2016-03-26

Ortodoksia shqiptare në duart e shovinizmit grek, të largohet Janullatos

Historianët, politikanët, analistët dhe diplomatët shqiptarë që s’janë pjesë e partisë në pushtet, kërkojnë largimin e menjëhershëm të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos. Politika shqiptare jep alarmin e uzurpimit të ortodoksizmit shqiptar nga ana e shovinizmit grek, që nga ardhja në krye të kësaj kishe e Anastas Janullatos. Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, deklaroi se udhëheqësi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë mbron interesat shoviniste të politikës greke.
Sipas tij, shqiptarët duhet ta largojnë Janullatosin nga udhëheqja e ortodoksëve shqiptarë pasi, sipas tij, Kryepeshkopi ka harruar misionin e tij fetar dhe është përzier me çështjet politike. “Anastas Janullatos është pararojë e politikave shoviniste greke. Ai mund të qëndrojë në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por ai nuk mund të jetë kurrsesi bariu i ortodoksëve shqiptarë. Janullatos doli hapur si një misionar i shovinizmit grek, duke u përzier me çështje politike kur kundërshtoi Censusin. Ai nuk ndodhet në krye të kishës për mision fetar, por për një mision të pastër politik” tha ai. Më tej Danaj akuzoi politikën shqiptare, të cilët sipas tij, nuk bënë asgjë për të parandaluar ardhjen në krye të kishës shqiptare të një shtetasi grek. “Fatkeqësisht në vitin 1992 ata që sollën pluralizmin politik harruan Fan Nolin dhe e lanë shqiptarizmin ortodoks në duart e shkencëtarit të shovinizmit grek”, tha ai. Në të njëjtin qëndrim është edhe kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi, i cili u shpreh se në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duhet të jetë një shqiptar ndërsa kjo sipas tij duhet të kishte ndodhur që nga koha e emërimit të Janullatosit. Shehi akuzon politikën e cila sipas tij është treguar indiferente dhe ka lënë ortodoksizmin shqiptar në duart e një të huaji. “Shqipëria duhet të kishte prej vitesh në krye të Kishës Ortodokse një shqiptar. Shqipërisë nuk i kanë munguar djemtë e saj të arsimuar të cilët mund ta drejtojnë më së miri kishën shqiptare. Në lidhje me këtë, padyshim që politika shqiptare me indiferencën e saj, ka përgjegjësi të mëdha duke mos i kushtuar rëndësi këtij problemi”, tha Shehi.
Nderimi i Janullatosit
Disa ditë më parë, Aleanca Kuq e Zi depozitoi në Presidencë një kërkesë nëpërmjet të cilës kërkonte heqjen e “Urdhrit të lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu” për Anastas Janullatosin. Në lidhje me këtë kërkesë, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi u shpreh se nuk është sjellje korrekte dhe serioze e shtetit shqiptar dhe institucionit të presidentit nëse do të aprovonte kërkesën e AK. Sipas tij, dekoratat dhe titujt nuk mund t’u hiqen personazheve të ndryshme, pasi kjo nuk do të ishte një sjellje e hijshme në sy të miqve evropianë të Shqipërisë. Shehi u shpreh se pavarësisht rolit që mund të luajë Janullatos në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë si dhe vlerësimit të figurës së Kryepeshkopit, atij nuk mund t’i hiqet Urdhri. “Pavarësisht vlerësimit që mund të kemi për Janullatosin, unë nuk jam dakord që ti hiqet Urdhri. Kjo nuk do të vlerësonte Shqipërinë përballë vendeve të Evropës ku ne kërkojmë të integrohemi”, tha Shehi.
Nisma
Aleanca Kuq e Zi dorëzoi te presidenti Bujar Nishani një letër në të cilën i kërkonte atij ti hiqte Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos “Urdhrin e lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Në letrën drejtuar Nishanit AK vlerëson se Janullatos ka punuar kundër interesave të vendit tonë. “Të bindur se aktiviteti i Janullatosit nuk i ka shërbyer interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve kërkojmë nga ju, i nderuari President i Republikës, Bujar Nishani, t’i hiqet atij dekorata “Urdhri i lartë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që i është dhënë tre vite më parë”, thuhej në letrën adresuar presidentit nga AK.
Ja si u shkel ligji për emërimin e Janullatosit, Kryepeshkop të Shqipërisë
Anastas Janullatos erdhi në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në 2 gusht të vitit 1992, ndërsa sipas juristëve si dhe njohësve të procedurave nëpërmjet të cilave mund të zgjidhesh në këtë post, argumentohen një sërë shkeljesh. Shkelja e parë dhe më e rëndë ka të bëjë me faktin se u shkel statuti i vitit 1929 i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë i cili ndalonte kategorikisht vendosjen në krye të institucionit fetar të një shtetasi me kombësi jo-shqiptare. Në lidhje me këtë emërim të Janullatosit në krye të kishës shqiptare edhe shteti shqiptar pati përgjegjësitë e tij pasi, si kërkesa e grupit nismëtar drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe rezoluta e mbledhjes së 29 gushtit 1992 drejtuar institucioneve shtetërore nuk u morën në konsideratë prej tyre. Në këto rrethana, Anastas Janullatos u emërua në postin e padrejtë që mori tinëzisht në një hotel të Tiranës më 2 gusht 1992. Në Pallatin e Kulturës, në Tiranë, më 29 gusht 1992, rreth 400 besimtarë e dashamirës të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u mblodhën në një asamble të zgjeruar, për të analizuar aktin e çalë dhe jo kanonik të Këshillit të Përgjithshëm të Kishës sonë pasi kurorëzimi nuk u bë në kishë. Në atë emërim të Janullatosit ku kishin ardhur qindra minoritarë nga Greqia renditën tre shkelje juridike. Anastas Janullatos është zgjedhur si kryepeshkop i Shqipërisë më 2 gusht 1992, në mënyrë të paligjshme nga 3 pikëpamje: Së pari, më 1992 kur ai pretendon se është zgjedhur kryepeshkop, KOASH nuk kishte një Sinod të Shenjtë, i cili ka të drejtë të zgjedhë kryepeshkopin e Shqipërisë. Së dyti, Kryepeshkopi Janullatos nuk ka të drejtë të zgjidhet jo vetëm kryepeshkop, por as peshkop i kishës shqiptare, përderisa ai nuk është shqiptar nga kombësia, duke shkelur kështu statutin e vitit 1929 të KOASH. Së treti, ceremonia e zgjedhjes së tij nuk gjeti pëlqimin e të gjithë të pranishmëve në asamblenë kishtare të 2 prillit 1992. Pra, proklamimi i tij si kryepeshkop i Shqipërisë në hollin e një hoteli është një mashtrim apo abuzim i tij dhe i atyre që e sponsorizuan në krye të kishës shqiptare.
Dashamir Tahiri: Janullatos, si monedhat e skaduara
Në lidhje me rolin e Anastas Janullatosit në drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ka reaguar edhe deputeti i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Dashamir Tahiri. Përfaqësuesi i partisë e cila mbron interesat e çamëve deklaroi se ortodoksët shqiptarë duhet të drejtohen nga një kryepeshkop shqiptar. Ai u shpreh se aktiviteti i Janullatosit nuk i ka shërbyer aspak interesave shqiptare ndaj ai duhet të largohet. “Unë jam i mendimit se pas kësaj veprimtarie të Janullatosit, atij i ka ardhur koha e skadencës. Ai është shndërruar tashmë si ato monedhat e skaduara. Për mua Janullatos, as nuk ka qenë, dhe as nuk do të jetë në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai duhet të largohet menjëherë nga drejtimi i kishës shqiptare”, tha Tahiri. Me tone mjaft të ashpra deputeti i PDIU ka kritikuar përfshirjen e Janullatosit në aktivitete me prapaskena politike të cilat dëmtojnë interesat e kombit shqiptar.
Artan Lame: Tërheqja e dekoratave dhe titujve, turp
Studiuesi dhe publicisti Artan Lame ka reaguar në lidhje me kërkesën e Aleancës Kuq e Zi për ti hequr “Urdhrin e lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos. Lame u shpreh se ndërmarrja e kësaj nisme nuk do të ishte serioze pasi sipas tij nuk është e ndershme që shteti të tërheqë një dekoratë të cilën e ka dhënë vet. Ai u shpreh se pavarësisht vlerësimit që mund të marrë figura e Janullatosit, pozitiv apo negativ, nuk do të ishte e hijshme për shtetin shqiptar që të tërhiqte pas “Urdhrin e lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu” të dhënë për Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. “Do të ishte një turp i madh që shteti të tërheqë pas një dekoratë të cilën po vet e ka lëshuar. Unë jam kundër kësaj nisme pavarësisht vlerësimit që mund të kem për Janullatosin”, tha studiuesi Artan Lame.
Koço Danaj: Me Janullatosin, janë harruar parimet e Fan Nolit
Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, u shpreh se me ardhjen në krye të ortodoksëve shqiptarë të Anastas Janullatosit, është harruar figura e njeriut të ndritur i cili themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Danaj akuzoi politikën shqiptare se nuk ka përkujtuar Fan Nolin duke lënë në harresë një prej figurave më aktive në shërbim të interesave të kombit shqiptar. “Unë vlerësoj figurën më të ndritur shqiptare, Fan Nolin i cili themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, figurë e cila është lënë në harresë pas ardhjes në krye të kishës nga Janullatos”, tha Danaj. Më tej ai akuzoi politikën shqiptare se nuk është realizuar asnjë aktivitet përkujtimor në nder të Nolit i cili sipas tij i ka shërbyer kombit shqiptar me veprimtarinë e tij patriotike. “Ajo që bëri Fan Noli është e barabartë me veprën që bëri Ismail Qemali në 28 nëntor të vitit 1912”, tha Danaj.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...