Diagnoza
të sakta, zgjidhje të vështira
Rreth
librit: “Paria e rrethit të Ferrit”, e Grid Rrojit
nga
Dr. Andon Dede, Nju York
Të gjithë e pranojnë tashmë
se punët në Shqipëri jo vetëm nuk po shkojnë mirë por, në të kundërtën, keq e
më keq. Vlerësimet janë nga më ekstremet. Po të dëgjosh deklaratat e
kryeministrit Rama, të ministrave kokëulur të tij apo dhe të shpurës së
analisto-gazetarëve që i shkojnë pas, krijon përshtypjen se çdo gjë po ecën
fjollë dhe fare kot ankohet populli i gjorë që mezi ngrys ditët e muajt nga
çmimet, pagat, pensionet, taksat, e plot pasoja të tjera të reformave të tij të
“suksesëshme”. Nga ana tjetër, kemi jo vetëm opozitën por dhe mbarë një popull,
me përjashtime të pakta, që ankohen se përditë e më shumë gjithë treguesit e mirëqënies
sociale po njohin vetëm tatëpjetën. Një i huaj, që nuk e njeh direkt realitetin
shqiptar, e ka të vështirë në mos të pamundur që të krijojë një ide të saktë se
ç’po ndodh vërtet në Shqipëri. Me pak fjalë, nga gjithë sa parashtruam më lart,
del se Shqipëria i ngjan një të sëmuri që po lëngon dhimbshëm pasojat e një
politike anti-popullore e anti-kombëtare, të ndjekur nga politikanët e këtij çerek-shekullit të
fundit, duke zhgënjyer pamëshirshëm shpresat e një populli të tërë të
shumëvuajtur që prisnin të kundërtën e asaj që ka ndodhur.
Me të drejtë lind natyrshëm
pyetja: A thua se ky qe fati ynë, që të
zvarritemi përherë në fund të karvanit apo, duke e shtyrë pyeten dhe më tej: a
ka më shpresa e mundësi që të dilet nga kjo gjendje e, më së fundi, të hyjmë
edhe ne në rrugën e zhvillimit të natyrshëm të përparimit, për t’iu bashkuar
familjes europiane apo dhe tërë shteteve normale, në përgjithësi?
Kthehemi edhe një herë tek
metafora e mësipërme e “të sëmurit”. Për t’u shëruar ai, si hap i parë, do të qe
përcaktimi i saktë i diagnozës, gjë që iu mungon politikanëve tanë apo dhe
analisto-gazetarëve të radhitur krah tyre në dy llogore, sipas interesave, pro
apo kundër pushtetarëve aktualë. Kjo është shumë e rëndësishme, edhe pse, në
vështrim të parë, duket se të gjithë e njohin gjendjen nga që ankohen e janë të
pakënaqur, paçka se disa e shprehin këtë pakënaqësi e disa jo, nga që çdo
prononcim i tyre mund t’iu kushtonte shtrenjt. Siç shihet, pra, nuk mjafton të
thuash që “jam sëmurë”, por edhe më e rëndësishme është të përcaktosh nga se
vuan që, më pas, të gjesh “ilaçet” e përshtatëshme për t’u shëruar.
E bëra tërë këtë hyrje për
tu fokusuar tek tema e këtij shkrimi: vlerat teorike e praktike që përmban
libri: “Paria e Rrethit te Ferrit” e doktorantit të Marrëdhënieve
Ndërkombëtare, në Universitetin e Nju Yorkut, Grid Rroji, një përmbledhje me
analiza, vëzhgime e përjetime. Edhe pse, siç pohuam më lart, mund ta njohësh
pak a shumë gjendjen në Shqipëri apo dhe të kesh lexuar e dëgjuar aq shumë për
zhvillimet e atjeshme, libri në fjalë lexohet me interes dhe të jep informacion
të pasur e të vlefshëm për të ashtuquajturin “tranzicion shqiptar” që nuk po i
dihet fundi. Kjo për disa arsye, por unë, me këtë rast, do të evidentoja
sidomos dy:
E para, se kemi të bëjmë me
analizat e një politologu e sociologu të përgatitur, gjë që ndjehet në të gjitha shkrimet, ndryshe
nga ato që i ndesh përditë me bollëk në median shqiptare, të shkruar apo
elektronike. Lexuesi, i tejngopur e i bezdisur me to, gjen në faqet e këtij libri
trajtime e këndvështrime të reja, me një orgjinalitet të spikatur që hedhin
dritë në thellësi e gjerësi të realitetit të hidhur shqiptar dhe të shkaktarëve
të asaj gjendjeje. Së dyti, do të thosha se vlerat e këtij libri lidhen dhe me
faktin se autori, duke qënë profesor në Universitetin e Nju Yorkut e me banim
larg Shqipërisë, është krejtësisht i pavarur, objektiv dhe i pandikuar nga
asnjë shtysë tjetër veç asaj që të thotë hapur e pa doreza të vërtetën, sado e
rëndë deri edhe tronditëse qoftë ajo. Nuk e vë në dyshim se një status të tillë
do ta dëshëronin shumë nga analistët e gazetarët tanë por që, jo për faj të
tyre, nuk e arrijnë dot.
Situata politike në
Shqipëri, thekson autori që në fillim të librit, është në një pikë vlimi. Paria
e Tiranës që ka drejtuar vendin që prej 25 viteve, ka dështuar së ndërtuari një
sistem të qëndrueshëm politik dhe shoqëror. Kacafytja politike është e
përherëshme dhe përplasja sistematike e radhës duket gati e përditëshme. Me pak
fjalë, konkludon ai, e ardhmja e shqiptarëve është në një udhëkryq vendimtar.
Na duket shumë i saktë konstatimi i autorit se gjendja ka arritur në atë pikë
saqë shpërthimet shoqërore mund të vijnë pa pritur dhe nga nuk e pret. Për tu
bindur për këtë mjafton të lexosh kronikat e shtypit të përditshëm apo lajmet
televizive, të mbushura me krime nga më të ndyshmet, duke filluar nga vrasjet
mafioze e deri tek përleshjet e demostruesve me policinë, siç nuk ka ndodhur
për vite me radhë.
Ne sot kemi një sistem
politik i cili na përçan artificialisht, një pari politike të korruptuar e të
kriminalizuar, një ekonomi me bazë kriminale dhe në rrënim ciklik dhe një
shoqëri të drobitur e cila po humb vlerat njerëzore dhe i shëmbëllen më shumë se kurrë një xhungle
egërsirash. Njerëzit kanë frikë të shprehin të vërtetën. Frikës së dikurshme
nga Sigurimi famëkeq ia ka zënë vendin frika nga humbja e vendit të punës dhe e
rrënimit ekonomik nga të fortët e lagjes apo qytetit. Sindroma e frikës ka
ndryshuar por nuk është zhdukur. Por, një shoqëri që funksionon në bazë të
frikës është një shoqëri e sëmurë, e ndarë në grupe të vogla me bazë familjare
dhe klanore. Në popull paria mbjell tmerr, frikë nga kundërshtari dhe hasmëri
për vdekje. Ajo nuk nguron të merret me familjen, të ekspozojë aferat e pista
të secilës palë por ama deri aty sa të mos derdhet çorba dhe të krijojë
përshtypjen se lufta mes tyre është për jetë a vdekje. Paria mbjell përçarjen
se e ka më lehtë për ta sunduar turmën.
Por, autori i librit nuk
ndalet këtu por e ngul bisturinë edhe më thellë duke analizuar arsyet e kësaj
gjendjeje të vajtueshme që ka çuar në humbjen e shpresës së qytetarëve
shqiptarë; drejton gishtin tek aktorët e tanishëm të lojës politike, tek
synimet e tyre e vlerat që mbartin.
Kriza politike, morale e
shoqërore e këtyre viteve e ka zanafillën tek sistemi politik oligarqik,
ekonomia plutokratike dhe bjerrja morale që ka instaluar e inkurajuar paria.
Krimi është bërë tashmë pjesë e gjithpranuar e “suksesit” dhe mjetet kriminale
të pasurimit nuk dënohen më si të pamoralshme nga shoqëria.
Aty nuk ka parti politike
por dy grupe kundërshtare që kanë mbledhur rreth vetes një aradhë klanesh e grupesh të vogla të vetëquajtura
parti, edhe pse këto nuk kanë kurrfarë vije ideologjike. Politika e kësaj parie
vepron në një boshllëk ideologjik, moral e shoqëror ku mbizotëron pragmatizmi
ekstrem, e gatshme për çdo pazar e allishverish, vetëm për të marrë apo mbajtur
pushtetin.
Shqipëria, thekson autori,
është sot një vend i sunduar nga një pari e zvetënuar, kriminale dhe hajnore, e
cila për hir të përfitimeve dhe aferave të veta të ndyra nuk nguron ta çojë
vendin në humnerë morale e materiale, në një Somali të dytë. Ajo ka shpërdoruar
miliarda dollarë nga burimet kombëtare për tu pasuruar vetë me djersën apo dhe
gjakun e shqiptarëve. Vetëm më 2012, shkruhet në libër, kanë dalë jashtë vendit
1.3 miliard euro; të tjerë kanë investuar në apartamente luksoze në çdo cep të
botës. Ajo kontrollon të gjitha hallkat e pushtetit ekonomik, politik dhe
mediatik, duke krijuar kështu një bazë shumë të fortë pushteti.
Këtë gjendje katastrofike,
nënvizon autori, e njohin të gjithë, përfshi edhe ndërkombëtarët. Të huajt,
thotë ai, e dinë, se politika shqiptare sundohet nga banda mafioze dhe se këto
banda jo vetëm që nuk ruhen më nga sytë e publikut, por zënë dhe vende në
parlament për tu siguruar se nuk preken. Ata, ndërkombëtarët, shton ai, e
njohin edhe papërgjegjshmërinë e parisë së Tiranës. Dosjet e zullumeve të tyre
nëpër kanceleritë perëndimore janë shumë më të ngjeshura se sa ato që paraqiti
Uikiliksi.
Por, ç’ka parasysh autori me
parinë e Tiranës? Sipas konceptit të tij ajo është një grup njerëzish me
përvojë në sistemin e kaluar, të plotësuar me disa intelektualë, të përdorur
atëhere e më vonë, për ta shndëruar sistemin monist në një kapitalizëm pa norma
e kode. Si të tillë, interesi i palëve
të kësaj parie, sipas autorit, nuk është zhvillimi i Shqipërisë, në një rrugë
normale, sipas mundësive të saj, por
sundimi dhe pasurimi i shpejtë i tyre dhe i klaneve kriminale që i mbështesin.
Duke folur për të ardhmen,
autori vë në dukje se dy janë rrugët e mundëshme: vazhdim i mëtejshëm i asaj
gjendjeje që kanë përjetuar e po përjetojnë shqiptarët deri tani, pra
konsolidimi i mëtejshëm i politikave kriminale e mafioze nga paria e Tiranës
dhe trajtimi i shqiptarëve si turma pa tru ose ndryshimi dhe kthesa drejt një
shoqërie normale, demokratike, me një shtet të konsoliduar, në mbështetje të
interesave kombëtare, i cili do të garantonte dinjitetin dhe prosperitetin e
shqiptarëve kudo që jetojnë.
Si kudo në botë, dhe në Shqipëri legjitimiteti
i një qeverie që do të mendonte e punonte për hallet e popullit, do të vinte
nga zgjedhjet e lira, institucionet e pavarura dhe barazia para ligjit. Mirëpo,
siç përshkruhet gjerësisht në faqet e këtij libri, sistemi politik shqiptar është
një oligarqi e mirëfilltë e kontrolluar
nga palët dhe zgjedhjet shërbejnë vetëm si levë legjitimuese për parinë. Në to
nuk ka zgjedhje mes kandidatëve por mes antarësh të karteleve kriminale, të
qëndrës apo të periferisë, interesi i të cilëve nuk është ai kombëtar. Sistemi
zgjedhor është ndërtuar me aq kujdes nga paria e Tiranës që t’i shërbejë sa më
së miri intresave të saj antikombëtare. Zgjedhjet kontrollohen nga partitë e
mëdha ku sundojnë kryetarët dhe çdo forcë e re ka shumë pak shanse. Zgjidhja e
vetme për shqiptarët është një fillim i ri me mendësi të re dhe njerëz të rinj,
të papërlyer me parinë dhe të shkëputur nga gjirizi ku hanë e pijnë klanet e
saj.
Nisur nga dëshira e mirë,
për ta parë atdheun e vet ndryshe, shumë nga kapitujt e librit autori i mbyll
me fraza optimiste: se duhet një fillim i ri e se kur të ndërgjegjësohen
shqiptarët do e heqin qafe parinë oligarqike dhe do të vendosnin shtetin ligjor
dhe demokracinë e vërtetë.
Për t’ia arritur këtij
qëllimi mund e duhet të ndihmonin shumë intelektualët dhe media. Por autori ka
rezervat e veta edhe për këto formacione në Shqipëri.
Elita intelektuale që duhet
të frymëzonte e të udhëhiqte shpirtin e kombit, shkruan ai, ëshët shndërruar në
një vegël shumëpërdorimshe për klanet e
parisë. Ekranet e televizioneve janë të mbushuara me apollogjetë të rëndomtë,
analistë dikur me potencial por tashmë të tredhur nga pesha e mëkateve që ua
dinë tutorët e parisë dhe me kamikaze të përdorshëm. Intelektualët e
tranzicionit, përgjithësisht të dalë nga regjimi i mëparshëm, ishin të uritur e
të thyer nga diktatura që kishin përjetuar e për pasojë e shitën veten tek
prurësi më i parë. Ata iu nënshtruan njerit prej tundimeve më primordiale,
babëzisë materiale. Kësisoj, thekson autori, në vend që të tregonin udhën e
duhur drejt krijimit të një shoqërie të shëndoshë, ata ose u kooptuan ose u
bënë vegla në duart e parisë për arsye thjesht përfitimi material. Por një
intelektual që shkruan për të siguruar mbijetesën, vlerëson autori, e ka humbur
arsyen e vërtetë të qënies së vet.
Përsa i përket medias
shqiptare, ajo, sipas autorit të librit, ka kohë që është dorëzuar për tu bërë
pjesë e parisë së Tiranës. E ndarë në klane përkatëse, me përjashtime të vogla,
ajo jo vetëm që nuk informon por as merr mundimin të dalë nga strofulla e
ngrohtë e Tiranës e të njohë realitetin anë e kënd vendit. E kontrolluar prej
klaneve përkatëse, qëllimi i saj është të krijojë një realitet tjetër që nuk
ekziston përtej mureve të kështjellës së kryeqytetit. Ai, me të drejtë,
analistët e gazetarët i quan “gjinkalla” që nuk pushojnë së “kënduari”, sipas
melodisë së parisë.
Nisur edhe nga përvoja e
vendeve të tjera që kanë qënë në kriza si tona apo edhe më të rënda, autori e
sheh rrugëzgjidhjen në kombëtarizmin apo ndërtimin e shtetit komb, si të vetmen
rrugë për të dalë nga kjo situatë dhe për të hyrë në binarët e normalitetit.
Pra, mënyrat për ta zgjidhur
çështjen janë të ditura botërisht por ajo që mungon është vullneti politik i
atyre që janë në fuqi për të ndërtuar një shtet legjitim, pohon me të drejtë
autori. Zgjidhja e vetme për shqiptarët është një fillim i ri me mendësi të re
dhe njerëz të rinj.
Por ku do të gjenden këta njerëz të rinj, kemi
të drejtë të pyesim ne si lexues? Jo se nuk ka. Është e vërtetë se dhe tek ne
tashmë ka shumë të rinj e të reja që kanë studjuar në Perëndim apo SHBA dhe
mund të përbënin këtë kontigjent të shumëkërkuar. Por, ç’ka treguar përvoja e
deritanishme, përfshi, ndofta dhe atë të vetë autorit? Shumë syresh, që kanë tentuar të ndihmojnë në
këtë drejtim, nuk kanë gjetur klimën e përshtatëshme apo, edhe më keq, nuk janë
përfillur fare, madje janë shmangur me marifet duke i detyruar të kthehen
mbrapsh, të zhgënjyer dhimbshëm. Parija e Tiranës ka krijuar tashmë atë aparat
shtetëroro-policor që nuk e lëshon kollaj pushtetin që ka kapur dhe bën ç’është
e mundur për të mbyllur çdo derë nga mund të dilet për të kërkuar një realitet
tjetër apo shtetin-komb demokratik, që përmend autori.
Duke përfunduar, po e
përsëris edhe njëherë atë që vura dhe në titull të shkrimit: diagnozat e dhëna
në libër janë të sakta, por zgjidhjet na duken të vështira, për të mos thënë të
pamundura, të paktën tani për tani. Pavarësisht nga kjo, libri është një
kontribut shumë i çmuar në qartësimin e shumë pikpyetjeve që mund të lindin për
gjendjen e shqiptarëve e të Shqipërsië në këtë fillim shekulli.
Libri është një botim luksoz
por, do t’i sugjeroja autorit që të ndërmerrte një botim më të thjeshtë, më pak
të kushtueshëm që të blihej e të lexohej nga një masë sa më e madhe njerëzish,
praktikë kjo që ndeshet kudo, edhe këtu në SHBA.