Recenzioni nga ADEM GASHI :
Ëndrra e Nuses
SHTJELLA E RËNDOMTËSISË
Lëndën letrare të Reshat Sahitajt, të shkruar e të publikuar deri tashti, e kam lexuar dhe e kam njohur pothuajse njëkohësisht me njohjen e figurës së autorit. Më vinte paksa e çuditshme se si e ruante ai pozicionin opozicion ndërmjet shkrimtarit dhe veprimtarit politik. Megjithatë, kujtoj se ndjenja e atdhetarisë, në masë të madhe ishte në funksion ekuilibrimi. Në një terren dyluftimi, sido që të jetë, ka një epilog, siç ka dhe një trofe për ngadhënjimtarin. Së fundmi, duke lexuar dorëshkrimin “Rojtari i pjesëve të harruara”, ma thotë mendja se artisti ka dalë laureat.
Pavarësisht nga opinioni që ke krijuar për një shkrimtar, pavarësisht se ai ka dhënë provën e maturimit në artin letrar, dorëshkrimi gjithmonë t’i injekton ethet e kureshtjes: nëpër ç’labirinte do të na prijë këtë herë autori, ç’botë do të shpalojë para nesh, do të na braktisë apo do ta braktisim?
E para e punës, Sahitaj e ka të qartë se bazamenti i prozës është narracioni;
E dyta, se kur ka narracion doemos ka edhe veprim; E treta, se kur ka veprim, patjetër që do të ketë edhe aktant. Gjuha dhe stili kallëzimtar i japin prozës (në këtë rast tregimit) përmasë estetike dhe artistike. Ç’kurs ka ndjekur autori kësaj radhe? Në 26 tregimet e këtij vëllimi ai ka ballafaquar artistin me veprimtarin me një paanësi të habitshme. Mbase ky ballafaqim, paradoksalisht, i ka dhënë lehtësinë e bredhëritjes aventuroze atraktive nëpër një botë krejt të rëndomtë. Mu në këtë shtjellë rëndomtësie është ndërtuar kështjella magjike letrare. Personazhi me emër e mbiemër real, sa futet në muzgun e epokave (edhe përtej vdekjes), sa shfaqet në asfaltin para Grandit të Prishtinës duke ndërtuar kësisoji arkitraun e mitologjisë letrare.
Në raste të tjera, për autorë të tjerë, do të këmbëngulja të shpjegoja ironinë. Vepra e Reshat Sahitajt më nxjerr në tjetër yrt. Them se është fjala për poetikën moviste. E ulta, e shëmtuara, banalja është veshur me rrobat e magjishme të artit letrar. Pikërisht këtë e konsideroj sa veçanti të artit të tij, poaq edhe vlerë letrare nga të rrallat. (Adem Gashi)
Paradigmat narrative
(Reshat Sahitaj: “Ëndrra e nuses”, tregime, botoi Forumi i krijuesve të Artit, Prishtinë 2004)
Vëllimi „Ëndrra e nuses“ i Reshat Sahitajt paraqet rikthimin brenda-subjektiv të shkrimtarit në paradigmat tematike, të trajtuara më parë tek romanet e botuara: me syzheun e lirshëm, me funksionalitetin kompozicional, me mikrostrukturat e drejtpeshimit artistik... Në plan të parë del procedimi tematik-fenomenologjik i tekstit, i ndërlidhur me përditshmërinë mitike, ligjërimore, sociale a ekzistenciale, nacionale a familjare. Aty, sikur ngërthehet ideja letrare borhesiane për labirintin letrar, si mbizotëruesja kryesore e poetikës së narracionit, do të thotë që rikthimi te paradigma tematike e romaneve, tash në trajtën e fikcionit tregimtar, mund të lexohet si rishkrim i tekstit, për të cilin parim krijues Roland Barthes thoshte se përbën mbizotëruesen e palimpsestit letrar.
Parabola moderne dhe parodia ironike e lakuriqësisë së realitetit
Që në tregimin e parë “Lakuriq drejt pavarësisë”, Sahitaj e kapërthen lëndën narrative nga pikëvështrimet e (vetë)ironizimeve në shkallë të lartë. Kapërcimi i subjektit narrativ nga pozitat, pasionet, pastishet, vetironizimet e nga sferat e ndryshme, zhvillohet në dy kahe: si kronologji ngjarjesh, si vetëdije për mesazhin, nga njëra anë dhe si diskurs i të parëndomtës që haset në realitetin e përditshëm, i çrëndomtësimit, nga ana tjetër. Bosht i këtij tregimi është martesa e Zanës njëzetvjeçe me një nëpunës të UNMIK-ut, Del Porto, 58-vjeçar. Për këtë martesë shkruajnë gazetat e përditshme, kosovarët harrojnë nga gëzimi problemet e veta, dasma festohet kudo nëpër qytetet e Kosovës, kryeqyteti stoliset me fotografi të çiftit martesor, ndërsa poenta e segmentit narrativ arrihet tek fundi i tregimi. Aty është Mitrovica, ku “në shenjë proteste, serbët kishin zgjedhur njëqind femra që ishin ndër më të bukurat dhe i ekspozuan të gjitha cullak duke i mbajtur tërë ditën mu në urën që e ndan qytetin.” Pjesa shqiptare ekspozon njëqind meshkuj të zgjedhur për inat të serbëve, lakuriq, përballë femrave serbe! “Gjendja është e tensionuar” përtallet subjekti ironik narrativ i tregimit dhe përfundon me komentin ironik: “Tani fitorja është në krahun e të lakuriquarve.”
E përfolëm fabulën e tregimit, për të parë se si parodizimi, emfaza e parodisë së realitetit të përditshëm, si dhe pastishi narrativ vijnë duke u zbërthyer shkallë-shkallë, për të arritur apogjeun e ironisë kolektive të kësaj përditshmërie: Kulti i Pavarësisë së Kosovës, nga subjekti përbërës narrativ, kthehet në Kultin Parodik të kësaj pavarësie! E pra, autori shkon përtej caqeve të një tregimi realist: nëse ai e përdor rrëfimin realist, nga ana tjetër, a e ndërfut parodinë e parodizimin si njërin ndër instrumentet kyçe të veçorive formale-stilistike. Autori, në mënyrë të çuditshme, i bashkon brenda hapësirës së një tregimi ndërkombëtarë, vendorë dhe bashkësitë e armiqësuara, sikundër janë serbët e shqiptarët, dhe, njëkohësisht, po këta personazhe, i parodizon. Është parodi e kaosit, e raporteve tona të pasluftës: aty secili e luan lojën e tij! Aty ndërfutet parabola moderne për rreziqet kolektive, në të cilat gjenden popujt dhe qytetarët kundruall vërshimeve e tajfuneve nga të huajt apo nga e kaluara: përsëri duhet të mendosh krejtësisht ndryshe për kërkesën tënde të vërtetë.
Konvencat e tregimit
Strategjia narrative e tregimit të Sahitajt vë në gërshet linja të shumta kompozicionale e tematike, tek njësohen në tonin e përgjithshëm të librit: ndërlidhja me (kuazi)faktogarfinë e realitetit, me propagandën neoideologjike të kohëve që i përjetuam e po i përjetojmë, me teksturat e me enterierin që duan ta theksojnë frymën e autenticitetit. Mandej ai arrin “të depërtojë” përtej vdekjes e të rikthehet përsëri në realitetin banal të së përditshmes.
Te tregimi “Ahmet Zalli” (që rrëfen për luftën e UÇK-së e për reflektimet e realitetit të Kosovës në këto tri kohë); te “Ëndrra e nuses” (martesa në luftë e në zgripet e kohës, si parabolë për abortimet e realitetit të lirisë, ëndrrave e dëshirave ekzistenciale-jetësore); te “Djaloshi nga Himalajet” (parabolë për tragjiken e mërgimit që nga kohët ilire deri në Himalaje, nëpërmes të Ladit që kërkon identitetin e humbur, e gjen në luftën e fundit të UÇK-së dhe vritet nga plumbi i të panjohurit mbas luftës); te “Libri amanet” (parabolë në tri kohët e shtrofimeve të identitetit e të Mitit për Librin e Ndaluar); te “Dashuria me ushtarin e huaj” (tragjikja e Dianës që dashuronte me shpirt, që përfundon me vetëvrasjen e saj në lirinë e përjetuar si robëri); - te të gjitha këto tregime hasim gërshetimin e procedeve tregimtare-narrative, të rrëfimit me mënjanimin e kërkimit të fabulës me çdo kusht; si dhe hapjen ndaj ndikimeve të arteve tjera, sikundër janë filmi a trajta e videokilipit si imazhe tregimtare. Së këndejmi, edhe në tregimet “E mërkura”, “Çmenduria”, “Terri”, “Guri i murmurimës”, “Midis agonisë dhe realitetit”, “Dashuria në ëndërr”, “Rrëfim për zbulimin e sekretit të ëndrrës”, “Përralla e sosur”, “”Rrëfim mbi legjendën”, “Dragoi im”, “Rikthimi i demonit” etj, krejtësisht në harmoni me procedimorin e mësipërm tregimtar, pikësynimi kryesor i prozës postmoderne, qëndron në inversionin, domethënë, në integrimin e elementeve produktive të modeleve të vjetëruara të prozës, me ato të përbërësve risimtarë narrativë në një Tekst krejtësisht tjetër, krejtësisht i përshtatshëm e analogjik me paradigmat e qytetërimeve moderne. Teksti i tillë del shumëzërësh, polimorf dhe i hapur, si do të shprehej Umberto Eko e që përkufizohet si dinamizëm i trajtës. Aty ndërthuren ëndrra, fantastikja e përditshmëria.
Më tutje, Sahitaj e shtrin korpusin tematik, ideor e motivor në disa kohë, të cilat maten me Kohën e Luftës: me tregime që trajtojnë kohën e paraluftës, kohën e luftës dhe atë të mbasluftës. Së këndejmi, tregimet na dalin një shtegtim arti nëpër tri kohë, që na e paraqesin shtegtimin tonë ekzistencial, nacional e çlirimtar, me gjithë përplasjet dhe kundërthëniet që na kanë përcjellë në realitetet e deritashme tragjike. Ky rrugëtim shënjon dy botë krejtësisht të kundërta me njëra tjetrën, sikundër janë kultet e pushtuesit kundruall Kultit të Lirisë shqiptare, janë idealistët shqiptarë të rezistencës kundruall pushtuesve e veglave qorre të pushtuesit, që projektojnë dhunë, shfarosje etnike e tragjedi të shumta njerëzore e kolektive, është realiteti i përditshëm që ngërthen tragjiken e personazheve, kurse fantastikja e magjikja i shënojnë shpesh situatat narrative tregimtare kundruall narracionit që e shënjon jetën e përditshme. Në tregimin “Një shqiptar më pak” del në pah realiteti tragjik i një familjeje e i akantëve të tri kohëve: i Shpresës dhe Hamdiut që e kanë të lidhur fatin e tyre me krimin barbar, të kryer e bërë kundër ish basghkëshortit të Shpresës e që na del jo vetëm si vrasje “për hir të dashurisë”, po edhe si vrasje politike. Sahitaj nuk i largohet konvencave të tregimit realist, po nuk iu reshtet as konvencave të tregimit modern.
Bota e karaktereve fikcionale
Karakteret fikcionale ngërthehen në veprimet e në botën e fikcionit të tregimit artistik të Sahitajt: posi në realitetin e përditshëm, ata portretizohen e endëzohen me paraqitjen imagjinative, me koncizitetin narrativ që e kërkon poetika e natyra e tregimit të shkurtër. Ashtu sikundër e kërkon kjo poetikë, këto karaktere vendosen në qendër të tekstit fikcional. Karakteret, përpos botës reale, merren edhe nga regjione të tjera të përjetimit e të imagjinatës: nga bota e heroizmit shqiptar e nga ajo e të vdekurve, posi në hadin homerik (Skënderbeu, Nëna Tereze e Zahir Pajaziti ringjallen në fanitjet e përhumbura të rrëfimtarit). Merren nga bota e legjendave dhe e përrallës që i ngjet aq shumë realitetit: (te tregimet “Përralla e sosur”, “”Rrëfim mbi legjendën”, “Dragoi im”, “Rikthimi i demonit” dhe “Rojtari i pjesëve të harruara”), në të cilat secili tregim ka heronjtë e vet të diellit, e ku secili zbulon një anë të panjohur të mitit e të legjendës, tek ndeshen terri e drita, e mira dhe e keqja, liria dhe robëria.
Këta karaktere merren nga parabolat, nga realiteti i përditshëm e që përafëron me tipin e parabolës (“Terri”, “Libri”, “”E mërkura”, “Çmenduria” etj). Kund e kund, këta karaktere fikcionalë veprojnë posi në botën e artit të performancës, teatrit apo kinemasë, porse ata këtu ringrihen e ringjallen sipas imagjinatës krijuese. Emri i karakterit fikcional të personazheve “importohet” nga bota e realitetit të përditshëm, nga njëra anë dhe nga ajo e fushave të tjera të imagjinatës krijuese, nga ana tjetër; ata shpesh mbajnë emra emblematikë që i shënon historia nacionale e shoqërore, për të arritur efektet e kërkuara sugjestive e artistike, sipas idesë apo konvencës narrative të autorit. Paraqiten karaktere njerëzore të larmishme, në disa plane. Kosova dhe Sopina janë dy toponime letrare që merren si bosht i hapësirës së zhvillimit të të ndodhurave. Aty, në këto hapësira të shënjuara të toposit letrar, ndodhin intrigat dhe tragjeditë jetësore, sakrificat sublime kundruall mashtrimeve, kurdisjeve e shpifjeve tmerrësisht tragjike. Janë njerëz që jetojnë të ngërthyer në të kaluarn dhe njerëz që përballen me plagët e të përditshmes. E, mbi të gjitha, karakteret fikcionale të këtij tregimi janë luftëtari, veprimtari politik dhe idealisti i jetës shqiptare. Së këndejmi, kemi një magji ëndrre e ëndërrimi, dashurie e disidence, ashtu sikundër do ta paraqiste këtë në romanet e deritashëm “Mali i ndaluar”, “Rruga pa kthim” dhe “Jetë dyfishe”). Ata kanë përvojat e tyre të burgjeve, të veprimit në atdhetaren ilegale e të luftës së fundit të UÇK-së, po edhe të pastërtisë së këtij idealizmi mbas luftës (si në tregimet “Ahmet Zalli”, “Takimi”, “Çmenduria” dhe “Djaloshi nga Himalaja”). Ata kanë vizion të gjerë për lirinë dhe këtë vizion e shkelin ata që janë futur edhe në luftë jo me qëllime krejtësisht të pastra, po që këtë vizion nuk e kanë pasur asnjëherë. Prandaj edhe fatet e personazheve të tillë idealistë janë fate të të martizuarve që e pësojnë edhe pas luftës, fate të luftëtarëve që heqin dorë nga lavdia e nga privilegjet, ose, aty-këtu, që përfundojnë edhe në çmenduri.