Republika e Kroacisëtregon muskujt, shkakton tensione në rajon

Kroacia tregon muskujt, shkakton tensione në rajon
Në një nga lëvizjet e saj të para si ministër i ri i jashtëm, Miro Kovaç i tha punonjësve të ministrisë së tij të mos e përdorin më termin “rajon” kur i referohen vendeve të ish-Jugosllavisë. “Rajoni është një koncept i mjegullt, kështu që në të ardhmen, termi më i saktë ‘fqinjët’ do të përdoret,” tha Kovaç kur ai mori postin në janar.
Termi “rajon” ndërkohë do t’i rezervohet vetëm vendeve fqinje që janë sakaq anëtare të BE-së, të tillë si Austria, Hungaria, Italia e Sllovenia.
Njoftimi qe më shumë se sa thjeshtë dallim gjuhësor dhe ka pasoja të qarta gjeografike dhe politike, duke sugjeruar se qeveria e re synon të vendosë theksin te marrëdhëniet me vendet anëtare të BE-së më shumë se sa te marrëdhëniet me pjesën tjetër të Ballkanit.
Në deklaratat e para zyrtare, Kovaç këmbënguli se ai do t’i kushtojë vëmendje të posaçme marrëdhënieve të mira të fqinjësisë, veçanërisht me Bosnjën dhe Serbinë.
Gjithsesi, marrëdhëniet me Serbinë janë në pikën e tyre më të ulët në shumë kohë pasi Kroacia kërcënoi javën e kaluar se do të bllokojë hapjet e Kapitujve 23 dhe 24 të bisedimeve për anëtarësim mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
Duke renditur të gjitha problemet kyçe në marrëdhëniet plot telashe mes dy vendeve, si dhe pjesës tjetër të rajonit, Kroacia tha: “Kushtet që Serbia duhet të plotësojë për të hapur kapituj të rëndësishëm si kapitulli 23 mes të tjerave, janë respekti për të drejtat e njeriut [veçanërisht ato të minoriteteve]… bashkëpunim i plotë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë dhe… anulimi i juridiksionit për të ngritur akuzë dhe gjykuar krimet e luftës për të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë”.
Lëvizja e kroatëve për të bllokuar rrugën e Serbisë drejt BE-së vjen në një kohë të papërshtatshme për politikanët serbë, të cilët më së shumti janë duke bërë fushatë për zgjedhje të parakohshme vendore dhe parlamentare, zgjedhje që do të zhvillohen më 24 prill.
Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç njoftoi se Serbia do të protestojë ndaj Kroacisë dhe Brukselit për veprimet “e padrejta” të qeverisë së re të Kroacisë.
“Kjo nuk është hera e parë ë Kroacia ka vepruar në mënyrë të padrejtë në marrëdhëniet me fqinjët,” tha Daçiç, duke e akuzuar Kroacinë se po përpiqej të minonte integrimin e Serbisë në BE.
Daçiç iu përgjigj me kundërakuza mbi trajtimin e minoritetit serb në Kroaci, duke thënë: “Është më mirë që ata të zgjidhin fillimisht problemet që serbët po kanë në Kroaci dhe të veprojnë në përputhje me kriteret e BE-së”.
Dueli verbal vijoi ndërsa zëvendëskryeministri i Kroacisë Bozo Petrov, i tha medias se kjo është “kohë për katharsis” për Serbinë, duke nënkuptuar se Beogradi duhet të përballet fillimisht me rolin që ka luajtur në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe në luftërat që pasuan.
Pas kësaj, zëvendëskryeministri i Serbisë Rasim Ljajiç, deklaroi se politikanët kroatë qenë “duke treguar muskujt patriotikë” kundër Serbisë, tashmë prej muajsh.
Menjëherë pas zgjedhjeve të Kroacisë, disa analistë politikë pretenduan se fitorja e së djathtës do t’i përmirësonte marrëdhëniet mes Zagrebit dhe Beogradit, me argumentin se të djathtët kanë tendencën të bien dakord më lehtë dhe më shpejtë se sa të majtët.
Serbia në të vërtetë bëri përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç, papritur mori pjesë në ceremoninë e inagurimkit të presidentes së Kroacisë Kolinda Grabar Kitarovic shkurtin e kaluar, pavarësisht se ish presidenti i kroacisë Ivo Josipovic dhe ish-kryeministri Zoran Milanovic, nuk patën marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të Serbisë Tomislav Nikolic në maj, 2012.
Në prak të shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve në Kroaci nëntorin e kaluar, Vuçiç qe nga të parët që uroi Tomislav Karamarko, kreun e Bashkimit Demokratik të Kroacisë, HDZ, për fitoren e partisë së tij.
Biseda telefonike e Vuçiç parapriu një njoftim zyrtar të rezultateve, gjë që u pa si lëvizje për pajtim mes vendeve.
Që nga koha e zgjedhjeve, të dy vendet kanë diskutuar për një vizitë në Kroaci nga Vuçiç, por deri tani kjo ide nuk është realizuar.
Burime pranë udhëheqësisë kroate thanë se Zagrebi e ka lënë iniciativën në pritje pa zhurmë, e pakënaqur nga fakti se vetëm një javë para se vizita të kryhej në janar, Vuçiçi shkoi në Bosnjë për të festuar ditën kombëtare të Republikës Srpska, pjesës serbe të Bosnjës, festë të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka cilësuar të paligjshme.
Një vizitë e mundshme nga presidenti i Serbisë Nikolic, e cila është diskutuar tashmë që prej një viti, u vendos gjithashtu në pritje në të njëjtën mënyrë pasi Nikolic vitin e kaluar nxiti Papën të ndalojë kanunizimin e Aloysius Stepinac, një kryepeshkopi të Zagrebit gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili është një figurë e debatuar.
Lëvizja e Kroacisë për të bllokuar rrugën e Serbisë drejt BE-së është në thelb një përsëritje e asaj që Sllovenia bëri kur Kroacia po lëvizte drejt anëtarësimit. Qeveria në Ljubljanë bllokoi procesin për dy vjet, duke cilësuar si shkak mosmarrëveshjen për kufirin detar mes dy vendeve.
Ndërsa marrëdhëniet mes Zagrebit dhe Ljubljanës janë përmirësuar formalisht që kur Kroacia hyri në BE, ato kanë mbetur te ftohta dhe të tensionuara pasi mosmarrëveshja nuk është zgjidhur ende.
Tensionet u rritën sërish pasi Sllovenia ngriti një gardh me tela me gjemba pranë disa pikave të kalimit kufitar me Kroacinë si barrierë kundër refugjatëve.
Përveç kësaj, të dy vendet kanë mendime të ndryshme mbi çështjen nëse një proces arbitrazhi ndërkombëtar aktualisht i pezulluar mbi statusin e kufirit, duhet të vijohet apo jo.
Arbitrazhi u pezullua pasi Kroacia u tërhoq vitin e kaluar, pasi një bisedë telefonike e përgjuar tregoi se Sllovenia po lobonte pranë Gjykatës së Arbitrazhit për të dhënë një vendim favorizues për të.
Presidentja Grabar Kitarovic i ngriti të dyja çështjet kur ajo u takua me presidentët e Sllovenisë dhe Austrisë, Borut Pahor dhe Heinz Fischer, në Varazdin në Kroacinë e veriut javën e kaluar.
Pala Kroate tha se e mirëkuptonte dëshirën e Sllovenisë për të mbrojtur veten nga dallga e emigrantëve, por gjithsesi priste heqjen e gardhit kufitar sa më parë të qe e mundur.
Marrëdhëniet e Kroacisë me Bosnjën janë më të mira se sa ato me Serbinë apo Slloveninë. Gjithsesi, gjatë një vizite të kohëve të fundit të presidencës tripalëshe të Bosnjës në Zagreb, çështje të pazgjidhura dolën në sipërfaqe gjatë bisedimeve me Grabar Kitaroviç.
Çështjet e diskutuara nuk u deklaruan publikisht, por dukshëm ato përfshijnë mosmarrëveshjet aktuale mbi vijat kufitare si dhe planet e Kroacisë për të ndërtuar një urë në gadishullin e Peljesaç për të lidhur qytetin e Dubrovnikut me pjesën tjetër të Kroacisë dhe duke anashkaluar rrugën ekzistuese që kalon në territorin e Bosnjës.
Zyrtarët e Bosnjës kanë frikë se kjo urë do të bllokojë daljen në det për anije të mëdha të qytezës së vetme bregdetare të Bosnjës, Neum.
Në anën tjetër, Kroacia fitoi disa pikë në Bosnjë pasi mbështeti me forcë dëshirën e Sarajevës për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe pasi presidentja kroate deklaroi se vendi i saj nuk i mbështeste dëshirat e disa kroatëve të Bosnjës për krijimin e një entiteti federativ të veçantë për këtë popullsi në Bosnjë.
Megjithatë, duke parë tendencat aktuale politike në Kroaci dhe orientimin më nacionalist të qeverisë së re, disa zyrtarë kanë frikë se ky pozicion mund të ndryshojë në të ardhmen. Nëse ndodh kjo, tensionet shtesë në “rajon” dhe “fqinjësi” ka gjasa do të vijnë. /BIRN/

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)