Rexhep Hoxha (1929) lindi në Gjakovë. Shkollën fillore dhe te mesmën i kreu në vendlindje, ndersa albanologjinë e studioi në Beograd. Një kohë punoi redaktor i "Rilidjes për fëmijë" në emsionin për fëmijë të Radio Prishtinës, ndërkaq shumë vite e ligjëroi lëndën Letërsi për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Vepra të tij të njohura për fëmijë janë: "Gjethe të reja", "Picimuli", "Lugjet e verdha", "Zëri i pyllit", "Verorja", "Ermali" etj...
Në 40 veprat e mia, shprehet autori Rexhep Hoxha, unë jam vetë natyra, shpirti dhe gjaku i tyre. I patundur si vetë gjithësia, jam shkrimtar me rrënjë në tokë, dhe lis me degë në hapësirë. Shkrimtari është ndërgjegjja e kombit. Ai për asgjë as nuk shitet e as nuk blihet. Shkrimtari pa ndërgjegje është asgjë! Unë edhe në moshën 85 vjeçare, bëj punën e shkrimtarit.
Rexhep Hoxha në librin e tij, “Moral pa Moral”, shkruan; s´mund të heshtë, sa herë rinia jonë, e ardhmja e kombit, lulja e kombit, keqpërdoret deri në mjerim, me lavde, mashtrime, e premtime boshe. Nuk është e paqëllimshme, që rubrikat e kulturës sakatosen me promovime librash gjithfarë. Në Kosovë shprehet Rexhep Hoxha, ka protesta qesharake, dhe patriotizëm mashtrues. Mirëpo, Kosova herët a vonë do ta merr veten, dhe do të ngritet guximshëm, kundër të gjitha llojeve të poshtrimit, dhe të tragjizmit që i bëhen Kosovës. E ardhmja është e pandalshme. Atë s´mund ta ndalin as rëniet historike, dhe as rëniet shoqërore, shprehet klasiku i letërsisë sonë, Rexhep Hoxha.
Nuk jam johistorik. Jam i mbrujtur me idealet më të përzemërta të Rilindjes Kombëtare. Mesazhi i Rilindjes kombëtare rri në gjithë shpirtin dhe qenien time. Rruste, Jam një çik Promethe, dhe jam pak sa biblik. Me këtë dua të them se, jam autor i dy veprave të para letrare në Letërsinë Shqipe në Kosovë, të shekullit njëzet. Jam autor i librit të parë me poezi, “Gjethet e reja”, botuar në vitin 1953, dhe autor i romanit të parë për fëmijë, “Lugjet e verdha”, botuar në vitin 1959.
Rexhep Hoxha u lind në vitin 1929, në Gjakovë. Shkollën fillore dhe Normalen e kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Beograd. Rexhep Hoxha është shkrimtari dhe poeti më idhnak, më i guximshëm, dhe me kulturë të theksuar, për ta çliruar prototipin e ndërgjegjes në letërsi.
Gjuha Shqipe
Kodrisha brigje,
Prroje,burime,
Dinë gjuhën shqipe
Të nës sime.
Rrypira , gryka
Suka, rrënime
E flasin gjuhën
E nënës sime.
Në pyje zabele
Shullane, rripe,
Ligjëron bilbili
Në gjuhën shqipe.
Çdo gur i vendit,
Çdo lule e bime
Din gjuhën shqipe
Të nës sime.
Rexhep Hoxha në jetën e tij ( tash 85 vjeçare ) është në betejë me disa detyra me veten e tij; Një, të mos heshtë para grupeve dhe klaneve, që sakatosin letërsinë. Dy, të ballafaqohet dhëmbë për dhëmbë me heshtakët dhe të patalentët. Tre, gjuha dhe fjala të mbeten të parat. Pa këtë vizion, pa këtë forcë, shprehet shkrimtari Rexhep Hoxha, nuk do i jepnim formë të ardhmes sonë. Ky trefish hero i guximshëm i Rexhep Hoxhës, nuk është i panjohur dhe i papranuar në Kosovë e më gjerë. Kritika e sinqertë dhe heroike e shkrimtarit Rexhep Hoxha, është për t´u vlerësuar. Në librin “Fjala e lirë”, ai s´kërkon përsosmërinë e moralit tek krijuesi, por procesin e arritjes në kulturë, angazhimin për një kulturim poetik. Shumë shkrimtarë të Kosovës, karshi Rexhep Hoxhës, këtij burri të përkushtuar të artit dhe të fjalës, dukeshin s´i femra në faj, ( në një kohë ) që s´dinin çka të bënin me veten e nënshtruar. Rexhep Hoxha, ky shkrimtar rebel kundër shkrimtarëve udbash, dhe të pamoralshëm, e meriton shembëlltyrën e heroit të mirëfilltë të penës.
Fytyra burrërore e Rexhep Hoxhës, i ngjan Qabratit, Pashtrikut, Karadakut dhe Lypotenit. Ky shpirt poliedrik i kulturës sonë, është Molibdeni pellazgo-iliro-shqiptarar. Rezet e të cilit, janë dritë, ajër, gjithësi. Shkrimtari Rexhep Hoxha, përfaqëson yndyrën e dheut dhe të tokës pranverore të Kosovës. Në librin, “Me sy kah Parnasi”, Rexhep Hoxha shkruan;
As vetë s´e dij pse kot rrugëvet po sillem
Pa kurrfarë qëllimi – pa drejtim askund!
Nër rrugë t´qytetit m´duket se po hidhem
Sikurse Kolombi n´oqean t´pafund
Andërr apo zgjandërr jam? – e pyes vetvetin
Hap pas hapi e ha rrugën time të kot;
Nëpër sfera të nalta mendimet më tretin
Edhe m´duket sikur jam n´një tjetër botë
Nësa do gjethe po luejshin valle në trotuar
Ofshe! Një djalosh u gjuejt nën limuzinë
Me turr vrapuen njerëzit t´shikojnë sa më parë
Se si puthet Njeriu n´tokë me tragjedinë.
Rexhep Hoxha, ky njeri zëplotë i fjalës së shkruar, autor i 40 veprave letrare, brenda ka një Kosovë dhe Shqipëri epiko-lirike. Çdo varg në poezinë e Rexhep Hoxhës, është gjak prej shpirti. Nuk ka një të parë në Kosovë, që është përfaqësuar në librat e leximit dhe në literaturë për edukimin e brezit të ri në Kosovë, Maqedoni, dhe Mal të Zi, sa shkrimtari, Rexhep Hoxha.
Në të gjitha betejat për artin, kulturën, dhe letërsinë, Rexhep Hoxha nuk ishte vetëm, ai me vete kishte rininë, dhe të vetët e tij “rebel”. Librat e tij: “Shqipori”, “Fjala e lirë”, “Me sy kah Parnasi”, “Vargu idhnak”, “Urithi i verbër i Ezopit”, “Moral pa moral”, “Në krahët e këngës”, “Shpata e Aliut dhe Gjuha e Sadiut”, dhe me dhjetra vepra të tjera letrare, shkrimtarin , Rexhep Hoxha, për asnjë çast nuk e lënë të kotet.
Unë e kam thënë edhe te libri, “Fjala e lirë”, edhe te libri “Shqipori”, edhe te libri, “Shpata e Aliut dhe Gjuha e Sadiut”, edhe te librat e tjerë, se letërsia hapësirën e ka ma të gjerë, më të thellë, dhe më të përtejme. Shkrimtari është libri, dhe libri është letërsia. Vepra e klasikut të letësisë sonë, Rexhep Hoxhës, është e gjerë, dhe ajo do një studim më të përkushtuar. Eseja vazhdon!.. Shëndet dhe sukses, shkrimtarit, Rexhep Hoxha!..
****
TOKË TRËNDAFILASH
I
Toka ime diellore,
që rritem me ty
e je aq e madhe për mua;
mal me thesare,
fushë grurore —
t´i di ëndrrat tua.
II
Çdo fshehtësi
unë ta njoh —
dhe Yllin tënd
që të çon n´ardhmëri
unë ta shoh;
dhe dritën tënde
që kaplon hapësirën
unë ta di —
Zemër bujare,
Tokë me burrëri.
III
E zgjuar je në mua,
poezi e adhuruar,
poezi vargjesh të dëlira —
qiell i stolisur
plot xhevahira.
Tokë trëndafilash
për gjithë çka ke
në zemrën tënde jetike,
në shpirtin tënd të kulluar,
të përqafoj si fëmijë —
tokë e bekuar,
Kosovë heroike.
GJAKOVA
Në zjarr, në flakë e në tufan,
Me rribë sulmova në errësirë,
Krenar unë ballin tim ta kam,
Që bijët e mi t´jetojnë të lirë.
Për ide t´shenjta, për vatan,
Sokola dhash´, fatosa të ri;
Dhe para plumbi e litarit
S´u´ thyen. Vdiqën me brohori.
Po folni eshtra në paçi gojë
T´shpërndara kahdo, an´e m´banë!
Kush mundet vallë të ma mohojë
Atë gjak që bijët e mi kanë dhanë
Krahnorin unë e kam si dëbojë,
Plot burra zemre, të vështirë,
Që askend s´donë ta shohin rob,
Por edhe vetë të jenë të lirë.
Ti Mehmed Ali Pashë Maxharri,
Ngrehu nga vorri t´ndihet zani,
A pa ç´të gjet te Kull´e Drenit,
Çka ban Gjakova, jatagani?
O Dahë! Bajram! Rexhep Gerçari!
Hasim! Emin! Nama s´ju vati.
S´u trembet kurrë ku buçet zjarri,
Kosova lum për ju ç´ju pati.
Të BUKURAT E GURIT
Janë ulur do trima
nën hije të blinit,
trima të përmendur,
trima të Buletinit.
Po flasin si burra,
pylli plot me lisa
edhe Xhavit Pashës
po i çon fjalë Isa.
T´paça, Xhavit Pasha
ngri krejt në kaftan,
po ta vras asqerin
e s´po ke çka ban.
Për një harem tëndin
ke kërku´ një vashë;
sa keq je mashtrua,
mor i shkreti pashë!
Ec, mor´ Xhavit Pasha,
mos rri veç n´hareme,
provoji këta burra
të kësaj tokës seme.
Dil për të shëtitur
kësaj Drenice t´gurit,
sheh si të qëndisin
plumba rreth ushkurit.
Si s´di, Xhavit Pasha,
këto troje çka kanë?
Të bukurat drenicake
edhe për pushkë janë.
POEZI
Me vonesën e agimit të bardhë
Çele sytë. E hape rrugë të lira
E stolise zemra me safira
Nëpër brezni e shekuj me radhë.
Nga buzëqeshja jote lulja lulzoi,
Agimi hapi krahët e ylbertë;
E njeriu foli fjalën e sinqertë
E zogu i artë kangës ia filloi.
Ditët ecin e jeta vjen e shkon,
Mbaron shpresa prap´ me u ringjallë;
Porse Ti, o dritë shpirti e rrallë,
Dhe mbas vdekjes së njeriut jeton.
Prej bukurisë sate terri kaloi,
Agimi hapi krahët e ylbertë;
E njeriu foli fjalën e sinqertë
E zogu i artë kangës ia filloi.
Ditëlindja e gjashtëdhjetë e Picimulit
“Qëllimi i shkrimtarit Rexhep Hoxha me vjershat e përmbledhjes “Picimuli”, nuk është vetëm t`i argëtojë fëmijët e vegjël por gjithashtu edhe t`i edukojë ata që të rriten të shëndoshë në mendje dhe në trup”, tregoi i biri i shkrimtarit, Shpend Hoxha
Jeta Zymberi
Përsëri u rikthye libri më i dashur për fëmijë “Picimuli”. Shpend Hoxha i biri i shkrimtarit Rexhep Hoxha ka vendosur që ta ribotojë librin “Picimuli”. Ky ribotim po bëhet pas 60 viteve nga koha kur është bërë botimi i parë në vitin 1956. Vjershat e këtij ribotimi nuk janë të ndara në cikle, por ashtu të përmbledhura nga përmbledhjet e librave të botuara nga Rilindja. Vjershat si, Picimuli, Oxhakfshisi, Postieri, Tapshin.. tapshin, Nënë, o nënë, Deshti lepuroshi, Qupa qupa nana, dhe të tjera janë recituar me ëndje nga gjenerata të tëra, si dhe shumë nga ato janë kompozuar nga kompozitorë tanë të njohur për fëmijë. Është pothuajse e pamundur që të mos na kujtohet Picimuli, djali i cili mësonte shumë, ai ishte gjithmonë i përgatitur për mësim, por shokët gjithmonë i dilnin në rrugë dhe e fyenin e madje ja vunë emrin picimul. Fjalë me të cilën jemi rritur të gjithë e madje fjala picimul edhe sot përdoret shumë nga të gjithë fëmijët, duke dashur kështu të tallen me shokët e shoqet.
“Qëllimi i shkrimtarit Rexhep Hoxha me vjershat e përmbledhjes “Picimuli”, nuk është vetëm t`i argëtojë fëmijët e vegjël por gjithashtu edhe t`i edukojë ata që të rriten të shëndoshë në mendje dhe në trup”, tregoi për KultPlus i biri i shkrimtarit, Shpend Hoxha.
Përmbledhja me vjersha për fëmijë e shkrimtarit Rexhep Hoxha, “Picimuli”, u botua për herë të parë në vitin 1956, nga Ndërmarrja e atëhershme Botuese, Rilindja, Prishtinë, dhe u ribotua disa herë nga po kjo Ndërmarrje shumë serioze Botuese, nën përkujdesjen e shkrimtarit të mirënjohur Rifat Kukaj dhe të profesorit të nderuar Mehmet Gjevori. Para se vjershat të botoheshin për herë të parë para gjashtëdhjetë viteve dhe të mbledhura në një përmbledhje të vetme, ato u botuan në Gazetën e Pionierëve të asaj kohe, në revistën, Fjala, si dhe në faqen për fëmijë të Rilindjes. Që atëherë u ribotua shumë herë nga individë të caktuar, jo seriozë, që në një farë forme i dëmtuan vjershat e Picimulit sikurse edhe të shumë librave të tjerë jo vetëm të shkrimtarit Rexhep Hoxha.
Nën përkujdesjen artistike të Gurakuq Dobrunës, ilustruesit të vjershave, Atdhe Muhaxhirit si dhe radhitësit të librit, Drilon Cena, libri u shtyp në shtypshkronjën Prograf, në Prishtinë.
Rrustem Geci,Flori Bruqi & Jeta Zymberi( Përgatiti Floripress).
No comments:
Post a Comment