Pak fjalë për një libër që meriton shumë


“Përkthimi – një histori pasioni” i Prof.Dr. Eshref Ymerit/


nga Dr. Andon Dede, Nju York/

Në një cikël emisionesh për historinë e Kinematografisë, që e pata ndjekur vite më parë, jepej një detaj tepër interesant e domethënës. Duke bërë fjalë për një dokumentar për peshkatarët, autori theksonte se ”ai peshk që ju hani në restorant apo në shtëpi, në një mjedis komod dhe e shijoni për shtatë palë qejfe, ndofta as që ju shkon në mëndje se sa mund e djersë është derdhur, për të përfundar ai peshk tek pjata juaj…”. Dhe autori, përmes një retrospektive, kthehej tek gjuetia e peshkut në një ditë jo të zakonshme, por në një det me dallgë e stuhi që e bënte peshkimin aq të vështirë sa që të rrezikonte dhe jetën e peshkatarëve. Më pas ai tregonte rrugën që bënte peshku i zënë deri sa përfundonte tek pjata jonë.

M’u kujtua kjo histori tek po lexoja librin e Prof. Dr. Eshref Ymerit, botuar tani vonë, me një titull tepër tërheqës: ”Përkthimi, një histori pasioni”.

Lexuesi, me të drejtë, mund të habitet nga kjo përqasje: e ç’lidhje ka peshkimi me përkthimin? Në vështrim të parë edhe unë bashkohem me të. Por, më lejoni ta shpalos deri në fund idenë që më lindi nga përqasja e mësipërme. A nuk kënaqemi dhe ne, tek lexojmë një roman, përmbledhje me poezi apo tregime, në mos dhe çdo libër të ndonjë fushe tjetër dhe, ndofta, jo për fajin tonë, as që na shkon ndër mend se atë kënaqësi po na e jep jo vetëm autori por dhe ai që e ka sjellë aq bukur, natyrshëm në gjuhën tonë sa ne jo vetëm që e kuptojmë plotësisht por dhe e shijojmë estetikisht. Për hir të së vërtetës duhet thënë se jo gjithmonë i jemi mirënjohës edhe përkthyesit krahas autorit, ndonëse ai, për të na e sjellë në gjuhën tonë, ka derdhur mund e djersë, në mos sa ai peshkatari në dallgë e stuhi, por shpirtërisht e mendërisht, është lodhur e cfilitur jo më pak se ai. E, pra, me punën krijuese por dhe të vështirë e të mundimëshme të përkthyesve, pse jo dhe me heroizmin e heshtur të tyre, na njeh libri i sipërcituar. Autori shkruan diku se : “njëlloj siç njohim arrtistin e madh në secilin prej roleve që ai luan, po ashtu edhe në çdo vepër të përkthyer gjejmë se cili është përkthyesi i shquar që domosdoshmëisht duhet të jetë një mjeshtër i vërtetë i fjalës artistike me artin që prodhon pena e vet.” Më tej ai shtjellon bindshëm idenë se për një përkthim cilësor është e domosdoshme jo vetëm zotërimi mjeshtëror i gjuhës burimore por dhe i shqipes, çka nënkupton njohjen me themel jo vetëm të pasurisë leksikore por dhe të strukturës gramatikore të të dyja gjuhëve, të cilat mund të mos kenë përputhje me njera tjetrën.Ajo çka mund të shprehet me mjete morfologjike në një gjuhë, në tjetrën mund të kompensohet me mjete leksikore.

Por, ky aspekt i përkthimtarisë është vetëm njera nga trajtesat e shumta që përmban libri. Autori e ka parë këtë veprimtari intelektuale në shumë plane e prerje, horizontale e vertikale. Ai e nis shtjellimin e kësaj teme që nga orgjina e lashtë, si lindi vetë termi përkthim, si një nga llojet e hershme të veprimtarisë së njeriut dhe, kapitull pas kapitulli, vjen deri në ditët tona. Ndërkohë që je duke lexuar librin, ti iu je përgjigjur një sërë pyetjeve që edhe mund t’i kesh pasur që më parë në mëndje apo që t’i ofron vetë autori si fjala vjen, pse lindi nevoja e përkthimit; sa lloj përkthimesh kemi; a ka dallim midis përkthimit të një vepre artistike dhe të një tjetre tekniko-shkencore, të biznesit e të tregëtisë, diplomacisë apo të gazetarisë e të publicistikës. Po në vetë letërsinë artistike, a përdoren të njëjtat mjete e rrugë për të sjellë në gjuhën tonë prozën e poezinë? A e vlen të ripërkthehen veprat e përkthyera tashmë, qoftë dhe nga mjeshtër të shquar të fjalës shqipe, si Fan Noli, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi e plot të tjerë? Parë në këtë prizëm libri, krahas kënaqësisë që të jep të pasuron edhe me një informacion të bollshëm. Për të qënë sa më bindës autori nuk mjaftohet thjesht me shpalosjen e mendimevet të veta por iu hap derën dhe krijuesve e përkthyesve të tjerë për të plotësuar sa më gjerë e sa më thellë përgjigjet për pyetjet që shtruam më sipër e për shumë të tjera që gjallojnë në faqet e këtij libri.

Do të mjaftonte gjithë sa thamë më lart për të përligjur botimin apo dhe leximin e tij. Por, po ta linim me kaq do të bënim një mëkat të madh se libri përmban dhe shumë e shumë informacione e trajtesa të tjera, njera më interesante se tjetra. Autori përveç shtjellimit teoriko-shkencor të kësaj veprimtarie të vyer intelektuale e sheh atë edhe në një sërë planesh psiko-sociale. Ai ndalet gjerësisht tek puna kolosale, po, po e përsëris, kolosale e një brezi të tërë përkthyesish që kanë sjellë në gjuhën tonë kryevepra botërore, jo vetëm të letersisë artistike por dhe politiko-shkencore-shoqërore dhe që jo vetëm nuk u shpërblyen materialisht për atë stërmundim prej sizifi por, për arsyet që merren me mënd nga ne që e kemi jetuar atë kohë, emri i tyre nuk është vënë as në ballinën e shumë e shumë botimeve voluminoze. Le të përmendim, fjala vjen përktheysit e veprave të klasikëve të Marksizëm-Leninizmit. Mos e paragjykoni nga përmbajtja apo konotacioni i keq që mori kjo rrymë e shkencave shoqërore me dështimin e utopisë komuniste. Por, a e merrni dot me mend se ç’punë e madhe është bërë për të sjellë në gjuhën tonë vepra të tilla si “Kapitali”, “Teoritë e Mbivlerës” e plot të tjera, kur edhe terminologjia e përdorur në to thuajse mungonte fare. Parë në këtë prizëm, autori, që është edhe vetë një përkthyes i njohur, i bën një homazh të shkëlqyer atij brezi që punoi pa u lodhur, me sakrifica të mëdha, për të pasuruar fondin e literaturës tonë politiko-shoqërore, apo dhe atë të terminologjisë përkatëse. Është kjo arsyeja që autori, këtë libër, siç e pohon vetë që në faqet e para të tij, ua blaton “të gjithë atyre Njerëzve të Shquar të Kombit Shqiptar, që ia kushtuan jetën artit të përkthimit, duke dhënë një kontribut të paçmueshëm për pasurimin e kulturës sonë kombëtare me thesare të kulturës botërore, paçka se disave prej tyre, si pasojë e luftës së klasave që e ushtroi me aq dhunë diktatura komuniste, ose thjesht për tekat autoritariste të kësaj të fundit, emrat nuk u figurojnë në ballinat e veprave të përkthyera dhe ata mbetën heronj të heshtur.” S’ka si të mos ndjesh dhimbje në shpirt kur lexon një nga rrëfimet e sjella në libër të një koleges së tyre, Violanda Canko: “Fatkeqësia është se ndokënd nga përkthyesit e përkryer të asaj kohe, e ndesh rrugës, të katandisur mos më keq, në një pleqëri të mjerë ekonomikisht dhe të mbaruar shpirtërisht.”

Me shumë interes janë dhënë nga autori apo dhe nga ata që ia kanë përcjellë atij mbrest e tyre, portretet e shumë përkthyesve të shquar, duke nisur me Gjon Shllakun që solli në shqip “Iliadën” e Homerit, e deri tek Isuf Vrioni që përktheu në frengjisht Kadarenë.

Por, edhe me këtë parantezë që bëmë nuk i treguam gjithë shtigjet që ka çarë autori për të plotësuar tablonë e përkthimtarisë në vendin tonë. Jo pa qëllim e theksojmë këtë aspekt se ne, ndryshe nga tërë bota, edhe në këtë fushë kemi specifikën tonë. Brezi im nuk e ka vështirë ta marrë me mend se përse e kemi fjalën. A ju kujtohen veprat “madhore” të diktatorit që përktheheshin e botoheshin në tërë ato gjuhë të botës? Me siguri që iu kujtohet por jo të gjithë e dinë se si është punuar për to dhe sa kanë kushtuar. Në libër jepet një tablo e saktë dhe e plotë e tërë asaj pune të jashtzakonshme që kanë bërë përktheysit e Shtëpisë Botuese “8 nëntori” për t’i përkthyer ato jo më nga një gjuhë e huaj në shqip por në drejtim të kundërt. Vetëm kush është marrë sadopak me të tilla punë mund ta kuptojë se sa e mundimëshme ka qënë ajo. Jo vetëm kaq, por siç vë në dukje autori, mjaft prej atyre “veprave të shquara”, duhet të përktheheshin shumë shpejt se “mezi i priste proletariati botëror e marksist-leninistët në tërë rruzullin për t’u njohur me përvojën e shkëlqyer shqiptare dhe me mendimin teorik të udhëheqësit të shquar ku i pat drejtuar sytë gjithë bota”. Ato vepra, thekson autori, duhet të përfundonin në duart e antarëve të grupeve dhe të partive M-L, të cilat kishin për mision të “zgjonin proletariatin botëror për tu çuar peshë në këmbë që të hidhej në revolucion, për të marrë pushtetin me grykën e pushkës.” Pohime të tilla janë njëkohësisht tragjike e komike kur mendon se sa mund e djersë është derdhur për to e, bashkë me to dhe paret e një populli ekstremisht të varfër që s’ngopej as me bukë. Kujtojmë me këtë rast, se ato libra u botuan me letër shumë të shtrenjtë, me kapak të fortë e me lidhje speciale, pra bëhet fjalë për miliona e miliona dollarë. Tragjizmi merr përmasa edhe më të mëdha kur njihesh me fatin e tyre, shumica e të cilave, në mos të gjitha, përfundonin në koshin e plehrave.

Duke qënë shef i asaj redaksije, autori ndjen keqardhje për atë punë që i qe ngarkuar. Ja si shprehet ai: “Më vjen keq për kolektivin e redaksisë që punonte duke gogësitur mbi makinat e shkrimit, që raskapitej me orar aq të stërzgjatur dhe në fund të pesëmbëdhjetëditëshit, (siç paguheshin rrogat asokohe), nuk merrte asnjë shtesë mbi rrogën. Ajo ishte një grabitje e pastër e punës intelektuale, të cilën, përveç mohimit të mbishpërblimit material, shteti e shoqëroi edhe me mohimin e pronës intelektuale, duke mos lejuar shënimin e emrave të përkthyesve dhe të redaktorëve në ballinat e librave të përkthyer.”

Por autori nuk bije në pozita qaramane, por sheh me objektivitet dhe anën tjetër të medaljes se, siç thotë një fjalë e urtë, çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Mund të them me bindje të plotë, – pohon ai, – se puna në atë Redaksi ka qënë një “kudhër” e vërtetë, një “universitet i dytë”, siç e quan me shumë të drejtë përkthyesi i njohur Edmond Tupja. Pra, ajo djersë e derdhur atje për gati dy dhjetvjeçarë, nuk shkoi dëm për përgatitjen e gjithanshme shkencore të përkthyesve, të cilët, pas shpërbërjes së Shtëpisë Botuese, u larguan me disa gjuhë të përvetësuara dhe me një bagazh të admirueshëm kulturor e profesional, çka bëri të mundur që ata të gjenin veten pa vështirësi në kushtet e reja të ekonomisë së tregut.

Në libër është pasqyruar edhe puna e vëllimshme që është bërë jo vetëm në atë shtëpi botuese por dhe në Radion e Jashtëme e në ATSH.

Libri nuk është vetëm një pasqyrë e përkthimtarisë tek ne dhe as një paradë e sukseseve të saj por, në të njëjtën kohë, edhe një vështrim kritik për të meta e dobësi që vërehen në këtë fushë, veçanërisht të theksuara këto pas ndryshimit të sistemit. Me të drejtë autori vë në dukje se shumë shtëpi botuese, që mbas ’90-ës mbinë si kërpudhat pas shiut, tashmë janë të lira të përkthejnë e të botojnë ç’të duan, mjafton që të tërheqin vëmëndjen e lexuesve e të shesin libra, duke shkelur me këmbë parimet aq të domosdoshme për një përkthim dinjitoz, siç e vumë në dukje më lart. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj të vërtete të thjeshtë. Të më falë lexuesi që po rrëfej një përjetim timin: sa herë që shkoj në Shqipëri, mbushem me libra të autorëve të ndryshëm. Pa ekzagjerim mund të them se më ka ndodhur disa herë që librat e përkthyer nga ato gjuhë që nuk i zotëroj, të botuara në shqip, nuk i kam marrë vesh, jo më fraza e paragrafe por jo rrallë edhe pjesë të tëra të librit. Ndaj, me të drejtë në veprën që po diskutojmë, tërhiqet vëmëndja se përkthime të tilla jo vetëm që i bëjnë një shërbim të keq autorit të përkthyer por dhe vetë lexuesve me shijen e keqe që iu lënë. Gjuha shqipe, – shprehet në një intervistë autori i librit, – është shpirti dhe zemra e kombit shqiptar, “dritarja” përmes së cilës, nëpërmjet përkthimit, thesaret e kulturës botërore, në lëmin e letërsisës artistike, vijnë e bëhen pjesë e pandarë e thesarit të kulturës sonë kombëtare se, siç thotë një nga teoricienët e shquar të praktikës dhe të teorisë së përkthimit, J.I.Recker, “ Përkthyesi ka për detyrë të përcjellë me mjetet e një gjuhe tjetër, në mënyrë tërësore dhe të përpiktë, përmbajtjen e orgjinalit, duke respektuar veçoritë e tij stilistikore dhe shprehëse”.

Për të evidentuar bukurinë e Shqipes autori ka paraqitur tre fragmente veprash artistike, nga tre autorë të ndryshëm, të sjella në gjuhën tonë nga tre përkthyes të njohur. Këtu, thekson ai, kemi të bëjmë me një lidhje të goditur martesore të gjuhës së huaj me atë amtare.

Edhe pse voluminoz, libri me atë mozaik formash e polifoni zërash që përmban, paraqitet tepër i larmishëm dhe si i tillë lexohet me një frymë, nga fillimi në fund. Autori ka kombinuar bukur memoristikën e përsiatjet e veta me intervista të të tjerëve, me kuriozitete nga tërë bota që lidhen me këtë temë. Aty këtu, në funksion të ideve që hedh, ka futur citate e aforizma që të ngelen në mëndje për nga forca përgjithësuese e tyre. Ai ka shpalosur në të edhe përvojën e tij të pasur, jo vetëm si përkthyes por dhe si pedagog i përkthimit në Universitetin e Tiranës.

Pa e tepëruar, mund të themi se ai është si një enciklopedi që hedh vështrimin në tërë aspektet që lidhen me përkthimtarinë.

Ne e pamë këtë libër nga këndvështrimi i lexuesit por ai është në të njëjtën kohë dhe një manual i vyer për përkthyesit e rinj, nëse duan t’i përkushtohen kësaj veprimtarie sa të vlertë aq dhe të bukur e të vështirë njëkohësusht. Siç vë në dukje Mira Meksi, në parathënien e librit, ky libër i Prof.Dr. Eshref Ymerit përmban një informacion shkencor tejet të pasur të nivelit erudit për problemet e përkthimit dhe bart vlera të jashtazakonshme njohëse. Kam bindjen, përfundon ajo, që kjo vepër e përmasave encikopedike do të jetë një traktat plot vlerë për studentët e degëve të gjuhëve të huaja”.

- See more at: http://gazetadielli.com/pak-fjale-per-nje-liber-qe-meriton-shume/#sthash.SlaZDC2E.dpuf

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)