2016. Pranohen tekstet me bashkë-autor dhe veprat artistike. Tekstet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe, angleze ose serbe. Ju lutem dërgoni tekstet në këtë email adresë: memorymappingkosovo@gmail.com 

Sir Noel Malcolm: Ballkani ka probleme me tekstet shkollore të historisë, ndikon politika nacionaliste

Pasi kishte dëgjuar fjalimin e Milosheviçit dhe pasi e kishte vërejtur disponimin e pjesëmarrësve në atë miting, historiani britanik kishte konkluduar se “diçka ishte shumë gabim në këtë mes”.

Në një bisedë në misionin diplomatik të Kosovës, në Londër, në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, historiani dhe studiuesi i njohur britanik, Sir Noel Malcolm deklaroi se, Ballkani ka ende probleme me tekstet shkollore të historisë, pasi ato e pasqyrojnë të kaluarën ashtu siç dëshiron politika nacionaliste, por një gjë e këtillë nuk është e shëndetshme për të ardhmen e popujve të rajonit.
Në takimin ku merrnin pjesë ish-diplomatë britanikë, deputetë shqiptarë dhe miq të Shqipërisë dhe Kosovës në Londër, Sir Malcolm, duke folur për politikën e jashtme britanike për Ballkanin deri në kohën e Milosheviçit, theksoi se duhej vërtetuar që përkrahja britanike për Serbinë ishte ndërtuar mbi gënjeshtrat, që kishin sajuar historianët serbë dhe politika serbe.
Sir Noel Malcolm, hulumtues i lartë shkencor në Universitetin e Oxfordit dhe anëtar i Akademisë Shkencore Britanike, ka folur edhe për punën e tij të historianit, e cila në botë vlerësohet maksimalisht e për të cilën në vitin 2014, Mbretëresha Elisabeth II e ka dekoruar me titullin “Sir”.
Si student dhe si gazetar në revistën e famshme politike “The Spectator”, e më vonë në “The Telegraph” të Londrës, Sir Malcolm kishte udhëtuar në disa vende të Ballkanit, përfshirë Turqinë, dhe kishte mësuar gjuhët e tyre, përfshi dhe shqipen.
Në qershor të vitit 1989, – tha ai, – kishte ecur në këmbë nga Tetova deri në Prizren, duke i kaluar malet e Sharrit, ku kishte fjetur në shtëpitë e fshatarëve të kësaj ane. Pastaj, më 28 qershor kishte mbërritur në Gazimestan dhe ishte ulur ndër rreshtat e parë, për të dëgjuar “fjalimin historik” të Slobodan Milosheviçit.
Pasi kishte dëgjuar fjalimin e Milosheviçit dhe pasi e kishte vërejtur disponimin e pjesëmarrësve në atë miting, historiani britanik kishte konkluduar se “diçka ishte shumë gabim në këtë mes”. Sipas tij, politika britanike përkrahte ndryshimet që kishin filluar në Jugosllavi nga Milosheviçi.
Nga hulumtimi i tij shkencor për këtë çështje dolën dy libra, “Historia e Bosnjës” dhe “Historia e Kosovës”, që ndryshuan jo vetëm shikimin në të kaluarën, por edhe kornizën e të menduarit politik për Ballkanin në Britaninë e Madhe.
Duhet theksuar se, Sir Noel Malcolm është kryetar edhe i “Anglo-Albanian Association”, një shoqatë e vjetër e themeluar nga Edith Durham dhe Abrey Herbert, për forcimin e miqësisë mes shqiptarëve dhe britanikëve. Pa punën shkencore të Sir Noel Malcolmit dhe ndikimit të tij në qarqet e “Foreign Office”, – apo Ministrisë së Jashtme britanike, – mendimi politik në Britaninë e Madhe do të ishte në favor të Serbisë, siç ishte në shekullin e kaluar, kurse shqiptarët sot nuk do të ishin në këtë pozitë që janë sot në Ballkan. 

Hasanbegovic, ministër kulture e fashist i radhëve të Ustashëve kroatë

Partia në fjalë, Croatian Liberation Movement (HOP), është ende aktive në Kroaci dhe statistikat e fundit tregojnë për rreth 650 anëtarë. Edhe pse kryeministri i Kroacisë – Orešković, thotë se Hasanbegovic nuk është fashist, duket se zhvillimet e fundit mund të qojnë deri në shkarkimin e këtij personi si Ministër Kulture.

Me datë 22 janar Tihomir Orešković e zgjodhi Zlatko Hasanbegovic si Ministër të Kulturës. Që nga ajo ditë, janë të shpeshta kritikat që merr kroati dhe vetë kryeministri për këtë pozicionim, duke marrë parasysh të kaluarën e Hasanbegovic.
Portal Novosti ka publikuar në anglisht një shkrim ku tregohet mbështetja që Hasanbegovic i ka dhënë Ustashas, Lëvizjes ultranacionaliste, fashiste dhe terroriste kroate e cila funksionoi aktivisht mes viteve 1929 – 1945. Pjesëtarët e saj ishin kryesisht katolikë, nacionalistë kroatë.
Hasanbegovic në vitet e hershme shihet duke përkrahur dukshëm lëvizjen e Ustashëve, duke i quajtur ata heronj dhe martirë, me qëllimin e krijimit të Kroacisë së Madhe, siç ka thënë Ante Pavelic. Ministri aktual i kulturës thotë se të gjitha deklaratat e tij po nxirren nga konteksti, por madje gazetat kroate kanë publikuar fotografi ku Hasanbegovic shihet me kapelën me simbolin “U” për Ustash, lëvizja naziste e Kroacisë në Luftën e Dytë Botërore. Vetë Hasanbegovic i kundërshton këta zëra.
Partia në fjalë, Croatian Liberation Movement (HOP), është ende aktive në Kroaci dhe statistikat e fundit tregojnë për rreth 650 anëtarë. Edhe pse kryeministri i Kroacisë – Orešković, thotë se Hasanbegovic nuk është fashist, duket se zhvillimet e fundit mund të qojnë deri në shkarkimin e këtij personi si Ministër Kulture. Hasanbegovic është historian. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...